Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/31/2022 4:36:42 PM

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2021

Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2021 është shqyrtuar të martën nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar në mënyrë të detajuar aktivitetet, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2021, si dhe i është përgjigjur interesimit të deputetëve për çështjet e parashtruara. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se pavarësisht sfidave, ZKA-ja ka arritur t’i përmbush të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese dhe rezultatet përkatëse, duke publikuar 131 raporte të auditimit, katër (4) auditime më shumë se sa në vitin paraprak dhe me cilësi të lartë profesionale. “Për vitin 2021, janë kryer 116 auditime të pasqyrave vjetore financiare, objektivë e të cilave ishte të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse pasqyrat financiare si tërësi nuk përmbajnë keqdeklarime materiale, si dhe të ofrojmë opinionin e auditimit në lidhje me këto pasqyra. Përveç, opinionit, ne kemi shprehur konkluzionin e auditimit për pajtueshmërinë me legjislacionin e zbatueshëm përkatës. Këto auditime kanë përfshirë auditimin e pasqyrave vjetore financiare të organizatave buxhetore përfshirë nivelin qendror, nivelin lokal dhe institucionet e pavarura, ndërmarrjet publike si dhe projektet e financuara nga donatorë siç janë Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim”, ka deklaruar znj. Spanca. Ajo ka shtuar se gjatë vitit 2021, ZKA ka kryer edhe 13 auditime të performancës përmes të cilave ka promovuar efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin, vlerën për para dhe transparencën në administratën publike. “Auditimet e performancës kanë mbuluar fusha me interes për qytetarët, Kuvendin e Kosovës dhe palët e tjera të interesit. Fokus i auditimeve ishte: zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, shëndetësia, mjedisi dhe siguria, teknologjia e informacionit si dhe fusha e prokurimit publik”, ka theksuar znj. Spanca. Tutje Auditorja e Përgjithshme i ka njoftuar deputetët se çështjet kryesore të dala nga rezultatet e auditimeve për vitin raportues, kanë të bëjnë me cilësinë e raportimit; planifikimin dhe realizimin e buxhetit; kontrollet e vlefshmërisë së të dhënave në SIMFK. Gjithashtu, ka shtuar se këto rezultate kanë të bëjnë edhe me klasifikimet e shpenzimeve; efikasitetin në shpenzimin e fondeve nga borxhet publike; menaxhimin e llogarive të arkëtueshme; detyrimet e pa paguara dhe detyrimet kontingjente;  regjistrimin, prezantimin dhe trajtimin jo adekuat të pasurive; raportimin financiar me mangësi të theksuar në ndërmarrje publike, si dhe zbatimin e rekomandimeve. “Auditimet kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para”, është shprehur znj. Spanca, duke theksuar se përmes rekomandimeve praktike, ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Para deputetëve, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se pasi ka marrë mandatin për herë të parë ZKA-ja ka filluar me auditimin e informatave te klasifikuara me ligj. Duke folur për performancën e ZKA-së gjatë vitit 2021, Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se paralelisht me realizimin e planit të auditimit, është avancuar metodologjia për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe ka hyrë plotësisht në funksion digjitalizimi i punës audituese. Kurse, për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, znj. Spanca ka theksuar se ZKA-ja në 2021-në ka dërguar 52 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit si dhe ka ofruar informacione për raste të natyrës se tillë. Ndërkaq, në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka marrë pjesë në aktivitete të organizatave ndërkombëtare si: INTOSAI, EUROSAI dhe atyre regjionale, ndërsa është përmbyllur me sukses zbatimi i projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë, i financuar nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, ka theksuar se ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në fushën e auditimit të performancës. Deputetët e këtij Komisioni, znj. Spanca i ka njoftuar në mënyrë të hollësishme edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit. Më këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka siguruar anëtarët e Komisionit se Zyra Kombëtare e Auditimit do të përmbush mandatin e vet kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit të Republikës së Kosovës auditime cilësore dhe profesionale. Nga ana tjetër deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike pasi kanë vlerësuar punën e ZKA-së gjatë periudhës raportuese kanë ngritur për diskutim çështje të ndryshme që ndërlidhën më aktivitetet në veçanti ato audituese të ZKA-së dhe kanë parashtruar pyetje të cilave znj. Spanca u është përgjigjur. Ndër çështjet për të cilat Deputetet ishin të interesuar të dinin, kanë të bëjnë me: auditimet e ndërmarrjeve publike, veçanërisht atyre të audituara për herë të parë, arsyet për dhënie të opinioneve, cilësinë e auditimeve të kontraktuara përmes shërbimeve të jashtme, adresimi i rasteve me elemente potenciale për mashtrim, masat që duhet të ndërmerren për rritjen e imazhit publik të ZKA-së, çështjet e pagesave të punonjësve në mungesë të pjesëmarrjes në punë, etj. Ndër të tjera u kërkua që në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm të konsiderohen auditime më ndikim në buxhetin e shtetit, ndër të cilat u theksua, auditimi i kontratave me negocim dhe atyre për shërbime të veçanta. Gjithashtu, në takim u theksua nevoja edhe për forcimin e komunikimit midis Kuvendit dhe ZKA-së, në veçanti pas vendimeve të Kuvendit për të adresuar rekomandimet dhe masat e duhura ndaj institucioneve publike, në mënyrë që ZKA të jetë e informuar edhe për veprimet dhe rezultatet pasuese nga ana e Kuvendit për adresimin e llogaridhënies në zbatimin e rekomandimeve nga institucionet publike. 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit, anëtare të EUROSAI-t priten në takim nga presidenti i Çekisë,  diskutojnë për rëndësinë e ISA-ve brenda sistemit kushtetues

Krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit, anëtare të EUROSAI-t priten në takim nga presidenti i Çekisë, diskutojnë për rëndësinë e ISA-ve brenda sistemit kushtetues

Aktivitete të shumta janë mbajtur edhe gjatë ditës së tretë të post Kongresit të EUROSAI-t, ndër të cilat duhet të veçohen pritja nga presidenti i Republikës Çeke, takimi i krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për të diskutuar Planin Strategjik të EUROSAI-t 2024-2030, si dhe ekspozita e hapur e produkteve dhe prezantimi i të arriturave nga ISA-t. Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe krerët e tjerë të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga vendet e Evropës janë pritur të martën në takim nga presidenti i Republikës Çeke, z. Miloš Zeman. Gjatë këtij takimi presidenti çek ka mirëpritur udhëheqësit e Institucioneve Supreme të Auditimit me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e auditimit të jashtëm brenda sistemit kushtetues, si dhe për përfitimet e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e auditimit. Ky takim është realizuar pas përfundimit të punimeve të post Kongresit të EUROSAI-t ku drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit për tri ditë më radhë në kuadër të dhjetëra punëtorive kanë diskutuar tema të rëndësishme të auditimit të jashtëm si dhe kanë bërë rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave të tyre. Të pranishmit kanë vlerësuar se post Kongresi i EUROSAI-t ka qenë një mundësi e mirë për të demonstruar potencialin e institucioneve supreme të auditimit dhe fuqinë e tyre. Drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit solidarizohen me Ukrainën, thonë se në mungesë të paqes është e vështirë të flitet për zhvillimin dhe arritjen e qëllimeve globale Në takimin e veçantë të drejtuesve të organeve më të larta të auditimit njëherësh anëtarë të EUROSAI-t, ku ishin pjesë edhe Auditorja e Përgjithshme dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, është diskutuar plani Strategjik i EUROSAI-t 2024-2030. Me këtë rast Presidenti i EUROSAI-t, ka ftuar kryetarin e Dhomës së Llogarive të Ukrainës, Valeriy Patskan, që para homologëve evropian të paraqes situatën në vend dhe dëmet e shkaktuara nga agresioni ushtarak rus si dhe pengesat për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm. Ai ka kërkuar që sa më shpejt midis prioriteteve të EUROSAI-t, të identifikohen përpjekjet e përbashkëta për të vlerësuar ndikimin global të sulmit të Rusisë në Ukrainë, vlerësimet e dëmeve të luftës, duke thënë se shkalla e dëmit nga kjo luftë është e vështirë të vlerësohet. “Presidenti i Ukrainës ka krijuar tashmë një grup pune për të kontrolluar dëmet, humbjet e shkaktuara në Ukrainë dhe qeveria ka hartuar një urdhër për vlerësimin e dëmit. Në këtë drejtim punon edhe Dhoma e Llogarive. Në të ardhmen e afërt do të kryhen një sërë analizash sektoriale. Rezultatet e tyre do të ndihmojnë në formimin e një opinioni auditimi mbi vlerësimin e qeverisë për madhësitë dhe format e dëmeve direkte dhe indirekte të shkaktuara nga agresioni i armatosur”, është shprehur Patskan. Ai ka thënë se nga komuniteti i EUROSAI-t Ukraina ka nevojë për mbështetje metodologjike. Të pranishmit kanë bashkë ndjerë me homologun e tyre ukrainas për zhvillimet atje, duke thënë se në mungesë të paqes është e vështirë të flitet për zhvillimin global dhe arritjen e qëllimeve globale. Presidenti i EUROSAI-t Miloslav Kala, me rastin e përfundimit të post Kongresit ka falënderuar mysafirët për pjesëmarrje, atmosferën miqësore dhe për ndarjen e njohurive. Delegacioni i ZKA-së pritet në takim nga ambasadorja e Kosovës në Çeki Gjatë qëndrimit në Pragë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtor është pritur në takim edhe nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj Kapitaj. Me këtë rast znj. Spanca e ka njoftuar ambasadoren për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Në veçanti znj Spanca ka theksuar rëndësisë e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje dhe peshën që ka EUROSAI si organizatë evropiane e ISA-ve në të cilën ZKA është anëtare e  kësaj organizate, e mundësuar kjo edhe me ndihmën edhe të shtetit çek. Diplomatja kosovare e ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për një menaxhimin më të mirë  të parasë publike përmes auditimeve, respektivisht zbatimit të rekomandimeve të auditimit.
Lexo më shumë
Auditimi konstaton mangësi në menaxhimin e fondeve publike dhe raportimin financiar në RTK

Auditimi konstaton mangësi në menaxhimin e fondeve publike dhe raportimin financiar në RTK

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot ka publikuar Raportin e  Auditimit të  Pasqyrave Vjetore Financiare për  Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për vitin 2021 si dhe Raportin e  auditimit të performancës me temën “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këto raporte ka theksuar se kërkohen veprime të menjëhershme nga RTK-ja për adresimin e rekomandimeve të dhëna meqë auditimet e kryera në Radio Televizionin e Kosovës kanë identifikuar mangësi thelbësore lidhur me raportimin financiar si dhe në menaxhimin e fondeve publike të dedikuara për burimet njerëzore dhe programet vendore. “Fondet publike duhet të menaxhohen me kujdes dhe përgjegjshmëri të plotë dhe raportimi financiar duhet të reflektojë prezantimin e drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Radio Televizionit të Kosovës”, ka deklaruar znj. Spanca. Në raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të RTK-së për vitin 2021 është dhënë Opinion i kundërt i auditimit, ndërsa për transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit të RTK-së  është dhënë Konkluzion i Kualifikuar. Çështjet që kanë ndikuar në dhënien e Opinionit të Kundërt kanë të bëjnë me parregullsitë  në kompensimin e kontratave, mospranimin e letër konfirmimeve nga furnitorët, mënyrën e trajtimit të pasurive të paprekshme, trajtimin jo të duhur të obligimeve ndaj furnitorëve, pagesa të parregullta për shujtat etj. Ndërsa, çështja që ka ndikuar në dhënien e Konkluzionit të Kualifikuar ka të bëjë me pagesat e parregullta për shtesat dhe shpërblimet e punëtorëve të RTK-së. Përderisa çështjet  tjera kyçe të menaxhimit financiar dhe kontrolleve, janë shoqëruar me mangësi  dhe parregullsi siç janë: mos shpalosja e padive gjyqësore, mos prezantimi i plotë i pasurive në regjistrin e pasurive, etj. Për të adresuar këto çështje, në këtë raport, janë dhënë 17 rekomandime për Bordin dhe Menaxhmentin e Radio Televizionit të Kosovës. Ndërsa Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”, ka mbuluar aspektin e burimeve njerëzore, duke përfshirë stafin aktual, nevojat për rekrutim të stafit shtesë, dhe angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm. Gjithashtu është mbuluar edhe kontraktimi i  programeve të prodhuara vendore nga producentë të jashtëm. Ky auditim përfshinë periudhën 2019-2021. Auditimi ka konstatuar se kontrolli i dobët mbi menaxhimin e stafit të rregullt duke mos respektuar edhe vendimet e Bordit nga ana e menaxhmentit, i ka kushtuar Radio Televizionit të Kosovës keq menaxhim financiar në vlerë prej 806,898 euro për tre vite. Rezultatet e auditimit tregojnë se angazhimi i stafit të rregullt nuk ishte bërë sipas projeksioneve buxhetore dhe nuk ishin respektuar procedurat e rekrutimit. Mbi 70% e angazhimeve të punëtorëve janë lidhur për pozita të rregullta pa një proces transparent dhe konkurrues duke mos shpallur konkurs publik, në anën tjetër këta persona nuk kanë gëzuar të drejtat e punëtorëve të rregullt si pushimin vjetor, shujta etj.  Sistemimi dhe avancimi i stafit të Radio Televizionit të Kosovës është përcjell me mangësi të shumta, në raste të caktuara duke shpërfillur vendimet e Bordit dhe  shkaktuar kosto shtesë. Gjithashtu, nuk është bërë vlerësim i detajuar për nevojat e programeve të jashtme nga drejtorët programor dhe nuk janë marrë për bazë disa nga kriteret për përzgjedhjen e këtyre programeve. Me qëllim që RTK-ja të krijojë një sistem të përshtatshëm i cili siguron në mënyrë efektive menaxhimin e stafit dhe programeve vendore, në raportin e auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”, ZKA-ja ka dhënë nëntë rekomandime për Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së. Raportin e plotë të auditimit për Pasqyrat vjetore financiare të Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2021 e gjeni këtu. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës” e gjeni këtu.  
Lexo më shumë