Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/3/2025 4:19:00 PM

Mbahet punëtoria për përfitimin e njohurive nga përvojat e Kroacisë në lidhje me auditimin e fondeve të BE-së për qëllime të raportimit në Komision Evropian

Në kuadër të nismës për angazhimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në auditime të fondeve të BE-së, përkatësisht Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me ZKA-në, të enjten mbajtën punëtorinë online për të diskutuar fillimin e procesit të angazhimit dhe modalitetet përcjellëse. Objektivi kryesor i punëtorisë ishte auditimi dhe përgatitja e “Përmbledhjes se auditimeve” në kuadër të raportimit gjashtëmujor te Qeverisë se Republikës se Kosovë tek Komisioni Evropian për sa i përket përmbushjes se reformave të Agjendës së Reformave të Kosovës.  

Punëtoria pati për qëllim të forcojë kapacitetet institucionale dhe të sigurojë një qasje më efektive ndaj kërkesave të BE-së për monitorimin e reformave në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. 

Në hapje të punëtorisë, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e raportimit, duke shtuar se kjo punëtori ndihmon ZKA-në të rris njohuritë profesionale dhe të harmonizojë përmbledhjet e auditimeve me kërkesat e Komisionit Evropian, duke rritur cilësinë e raportimeve.

Ekspertja nga Agjencia Kroate për Auditimin e Sistemit të Zbatimit të Programeve të BE-së (ARPA), Marina Mandac prezantoi përvojën e shtetit të Kroacisë dhe standardet profesionale të kërkuara nga Komisioni Evropian për auditimin e fondeve të BE-së. Diskutimet u fokusuan në strukturën dhe metodologjinë e përmbledhjes së auditimeve, si dhe në procedurat e punës për raportimin gjashtëmujor.

Pjesë e punëtorisë ishin edhe përfaqësues nga GIZ-i, përkatësisht Asistenca teknike për mbështetje dhe implementim të Reformës se Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë si dhe përfaqësues nga Qeveria e Republikës se Kosovës të përfshirë në procesin e angazhimit për reforma të agjendës evropiane.  

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyrtarët ndërlidhës të Institucioneve Supreme të Auditimit mbajtën takimin e radhës në Varshavë

Zyrtarët ndërlidhës të Institucioneve Supreme të Auditimit mbajtën takimin e radhës në Varshavë

Më 26 dhe 27 mars 2025 në Varshavë të Polonisë u mbajt takimi i Zyrtarëve ndërlidhës të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me pjesëmarrjen e SIGMA, Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Grupit për Aktivitete të Përbashkëta në Auditim (JWGAA), si dhe takimi i Zyrtarëve Ndërlidhës të Komitetit të Kontaktit.  Në këtë takim mori pjesë edhe Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj.  

Në takimin e Rrjetit, pjesëmarrësit diskutuan dhe u dakorduan për planin kohor të aktiviteteve për vitin 2025, siç janë punëtoria për menaxhimin e cilësisë dhe zbatimin e ISSA 140, programin e trajnimit për auditorët e performancës si dhe shqyrtimin e mundësive për organizimin e punëtorisë për auditimet e mjedisit sipas agjendës së qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm dhe  punëtorisë për mbështetjen e TI-së në proceset e auditimit si dhe auditimi i TI-së.

Po ashtu në këtë takim është shqyrtuar identifikimi i nevojave dhe temat me prioritet për planin e ri të bashkëpunimit në kuadër të Rrjetit si dhe veprimet për përgatitjen e takimit të ardhshëm të Presidentëve.  

Ndërsa në takimin e zyrtarëve ndërlidhës të ISA-ve të BE-së, u diskutua rreth përgatitjeve të  mbledhjes së Komitetit të Kontaktit që do të mbahet në Maltë në nëntor 2025. Pjesëmarrësit po ashtu rishikuan Kornizën e Bashkëpunimit të Komitetit të Kontaktit, përditësimet në faqen zyrtare të Komitetit dhe temat kyçe si auditimet bashkëpunuese, rolin e ISA-ve në kuadrin financiar shumëvjeçar të BE-së dhe deklaratën mbi Bankën Evropiane të Investimeve (EIB).

Këto takime mbahen në baza të rregullta vjetore dhe kanë për qëllim koordinimin e aktiviteteve në kuadër të Rrjetit dhe Komitetit të Kontaktit. Po ashtu janë një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit midis ISA-ve me qëllim të rritjes së transparencës dhe efektivitetit të auditimit publik në Evropë.

Lexo më shumë
ZKA-ja ndan përvojën mbi vizualizimin dhe raportimin efektiv në kursin e CEF

ZKA-ja ndan përvojën mbi vizualizimin dhe raportimin efektiv në kursin e CEF

Në datat 24-28 mars 2025, u mbajt kursi online “Zotërimi i aftësive të vizualizimit dhe raportimi efektiv për auditorët”, i organizuar nga Qendra për Ekselencë në Financa (CEF). Në këtë aktivitet morën pjesë katër përfaqësuese të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), duke përfshirë auditoren seniore Nora Rashiti Nishefci, e cila ishte folëse në kurs dhe ndau përvojën institucionale mbi përmirësimin e komunikimit të gjetjeve të auditimit.

Gjatë prezantimit të saj, znj. Rashiti Nishefci tregoi për reformat e ndërmarra nga ZKA, duke përfshirë përdorimin e gjuhës së thjeshtë, përmirësimin e strukturës së raporteve dhe integrimin e elementeve vizuale, me qëllim që raportet të jenë më të qarta dhe më të lehta për t’u kuptuar nga publiku. Ajo paraqiti shembuj konkretë të ndryshimeve të aplikuara dhe theksoi nismat kryesore si: emërimi i ambasadorëve të gjuhës së thjeshtë, zbatimi i softuerit të auditimit SITA, angazhimi i dizajnerit grafik, trajnimet e vazhdueshme për auditorët si dhe bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditimit. 

Edhe përfaqësueset e tjera të ZKA-së, Auditorja Alba Keqa, Dizajnerja Grafike Dafina Visoka, dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi ndoqën kursin dhe kontribuuan në grupet punuese dhe detyrat e kursit, duke ndarë njohuritë dhe përvojat mbi vizualizimin dhe raportimin efektiv në auditim. 

Lexo më shumë