Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/30/2025 4:57:00 PM

Zyra Kombëtare e Auditimit mbajti punëtorinë “Auditimet e Teknologjisë së Informacionit – Zhvillimet dhe Sfidat”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) organizoi në Prishtinë punëtorinë dyditore me temën “Auditimet e Teknologjisë së Informacionit – Zhvillimet dhe Sfidat”, e cila bashkoi përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Turqia, Polonia, Estonia, Portugalia, përfaqësues nga IDI, nga Universiteti i Tartu-së, konsulent kryesor nga GRC – Bitsecura, si dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.  Ky aktivitet shërbeu si platformë për të diskutuar zhvillimet, sfidat dhe mundësitë në fushën e auditimeve të TI-së në sektorin publik.

 

Në hapje të punëtorisë, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës,  Vlora Spanca, theksoi rëndësinë që ka auditimi i teknologjisë së informacionit për garantimin e llogaridhënies, transparencës dhe sigurisë në administratën publike. Ajo tha se auditimi i sistemeve të informacionit është ndër pjesët thelbësore të mandatit të ZKA-së, duke u zhvilluar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.

 

“Në këtë kontekst, auditimi i sistemeve të informacionit është bërë një komponent gjithnjë e më i rëndësishëm i mandatit tonë. Këto auditime kryhen si angazhime të pavarura ashtu edhe si elementë mbështetës brenda auditimeve financiare dhe të përputhshmërisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira të njohura globalisht”, deklaroi znj. Spanca, duke shtuar se ky aktivitet është mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja dhe për të forcuar bashkëpunimin profesional.  

 

Punimet e punëtorisë u zhvilluan në tri sesione tematike. Sesioni I u fokusua në trendet globale dhe rajonale në auditimin e TI-së ku prezantuan përfaqësuesit nga ISA e Polonisë,  Portugalisë (virtualisht),  Estonisë dhe ITWG si dhe nga Universiteti i Tartu-së.  

 

Sesioni II adresoi përvojat praktike dhe sfidat aktuale ku prezantuan përfaqësues nga ZKA-ja, Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (virtualisht), ISA e Turqisë, KLSh-ja  e Shqipërisë si dhe ISA e Maqedonisë së Veriut.  

 

Ndërsa Sesioni III u fokusua në përvojat e Zyrës Kombëtare të Auditimit  në audimet e TI-së ku përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan lidhur me sfidat, kërcënimet kibernetike ndaj institucioneve publike dhe rëndësinë e auditimeve të TI-së, si dhe rolin dhe mbështetjen e TI-së brenda ZKA-së.

 

Pjesëmarrësit punëtorinë e vlerësuan si një hap të rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar në fushën e auditimeve të teknologjisë së informacionit.

 

Ndërsa Auditorja e Përgjithshme përmbylli punimet duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e vlefshëm. Ajo ceku se përkushtimi dhe bashkëpunimi janë thelbësore për të përballuar me sukses sfidat e auditimit të teknologjisë së informacionit, duke nxitur kështu zhvillimin dhe inovacionin në këtë fushë kaq dinamike dhe jetike.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja fuqizon kapacitetet për auditimin e pajtueshmërisë përmes bashkëpunimit me KPMG

ZKA-ja fuqizon kapacitetet për auditimin e pajtueshmërisë përmes bashkëpunimit me KPMG

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me KPMG mbajti trajnimin dyditor për auditimin e pajtueshmërisë me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve profesionale të auditorëve për zbatimin e praktikave të standardizuara dhe efektive në këtë fushë.

Pjesëmarrësit u trajnuan mbi konceptet kryesore të auditimit të pajtueshmërisë, vlerësimin e entitetit dhe mjedisit të tij të kontrollit, vlerësimin e rrezikut dhe kontrolleve, si dhe mënyrat e përzgjedhjes së mostrave, mbledhjes së provave dhe hartimin e raportit të auditimit.

Trajnimi përfshiu një kombinim të prezantimeve teorike dhe ushtrimeve praktike të bazuara në raste studimi. Përmes ushtrimeve praktike në grupe, pjesëmarrësit patën mundësinë të aplikojnë njohuritë e fituara si dhe të diskutojnë më gjerësisht qasjen praktike në proces të punës.  

Në ditën e parë, fokusi ishte në procesin e vlerësimit të rrezikut dhe përgatitjen e memorandumit të auditimit, ndërsa në ditën e dytë u trajtua përzgjedhja e mostrave, ekzekutimi i procedurave të auditimit dhe raportimi i të gjeturave dhe rekomandimeve.

Lexo më shumë
ZKA-ja publikoi 11 raporte të auditimit për institucionet e pavarura

ZKA-ja publikoi 11 raporte të auditimit për institucionet e pavarura

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor si dhe bazuar në Planin Vjetor të Auditimit, publikoi raportet e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për Pasqyrat Financiare të vitit 2024 të 11 institucioneve të pavarura.

Nga këto auditime, janë dhënë 10 opinione të pamodifikuara dhe 1 opinion i modifikuar - kualifikuar si: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) – opinion i pamodifikuar, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) – opinion i pamodifikuar, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) – opinion i pamodifikuar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës (GJKK) – opinion i pamodifikuar, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) – opinion i pamodifikuar, Zyra e Presidentit – opinion i pamodifikuar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) – Opinion i pamodifikuar, Radio Televizioni i Kosovës (RTK) – opinion i pamodifikuar, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) – opinion i pamodifikuar, Fondet në Mirëbesim – opinion i pamodifikuar, si dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) – opinion i kualifikuar.

Opinioni i auditimit KPMM-së i është kualifikuar për shkak të keq deklarimeve materiale në Pasqyrat Financiare Vjetore (PFV), të cilat kanë të bëjnë me keq klasifikime të shpenzimeve në kode ekonomike. 

Auditimi ka vlerësuar gjithashtu edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve/operacioneve të këtyre organizatave buxhetore me kornizën ligjore në fuqi, ku janë evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin financiar dhe të kontrollit të cilat përsëriten nga viti në vit. Ndër çështjet kryesore të identifikuara janë:

  • Klasifikim jo adekuat i shpenzimeve;
  • Vonesa në pagesën e faturave;
  • Kalkulim jo i duhur i shtesave për kujdestari;
  • Prokurime të shpeshta me vlera minimale;
  • Angazhim i operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm;
  • Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre mbi afatin ligjor prej 12 muaj;
  • Mos përdorimi i modulit në sistemin e prokurimit elektronik, për menaxhimin e kontratave dhe vlerësimit të performancës së kontraktuesve;
  • Mos vazhdimi i sigurisë së ekzekutimit për kohëzgjatjen e kontratës;
  • Pranimi i mallrave pa komision të pranimit;
  • Mbivlerësim i regjistrave të pasurive në PFV si pasojë e mangësive në regjistrimin dhe mbajtjen e tyre;
  • Funksionalizimi jo i plotë i sistemit e-pasuria;
  • Pasaktësi në prezantimin e detyrimeve kontigjente dhe obligimeve në PVF;
  • Mungesa e autorizimeve paraprake dhe dëshmive për vijueshmëri për orët jashtë orarit; si dhe
  • Kontrata reklamimi në kundërshtim me rregulloren.

Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin në këto organizata buxhetore ZKA-ja ka dhënë një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve.

Prandaj, Auditorja e Përgjithshme fton institucionet e audituara për bashkëpunim për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të përmirësimit të proceseve dhe menaxhimit më të mirë të financave publike.  

Publikimi i raporteve të auditimit për vitin audituese 2024/2025 do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.  

Për më shumë informata: https://zka-rks.org/Reports  

Lexo më shumë