Në datat 29 shtator – 1 tetor 2023 në Durrës u mbajt takimi me kryetarët e komunave i organizuar nga Projekti DEMOS, zbatuar nga Helvetas Swiss Intercooperation në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Takimi pati për qëllim diskutimin e çështjeve të rëndësishme duke përfshirë kriteret e kualifikimit për Grantin e Performancës Komunale, treguesit e Sistemit të Menaxhimit të Performancës Komunale, procedurat për zbatim të projekteve komunale, etj. Në këtë aktivitet Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) u përfaqësua nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka, Drejtor i Departamentit të Auditimit Lavdim Maxhuni dhe Udhëheqësja e Ekipit, Laureta Matoshi-Pozhegu.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, theksoi se Zyra Kombëtare e Auditimit vlerëson lartë përfshirjen e opinionit të auditimit si rezultat final në njërin nga kushtet minimale për kualifikimin dhe vlerësimin e performancës së komunave në programin e Grantit të Performancës. Ai theksoj se kjo ka ndikuar të rritet ndërgjegjësimi i komunave për ngritjen e llogaridhënies dhe transparencës në shpenzimin e parasë publike. “Për rezultat, cilësia e raportimit financiar është duke u përmirësuar nga viti në vit”, deklaroi z. Halilaj.
Në kuadër të këtij takimi, Zyra Kombëtare e Audimit prezantoi raportin e auditimit të performancës “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021,” realizuar sipas marrëveshjes në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (përmes Projektit për Decentralizim dhe Përkrahje Komunale si zbatues).
Auditimi ka vlerësuar funksionimin e sistemit të Grantit të Performancës Komunale për periudhën 2018 – 2021, si dhe nëse menaxhimi i shpenzimeve për projektet kapitale të financuara nga donatorët për vitin fiskal 2021 është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe ka arritur rezultatet e synuara.
Rezultatet e auditimit tregojnë se funksionimi i Grantit të Performancës Komunale i ndarë në dy burime të financimit ka rezultuar me mangësi dhe se aktivitetet e prokurimit për projektet e financuara nga donatorët gjatë vitit 2021 edhe pse kishin arritur qëllimet, ishin përcjellë me dobësi të ndryshme dhe grupet e margjinalizuara nuk ishin integruar mjaftueshëm në këto nisma.