republika-e-kosoves
Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në vend dhe Zyra Kombëtare e Auditimit është institucion i pavarur, i cili e ndihmon  Auditorin  Përgjithshëm në kryerjen e detyrave të tij/saj.

Vizioni ynë është që të jemi institucion i besueshëm i auditimit, i cili e përmirëson qeverisjen në sektorin publik, në interes të qytetarëve dhe përmes auditimeve cilësore e fuqizon llogaridhënien në administratën publike për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të burimeve kombëtare.

Auditori i Përgjithshëm i raporton Kuvendit të Repubikës së Kosovës dhe ka të drejtë të kontrollojë të gjitha aktivitetet, programet dhe projektet financiare, administrative dhe të tjera të menaxhuara nga institucionet publike, përfshirë procesin dhe të ardhurat nga shitja e aseteve, privatizimeve dhe koncesioneve.

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. Në këtë mënyrë ne rrisim besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajmë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve tjera të interesit në rritjen e përgjegjësisë publike.

 

HISTORIKU

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm u themelua nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Në nëntor të vitit 2003, Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), emëroi Auditorin e parë të Përgjithshëm të Kosovës, Inga-Britt Ahlenius. Atëkohë, sapo ishin krijuar institucionet e para të përkohshme të Kosovës dhe udhëhiqeshin bashkërisht nga zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë. Duke qenë njëri prej institucioneve më të rëndësishme në vend, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm u udhëhoq për më shumë se 10 vjet nga një auditor ndërkombëtar, që në zbatimin e mandatit mbështetej nga personeli vendor.

Në vitin 2006, UNMIK-u e emëroi Auditor të Përgjithshëm, Linda Casella-n. Më pas, në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, institucioni i Auditorit të Përgjithshëm (AP) u integrua në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht u miratua Ligji nr. 03/L-075 për “Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës”.

Në vitin 2009, Lage Olofsson, u emërua si Auditori i tretë i Përgjithshëm i Kosovës. Ai u emërua nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë (njëkohësisht Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dhe udhëheqës i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë).

Auditori i parë i Përgjithshëm Kosovar, Besnik Osmani u emërua në mars të vitit 2016 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me nominimin e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një procesi të hapur dhe konkurrues. Vetëm pak muaj më vonë, në qershor të vitit 2016, Kuvendi shpalli Ligjin e ri nr. 05/L-055 për AP-në dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, duke zëvendësuar kështu ligjin e vjetër. Me këtë aktivitet përmbylli procesin e kosovarizimit të institucionit dhe kompletimit të kornizës ligjore.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me datë 12 gusht 2021 me shumicë votash, ka zgjedhur Vlora Spancën, Auditore të Përgjithshme të Republikës së Kosovës, me mandat pesëvjeçar.

Emërimi i znj. Spanca në krye të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) është bërë pas propozimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu të cilit i ka paraprirë një proces konkurrues dhe transparent.