Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA-ja  do t’i auditojë projektet për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit

ZKA-ja do t’i auditojë projektet për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (AShI)” për  periudhën  2019 - 2022. Subjekt i auditimit është Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) që është përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK) për institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe menaxhon Qendrën e të Dhënave Shtetërore. Qëllimi i këtij auditimi është që të vlerësohet se si Agjencia i ka menaxhuar projektet e sistemeve të TIK-ut si dhe sa ka qenë efektive në vlerësimin e projekteve përfshirë procesin e inicimit, planifikimit, zbatimit dhe monitorimit. AShI-ja ka për qëllim digjitalizimin e shërbimeve të institucioneve dhe lehtësimin e qasjes në këto shërbime përmes platformave elektronike. Prej vitit 2013 deri më tani AShI-ja ka bërë investime të vazhdueshme në TIK duke realizuar dhe menaxhuar rreth 45 kontrata në vlerë mbi 24 milionë euro. Investimet kryesisht janë drejtuar në projekte të ndryshme, si: blerjen dhe mirëmbajtjen e harduerit, ruajtjen dhe procesimin e të dhënave dhe sigurisë kibernetike për Qendrën e të Dhënave Shtetërore. Poashtu, është investuar në ofrimin e shërbimeve të TI-së për institucionet publike, në zhvillimin e sistemeve të softuerit, zhvillimin e sistemit për ndërveprim të sistemeve elektronike të Qeverisë së Kosovës, zhvillimin e e-shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, në marrjen e shërbimeve si dhe në trajnime të stafit për ngritje të kapaciteteve profesionale.
Auditorja e Përgjithshme angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe auditimet në këtë fushë të jenë me prioritet

Auditorja e Përgjithshme angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor dhe auditimet në këtë fushë të jenë me prioritet

Vendet demokratike kanë dëshmuar se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor ndikon në rritjen ekonomike, në zhvillim dhe në stabilitet. Kështu ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në hapjen e seminarit dyditor për përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit  dhe Institucionit të Avokatit të Popullit për integrimin gjinor në proceset e auditimit i organizuar nga UN Women. Znj. Spanca, ka thënë se mbajtja e këtij seminari është një iniciativë e mirë për të shtyrë përpara procesin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor e me këtë edhe proceset e auditimit. Prandaj e ka vlerësuar seminarin si një mundësi të mirë për ndarjen e praktikave të vendeve të tjera në zbatimin e angazhimeve për barazi gjinore, si dhe një mundësi që në vitin 2023 të kryhet një auditim paralel së bashku me ISA-t e tjera për barazinë gjinore dhe çështjet gjinore. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka rikujtuar se shteti ka marrë angazhime ligjore të rëndësishme dhe detyruese për të luftuar diskriminimin, përfshirë këtu edhe diskriminimin gjinor e që nënkupton shpërndarje të fondeve publike, programeve dhe vendimmarrjes në mënyrë të drejtë për të gjitha gjinitë. “Kosova është në fazën fillestare të hartimit të politikave për buxhetim të përgjegjshëm gjinor. Edhe pse në praktikë Qeveria ka filluar t’i jap vëmendje më të madhe financimit të skemave të ndryshme në përkrahje të grave, përfshirë edhe ato në pozita vendimmarrëse, këto procese kërkojnë politika të qarta dhe sisteme të cilat përkrahin informatat lidhur me këtë.  Me qellim që të vlerësohen nëse po bëhet shpërndarje e drejtë e parasë publike dhe nëse po arrihen qëllimet e përcaktuara, këto procese është e nevojshme t’i nënshtrohen auditimit të jashtëm”, ka deklaruar znj. Spanca. Duke marrë parasysh se barazia gjinore është një prej objektivave të Agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, si dhe aktualitetin në Kosovë, në tetor të këtij viti, Auditorja e Përgjithshme ka treguar se ka aprovuar auditimin e  performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” përmes se cilit do të vlerësohet nëse organet përgjegjëse kanë ndërmarr masat e duhura për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, siç janë reagimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës.  
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rekomandimet e  auditimit ndikojnë në përmirësimin e proceseve të prokurimit publik dhe luftimin e korrupsionit

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm: Rekomandimet e auditimit ndikojnë në përmirësimin e proceseve të prokurimit publik dhe luftimin e korrupsionit

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën  ka marrë pjesë në tryezën me temën “Luftimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik”, të organizuar nga Iniciativa për Progres - INPO në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2022”. Z. Halilaj së bashku me panelistët e tjerë kanë diskutuar për të arriturat, sfidat dhe dobësitë në prokurimin publik si dhe luftën kundër korrupsionit në prokurim. Diskutimi është fokusuar në temat: Mbikëqyrja dhe shqyrtimi i prokurimit; Sundimi i ligjit dhe llogaridhënia; Efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik; Bashkëpunimi i sistemit prokurorial me institucionet tjera në luftimin e kriminalitetit në prokurim publik; si dhe Ndryshimet ligjore të propozuara në prokurim:  A e trajtojnë fenomenin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka folur për efektet e raporteve të auditimit në luftën kundër korrupsionit në prokurimin publik, me ç’rast ka thënë se prokurimi publik është pjesa më e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se në vështrim të përgjithshëm tenderimi shihet si proces ku zyrtarët publik mund të keqpërdorin autoritetin e tyre zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore. Një këndvështrim të tillë e reflektojnë edhe raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë, që tregojnë se një numër i konsiderueshëm i gjetjeve apo shkeljeve të identifikuara gjatë auditimeve i referohen kësaj fushe. Bazuar në rezultatet e auditimit, z. Halilaj ka thënë se duhet të punohet akoma më shumë për sisteme më të avancuar të kontrollit të brendshëm, në mënyrë që hallka e sistemit të menaxhimit të parasë publike të përmirësohet në vazhdimësi. Bartësit e institucioneve duhet të marrim masa që personat që abuzojnë me detyrën zyrtare të vihen para përgjegjësisë, që sistemi i llogaridhënies të funksionojë si një nga masat më efektive në luftimin dhe parandalimin e dukurive negative. “Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, besoj fuqishëm që është duke e kryer misionin e vet që përmes rekomandimeve të auditimit të mundësojë që prokurimi publik të jetë një proces transparent dhe llogaridhënës duke ofruar mallra, shërbime dhe investime sa më ekonomike dhe cilësore”, është shprehur Halilaj. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka treguar se ZKA-ja në sezonin auditues 2021-2022 ka kryer 134 auditime dhe ka dhënë 861 rekomandime në baza vjetore, vetëm në fushën e prokurimit gjatë kësaj periudhe janë dhënë 138 rekomandime. Tutje Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ka folur për rolin dhe rëndësinë e Njësisë kundër mashtrimit në ZKA-së që merret me identifikimin e mashtrimeve potenciale dhe shkeljeve të tjera në këtë fushë që pastaj i dërgon tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku vetëm për sezonin e fundit auditues janë raportuar 77 raste të kësaj natyre.
Zyra Kombëtare e Auditimit bëhet pjesë e Grupit Punues të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit bëhet pjesë e Grupit Punues të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës (ZKA) është anëtarësuar në Grupin Punues të EUROSAI-t për Teknologjinë e Informacionit (ITWG). Grupi Punues i TI-së (ITWG) në EUROSAI përmes shkëmbimit të praktikave më të mira dhe aktiviteteve të përbashkëta inkurajon Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve evropiane  në punën e tyre rreth auditimeve të Teknologjisë së Informacionit  si dhe në përdorimin e TI-së në punën e përditshme. Në fokus të aktiviteteve të këtij grupi punues është mbështetja e procesit të auditimit, me prioritet zhvillimin profesional të auditorëve dhe avancimin e praktikave të auditimit të teknologjisë së informacionit në sektorin publik. Duke qenë pjesë e ITWG-së, auditorët e TI-së të Zyrës Kombëtare të Auditimit  do të jenë më afër zhvillimeve në fushën e auditimeve të TI-së dhe do të kenë mundësi më të madhe të bashkëpunojnë me kolegët evropian. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e auditorëve të TI-së në aktivitetet e këtij grupi punues, duke thënë se  do të shërbejë për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe në cilësinë e auditimeve. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në vitin 2018 ka themeluar Departamentin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit krahas auditimit të performancës. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar, ky departament ka arritur një zhvillim të qëndrueshëm në aspektin e kapaciteteve dhe të metodologjisë së auditimit. Gjatë një sezone audituese ZKA-ja kryen 3 deri 4 auditime të TI-së. Deri më tani janë kryer rreth 12 auditime të TI-së, që ndërlidhen me performancën e sistemeve të informacionit. Grupi Punues i EUROSAI-t për Teknologjinë e Informacionit (ITWG) është themeluar në vitin 2002, dhe aktualisht kryesohet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Estonisë.
Sistemet e Teknologjisë së Informacionit të KRU “Prishtina” do t’i nënshtrohen procesit të auditimit nga ZKA-ja

Sistemet e Teknologjisë së Informacionit të KRU “Prishtina” do t’i nënshtrohen procesit të auditimit nga ZKA-ja

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Sistemet e Informacionit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a”. Qëllimi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse menaxhmenti i ndërmarrjes sigurohet se burimet e Teknologjisë së Informacionit, mbështesin qëllimet dhe strategjinë e ndërmarrjes duke ofruar një mjedis efektiv për të ruajtur integritetin e të dhënave dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së. KRU-Prishtina ofron shërbimet e ujit dhe kanalizimit për komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Drenasit dhe Graçanicës. Kjo kompani është ofruesi më i madh i shërbimit të ujit në Kosovë që ka të regjistruar 153,509 konsumatorë apo 37% nga totali i konsumatorëve në të gjithë Kosovën. Me qëllim të zhvillimit të veprimtarisë së kompanisë, arritjes së objektivave të saj dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarë, KRU Prishtina aplikon sistemet e teknologjisë së informacionit dhe investon në këtë fushë. Prandaj, përmes këtij auditimi ZKA-ja synon të ofrojë rekomandime relevante për KRU Prishtina, në mënyrë që të përmirësohet qeverisja, menaxhimi i TI-së dhe siguria e informacionit. Fushëveprim i këtij auditimi do të mbuloj gjendjen aktuale të teknologjisë së informacionit në këtë ndërmarrje, me fokus në mekanizmat e vendosura nga strukturat udhëheqëse të ndërmarrjes për të menaxhuar burimet e TI-së. Për të vlerësuar nëse janë dizajnuar kontrollet e aplikacioneve në atë mënyrë që të sigurojnë se sistemet e informacionit në KRU Prishtina pranojnë vetëm të dhëna të vlefshme dhe të proceduara nga personeli i autorizuar, do të testohet gjendja aktuale e aplikacioneve si dhe do të verifikohen të dhënat e regjistruara gjatë viteve 2021- 2022. Për më tepër ky është auditimi i parë paralel në mes të ZKA-së dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH) në fushën e teknologjisë së informacionit, me ç'rast të dy institucionet supreme të auditimit do të auditojnë sistemet e teknologjisë së informacionit të ujësjellësve respektiv, në Tiranë dhe Prishtinë. Ekipet e auditimit në vazhdimësi do të komunikojnë dhe shkëmbejnë përvoja lidhur me këto auditime.
Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, i ka dërguar letër urimi kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 110-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Në letrën e urimit thuhet se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kombëtare, dhe 28 nëntori një ditë e veçantë për çdo shqiptar, prandaj edhe në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës kjo ditë merr ngjyrime feste dhe krenarie. “Në emrin tim personal dhe në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit dhe 110-të vjetorit të  Pavarësisë së Shqipërisë”, është thënë në urimin e znj. Spanca. Me urimet më të mira për mirëqenien e popullit shqiptar kudo, Auditorja e Përgjithshme ka konfirmuar përkushtimin e saj dhe të ZKA-së në forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve. “Partneriteti dhe angazhimi i institucioneve tona në projekte të përbashkëta të karakterit profesional çon drejtë avancimit të qëndrueshëm të funksionit të auditimit të jashtëm dhe ndikimit në rritjen e menaxhimit më të mirë të projekteve dhe programeve shtetërore në vendet tona”, është theksuar ndër të tjera në letrën e urimit të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca dërguar kryetari të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu.
Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në vëmendjen e Auditores së Përgjithshme

Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor në vëmendjen e Auditores së Përgjithshme

Me 23 dhe 24 nëntor, në Stamboll, është mbajtur Konferenca Rajonale për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor “Financimi transformues si një përshpejtues për barazinë gjinore: duke marrë përvojat dhe mësimet e nxjerra nga buxhetimi i përgjegjshëm gjinor” e organizuar nga UN Women. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca ka marrë pjesë në  punimet e konferencës ku ka mbajtur një fjalë rasti duke i dhënë një vëmendje të veçantë buxhetimit dhe zbatimit të përgjegjshëm të fondeve për barazi gjinore, me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës për përdorimin e tyre. Konferenca ka pasur në fokus të punimeve shkëmbimin e përvojave ndërmjet, vendimmarrësve, zyrtarëve të lartë publikë, avokatëve gjinorë, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave; për të mësuar nga praktikat më të mira rajonale dhe globale; si dhe për të parë nga e ardhmja se si të përmirësohet më tej zbatimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në arritjen e barazisë gjinore. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj ka falënderuar UN Women për ftesën dhe organizimin e Konferencës për të diskutuar çështjen e barazisë dhe buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, posaçërisht Auditorët e Përgjithshëm dhe Institucionet Supreme të Auditimit si institucione kyçe për të ofruar informacion objektiv dhe të pavarur nëse strategjitë dhe aktivitetet qeveritare janë duke u implementuar në mënyrë efektive. Znj. Spanca i ka njoftuar të pranishmit për ngritjen e kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në fushën e barazisë gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si dhe i ka ftuar Auditorët e Përgjithshëm të vendeve të rajonit për ndarjen e përvojave dhe praktikave të mira me qëllim të maksimizimit të përfitimit nga auditimi i çështjeve që ndërlidhen me barazinë gjinore. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ministrive të financave, ministrive të linjës që zbatojnë buxhetin e përgjegjshëm gjinor, mekanizmave institucionalë gjinorë, kryetarëve të komunave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, parlamenteve, Institucioneve Supreme të Auditimit, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga Kosova pjesëmarrëse ka qenë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, drejtori i Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave, Salvador Elmazi, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, si dhe përfaqësues të tjerë institucional, të cilët në kuadër të paneleve të konferencës kanë prezantuar perspektivat e tyre nga fushat që mbulojnë. Punimet dyditore të Konferencës Rajonale për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor janë zhvilluar në kuadër të shtatë (7) paneleve, ku janë diskutuar tema të rëndësishme si: “Perspektiva e lidershipit dhe politikëbërësve për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor”; “Menaxhimi i Financave Publike si rrugë për arritjen e barazisë gjinore”; Ndryshimi i jetës së grave dhe burrave përmes aplikimit sektorial të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor”; “Qasjet e pranuara ndërkombëtarisht për të vlerësuar zbatimin e BPGJ-së”; “Roli i institucioneve të mbikëqyrjes publike në avancimin e barazisë gjinore”; “Zbatimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në nivel lokal: praktika nga rajoni”; si dhe “Ndikimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në jetën e grave dhe burrave”.
ZKA-ja dhe OSBE-ja mbajnë punëtorinë për rolin e zbatimit të rekomandimeve në përmirësimin e qeverisjes dhe kontrollit për menaxhimin e parasë publike, ngritjen e  performancës në komuna dhe përfitimit të granteve

ZKA-ja dhe OSBE-ja mbajnë punëtorinë për rolin e zbatimit të rekomandimeve në përmirësimin e qeverisjes dhe kontrollit për menaxhimin e parasë publike, ngritjen e performancës në komuna dhe përfitimit të granteve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)/Departamenti për Demokratizim, kanë mbajtur punëtorinë për përmirësimin e zbatimit të rekomandimeve të auditimit në  nivelin e pushtetit lokal. Punëtoria është mbajtur në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe Prishtinës në të cilën janë përshirë të gjitha komunat e Kosovës në datat 15,17 dhe 22 nëntor. Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë punëtori ka qenë e përfaqësuar nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, drejtoresha e Departamentit për Auditimin e Komunave, Shehrije Shala, dhe udhëheqësi i ekipit të auditimit, Florim Beqiri. Ndërsa nga Departamenti për Demokratizim i OSBE-së ka marrë pjesë, Fatmir Zylfijaj, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Fetije Begolli, si dhe kryesues të kuvendeve komunale, zyrtarë kryesorë financiarë, auditorë të brendshëm dhe drejtorë financiarë. Punëtoria kishte për qëllim të shërbejë si platformë diskutimi për sfidat kryesore në zbatimin e rekomandimeve dhe planeve të veprimit, si dhe rolin e legjislacionit komunal në çështjet financiare, raportimin rreth auditimit dhe transparencën. Kjo punëtori ishte një mundësi e mirë që përfaqësuesit komunal diskutojnë me përfaqësuesit e ZKA-së dhe të MAPL-së, rreth gjetjeve kryesore të raporteve të auditimit për vitin 2021, sfidat kryesore të identifikuara, përfitimet që vijnë nga rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit, si dhe për rolin e legjislacionit komunal dhe grantit të performancës për komunat. Me këtë rast përfaqësuesit e ZKA-së, kanë ofruar pikëpamjet e tyre për sa i përket veprimeve të duhura që do të ndikonin në përmirësimin e  menaxhimit financiar dhe kontrollit në  komuna. Fokus i veçantë i është dhënë zbatimit sa më efikas të rekomandimeve të auditimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet komunave.  
Aktivitetet e përkrahjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të auditohen nga ZKA-ja

Aktivitetet e përkrahjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të auditohen nga ZKA-ja

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” për periudhën 2019-2022. Fokus kryesor i këtij auditimi është vlerësimi i aktiviteteve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) për arritjen e rezultateve të duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) dhe zonave ekonomike. MINT/KIESA çdo vit bën shpallje për përkrahjen e NMVM-ve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre në mënyrë që këto ndërmarrje të ofrojnë produkte më cilësore dhe të jenë konkurruese me ndërmarrjet në nivel ndërkombëtar. Njëkohësisht përmes zonave ekonomike MINT u ofron ndërmarrjeve lehtësira të ndryshme. Thirrjet publike duhet të bëhen në përputhje me strategjinë e MINT-it lidhur me zhvillimin e NMVM-ve në vendin tonë, po ashtu thirrjet dhe përzgjedhja e përfituesve duhet të bëhet në përputhje me ligjet dhe rregulloret për përkrahjen e këtyre ndërmarrjeve. Prandaj, përmes këtij auditimi në MINT/KIESA, ZKA-ja do të vlerësojë arsyeshmërinë dhe  përputhjen ligjore të procesit për përkrahjen e NMVM-ve. Po ashtu do të analizojë shpalljet e zonave të lira ekonomike për të parë nëse MINT është bazuar në analiza të arsyeshme për themelimin e këtyre zonave. Auditimi “Mbështetja e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”, ka për synim që përmes rekomandimeve të ndihmojë institucionet përgjegjëse në përmirësimin e aktiviteteve për përkrahjen e NMVM-ve dhe themelimin e zonave të lira ekonomike.  
Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon institucionet publike të përmirësojnë sistemin e raportimit financiar dhe të rrisin kontrollet për menaxhim të parasë dhe pasurisë publike

Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon institucionet publike të përmirësojnë sistemin e raportimit financiar dhe të rrisin kontrollet për menaxhim të parasë dhe pasurisë publike

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe HELVETAS Swiss Intercooperation në Kosovë/ Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave (DEMOS) kanë vazhduar  bashkëpunimin për vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në qeverisjen lokale për të rritur ndikimin e auditimit, përkatësisht rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Në kuadër të aktiviteteve për mbështetjen e komunave për zbatimin e rekomandimeve, është mbajtur punëtoria dyditore (14 dhe 15 nëntor) ku kanë marrë pjesë drejtorët e departamenteve për  auditim të komunave në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Lavdim Maxhuni dhe Shehrije Shala, drejtoresha e HELVETAS Swiss Intercooperation në Kosovë, Celestine Krosschell, përfaqësues të Projektit DEMOS, përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe zyrtarë kryesor financiar dhe zyrtarë për menaxhimin e pasurisë nga komunat. Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie kanë diskutuar për çështjet që kanë ndikuar në opinionin e auditimit financiar, përkatësisht  çështjet e pasurisë të ngritura në raportet e auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2021 si: vlerësimin e pasurisë së trashëguar/alternativat, barrierat ligjore në vlerësim të pronës së trashëguar, si dhe çështje të tjera që ndërlidhen me shpalosjet e pasqyrave financiare vjetore me fokus tek llogaritë e arkëtueshme. Përfaqësuesit e ZKA-së në këtë ngjarje kanë dhënë kontribut duke ofruar pikëpamjet e ZKA-së në lidhje me veprimet e duhura përmes së cilave komunat mund të përmirësojnë menaxhimin financiar, me theks të pasurisë jofinanciare. Gjatë këtij diskutimi është theksuar se zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon institucionet publike të përmirësojnë sistemin e raportimit financiar dhe të rrisin kontrollet për menaxhim të parasë dhe pasurisë publike. Drejtorët e departamenteve për  auditimin e komunave në ZKA, kanë vlerësuar se për të rritur nivelin e rekomandimeve të zbatuara, nevojitet të shtohet kujdes dhe përgjegjshmëri në kryerjen e detyrave zyrtare përmes masave shtesë të kontrolleve dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet komunale. Ndërsa përfaqësuesit e komunave e kanë vlerësuar të dobishme punëtorinë në dhënien e këshillave dhe mundësive për përmirësimin e menaxhimit të pasurisë dhe zbatimit të rekomandimeve.
Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e FMN-së, flasin për përmirësimin e  menaxhimit të financave publike në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e FMN-së, flasin për përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani, kanë pritur të mërkurën në takim shefin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Jacques Charaoui, këshilltarin për Menaxhimin e Financave Publike, Yasemin Hurcan, si dhe ekspertet e Departamentit të Çështjeve Fiskale, Richard Allen, Guillaume Gaubert dhe Katja Lautar. Me përfaqësuesit e këtij misioni është diskutuar për aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në veçanti për rezultatet e auditimit të buxhetit të Kosovës dhe çështjet e identifikuara nga procesi i auditimit për vitin 2021. Fokus i veçantë i është dhënë diskutimit për përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike, raportimit financiar, gjetjeve të raporteve të auditimit të institucioneve qendrore, ndërmarrjeve publike dhe komunave, zbatimit të Programit të Investimeve Publike, problemeve që lidhen me shpronësimet për projektet e infrastrukturës, si dhe klasifikimit të gabuar të shpenzimeve. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca u është përgjigjur interesimit të delegacionit në lidhje shumë çështje të fushëveprimit të auditimit duke ofruar pikëpamjet e ZKA-së nga këndvështrimi i auditimit. Gjithashtu, ajo i ka njoftuar mysafirët edhe për planet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për sezonin auditues 2022/23.