Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/6/2024 5:00:00 PM

Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me UN Women – Zyra në Kosovë të mërkurën në tryezë publike prezantoi rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”. Pjesë e panelit kryesor përveç Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm Myrvete Gashi, ishin edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, Ambasadori i Suedisë në Kosovë,  Jonas Westerlund dhe Vlora Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë.

Pjesë e tryezës ishte edhe Zëvendës Kryesuesi i Misionit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë z. Henrik Riby si dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë; Agjencia e Punësimit; Agjencia për Barazi Gjinore; Rrjeti i Grave të Kosovës; Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, UNICEF-i, OSBE-ja, IND, Instituti Riinvest, OJQ “Care Kosova”, etj.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca tha se qëllimi i këtij auditimi ishte për të vlerësuar efektivitetin dhe ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë nxitjen e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus identifikimin e mundësive për përmirësim. “Rezultatet tona të auditimit tregojnë se edhe pse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, ende nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës. Programet e Zhvillimit Rural dhe masat afirmative nuk kanë arritur të sigurojnë një përkrahje të barabartë për të dy gjinitë dhe nuk ka një vlerësim rreth arritjes së qëllimeve të programit nga perspektiva gjinore”, deklaroi znj. Spanca. Ajo vlerësoi se zbatimi i rekomandimeve të dhëna pritet të përmirësojë ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se si organ i barazisë dhe bazuar në punën e bërë në hetime të rasteve që ndërlidhen me barazinë gjinore, del të jetë një situatë jo e mirë. Ai shtoi se disa prej sfidave që vazhdojnë të mbesin problematike për gratë janë çështjet e trashëgimisë në të cilat një numër i vogël i grave e gëzojnë, dhe ndarja e pasurisë e fituar në martesë. “Gratë nuk kanë tokë. Ato duhen të marrin tokë me qira, dhe të vrapojnë pas granteve dhe subvencioneve. Duhet të ndryshojmë ligjet dhe mendësinë”, theksoi Qelaj.

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, ceku se rezultatet e këtij auditimi tregojnë arritjet në barazinë gjinore, megjithatë ka ende shumë për t’u bërë  në të ardhmen. “Raporti vë në pah disa arritje në barazinë gjinore mes grave rurale, por edhe se ka një rrugë të gjatë përpara. Fushatat ndërgjegjësuese mes grave rurale janë komponentë kyç”, deklaroi Westerlund.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se tema e këtij auditimi të performancës korrespondon edhe me temën globale të Ditës Ndërkombëtare të Gruas për vitin 2024 e cila është “Investoni te Gratë: Nxitni Progresin”. “Ky auditim me fokus gjinor te politikat për fuqizimin e grave rurale, ndihmon t’i përmirësojmë politikat dhe t’a rrisim efikasitetin e tyre në mënyrë që të kemi investim te gratë që çon në progres”, theksoi znj. Nushi.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, prezantoi në detaje gjetjet dhe rekomandimet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

Në kuadër të diskutimeve nga të pranishmit u vlerësua se fuqizimi i grave në zonat rurale i kontribuon zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe se ky auditim do t’ju shërbejë institucioneve përgjegjëse në adresimin e shqetësimeve të ngritura.

Zëvendës Auditori i  Përgjithshëm, Bezad Halilaj, përmbylli tryezën duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë. Ai tha se konkluzioni i përgjithshëm i kësaj tryeze ishte se pavarësisht progresit që është bërë ndër vite barazia gjinore mbetet një standard i pazbatuar. Z. Halilaj theksoi se auditimet e tilla janë sfiduese, por edhe të rëndësishme sepse ndihmojnë në përmirësimin e situatës përkatësisht trajtimin e grave nga zonat rurale. 

Raportin e plotë të auditimit  “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” e gjeni këtu. 

 

 


  • Share:

Lexo lajme tjera:

ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu morën pjesë në konferencën dyditore me temën “Auditimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të shtetit” e organizuar nga Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi me mbështetjen e SIGMA në Budva të Malit të Zi më 28 dhe 29 shkurt 2024. Aktiviteti është realizuar në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE. Pjesë e delegacionit të Kosovës ishte edhe u.d. Drejtor i Thesarit, Nysret Koca.  

Në panelin e diskutimit me temën “Roli këshillues i ISA-ve në reformat e buxhetimit dhe kontabilitetit dhe pozicioni i tyre i pavarur në sektorin publik”, z. Halilaj prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me rolin e ISA-ve në reformat e kontabilitetit publik dhe buxhetit si dhe ushtrimin e rolit këshillues dhe ruajtjen e pozicionit të pavarur. Ai tregoi se çështjet e ngritura nga ZKA-ja ndër vite lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit, menaxhimin dhe kontrollin e shpenzimeve, kontabilitetin dhe raportimin financiar e të tjera, janë adresuar nga Qeveria e Kosovës përmes Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike të Republikës së Kosovës 2022-2026. Ai poashtu tha se përveç mandatit rekomandues, ZKA-ja ka edhe rol këshillues për të ndihmuar institucionet publike në parandalimin e gabimeve të mundshme.  

Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikola N. Kovaçeviq, deklaroi se menaxhimi efektiv dhe transparent i financave publike kërkon administrimin e mirë të një sërë sistemesh dhe njëri prej tyre është auditimi i jashtëm, i cili në mënyrë objektive dhe të paanshme kontrollon menaxhimin e shpenzimeve publike. Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Programit SIGMA, Bianca Breteche, tha se SIGMA e ka mbështetur Rrjetin që nga themelimi i tij dhe se kjo konferencë është mundësi e mirë për të ndarë përvojën dhe njohuritë, si dhe për të parë se çfarë është bërë deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të pasur më shumë rezultate.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të ISA-ve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Republika e Moldavisë, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Ukraina, ekspertë nga ISA të Kroacisë, Sllovenisë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

 

 

 

 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike

Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mori pjesë në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për lansimin e Studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovë, i njohur si NIS. Punimet e konferencës u zhvilluan në tri panele, pjesë e të cilave ishin drejtues të lartë të institucioneve publike.

Në kuadër të panelit të tretë “Roli i institucioneve dhe agjencive  të pavarura në garantimin e integritetit institucional”, zonja Spanca tha se detyra kryesore e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) është të vlerësojë nëse fondet publike shpenzohen në mënyrë efikase, efektive, ekonomike dhe në përputhje me kornizën ligjore dhe prioritetet kombëtare.

“Përmes auditimeve vlerësojmë integritetin financiar të institucioneve publike, zbulojmë elemente potenciale të mashtrimit dhe korrupsionit, japim rekomandime për përmirësim dhe e gjithë kjo ndikon në përmirësimin e performancës, transparencës dhe llogaridhënies publike”, deklaroi Spanca, duke shtuar se përgjatë viteve ZKA-ja ka ndikuar në përmirësimin e raportimit dhe llogaridhënies të institucioneve që janë audituar.

Auditorja e Përgjithshme foli edhe për trajtimin e gjetjeve të auditimit nga institucionet e drejtësisë, duke treguar se ZKA-ja bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me institucionet e drejtësisë konform standardeve dhe praktikave më të mira. 

Ndonëse vetëm për vitin 2022 janë dërguar në prokurori 51 raste për hetim të mëtutjeshëm, sfidë mbetet informata kthyese nga organet e drejtësisë lidhur me përfundimin e rasteve për të cilat ZKA-ja dërgon informacione. Zonja Spanca theksoi se administrata publike në përgjithësi ka përmirësuar llogaridhënien dhe ka rritur nivelin e transparencës, në veçanti në aspektin e menaxhimit të parasë publike, kjo falë investimeve në përmirësimin e sistemeve, si atyre të menaxhimit financiar dhe kontrolleve.

 

 

Lexo më shumë