Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Komunikimi me media dhe publikun i rëndësishëm për ZKA-në

Komunikimi me media dhe publikun i rëndësishëm për ZKA-në

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e komunikimit me mediat dhe publikun për të promovuar dhe përmbushur transparencën dhe llogaridhënien, në vazhdimësi angazhohet që të avancojë qasjen e komunikimit sa më efektiv. Për të realizuar këtë synim dhe për të qenë më afër publikut, menaxhmenti i lartë i ZKA-së ka ndjekur trajnimin treditor të organizuar nga OSBE-ja me temën “Komunikimi me media dhe marrëdhëniet me publikun”. Përmes kësaj ngjarje, Menaxhmenti ka pasur mundësinë që të zgjerojë njohuritë për rëndësinë dhe metodat e komunikimit me publikun dhe me palët e interesit, si dhe zhvillimin e aftësive për të folurit në publik dhe paraqitjen adekuate. Gjithashtu rendësi e veçantë i është kushtuar edhe pranisë së ZKA-së në mediat sociale, në mënyrë që përmes tyre të promovohet roli kushtetues i ZKA-së dhe ngritja e vetëdijesimit publik për rezultatet e auditimit si burime të besueshme për përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik. Fokus i veçantë i është kushtuar përdorimit të metodave më inovative për të rritur komunikimin efektiv me gazetarët dhe publikun si dhe vizualizimit të  raporteve të auditimit dhe prezantimit të mesazheve te publiku, me qëllim që të arrihet objektiva e synuar, në theks rritja e transparencës dhe besimi në institucion. Menaxhmenti i ZKA-së ka vlerësuar se komunikimi efektiv me palët e jashtme dhe me publikun, përveç që e ndihmon institucionin që t’i ofrojë publikut të gjerë njohuri më të mira për rolin dhe mandatin e saj, po ashtu e ndihmon edhe të kuptojë pritshmëritë e palëve të interesit. Prandaj, përveç komunikimit të rezultateve të punës së saj, ZKA-ja ruan kanale të hapura për palët e saj të interesit dhe sidomos për opinionin publik që të marrë reagimet e tyre dhe iniciativa për punën e saj në të ardhmen, në mënyrë që t’i përgjigjet më mirë nevojave të publikut.
Digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë dhe përshpejton proceset

Digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë dhe përshpejton proceset

Digjitalizimi i procesit të shërbimeve publike në komuna ndihmon autoritetet vendore të bëhen më efikase dhe mundëson që më shumë qytetarë të kenë qasje në këto shërbime. Kështu është thënë në seminarin me temën: “Digjitalizimi i ofrimit dhe administrimit të shërbimeve publike në komuna” që është mbajtur të mërkurën dhe të enjten në Vilnius të Lituanisë nën organizimin e Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Lituanisë, në të cilin pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës. Po ashtu është mbajtur edhe takimi i 6-të vjetor i Taskë Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave. Në seminar kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet evropiane, përfshirë edhe auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Bujar Bajraktari, Arian Zeneli dhe Elvir Krasniqi. Diskutimi i të pranishmëve në këtë seminar i është dedikuar shkëmbimit të njohurive dhe përvojave mbi ecurinë e digjitalizimit të shërbimeve publike komunale të vendeve evropiane, çështjeve kyçe që ndikojnë në përshpejtimin e këtij procesi në nivel lokal dhe rezultateve të auditimeve të kryera në këtë fushë. Po ashtu është potencuar fakti se pandemia Covid-19 përveç që ka qenë sfidë, ka qenë edhe një katalizator për digjitalizimin e shërbimeve të ndryshme publike, përfshirë punën e komunave. Prandaj, është theksuar se digjitalizimi i shërbimeve dhe administratës sjell përfitime për shoqërinë, pasi rrit efikasitetin dhe përshpejton proceset në nivel lokal dhe qendror. Ndërsa në kuadër të takimit të 6-të vjetor diskutimi i pjesëmarrësve është fokusuar në zbatimin e qëllimeve strategjike të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, në aktivitetet e realizuara deri më tani, si dhe në iniciativat e reja.
Raporti i Progresit për Kosovën kërkon nga institucionet publike angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm

Raporti i Progresit për Kosovën kërkon nga institucionet publike angazhim sistematik për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm

Puna dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës janë adresuar në Raportin e Progresit për Kosovën i publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian në kuadër të Pakos së Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE). Një prej çështjeve të adresuara në këtë Raport, është theksuar nevoja për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Tutje është thënë se këto ndryshime do të mundësonin rritjen e numrit të auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës. “Në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës parasheh funksionimin organizativ dhe pavarësinë financiare të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës duhet të ndryshohet, për të hequr obligimin për të kryer auditime të rregullsisë çdo vit për të gjitha organizatat buxhetore, pavarësisht nga madhësia e tyre, kompleksiteti dhe rreziku në mënyrë që auditimet të përzgjidhen bazuar në vlerësimin e nivelit të rrezikut të financave publike. Këto ndryshime do të rrisnin numrin e auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditimeve të performancës”, është thënë në Raport. Në Raport është theksuar se është shënuar një rritje prej pesë për qind e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, nga 45 për qind sa ka qenë në vitin paraprak, në 50 për qind në 2020.  Megjithatë, është kërkuar nga Qeveria dhe institucionet tjera publike angazhim më i madh që të sigurojnë një përcjellje sistematike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të jashtëm. Ndër të tjera, Komisioni Evropian ka vlerësuar institucionet e pavarura, veçanërisht Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Avokatin e Popullit, për adresimin e të drejtës së qytetarëve për administrim më të mirë, megjithatë është potencuar se rekomandimet e këtyre institucioneve nuk po zbatohen në mënyrë efikase nga institucionet publike. Në Raport është vlerësuar edhe bashkëpunimi i ZKA-së me Kuvendin e Kosovës, përkatësisht shqyrtimi i raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). “Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar 25 raporte të auditimit, prej të cilave 6 raporte të ministrive, 9 raporte të auditimit të performancës dhe 7 raporte të ndërmarrjeve publike”, është thënë në raport. Po ashtu është vlerësuar rritja e numrit të auditimeve të performancës, bashkëpunimi me shoqërinë civile, si dhe qëndrueshmëria e ZKA-së sa i përket kapacitetit të resurseve njerëzore. “Kapaciteti institucional i Zyrës mbetet kryesisht i qëndrueshëm me 165 punonjës deri në fund të vitit 2021, prej të cilëve 82% janë staf auditues duke përfshirë pozitat drejtuese dhe 18% janë staf  profesional. Zyra ka finalizuar 14 raporte të auditimit të performancës, krahasuar me 11 në vitin 2020. Ajo ka punuar me organizatat e shoqërisë civile, veçanërisht në nivel lokal, për të përmirësuar ndikimin e punës së auditimit përmes mbajtjes së debateve publike në komuna për rekomandimet e auditimit”, është theksuar më tutje në këtë Raport. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe hartimit të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2022-2025  dhe objektivave të këtij plani përfshirë kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim si dhe certifikimin e stafit auditues.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën ka prezantuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021 i cili përfshinë opinionin, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës. Para të pranishmëve Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore, në fushën e raportimit financiar vazhdojnë të kenë mangësi të theksuara në prezantimin e informatave financiare dhe shpalosjes së tyre. Po ashtu, edhe gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse, të cilat kërkojnë masa më rigoroze për përmirësim. Duke prezantuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2021, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, ka deklaruar se janë publikuar 133 raporte të auditimit, prej tyre; për 90 organizata buxhetore; për 12 ndërmarrje publike; 13 raporte të auditimit të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë;  3 raporte të auditimit të pajtueshmërisë prej të cilave 2 raporte janë me informata të klasifikuara (niveli i klasifikimit i KUFIZUAR); si dhe 14 raporte të auditimit të performancës. “Në auditimin e Pasqyrave Financiare të 90 organizatave buxhetore kemi dhënë 46 opinione të pamodifikuara dhe 44 opinione të modifikuara (prej tyre 42 të kualifikuara dhe 2 të kundërta). Përderisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara është dhënë opinion i modifikuar prej tyre 2 NP kanë opinione të kualifikuar ndërsa 10 të kundërt”, është shprehur z. Halilaj, duke shtuar se për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në Pasqyra financiare ka qenë materiale. Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe 14 auditime të performancës nga fusha me interes shoqëror, si: ekonomi, shëndetësi, arsim, siguri, ambient, energji, teknologji të informacionit dhe në prokurim publik. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se këto auditime kanë  nxjerr në pah mangësi në menaxhimin e programeve/aktiviteteve që kanë të bëjnë me mjedisin, arsimin, shëndetësinë, prokurimet publike në Korporatën Energjetike të Kosovës, KOSTT, menaxhimin e projektit kapital “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”, dhe menaxhimin e fondeve publike në Radio Televizionin e Kosovës. Po ashtu në fushën e teknologjisë se informacionit, ZKA-ja ka identifikuar se është e nevojshme të ndërmerren masa përmirësuese në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë se informacionit dhe në krijimin e parakushteve për vazhdimësinë e sistemit dhe ruajtjen e integritetit te të dhënave që procedohen përmes Agjencisë se Regjistrit Civil, listat e pagave, dhe sistemin e menaxhimit te financave publike. Ndërsa sa i përket rekomandimeve, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj ka bërë me dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2021 për 90 Organizata Buxhetore janë dhënë gjithsejtë 695 rekomandime, përderisa në vitin 2020 kanë qenë 654 rekomandime. Lidhur me nivelin e zbatimit të rekomandimeve për vitin 2020 është vërejtur se 50% të tyre janë zbatuar, e që në raport me vitin paraprak (2019) paraqet një rritje prej 5%. 
Përfundon me sukses zbatimi i planit të trajnimeve për muajin shtator në ZKA

Përfundon me sukses zbatimi i planit të trajnimeve për muajin shtator në ZKA

Cikli njëmujor i trajnimeve për zhvillimin dhe avancimin e njohurive të auditorëve dhe stafit tjetër në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) është përmbyllur me mbajtjen e trajnimit “Materialiteti cilësor në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë” nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë  dhe “Menaxhimi i rrezikut” nga Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF). Në kuadër të këtyre trajnimeve janë shqyrtuar mjetet dhe teknikat praktike për të zhvilluar në mënyrë efektive vlerësimin e materialitetit dhe menaxhimin e rrezikut në organizatë përmes rasteve studimoreve, ushtrimeve praktike dhe çështjeve aktuale. Marrë parasysh se Institucionet Supreme të Auditimit kanë rol të domethënës në aspektin e vlerësimit të menaxhimit të rrezikut për institucionet e sektorit publik, mbajtja e trajnimit “Menaxhimi i rrezikut” për auditorët ishte i rëndësishëm. Identifikimi i fushave të rrezikut që rrjedhin nga puna e auditimit kontribuon në parandalimin e keqmenaxhimit, jo-efektivitetit dhe parregullsive, si dhe të kuptohen më mirë sfidat dhe dobësitë me të cilat përballën organizatat buxhetore. Punonjësit e ZKA-së kanë marrë më shumë informata mbi menaxhimin e rrezikut; çfarë është rreziku; konteksti dhe objektivat;  vlerësimi i rrezikut; veprimet ndaj rreziqeve; si dhe monitorimi, komunikimi dhe raportimi. Po ashtu në javën e fundit të muajit shtator janë mbajtur edhe programet e trajnimit “Metoda Kuantitative” dhe “Procesi i gjetjeve gjatë auditimit-ekzekutimi”.
Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në fushën e zbatimit të legjislacionit të prokurimit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në fushën e zbatimit të legjislacionit të prokurimit publik

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, të enjten kanë nënshkruar memorandum  bashkëpunimi i cili do të lehtësojë bashkërendimin e aktiviteteve ndër institucionale me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës në fushën e zbatimit të legjislacionit të prokurimit publik në Republikën e Kosovës. Nënshkrimi i këtij memorandumi të bashkëpunimit është bërë në një ceremoni zyrtare ku të pranishëm kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, anëtarët e Bordit të KRPP-së, Fidane Spahija Gjikolli dhe Avni Sahiti. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, e kanë vlerësuar tejet të rëndësishme arritjen e kësaj marrëveshje, duke thënë se bashkëpunimi ndër institucional nëpërmjet trajnimeve, konferenca të përbashkëta dhe forma të tjera të ndërgjegjësimit, ka për synim të përmirësojë në përgjithësi prokurimin publik në Kosovë. Në veçanti memorandumi parasheh lehtësimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të palëve sipas fushë veprimtarisë së caktuar për interesa të përbashkëta, rritjen e kapaciteteve përmes edukimit të vazhdueshëm, trajnimit dhe certifikimit të auditorëve të caktuar, si dhe zbatimin sa më efikas të aktiviteteve audituese. “Auditimi i sistemit të prokurimit publik është jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve për avancimin profesional të auditorëve në këtë fushë është i domosdoshëm dhe ndikon në rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies publike në Kosovë”, ka theksuar znj. Spanca. Ndërkohë, z.Vishaj pasi ka vlerësuar lartë nevojën për bashkëpunim, ka theksuar se “ky bashkëpunim do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e ndërgjegjësimit të shfrytëzuesve të parasë publike për përdorur atë në mënyrë sa me efikase dhe ekonomike”. Në kuadër të këtij memorandumi, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) duke u bazuar në nevojat dhe planin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) do të organizojë trajnime për auditorët  për e-prokurimi dhe për Ligjin e Prokurimit Publik, rregulloret, Udhëzuesin Operativ dhe manualët e prokurimit; do t’i trajtojë me prioritet kërkesat për interpretim të Ligjit të Prokurimit Publik që parashtrohen nga auditorët, dhe do të kthejë përgjigje sa më shpejtë që të jetë e mundur; si dhe kurdo që KRPP-ja e vlerëson të nevojshme, njofton ZKA-në për çështje që ndërlidhen me moszbatim të legjislacionit për prokurimin publik nga ana e autoriteteve kontraktuese. Për zbatimin sa më efektiv dhe efikas të këtij memorandumi të bashkëpunimit të dy institucionet do të caktojnë koordinatorët përgjegjës.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022, i cili përmban përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese, duke përfshirë opinionin e auditimit, gjetjet dhe rekomandimet.

Znj. Spanca bëri me dije se për sezonin auditues 2022/2023, ZKA-ja arriti të përmbush planin auditues, duke kryer 123 auditime.

Para deputetëve ajo tregoi se për Pasqyrat Financiare Vjetore të 86 organizata buxhetore janë dhënë 53 opinione të pamodifikuara dhe 33 opinione të modifikuara (të kualifikuara). Përderisa për 11 ndërmarrjet publike të audituara është dhënë një opinion i pamodifikuar dhe 10 opinione të modifikuara (prej tyre shtatë opinione të kualifikuar dhe tri të kundërta).

Po ashtu ZKA-ja ka dhënë konkluzione të pajtueshmërisë me kornizën ligjore dhe sipas rezultateve institucionet publike jo në të gjitha rastet kanë qenë në pajtueshmëri me kornizën ligjore. Mangësitë kryesore janë identifikuar te kategoritë: investimet kapitale,  paga dhe mëditje, subvencionet dhe transfere dhe të hyrat.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca më tutje i njoftoi deputetët se për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Kualifikuar. Arsyet e kualifikimit të opinionit, kanë qenë për shkak se vlera e gabimeve të identifikuara në pasqyra financiare ka qenë materiale.

Përveç opinionit të auditimit, ZKA-ja vlerësoi edhe çështjet e tjera të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive, si: pajtueshmërinë e deficitit buxhetore me kornizën ligjore, borxhin shtetëror, obligimet e pa paguara dhe ato kontigjente, etj.

Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë ekonomike, efikase dhe efektive, ZKA-ja kreu 15 auditime të performancës, të cilat mbulojnë fushat me interes shoqëror, si: ekonomi, shëndetësi, ambient, teknologji të informacionit dhe prokurim publik, etj.

Ndërsa, sa i përket rekomandimeve, në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2022, ZKA-ja ka dhënë 900 rekomandime. Znj Spanca theksoj se niveli i zbatimit të rekomandimeve nuk është i kënaqshëm.  Për vitin 2021, nga auditimet financiare dhe pajtueshmërisë janë zbatuar vetëm 49%, e që në raport me vitin paraprak (2020) paraqet një ulje prej 1%. Përderisa tek NP, nga 187 rekomandime sa janë dhënë vitin e kaluar, 58% janë zbatuar.

Auditorja e Përgjithshme i njoftoj deputetët se me përfundimin e sezonit auditues 2022/2023, ZKA-ja ka analizuar të gjitha raportet e publikuara të auditimeve të rregullsisë dhe performancës duke evidentuar 51 raste të dyshimit të cilat janë dërguar te Prokurori i Shtetit për analizë dhe hetime të mëtejme. Përveç këtyre 51 rasteve të evidentuara, në Prokurori janë dërguar edhe 2 raporte në tërësi për shkak të çështjeve të ndërlidhura.

Ndërsa Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, pasi shpalosi para deputetëve sqarimet e nevojshme në lidhje më rezultatet e Raportit të auditimit, u zotua se në nivel të Qeverisë se Republikës se Kosovës do të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e rekomandimeve.

 

Kosova dhe Maqedonia e Veriut angazhohen për rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë të financave publike

Kosova dhe Maqedonia e Veriut angazhohen për rritjen e ndikimit të auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë të financave publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur të premten për vizitë bilaterale Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme, e ka njoftuar homologun e saj, për zhvillimet e fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe planet për te ardhmen, në veçanti për procesin e auditimit dhe Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/2023, i cili është mjaftë ambicioz dhe përfshin tema të rëndësishme që janë me interes për vendin dhe qytetarët. Znj. Spanca, ka shprehur përkushtimin e saj për vazhdim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, në arritjen e objektivave dhe rezultateve të mëtutjeshme. Ajo, ka rikujtuar se ZKA-ja dhe Enti Shtetëror i Revizionit të Maqedonisë së Veriut, kanë pasur bashkëpunim në vazhdimësi, dhe ky bashkëpunim është forcuar edhe më tutje me nënshkrimin e marrëveshje së bashkëpunimit, e cila i ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve. Nga ana tjetër Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, ka falënderuar homologen e tij për mikpritjen, si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin personal dhe institucional për thellimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy institucioneve. Z. Acevski, gjithashtu ka prezantuar zhvillimet më të fundit në Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në angazhimet e institucionit që udhëheqë, për t’i ofruar Parlamentit dhe palëve tjera të ineteresit informacion të bazuar dhe të besueshëm se si po menaxhohen fondet publike. Në këtë rast, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët me qëllim të ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale dhe të rritjes së ndikimit në menaxhimin më të mirë të financave publike në të dy vendet. Në fokus të këtij bashkëpunimi do të jetë shkëmbimi  i përvojës  në fushën e metodologjisë së auditimit të jashtëm, trajnime të përbashkëta profesionale, si dhe mbajtja e konsultimeve,  hulumtimeve, seminareve, e konferencave të përbashkëta. Në këtë vizitë Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, ka qenë i shoqëruar nga Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, Orhan Ademi; Ndihmës Auditorja e Përgjithshme,  Tanja Janevska, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Rosica Shalevikj Hristovska, Udhëheqësja e Auditimit, Maja Jovanovska Cvetkovski, Auditorja kryesore, Albiona Mustafa Muhadjiri, si dhe auditorja Katerina Terzioska. Ndërsa Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj.        
ZKA-ja njoftohet për se afërmi me praktikat e vendeve të rajonit për auditimin e fondeve të IPA-së

ZKA-ja njoftohet për se afërmi me praktikat e vendeve të rajonit për auditimin e fondeve të IPA-së

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm, Safet Berisha, kanë marrë pjesë në Konferencën Rajonale të Autoriteteve të Auditimit për fondet e IPA-s, të organizuar nga Autoriteti i Auditimit të fondeve IPA të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila u mbajt në Shkup. Në kuadër të punimeve dyditore të Konferencës, Autoritetet e Auditimit të Fondeve IPA të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Greqisë, Turqisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Rumanisë kanë prezantuar praktikat e tyre lidhur me mënyrën e auditimit të këtyre fondeve. Gjatë punimeve të konferencës pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që të ndajnë përvojat e tyre dhe sfidat në procesin e auditimit të fondeve të Bashkimit Evropian. Pjesëmarrja në këtë Konferencë i ka ofruar mundësinë Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të njoftohet për së afërmi me praktikat e vendeve pjesëmarrëse në lidhje më procesin e auditimit të fondeve të IPA-s dhe fondeve tjera të Bashkimit Evropian nga vendet përfituese. Në kuadër të kësaj konference Autoriteti i Auditimit të fondeve IPA të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ceremoni të veçantë ka shënuar edhe 15-të vjetorin e themelimit.
Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Përfaqësuesit e ZKA-së, pjesë e Konferencës “Young EUROSAI Stockholm 2022”

Nga 12 deri më 15 shtator 2022, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ariana Gjonbalaj Shala – drejtoreshë e Departamentit të Auditimit të Performancës dhe Alban Beka – Auditor Financiar, kanë marrë pjesë në punimet katër ditore të Konferencës “Young EUROSAI”, e cila u mbajt në Stokholm, nën organizimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Kjo konferencë u dedikohet auditorëve të rinj nga të gjitha institucionet supreme të auditimit të Evropës dhe ka për qëllim shkëmbimin e ideve të reja si dhe gjetjen e qasjeve të reja për t'u zhvilluar brenda profesionit dhe punës audituese. Këtë vit Konferenca ka trajtuar temën për kulturën eksperimentale, nga tri këndvështrime: profesioni i auditimit, kultura organizative dhe auditori individual. Punimet e Konferencës, janë zhvilluar në mënyrë interaktive, ku pjesëmarrësit kanë luajtur një rol të rëndësishëm, meqë shkëmbimi i praktikave më të mira në kuadër të EUROSAI-t është një mënyrë e shkëlqyer për të nxitur ambicie të reja tek auditorët dhe për të frymëzuar ata që përmes auditimit të synojnë përmirësimin e proceseve, menaxhimit të mirë dhe transparencës në administratën publike të vendeve të tyre. Aktivitetet e mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve supreme të auditimit kanë përfshirë prezantimin e ideve dhe mundësinë që përfaqësuesit e tjerë të provojnë diçka të re. Në kuadër të diskutimit për temën “Si mund të kontribuojë organizata në një kulturë eksperimentale?” ka prezantuar edhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës në ZKA, Ariana Gjonbalaj Shala, së bashku me Frida Pemer - Profesor i Asociuar në Departamentin e Menaxhimit dhe Organizimit dhe Shtëpia e Inovacionit në SSE; Michael Henderson - Partner në Distillery, trajner në IDI Young Leadership Development Programme; si dhe Jan Pesl – Përfaqësues nga ISA e Norvegjisë. Gjatë prezantimit në kuadër të këtij paneli përfaqësuesja e ZKA-së, Ariana Gjonbalaj Shala, ka folur për pjesën praktike, duke përshkruar zhvillimin historik të ZKA-së dhe mënyrën se si ka ndryshuar dhe avancuar  kultura organizative ndër vite. Po ashtu ky panel i është përgjigjur interesimit të audiencës dhe organizatorëve të konferencës, duke dhënë përgjigje për pyetjet e parashtruara. Të pranishmit kanë vlerësuar se nga kjo konferencë, kanë përfituar njohuri të reja si dhe  kanë zgjeruar rrjetin e njohjes me auditorë evropianë, duke iu mundësuar kështu shkëmbimi i këshillave rreth sfidave të përbashkëta.
Dy auditore të ZKA-së përfundojnë me sukses trajnimin regjional për auditimet e performancës

Dy auditore të ZKA-së përfundojnë me sukses trajnimin regjional për auditimet e performancës

Në datat 5 – 9 shtator, në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm është mbajtur moduli i fundit i trajnimit regjional për auditimet e performancës i organizuar për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës, këtë program e kanë ndjekur auditoret Elira Hashani dhe Alba Keqa të cilat edhe janë certifikuar. Ceremonia zyrtare e certifikimit është mbajtur të enjten në Stokholm në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë , me ç’rast Auditorja e Përgjithshme, Helena Lindberg, zyrtarisht ka bërë shpërndarjen e certifikatave. Ky program trajnimi ka filluar në mars të vitit 2021 dhe ka përmbajt shtatë module. Trajnimet janë zbatuar me sukses përmes sesioneve punuese  përfshirë seminare të ndryshme përmes të cilave ekipet kanë punuar drejtpërdrejtë në auditime të performances duke aplikuar metodat kualitative dhe kuantitative, mbajtjen e intervistave, mbledhjen e të dhënave, përcjelljen e auditimit dhe procesin e publikimit të raportit. Përgjatë gjithë programit auditoret kanë qenë nën mentorimin e Udhëheqëses së Ekipit, Fexhrie Thaqi, dhe kanë marrë udhëzime dhe mbështetje nga trajnerët e Zyrës së Auditimit të Suedisë. Programi është përmbyllur me testime të njohurive dhe shkathtësive në auditim të performancës nëse auditoret janë në gjendje që aftësitë e fituara t’i zbatojnë në praktikë. Ky program trajnimi është përmbyllur me mbajtjen e moduleve për udhëheqësit e ekipeve të auditimit të performancës me fokus në hartimin e raportit, teknikat dhe metodologjinë për mbikëqyrjen e auditimit, kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në auditim. Gjatë vizitës studimore në Suedi, auditorët e performancës kanë vizituar Parlamentin e Suedisë, ku për së afërmi janë njohur për perspektiven parlamentare për auditimet e performancës dhe aktivitetet e deputetëve lidhur me shqyrtimin e raporteve të auditimit.
Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

Punonjësit e ZKA-së gjatë muajit shtator do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve për zhvillim profesional

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) vazhdon ta ketë prioritet zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale ku përmes planit vjetor të trajnimeve adreson nevojat dhe kërkesat e stafit për zhvillim profesional dhe avancim të njohurive. Prandaj, gjatë muajit shtator 2022 punonjësit e ZKA-së do të ndjekin një plan intensiv të trajnimeve të brendshme dhe të jashtme. Me qëllim që auditorët të jenë të informuar dhe në hap me zhvillimet e fundit profesionale, plani i trajnimeve përmban tema të rëndësishme përmes të cilave zgjerohen njohuritë aktuale dhe eksplorohen praktika të reja për të kryer punën në mënyrë sa më efikase në zbatim të planeve të punës dhe standardeve ndërkombëtare të auditimit. Një ndër temat me interes që është duke u mbajtur këtë javë është kursi për “Zhvillimin e Planeve Vjetore Operacionale dhe Planit për zbatim strategjik”. Po ashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Procesi i Auditimit dhe fazat e Auditimit”, si dhe trajnimi “Ndërtimi i strategjisë së përgjithshme të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë”. Ndërsa në javën e dytë do të mbahet trajnimi “Shkrimi i qartë i raportit të Auditimit” përmes së cilit auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit do t’i avancojnë njohuritë në analiza më të thella dhe metodat kërkimore për teknikat e shkrimit të raporteve të auditimit në mënyrë që ato të jenë të shkruara me gjuhë të thjeshtë dhe të jenë miqësore ndaj lexuesit. Ky trajnim do të jetë interaktiv me shembuj praktik të raporteve të auditimit si dhe përmban edhe video materiale dhe detyra për auditorët. Gjithashtu gjatë kësaj jave do të mbahet edhe trajnimi “Kërkimet (researching) dhe metodologjia e auditimit”. Në javën e tretë e muajit shtator do të ketë një serë trajnimesh të fokusuara në temat si: “Konfirmimet”, “Procesi i gjetjeve gjatë auditimit-ekzekutimi”, “Korniza e akteve ligjore në ZKA”, “Ndryshimet e SNISA-ve dhe zhvillimi i IFPP-së”, “Procesi i auditimit përmes SITA, me theks arkivimi i dokumenteve dhe dëshmive të auditimit”, “Mostrimi”, si dhe “Identifikimi i qartë i 3 E-ve gjatë procesit të parastudimit dhe auditimit”. Auditorët e ZKA-së do të përmbyllin ciklin e aktivitetit trajnues me ndjekjen e trajnimit, “Menaxhimi i riskut”, “Materialiteti Cilësor në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë”, “Opinioni i auditimit në auditimin e pajtueshmërisë”, si dhe me trajnimin për auditimet e performancës “Të shkruarit e qartë, përdorimi i teknikave të gjuhës së thjeshtë, dhe struktura e raporteve të auditimit ”. Trajnimet mbahen nga trajnerë profesionalë dhe ekspert me përvojë të ZKA-së, Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t, dhe Shoqatave Profesionale për Kontabilitet dhe Auditim, dhe ofrohen vetëm për punonjësit e ZKA-së.