Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/25/2025 11:08:00 AM

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në konferencën “Fuqizimi i Sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë”

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional të enjten u mbajt konferenca “Fuqizimi i Sistemit të Prokurimit Publik në Kosovë”, organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në bashkëpunim me SIGMA/OECD. Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve kyçe që mbikëqyrin prokurimin publik si dhe pati për synim rritjen e bashkëpunimit dhe avancimin e sistemit të prokurimit publik.

 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për  rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në sigurimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe transparent të prokurimit publik. Ai theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit si dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve.  

 

Z. Halilaj tregoi se shumica e gjetjeve që ZKA-ja evidenton në raportet e auditimit i përkasin fushës së prokurimit publik dhe kjo tregon se ende ka mangësi në të gjitha fazat e procesit. Ai tha se ZKA-ja mbetet e përkushtuar për të dhënë kontributin e saj për të forcuar sistemin e prokurimit publik dhe për të siguruar zbatim më efektiv të ligjit.

 

Në kuadër të punimeve të konferencës u diskutuan praktikat e mira dhe sfidat në këtë fushë, përfshirë përvojën e Komitetit Ndër-Ministror të Prokurimit Publik në Rumani si dhe përmirësimin e cilësisë dhe transparencës në raportimet vjetore.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Edhe një auditore e ZKA-së certifikohet nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t

Edhe një auditore e ZKA-së certifikohet nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t

Auditorja seniore e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), znj. Arta Kryeziu Qehaja, ka përfunduar me sukses programin ndërkombëtar “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë” (EFA), të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. Ky program ka për qëllim fuqizimin e agjentëve të ndryshimit brenda Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), në promovimin e qasjeve gjithëpërfshirëse dhe të barabarta në auditim.

Përmes këtij trajnimi, znj. Kryeziu Qehaja ka kontribuar në zhvillimin e planeve strategjike për auditime që adresojnë çështje të ndërlidhura me barazinë dhe përfshirjen, duke udhëhequr ekipe dhe ndarë përvoja profesionale me kolegë nga vende të ndryshme.

Organizatorët vlerësuan lartë angazhimin e saj dhe mbështetjen institucionale të ZKA-së, duke theksuar se pjesëmarrësit e programit EFA do të luajnë rol kyç në avancimin e praktikave të auditimit dhe në rritjen e vetëdijes institucionale për rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, uroi auditoren seniore për përfundimin e suksesshëm të këtij programi, duke theksuar se kjo arritje dëshmon përkushtimin e ZKA-së për të integruar parimet e barazisë dhe përfshirjes në punën audituese, si dhe për të kontribuar në zhvillimet globale në këtë fushë.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën e Auditimit të Sllovenisë

Auditorja e Përgjithshme qëndroi për vizitë zyrtare në Gjykatën e Auditimit të Sllovenisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, me ftesë të kryetares znj. Jana Ahčin, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Gjykatën e  Auditimit të Sllovenisë, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Administratorja e bazës së të dhënave, Kaltrina Sylejmani.

Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i përvojave profesionale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në fushën e auditimit publik.

Në fjalën e saj, znj. Jana Ahčin nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë rajonal në fushën e auditimit publik si mjet kyç për të ndihmuar institucionet publike që të jenë më të përgjegjshme dhe më transparente në menaxhimin e financave publike. znj. Spanca e falenderoi për mikpritjen dhe theksoi se shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe  Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë janë mundësi e vlefshme për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe për të avancuar standardet e qeverisjes së mirë, transparencës dhe llogaridhënies publike.

Gjatë sesioneve të punës delegacionet shkëmbyen përvojat mbi menaxhimin e riskut institucional, qasjet për hartimin e raporteve miqësore për publikun, strukturën e raporteve të performancës, kuadrin ligjor dhe menaxhimin e sistemeve të TI-së, në veçanti homologët treguan interesim të veçantë për Sistemin për Menaxhimin e Auditimit (SITA) të ZKA-së.

Znj. Ahčin dhe znj. Spanca shprehën gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët duke vlerësuar se shkëmbimi i njohurive dhe diskutimet e frytshme gjatë takimeve hapin rrugën për një bashkëpunim më të ngushtë në fusha të ndryshme të auditimit publik dhe për modernizimin e proceseve të punës në të dy institucionet.

Lexo më shumë