Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/1/2024 1:36:00 PM

ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu morën pjesë në konferencën dyditore me temën “Auditimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të shtetit” e organizuar nga Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi me mbështetjen e SIGMA në Budva të Malit të Zi më 28 dhe 29 shkurt 2024. Aktiviteti është realizuar në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE. Pjesë e delegacionit të Kosovës ishte edhe u.d. Drejtor i Thesarit, Nysret Koca.  

Në panelin e diskutimit me temën “Roli këshillues i ISA-ve në reformat e buxhetimit dhe kontabilitetit dhe pozicioni i tyre i pavarur në sektorin publik”, z. Halilaj prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me rolin e ISA-ve në reformat e kontabilitetit publik dhe buxhetit si dhe ushtrimin e rolit këshillues dhe ruajtjen e pozicionit të pavarur. Ai tregoi se çështjet e ngritura nga ZKA-ja ndër vite lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit, menaxhimin dhe kontrollin e shpenzimeve, kontabilitetin dhe raportimin financiar e të tjera, janë adresuar nga Qeveria e Kosovës përmes Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike të Republikës së Kosovës 2022-2026. Ai poashtu tha se përveç mandatit rekomandues, ZKA-ja ka edhe rol këshillues për të ndihmuar institucionet publike në parandalimin e gabimeve të mundshme.  

Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikola N. Kovaçeviq, deklaroi se menaxhimi efektiv dhe transparent i financave publike kërkon administrimin e mirë të një sërë sistemesh dhe njëri prej tyre është auditimi i jashtëm, i cili në mënyrë objektive dhe të paanshme kontrollon menaxhimin e shpenzimeve publike. Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Programit SIGMA, Bianca Breteche, tha se SIGMA e ka mbështetur Rrjetin që nga themelimi i tij dhe se kjo konferencë është mundësi e mirë për të ndarë përvojën dhe njohuritë, si dhe për të parë se çfarë është bërë deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të pasur më shumë rezultate.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të ISA-ve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Republika e Moldavisë, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Ukraina, ekspertë nga ISA të Kroacisë, Sllovenisë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

 

 

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Barometri Ballkanik rendit ZKA-në si institucionin më të besuar në nivel rajonal

Barometri Ballkanik rendit ZKA-në si institucionin më të besuar në nivel rajonal

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal publikoi Barometrin Ballkanik për vitin 2023 ku janë prezantuar të dhënat nga hulumtimi i opinionit publik për qëndrimet e qytetarëve dhe bizneseve të vendeve të rajonit për çështjet socio-ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme si dhe nivelin e besueshmërisë në institucionet publike dhe pavarësinë e tyre.

Indikatori matës për nivelin e besueshmërisë në institucionet publike tregon se Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës gëzon besimin më të lartë në nivel rajonal, me 55% krahasuar me Institucionet Supreme të  Auditimit të vendeve të tjera të rajonit.

Barometri Ballkanik po ashtu tregon se 54% e qytetarëve të Republikës së Kosovës e perceptojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit si institucion të pavarur nga ndikimi.  

Gjithashtu Barometri Ballkanik mati edhe perceptimin e qytetarëve në aspektin se sa institucionet publike përgjegjëse mbikëqyrin në mënyrë efektive punën e qeverive. Edhe në këtë aspekt, ZKA-ja mori notë pozitive ku 57% të të anketuarve në Kosovë besojnë se ZKA-ja dhe Institucioni i Avokatit të Popullit mbikëqyrin në mënyrë efektive qeverinë.

Ky vlerësim përbën edhe një dëshmi të punës profesionale, të pavarur dhe transparente të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

 

Lexo më shumë
Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me UN Women – Zyra në Kosovë të mërkurën në tryezë publike prezantoi rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”. Pjesë e panelit kryesor përveç Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm Myrvete Gashi, ishin edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, Ambasadori i Suedisë në Kosovë,  Jonas Westerlund dhe Vlora Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë.

Pjesë e tryezës ishte edhe Zëvendës Kryesuesi i Misionit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë z. Henrik Riby si dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë; Agjencia e Punësimit; Agjencia për Barazi Gjinore; Rrjeti i Grave të Kosovës; Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, UNICEF-i, OSBE-ja, IND, Instituti Riinvest, OJQ “Care Kosova”, etj.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca tha se qëllimi i këtij auditimi ishte për të vlerësuar efektivitetin dhe ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë nxitjen e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus identifikimin e mundësive për përmirësim. “Rezultatet tona të auditimit tregojnë se edhe pse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, ende nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës. Programet e Zhvillimit Rural dhe masat afirmative nuk kanë arritur të sigurojnë një përkrahje të barabartë për të dy gjinitë dhe nuk ka një vlerësim rreth arritjes së qëllimeve të programit nga perspektiva gjinore”, deklaroi znj. Spanca. Ajo vlerësoi se zbatimi i rekomandimeve të dhëna pritet të përmirësojë ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se si organ i barazisë dhe bazuar në punën e bërë në hetime të rasteve që ndërlidhen me barazinë gjinore, del të jetë një situatë jo e mirë. Ai shtoi se disa prej sfidave që vazhdojnë të mbesin problematike për gratë janë çështjet e trashëgimisë në të cilat një numër i vogël i grave e gëzojnë, dhe ndarja e pasurisë e fituar në martesë. “Gratë nuk kanë tokë. Ato duhen të marrin tokë me qira, dhe të vrapojnë pas granteve dhe subvencioneve. Duhet të ndryshojmë ligjet dhe mendësinë”, theksoi Qelaj.

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, ceku se rezultatet e këtij auditimi tregojnë arritjet në barazinë gjinore, megjithatë ka ende shumë për t’u bërë  në të ardhmen. “Raporti vë në pah disa arritje në barazinë gjinore mes grave rurale, por edhe se ka një rrugë të gjatë përpara. Fushatat ndërgjegjësuese mes grave rurale janë komponentë kyç”, deklaroi Westerlund.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se tema e këtij auditimi të performancës korrespondon edhe me temën globale të Ditës Ndërkombëtare të Gruas për vitin 2024 e cila është “Investoni te Gratë: Nxitni Progresin”. “Ky auditim me fokus gjinor te politikat për fuqizimin e grave rurale, ndihmon t’i përmirësojmë politikat dhe t’a rrisim efikasitetin e tyre në mënyrë që të kemi investim te gratë që çon në progres”, theksoi znj. Nushi.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, prezantoi në detaje gjetjet dhe rekomandimet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

Në kuadër të diskutimeve nga të pranishmit u vlerësua se fuqizimi i grave në zonat rurale i kontribuon zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe se ky auditim do t’ju shërbejë institucioneve përgjegjëse në adresimin e shqetësimeve të ngritura.

Zëvendës Auditori i  Përgjithshëm, Bezad Halilaj, përmbylli tryezën duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë. Ai tha se konkluzioni i përgjithshëm i kësaj tryeze ishte se pavarësisht progresit që është bërë ndër vite barazia gjinore mbetet një standard i pazbatuar. Z. Halilaj theksoi se auditimet e tilla janë sfiduese, por edhe të rëndësishme sepse ndihmojnë në përmirësimin e situatës përkatësisht trajtimin e grave nga zonat rurale. 

Raportin e plotë të auditimit  “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” e gjeni këtu. 

 

 


Lexo më shumë