Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme prezantoi në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme prezantoi në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi të enjten para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2022, i cili përmban rezultatet kryesore të punës audituese duke përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Raporti është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022 dhe i 123 raporteve individuale të auditimit të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe auditimeve të performancës.

Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca:

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Konjufca,

Të nderuar deputetë,

I nderuar Ministër i Financave z. Murati,

I nderuar kabinet qeveritarë,

Të nderuar të pranishëm,

Bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, kam kënaqësinë të prezantoj Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2022.

Ky Raport është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022 dhe i 123 raporteve individuale të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve të donatorëve dhe raporteve të performancës.

Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Kualifikuar.

Arsyet e kualifikimit të opinionit, kanë qenë për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale, si:

  • Shpenzimet në vlerë rreth 10,400,000€ janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 5,600,000€, për shkak të vendimeve gjyqësore afër 3,800,000€, ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 1,000,000€; Megjithatë, në raport me vitin paraprak kishte përmirësime në vlerë prej 3 milionë euro;
  • Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontingjente dhe detyrimeve të papaguara kishte shpalosje të vlerave të gabuara;
  • Nënvlerësimi i pasurisë është evidentuar në vlerë rreth 55,900,000€, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 1,900,000€ si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontingjente për 16,100,000€. Kjo është rezultat i mos prezantimit të saktë të informatave financiare nga vet organizatat buxhetore e që rrjedhimisht ato konsolidohen në pasqyrat financiare të Buxhetit të Kosovës.

Për vitin 2022, Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka arritur të kryej auditimin e Pasqyrave Financiare për Komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq për arsyet e njohura edhe nga ju.

Të nderuar deputetë,

Përveç opinionit të auditimit, ne po ashtu kemi vlerësuar edhe çështjet të tjera të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, si: pajtueshmërinë e deficitit buxhetore me kornizën ligjore, borxhin shtetëror, obligimet e pa paguara dhe ato kontigjente, etj.

Sipas auditimit, kufiri i deficitit buxhetor në vitin 2022 ishte në kuadër të limiteve të përcaktuara ligjore dhe niveli i inkasimit i të hyrave ishte përmirësuar. Kjo ka ndikuar që në vitin 2022 të kemi një suficit prej 13,918,000€ përderisa në vitin 2021 deficiti buxhetor ishte mbi 50,363,000€.

Borxhi shtetëror në fund të vitit 2022, kishte arritur në vlerë 1,753,200,000€ apo rreth 20% e BPV-së (40% është e lejuar me ligj), që do të thotë se është në kuadër të limitit të lejuar me ligj.

Sfidë mbetet mos efikasiteti në shfrytëzimin e fondeve të marra si hua të jashtme i shkaktuar kryesisht nga problemet me menaxhimin e projekteve infrastrukturore. Niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi ndërkombëtar mbetet i ulët (për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë prej 177,900,000€ të ratifikuara përgjatë viteve 2017 deri 2022, nuk janë tërhequr fare mjetet financiare). Në të cilin ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera.

Në vitin 2022, të hyrat e buxhetit ishin në vlere prej 2. 6 miliard € që krahasuar me vitin 2021 ishin rritur rreth 6%.

Shpenzimet për vitin 2022 ishte realizuar në vlerë 2.6 miliard € apo 83% e buxhetit final. Krahasuar me vitin 2021 kishte rritje të shpenzimeve për 10%. Nivelin më të ulët e kishin shpenzimet për investime kapitale që ishin realizuar vetëm 60% e buxhetit final.

Vlera e obligimeve të papaguara, në fund të vitit 2022 ishte afër 150 milionë €, e që në raport me vitin paraprak obligimet janë zvogëluar për rreth 22%.

Në anën tjetër, LLA në fund të vitit 2022 ishin 841 milionë € që në raport me vitin paraprak ishin rritur për rreth 8%.

Për vitin 2022 pagesat e realizuara me vendime gjyqësore ishin në vlerë 46,349,349€. Në raport me vitin 2021, vlera e këtyre pagesave ka një rënie të lehtë prej 11%, mirëpo ende mbetet në nivel të lartë. Pagesat e kësaj natyre vazhdojnë të jenë sfidë për buxhetin e shtetit, në veçanti shpenzimet shtesë të cilat ishin rreth 7,500,000€ përtej borxhit kryesor.

Të nderuar deputetë,

Raporti Vjetor i Auditimit përmban rezultatet e auditimeve individuale të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, si dhe auditimet e performancës të kryera gjatë sezonit auditues.

Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë sezonit auditues 2022-2023 ka nxjerrë:

  • 86 raporte të auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore;
  • 11 raporte të auditimit të ndërmarrjeve publike;
  • 15 raporte të auditimit të performancës;
  • 9 raporte të auditimit të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe
  • 2 raporte të auditimit të pajtueshmërisë me informata të klasifikuara (niveli i klasifikimit i KUFIZUAR).

Në auditimin e Pasqyrave Financiare të 86 Organizatave buxhetore kemi dhënë:

  • 53 opinione të pamodifikuara për PFV-të; dhe
  • 33 opinione të modifikuara (të kualifikuara);
  • Përderisa për 11 ndërmarrjet publike të audituara kemi dhënë një opinion të pa modifikuar dhe 10 opinione të modifikuar.

Megjithatë, në raport me vitin e kaluar ka përmirësim të raportimit financiar si tek Organizatat Buxhetore ashtu edhe tek ndërmarrjet publike. Kjo për shkak se në 2022 tek Organizatat Buxhetore janë 11 opinione të modifikuara më pak. Ndërsa të Ndërmarrjet publike, nga 10 opinione të kundërta në vitin 2021, në vitin 2022 ishin vetëm 3 të tilla. Për më shumë, Posta e Kosovës vite me radhë ka marrë opinion të modifikuar, përderisa në vitin e fundit ka treguar përmirësim duke marrë opinion të pastër.

Po ashtu, kemi vlerësuar pajtueshmërinë e proceseve dhe transaksioneve me kornizën ligjore dhe nga rezultatet kemi konstatuar se jo në të gjitha rastet institucionet publike kanë qenë në pajtueshmëri.

Inicimi i projekteve pa zotim të mjaftueshëm të mjeteve, tejkalimi i sasive të kontraktuara, përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ndryshimi i vlerës së kontratave mbi 10%  pa aplikuar procedura të prokurimit, përzgjedhja e operatorit ekonomik të papërgjegjshëm, vonesa në përfundimin e punëve, përdorimi i fondeve të projekteve të caktuara për projekte tjera, etj;

Dobësi në vlerësimin e përzgjedhjes se kandidateve, mbajtja e pozitave të punës me ushtrues detyre, zyrtarë jashtë listës se pagave, etj.

Subvencionimi i OJQ-ve pa thirrje publike, mungesa e monitorimit të subvencioneve të dhëna, dhënia e subvencioneve në kundërshtim me kriteret, etj.

Të nderuar deputetë,

Nga analiza e bërë për 12 NP (përfshirë edhe RTK) mbi rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se, pesë (5) prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë prej mbi 10 milionë euro, ndërsa shtatë (7) të tjerat kanë realizuar një fitim prej mbi 110 milionë euro.

Pjesën më të madhe të humbjeve për vitin 2022 e kishte Ndërmarrja Publike Banesore në shumën prej 4.3 milionë euro, kurse fitimin më të madh e kishte realizuar KEK-u në shumën prej mbi 105 milionë euro.

Sidoqoftë, krahasuar me vitin paraprak në katër (4) NP vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve, nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës. Ndërsa gëzon fakti se përveç NPB-së, asnjë nga NP-të e tjera nuk ka treguar elemente të rritjes materiale të nivelit të humbjes.

Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë ekonomike, efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer 15 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si: ekonomi, shëndetësi, ambient, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik.

Auditimet e publikuara gjatë viteve 2022 dhe 2023 kanë nxjerr në pah mungesë të efikasitet, të efektivitet dhe mos arritje e vlerës për para në menaxhimin e programeve dhe aktiviteteve si: Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, Të hyrat nga qiraja në AKP, Ndikimi i  investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve, Prokurimet e negociuara pa publikim në Ministri të Infrastrukturës, Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumeve, Trajtimi i rasteve të dhunës në familje, Ndërtimi i shtëpive për të kthyerit, etj.

Po ashtu në fushën e teknologjisë së informacionit kemi identifikuar mangësi thelbësore në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, KRU Prishtina, Institutin Bujqësor, etj.

Të nderuar deputetë,

Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2022 për të gjitha auditimet e kryera kemi dhënë gjithsejtë 900 rekomandime.

Ndërsa sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për vitin 2021 kemi vërejtur se 49% të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2020) paraqet një ulje prej 1%. Përderisa tek NP, nga 187 rekomandime sa janë dhënë vitin e kaluar, 58% janë zbatuar.

Në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021, kemi dhënë 36 rekomandime prej të cilave vetëm pesë (5) janë zbatuar plotësisht, tre (3) ishin në proces, 21 rekomandime nuk janë adresuar.

Të nderuar deputetë,

Me përfundimin e sezonit auditues 2022/2023, ZKA-ja ka analizuar të gjitha raportet e publikuara të auditimeve të rregullsisë dhe performancës për të identifikuar rastet e dyshimit për kryerjen e veprave penale. Nga analizimi i këtyre raporteve, kemi evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat i kemi dërguar të Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme.

Përveç tyre në Prokurori janë dërguar edhe dy raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura.

Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, 36 raste. Tetë (8) raste janë identifikuar në kategorinë e subvencione dhe transfereve, si dhe shtatë (7) raste në fushën e punësimit.

Krejt në fund, më lejoni t’i falënderoj të gjitha palët audituese dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike për mbështetjen dhe bashkëpunimin korrekt me ZKA-në, gjatë këtij sezoni auditues.

Ju faleminderit për vëmendjen!

 

ZKA-ja vazhdon bashkëpunimin me institucione të ndryshme për zhvillim profesional

ZKA-ja vazhdon bashkëpunimin me institucione të ndryshme për zhvillim profesional

Në zbatim të mandatit kushtetues, ligjor dhe standardeve ndërkombëtare të  auditimit në sektorin publik, Zyra Kombëtare e Auditimit vazhdon të bashkëpunojë me institucione dhe organizata të ndryshme në fushat e ndërlidhura me auditimin apo zhvillimin profesional.

Mbi këtë bazë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj mbajtën takim pune me drejtorin e Njësisë Qendrore  Harmonizuese të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agim Krasniqi, z.Valdet Haziri dhe ekspertin z. Frans Hesse, në kuadër të projektit “Menaxhimi i Financave Publike në Kosovë”, projekt i financuar nga BE-ja dhe implementuar nga GIZ.

Qëllimi i takimit ishte bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mbështetja profesionale në kryerjen e përgjegjësive respektive të auditimit të brendshëm dhe të jashtëm, konkretisht për sistemet e menaxhimit financiar dhe kontrollit, ndarjen e informatave dhe praktikave lidhur me zhvillimin e këtyre fushave në sektorin publik të Kosovës.

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e javës së profesionit të kontabilitetit dhe auditimit

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e javës së profesionit të kontabilitetit dhe auditimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën mori pjesë në Konferencën “Krijimi i vlerave – Porta e së ardhmes”, organizuar nga Shoqata e Kontabilisteve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) me rastin e shënimit të javës së profesionit të kontabilitetit dhe auditimit.

Konferenca mblodhi përfaqësues të lartë të institucioneve publike për të diskutuar rreth trendeve, raportimeve dhe zhvillimeve të fundit me qëllim të promovimit të përgjegjësisë sociale përmes praktikave më të mira për transparencë dhe llogaridhënie në shërbim të interesit publik.

Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se kontabiliteti dhe auditimi janë komponent të rëndësishëm të cilët përmbyllin ciklin e llogaridhënies dhe transparencës si dy ndër vlerat kryesore të një sistemi demokratik.

“Se roli i kontabilistit dhe auditorit është i pakontestueshëm në shoqëri flasin shumë argumente për përmirësimin e menaxhimit të financave në sektorin privat dhe publik të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikim në mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi znj. Spanca.

Ajo shtoi se është e rëndësishme që Institucionet Supreme të Auditimit të kenë një dialog kuptimplotë dhe efektiv me palët e interesit në lidhje me atë se si puna e tyre e ndihmon sektorin publik të përmirësohet dhe zhvillohet vazhdimisht.

Tutje Auditorja e Përgjithshme foli për avancimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve të Zyrës Kombëtare të Auditimit duke thënë se në këtë proces ndikim kanë pasur edhe programet e zhvillimit dhe edukimit profesional të ofruara nga shoqatat profesionale vendore e në veçanti Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.

ShKÇAK ndikoi fuqishëm në zhvillimin profesional të profesionit të kontabilistëve dhe auditorëve të Kosovës, të cilët kontribuojnë në ngritjen dhe forcimin e menaxhimit financiar në sektorin publik dhe privat.

“Zbatimi rigoroz i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit dhe auditimit si të sektorit privat dhe të atij publik, të qenit në përputhje me parimet etike dhe vlerat që i promovojnë këto profesione padyshim janë udhërrëfyesi kryesor që hapin portën drejtë një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Spanca.

 

ZKA-ja dhe OSBE-ja angazhohen për vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në komuna për të rritur ndikimin e auditimit

ZKA-ja dhe OSBE-ja angazhohen për vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në komuna për të rritur ndikimin e auditimit

Në kuadër të aktiviteteve për mbështetjen e komunave, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe OSBE-ja mbajtën punëtori dyditore ku trajtuan çështjet që ndikuan në opinionin financiar të auditimit, përkatësisht gjetjet kryesore të raporteve të auditimit për komunat për vitin 2022 si dhe sfidat kryesore për zbatimin e rekomandimeve.

Në këtë punëtori ZKA-ja u përfaqësua nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, z. Zukë Zuka dhe z. Agron Fetiu, si dhe drejtori i Departamentit të Auditimit për Komuna, z. Lavdim Maxhuni. Ndërsa OSBE-ja nga z. Fatmir Zylfija, Kordinator i projektit, kurse komunat nga drejtorët e auditimit dhe zyrtarët kryesorë financiar.

Përveç dhënies së kontributit në diskutime, përfaqësuesit e ZKA-së prezantuan edhe gjetjet kryesore të raporteve individuale për vitin 2022. Të pranishmit theksuan nevojën për rritjen e përgjegjësisë në kryerjen e detyrave zyrtare, rritjen e kontrollit të brendshëm si dhe forcimin e masave të llogaridhënies në të gjitha nivelet komunale.

Punëtoria u vlerësua e dobishme në dhënien e këshillave dhe mundësisë për përmirësim gjatë përgatitjes së Pasqyrave Financiare Vjetore për vitin 2023.

 

ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve për sezonin auditues 2023/2024

ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve për sezonin auditues 2023/2024

Në përputhje me mandatin ligjor Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023/2024.

Plani adreson përmbushjen e obligimeve kushtetuese e ligjore si dhe përmban informatat relevante në lidhje me auditimet e përzgjedhura nga Auditorja e Përgjithshme, përfshirë projektet, aktivitetet, afatet, burimet e nevojshme, buxhetin, rezultatet dhe rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet ZKA-ja.

Për sezonin auditues  2023/24, ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve, prej tyre 85 auditime për organizatat buxhetore, 8 projekte të financuara nga fondet e jashtme, 13 ndërmarrje publike,  16 auditime të performancës, si dhe Raportin Vjetor të Auditimit.

Përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuara me ligj, fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të ndërmarrjeve publike me interes të veçantë si dhe projekteve kapitale me peshë të lartë financiare.

Ndërsa auditimet e performancës mbulojnë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e shoqërisë civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave, si dhe bazuar në vlerësimin e ndikimit në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe  përmirësimin e qeverisjes.

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/24 e gjeni këtu. 

 

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës znj. Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, me 30 dhe 31 tetor 2023 morën pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar për Çështjet e Shfaqura, organizuar nga Gjykata e Auditorëve të Portugalisë në partneritet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe nën kujdesin e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).

Tema e debatuar nga Institucionet Supreme të Auditimit iu referua përshtatjeve dhe rregullimeve që këto institucione duhet bërë në veprimtarinë e tyre, duke pasur parasysh edhe ndryshimet ekonomiko-financiare në funksionimin e shteteve.

Sesionet u fokusuan në mënyrën se si mjedisi ekonomik në ndryshim po ndikon në shpenzimet publike, duke parë kostot e rritura të huamarrjes, kostot e inflacionit, ndryshimet demografike dhe praktikat e mira në qëndrueshmërinë financiare.

Rreth 50 përfaqësues nga 23 Institucione Supreme të Auditimit të vendeve evropiane, Gjykata Evropiane e Auditorëve dhe Gjykata e Auditorëve të Bashkimit të Brazilit, e cila aktualisht kryeson Organizatën Botërore të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ishin të vëmendshëm ndaj fjalëve të ekspertëve nga organizatat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, si OECD dhe Këshilli i Financave Publike, paraqitën shembuj specifik dhe debatuan për çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimet dhe krizat e shpejta të cilave iu është nënshtruar bota.

Konkluzioni i këtij simpoziumi ishte se Institucionet Supreme të Auditimit për të ruajtur rëndësinë e tyre si akterë thelbësorë për mirëqeverisjen e burimeve publike duhet të jenë të hapura nga jashtë dhe të ndjeshme ndaj tendencave dhe zhvillimeve në sektorin publik dhe menaxhimin e tij.

Po ashtu u theksua se ndarja e praktikave të mira ndihmon Institucionet Supreme të Auditimit  për të përmirësuar ndikimin e tyre në menaxhimin publik të çdo shteti.

 

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Drejtoreshën e Projektit nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Drejtoreshën e Projektit nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”

Zonja Auditore e Përgjithshme e Kosovës Vlora Spanca mbajti takim me Drejtoreshën e re të Projektit nga USAID, “Integriteti i Komunave të Kosovës”, zonjën Maia Gogoladze. Të pranishëm ishin Udhëheqësi i objektives së parë të projektit z. Ruzhdi Zeqiri, Këshilltari i lartë z. Edon Kurtishi, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme znj. Myrvete Gashi-Morina, Shefja e Kabinetit znj. Shqipe Çavdarbasha dhe Ud. Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve znj. Natyra Kasumaj-Ahmeti.

Zonja Spanca vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen e kahmotshme të USAID-it dhënë Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e sfidave për luftimin e korrupsionit dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, duke përforcuar mekanizmat e llogaridhënies. Më tutje, ajo shprehu edhe përkushtimin e institucionit që drejton për avancimin e bashkëpunimit.

Ndërsa znj. Gogoladze rikonfirmoi gatishmërinë e lartë për të vazhduar bashkëpunimin e mëtutjeshëm brenda kornizave të kapaciteteve të projektit në ofrimin e mbështetjes dhe impaktit më të gjerë.

 

ZKA-ja dhe DEMOS-i me marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit

ZKA-ja dhe DEMOS-i me marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Projekti DEMOS vazhdojnë bashkëpunimin shumëvjeçar tani përmes nënshkrimit të marrëveshjes për kryerjen e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara mbi Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) dhe Grantin e Performancës Komunale (GPK)” i cili do të përfshijë vlerësimin e përshtatshmërisë dhe efektivitetit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara të GPK dhe SMPK.

Marrëveshjes së nënshkruar të enjten nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe drejtori i Projektit DEMOS, Alan Packer, i parapriu takimi ku palët vlerësuan lartë bashkëpunimin afatgjatë dhe të frytshëm në mes të ZKA-së dhe DEMOS-it.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e madhe që ka realizimi i këtij projekti për të ndihmuar komunat në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe avancimin e qeverisjes lokale.

Znj. Spanca tha se bashkëpunimi në mes të ZKA-së dhe DEMOS-it do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në veçanti në identifikimin dhe vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në qeverisjen lokale për të rritur ndikimin e auditimit, përkatësisht në rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Drejtori i Projektit DEMOS, Alan Packer, ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme për realizimin e objektivave të ZKA-së si dhe shprehu përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Packer prezantoi objektivat e projektit për t’u fokusuar më pas në diskutimin për kushtin minimal të Grantit të Performancës Komunale që ndërlidhet me opinionet e auditimit dhe nivelin e zbatimit të rekomandimeve.

Të pranishëm në takim nga DEMOSI ishin edhe eksperti ndërkombëtar Gerhard van’t Land dhe menaxherja e lartë për ndërhyrje Saranda Husaj Baraliu. Ndërsa nga ZKA-ja ishin Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi-Morina dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu.

 

Vazhdon bashkëpunimi në mes ZKA-së dhe KRPP-së

Vazhdon bashkëpunimi në mes ZKA-së dhe KRPP-së

Në vazhdim të aktivitetit të mbajtur në qershor 2023, me temën “Bashkëpunimi ndërinstitucional në Fushën e Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës”, lidershipi i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ai i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik u takuan sërish për të biseduar lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve në prokurim publik.

Zonja Auditore e Përgjithshme Vlora Spanca dhe Kryetari i Bordit të KRPP-së z. Osman Vishaj u pajtuan që në nëntor të mbahet një punëtori rajonale, organizuar nga KRPP me mbështetje të GIZ-it dhe SIGMA-s. Ndërsa në dhjetor, ZKA organizon tryezë me institucionet kyçe që merren me prokurimin publik.

 

Përfaqësuesit e ZKA-së marrin pjesë në punëtorinë e programit “LOTA Pioneers” të mbajtur në Brazil

Përfaqësuesit e ZKA-së marrin pjesë në punëtorinë e programit “LOTA Pioneers” të mbajtur në Brazil

Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI) ka përfunduar me sukses punëtorinë e radhës për programin “LOTA Pioneers” (Agjentët/Pionierët duke Përdorur Avancimin e Teknologjisë) të mbajtur në Brazilia, Brazil më 23-27 tetor 2023. Në këtë punëtori kanë marrë pjesë 26 profesionistë të auditimit nga shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit e Republikës së Kosovës, Samir Zymberi, Drejtor i Departamentit për Auditimet e TI-së dhe Poliksena Berisha Auditore seniore e TI-së.

Ky program ka për qëllim t’i ndihmoj Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) për të siguruar agjentë kompetentë të ndryshimit të cilët do të angazhohen në zhvillimin e një strategjie afatgjate të auditimit për teknologjinë e informacionit dhe kryerjen e auditimeve të teknologjisë. Poashtu, programi “LOTA Pioneers” i ndihmon ISA-të në skanimin e mjediseve të tyre të jashtme dhe të brendshme me fokus në teknologji, organizim dhe procese, caqe dhe kufizime, staf dhe partneritetet.

Përveç orientimit për të ndërtuar një strategji për TI-në, në këtë program u trajtuan edhe mundësitë si të ndihmohen ISA-të për të ndërtuar praktika të qëndrueshme të auditimit të teknologjisë  dhe ndikimit të përdorimit të teknologjisë  në auditime, duke përdorur edhe vegla për analizimin e të dhënave.

Përfaqësuesit nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ishin aktiv në punëtori duke dhënë kontribut gjatë punëtorisë dhe duke qenë një model i mirë për ISA-të e tjera. Pjesëmarrja në këtë aktivitet u ka shërbyer edhe për rrjetëzim me kolegë të fushës nga vende të ndryshme të botës dhe për të krijuar bashkëpunime të reja. Disa përfaqësues të ISA-ve të ndryshme kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin me ISA-në e Kosovës në fushën e auditimeve të TI-së.

 

Auditorët e ZKA-së në takimin vjetor të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave

Auditorët e ZKA-së në takimin vjetor të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave

Nga 18 deri më 21 tetor 2023 në Varshavë të Polonisë u mbajt takimi i shtatë vjetor  i Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) nga Polonia, Letonia, Estonia, Lituania, Turqia, Sllovakia, Kroacia, Maqedonia e Veriut si dhe Kosova, anëtarë të kësaj Task Force.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës u përfaqësua nga auditorët Elvir Krasniqi dhe Arian Zenelaj, ndërsa takimi dyditor me temën “Shpërndarja e granteve dhe transfereve” pati për qellim diskutimet dhe ndarjen e përvojave nga pjesëmarrësit nëse grantet shtetërore për komunat  janë shpenzuar për qëllimet e synuara dhe në mënyrë efikase.

Kryetari i Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, Auditori i Përgjithshëm i Lituanisë, Mindaugas Macijauskas, tha se grantet shtetërore për komuna duhet të jenë të synuara, të orientuara drejt rezultateve, me parime të qarta të shpërndarjes dhe garantimit të efektivitetit dhe përdorimit efikas të tyre.

Krahas përfaqësuesve të tjerë nga Institucionet Supreme të Auditimit, auditorët e ZKA-së z. Krasniqi dhe z. Zenelaj prezantuan rezultatet e auditimit me temën “Procesi i menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë”.

Javën e kaluar ishte publikuar edhe buletini i radhës i gazetës së Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, buletin që përfshiu edhe artikullin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Më shumë detaje rreth artikullit në fjalë, “Përmbledhja e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë në komuna”, publikuar në këtë gazetë mund të gjeni në linkun: https://www.tfma.eu/page.aspx?id=136

 

Përfaqësueset e ZKA-së në punëtorinë “Auditimi i së ardhmes së barabartë” në Tunizi

Përfaqësueset e ZKA-së në punëtorinë “Auditimi i së ardhmes së barabartë” në Tunizi

Auditoret e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Arta Kryeziu Qehaja dhe Krenare Pirana Kiseri, morën pjesë në punëtorinë e organizuar në kuadër të Programit “Auditimi i së ardhmes së barabartë” nga IDI INTOSAI në Hamamet të Tunizisë në datat 9-13 tetor 2023.

Pjesë e punëtorisë ishin edhe përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga  Tunizia, Filipinet, Nepali, Indonezia, Mauritania, Serbia, Pakistani, Palestina, Tajlanda, Maldivet, Brazili, Egjipti, Tuvalu dhe Vanuatu, si dhe mentorët nga Gjeorgjia, Kenia, Filipinet dhe Amerika.

Punëtoria pati për qëllim vazhdimin e zhvillimit të kapaciteteve, filluar online, si dhe diskutimet për aplikimin e qasjes gjatë hartimit të Strategjisë së auditimit. Bazuar në diskutimet dhe mësimet e nxjerra nga punëtoria, auditorët e Programit “Auditimi i së ardhmes së barabartë” do të udhëheqin ekipet e tyre për të zhvilluar planin për Strategjinë e auditimit për të audituar tema që lidhen me barazinë dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara.