Në datat 24-28 mars 2025, u mbajt kursi online “Zotërimi i aftësive të vizualizimit dhe raportimi efektiv për auditorët”, i organizuar nga Qendra për Ekselencë në Financa (CEF). Në këtë aktivitet morën pjesë katër përfaqësuese të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), duke përfshirë auditoren seniore Nora Rashiti Nishefci, e cila ishte folëse në kurs dhe ndau përvojën institucionale mbi përmirësimin e komunikimit të gjetjeve të auditimit.
Gjatë prezantimit të saj, znj. Rashiti Nishefci tregoi për reformat e ndërmarra nga ZKA, duke përfshirë përdorimin e gjuhës së thjeshtë, përmirësimin e strukturës së raporteve dhe integrimin e elementeve vizuale, me qëllim që raportet të jenë më të qarta dhe më të lehta për t’u kuptuar nga publiku. Ajo paraqiti shembuj konkretë të ndryshimeve të aplikuara dhe theksoi nismat kryesore si: emërimi i ambasadorëve të gjuhës së thjeshtë, zbatimi i softuerit të auditimit SITA, angazhimi i dizajnerit grafik, trajnimet e vazhdueshme për auditorët si dhe bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditimit.
Edhe përfaqësueset e tjera të ZKA-së, Auditorja Alba Keqa, Dizajnerja Grafike Dafina Visoka, dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi ndoqën kursin dhe kontribuuan në grupet punuese dhe detyrat e kursit, duke ndarë njohuritë dhe përvojat mbi vizualizimin dhe raportimin efektiv në auditim.