Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Tre auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në Programin e Trajnimit për Auditim të Performancës

Tre auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në Programin e Trajnimit për Auditim të Performancës

Nga 23 deri më 27 mars 2026, në Stokholm të Suedisë u mbajt moduli përmbyllës i programit të trajnimit njëvjeçar për auditim të performancës, i cili përfundoi me certifikimin e pjesëmarrësve të suksesshëm. 

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës në këtë program morën pjesë dhe u certifikuan auditorët Edona Abazi, Gazmend Namani dhe Gëzim Krasniqi. Ndërsa Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, Arben Selimi, mori pjesë si fasilitues (trajner), duke ofruar ekspertizën dhe përvojën e tij me auditorët e rinj nga vendet e rajonit dhe disa vende të Evropës lindore. 

Me rastin e ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit, Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, theksoi se është shumë krenare për arritjet e auditorëve të rinj, duke vlerësuar përkushtimin e tyre në programin njëvjeçar të trajnimit dhe rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve për auditimin e performancës në kuadër të procesit të integrimit evropian. 

Cikli njëvjeçar i trajnimit për auditimin e performancës është zhvilluar dhe mbështetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë në kuadër të Grupit të Përbashkët Punues për Aktivitetet e Auditimit për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Programi ka përfshirë gjashtë module njëjavore dhe shërbeu si platformë për zhvillim profesional dhe forcim të kapaciteteve të Institucioneve Supreme të Auditimit në fushën e auditimit të performancës.

Certifikimi i auditorëve në këtë program përfaqëson hap të rëndësishëm drejt fuqizimit profesional dhe institucional. Me këtë rast, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca përgëzon auditorët për përfundimin me sukses të programit. “Investimi në zhvillimin profesional të stafit është thelbësor për rritjen e cilësisë së auditimit dhe forcimin e rolit të institucionit. Njohuritë e fituara do të kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e auditimit të performancës dhe në rritjen e ndikimit të punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit”, u shpreh Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca. 

Auditorja e Përgjithshme takoi Ministrin  e Infrastrukturës dhe Transportit

Auditorja e Përgjithshme takoi Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, u pritën në takim pune nga Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ku diskutuan çështjet që lidhen me forcimin e llogaridhënies dhe transparencës në institucionet publike. 

Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe përmirësimin e menaxhimit financiar. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e rolit të auditimit në rritjen e efikasitetit në përdorimin e fondeve publike, si dhe zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së. 

Ndërsa Ministri Basha shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të adresimit të sfidave dhe avancimin e praktikave të mira në qeverisje.

 ZKA-ja ndër më të mirat në rajon për mbikëqyrjen e buxhetit sipas Anketës të Buxhetit të Hapur 2025

ZKA-ja ndër më të mirat në rajon për mbikëqyrjen e buxhetit sipas Anketës të Buxhetit të Hapur 2025

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) mirëpret rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur për vitin 2025 (OpenBudget Survey) për Kosovën, të publikuara nga International Budget Partnership (IBP), e realizuar nga Instituti GAP si partner i IBP-së. Për më shumë se 120 shtete në botë OBS në formë të pavarur vlerësoi tri fusha kryesore të qeverisjes dhe llogaridhënies që përfshin transparencën buxhetore, mbikëqyrjen legjislative dhe auditimin e pavarur si dhe pjesëmarrjen publike të qytetarëve.  

Rezultatet e OBS 2025 tregojnë se Kosova ka arritur t’i shënojë 57 pikë nga 100 gjithsej në fushën e transparencës buxhetore, ku vlerësohen vendet se sa të qasshme dhe gjithëpërfshirëse e kanë përmbajtjen e dokumenteve buxhetore. Në vlerësimin për pjesëmarrjen e qytetarëve, Kosova vlerësohet me 32 pikë gjithsej. Kjo tregon një performancë më të mirë në krahasim me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, e cila vjen më shumë për shkak të mekanizmave ligjor dhe proceseve të strukturuara që sigurojnë konsultime publike nga niveli lokal.  

Sa i përket mbikëqyrjes buxhetore nga legjislativi dhe auditimit të pavarur, Kosova ka një rezultat prej 61 pikësh. Tek mbikëqyrja nga Kuvendi, Kosova është vlerësuar me 50 pikë, kurse mbikëqyrja nga Zyra Kombëtare e Auditimit është vlerësuar me 84 pikë duke u renditur ndër shtetet e rajonit me performancën më të mirë.

Ky vlerësim tregon se ZKA ofron mbikëqyrje të lartë gjatë procesit të buxhetit. Po ashtu, edhe te pjesëmarrja publike ZKA ka kontribuar në vlerësime më të larta për shkak të përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve. ZKA ka bashkëpunim të mirë me OSHC dhe në baza vjetore organizon tryeza diskutimi për propozimin e temave të auditimeve të performancës të cilat pastaj mund të përfshihen në Planin Vjetor të Auditimit. Po ashtu performanca e ZKA-së është në përputhje me standardet ndërkombëtare duke kryer auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës me kapacitet të plotë profesional dhe në përmbushje të mandatit të saj. OBS gjithashtu vlerëson se ZKA përmes auditimeve mbulon të gjitha shpenzimet e institucioneve duke treguar nivel të lartë të mbikëqyrjes financiare. Edhe sa i përket pavarësisë institucionale, ZKA vlerësohet pozitivisht duke përfshirë emërimin e Auditorit të Përgjithshëm nga Kuvendi i Kosovës. Nga këndvështrimi i cilësisë dhe llogaridhënies, proceset e auditimit të ZKA-së janë rishikuar nga agjenci të pavarura ndërkombëtare të cilat kanë konstatuar përputhshmëri me standardet ndërkombëtare të auditimit. 

Për më shumë informata: https://internationalbudget.org/open-budget-survey/country-results/2025/kosovo

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në aktivitetin rajonal për llogaridhënien buxhetore

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në aktivitetin rajonal për llogaridhënien buxhetore

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën në Tiranë mori pjesë në aktivitetin rajonal “Nga Pajtueshmëria te Besueshmëria: Forcimi i Llogaridhënies Buxhetore në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, organizuar nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit. 

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile nga rajoni të cilët shkëmbyen përvojat e tyre dhe diskutuan për reformat e nevojshme për përmirësimin e qeverisjes financiare. 

Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan gjetjet rajonale të Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 dhe u diskutuan sfidat dhe mundësitë për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies buxhetore në vendet e rajonit. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, ishte panelist në Panelin 2 – “Pse boshllëqet e llogaridhënies kanë rëndësi tani: Buxhetet nën presion”, ku ndau përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e boshllëqeve të llogaridhënies si dhe theksoi rolin e auditimit në rritjen e besimit publik ndaj menaxhimit të financave publike. 

Z. Halilaj me theks të veçantë prezantoi para të pranishmëve nivelin e mbikëqyrjes efektive në lidhje me zbatimin e rekomandimeve të auditimit, por edhe praktikat e mira të ZKA-së në bashkëpunimin me shoqërinë civile në ndikimin e vendimeve për planifikimin dhe menaxhimin buxhetor. 

Në këtë aktivitet nga ZKA-ja mori pjesë edhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Blerim Kabashi.

ZKA dhe PEFA diskutojnë për vlerësimin e ri të financave publike

ZKA dhe PEFA diskutojnë për vlerësimin e ri të financave publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi Morina dhe Drejtori për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj të hënën priten në takim ekipin nga Programi i Shpenzimeve Publike  dhe Llogaridhënies Financiare – PEFA, kryesuar nga Nadia Trkić, Alban Kaçiu dhe Ardiana Gashi. 

Qëllimi i takimit ishte diskutimi  mbi  vlerësimin e ri të PEFA  2022–2024, me theks të veçantë në ndikimet klimatike dhe buxhetimin gjinor. Gjatë diskutimeve  u trajtuan  tema të rëndësishme që lidhen me  auditimet e performancës, përputhshmërinë e buxhetit me politikat klimatike, si dhe mënyrën se si auditimet adresojnë udhëzimet buxhetore dhe shpenzimet lidhur me klimën. 

Po ashtu u diskutua edhe për auditimin e performancës klimatike, vlerësimin e rezultateve të shpenzimeve dhe aspektet e decentralizimit që ndërlidhën me çështjet klimatike.   

Takimi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike në vend.

Auditorja e Përgjithshme takoi Drejtoreshën Ekzekutive të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Çertifikuar të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme takoi Drejtoreshën Ekzekutive të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Çertifikuar të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten priti në takim Drejtoreshën Ekzekutive të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Auditorëve të Çertifikuar të Kosovës (ShKÇAK), Teuta Ukshini Aliu, me të cilën diskutoi për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si dhe për iniciativat që kontribuojnë në forcimin e integritetit dhe cilësisë së raportimit financiar. 

Gjatë takimit Auditorja e Përgjithshme theksoi rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në avancimin e transparencës, llogaridhënies dhe menaxhimit të mirë financiar në sektorin publik në Kosovë, si dhe u vlerësua kontributi i vazhdueshëm në këtë drejtim. 

Znj. Spanca dhe znj. Ukshini Aliu u dakorduan për vazhdimin e të bashkëpunimit, veçanërisht në fusha që lidhen me zhvillimin e profesionit, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe promovimin e standardeve të larta të raportimit financiar dhe auditimit. 

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin edhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, dhe Drejtori i Përgjithshëm, Safet Berisha, si dhe nga ShKÇAK Udhëheqësja e Administratës dhe Burimeve Njerëzore, Enkela Gjata Sermaxhaj. 

Auditorja e Përgjithshme takoi Ministrin  e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Auditorja e Përgjithshme takoi Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, të martën u pritën në takim nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja. Takimi pati për qëllim njohjen më të afërt me çështjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe adresimin e tyre, në funksion të përmirësimit të fushave dhe proceseve që mbulohen nga kjo Ministri.

Znj Spanca e informoi z. Muja për çështjet e identifikuara nga auditimet e kryera, si dhe theksoi domosdoshmërinë e adresimit të rekomandimeve përkatëse në Ministri dhe Agjencitë vartëse të saj.

Ndërsa Ministri Armend Muja shprehu gatishmërinë e tij për të trajtuar dhe adresuar këto çështje duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e ZKA-së në përmirësimin e menaxhimit të parasë dhe pasurisë publike në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë.

 Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi  Gjithëpërfshirjen e organizuar nga EUROSAI

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë mbi Gjithëpërfshirjen e organizuar nga EUROSAI

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Drejtori i Auditimit, Shkelqim Xhema dhe Auditorja Seniore Ariana Rexhëbeqaj me 10 dhe 11 mars 2026 në Pragë morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Gjithëpërfshirjen (High Level Conference on Inclusiveness), të organizuar nga Zyra Supreme e Auditimit të Republikës Çeke në kuadër të EUROSAI-t, ku morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme evropiane. 

Konferenca trajtoi një sërë temash që lidhen me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e institucioneve në aktivitetet e kësaj organizate, përfshirë rëndësinë e përzgjedhjes së temave me prioritet, rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe komunikimin, si dhe aspektet financiare që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta. 

Zyra Supreme e Auditimit të Çekisë kishte përgatitur një analizë të detajuar të anketës së zhvilluar me Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) anëtare të EUROSAI-t për gjithëpërfshirjen, rezultatet e së cilës tregojnë se shumica e ISA-ve shprehin interesim të lartë për të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara por se për shkak të kapaciteteve institucionale dhe prioritizimit të përgjegjësive për realizimin e planeve vetanake ndikojnë që jo gjithmonë të arrijnë këtë. Në kuadër të konferencës u prezantuan rezultatet e anketës dhe u dhanë kontribute nga të ftuarit. 

Programi përfshiu edhe tryeza diskutimi ndërmjet pjesëmarrësve, të cilat shërbyen për shkëmbimin e ideve dhe përvojave lidhur me rritjen e nivelit të përfshirjes dhe pjesëmarrjes në aktivitetet e organizatës. 

Në përmbyllje të konferencës u prezantuan edhe konkluzionet kryesore, të cilat synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e bashkëpunimit dhe gjetjen e mekanizmave gjithëpërfshirës në aktivitetet e ardhshme të EUROSAI-t. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm takoi Ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm takoi Ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën u prit në takim nga Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, me të cilin biseduan për fushëveprimin dhe përgjegjësitë e kësaj Ministrie dhe bashkëpunimin ndër institucional në shërbim të forcimit të llogaridhënies. 

Z. Halilaj u njoftua nga Ministri Jagxhiu lidhur me përgjegjësitë e Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, si dhe për prioritetet për avancimin e shërbimeve digjitale dhe rritjen e efikasitetit në administratën publike. 

Po ashtu u diskutuan çështjet kryesore të identifikuara në auditimet që lidhen me këtë ministri, me fokus të veçantë në gjetjet dhe rekomandimet që dalin nga auditimet e teknologjisë së informacionit. 

Palët theksuan gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional, në funksion të përmirësimit të qeverisjes së mirë dhe shërbimeve për qytetarët. 

Pjesë e këtij takimi ishte edhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Auditorja Seniore e TI-së, Poliksena Berisha.

ZKA vazhdon të investojë në avancimin profesional të stafit

ZKA vazhdon të investojë në avancimin profesional të stafit

Përgjatë muajve janar dhe shkurt, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka mbajtur një seri trajnimesh për stafin, duke u fokusuar në zhvillimin profesional dhe përmirësimin e praktikave të auditimit. 

Trajnimet përfshinë menaxhimin e cilësisë sipas standardit SNISA 140, analizën e problemeve bazuar në teoritë e shkencave shoqërore, përdorimin e softuerit IDEA në nivel të avancuar, si dhe analizën e të dhënave dhe rolin e teknologjisë së informacionit në auditimin modern. 

Trajnimet mbuluan gjithashtu fazën e paraplanifikimit, mostrimin dhe vlerësimin e gabimeve, elementet e gjetjeve dhe formulimin e opinionit, si dhe sesione informuese për ndryshimet në kornizën ligjore dhe të rregulloreve të ZKA-së. 

Vëmendje e veçantë iu kushtua trajnimit për përdorimin e gjuhës së thjeshtë, për të siguruar që komunikimi dhe raportet të shkruhen qartë dhe të jenë të kuptueshme për të gjithë qytetarët.

ZKA auditon efektivitetin e përdorimit të kriterit “Tenderi Ekonomikisht më i Favorshëm” për dhënie të kontratës në prokurimin publik

ZKA auditon efektivitetin e përdorimit të kriterit “Tenderi Ekonomikisht më i Favorshëm” për dhënie të kontratës në prokurimin publik

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Efektiviteti i përdorimit të kriterit Tenderi Ekonomikisht më i Favorshëm (TEMF) për dhënien e kontratave në prokurimin publik”. 

Auditimi ka për qëllim të vlerësojë nëse organizatat publike e kanë zbatuar kriterin TEMF në mënyrë të duhur dhe efektive për të siguruar vlerën më të mirë për para. Ky kriter synon përzgjedhjen e ofertës që ofron kombinimin optimal ndërmjet cilësisë dhe çmimit/kostos, duke garantuar përdorim sa më efikas dhe racional të fondeve publike. 

Subjekt i këtij auditimi janë Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Komuna e Pejës dhe Komuna e Suharekës. 

ZKA dhe Prokuroria e Shtetit thellojnë bashkëpunimin në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale

ZKA dhe Prokuroria e Shtetit thellojnë bashkëpunimin në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit të mërkurën mbajtën punëtorinë “Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në identifikimin dhe referimin e dyshimeve për vepra penale”, me qëllim të përmirësimit të koordinimit, shkëmbimit të informacionit, dokumentimit dhe referimit të dyshimeve për vepra penale në funksion të rritjes së llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se kjo punëtori është vazhdimësi e përpjekjeve të ZKA-së në parandalimin dhe luftën kundër keqpërdorimit të parasë publike. Ai theksoi se puna dhe kontributi i përbashkët në parandalimin e korrupsionit është e vetmja mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe menaxhimi i mirë i parasë së taksapaguesve, dhe kjo arrihet duke promovuar dhe nxitur llogaridhënien dhe transparencën publike. Z. Halilaj tha se ZKA vazhdon të kontribuojë fuqishëm për të siguruar që institucionet publike mbahen përgjegjëse për veprimet e tyre në menaxhimin e parasë dhe pasurisë publike.  

Prokurori i Shtetit, njëherësh koordinator për raste të auditimit, Bahri Hyseni, tha se janë në rrugë të drejtë për të pasur progres dhe avancim në trajtimin e çështjeve që vijnë nga Auditori i Përgjithshëm. Ai theksoi se takimet e tilla janë të mirëseardhura dhe i shërbejnë qëllimit të përbashkët për ruajtjen e parasë publike në interes të qytetarëve dhe vendit tonë. 

Përfaqësuesja e UNDP-së, Fjolla Arifi Luzha, përgëzoi organizatorët për mbajtjen e punëtorisë dhe rikonfirmoi mbështetjen edhe për takimet e ardhshme në kuadër të Projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”. 

Gjatë sesionit të parë të punëtorisë u trajtua kuadri institucional dhe standardet për identifikimin e dyshimeve për vepra penale, ku u theksua roli i auditimit në evidentimin e shkeljeve me elemente penale, standardet e dokumentimit dhe procedurat e referimit nga perspektiva institucionale. Sesioni i dytë u fokusua në qasjen e Prokurorisë ndaj referimeve dhe kuadrin ligjor për vlerësimin e elementeve të veprës penale, ku u diskutuan sfidat e klasifikimit juridik të gjetjeve të auditimit dhe elementet minimale që duhet të përmbajë një dosje referimi. 

Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA, Minire Begaj Balaj, në përmbyllje të punëtorisë tha se konkluzionet e kësaj tryeze do të shërbejnë si bazë për koordinim më të strukturuar dhe më efektiv në të ardhmen në identifikimin, dokumentimin dhe referimin e rasteve me elemente penale.