republika-e-kosoves
Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
General Auditor Photo
Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës

BIOGRAFI E PËRMBLEDHUR

 

Vlora Spanca është Auditore e Përgjithshme, që nga data 12 gusht e vitit 2021 me mandat pesëvjeçar, e zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës pas propozimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Para zgjedhjes në këtë pozitë, që nga muaji gusht i vitit 2017, Spanca ka qenë Ndihmës Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Gjatë kësaj periudhe ajo ishte përgjegjëse për Divizionin e një portofoli të departamenteve të auditimit, që përfshin departamentin e auditimit të performancës, teknologjisë së informacionit dhe auditimit të prokurimit publik. Po ashtu, ka qenë përgjegjëse për auditimin financiar të projekteve të financuara nga donatorë të ndryshëm, si Banka Botërore dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim.

Gjatë periudhës 2020-2021, ka qenë përgjegjëse për koordinimin e projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë. Ndërsa, gjatë viteve 2017-2019, Spanca ka qenë koordinatore për implementim të projektit për zhvillimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik të financuar nga Banka Botërore.

Ndërkaq nga viti 2009 deri në vitin 2016, Spanca ishte drejtoreshë e departamentit të auditimit të rregullsisë së Ministrive dhe Institucioneve të Pavarura, përfshirë edhe auditimin e Pasqyrës Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës për vitin 2015-2016.

 

Para se të punësohej në Zyrën Kombëtare të Auditimit në vitin 2007, Spanca ka punuar për katër vjet me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, për Zyrën e Zëvendës-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Ajo ishte përgjegjëse kryesisht për mbështetjen e veprimtarive administrative për Zyrat Ndërlidhëse me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Strukturën e Përkohshme Administrative të Kosovës, si dhe për Drejtorinë për Çështje Rurale.

Spanca ka përfunduar studimet universitare në drejtimin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është Auditor i certifikuar në sektorin publik. Ka ndjekur trajnime të shumta profesionale në fushën e kontabilitetit, auditimit, administratës publike, lidershipit dhe prokurimit publik. Gjithashtu, ka marrë pjesë në shumë konferenca dhe seminare ndërkombëtare me role dhe përgjegjësi të ndryshme.