Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA-ja dhe shoqëria civile shqyrtojnë tema me rëndësi për auditime të performancës

ZKA-ja dhe shoqëria civile shqyrtojnë tema me rëndësi për auditime të performancës

Partneriteti me organizatat e shoqërisë civile, shoqatat profesionale dhe donatorët vazhdon të fuqizohet përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit, u tha të enjten nga drejtuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë tryezës me përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave profesionale dhe donatorëve. E quajtur “Auditimet e performancës në fokus të bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe shoqërisë civile,” tryeza kishte qëllimin e përbashkët të identifikimit të çështjeve me interes publik për t’u audituar në sezonin auditues 2023/2024. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se tryeza sot përbën një hap tutje në vazhdimësinë e bashkëpunimit, gjithnjë me premisën për të rritur besimin e publikut në punën e ZKA-së. Përzgjedhja e temave të auditimeve të performancës bëhet me kujdes; ato duhet të jenë materiale për nga ana financiare apo sociale, të atilla që u shtojnë vlerë aktiviteteve aktuale të administratës publike. E para e institucionit tha se në përzgjedhjen e fushave për t’u mbuluar me auditimet e performancës, prokurimit dhe TI-së, do të merren parasysh edhe qëllimet e Agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 (SDG), si dhe do të shihet mundësia për përfshirjen e auditimeve për ndryshime klimatike. Ndërsa Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi - Morina,  përgjegjëse edhe për mbikëqyrjen e auditimeve të performancës, prokurimit dhe IT-së, prezantoi propozimet e ZKA-së për temat e auditimit për sezonin në fjalë. Ajo informoi se ZKA-ja identifikoi 21 propozime të temave të mundshme të auditimit të performancës, nga të cilat, 11 janë në performancë,  5 në prokurim dhe 5 në Teknologji të Informacionit. Përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave profesionale dhe donatorët vlerësuan lartë bashkëpunimin e deritanishëm me ZKA-në, duke e përgëzuar për auditimet e kryera gjatë këtij viti si dhe temat e propozuara për sezonin auditues 2023/2024. Këta theksuan se të gjitha temat janë të qëlluara, dhe vështirë të përjashtohet njëra apo tjetra. Për më shumë, u tha se duhet trajtuar edhe temat që prekin aspektin e barazisë gjinore dhe atë social, me rekomandimin se ato duhet përfshirë edhe sektorin e energjisë, menaxhimin e resurseve humane në sektorin publik, mungesën e bordeve, etj. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj përmbylli tryezën duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë. Ai tha se diskutimi dhe propozimet nga shoqëria civile, shoqatat profesionale dhe donatorët i shtojnë vlerë punës së ZKA-së e cila përmes auditimeve në fusha të ndryshme, kontribuon në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
ZKA-ja: Ministria për Komunitete dhe Kthim kontraktoi ndërtimin e shtëpive për të kthyerit për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

ZKA-ja: Ministria për Komunitete dhe Kthim kontraktoi ndërtimin e shtëpive për të kthyerit për 832 mijë euro më shtrenjtë se çmimet e tregut

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Ekonomiciteti  dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit”. Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë nëse Ministria ka arritur të kontraktojë ndërtimin e shtëpive për të kthyerit me çmime të arsyeshme duke u bazuar në analiza paraprake të mirëfillta. Po ashtu, ky auditim ka vlerësuar nëse këto shtëpi janë ndërtuar plotësisht, nëse ndërtimi është bërë brenda afateve kohore sipas planit dhe limiteve buxhetore. Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar kontratat për ndërtimin e shtëpive për periudhën 2017-2022, në vlerë prej mbi 8.2 milionë euro dhe auditimi përfshinë vlerësimin e nevojave, përcaktimin e vlerës së parashikuar të kontratës, arritjen e ekonomisë gjatë kontraktimit dhe ndërtimit të shtëpive dhe efikasitetin në përmbushjen e këtyre kontratave. Subjekt i këtij auditimi është Ministria për Komunitete dhe Kthim. Auditimi ka konstatuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ishte ekonomike në kontraktimin e ndërtimit të shtëpive. Mangësitë ishin evidente nga faza e vlerësimit dhe arsyeshmërisë së  nevojave dhe  hulumtimi i çmimeve të tregut. Ministria kishte filluar procedurat e prokurimit pa pasur informacionet e duhura për përfituesit dhe statusin e tyre të banimit. Praktika e tillë ishte përsëritur edhe në kontratën e dytë pavarësisht problemeve të hasura në kontratën e parë. Ministria ka kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 832,033 euro më shtrenjtë se sa çmimet e tregut, kjo vetëm duke krahasuar së paku me çmimet e Administratës Tatimore të Kosovës. Ministria kishte ndërtuar shtëpi jashtë planit të përcaktuar në projektin kryesor duke ndërtuar edhe shtëpi të cilat në dukje kanë specifika tjera. Kishte dallime të konsiderueshme ndërmjet pozicioneve të kontraktuara për ndërtimin e shtëpive dhe pozicioneve që aktualisht ishin përdorur gjatë ndërtimit të shtëpive. Progresi i Ministrisë në përmbushjen e kontratës së dytë për ndërtimin e shtëpive ishte dukshëm më i ngadalshëm se sa ishte planifikuar. Me këtë kontratë ishte planifikuar që brenda tri viteve të ndërtoheshin 150 shtëpi, ndërsa për 29 muaj (2.4 vite) ishin ndërtuar vetëm 26 shtëpi. Ministria nuk ishte ekonomike në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit sepse nuk kishte bërë vlerësim të duhur të nevojave, si në aspektin e pozicioneve të nevojshme ashtu edhe në numrin e shtëpive që do të ndërtohen. Po ashtu, Ministria nuk ka kryer hulumtimin e duhur të çmimeve të tregut dhe nuk ka arritur të përcaktojë vlerën e parashikuar të kontratës në mënyrë të duhur. Ministria kishte kontraktuar ndërtimin e shtëpive për 4.4 milionë euro për kontratën e parë dhe 3.8 milionë euro për kontratën e dytë. Mirëpo, nëse Ministria do t'i kishte përfshirë vetëm pozicionet që janë shfrytëzuar realisht, mund t'i kontraktonte ato për 2.4 milionë euro dhe 2.1 milionë euro. Për më tepër, pozicionet e papërdorura kishin çmime dukshëm më të ulëta, pavarësisht se shërbenin për të njëjtin qëllim (p.sh. materiale izoluese, dyer dhe dritare). Mangësi kishte edhe menaxhimi i kontratave sepse nuk ka plane dinamike për secilën shtëpi dhe ndryshimet në pozicione nuk ishin evidentuar. Kombinimi i ndërtimeve jashtë planeve sipas projekteve kryesore, mospërputhjet në pozicione, pagesat për punët e papërfunduara dhe progresi i ngadaltë në përmbushjen e kontratës së dytë janë ndër gjetjet kryesore që i kanë kontribuar Ministrisë për të mos siguruar strehim adekuat për të kthyerit. Raportin e plotë të auditimit të performancës “Ekonomiciteti  dhe efikasiteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” e gjeni këtu.  
Auditorët e ZKA-së trajnohen për auditime investigative

Auditorët e ZKA-së trajnohen për auditime investigative

Auditorët nga Zyra Kombëtare e Auditimit si Ajtene Llapashtica, Auditore financiare dhe Labinot Sadiku, Auditor Senior i Performancës, ndoqën Shkollën Verore të EUROSAI-t për auditime investigative nga 2 - 6 korrik 2023, në Hagë të Holandës. Në kuadër të programit, auditorët tanë me kolegë nga Britania e Madhe, Franca, Lituania, Shqipëria, Belgjika, Italia etj, patën rastin të mësojnë më shumë për metodologjinë, studimin e rasteve, pyetjet investigative dhe prezantimin e rezultateve të auditimit investigativ. Më tutje, u prezantuan edhe metodat e auditimit, rastet e studimit dhe procedurat e tjera të cilat ndërlidhen me procesin e auditimit. Trajnimi u mbajt nga përfaqësues të Institucioneve Supreme të Holandës dhe të Britanisë së Madhe, dhe kishte qëllim ndarjen e përvojave të vendeve të ndryshme për auditimet investigative. Temat e auditimeve investigative, realizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Britanisë së Madhe ishin për “Auditimin e COVID 2019,” ndërsa ato nga Institucioni Suprem i Auditimit i Holandës ishin “Gripi i Shpendëve në Holandë,” “Siguria e Objekteve të Ushtrisë,” etj. Auditimet investigative kishin filluar të realizohen kryesisht nga viti 2019, dhe varësisht nga nevoja. Ndërsa, periudha e realizimit të tyre ishte 12-13 javë. Qëllimi i këtyre auditimeve është kryesisht  prezantimi i gjendjes në fusha të ndryshme përmes analizimit të të dhënave dhe vlerësimit të  funksioneve të sistemeve dhe proceseve. Këto auditime nuk kanë për qëllim dhënien e konkluzioneve dhe rekomandimeve, megjithatë nuk kanë kufizime në këtë aspekt.
Auditorët e ZKA-së ndjekin modulin e tretë të trajnimit për auditimin e performancës

Auditorët e ZKA-së ndjekin modulin e tretë të trajnimit për auditimin e performancës

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Mimozë Selimi, Ernes Beka, Vjosa Zeqiraj, Lirak Mulliqi dhe Laureta Matoshi ndoqën modulin e tretë të trajnimit për auditimin e performancës, organizuar në Vlorë nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Trajnimi i takoi nivelit regjional, me pjesëmarrje edhe të auditorëve nga Institucionet Supreme të Auditimit të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, ndërsa përqendrimi ishte të zhvillimi i punës praktike, shkëmbimi i përvojës me auditorët e shteteve pjesëmarrëse dhe aplikimi i teknikave më të mira të bazuara në standardet ndërkombëtare të auditimit. Në kuadër të modulit të tretë të trajnimit, pjesëmarrësit punuan në finalizimin e memove parastudimore ku u trajtuan aspektet e dizajnit të auditimit dhe metodat për mbledhjen e të dhënave. Trajnimi për auditimin e performancës është i ndarë në gjashtë module, për t’u mbajtur deri në fund të vitit 2023.  
Auditori i Përgjithshëm: Menaxhimi jo i mirë i projekteve të teknologjisë së informacionit nga ASHI-ja, ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin

Auditori i Përgjithshëm: Menaxhimi jo i mirë i projekteve të teknologjisë së informacionit nga ASHI-ja, ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) nuk ka arritur të jetë efektive në realizimin e projekteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin në qasjen e tyre për institucionet shtetërore dhe qytetarët përmes platformave elektronike. Auditimi ka nxjerr në pah se menaxhmenti i ASHI-së nuk ka siguruar qeverisje të mirë të teknologjisë së informacionit, nuk ka bërë analizë të mjaftueshme për të identifikuar nevojat dhe zgjidhur problemet përmes projekteve të reja dhe me prioritet, ka mungesë të planit të menaxhimit të rrezikut, vonesa në zbatimin e projekteve, orientim jo të mirë të buxhetit si dhe është ekspozuar ndaj rrezikut me ndaljen e shërbimeve të internetit për institucionet e Republikës së Kosovës. Po ashtu në zhvillimin e projekteve Agjencia ka paguar rreth 506 mijë euro për shërbime dhe licenca të cilat nuk janë realizuar, por edhe të tilla që edhe pse janë blerë nuk janë shfrytëzuar. Për shkak të menaxhimit jo të mirë të kontratës, janë realizuar porosi për licenca të cilat nuk janë shfrytëzuar dhe kishin krijuar shpenzime në vlerën 440,973 euro. Për më tepër për numrin e licencave për universitete, në vitin 2020 ASHI-ja ka bërë porosi në vlerë prej 65 mijë euro sipas kërkesës së operatorit ekonomik dhe jo sipas nevojës së tyre. Gjithashtu, ASHI-ja nuk e ka trajtuar me kujdes sigurinë e informacionit, duke shkaktuar paqartësi në raste të klasifikimit të informacioneve dhe shpalosjen e tyre pa i vlerësuar dhe deklasifikuar ato paraprakisht; nuk ka specifikuar kërkesën për kufizimin e trafikut nga interkoneksionet rajonale të pasigurta për vendin; si dhe nuk ka zbatuar nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit për të gjithë stafin e operatorëve ekonomik që kanë qasje në informacionin dhe infrastrukturën shtetërore të teknologjisë së informacionit. Lidhur me këtë auditim Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi  se  Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka qenë efektive në menaxhimin e projekteve të teknologjisë së informacionit duke ndikuar në mosrealizimin e shërbimeve, në mostrajtimin e duhur të sigurisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin. Me qëllim të përmirësimit të procesit të menaxhimit të projekteve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit. Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit” e gjeni këtu.
Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mbajti konferencë për media, ku prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet për 97 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë dhe një raporti të auditimit të performancës.  Ajo tha se Plani Vjetor i Auditimit kishte paraparë 101 auditime të detyrueshme me ligj, 97 sosh përfunduan, ndërsa, edhe pse ishte iniciuar, procesi i auditimit në katër komunat veriore nuk është zhvilluar për shkak të rrethanave të krijuara. Znj. Spanca tha se nga 97 auditime, 51 u takojnë institucioneve qendrore, 34 institucioneve lokale, 12 ndërmarrjeve publike, përfshirë RTK-në si dhe KEK-un, i cili këtë vit është audituar për herë të parë në aspektin e Pasqyrave Financiare. Ndërsa, nga 18 auditimet e performancës, deri më tani janë kryer shtatë prej tyre, ndërsa 11 janë në proces. Po ashtu sipas Planit, edhe 11 projekte të donatorëve janë në proces të ekzekutimit të auditimit. Gjithashtu në proces janë edhe dy auditime të pajtueshmërisë për informacionet e klasifikuara në nivel të kufizuar, njëri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe tjetri në Ministrinë e Drejtësisë. Para gazetarëve Auditorja e Përgjithshme prezantoi opinionet e auditimit për 97 institucione, prej të cilave 58 janë të pa modifikuara, ndërsa 39 janë të modifikuara. Në 51 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë që i përkasin  institucioneve qendrore janë dhënë 39 opinione të pamodifikuara, 12 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara. Kurse në 34 komuna janë dhënë 16 opinione të modifikuara, përkatësisht të kualifikuara, si dhe 18 opinione të pa modifikuara. Ndërsa te 12 ndërmarrje publike janë dhënë 8 opinione të kualifikuara, 3 opinione të kundërta dhe 1 opinion i pamodifikuar për Pasqyrat Vjetore Financiare. Znj. Spanca ka deklaruar se krahasuar me vitin paraprak, cilësia e raportimit financiar është përmirësuar, si dhe ka ulje të numrit të opinioneve të modifikuara te 7 institucione qendrore dhe 6 komuna. Gjithashtu edhe të ndërmarrjet publike ka një përmirësim të opinionit, nga 10 të kundërta që ishin për vitin 2021, për 2022 janë 7 më pak, pavarësisht se pothuajse të gjitha kanë opinion të kualifikuar. “Më gëzon fakti se këtë vit, institucionet publike kanë bërë përmirësime në cilësinë e raportimit financiar sepse kjo e rrit besueshmërinë në Pasqyrat Financiare”, është shprehur znj. Spanca. Më tutje, ajo prezantoi çështjet më të theksuara të cilat kanë ndikuar në modifikimin e opinionit të auditimit si: Keq klasifikimet financiare në kategori të ndryshme ekonomike; Prezantim jo i saktë, jo i plotë dhe jo adekuat i pasurive publike; Mbivlerësimet apo nënvlerësimet e zërave të ndryshëm të pasqyrave financiare; Mos prezantimi dhe mos shpalosja adekuate e detyrimeve të papaguara dhe atyre kontingjente; si dhe Pagesa për punë të pa kryera apo mallra dhe shërbime të pa pranuara. Përveç dhënies së opinionit të auditimit për PVF-të, ZKA-ja ka vlerësuar edhe pajtueshmërinë e aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave buxhetore dhe institucioneve tjera publike me kornizën ligjore në fuqi. Znj. Spanca ka treguar se rezultatet e auditimit nxorrën në pah se edhe më tutje ekzistojnë parregullsi thelbësore në menaxhimin financiar dhe kontrollet. Parregullsitë janë të përhapura pothuajse në secilin cikël dhe fushë të shpenzimeve. Në fushën e prokurimit publik në auditimet e vitit 2022 janë identifikuar 198 gjetje që përfshijnë investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet, kryesisht në ministri dhe komuna. Ndërsa sa i përket analizës së bërë për 12 ndërmarrje publike, përfshirë edhe RTK-në mbi rezultatin financiar (fitimi/humbja) vërehet se pesë prej tyre kanë operuar me humbje në vlerë mbi 10 milionë euro, ndërsa shtatë kanë realizuar një fitim mbi 110 milionë euro. Pjesën më të madhe të humbjeve për vitin 2022 e kishte Ndërmarrja Publike Banesore në shumën prej 4.3 milionë euro, e pasuar nga Telekomi i Kosovës në vlerë prej 3.8 milionë euro kurse fitimin më të madh e kishte realizuar KEK-u në shumën mbi 105 milionë euro. Sidoqoftë, krahasuar me vitin paraprak në 4 ndërmarrje publike vërehet një trend pozitiv në uljen e humbjeve nga të cilat kryeson Telekomi i Kosovës. Auditorja e Përgjithshme ka folur edhe për realizimin e planit për auditime të performancës, duke treguar se deri më tani janë publikuar gjashtë, si dhe raporti i auditimit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”,  i cili do të publikohet nesër. Ajo iu referua edhe fillimit të procesit nga Departamenti për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit për analizimin e raporteve të publikuara të auditimit dhe identifikimin e rasteve të dyshimit për kryerjen e veprave penale, të cilat më pas do të dërgohen te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. Për të përmirësuar menaxhimin financiar dhe kontrollin, ZKA-ja ka dhënë gjithsej 768 rekomandime përmes raporteve të auditimeve për vitin 2022, që krahasuar me vitin e kaluar janë 134 rekomandime më pak. Znj. Spanca ka treguar se rekomandimet kanë qëllim përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave. Kjo padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e përgjithshëm të menaxhimit më të mirë të parasë publike dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara. Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, rekomandoi drejtuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete që paraja publike të shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar.  Më tutje, ajo kërkoi që brenda afatit ligjor, organizatat buxhetore të përgatisin planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së.
Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave, Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores se Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2022/23 dhe procesit të publikimit të rezultateve të auditimit për vitin 2022/23. Konferenca do të mbahet:  

Të martën me datë 04.07.2023

në ora 11:00

në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit,

Lagjja Arbëria, Rr.Ahmet Krasniqi, 210

Prishtinë

Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore të paraqitura në raportet e auditimit të rregullsisë dhe performancës/opinionet dhe parregullsitë kryesore të cilat ZKA-ja i ka identifikuar përmes auditimeve për vitin 2022. Ju mirëpresim!
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës nikoqire e aktivitetit të radhës në kuadër të Rrjetit

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës nikoqire e aktivitetit të radhës në kuadër të Rrjetit

Në margjinat e takimit vjetor të Komitetit të Kontaktit, më 20 qershor 2023, në Lisbonë është mbajtur takimi i zyrtarëve ndërlidhës të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve. Pjesë e takimit ishte edhe udhëheqësja e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Qendresë Mulaj. Pjesëmarrësit gjatë takimit njëditor kanë diskutuar për aktivitetet e fundit të Rrjetit, sfidat, si dhe prioritetet për të ardhmen. Fokusi i punimeve të takimit ishte rishikimi i Kornizës së bashkëpunimit të Rrjetit si dhe Plani i punës 2022-2025, zbatimi dhe prioritetet për të ardhmen. Më tutje, është raportuar mbi aktivitetet e realizuara dhe rezultatet e arritura deri tani, siç janë: webinari i Menaxhimit të Cilësisë, mbajtur më 13 prill 2023, tryeza e rrumbullakët për angazhimin e palëve të interesit, mbajtur në Sarajevë më 5 dhe 6 qershor 2023, si dhe realizimi i programit të trajnimit në nivel regjional për auditorët e performancës. Ndërsa sa i përket planifikimit për aktivitetet e radhës, është vendosur që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës të jetë nikoqire e punëtorisë me temën “Auditimet e pajtueshmërisë,” e cila do të mbahet në Prishtinë në tetor të këtij viti, në margjinat e shënimit të 20-të vjetorit të themelimit të ZKA-së. Aktiviteti pasues do të mbahet gjatë vitit 2024, në Mal të Zi nën organizimin e Zyres Shtetërore të Auditimit të këtij vendi me temën “Auditimi i buxhetit të shtetit”. Ndër të tjera, zyrtarët ndërlidhës janë dakorduar edhe për modalitetet e organizimit dhe përgatitjes së takimeve të Auditorëve të Përgjithshëm dhe Presidentëve, zhvillimeve të fundit dhe mbi teknikalitetet e tjera të punës në kuadër të Rrjetit. Takimi është kryesuar nga përfaqësuesit e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnje dhe Hercegovinës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Turqisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Serbisë, si dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve. Si partnerë të jashtëm morën pjesë edhe përfaqësuesit e SIGMA si dhe ata të Grupit Punues për Aktivitete të Përbashkëta Audituese të Komitetit të Kontaktit.
Zyra Kombëtare e Auditimit pjesë e grupit punues për zhvillimin e Manualit Aktiv të Auditimit të TI-së në Varshavë

Zyra Kombëtare e Auditimit pjesë e grupit punues për zhvillimin e Manualit Aktiv të Auditimit të TI-së në Varshavë

Më 19 dhe 20 qershor Poliksena Berisha dhe Shqipe Mujku Hajrizi, auditore nga Departamenti i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit në ZKA, morën pjesë në takimin e grupit punues për zhvillimin e Manualit Aktiv të Auditimit, mbështetur nga Hapësira e Kontrollit të e-Qeverisjes. Takimi u mbajt në Institucionin Suprem të Auditimit në Poloni, i paraprirë nga trajnimet për ekipet e auditimit në ZKA, mundësuar më parë nga partneriteti me projektin polak të Binjakëzimit, dhe nëngrupit EUROSAI ITWG e-Gov. Pjesëmarrësit në takim shqyrtuan ide për zhvillimin e këtyre dy veglave të punës audituese, duke i krahasuar ato me përvojën dhe pikëpamjet e prezantuara nga auditoret e  Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës mbi funksionalitetet e veglës  “Manuali Aktiv i Auditimit – AITAM”, mbështetjen e ofruar nga “Hapësira e Kontrollit të e-Qeverisjes –CUBE” dhe aplikimin e Manualit të Auditimit të TI-së të INTOSAI IDI-WGITA gjatë punës audituese. Rezultatet e dukshme të punëtorisë u trajtuan më tutje si dokument për avancimin e veglave të punës dhe Manualit të Auditimit të TI-së të INTOSAI IDI-WGITA, duke shërbyer kësisoj si avancim i mëtejmë në hap me trendin e zhvillimeve në TI-së.
Zbatimi i kornizës rregullative të prokurimit publik, interes i përbashkët i institucioneve të vendit

Zbatimi i kornizës rregullative të prokurimit publik, interes i përbashkët i institucioneve të vendit

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, morën pjesë në takimin e rregullt “Bashkëpunimi i Institucioneve të Kosovës në Fushën e Prokurimit Publik në Kosovë”,  organizuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) në bashkëpunim me Aktivitetin e USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës,  ftuar me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar zbatim të vazhdueshëm të kornizës rregullative të prokurimit publik. Takimi mblodhi përfaqësues nga Prokuroria e  Shtetit, Policia e Kosovës, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Agjencia për Parandalim të Korrupsionit, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Agjencia Qendrore e Prokurimit, si dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët iu referuan temës në fjalë nga këndvështrimi i institucionit që drejtojnë. Ndërkaq, e para e institucionit tonë, znj. Vlora Spanca theksoi se prokurimi publik përbën fushë me fokus kryesor në auditim, me interes për Kuvendin dhe qytetarët e Kosovës. Shumica e gjetjeve të identifikuara përmes auditimit i referohen kësaj fushe, me fokus në investimet kapitale. “Mbi këtë bazë, ZKA-ja në sezonin auditues 2022-2023 ka planifikuar dhe është në proces të përfundimit të 134 auditimeve, me objektivë kryesore prokurimin publik”, tha znj. Spanca, duke shtuar se përmes punës audituese, ZKA kontribuon që prokurimi publik të jetë proces transparent dhe llogaridhënës.
Dhjetëra punonjës të ZKA-së bëhen pjesë e aktivitetit për dhurim të gjakut

Dhjetëra punonjës të ZKA-së bëhen pjesë e aktivitetit për dhurim të gjakut

Në kuadër të Javës së dhurimit vullnetar të gjakut 29 punonjës të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) të mërkurën kanë dhuruar gjak.  Aktiviteti  i përvitshëm i dhurimit të gjakut është organizuar me iniciativë të Sindikatës së ZKA-së, me përkrahjen e menaxhmentit, si dhe në koordinim me Qendrën Kombëtare për Transfuzion të Gjakut. Dhurimi vullnetar i gjakut është shndërruar në një traditë në ZKA, prandaj interesimi i punonjësve për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti është në rritje të vazhdueshme. Duke shprehur gatishmërinë e tyre për të dhuruar gjak si dhe duke promovuar moton “Dhuroni gjak, shpëtoni jetë” punonjësit e ZKA-së inkurajuan të gjithë ata që kanë shëndet të mirë të dhurojnë gjak. Përfaqësuesit e Sindikatës së ZKA-së falënderuan të gjithë punonjësit për realizimin me sukses të këtij aktiviteti human. Aksioni i ZKA-së për dhurimin e gjakut është mirëpritur dhe përshëndetur nga zyrtarë të Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut.
ZKA-ja mori pjesë në punëtorinë mbi mësimet e nxjerra nga procesi i programimit të IPA 2024

ZKA-ja mori pjesë në punëtorinë mbi mësimet e nxjerra nga procesi i programimit të IPA 2024

Në kuadër të përfitimeve nga projekti për asistencë teknike, financuar nga Bashkimi Evropian, Zyra e kësaj të fundit në Kosovë organizoi punëtori interaktive në Qendrën për Praktikë Rrëfyese ku u shqyrtuan mësimet e nxjerra nga procesi i programimit të IPA 2024 – Dritarja Tematike 1 dhe 2, udhëhequr nga ekspertet e larta ndërkombëtare për Programet IPA znj. Valeria Valeri dhe znj. Luisa Rizzo. Trajnimi mblodhi përfaqësues nga sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe ata nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza z. Ramadan Gashi,  Auditorja Seniore znj. Selvete Foniqi si dhe Udhëheqësja e Kabinetit znj. Shqipe Çavdarbasha mirëpritën udhëzimet, veçanërisht ato mbi hartimin e Termave të Referencës dhe Kornizës Logjike. Pas studimit të Arsyetimit të Veprimit dhe draft matricës së kornizës logjike, pjesëmarrësit ushtruan elaborimin e Termave të Referencës përmes hartimit të listës së aktiviteteve për t’u mbështetur nga ndihma teknike e jashtme. Punëtoria e radhës parashihet të mbahet në shtator dhe do të shqyrtojë gjithë procedurën e binjakëzimit.