Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/7/2025 10:54:00 AM

Komisioni Evropian vlerëson lartë progresin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në forcimin e llogaridhënies publike

Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian për Kosovën për vitin 2025 i publikuar të martën ka vlerësuar lartë progresin e arritur nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në forcimin e auditimit të jashtëm, rritjen e cilësisë së punës dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies publike.  

Raporti thekson se ZKA-ja ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e Planit Strategjik 2023-2026  duke realizuar 68 për qind të objektivave si dhe ka miratuar Strategjinë për auditime të Teknologjisë së Informacionit 2025-2027 për të mbështetur digjitalizimin e proceseve të auditimit.  

Raporti vlerëson lartë edhe përmirësimin e cilësisë së auditimit të jashtëm, përmes miratimit të udhëzimeve të reja për menaxhimin e cilësisë. ZKA kreu më shumë auditime, rriti përqendrimin te auditimet e performancës, ndoqi rekomandimet e vitit 2019 dhe me sukses, filloi zbatimin e një sistemi për të monitoruar progresin në zbatimin e rekomandimeve.  

Megjithatë, Raporti thekson se zbatimi i rekomandimeve të ZKA-së nga institucionet publike mbetet sfidë, sepse vetëm 37 për qind e rekomandimeve janë  zbatuar  plotësisht. Te ndërmarrjet publike ky nivel bie në 25%, duke nënvizuar nevojën për rritjen e përgjegjësisë institucionale.  

Janë evidentuar përmirësime në mbikëqyrjen parlamentare, duke theksuar shqyrtimin e 24 raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike për vitin 2024.  

Raporti parasheh se publikimi më i qasshëm i gjetjeve të auditimit, rekomandimeve dhe veprimeve pasuese (follow-up) do të rrisë edhe më tej transparencën e auditimit të jashtëm dhe mbështesë përpjekjet tashmë proaktive të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të komunikuar në mënyrë efektive me administratën publike, organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe akademinë. Këto përpjekje kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e auditimit.  

Ndër të tjera Raporti i Komisionit Evropian thekson vlerësimin e Barometrit Ballkanik për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, duke e renditur ZKA-si institucionin më të besueshëm në rajon.  

Komisioni Evropian përmes këtij Raporti thekson nevojën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, për të siguruar se mandati, kompetencat dhe pavarësia e ZKA-së janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.  

Në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mirëpret konstatimet e Komisionit Evropian dhe riafirmon përkushtimin e saj për të forcuar transparencën, siguruar zbatimin e rekomandimeve dhe avancuar më tej praktikat më të mira të auditimit publik, në shërbim të llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja forcon kapacitetet profesionale përmes programit të trajnimeve

ZKA-ja forcon kapacitetet profesionale përmes programit të trajnimeve

Përgjatë muajve shtator dhe tetor 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)  ka realizuar me sukses programin gjithëpërfshirës të trajnimeve për forcimin e kapaciteteve profesionale të auditorëve dhe stafit mbështetës.  

Programi përfshiu trajnimet për procesin e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, auditimit të performancës, gjuhën e thjeshtë, Excel-in e avancuar si dhe përdorimin e softuerit IDEA.  

Po ashtu, pjesëmarrësit janë trajnuar edhe në fusha që ndihmojnë forcimin e integritetit dhe etikës profesionale, përfshirë zbatimin efektiv të mekanizmit të sinjalizimit, Kodit të Etikës dhe konfliktit të interesit.   

Në kuadër të zhvillimit të vazhdueshëm profesional, janë mbajtur edhe trajnime të sistemit SITA për junior, sesione mbi gjetjet nga rishikimi i cilësisë së angazhimit dhe vlerësimin e Njësisë për Auditim të Brendshëm dhe kërkesat e  SNISA 610.

 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën “Epoka e inteligjencës artificiale - teknologjia si mjet, vlerat si mision”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën “Epoka e inteligjencës artificiale - teknologjia si mjet, vlerat si mision”

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten mori pjesë në konferencën “Epoka e inteligjencës artificiale - teknologjia si mjet, vlerat si mision”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK). Konferenca pati për qëllim të theksojë rëndësinë e balancës ndërmjet inovacionit teknologjik dhe misionit profesional për integritet, etikë dhe përgjegjësi.  

Zonja Spanca përgëzoi ShKÇAK-në për organizimin e kësaj konference si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm për të nxitur dialog profesional dhe për të avancuar etikën dhe cilësinë në profesionin e auditorëve. Ajo tha se bashkëpunimi me ShKÇAK-në është vlerëe shtuar  dhe përveq që përmirëson cilësinë e auditimeve, forcon edhe integritetin dhe etikën profesionale, vlera që sot, në kohën e transformimeve digjitale janë më të rëndësishme se kurrë më parë.

Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca theksoi se auditimi i teknologjisë së informacionit nuk është më thjesht një nevojë teknike, por shtyllë thelbësore e qeverisjes së mirë dhe element kyç i besimit publik. Prandaj ZKA-ja gjatë viteve të fundit i ka dhënë rëndësi të veçante auditimeve të teknologjisë së informacionit.

Ajo tha se në epokën e inteligjencës artificiale, roli i  auditimit të teknologjisë së informacionit dhe i vet auditorëve po bëhen gjithnjë e më te rëndësishme. “Ajo çka dua të theksoj është se teknologjia mund të automatizojë shumë procese, por nuk mund të zëvendësojë asnjëherë gjykimin profesional, integritetin dhe përgjegjësinë që ne e bartim si auditorë”, theksoi znj. Spanca, duke shtuar se ZKA-ja  mbetet e përkushtuar për të ndjekë trendet e zhvillimeve teknologjike, të jetë në hap me kohen si dhe t’iu përgjigjet këtyre ndryshimeve.

Lexo më shumë