Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/24/2023 1:02:31 PM

ZKA-ja dhe KLSH-ja vazhdojnë shkëmbimin e përvojave lidhur me auditimin paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

Në vijim të aktiviteteve në kuadër të auditimit paralel të Teknologjisë së Informacionit për sistemet e informacionit të ujësjellësit në Tiranë dhe Prishtinë, me datë 20 dhe 21 shkurt në Prishtinë është mbajtur puntoria e radhës. Ekipet e auditimit nga të dyja institucionet kanë prezantuar rezultatet e fazës së ekzekutimit të auditimit dhe përmbajtjen e draft raporteve individuale të auditimit,  lidhur me auditimin paralel që është duke u zhvilluar, si dhe kanë diskutuar për fazat vijuese të këtij procesi të auditimit në mes të KLSH-së dhe ZKA-së. Në kuadër të kësaj vizite është realizuar edhe një vizitë pune në  Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina. Në takim u prezantuan aktivitetet lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm përfshirë sfidat dhe vështirësitë si dhe projektet specifike zhvillimore veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit, etj. Digjitalizimi i proceseve, siguria dhe kontrolli i informacioneve ishte tema kryesore e diskutimit. Po ashtu, auditorët nga të dyja vendet kanë vizituar edhe Impiantin e Trajtimit të Ujit në Shkabaj për t’ua prezantuar për së afërmi funksionimin, sistemet dhe proceset teknologjike të trajtimit të ujit. Punëtoria është përmbyllur me dakordimin për planin e aktiviteteve të ardhshme deri në përmbylljen e auditimit paralel për sistemet e informacionit të ujësjellësve në të dy vendet.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rezultatet e auditimit tregojnë se menaxhimi i granteve dhe subvencioneve nuk është i mirë

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rezultatet e auditimit tregojnë se menaxhimi i granteve dhe subvencioneve nuk është i mirë

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore me temën: “Rritja e mbikëqyrjes publike dhe llogaridhënies institucionale në Kosovë”  të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga institucionet  qendrore, ekspertë si dhe ambasadori britanik Nicholas Abott. Punimet e konferencës janë zhvilluar në kuadër të katër paneleve ku pjesëmarrësit kanë shpalosur perspektivën e tyre për temat: Rekrutimi në institucionet publike; Prokurimi Publik; Grantet dhe Subvencionet si dhe Lejet, Licencat dhe Tarifat. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në kuadër të diskutimeve të panelit të tretë ku është trajtuar tema “Grantet dhe Subvencionet” ka thënë se rezultatet e auditimit tregojnë se gjendja me menaxhimin e granteve dhe subvencioneve ende nuk është e mirë. Prandaj, trajtimi i këtyre temave do të jetë në fokus edhe më të zgjeruar të Zyrës Kombëtare të Auditimit në të ardhmen. Ai ka thënë se menaxhimi i granteve dhe subvencioneve padyshim është një ndër fushëveprimet kryesore në punën e ZKA-së dhe informatat e prezantuara në këtë tryezë do të shërbejnë për identifikimin dhe propozimin e temave të reja që ndërlidhen me auditimet përkatëse, qoftë atyre të pajtueshmërisë po ashtu edhe të performancës. “Grantet dhe subvencionet mbulohen në baza të rregullta vjetore përmes auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare, në pothuajse të gjitha organizatat buxhetore për të vlerësuar nëse ato janë duke u dhënë dhe menaxhuar si duhet dhe për këtë ne japim rekomandime në baza vjetore. Vetëm për vitin 2021 kemi dhënë gjithsejtë 95 rekomandime”, ka deklaruar Halilaj, duke shtuar se çdo vit auditimi ka identifikuar mangësi të ndryshme në menaxhimin e tyre të cilat kanë ardhur si rrjedhojë e mungesës së kontrolleve brenda organizatave buxhetore. “Prandaj kjo fushë kërkon një trajtim mjaft të fokusuar duke zhvilluar kontrolle efektive, monitorim dhe mbikëqyrje rigoroze në mënyrë që llogaridhënia publike të avansohet tutje”, është shprehur z. Halilaj.  
Lexo më shumë
Përfaqësueset e ZKA-së marrin pjesë në Samitin e Burimeve Njerëzore “Power to HR”

Përfaqësueset e ZKA-së marrin pjesë në Samitin e Burimeve Njerëzore “Power to HR”

Punonjëset e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) përkatësisht të Divizionit të Burimeve Njerëzore, Dafina Strana Ujkani, Ardita Gashi Bllaca dhe Leonora Krasniqi Jashari, kanë ndjekur punimet njëditore të Samitit të Burimeve Njerëzore “Power to HR” që është mbajtur për herë të parë në Kosovë. Në këtë samit janë trajtuar tema të rëndësishme si “Rekrutimi i punonjësve; Paraqitja/reklamimi i kompanisë për të tërhequr punonjës të ri si dhe Strategjitë/politikat e organizatës për të mos ju larguar stafi”. Për rëndësinë dhe rolin e këtyre temave para të pranishmëve kanë prezantuar ekspertë, Anne Morrison nga BBC Academy, Serdzan Arnautovic nga META, si dhe Hava Maloku nga Linkedin. Fokusi i përgjithshëm i diskutimeve të samitit ka qenë tek njeriu, roli dhe rëndësia e tij në zhvillimin e institucioneve, strategjitë për të rekrutuar dhe mbajtur stafin profesional dhe të talentuar si dhe rëndësia e përkrahjes nga punëdhënësi për punonjësit në arritjen e objektivave dhe promovimi për imazh të mirë në publik. Për Zyrën Kombëtare të Auditimit, kjo ngjarje ishte një mundësi e mirë që përveç ofrimit të njohurive dhe përvojave të institucionit tonë, ishte edhe përfitimi i eksperiencave të reja nga perspektivë tjetër që do të ndihmojë, jo vetëm në menaxhim sa më të mirë të këtyre burime, por edhe në qasje më të avansuar të auditimit të kësaj fushe. Prezantimi ka qenë interaktiv si dhe diskutimet janë zhvilluar në kuadër të dy paneleve nga ekspertë të burimeve njerëzore. Pjesëmarrës të këtij samiti kanë qenë kryesisht punonjës të burimeve njerëzore, ndërmarrës, pronarë të bizneseve, etj.
Lexo më shumë