Bezad Halilaj është zgjedhur Zëvendësauditor i Përgjithshëm më 6 prill 2022 dhe ka mandat pesëvjeçar.
Para zgjedhjes në këtë pozitë ka qenë i angazhuar si “Ekspert i jashtëm profesional” në Ministrinë e Mbrojtjes, përmes organizatës Ballkan Policy Research Group, projekt i financuar nga shteti norvegjez.
Paraprakisht ka qenë drejtor i rregullt jo ekzekutiv i Bordit në KEK dhe njëherësh kryesues i Komitetit të Auditimit, ku është përzgjedhur përmes një procesi të mbikëqyrur nga partnerët britanikë.
Në vitin 2020 dhe 2021 ka ushtruar pozitën e drejtorit të përkohshëm jo-ekzekutiv të Bordit të Drejtorëve të KEK-ut si dhe kryesuesit të Komitetit të Auditimit. Në të njëjtën kohë ka ofruar shërbime të këshillëdhënies në fushën e auditimit, në cilësinë e këshilltarit të Auditimit në projektin e USAID-TEAM “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”.
Nga viti 2014 deri në vitin 2020, ka mbajtur pozitën e shefit të Auditimit të Brendshëm në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Ndërsa për një dekadë (2004 – 2014) ka punuar në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (tash Zyra Kombëtare e Auditimit), në pozitën e drejtorit të Departamentit të Auditimit nga viti 2009 deri në vitin 2014 dhe si udhëheqës i ekipit përkatësisht auditor në periudhën 2004-2009. Në vitet 2010 – 2011, me autorizim të Auditorit të Përgjithshëm, ka ligjëruar në fushën e auditimit të jashtëm në programin për certifikim të zyrtarëve financiar të sektorit publik, i zbatuar nga Ministria e Financave.
Në vitet 2003 – 2004 ka punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në fushën e prokurimit publik. Ndërsa, gjatë periudhës prill-shtator të vitit 2004, ka qenë i angazhuar në projektin e Qeverisë së Kosovës në Komisionin Qendror Ndërministror për sanimin e dëmeve të 17 dhe 18 marsit.
Nga viti 2000 deri në vitin 2001 ka punuar gazetar në gazetën ditore “Zëri” për të vazhduar njëkohësisht deri në vitin 2002 edhe në organizata për hulumtim të opinionit publik si hulumtues.
Duke filluar nga viti 2000, përgjatë periudhave të ndryshme kohore z. Halilaj ka ushtruar profesionin e kontabilistit në disa ndërmarrje private.
Karrierën profesionale e ka filluar në vitin 1998/99 në vendlindje ku për një vit ka punuar si mësimdhënës.
Është i diplomuar në Fakultetin Ekonomik, dega Menaxhment dhe Informatikë, ndërsa ka përfunduar studimet master, dega Administratë Publike dhe Diplomaci. Ka përvojë të gjerë profesionale për më shumë se 18-vjeçare.
Që nga viti 2015 është ligjërues në Institutin për Kontabilitet, Auditim dhe Financa kryesisht në fushën e auditimit të jashtëm dhe të brendshëm.
Nga viti 2000 e tutje, përmes trajnimeve dhe mundësive tjera, bagazhin e tij profesional e ka pasuruar me njohuri të ndryshme në fushën e auditimit, financave publike, menaxhimit, komunikimit, prokurimit, TI-së, etj.
Z. Halilaj është i certifikuar si kontabilist që nga viti 2007, ndërsa në vitin 2008 është certifikuar si Auditor i jashtëm. Në vitin 2014 ka fituar titullin tjetër Auditor i certifikuar në sektorin publik. Po në këtë vit, në përputhje me standardet ISO ka fituar titullin “Menaxher i Cilësisë së Sistemeve” nga “Quality Austria”. Në vitin 2016 ka fituar certifikimin ndërkombëtar për financa publike dhe auditim nga CIPFA dhe në 2021 ka marrë titullin Auditor i Brendshëm i çertifikuar.
Në vitin 2014 ka perfunduar kursin një semestral “Te kuptuarit Ndërkulturor dhe te drejtat e Njeriut”, organizuar nga Universiteti i Prishtinës dhe shteti norvegjez.