Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Një numër i institucioneve publike nuk e kanë respektuar afatin ligjor për dorëzimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve, disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare

Një numër i institucioneve publike nuk e kanë respektuar afatin ligjor për dorëzimin e planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve, disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin e parasë publike Organizatat buxhetore që i nënshtrohen procesit të auditimit e kanë obligim ligjor që brenda 30 ditëve pas pranimit të raportit të auditimit t’i dorëzojnë në Zyrën Kombëtare të Auditimit planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, megjithatë dhjetëra prej tyre nuk e kanë respektuar afatin e përcaktuar, e disa prej tyre nuk i kanë dorëzuar fare. Sa i përket auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, nga institucionet që kanë qenë subjekt i auditimit, nëntë (9) prej tyre nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit brenda afatit të përcaktuar. Kurse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) si dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) nuk i kanë dërguar fare planet e veprimit. Me vonesë planet e veprimit i kanë dorëzuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Ministria e Shëndetësisë; Ministria për Komunitete dhe Kthim; Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës; Posta e Kosovës, Kompania Regjionale për Mbeturina “Pastrimi”; Ngrohtorja Qendrore “Termokos”; Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës – INFRAKOS; Ndërmarrja Publike Banesore; si dhe Komuna e Prishtinës. Ndërsa gjendje më e keqe për sa i përket këtyre planeve është tek auditimet e performancës, për shkak se shumica e entiteteve që i janë nënshtruar procesit të auditimit, katërmbëdhjetë (14) sosh nuk i kanë dërguar fare planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve, kurse dy (2) i kanë dorëzuar me vonesë. Për raportin e auditimit “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI); Komuna e Prizrenit; Komuna e Istogut si dhe Komuna e Novobërdës. Kurse për raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra” këtë plan nuk e ka dorëzuar Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Ndërkaq për raportet e auditimit “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore për t'iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19” planet e veprimit nuk janë dorëzuar nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Sa i përket auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil” plani i veprimit nuk është dërguar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa me vonesë plani i veprimit është dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lidhur me raportin e auditimit “Auditim përcjellës për rekomandimet e dhëna për SIMFK-në në Raportin Vjetor të Auditimit 2020 për pjesën e TI-së” planin e rishikuar e ka dorëzuar me vonesë Thesari. Kurse për auditimin “Menaxhimi i projektit bashkimi i qytetit të Ferizajt” planin e veprimit nuk e ka dërguar Komuna e Ferizajt. Për auditimin “Kontratat e centralizuara - Shërbimet e transportit ajror” planet e veprimit nuk ia kanë dërguar Zyra e Kryeministrit; Ministria e Punëve të Brendshme; Ministria e Drejtësisë; si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Radio Televizioni i Kosovës (RTK) e ka dërguar me vonesë planin e veprimit për auditimin “Menaxhimi i fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës”. Me vonesë është dërguar edhe plani i veprimit nga Thesari për raportin e auditimit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave-Payroll”. Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara. Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca i fton Organizatat Buxhetore që nuk i kanë dorëzuar Planet e veprimit për zbatim të rekomandimeve që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore t’i përgatisin dhe dorëzojnë ato. Gjithashtu, znj. Spanca inkurajon të gjitha institucionet publike të audituara që të rrisin angazhimet e tyre në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të auditimit duke siguruar që përmes kësaj të përmirësohet performanca e përgjithshme e tyre. Të gjitha planet e veprimit për vitin 2021 të pranuara nga organizatat buxhetore dhe institucionet tjera të audituara janë të publikuara këtu.
Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale 2018-2021 do t’i nënshtrohen procesit të auditimit

Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale 2018-2021 do t’i nënshtrohen procesit të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin me temën “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK)”. Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i mënyrës së financimit të grantit dhe mënyra e menaxhimit të projekteve të financuara nga ky grant. Auditimi do të analizoj edhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në këto procese investive, me theks grupet e margjinalizuara. Mjetet e planifikuara për GPK për vitet 2018 – 2021 ishin rreth 14 milionë euro dhe janë financuar rreth 190 projekte në komunat e Republikës së Kosovës. Në vitin 2021 nga 38 komuna të  Kosovës, 21 prej tyre i kanë përmbushur kushtet minimale për t’u kualifikuar dhe për të përfituar nga ky grant. Shuma e përgjithshme e disponueshme për vitin 2021 ishte rreth 4.35 milionë euro. Menaxhimi i projekteve të financuara nga ky grant duhet të jetë në pajtim me legjislacionin vendor, me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, si dhe të sigurojë se projektet në të cilat investojnë komunat ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të vlerësojë funksionimin e sistemit të Grantit të Performancës Komunale përgjatë viteve 2018-2021. Po ashtu, do të vlerësojë nëse menaxhimi dhe efektiviteti i projekteve të financuara nga Donatorët[1]  për vitin fiskal 2021 është bërë në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe ka arritur rezultatet e synuara. Fushëveprimi i këtij auditimi shtrihet në analizimin e funksionimit të sistemit të shpërndarjes së granteve përgjatë viteve 2018-2021 nga Donatorët dhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pastaj auditimi i gjashtë projekteve në komunat (Drenas, Lipjan, Vushtrri dhe Skenderaj), arsyet e mos shpenzimit të fondeve nga ky grant në komunat (Mitrovicë e Jugut, Leposaviq dhe Shtërpcë), ndërsa në komunat Peje dhe Prizren do të vlerësohet kthimi i fondeve. Ky auditim synon të ofrojë rekomandime relevante me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale si dhe përfshirjes sa më të madhe të qytetarëve. Auditimi “Projektet e financuara nga Grantet e Perfomancës Komunale (GPK) është kërkesë nga HSIK/DEMOS si përfaqësuese e qeverisë zvicerane, e cila ka lidhur kontratë me Zyrën Kombëtare të Auditimit. Me auditimin e këtyre projekteve ZKA-ja synon të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme për donatorin dhe qytetarët se si po shpenzohen këto mjete. Po ashtu, me këtë auditim ZKA synon të rris llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e këtyre fondeve. [1] Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, Shteti i Norvegjisë
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2022/23, Auditorja e Përgjithshme zotohet për auditime cilësore dhe me interes për qytetarët

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike i Kuvendit shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2022/23, Auditorja e Përgjithshme zotohet për auditime cilësore dhe me interes për qytetarët

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës ka shqyrtuar Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para anëtarëve të Komisionit e ka prezantuar në detaje këtë Plan si dhe ka dhënë shpjegimet e nevojshme. Me këtë rast znj. Spanca ka bërë me dije se misioni i saj është që t’i sigurojë Kuvendit të Kosovës, autoriteteve tjera dhe qytetarëve, informacion objektiv dhe të pavarur mbi funksionimin e institucioneve publike lidhur me menaxhimin e financave publike. “Mbi këtë bazë, çështje e padiskutueshme është kryerja e auditimeve cilësore në përputhje me legjislacionin në fuqi, Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe me interes për Kuvendin e qytetarët”, është shprehur ajo. Auditorja e Përgjithshme, i ka informuar deputetët se Plani Vjetor i Auditimit 2022/23 është përgatitur duke pas parasysh kapacitetet ekzistuese njerëzore dhe financiare të ZKA-së të cilat ende nuk janë të mjaftueshme për të përmbush nevojat dhe pritjet. Znj. Spanca, ka treguar se për sezonin auditues 2022/23 janë planifikuar 134 auditime. Prej të cilave, 113 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që mbulojnë pasqyrat financiare për vitin 2022, duke filluar nga auditimi i Raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike, ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Në planin e auditimit janë përfshirë 11 Ndërmarrje Publike, prej tyre 5 janë nga niveli qendror, 2 regjionale si dhe 4  nga niveli lokal. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se për dallim nga vitet e mëparshme për herë të parë është përfshirë edhe auditimi i Pasqyrave Financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se janë planifikuar 18 auditime të kësaj fushe, disa prej tyre me kombinim të pajtueshmërisë. Znj. Spanca, ka thënë se përmes këtyre auditimeve mbulohen fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik, projekte nga donatoret, si dhe auditime të sistemeve të informacionit. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e Shoqërisë Civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave. Në Planin vjetor të auditimit janë përfshirë dy tema si rezultat i propozimeve të tyre. Gjatë vitit 2022, ZKA për herë të parë ka pranuar dhe ka marrë në konsideratë raportime të ndryshme nga palët e jashtme, në veçanti nga qytetarët e Kosovës (21 raportime). ZKA, i ka adresuar këto raportime tek ekipet e auditimit për trajtim të mëtutjeshëm, si dhe ka përfshirë një temë audituese në fushën e performancës. Në lidhje më ketë, Auditorja e Përgjithshme i falënderon qytetarët e Republikës se Kosovës për besueshmërinë që kanë treguar për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe inkurajon ata që të ofrojnë informacione kurdo që vlerësojnë që ka parregullsi, mos pajtueshmëri më ligjin apo potencial për mashtrim. “Kësisoj sepse, përveç që do të na ndihmojnë neve si Institucion, do ti ndihmojnë edhe mirëqenies se tyre në të ardhmen”, ka theksuar znj. Spanca. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në bazë të mandatit kushtetues dhe ligjor ka  shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së që në mënyrë rigoroze të zbatoj standardet ndërkombëtare të auditimit përmes dhënies se opinioneve për pasqyra financiare të cilat duhet të reflektojnë gjendjen e vërtetë, të drejtë dhe të saktë të informatave financiare. Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 mund ta gjeni këtu.  
ZKA-ja dhe KLSH-ja vazhdojnë aktivitetet lidhur me auditimin paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

ZKA-ja dhe KLSH-ja vazhdojnë aktivitetet lidhur me auditimin paralel në fushën e teknologjisë së informacionit

Një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në përbërje të Ndihmës Auditores së Përgjithshme për auditime të performancës, Myrvete Gashi Morina, drejtorit të Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi, si dhe auditoret Saranda Husaj Baraliu, Arbërore Sheremeti dhe Arlinda Mustafa, kanë qëndruar për vizitë studimore dy ditore në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (KLSH). Kjo vizitë ka qenë vazhdimësi e aktiviteteve në kuadër të auditimit paralel të Teknologjisë së Informacionit për sistemet e informacionit të ujësjellësit në Tiranë dhe Prishtinë. Ekipet e auditimit nga të dyja institucionet kanë prezantuar rezultatet e fazës së parastudimit lidhur me auditimin paralel që është duke u zhvilluar, si dhe kanë diskutuar për fazat vijuese të këtij procesi të auditimit në mes të KLSH-së dhe ZKA-së. Në kuadër të kësaj vizite ekipet e auditimit kanë zhvilluar një vizitë pune në  Ujësjellësin e Tiranës, ku janë informuar rreth procesit auditues dhe detajeve të tjera nga drejtuesit e këtij institucioni. Auditimi paralel në mes të KLSH-së dhe ZKA-së përveç që forcon bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, ka rol në shkëmbimin e përvojave në fushën e auditimeve të teknologjisë së informacionit si dhe ndikon në përmirësimin e menaxhimit të sistemeve të informacionit për ujësjellësit në Shqipëri dhe Kosovë.
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës për herë të parë merr pjesë si anëtare me të drejta të plota në Kongresin e 24-të të Institucioneve Supreme të Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës për herë të parë merr pjesë si anëtare me të drejta të plota në Kongresin e 24-të të Institucioneve Supreme të Auditimit

Në datat 7-11 nëntor 2022, në Rio de Zhaneiro, po mbahet Kongresi i Institucioneve Supreme të Auditimit, i organizuar nga Gjykata Federale e Llogarive të Brazilit. Në kongres, Zyra Kombetare e Auditimit përfaqësohet nga Emine Fazliu, Ndihmës Auditore e Përgjithshme dhe Qëndresa Mulaj, Drejtoreshë e Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komunikim. Në seancën e parë plenare Kongresi ka miratuar dokumente të rëndësishme përfshirë edhe rregullat dhe procedurat e organizatës, raporte pune, si dhe Planin Strategjik të INTOSAI-t 2023-2028. Punimet në vazhdim i kanë trajtuar dy tema me rëndësi të vecantë të auditimit publik si: “Roli i institucioneve supreme të auditimit në përballje me katastrofat” dhe “Zëri global, rezultati global dhe ndikimi largpamës”. Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në kuadër të Kongresit ka takuar kolegë dhe partnerë nga ISA-t tjera ku kanë biseduar për çështje të auditimit publik, përvojat dhe zgjidhjet e mundshme, me qëllim të aplikimit të standardeve të auditimit, dhe rritjes së bashkëpunimit. Në vazhdim të punimeve, Kongresi pritet të miratojë Deklaratën e Rios si dhe të zgjedhë anëtarët e rinj të Bordit Drejtues dhe të caktojë auditorët e jashtëm për auditimin e organizatës. Kongresi është organi më i lartë i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Më shumë informata mund të gjeni në https://incosai2022.rio.br/pt/home/
ZKA-ja mbetet e përkushtuar që në mënyrë rigoroze t’i zbatojë Standardet  Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit në dhënien e opinionit të auditimit

ZKA-ja mbetet e përkushtuar që në mënyrë rigoroze t’i zbatojë Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit në dhënien e opinionit të auditimit

“Ekzekutimi i Buxhetit nga Organizatat Buxhetore dhe zbatimi i rekomandimeve të dala nga RVA 2021” ka qenë tema e punëtorisë së përvitshme e organizuar për dy ditë më radhë nga Ministria e Financave, përkatësisht Departamenti i Thesarit të Republikës së Kosovës me mbështetjen e USAID-it, Programi për Qeverisje Ekonomike në Kosovë, në të cilën ka marrë pjesë Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave buxhetore nga niveli qendror dhe ai lokal. Fokus i diskutimit kanë qenë; sfidat e ballafaquara gjatë vitit 2022, çështjet që kanë nevojë për përmirësim, rekomandimet e Raportit Vjetor të Auditimit 2021; rregullat financiare dhe zbatimi i tyre si dhe Reformat në menaxhimin e financave publike. Gjatë pjesëmarrjes se tij në dy sesione, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka potencuar se cilësia e raportimit financiar ka nevojë të përmirësohet dhe zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon institucionet publike të përmirësojnë sistemin e raportimit financiar dhe të rrisin kontrollet për menaxhim të parasë publike. Në këtë kontekst ai ka theksuar se me qëllim të përmirësimit të raportimit dhe menaxhimit financiar për institucionet publike, ZKA për vitin 2021 ka dhënë rekomandimet përkatëse për evitimin e mangësive. “Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021 kemi dhënë gjithsej 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 kemi dhënë 654 rekomandime”. Ndonëse është shënuar një progres i lehtë sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve, posaçërisht në nivelin qendror, z. Halilaj ka bërë më dije se për të rritur nivelin e rekomandimeve të zbatuara, nevojitet të shtohet kujdesi dhe përgjegjshmëria në kryerjen e detyrave zyrtare, masa shtesë nga ana e qeverisë ndaj organizatave buxhetore si dhe forcimi i masave të llogaridhënies nga Kuvendi i Kosovës dhe Asambleve Komunale. “Niveli i zbatimit të rekomandimeve për vitin 2020 ka qenë 50% që krahasuar me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej vetëm 5%”, është shprehur z. Halilaj. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mirëpritur organizimin e kësaj ngjarjeje dhe ka theksuar se përmirësimi i proceseve në fushën e menaxhimit financiar dhe kontrolleve, në theks të veçantë të sistemit të raportimit financiar do ta rris nivelin e llogaridhënies dhe transparencës publike. “Do të doja që numri i opinioneve të modifikuara për pasqyrat financiare të zvogëlohet sepse kjo do të jetë tregues se në të vërtetë cilësia e raportimit financiar është përmirësuar. Prezantimi jo i drejtë, jo i vërtetë dhe i pasaktë, apo mungesa e informatave shpjeguese financiare janë çështje që bien në kundërshtim me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, prandaj në raste të tilla ne obligohemi që opinionin e auditimit për Pasqyra financiare ta modifikojmë”. ZKA, përveç ndaj mekanizmave mbikëqyrës të zbatimit të kornizës ligjore që përcaktojnë kryerjen e punës sonë në përputhje me standardet profesionale, ka detyrime dhe është llogaridhënës edhe ndaj institucioneve ndërkombëtare që mbikëqyrin zbatimin e këtyre standardeve në të cilat ZKA është e anëtarësuar, si INTOSAI, EUROSAI, etj.  “Si Auditore e Përgjithshme, në bazë të mandatit tim kushtetues dhe ligjor jam e përkushtuar që në mënyrë rigoroze të zbatoj standardet ndërkombëtare të auditimit përmes dhënies se opinioneve për pasqyra financiare të cilat duhet të reflektojnë gjendjen e vërtetë, të drejtë dhe të saktë të informatave financiare”, ka cituar znj. Spanca.
Auditorja e Përgjithshme: Dialogu kuptimplotë dhe efektiv me organizatat e shoqërisë civile, profesionale dhe donatorët rrit ndikimin e auditimit

Auditorja e Përgjithshme: Dialogu kuptimplotë dhe efektiv me organizatat e shoqërisë civile, profesionale dhe donatorët rrit ndikimin e auditimit

Përfshirja e Shoqërisë Civile në procesin e auditimit mundëson rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe ndikon në përmirësimin e qeverisjes dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Kështu është thënë të enjten nga të pranishmit në tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe organizatat ndërkombëtare me temën “Prezantimi i planit vjetor të auditimit 2022 – 2023 dhe përfshirja e shoqërisë civile në fazën e parastudimit”. Kjo tryezë kishte për qëllim prezantimin e Planit të Auditimit 2022-2023 si dhe diskutimin për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit përgjatë procesit të auditimeve të performancës. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se për Zyrën Kombëtare të Auditimit është tejet e rëndësishme që të ketë një dialog kuptimplotë dhe efektiv me Organizatat e Shoqërisë Civile me qëllim që puna audituese të ndikojë në rritjen e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në administrimin dhe përdorimin e fondeve publike. Znj. Spanca, ka ritheksuar se objektivë e saj dhe e ZKA-së është që OShC-të të jenë të përfshira, përveç në propozim të temave të auditimit, edhe në fazat e tjera në mënyrë që të arrihet objektiva e përbashkët që paraja publike të shfrytëzohet me kujdes dhe për të mirën e  qytetarëve. “Ashtu siç ju kam informuar, dhe për shkak se portofolio kryesore e auditimit është auditimi financiar si rrjedhojë e obligimeve ligjore, jemi të limituar në mbulimin më të madh me auditime të performancës. Pavarësisht kësaj si rezultat i tryezës së fundit, ne kemi përfshirë në Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022-2023 dy tema të auditimit që janë propozuar nga Organizatat e Shoqërisë Civile”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Tutje znj. Spanca, ka treguar se tashmë ZKA-ja ka dorëzuar Planin Vjetor të Auditimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, duke bërë me dije se për sezonin 2022/23 janë planifikuar 134 auditime, prej të cilave 113 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), 18 auditime të performancës dhe 3 auditime të pajtueshmërisë. “Unë dhe stafi im jemi të përkushtuar që në vazhdimësi t’i ofrojmë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për fusha të rëndësishme që kanë të bëjnë me menaxhimin e fondeve publike.  Besueshmëria në punën tonë audituese është thelbësore. E puna jonë e sezonit që e përmbyllëm edhe u shpërblye me vlerësime pozitive si në Raportin e Progresit për vitin 2022 e ashtu edhe në Raportin e Barometrit Ballkanik sipas se cilit për 2022,  ZKA në të gjithë indikatorët prinë  në nivel rajonal dhe besueshmëria e qytetarëve në punën tonë është dyfishuar në krahasim me vitet e kaluara. Sidoqoftë, kjo vë para nesh një obligim që këtë besueshmëri ta mirëmbajmë dhe ta përkthejmë në rezultate konkrete”, ka theksuar ndër të tjera ajo. Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, ka prezantuar temat e auditimit të performances të parapara me Planin Vjetor të Auditimit 2022/2023. Ajo ka theksuar se “Në Planin Vjetor të Auditimit 2022/23 do të mbulojmë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturor e sportive si dhe tema të rëndësishme në fushën e prokurimit publik, sistemeve të informacionit dhe projekteve nga donatorët”. Ndërsa përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile kanë përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit për bashkëpunimin e vazhdueshëm si dhe kanë mirëpritur përfshirjen e propozimeve të tyre për temat e auditimit të performancës në Planin Vjetor të Auditimit. Ata kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar ZKA-në jo vetëm në përzgjedhjen e temave të auditimit, por edhe në fazat e  tjera të procesit, me theks të veçantë në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve. Edhe përfaqësuesit e projekteve nga donatorët, kanë kërkuar nga OShC-të që të jenë zë aktiv i punës audituese në mënyrë që të rritet integriteti, transparenca, llogaridhënia si dhe të përmirësohet qeverisja dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Kurse Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, në përmbyllje të këtij diskutimi, pasi ka përmbledhur rezultatet e kësaj tryeze, ka thënë se Shoqëria Civile është zëri i qytetarëve prandaj, përmes bashkëpunimit me të, ZKA-ja synon të përcjellë mesazhin te qytetarët. Z. Halilaj ka shprehur përkushtimin e menaxhmentit të ZKA-së që të gjej mundësitë që në vazhdimësi të rris bashkëpunim me OShC-të edhe sa i përket auditimeve të rregullsisë.
Zbatimi i projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” përmirëson qeverisjen dhe menaxhimin financiar në pushtetin lokal

Zbatimi i projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” përmirëson qeverisjen dhe menaxhimin financiar në pushtetin lokal

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur të mërkurën në takim drejtorin e sapo zgjedhur të  projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Enrique Giraldo, me të cilin ka diskutuar për progresin e deritanishëm dhe planet për zbatimin e këtij Projekti. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka informuar z. Giraldo, për bashkëpunimin e deritanishëm të ZKA-së me USAID-in, me theks të veçantë avancimin e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Integriteti i Komunave të Kosovës”. Znj. Spanca ka thënë se projekti “Integriteti i Komunave të Kosovës” është një mundësi e mirë për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit financiar në institucionet e pushtetit lokal. Projekti i USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” ka për qellim që të nxisë angazhimin e agjencive të qeverisë qendrore në mbikëqyrjen më efektive të financave publike dhe llogaridhënies; angazhimin e komunave për planifikim buxhetor, prokurim publik dhe menaxhim të kontratave;  aplikimin e praktikave të mira që ofrojnë një auditim të brendshëm llogaridhënës; si dhe angazhimin e shoqërisë civile, sektorit privat dhe mediave për përmirësimin e integritetit në sektorin publik dhe privat në prokurimin publik. Drejtori i Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Enrique Giraldo, i ofroj znj. Spanca gatishmërinë që përmes këtij projekti të ndihmojë ZKA-në fusha të ndryshme, si atë të auditimit të performancës, analizës se të dhënave, menaxhimit të rrezikut, aktiviteteve kundër mashtrimit, etj.  Z. Giraldo, ndër të tjera theksoj se “Roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është kyç në përmirësimin e integritetit në sektorin publik, në theks të veçantë të komunave”. Znj. Spanca dhe z. Giraldo u dakorduan që fillimisht, Projekti të zhvillojë një vlerësim të nevojave më qëllim të identifikimit të fushave për të cilat është e nevojshme për mbështetje. Të pranishëm në këtë takim bashkë më Auditoren e Përgjithshme kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha, ndërsa nga USAID-i, Aferdita Mekuli, Zëvendës Drejtoreshë e Projektit dhe Ruzhdi Zeqiri udhëheqësi i objektives së parë të projektit.
Prokurimi publik në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në fokus të auditimit të performancës

Prokurimi publik në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në fokus të auditimit të performancës

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”. Fokus kryesor i auditimit janë aktivitetet e prokurimit me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, përmes së cilave MMPHI-ja kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme të parave. MMPHI ka lidhur 26 kontrata të negociuara me vlerë të përgjithshme prej 5,7 milionë euro vetëm në vitin 2021 duke e rendit si një nga ministritë që më së shumti ka përdor këtë lloj procedure. Aktivitetet e prokurimit, në çdo autoritet kontraktues duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e prokurimit publik. Këto parime kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi për mallra, shërbime dhe punë e arrin qëllimin e përcaktuar si dhe ndihmon organizatën në arritjen e objektivave të saj. Përmes këtij auditimi në MMPHI, synojmë që të vlerësojmë sa ishte i arsyeshëm dhe në përputhje me kornizën ligjore të prokurimit publik përdorimi i procedurës së negociuar nga ana e Ministrisë, a është dokumentuar si duhet përdorimi i kësaj procedure dhe a është arritur vlera për para në këto projekte. Fushëveprimi i këtij auditimi janë kontratat e lidhura përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vlerë afër 4,9 milionë euro (14 kontrata). Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e aktiviteteve të prokurimit publik në MMPHI dhe aty ku është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet e shpenzuara publike arrijnë vlerën për para.
Auditorja e Përgjithshme prezantoj në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2021

Auditorja e Përgjithshme prezantoj në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2021

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka prezantuar të enjten para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2021, i cili përmban rezultatet kryesore të punës audituese duke përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ky Raport është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikë së Kosovës për vitin 2021 dhe i 132 raporteve individuale të auditimit të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe auditimeve të performancës. Znj. Spanca ka bërë me dije se fokusi kryesor i këtij procesi të auditimit ka qenë në vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar; në pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet, rregulloret dhe standardet ndërkombëtare të raportimit financiar të sektorit publik; në efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor; si dhe në zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Para deputetëve të pranishëm, Auditorja e Përgjithshme, ka deklaruar se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore, në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre. Po ashtu, edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse, të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim. Kurse sa i përket rekomandimeve, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka treguar se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021  për 90 organizata buxhetore janë dhënë 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Tek auditimet e ndërmarrjeve publike janë dhënë 207 rekomandime, ndërsa tek auditimet e performances 144 sosh. Për sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për vitin 2020  është vërejtur se 50 për qind të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej 5 për qind ka theksuar ndër të tjera.  Përderisa ka shtuar se, në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, janë dhënë 54 rekomandime prej të cilave 12 janë zbatuar plotësisht, 10 ishin në proces të zbatimit dhe 32 rekomandime nuk janë adresuar fare. Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: I nderuar Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Konjufca, Të nderuar Deputetë, Të nderuar Ministra, Të nderuar të pranishëm, Bazuar në mandatin kushtetues dhe ligjor për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, kam kënaqësinë të prezantoj para jush Raportin Vjetor të Auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2021. Ky auditim kryhet në baza vjetore dhe fokusi kryesor i auditimit ka qenë të vlerësohet:
  • Cilësia e raportimit financiar;
  • Pajtueshmëria e transaksioneve financiare me ligjet, rregulloret dhe standardet ndërkombëtare të raportimit financiar të sektorit publik;
  • Efektiviteti i sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor; dhe
  • Zbatimi i rekomandimeve të auditimit.
Ky Raport është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për buxhetin e Republikë së Kosovës për vitin 2021 dhe i 132 raporteve individuale të organizatave buxhetore, ndërmarrjeve publike, projekteve dhe atyre të performancës. Konkluzioni i përgjithshëm është se: Organizatat buxhetore, në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre. Po ashtu, edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse, të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim. Siç është shpalosur në këtë raport, por edhe siç është informuar opinionin publik përmes konferencave dhe publikimeve të tjera të vazhdueshme më herët, Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë sezonit auditues 2021-2022 përmes angazhimeve të saj, ka nxjerrë:
  • 90 raporte të auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore;
  • 12 raporte të auditimit të ndërmarrjeve publike;
  • 13 raporte të auditimit të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë;
  • 3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë prej të cilave 2 raporte janë me informata të klasifikuara (niveli i klasifikimit i KUFIZUAR); dhe
  • 14 raporte të auditimit të performancës.
Në auditimin e Pasqyrave Financiare të 90 Organizatave Buxhetore kemi dhënë:
  • 46 opinione të pamodifikuara për PFV-të; dhe
  • 44 opinione të modifikuara (prej tyre 42 të kualifikuara dhe 2 të kundërta).
Përderisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara kemi dhënë opinion të modifikuar (prej tyre 2 NP kanë opinione të kualifikuar ndërsa 10 të kundërt). Të nderuar deputetë, Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyet e modifikimit të opinionit, kanë qenë për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në Pasqyra financiare ka qenë materiale, si:
  • Shpenzimet në vlerë prej 13,000,000€ janë klasifikuar në kategori jo adekuate. Prej tyre, si rezultat i buxhetimit jo adekuat janë keq klasifikuar 9,300,000€, mandej për shkak të vendimeve gjyqësore afër 2,000,000€, ndërsa si të ndikuara nga vetë Organizatat Buxhetore vlera e keq klasifikimeve është afër 2,000,000€. (E vlen te theksohet se krahasuar me vitin paraprak, keqklasifikimi i shpenzimeve që lidhen me vendimet gjyqësore është zvogëluar për 4 milionë e 800 mijë euro për shkak të masave në buxhetimin e fondeve).
  • Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale, llogaritë e arkëtueshme, detyrimet kontigjente dhe detyrimeve të papaguara të Raportit Financiar Vjetor të buxhetit të shtetit kishte shpalosje të vlerave të gabuara në vlerë materiale.
  • Mbi vlerësim i pasurisë është evidentuar në vlerë prej 84,600,000€, nënvlerësim i llogarive të arkëtueshme afër 4,500,000€ si dhe mbivlerësim i detyrimeve kontigjente për 12,600,000€. Kjo është rezultat i mos prezantimit të saktë të informatave financiare nga vet organizatat buxhetore e qe rrjedhimisht ato konsolidohen ne pasqyrat financiare te Buxhetit te Kosovës;
  • Kryerja e pagesave në vlerë prej mbi 900,000€, për 199 punonjës të komunitetit serb të angazhuar në bazë të Marrëveshjes se Brukselit pa u evidentuar vijueshmëria e tyre në punë;
Në këtë raport për vitin 2021, kemi dhënë konkluzionin e pajtueshmërisë te përmbledhur nga auditimi i 90 OB-të. Fakti qe për 55 OB kemi dhënë konkluzione të modifikuara për pajtueshmërinë (49 të kualifikuar dhe 6 të kundërt), tregon se jo të gjitha shpenzimet dhe të hyrat të cilat janë pjesë e këtyre Pasqyrave janë menaxhuar në pajtim me kornizën ligjore në fuqi. Arsyet kryesore për konkluzion të modifikuar ishin kryesisht për çështjet si: zhvillimi i procedurave jo adekuate të prokurimit dhe në mungesë të projekteve ekzekutive, përzgjedhje e ofertës të papërgjegjshme; angazhimi i zyrtarëve me marrëveshje për shërbime të veçanta pa udhëhequr procedurat e prokurimit, mos verifikimi i 20% të pronave të tatueshme dhe aplikimi i zbritjeve në më shumë se një pronë, dhënia e subvencioneve jo në përputhje me kriteret e përcaktuara si dhe vonesa në arsyeshmërinë e subvencionit, përdorimi i kontratave jo adekuate, vonesa në pagesën e faturave. Përveç opinionit të auditimit, ne po ashtu kemi vlerësuar pajtueshmërinë e deficitit buxhetore me kornizën ligjore. Sipas auditimit, kufiri i deficitit buxhetor në fund të vitit 2021 ishte në kuadër të limiteve të përcaktuara ligjore dhe nga realizimi i buxhetit vërehet se niveli i inkasimit të të hyrave ishte përmirësuar dukshëm dhe ishte ulur kërkesa për financim nga deficiti. Në raport me vitin paraprak, shfrytëzimi i deficitit buxhetor është ulur nga 5.3% (2020) në 0,64% (2021). Te nderuar deputet, Në vitin 2021, të hyrat ishin në vlerë prej 2 miliard e 491 milion mijë euro që krahasuar me vitin 2020 janë rritur për 13%. Niveli i inkasimit të të hyrave në raport me shpenzimet ishte më i lartë për mbi 112,000,000€, e që rrjedhimisht për këtë vlerë është rritur bilanci bankar në para të gatshme nga 330,000,000€ sa ishte në 2020 në 442,000,000€ apo rreth 34% në 2021, por që ishte brenda kufirit të lejuar prej 3% të BPV. Vlera e borxhit të përgjithshëm publik kishte arritur në 1,683,000,000€ apo rreth 22% e Bruto Produktit Vendor nga 40% sa është i lejuar me ligj. Në raport me vitin paraprak, borxhi i përgjithshëm publik është rritur për 195,000,000€ apo 13%. Përkundër kësaj rritje, niveli i shpenzimit të këtyre fondeve nga borxhi  ndërkombëtar mbetet i ulët. (Për 7 projekte te financuara nga borxhi ndërkombëtarë nuk janë tërhequre fare mjetet financiare). Në këtë nivel të shpenzimit ka ndikuar planifikimi jo i mirë i projekteve, vonesat në procesin e shpronësimeve si dhe mangësi tjera. Si pasojë e këtyre mangësive, në vazhdimësi është duke u paguar tarifë të zotimit për kreditë e pashfrytëzuara, që në vitin 2021 kjo tarifë ishte në vlerë prej 435 mijë euro. Sa i përket shpenzimeve, buxheti final për shpenzimet e përgjithshme ishte në vlerë prej 2 miliard e 722 milion€, ndërsa realizimi ishte 2,miliard e 379 milion€ apo 87% e buxhetit. Niveli i realizimit të shpenzimeve për investimet kapitale ishte 68% apo 424 milion€ nga buxheti final. Krahasuar me vitin e kaluar, vërehet një realizim më i lartë i shpenzimeve për 40 milion € ( në vitin 2020 ishte 384 milion € apo 53% e buxhetit final). Përkundër kësaj, edhe më tutje niveli i realizimit të buxhetit për shpenzimet mbetet jo i kënaqshëm. Ndërsa, vlera e obligimeve të papaguara, në fund të vitit 2021 ishte rreth 191,000,000€, e që krahasuar me vitin paraprak është bërë një progres sepse janë shlyer detyrime në vlerë prej 127,000,000€ apo rreth 40% të totalit të përgjithshëm. (Këto shlyerje janë bërë për shpronësimet e viteve të më hershme (në vlerë prej afër 66,000,000€) si dhe shlyerja e obligimeve tjera (në vlerë prej mbi 61,000,000€)). Përkundër shlyerjes së obligimeve, kemi rritje të llogarive të arkëtueshme për afërsisht 78,500,000€ apo në masën prej 11,3% në raport me vitin paraprak. Vlera e llogarive të arkëtueshme në fund të vitit 2021 ishte 778,000,000€. (Pjesa më e madhe e tyre prej mbi 560,000,000€ i përket nivelit qendror (kryesisht Administratën Tatimore, KPMM, MPB, ARKEP …) si dhe mbi 217,000,000€ niveli lokal). Shlyerja e obligimeve të pa paguara është inkurajuese sepse ndër të tjera parandalon rrjedhje të shpenzimeve shtesë që mund të rezultojnë nga procedurat gjyqësore, prandaj, Qeveria duhet të vazhdoj me këtë qasje sa i përket shlyerjes së  detyrimeve të papaguara. Përderisa, për trajtimin e llogarive të arkëtueshme duhet të ketë një qasje më proaktive, pasi që me kalimin e kohës ato shndërrohen në borxhe të këqija, dhe si pasojë, mbledhja e tyre mund të bëhet e pamundur. Pagesat përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbaruese në raport me vitin e kaluar janë rrit në rreth 22 milion €. Ndërsa, duhet theksuar se nga informatat e Thesarit, prej vlerës 40.5 milion € të këtyre pagesave për vitin 2021 të ekzekutuara direkt rezultojnë shpenzime shtesë për gjykata e përmbarime në vlerë prej 9 milionë €. Të nderuar deputetë, Procesi i raportimit dhe sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit tek Ndërmarrjet Publike, përkundër disa veprimeve të ndërmarra edhe më tutje kërkon përmirësime thelbësore. Këtë e dëshmon fakti se për 12 ndërmarrjet e audituara janë dhënë opinione të modifikuara. Stabiliteti financiar i këtyre ndërmarrjeve, përkundër masave të ndërmarra se fundmi për vite me radhë vazhdon të jetë i brishtë. Në vitin 2021, vlera e akumuluar e detyrimeve afatshkurtra e këtyre NP-ve së bashku ka arritur në rreth 114 milion €, ndërsa ajo e detyrimeve afatgjata në rreth 124 milion € e që gjithsejtë kapin vlerën prej 238 milion €. Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se 9 Ndërmarrje Publike operojnë me një humbje të akumuluar në total prej 177,8 milion € dhe se këto ndërmarrje aktualisht e kanë të vështirë të mbulojnë shpenzimet operative. Aksionarët (Qeveria dhe komunat) duhet të trajtojnë thellësisht problemet me të cilat përballen ndërmarrjet publike. Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe 14 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si: ekonomi, shëndetësi, arsim, siguri, ambient, energji, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik. Për mos ta zgjatur më shumë, auditimet e publikuara gjate vitit 2021 dhe 2022 kanë nxjerr në pah mangësi në menaxhimin e programeve/ aktiviteteve që kanë të bëjnë me mjedisin, arsimin, shëndetësinë, prokurimeve publike si në Korporatën Energjetike të Kosovës, KOSTT, menaxhimin e projektit kapital “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”, menaxhimin e fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës. Po ashtu në fushën e teknologjisë se informacionit të dhënat e rëndësishme për vendin që procedohen përmes Agjencisë se Regjistrit Civil, listat e pagave, sistemin e menaxhimit të financave publike, ZKA ka identifikuar se është e nevojshme të ndërmerren masa përmirësuese në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së informacionit dhe në krijimin e parakushteve për vazhdimësinë e sistemit dhe ruajtjen e integritetit të të dhënave. Të nderuar deputetë, Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021  për 90 Organizata Buxhetore kemi dhënë gjithsejtë 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 kemi dhënë 654 rekomandime. Tek auditimet e Ndërmarrjeve publike kemi dhënë 207 rekomandime, ndërsa tek auditimet e performances 144 sosh. Për sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimeve financiare dhe pajtueshmërisë për vitin 2020  kemi vërejtur se 50% të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej 5%. Përderisa në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020, kemi dhënë 54 rekomandime prej te cilave 12 janë zbatuar plotësisht, 10 ishin ne proces dhe 32 rekomandime nuk janë adresuar. Ne kemi pranuar planin e veprimit nga Ministria e Financave për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin i cili po shqyrtohet sot. Ne e mirëpresim zotimin e Ministrit të Financave për të zbatuar këto rekomandime dhe me këtë shfrytëzoj rastin të kërkojmë nga z. Murati qe t’i kushtoj rëndësi rekomandimeve që kanë të bëjnë me klasifikimin e buxhetit posaçërisht tani kur Ligji i buxhetit për vitin 2023 është në përgatitje e sipër si dhe në vendosjen e kontrolleve që kanë të bëjnë me regjistrimin, konsolidimin dhe raportimin e të dhënave lidhur me shpalosjen e informatave financiare. Në fund të këtij adresimi, më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin korrekt me ZKA-në, gjatë këtij sezoni auditues. Dëshiroj po ashtu, të shpreh vlerësimin tim për sjelljen bashkëpunuese të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Thesarit përgjatë gjithë auditimit. Ju faleminderit për vëmendjen!  
Rritja e llogaridhënies dhe transparencës ndaj angazhimeve për barazi gjinore

Rritja e llogaridhënies dhe transparencës ndaj angazhimeve për barazi gjinore

Në datat 17 – 20 tetor 2022, auditoret e performancës të  Zyrës Kombëtarë të Auditimit, Ardiana Miftari dhe Ylfete Osmani, morën pjesë në vizitën studimore në Suedi nën organizimin e UN Women. Qëllimi i kësaj vizite ishte fuqizimi i rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Institucioneve të Avokatit të Popullit,  në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës ndaj angazhimeve për barazi gjinore, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të këtyre institucioneve nga tri vende të Ballkanit perëndimor si: Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të kësaj vizite, po ashtu janë zhvilluar takime në Zyrën  Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtarë dhe Zhvillim, Ministrinë e Punësimit dhe Barazisë Gjinore, Ministrinë e Financave, si dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë. Pjesëmarrësit patën rastin të njihen për së afërmi me metodat e zhvilluara dhe praktikat e mira të shtetit Suedez lidhur  me procesin e auditimit të performancës, buxhetimit në baza gjinore,  si dhe instrumente tjera shtetërore që aplikohen për një shoqëri sa më të barabartë. Gjatë vizitës patën mundësi të shkëmbejnë edhe përvojat e tyre me shtetet tjera lidhur me çështje të ndryshme që i përkasin fushës së barazisë gjinore si dhe nga një perspektivë e gjerë e të drejtave të njeriut.
Proceset e rekrutimit të pavarura, profesionale dhe sipas meritës

Proceset e rekrutimit të pavarura, profesionale dhe sipas meritës

Punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës kanë ndjekur trajnimin nga projekti i Ambasadës të Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës, i implementuar nga BDO. Fokusi kryesor i këtij trajnimi ishte të barten përvojat dhe praktikat e Britanisë se Madhe më njohuri se si të zhvillohen proceset e rekrutimit të pavarura, profesionale dhe të bazuara në meritë, si dhe rritjen e vetëdijes institucionale për të konsoliduar transparencën, meritokracinë dhe qeverisjen e mirë. Qëllimi i këtij trajnimi ka qenë përkrahja e ZKA-së në ngritjen e kapaciteteve të veta për të siguruar se institucioni do të kryej procese të rekrutimit të bazuara në rregulla dhe duke respektuar parime dhe kritere të sakta dhe të drejta, përmes se cilave promovohet konkurrenca dhe përzgjedhja objektive. Përmes kësaj të jetë në gjendje të zgjedhë drejtues të fortë, të pavarur dhe profesional përmes një procesi të drejtë dhe transparent të rekrutimit. Në trajnim morën pjesë zyrtarë të niveleve të ndryshme të ZKA-së, nga ai i auditorëve e deri të menaxhmenti i mesëm dhe i lartë drejtues.