Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme pretendimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me kompetencat e ZKA-së në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. Sipas raportit të IKD-së, me ketë auditim, ZKA ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Ju rikujtojmë se në gusht të këtij viti, ZKA ka publikuar raportin në fjalë të auditimit të performancës i cili është trajtuar nga IKD. Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore.

Raporti i IKD-së bazohet në një interpretim substancialisht të kufizuar të kornizës ligjore dhe të pabazuar në ndonjë vlerësim profesional të mbështetur në standarde që rregullojnë këtë fushë. ZKA-ja në komunikim me shkrim i është përgjigjur IKD-së, se nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet.


Mandati dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit janë të rregulluara qartë me nenet 136, 137 dhe 138 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm ushtron mandatin e vet kushtetues dhe ligjor në pajtim edhe me Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA).
Duke ju referuar mandatit kushtetues dhe ligjor, Auditorja e Përgjithshme siguron opinionin publik se auditimi “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” është kryer në përputhje të plotë më Kushtetutën, aktet tjera ligjore të aplikueshme, standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara.


Standardet Ndërkombëtare si INTOSAI-P1 Deklarata e Limës, neni 18. 3 dhe INTOSAI -P10 Deklarata e Meksikës, parimi 3, janë baza kryesore të cilave ZKA ju referohet dhe e mbështet punën e saj.  Edhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti. Përtej kësaj, konteksti i termit “financiar” është shumëfish më gjithëpërfshirës se sa ai që i është dhënë përmes vlerësimeve të prezantuara në raport dhe se auditimi i kryer është gjithsesi i ndërlidhur me menaxhim financiar të parasë publike.
Rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) e konfirmojnë edhe dy (2) rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, (Rezoluta A/66/209 dhe Rezoluta A/69/228) të emëruara “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, nëpërmjet forcimit të institucioneve supreme të auditimit”.


ZKA-ja për opinionin publik thekson se çdo element i performancës së institucioneve publike është i ndërlidhur me menaxhimin e drejtë dhe efikas të fondeve buxhetore të ndara për përmbushjen e detyrave zyrtare. Në baza vjetore, nga buxheti i shtetit ndahen për KGJK-në dhe KPK-në më shumë se 50 milionë euro. Planifikimi i mirë dhe përdorimi i drejtë i këtyre fondeve për qëllimet e caktuara ndikon në efektivitetin, efikasitetin dhe ekonomicitetin e proceseve të cilat janë edhe parimet kryesore të vlerësimeve të auditimit të performancës.
E theksojmë se auditime të tilla, ZKA ka kryer edhe më parë. Vlen të përmendet auditimi “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykata” i kryer në vitin 2017, si dhe auditimin “Sistemi për menaxhimin informativ të lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, i kryer në vitin 2021.


Praktika të tilla dhe auditime të ngjashme kryhen edhe nga institucione supreme të auditimit nga vende të ndryshme, disa prej të cilave janë: Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra Qeveritare e Llogaridhënies së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucionet supreme të auditimit të Skocisë, Letonisë, Uellsit, etj.
ZKA, vlerëson se raporti i auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”,  nxjerr në pah çështje të rëndësishme dhe më interes të lartë publik, të cilat duhet të trajtohen me kujdes dhe mund t’ju shërbejnë institucioneve përgjegjëse për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e tyre në trajtimin dhe procedimin e këtyre rasteve.


Pavarësisht pretendimeve për të interpretuar mandatin dhe kompetencat e institucionit, ZKA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit të mirë me palët e jashtme të interesit, në veçanti me mediat dhe Shoqërinë Civile duke respektuar punën dhe angazhimin e tyre të pavarur.

 

ZKA-ja mbajti tryezën e punës “Roli i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit”

ZKA-ja mbajti tryezën e punës “Roli i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit”

Në kuadër të javës kundër korrupsionit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) me mbështetjen e USAID-it mbajti tryezën e punës “Roli i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit,” ku morën pjesë drejtues dhe përfaqësues nga Zyra e  Kryeprokurorit të Shtetit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Inspektorati Policor i Kosovës, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, GIZ-i si dhe nga shoqëria civile.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se ky aktivitet përveç rritjes së ndërgjegjësimit për efektet e korrupsionit në menaxhimin e parasë publike ka për qëllim edhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike që direkt apo indirekt kontribuojnë në luftën kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, ajo theksoi se është i domosdoshëm angazhimi i përbashkët i institucioneve që kanë mandat për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit nuk përbën veçse një betejë ligjore apo rregullative, ajo është obligim moral i çdonjërit nga ne për mirëqenien e gjithë qytetarëve tanë. Qartazi, asnjë institucion si i vetëm, nuk mund t’i bëjë ballë e të triumfojë mbi dukurinë e këtillë duke vepruar si i vetëm. Në këtë aspekt, me mandatin që na është dhënë, parandalimi dhe luftimi i këtij fenomeni, me ngulm kërkoj bashkëpunim dhe koordinim efikas dhe efektiv, të ndajmë përvojën dhe burimet që kemi për të korrur rezultatet e duhura në nivele të ndryshme të administratës publike, por dhe shoqërisë në përgjithësi”, deklaroi znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme foli edhe për marrëveshjen e bashkëpunimit me Kryeprokurorin e Shtetit, marrëveshje që ka për qëllim forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Me objektivën për të kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si dhe luftimin e korrupsionit, ajo tregoi se ZKA-ja në baza vjetore dërgon te Prokurori i Shtetit për hetim të mëtutjeshëm raste me elemente potenciale për mashtrim.

Drejtoresha e programit KMI/USAID, Maia Gogoladze, tha se sot kur po diskutojmë për luftën kundër korrupsionit në nivel institucional, le të mos reflektojmë vetëm mbi arritjet e mëparshme, por edhe të angazhohemi për sfidat në vijim. “Udha jonë kolektive nuk është vetëm për auditime dhe struktura ligjore, është për të përmirësuar narrativën e Kosovës në lidhje me integritetin, llogaridhënien dhe transparencën. Le të vazhdojmë këtë udhëtim së bashku me përpjekjen për përmirësim në qeverisje dhe drejtësi për të mirën e qytetarëve”, theksoi  Gogoladze.

Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, shprehu përkushtimin e vazhdueshëm të këtij institucioni në luftimin e korrupsionit duke përmendur një sërë masash që janë ndërmarrë. Ai tha se luftimi i korrupsionit nuk është mision vetëm i një institucioni publik por i të gjithë neve këtu sot.  “Deri më tani janë trajtuar shumë raste dhe kanë marr epilog, por ende ka nevojë për më shumë punë të përbashkët. Prandaj na duhet një bashkëveprim për të pasë më shumë suksese në luftën ndaj korrupsionit”, deklaroi Hyseni. Ai foli edhe për bashkëpunimin në mes të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke thënë se rastet e pranuara nga ZKA-ja janë shpërndarë në prokuroritë themelore dhe ka veprime hetimore që janë duke u marrë në shumicën prej tyre.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, pas prezantimit të shkurtër të mekanizmave të APK-së për parandalimin e korrupsionit, theksoi nevojën për bashkërendim të angazhimit ndërinstitucional. “Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e gatshme dhe e interesuar për koordinim dhe bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim parandalimin me sukses të korrupsionit dhe garantimin e integritetit të institucioneve publike. Pas riorganizimit të strukturës së Agjencisë, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional do të ngritet në nivel edhe më të lartë”, tha Buleshkaj.

Anëtari i Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), Avni Sahiti, përmendi arritjet që janë bërë në fushën e prokurimit publik, megjithatë, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme nëse nuk ka koordinim dhe përfshirje të institucioneve që janë të thirrura në parandalim dhe luftën kundër korrupsionit. “Në emër të KRPP-së rikonfirmoj gatishmërinë e lartë për bashkëpunim të mëtutjeshëm, për të promovuar parimet e qeverisjes së mirë dhe për të fuqizuar transparencën dhe llogaridhënien e të gjitha institucioneve publike. Gjithashtu edhe Raporti i Progresit të KE për Kosovën edhe këtë vit thekson rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të prokurimit, për të siguruar një zbatim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm të kornizës rregullative në fushën e prokurimit publik, rritjes dhe forcimit të kapaciteteve të këtyre institucioneve”, tha Sahiti.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, foli për aktivitetet në të cilat angazhohet IPK-ja në luftimin e korrupsionit dhe rezultatet e arritura në hetimin e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion. “Këto dy vitet e fundit kemi pas rezultate të mira, ndoshta më të mëdhatë që nga themelimi i IPK-së”, deklaroi ai.  Gjithashtu Hodaj theksoi rëndësinë e mbajtjes së aktivitete të tilla sikurse tryeza e sotme që forcojnë bashkëpunimin dhe rrisin efikasitetin e organeve të zbatimit të ligjit në parandalimin e korrupsionit.

Drejtori i Rrjetit të OJQ-ve AVONET, Kenan Gashi, tha se takimet e tilla janë të dobishme dhe duhet të rritet bashkëpunimi në mes të institucioneve përgjegjëse për luftimin e korrupsionit. Ai tha se raportet e auditimit të ZKA-së kanë fakte të mjaftueshme për hetime të mëtutjeshme. “Duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë zyrtarët nga niveli qendror po ashtu dhe ata të nivelit lokal. Po ashtu duhet të rriten masat ndëshkimore ndaj shkelësve të ligjit”, deklaroi Gashi.

Në mbyllje të tryezës Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi drejtuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse për kontributin e dhënë duke shprehur përkushtimin e saj për rritje të bashkëpunimit i cili ka një qëllim të përbashkët: parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

 

 

Auditorja e Përgjithshme takoi Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund

Auditorja e Përgjithshme takoi Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, znj. Vlora Spanca, priti në takim Ambasadorin suedez në Kosovë, z. Jonas Westerlund, për të diskutuar për zhvillimet aktuale dhe mbështetjen që institucioni merr nga partnerët ndërkombëtarë. Në takim ishin të pranishëm edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, znj. Myrvete Gashi-Morina.

Znj. Spanca falënderoi Ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti suedez, veçanërisht bashkëpunimin e suksesshëm me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë që ka filluar që nga viti 2011. Diskutimet u përqendruan rreth rolit, ndikimit dhe arritjeve të deritanishme të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Temë e veçantë ishte mirëmbajtja dhe ruajtja e pavarësisë institucionale dhe sfidave të mundshme për të arritur këtë. Znj. Spanca, theksoi rëndësinë e madhe të këtij bashkëpunimi duke cekur se ndihma e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka ndikuar që cilësia e auditimeve në ZKA të vlerësohet në nivel të lartë nga mekanizma kompetentë ndërkombëtarë, Kuvendi dhe palët e tjera të interesit.

Ambasadori Westerlund rikonfirmoi përkrahjen e Suedisë dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Zyrën Kombëtare të Auditimit në avansimin e cilësisë së punës audituese për të përmirësuar menaxhimin e financave publike dhe mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi, si dhe shprehu mbështetjen e ambasadës në adresimin e sfidave të institucionit tonë.

Palët shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin më qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në lidhje më përdorimin e fondeve në administratë publike.

 

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Rrjetit të OJQ-ve AVONET

Auditorja e Përgjithshme priti në takim përfaqësuesit e Rrjetit të OJQ-ve AVONET

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca priti sot në takim njoftues Drejtorin Ekzekutiv të Rrjetit të OJQ-ve AVONET, Kenan Gashi, Zëvendës Drejtorin Ekzekutiv, Lorik Krasniqi dhe Udhëheqësin e Departamentit të Hulumtimeve, Shefki Berisha. Të pranishëm ishin edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi-Morina, Drejtori i Departamentit për Auditimet e Teknologjisë së Informacionit Samir Zymberi dhe Shefja e Kabinetit Shqipe Cavdarbasha. Takimi kishte për qëllim ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtarë të Auditimit (ZKA) dhe Rrjetit të OJQ-ve AVONET, me adresimin e çështjeve me rëndësi për qeverisje të mirë dhe në interes të qytetarëve.

Znj. Spanca njoftoi të pranishmit mbi rolin dhe punën e ZKA-së, planin vjetor të auditimeve e në veçanti mbi rëndësinë e bashkëpunimit të institucionit që ajo drejton me Shoqërinë Civile si kërkesë e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe praktikë e mirë ndërkombëtare që aplikohet nga ZKA. Ndërsa, z. Gashi vlerësoi lartë punën e ZKA-së, raportet cilësore dhe temat e trajtuara nga kjo e fundit, si dhe informoi të pranishmit mbi punën që kryen AVONET.

Znj. Spanca dhe z. Gashi u zotuan për ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe AVONET mbi tema dhe fusha specifike në të mirë të qytetarëve dhe në funksion të qeverisjes më të mirë publike.

 

Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, i ka dërguar letër urimi kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 111-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.

Znj. Spanca vlerësoi se partneriteti në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit është i mbështetur në vlera të larta dhe interesa të përbashkëta profesionale e kombëtare.  “Me urimet  më të përzemërta për mirëqenien e popullit shqiptar kudo, e konfirmoj përkushtimin dhe angazhimin tim në forcimin e mëtutjeshëm të raporteve tona dhe bashkëpunimit  në mes dy institucioneve”, thuhet në letrën e urimit.

Në këtë ditë të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare Kontrolli i  Lartë i  Shtetit bartë merita të larta për kontributin  e dhënë në shtetndërtim  dhe për rrugën e trasuar ndër vite në krijimin e një administrate shtetërore të përgjegjshme dhe llogaridhënëse.

“Puna jonë për kauzën e përbashkët  në avancimin e auditimit të jashtëm do t’i shërbejë vendeve tona për t’u zhvilluar e forcuar më tutje, ndërsa për ne është një mundësi që përveç angazhimit kombëtar të jemi bashkë edhe në angazhimet profesionale”, theksohet ndër të tjera në urimin e Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca dërguar kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu.

 

MFPT-ja dhe ZKA-ja mbajtën punëtorinë e fundvitit për përmirësimin e performancës së organizatave buxhetore

MFPT-ja dhe ZKA-ja mbajtën punëtorinë e fundvitit për përmirësimin e performancës së organizatave buxhetore

Ministria e Financave, Punës, dhe Transfereve (MFPT) në bashkëpunim me Zyrën  Kombëtare të Auditimit (ZKA), dhe me përkrahjen e programit të USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, më 22 dhe 23 nëntor 2023, mbajtën punëtorinë  me Zyrtarët Kryesor Financiar (ZKF) të  organizatave buxhetore (OB) nga niveli qendror dhe lokal me temën “Ekzekutimi i buxhetit nga organizatat buxhetore dhe zbatimi i rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit”.

Pjesëmarrësit diskutuan për gjetjet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të shtuar në ofrimin e provave materiale gjatë procesit të auditimit me qellim të pasqyrimit të saktë dhe të drejtë të gjendjes në organizata buxhetore.

Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka dhe Agron Fetiu, gjatë diskutimeve vlerësuan bashkëpunimin e vazhdueshëm me OB-të dhe theksuan nevojën për rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Ndërkaq, Zëvendës Drejtori i Thesarit, Nysret Koca dhe Drejtori i Departamentit të Buxhetit, Salvador Elmazi, diskutuan çështjet kryesore të menaxhimit financiar të organizatave buxhetore.

Po ashtu të pranishmit diskutuan edhe për disa ndryshime, në procesin e menaxhimit të financave publike, të cilat adresojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjetjet e  Raportit Vjetor të Auditimit. Gjithashtu organizatat buxhetore u njoftuan edhe me draftin final të Udhëzuesit të Planit Kontabël për vitin 2024,  i cili do të inkurajojë planifikimin dhe regjistrimin më të saktë të transaksioneve qeveritare dhe do të ndihmojë në uljen e keqklasifikimeve, i cili do të zbatohet nga janari i vitit 2024.

 

Auditorja e Përgjithshme në Konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR2023”

Auditorja e Përgjithshme në Konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR2023”

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare “Reformat e Administratës Publike për qeverisje të shkathët dhe elastike”,  organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit dhe Universitetin e Prishtinës. Me përkrahjen e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara UN Women, KosovaPAR2023 organizoi edhe panelin, i cili adresoi përfshirjen gjinore në politika publike të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse si dhe rëndësinë e buxhetimit gjinor, panel ky nën udhëheqjen dhe moderimin e zonjës Spanca.

Auditorja e Përgjithshme tha se reforma në administratën publike përbën ndër parakushtet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm, rritje ekonomike dhe shërbime më të mira për qytetarët.  “Fakti se sot po bisedojmë për reformat në administratë publike tregon për ndërgjegjësimin dhe përkushtimin për një administratë më profesioniste dhe të bazuar në merita, për më shumë udhëheqje dhe përpjekje për përmirësimin e planifikimit të politikave, financave publike, luftën kundër korrupsionit, menaxhimit të njerëzve dhe rritjen e llogaridhënies”, deklaroi znj. Spanca.

Nën udhëheqjen e znj. Spanca, panelistët znj. Ermira Lubani, Specialiste e Programit Rajonal në UN Women, z. Mehmet Mehmeti, Profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale Bashkëkohore, Universiteti i Evropës Juglindore, dhe znj. Krenare Sogojeva-Dermaku, Komisionere për Informacion dhe Privatësi, më tutje prezantuan perspektivat e tyre nga këndvështrimi i institucioneve dhe organizatave që përfaqësojnë, lidhur me integrimin gjinor në politikat publike dhe buxhetimin gjinor.

 

Zyra Kombëtare e Auditimit i kushton rëndësi dhe mbulueshmëri të madhe auditimit të fushës së prokurimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit i kushton rëndësi dhe mbulueshmëri të madhe auditimit të fushës së prokurimit publik

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) me mbështetjen e Zyrës së Komisionit Evropian në Prishtinë përmes projektit mbështetës “Asistenca Teknike e BE-së për Mbështetjen e Zbatimit të Reformave të Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë” dhe Organizatës SIGMA/OECD organizoi konferencën me temën “Sfidat e Ardhshme për Sistemin e Prokurimit Publik në Kosovë”.

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë nga institucionet e Republikës së Kosovës, ekspertë të BE-së dhe SIGMA, si dhe partnerë të tjerë.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, theksoi se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes auditimeve të rregullta vjetore financiare, atyre të pajtueshmërisë dhe të performancës i kushton rëndësi të madhe fushës së prokurimit publik duke siguruar mbulueshmëri të gjerë meqë një vlerë e konsiderueshme e buxhetit publik shpenzohet përmes proceseve të prokurimit. Ai shtoi se ZKA-ja vazhdon të promovojë ndërgjegjësimin publik lidhur me parimet e llogaridhënies dhe transparencës për menaxhim sa më të mirë të parasë publike, duke kërkuar që bashkëpunimi ndërinstitucional të fuqizohet më shumë në këtë drejtim.

Pjesëmarrësit vlerësuan se shkëmbimi i përvojave si dhe rritja e bashkëpunimit në mes të institucioneve përgjegjëse mundëson rritjen e sukseseve në fushën e prokurimit publik dhe zvogëlimin e sfidave.

 

ZKA-ja nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit me Fakultetin Ekonomik të Kolegjit AAB dhe Institutin e AAB-së për Kontabilistë dhe Auditor të Certifikua

ZKA-ja nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit me Fakultetin Ekonomik të Kolegjit AAB dhe Institutin e AAB-së për Kontabilistë dhe Auditor të Certifikua

Me qëllim të  avancimit të cilësisë  së edukimit, shërbimeve arsimore në Kosovë dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale në fushën e kontabiliteti, raportimit financiar,  auditimit  e  fushave  të  ngjashme, të martën u nënshkrua marrëveshja tri paleshe në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB si dhe Institutit AAB për Kontabilistë dhe Auditor të Certifikuar.

Marrëveshja e nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Medain Hashani, dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit AAB, Ylber Prekazi, parasheh krijimin e mundësive të  reja të bashkëpunimit në dobi të stafit të ZKA-së, studentëve të Fakultetit Ekonomik të AAB-së dhe anëtarëve të  Institutit AAB.

Përmes zbatimit të marrëveshjes, palët synojnë rritjen e shkëmbimeve arsimore e  profesionale në të mirë të bashkëpunimit në mes të institucioneve arsimore, profesionale dhe trajnuese dhe ZKA-së që është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar në Kosovë.

Po ashtu, marrëveshja parasheh promovimin  e edukimit  cilësor  nëpërmjet aktiviteteve  të  përbashkëta; hartimin e programeve për përgatitje profesionale të kandidatëve për nevojat e ZKA-së; organizimin e ligjëratave dhe trajnimeve në fushën e kontabilitetit dhe financave në përgjithësi, auditimit  dhe programeve  tjera  në të  ardhmen.

Marrëveshja parasheh edhe ofrimin e mundësive për zhvillim të punës  praktike  në ZKA për studentët e këtij institucioni; organizimin dhe zhvillimin e formave të ndryshme të edukimit të vazhdueshëm  profesional  të  zyrtarëve  të  ZKA -së; bashkëpunimin  dhe fushata tematike  ndërinstitucionale  për të  mirën  e përgjithshme  si: rolin dhe rëndësinë  e  auditimit,  procesin  e  auditimit,  llojet e  auditimit,  rolin  e  ZKA-së në Kosovë  dhe shënimin  e ditëve  të  ndryshme  kombëtare e ndërkombëtare.

 

Auditorja e Përgjithshme takon përfaqësuesit e lartë të CIPFA

Auditorja e Përgjithshme takon përfaqësuesit e lartë të CIPFA

Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z. Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm z. Naser Arllati priti në takim përfaqësuesit e lartë të Institutit të Miratuar për Financa Publike dhe Kontabilitet (CIPFA), z. Khalid Hamid, Drejtor Ndërkombëtar i CIPFA-s dhe z. Steve Watkins, Udhëheqës i Lartë për Partneritete Ndërkombëtare.

Znj. Spanca, informoi mysafirët mbi rolin dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ajo theksoi se auditimet e kryera ndihmojnë të ngritet cilësia e raportimit financiar, llogaridhënies, transparencës dhe përfundimisht përmirësimit të mirëqenies së qytetarit në Kosovë. Sidoqoftë, pavarësisht kompetencës profesionale të auditorëve të ZKA-së, zhvillimet e hovshme në nivel global rrisin nevojën për përditësim dhe avancim të mëtutjeshëm të kapaciteteve profesionale në fushën e auditimit të jashtëm në sektorin publik.

Në kuadër të kësaj, palët diskutuan për mundësitë për bashkëpunim në mes të ZKA-së dhe CIPFA në fushën e auditimit, në veçanti atë financiar dhe të pajtueshmërisë, vlerësimit të kontrollit të brendshëm, dhe identifikimin e rreziqeve në fushën e prokurimit publik dhe dukurive që ndërlidhen me mashtrimin. Ata u zotuan që përmes Memorandumit të Mirëkuptimit të përmbushin qëllimin e përbashkët të përmirësimit të menaxhimit të financave publike si bazë formale për bashkëpunim midis të dyja institucioneve.

 

Auditorja e Përgjithshme: Roli i kontabilistit dhe auditorit është i pa kontestueshëm në përmirësimin e menaxhimit të financave në sektorin privat dhe publik

Auditorja e Përgjithshme: Roli i kontabilistit dhe auditorit është i pa kontestueshëm në përmirësimin e menaxhimit të financave në sektorin privat dhe publik

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në aktivitetin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Kontabilistëve, organizuar nga Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa. Të pranishmit theksuan rëndësinë e shënimit të ditës së dedikuar vlerësimit të punës dhe kontributit të kontabilistëve në mbarë botën. Me ketë rast u tha se kontabilistët kanë ndikim thelbësor në stabilitetin ekonomik të shoqërisë.

Zonja Spanca tha se roli i kontabilistit dhe auditorit është i pa kontestueshëm në përmirësimin e menaxhimit të financave në sektorin privat dhe publik, dhe shtoi se  Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa ka kontribuar në promovimin e profesionit të kontabilitetit dhe auditimit në Kosovë si dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Stafi i ZKA-së është pjesëmarrës i trajnimeve të ndryshme të organizuara nga IKAF; një numër i caktuar i stafit tani janë kontabilistë dhe auditorë të certifikuar. Auditorët e Teknologjisë së Informacionit në kuadër të ZKA-së janë certifikuar me titullin “Auditor i IT i Certifikuar” nga IKAF. Me këtë certifikim ata janë të kualifikuar për të kryer auditime që plotësojnë standardet më të larta profesionale dhe etike”, deklaroi znj. Spanca.

 

ZKA-ja filloi auditimin paralel “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

ZKA-ja filloi auditimin paralel “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Auditimi i përbashkët i performancës “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” për periudhën 2019-2023 realizohet në kuadër të marrëveshjes trepalëshe në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women.

Qëllimi i auditimit është vlerësimi i efektivitetit dhe ndikimit të politikave, programeve dhe masave që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus në rritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe identifikimin e mundësive për përmirësim.

Ky auditim fokusohet në vlerësimin e Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (PBZHR), përmes së cilit Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) hartoi disa politika favorizuese apo masa afirmative me qëllim të fuqizimit të grave në bizneset bujqësore – rurale.

Ndonëse në kuadër të zbatimit të Programit, Ministria i kushtoi rëndësi aspektit gjinor përmes masave afirmative/favorizuese për gratë,  numri i grave që përfituan ishte më i ulët se sa ai i burrave dhe kjo diferencë është rritur ndër vite.