Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Interesim i lartë për prezantimin e Sistemit për Menaxhimin e Auditimit – SITA dhe praktikave në ZKA për auditimet e TI-së

Interesim i lartë për prezantimin e Sistemit për Menaxhimin e Auditimit – SITA dhe praktikave në ZKA për auditimet e TI-së

Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës të enjten prezantoi në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit në kuadër të webinarit online me temën “Auditimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Sistemi i Menaxhimit të Auditimit – SITA në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Ky webinar është organizuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI) e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) përkatësisht në platformën “Inovacionet në Institucionet Supreme të Auditimit”. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca në fjalën e saj falënderoi organizatorët dhe vlerësoi interesimin e pjesëmarrësve për të mësuar zhvillimin institucional të ZKA-së me theks në auditimet e TI-së dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike për të lehtësuar dhe siguruar punën audituese. Duke folur për rëndësinë në rritje të auditimit të sistemeve të informacionit në epokën dixhitale, si dhe zhvillimet e hovshme në këtë aspekt, znj. Spanca tregoi se ZKA më 2018 themeloi Departamentin për auditime të TI-së dhe se në vazhdimësi investon në avancimin dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike për nevoja të punës. “Nga atëherë, departamenti është rritur, duke përfshirë aktualisht pesë auditorë. Departamenti është pjesë e grupeve dhe nëngrupeve të punës për TI në EUROSAI, me pjesëmarrje aktive në disa aktivitete dhe trajnime. Synimi ynë është të zhvillojmë më tej këtë njësi dhe të nxjerrim auditime cilësore në shërbim të subjekteve, Kuvendit dhe qytetarëve të vendit tonë", theksoi znj. Spanca. Në vazhdim, zyrtarë të ZKA-së prezantuan rezultatet nga auditimet e TI-së si dhe për procesin e zhvillimit dhe funksionimin e SITA-s. Samir Zymberi, drejtor i Departamentit të Auditimeve të Teknologjisë së Informacionit, foli mbi zhvillimin e departamentit, aplikimin e metodologjisë së auditimit  në pajtim me praktikat ndërkombëtare si: ISSAI, GUID 5100, Manualin për auditimet e TI-së nga IDI si dhe dokumentet e ZKA-së. Ai theksoi bashkëpunimet ndërkombëtare dhe mbështetjen nga ekspertët e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë dhe Portugalisë për zhvillimin e auditimeve cilësore. Më tutje z. Zymberi foli mbi numrin dhe llojin e auditimeve të TI-së të kryera deri me tani, rëndësinë dhe ndikimin e tyre në funksion të sigurisë së sistemeve dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Poliksena Berisha, Auditore Seniore prezantoi procesin e auditimeve individuale të TI duke filluar nga prezantimi i temës, ekzekutimi i auditimit e deri te auditimet përcjellëse për zbatimin e rekomandimeve.  Ndër të tjera, ajo theksoi metodologjinë e përdorur, teknikat e auditimit, veglat e auditimit, dizajnuar nga grupi punues për auditimet e TI-së në EUROSAI etj. Ajo prezantoi procesin e auditimit të TI-së “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”, objektiven e auditimit, përmbajtjen e raportit, konkluzionet dhe rekomandimet kryesore. Kurse Shqipe Azemi, Specialiste e Teknologjisë së Informacionit foli mbi krijimin dhe  funksionimin e SITA-s duke informuar pjesëmarrësit për rrjedhën e procesit që nga fillimi e deri në vënien në përdorim të SITA-s, se si ky sistem e ka bërë punën më efikase pas strukturimit të të dhënave të procesit të auditimit dhe integrimin e tyre në bazën e të dhënave. Tutje znj. Azemi tregoi se SITA ka rritur transparencën në punën audituese duke mundësuar që të gjithë përdoruesit e autorizuar të kenë mundësi të qasen dhe të monitorojnë punën në çdo moment kohor. Po ashtu ajo ka thënë se parametrizimi efikas ka bërë të mundur gjenerimin e dokumenteve direkt nga sistemi me të gjitha tabelat dhe analizat e nevojshme. Gjithashtu  Azemi ka folur edhe për mundësitë e zbatuara në SITA për të komunikuar me sisteme të tjera si: sistemet e organizatave buxhetore, sistemin për analizimin e të dhënave IDEA dhe ueb faqen e ZKA-së për prezantimin e rekomandimeve të auditimit. Prezantimi është përcjellë me interesim të madh, në veçanti për SITA, e cila u cilësua si model edhe për ISA-t e tjera.
Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit prezanton në nivel ndërkombëtar përvojën dhe zhvillimin institucional në fushën e teknologjisë së informacionit

Iniciativa për Zhvillim (IDI) e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) në kuadër të platformës “Inovacionet në Institucionet Supreme të Auditimit” me datë 15 qershor 2023 do të organizojë webinarin online me temën “Auditimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Sistemi i Menaxhimit të Auditimit – SITA në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës”. Hapja e webinarit do të bëhet nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ndërsa do të prezantojnë Samir Zymberi, Drejtor i auditimit dhe Poliksena Berisha, Auditore Seniore, që do të flasin gjerësisht për auditimet e TI-së që kryen Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe Shqipe Azemi, Specialiste e TI-së që do të prezantojë softuerin për menaxhimin e procesit të auditimit SITA, i zhvilluar me teknologji të lartë nga ZKA-ja dhe shërben për të lehtësuar dhe modernizuar punën audituese. Webinari do të jetë i hapur dhe të interesuarit për pjesëmarrje mund të regjistrohen në këtë link: https://zoom.us/webinar/register/WN_5zRywwLgT6uIEDGZ4PsZdg Për më shumë informata mund t’i referoheni lajmit të publikuar në ueb faqen e Iniciativës  për Zhvillim (IDI): https://www.idi.no/news/relevant-sais/sai-innovations/sai-innovations-marketplace-audit-of-information-technology-and-audit-management-system-sita  
Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile të mbajtur në Sarajevë

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën për rritjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile të mbajtur në Sarajevë

Me 5 dhe 6 qershor në Sarajevë është mbajtur tryeza me temën “Bashkëpunimi me shoqërinë civile për të përmirësuar kuptimin dhe ndikimin e Institucioneve Supreme të Auditimit” e organizuar nga Zyra e Auditimit të Bosnjës dhe Hercegovinës me mbështetjen e SIGMA-s në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkiminin Evropian dhe në Gjykatën Evropiane të Auditorëve. Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vendet anëtare të Rrjetit, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Bosnja dhe Hercegovina si dhe nga Mali i Zi. Në kuadër të kësaj tryeze u diskutua edhe draft dokumenti “Rritja e ndikimit përmes angazhimit të jashtëm” të përgatitur nga SIGMA me kontributin e ISA-ve nga Rrjeti dhe prezantimin e praktikave nga vendet evropiane. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka qenë e përfaqësuar nga drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci dhe zyrtarja për Komunikim me Media, Shqipe Hetemi. Hapjen e punimeve të tryezës e ka bërë Auditori i Përgjithshëm i Bosnjës dhe  Hercegovinës, Hrvoje Tvrtkovic, duke e vlerësuar tejet të rëndësishme mbajtjen e këtij aktiviteti dhe shkëmbimin e përvojave të bashkëpunimit me shoqërinë civile për rritjen e ndikimit të punës audituese. Shefja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnjë Hercegovinës, Jasmina Galijaševic, ka prezantuar më gjerësisht përvojën e këtij institucioni në ndërtimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile përmes takimeve vjetore ku prezantohen temat e mundshme për auditime të performancës. Përvojat e institucioneve të tyre për komunikimin e rezultateve të auditimeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Zyrave Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Letonisë. Ndërkohë në kuadër të paneleve të diskutimit, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës, kanë shkëmbyer përvojat e tyre për rritjen e angazhimit me palët e jashtme. Në këtë kuadër, drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci, ka treguar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës angazhohet në mënyrë aktive me organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe publikun për të sjellë në vëmendje tema të rëndësishme për auditim. Ajo ka theksuar se ZKA-ja ka bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile i cili promovon transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen.
Publikohet Raporti i vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të  Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021

Publikohet Raporti i vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gjatë vitit 2022 i është nënshtruar procesit të vetëvlerësimit të performancës për vitet 2020-2021, për të ofruar një pasqyrë të saktë mbi zhvillimin institucional, dhe me qëllim të identifikimit të pikave të forta dhe atyre të dobëta ku ka nevojë për përmirësim. Vlerësimi është kryer sipas kërkesave të Standardeve Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA), në kuadër të Kornizën për Matjen e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI), organ i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky vlerësim mbulon 6 domene dhe 25 indikatorë, duke përjashtuar ata që nuk janë të aplikueshëm për ZKA-në sipas mandatit dhe modelit “Westminster”. Sipas vlerësimit, ZKA-ja ka arritur të përmbushë mandatin e saj kushtetues dhe ligjor duke i ofruar Kuvendit dhe qytetarëve një opinion të pavarur dhe të bazuar mbi mënyrën se si institucionet publike i përdorin burimet dhe kompetencat e tyre, duke i zbatuar SNISA-t në nivel të kënaqshëm. Megjithatë, janë identifikuar çështje specifike, të cilat duhet të adresohen. Në këtë drejtim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, përveç që ka përshëndetur arritjet e treguara, është shprehur e përkushtuar që të ndërmarrë veprime menaxheriale dhe të zhvillojë më tej kornizën metodologjike, udhëzuesit dhe rregulloret përkatëse. Ajo ka theksuar se synimet e saj dhe të gjithë stafit janë që ZKA-ja të arrijë zbatimin e plotë të Kornizës së INTOSAI-t për Deklaratat Profesionale brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Përmes këtij vlerësimi, ZKA-ja gjithashtu ka matur kontributin e vet në forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në institucionet publike që i nënshtrohen auditimit dhe aspiron për t’u bërë organizatë model, duke udhëhequr me shembull në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies nëpërmjet raportimit publik të besueshëm për performancën e saj. Për t’u siguruar për cilësinë e procesit, Raportit të vetëvlerësimit të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021 i është bërë rishikimi i pavarur nga IDI-ja. “Përfundimi i arritur pas rishikimit është se të gjitha objektivat ishin përmbushur në mënyrë të kënaqshme në raportin përfundimtar që IDI ka pranuar në mars 2023. Për të arritur në këtë përfundim, rishikuesi i pavarur është mbështetur në proceset e kontrollit të cilësisë së ekipit të vlerësimit dhe proceset e sigurimit të cilësisë së ISA-së për të siguruar se faktet mbi të cilat bazohen përfundimet janë të besueshme dhe të sakta. Çështjet e rëndësishme të ngritura gjatë procesit të rishikimit të pavarur janë adresuar në këtë version të RP të ISA-së”, është thënë në deklaratën nga Anas ABOU EL MIKIAS, rishikues i pavarur. Sa i përket gjetjeve dhe vëzhgimeve kryesore mbi performancën e ZKA-së dhe ndikimit të tyre, ekipi i vlerësimit ka kryer një analizë të shkakut rrënjësor bazuar në të gjitha aspektet që ndikojnë në performancën e ZKA-së dhe rezultatet janë përmbledhur si në vijim:  Mbulimi me auditim; Cilësia e raporteve të auditimit dhe rekomandimeve; Afatet kohore të dorëzimit dhe publikimit të rezultateve të auditimit; dhe Përcjellja e rezultateve të auditimit nga ZKA-ja. Sa i përket mbulimit me auditim, është gjetur se ZKA-ja nuk ka arritur të zhvillojë një plan strategjik për përzgjedhjen e temave të auditimit të performancës, shkaktuar nga mungesa e një analize të thellë në procesin e planifikimit dhe ndërveprimit me palët e interesit. Kurse tek cilësia e raporteve të auditimit dhe rekomandimeve, ekipi i vlerësimit ka identifikuar se udhëzuesi për kontrollin e cilësisë nuk është përditësuar në pajtim me manualin dhe metodologjinë e re, e cila filloi të aplikohet gjatë vitit 2020. Ndërsa, sa i përket afateve kohore të dorëzimit dhe publikimit të rezultateve të auditimit ekipi ka evidentuar se gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë me Covid-19, ZKA-ja ka pasur vonesa në dorëzimin dhe publikimin e raporteve të auditimit. E për sa i përket përcjelljes se  rezultateve të auditimit ekipi ka identifikuar se niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit është i ulët. Vetëvlerësimi i performancës së Zyrës Kombëtare të  Auditimit të Republikës së Kosovës 2020-2021, është kryer nga ekipi në përbërje të Qendresë Mulaj,  Dafina Strana Ujkani, Edona Abazi Demolli dhe Saranda Husaj Baraliu. Raporti është publikuar në ueb faqen e ZKA-së dhe mund ta gjeni këtu.
Mbahet takimi i tretë rajonal për fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale

Mbahet takimi i tretë rajonal për fuqizimin ekonomik të grave në zonat rurale

Përfitimet rreth metodologjisë së përbashkët kanë qenë temë e diskutimit në takimin e tretë rajonal në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, që është mbajtur në Tiranë me 25 dhe 26 maj, me mbështetjen e UN Women. Në këtë takim Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka qenë e përfaqësuar nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi dhe ekipi i auditimit, Ardiana Miftari, Ylfete Osmani dhe Arlinda Mustafa. Përfaqësuesit e tri Institucioneve Supreme të Auditimit kanë shqyrtuar rezultatet preliminare të parastudimit për auditimin e përbashkët me temën: “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave në zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”. Gjithashtu, ekipet e auditimit kanë diskutuar rreth pyetjeve dhe qasjes së auditimit si dhe janë dakorduar për hapat e mëtutjeshëm. Specialistja e Programit në UN Women, Ermira Lubani, ka theksuar rolin e rëndësishëm që kanë Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) në fuqizimin ekonomik të grave në rajon. Po ashtu znj. Lubani ka shpalosur planet e UN Women për projektet e ardhshme në fushën e auditimit me perspektivë gjinore, gjithnjë duke marrë parasysh kapacitetet e ISA-ve.
Zëvendës Auditori i Përgjithshëm takoi përfaqësuesin e Zyrës së  Kombeve të Bashkuara, flasin për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën kundër mashtrimit dhe korrupsionit

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm takoi përfaqësuesin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara, flasin për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën kundër mashtrimit dhe korrupsionit

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj,  dhe Ud. Drejtorit të Departamentit për Çështje Juridike dhe kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, të premten kanë pritur në takim Këshilltarin e Lartë (Kundër Korrupsionit) të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) z. Constantine Palicarsky. Fillimisht Zëvendës Auditori i Përgjithshëm e informoi mysafirin mbi mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, strukturën e saj në theks të veçantë mënyrën e veprimit të zyrës në lidhje më luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimeve potenciale, duke theksuar edhe bashkëpunimet në nivel ndërinstitucional me organet e drejtësisë.   Z. Halilaj theksoj se,  pavarësisht se objektivë primare e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk është lufta kundër mashtrimit dhe korrupsionit në përgjithësi, në përputhje me standardet ndërkombëtare, ligjet e aplikueshme dhe etiken profesionale të auditorit çështja e trajtimit të mashtrimit të mundshëm dhe korrupsionit zë vend mjaft të rëndësishëm në punën e ZKA-së. Këshilltari i Lartë (Kundër Korrupsionit) të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) z. Constantine Palicarsky, ka folur për qëllimin dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara, si pjesëmarrjen në organizimet rajonale për bashkëpunim ndërmjet Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Institucioneve tjera kundër Korrupsionit. Ky bashkëpunim përfshin organizimin e ngjarjeve të përbashkëta, si; seminare apo aktivitete të tjera kushtuar autoriteteve të Kosovës më qëllim të ngritjes se kapaciteteve dhe rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të cilat kanë si qëllim luftimin e korrupsionit në Kosovë. Organizimi i ngjarjeve të tilla ka për qëllim të bashkojë përfaqësues nga institucionet për zbatimin e ligjit, si: Prokuroria e Shtetit, Agjencia Kundër Korrupsionit, ekspertë ndërkombëtarë dhe praktikues të tjerë kundër korrupsionit për të diskutuar se si mund të forcohet koordinimi dhe bashkëpunimi midis organeve që luftojnë korrupsionin dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. Këshilltari i lartë z. Palicarsky, ka shprehur gatishmërinë e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim (UNODC) që përmes formave të ndryshme të ndihmojë Zyrën Kombëtare të Auditimit për të përforcuar kapacitetet e saj në drejtim të rritjes se kompetencës për trajtimin dhe adresimin e çështjeve të fushës se mashtrimit dhe korrupsionit në sektorin publik. Të dyja palët u dakorduan për vazhdimin e harmonizimit të veprimeve për gjetjen e formave për bashkëpunim në këtë fushë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit shënon 98-vjetorin e themelimit, Auditorja e Përgjithshme vlerëson lartë punën dhe ndikimin për zhvillimin e administratës shtetërore

Kontrolli i Lartë i Shtetit shënon 98-vjetorin e themelimit, Auditorja e Përgjithshme vlerëson lartë punën dhe ndikimin për zhvillimin e administratës shtetërore

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shqipëri, ku ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të shënimit të 98-vjetorit të themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Ceremonia kryesore për shënimin e kësaj date të rëndësishme për institucionin, është hapur me një fjalë rasti nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i cili tha se ky rrugëtim i gjatë i institucionit në çdo etapë është karakterizuar me sfida dhe suksese. Shehu, u shpreh se KLSH-ja është e dedikuar të përmbush misionin dhe vizionin e saj dhe se synon të jetë institucion i besueshëm që i kontribuon qeverisjes së mirë dhe menaxhimit më të mirë të burimeve publike. “Nevoja për të audituar 'llogaritë' e qeverive, i përket çdo kohe dhe çdo shteti. Kujtesa historike i shërben pasurimit të dijeve të brezit të ri dhe kontribuon në kulturën ligjore dhe institucionale, që duhet të kenë së pari vendimmarrësit publikë, por edhe çdo qytetar shqiptar i përgjegjshëm, i interesuar për shtetin dhe mënyrën e funksionimit të tij”, ka thënë kryetari Shehu. Para të pranishmëve ka folur edhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e cila ka uruar homologun e saj dhe kolegët nga KLSH-ja për rrugëtimin gati një shekullor. Ajo ka thënë se lidhja natyrale në mes të vendeve dhe interesi i përbashkët profesional e kombëtar çon drejtë avancimit të qëndrueshëm të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve me qëllim që rezultatet e auditimit të përmirësojnë qeverisjen dhe shërbimet ndaj qytetarëve në të dyja vendet. Znj. Spanca ka vlerësuar se bashkëpunimi cilësor dhe frytdhënës midis ZKA-së dhe KLSH-së ka bazë të fortë që është zhvilluar ndër vite e cila i  ka shërbyer ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe modernizimit të dyja institucioneve. “Ne kemi fuqinë të ndryshojmë jetën e qytetarit. Këtë e bëjmë përmes fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në qeverisjen e institucioneve publike, por edhe duke shërbyer si organizata model. Lirshëm mund të shprehem se KLSH udhëheqë si institucion shembull”, është shprehur Spanca. Me këtë rast edhe Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë se Veriut, Maksim Acevski, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, duke uruar KLSH-në për gjithë rrugëtimin si dhe duke i uruar suksese edhe në të ardhmen. Në ceremoninë e themelimit të KLSH-së kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga institucione vendore të Republikës së Shqipërisë si dhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni. Kryetari Shehu ka vlerësuar lartë prezencën e tyre duke shprehur falënderimet e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe se është i nderuar që këtë ngjarje të veçantë po e shënon së bashku me kolegë nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të tjera. Në këtë vizitë Auditorja e Përgjithshme ka qenë e shoqëruar nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu, drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, si dhe drejtori i Departamentit të Auditimit, Mehmet Muçaj.  
Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Të martën në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) ka shqyrtuar Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2022. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve, ka prezantuar aktivitetet, të arriturat dhe sfidat që e kanë karakterizuar ZKA-në gjatë vitit 2022, si dhe i është përgjigjur interesimit të ligjvënësve për çështjet e parashtruara. Auditorja e Përgjithshme ka deklaruar se për vitin raportues ZKA-ja ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe afatet ligjore për punën audituese, duke realizuar me sukses Planin Vjetor të Auditimit duke publikuar 127 raporte të auditimit. “Prej 127 auditimeve, 116 i takojnë auditimeve të pasqyrave vjetore financiare, që përfshijnë Auditimet Financiare dhe të Pajtueshmërisë, prej tyre; raporti për buxhetin e shtetit, 90 auditime të organizatave buxhetore, 12 ndërmarrje publike dhe 13 raporte të donatorëve. Ndërsa kemi kryer 10 raporte të performancës dhe një (1) raport me informatat të nivelit të kufizuar”, ka deklaruar znj. Spanca. Ajo ka theksuar se përveç auditimeve mandatore, ZKA-ja gjatë këtij viti është përqendruar në auditimet e institucioneve tjera publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetërorë, siç janë: Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Gjithashtu, ka shtuar se fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të sistemeve të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike. Znj. Spanca më tutje i ka njoftuar deputetët se rezultatet e auditimit kanë nxjerrë në pah një numër dobësish në shumicën e organizatave buxhetore dhe entitete tjera nëpër kategori ekonomike, të cilat kanë rezultuar në menaxhim të dobët të fondeve publike si dhe mos arritjen e vlerës për para. “Dobësitë kryesore të identifikuara gjatë këtyre auditimeve janë vërejtur tek kategoritë ekonomike, si: të hyrat, pagat, mallrat dhe shërbimet, subvencione dhe transfere, investime kapitale, dhe pasuritë”, ka thënë znj. Spanca. Më qëllim të përmirësimit të  menaxhimit të financave publike, Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se ZKA-ja ka dhënë 1030 rekomandime të cilat mbulojnë vitin 2021 dhe sipas vlerësimeve të fundit është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga 45% në 50%, përkundër se ky nivel edhe më tutje mbetet mjaftë i ulët. Për të rritur cilësinë e auditimit dhe për të përforcuar më tej sigurinë e informacioneve,  znj. Spanca, ka deklaruar se ZKA-ja gjatë vitit 2022, ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, si dhe përfundimisht ka funksionalizuar në tërësi digjitalizimin e punës audituese përmes sistemit elektronik të saj. Rëndësi të veçantë, edhe gjatë këtij viti i është  dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion, duke dërguar në Prokurori të Shtetit 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca i ka informuar deputetët edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit. Ajo ka theksuar se nga auditimi i jashtëm i Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2022, ZKA-ja ka marrë opinion të pamodifikuar gjë që e gëzon ky fakt, ndërsa për çështjet e identifikuara nga auditori ajo ka shtuar se, pavarësisht se ato konsiderohen jo materiale menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i adresuar dhe forcuar kontrollet e brendshme. Duke folur për performancën e ZKA-së znj. Spanca, ka treguar se në aspektin kombëtar është forcuar më tej partneriteti me komisionet parlamentare dhe shoqërinë civile, kurse në aspektin ndërkombëtar është avancuar bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditimit përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Po ashtu ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në auditimet e performancës dhe planifikimit strategjik. Gjithashtu znj. Spanca ka treguar se në vitin 2022 është adresuar në Kuvend dhe Qeveri inicimi i procesit për plotësim/ndryshim të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për jetësimin e kësaj nisme e cila do të mundësonte realizimin e auditimeve të bazuara në rrezik dhe me më shumë interes për qytetarët, si dhe do të rriste numrin e auditimeve të performancës. Nga ana tjetër deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë vlerësuar punën e ZKA-së gjatë periudhës raportuese si dhe kanë ngritur për diskutim çështje të ndryshme që ndërlidhen me aktivitetet e ZKA-së. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të cilat kryesisht kishin të bëjnë me adresimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim në Prokurori; lëvizjet e stafit; zgjidhja e çështjes së objektit të ZKA-së; ndryshimi i Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm; si dhe Ligjin e Pagave, përkatësisht ndikimin e tij në ZKA me hyrjen në fuqi.  
Misioni i FMN-së përgëzon ZKA-në për rritje të transparencës në përmbushjen e misionit të saj

Misioni i FMN-së përgëzon ZKA-në për rritje të transparencës në përmbushjen e misionit të saj

Menaxhmenti i lartë i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të hënën ka pritur në takim përfaqësuesit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), mision ky që është duke kryer Vlerësimin e Menaxhimit të Investimeve Publike si dhe atyre me fokus në klimë. Në kuadër të këtij takimi Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi Morina, si dhe zyrtarë të tjerë kanë adresuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me rezultatet e auditimit karshi menaxhimit te fondeve publike. Menaxhmenti i ZKA-së para Ekipit të FMN-së të udhëhequr nga Zëvendës Shefja e Divizionit për Menaxhimin e Financave Publike në Departamentin për Çështje Fiskale në FMN znj. Michelle Stone, kanë ofruar informacionet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me çështje më rëndësi për të cilat delegacioni ishte i interesuar. Me këtë rast përfaqësuesit janë informuar në detaje lidhur me një mori çështjesh, duke përfshirë auditimin e performancës, prokurimit publik, projektet kapitale, si dhe për projektet me ndikim klimatik. Udhëheqësja e misionit nga FMN-ja ka përgëzuar Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për arritjet në ngritjen e nivelit të transparencës në punën që kryen si dhe për veprimet e ndërmarra për sa i përket auditimit të fushave më rëndësi për qytetarët. Delegacioni i FMN-së, përveç znj. Stone ishte i përbërë edhe nga ekonomistja e lartë brenda divizionit të njëjtë znj. Sage de Clerck, Këshilltarja Rezidente për Evropën Juglindore në FNM znj. Yasemin Hurcan si dhe ekspertët e pavarur z. Thomas Ekeli, z. Mr. Willie Du Preez dhe z. Taz Chaponda.  
Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka marrë pjesë në punimet e Konferencës Shkencore të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi e cila u mbajt me datë 15 maj 2023, në kuadër të shënimit të 19-vjetorit të themelimit të këtij institucioni. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni  dhe më gjerë. Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje si dhe kontributin e dhënë. Konferenca Shkencore i ka zhvilluar punimet në tri panele. Në panelin e parë është diskutuar lidhur me temën: “Auditimi i sektorit publik dhe stabiliteti fiskal”. Ndërsa në panelin e dytë është disktuar lidhur me temën: “Raportimi mbi rezultatet e auditimit”. Në kuadër të këtij paneli ka prezantuar specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Aida Podrimaj. Kurse në panelin e tretë është diskutuar lidhur me temën: “Kontributi i auditimit të jashtëm në menaxhimin e qëndrueshëm të financave publike”. Me këtë rast, është mbajtur edhe ngjarja ceremoniale ku kanë marrë pjesë drejtuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme. Në këtë aktivitet fjalë përshëndetëse kanë mbajtur kryetar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq, si dhe znj. Bianca Breteche, zv shefe e programit të SIGMA. Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 19-të vjetorit të themelimit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Presidenti Milo Dukanovic ka organizuar pritje të veçantë për krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit pjesëmarrës në këtë ngjarje, në mesin e tyre edhe Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca. Me këtë rast z. Ðukanovic ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e institucioneve supreme të auditimit, rolin dhe kontributin e tyre për menaxhim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të parasë publike në vendet respektive. Auditorja e Përgjithshme, gjithashtu ka shfrytëzuar rastin që në këtë ngjarje të zhvilloj takime bilaterale me krerë të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve tjera pjesëmarrëse, me të cilët ka shkëmbyer përvojat dhe idetë për forcimin e rolit të auditimit të jashtëm në sektorin publik. Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi Të martën, Auditorja e Përgjithshme është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, znj. Ariana Zherka Hoxha, me të cilën kanë biseduar për auditimin e jashtëm, forcimin e kontrollit dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike në Kosovë. Në këtë vizitë, Auditorja e Përgjithshme është shoqëruar nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, si dhe specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë, Aida Podrimaj.
Auditorja e Përgjithshme po qëndron për vizitë zyrtare në Itali

Auditorja e Përgjithshme po qëndron për vizitë zyrtare në Itali

Përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale në fokus të takimit të liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në Romë  Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, të enjten në Romë kanë marrë pjesë në takimin e parë të grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale, i cili operon nën qëllimin e parë strategjik të EUROSAI-t. Presidenti i Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Guido Carlino, në fjalën e tij përshëndetëse për të pranishmit, ka folur për rëndësinë e auditimeve në kohë reale sidomos në situata emergjente dhe rritjen e interesimit dhe domosdoshmërinë për kryerjen e këtyre auditimeve nga Institucionet Supreme të Auditimit. Z. Carlino ka vlerësuar kontributin e përfaqësuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit në këtë grup duke u shprehur se aktivitetet e së ardhmes do të shërbejnë për të rritur edhe më shumë sigurinë në përdorimin dhe menaxhimin e parasë publike në kohë reale. Qëllimet e Grupit të Projektit më gjerësisht i ka prezantuar kryetari i Dhomës për Auditimin e Performancës në Menaxhimin e Administratave Shtetërore njëherësh drejtues i Zyrës së Çështjeve Ndërkombëtare të Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Mauro Orefice. Ndërsa presidenti i Dhomës – Kryetari i Bordit për Auditimin në kohë reale, Massimiliano Minerva,  ka prezantuar një përmbledhje/pasqyrë të auditimit në kohë reale në Itali. Në kuadër të këtij takimi kontributin e tyre e kanë dhënë edhe liderët/përfaqësuesit nga Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave sa i përket  përfitimeve dhe metodologjive të auditimit në kohë reale. Spanca dhe Carlino flasin për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional Në kuadër të vizitës në Itali, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, është pritur në takim të veçantë nga Presidenti i Gjykatës së Auditorëve të Italisë, Guido Carlino, i cili ka shprehur gatishmërinë e institucionit të tij për bashkëpunim ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale, si dhe në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Znj. Spanca e ka falënderuar homologun e saj për pritjen si dhe ka mirëpritur bashkëpunimin në mes të dy institucioneve në fushat me interes të përbashkët. Me këtë rast ajo ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi bilateral me homologët italianë në zhvillimin e mëtejmë profesional të personelit auditues të ZKA-së si dhe rritjen e cilësisë së auditimeve. Auditorja e Përgjithshme takoi ambasadoren e Kosovës në Itali Po ashtu Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten është takuar edhe me ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasimi, të cilën e ka njoftuar për punën audituese, sfidat dhe rezultatet e auditimit. Me këtë rast ambasadorja Haxhitasimi ka falënderuar znj. Spanca për vizitën, si dhe ka përgëzuar për punën e deritanishme të Zyrës Kombëtare të Auditimit e cila kontribuon në menaxhimin më të mirë të parasë publike në shtetin e Kosovës.
ZKA-ja fillon publikimin e raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023

ZKA-ja fillon publikimin e raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023

Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar gjetjet kryesore dhe rekomandimet për tri raportet e performancës: “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”; “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”; si dhe “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.

Znj. Spanca ka bërë me dije se rezultatet e auditimit për “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, tregojnë se MMPHI-ja në vitin 2021 kishte kontraktuar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë afër gjashtë milionë euro përmes 26 kontratave aneks. 13 prej tyre janë audituar dhe vlera e tyre është mbi 4 milionë euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura me këtë procedurë. Ndërsa për katër prej këtyre projekteve, kosto shtesë e përllogaritur përtej vlerës së kontratave aneks është mbi 4.3 milionë euro.

Ky auditim ka vënë në pah se përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë, prandaj MMPHI-ja në këto raste do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur. Po ashtu nga 13 kontrata për ndërtimin e rrugëve në 10 prej tyre nuk janë zbatuar afatet e përcaktuara dhe punët ende janë të pa përfunduara. Për të siguruar se projektet që inicion Ministria janë në përputhje me kushtet në terren, zbatohen plotësisht dhe pa sfida të mëdha si dhe përfundohen me kohë e cilësinë e kontraktuar, ZKA-ja ka dhënë 11 rekomandime, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme.

Sa i përket auditimit “Mbështetja e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë /KIESA” që përfshin periudhën 2019-2022, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se MINT-i/KIESA nuk kanë arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NVM-ve dhe Zonave Ekonomike. Po ashtu Zonat Ekonomike të themeluara nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e ndërmarrjeve në vend, duke i lënë investitorët të presin me vite për zgjerimin e hapësirave të biznesit dhe rritje të prodhimit dhe të punësimit.

Gjithashtu znj. Spanca ka deklaruar se MINT-i nuk ka zhvilluar strategji dhe politika për NMV dhe orientimin e tyre drejt transformimit dhe ngritjes së cilësisë dhe eksportit të produkteve të tyre drejt tregjeve të BE-së. Nga viti 2005 deri në dhjetor të vitit 2022 kur është realizuar procesi i auditimit janë të themeluara 10 Zona Ekonomike prej të cilave katër funksionojnë si: Parku i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime, si dhe Parku Industrial në Suharekë. Me qëllim të rregullimit të sistemit të përkrahjes së NMV-ve dhe zhvillimin e Zonave Ekonomike, ZKA-ja ka dhënë një rekomandim për qeverinë dhe shtatë për MINT/KIESA. Kurse sa i përket auditimit të “Sistemeve të Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina“ i cili është zhvilluar si projekt paralel me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH), Auditorja e Përgjithshme ka thënë se KRU Prishtina nuk ka mjedis efektiv të kontrollit për të ruajtur integritetin dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së, duke ndikuar kështu në mos arritjen e plotë të qëllimeve të ndërmarrjes dhe zbehur besueshmërinë e sistemeve të saj. Gjetjet e auditimit ndërlidhen me qeverisjen e teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, sigurinë e informacionit, vazhdimësinë e proceseve/sistemeve të TI-së, si dhe kontrollet e aplikacionit.

Për sa i përket qeverisjes se teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, ZKA-ja ka vërejtur se mungon planifikimi strategjik i TI-së,si dhe politikat dhe procedurat që e rregullojnë këtë fudshë. Ndërmarrja nuk ka të vendosur strukturë adekuate dhe të plotë organizative të TI-së, duke rrezikuar kështu mos përdorimin efektiv të burimeve për arritjen e objektivave. Në fushën e Sigurisë se Informacionit, mangësitë e identifikuar ndërlidhen me vlerësimin e rrezikut, politikat e sigurisë së informacionit, menaxhimin e aseteve, burimet njerëzore dhe sigurinë e TI-së, si dhe kontrollet e qasjeve.

Në aspektin e Kontrolleve të aplikacionit është vërejtur se në aplikacionet që përdorë Kompania kishte mungesë të kontrolleve të vlefshmërisë gjatë vendosjes së të dhënave. Me qëllim të adresimit të këtyre çështjeve të identifikuara ZKA-ja ka dhënë 18 rekomandime për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina. Më tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka njoftuar gazetarët edhe për zbatimin e Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 i cili ka paraparë realizimin e 134 auditime financiare, të pajtueshmërisë, performancës, prokurimit dhe Teknologjisë se Informacionit.

Znj. Spanca ka bërë me dije se aktualisht ZKA-ja është në proces të punës në teren dhe finalizimit të raporteve dhe gjatë këtij muaji do të publikohen dhjetëra sosh si: Ministria e Drejtësisë, Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Deçanit, Komuna e Vushtrrisë, Komuna e Ferizajt, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti” – Mitrovicë, “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe përmirësimin e shërbimeve në KRU”, “Efektiviteti dhe ekonomia në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit (riatdhesimit)”, “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencia e Shoqërisë së Informacionit MPB” si dhe raporte të tjera për institucionet e pavarura, nivelit qendror dhe atij lokal.