Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

 Mbahet trajnimi për lidership të ZKA-së

Mbahet trajnimi për lidership të ZKA-së

Me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të aftësive udhëheqëse, menaxhmenti i lartë dhe i mesëm i ZKA-së ndoqën punëtorinë pesëditore për lidership të organizuar në kuadër të projektit të bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. 

Punëtoria e udhëhequr nga ekspertët suedezë Tinna Bondestam dhe Tomas Janhed  kishte për qëllim avancimin e lidershipit në nivelet më të larta, dhe përfshiu diskutime për strukturën organizative si dhe detyra operative në shërbim të arritjes së qëllimeve strategjike. Po ashtu u zhvilluan diskutime dhe ushtrime grupore të fokusuara në përmirësimin e performancës ekipore, mbikëqyrjen, si dhe komunikimin efektiv të qëllimeve strategjike tek stafi.

ZKA-ja dhe Fakulteti Ekonomik nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për praktikë profesionale

ZKA-ja dhe Fakulteti Ekonomik nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për praktikë profesionale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi që synon ofrimin e mundësive për praktikë profesionale për studentët.

Marrëveshja e nënshkruar të martën nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Dekani i Fakultetit Ekonomik, Driton Balaj synon shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira për të rritur cilësinë e punës dhe për të ofruar mbështetje të ndërsjellë. Ky bashkëpunim do të përfshijë zhvillimin e projekteve kërkimore-shkencore dhe organizimin e ligjëratave të përvitshme në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

Programi i praktikës profesionale u mundëson studentëve ndërlidhjen e teorisë me praktikën duke punuar me profesionistë në një institucion të rëndësishëm siç është Zyra Kombëtare e Auditimit. Praktika profesionale do të zgjasë nga tre deri në gjashtë muaj dhe do të jetë pa kompensim.  

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, Prof. Ass. Dr. Saranda Kajtazi, Prodekane për mësim dhe çështje të studentëve si dhe Prof. Ass. Dr. Vlora Prenaj, Prodekane për kërkime shkencore dhe bashkëpunim ndërkombëtar.  

Auditorët avancojnë njohuritë mbi proceset dhe praktikat e prokurimit publik

Auditorët avancojnë njohuritë mbi proceset dhe praktikat e prokurimit publik

Në kuadër të zbatimit të Planit të Trajnimeve për muajin shtator, auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ndoqën trajnimin katër ditor për prokurim publik, përkatësisht kontratat e negociuara dhe kontratat kornizë.

 

Trajnimi i organizuar nga ekspertë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) pati për qëllim avancimin e aftësive të auditorëve për të vlerësuar dhe kontrolluar më mirë praktikat e prokurimit duke rritur efikasitetin dhe përgjegjshmërinë në menaxhimin e fondeve publike.

 

Në kuadër të modulit për kontratat me negocim auditorët u trajnuan për të monitoruar se si realizohen negociatat në përputhje me ligjin si dhe për të identifikuar dhe adresuar rreziqet që mund të dalin gjatë këtij procesi. Ndërsa për modulin e kontratave kornizë auditorët u trajnuan për të mbikëqyr zbatimin e këtyre kontratave si dhe të vlerësojnë nëse këto kontrata kontribuojnë në menaxhimin e duhur të financave publike.

 

Trajnimi u mbajt në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe KRPP-së me mbështetjen e Aktivitetit të USAID-it për Integritetin e Komunave në Kosovë.

Auditorët e ZKA-së në seminaret ndërkombëtare mbi sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale në Oslo

Auditorët e ZKA-së në seminaret ndërkombëtare mbi sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale në Oslo

Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) morën pjesë në dy aktivitete të rëndësishme mbi sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale të mbajtur në Oslo të  Norvegjisë. Aktivitetet përfshinë seminarin katër ditor për auditimin e sigurisë kibernetike dhe takimin XVII të Grupit Punues të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit.

Në seminarin e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Norvegjisë, përfaqësues nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Suedia dhe Kosova diskutuan mbi rritjen e rreziqeve kibernetike si rezultat i digjitalizimit dhe rëndësinë e auditimit në këtë fushë.

ZKA-ja u përfaqësua nga Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi. Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit shkëmbyen njohuri mbi mbrojtjen e të dhënave dhe shërbimeve publike nga kërcënimet kibernetike, si dhe teknika të avancuara të auditimit për të identifikuar dhe parandaluar shkeljet.

Ndërsa në takimin XVII të Grupit Punues të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit, u theksua rëndësia e përdorimit të inteligjencës artificiale në auditim. Diskutimet u fokusuan mbi sfidat e qeverisjes së inteligjencës artificiale, privatësinë e të dhënave dhe paragjykimet e mundshme në sistemet e avancuara.

Pjesëmarrësit theksuan nevojën për shkëmbimin e njohurive dhe trajnimeve për të adresuar këto sfida dhe për të përfshirë inteligjencën artificiale në auditimet e ardhshme, duke u mbështetur në rregulloret evropiane si bazë udhëzuese për auditimin e sistemeve me rrezik të lartë. 

Auditorja e Përgjithshme mirëpret në takim Ambasadorin Britanik në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme mirëpret në takim Ambasadorin Britanik në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Emine Fazliu, të hënën priti në takim ambasadorin e ri britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves si dhe Udhëheqësen e Portofolios  së Ekonomisë në Ambasadën Britanike Sophie Wright. Temë bisede ishte fuqizimi i bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Ambasadës Britanike, me qëllim të forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë në institucionet publike.

Znj. Spanca falënderoi ambasadorin për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e institucioneve të Kosovës. Me këtë rast, ajo rikujtoi se Britania e Madhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Më tutje, znj. Spanca njoftoi ambasadorin për zhvillimin e vazhdueshëm të ZKA-së, për rezultatet e auditimit për vitin 2023 si dhe për përgatitjet e sezonit të ri auditues 2024/2025.

Auditorja e ZKA-së përfundon me sukses Programin GAO Fellowship në SHBA

Auditorja e ZKA-së përfundon me sukses Programin GAO Fellowship në SHBA

Auditorja seniore Edona Abazi Demolli me sukses të plotë përfundoi Programin Ndërkombëtar për Mbështetje Profesionale për Auditorë 2024 (International Auditor Fellowship Program). Përgjatë 12 javëve, znj. Abazi Demolli ka përfituar në avancimin e njohurive në teknikat për kryerjen e auditimeve të performancës, zhvillimin e lidershipit si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të ISA-ve dhe shkëmbimin e njohurive.  

Përvojën dhe njohuritë e fituar nga ky trajnim  znj. Abazi Demolli do t’i praktikojë gjatë punës së përditshme dhe t’i ndajë me kolegët në mënyrë që ZKA-ja të përfitojë sa më shumë në aspektin e njohjes dhe aplikimit të praktikave më të mira botërore. Prezantimet e ndryshme para një audience të madhe ndërkombëtare, qasja ndaj situatave sfiduese dhe të panjohura, menaxhimi i projekteve dhe arritja e rezultateve të dëshiruara, vlerësimi i rasteve me rrezik të lartë si dhe mendimi kritik, janë vetëm disa prej përfitimeve nga ky trajnim.  

Lidhur me këtë, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca tha se ky investim strategjik në zhvillimin profesional do të përkthehet në auditime më cilësore, përmirësim të menaxhimit të financave publike, dhe rritje të llogaridhënies dhe transparencës brenda institucionit tonë.

Programi u mbajt në Zyrën Qeveritare për Llogaridhënie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Washington DC, ndërsa bashkëfinancues i ZKA-së ishte Aktiviteti i USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës.

ZKA-ja angazhohet për zbatimin e kërkesave të reja për menaxhimin e cilësisë sipas standardit ISSAI 140

ZKA-ja angazhohet për zbatimin e kërkesave të reja për menaxhimin e cilësisë sipas standardit ISSAI 140

Bordi Drejtues i INTOSAI-t, në nëntor të vitit 2023 miratoi standardin ISSAI 140 për menaxhimin e cilësisë i cili do të aplikohet për Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) nga janari i vitit 2025. Ky standard ofron qasje gjithëpërfshirëse dhe sistematike për menaxhimin e cilësisë duke u bazuar në rrezik dhe ofron bazë të fortë për të siguruar cilësinë e auditimit në Institucionet Supreme të Auditimit.

Me qëllim të adresimit të kërkesave të standardit të ri dhe përgatitjeve me kohë për aplikimin e tij, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka ndërmarrë një sërë hapash. Po ashtu ky proces është mbështetur edhe nga ekspertët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Në kuadër të projektit për bashkëpunim në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, përkatësisht komponentës – Sigurimi i Cilësisë dhe Kontrolli i Cilësisë i riemërtuar Menaxhimi i Cilësisë, në datat 10-12 shtator 2024 në Prishtinë u  mbajt punëtoria e cila pati për qëllim përcaktimin e objektivave për menaxhimin e cilësisë, identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve, identifikimin e boshllëqeve të mundshme si dhe planifikimin e hapave të ardhshëm në mënyrë që deri në fund të vitit të sigurohet një bazë e qëndrueshme e mekanizmit të menaxhimit të cilësisë në përputhje me kërkesat e reja të ISSAI 140.

Mekanizmi i menaxhimit i cilësisë ISSAI 140 ka rol kyç në promovimin e auditimit të jashtëm duke siguruar një qasje të bazuar në rrezik dhe mundëson që ISA-t të ndjekin qasje strategjike për të arritur standarde edhe më të larta të cilësisë dhe efektivitetit. 

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar

Auditorja e Përgjithshme takoi përfaqësuesit e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, priti të martën në takim, Kryesuesin e Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar, Genc Rraci,  Kryesuesin e Bordit për Mbikëqyrje Publike, Faton Ahmetaj, si dhe Drejtorin e Departamentit për Raportim Financiar, Shyqyri Hyseni.

Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional me qellim të përmirësimit të raportimit financiar duke siguruar llogaridhënie më të madhe në menaxhimin e aseteve publike.

Auditorja e Përgjithshëm e vlerësoi të rëndësishëm procesin efektiv të auditimit për të garantuar shfrytëzimin e drejtë të burimeve publike.

ZKA-ja prezanton rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023 dhe tri auditimeve të performancës

ZKA-ja prezanton rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023 dhe tri auditimeve të performancës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të premten në një konferencë për media prezantuan rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës.

Raporti Vjetor i Auditimit (RVA) për vitin 2023 është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, bëri me dije se Raporti përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e  rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024. Znj. Spanca tregoi se për RVA-në është dhënë opinion i modifikuar përkatësisht opinion i kualifikuar për shkak se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale. 

 

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë. Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat kemi dhënë po aq rekomandime”, theksoi znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme prezantoi edhe informatat lidhur me dërgimin e rasteve me elemente potenciale të veprës penale në Prokurorinë e Shtetit. Ajo tregoi se nga analizimi i 60 raporteve të auditimit financiar ku përfshihen ministritë, komunat dhe disa institucione të pavarura janë evidentuar 52 raste të dyshimit të cilat janë dërguar te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm. 

Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi rezultatet dhe rekomandimet e tri auditimeve të performancës: “Menaxhimi i pronave/tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës”, “Listat e pritjes në institucionet shëndetësore publike” si dhe “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking”.

 

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencën për media: 

 

Të nderuar qytetarë,

Të nderuara media,

Faleminderit që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në konferencën tonë të pestë për këtë vit.

Në vazhdimësi ne ju kemi mbajtur të informuar për punën tonë, përkatësisht rezultatet e auditimeve të kryera gjatë sezonit auditues 2023-2024.  

Edhe sot, në këtë konferencë do t’ju njoftojmë për së afërmi për rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023, të cilin në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor e kam dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës para datës 31 gusht.

Ky Raport përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e  rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024.

Gjithashtu, sot do të shpalosim para jush edhe rezultatet e tri auditimeve të performancës të sapo publikuara, si dhe informatat lidhur me dërgimin e rasteve me elemente potenciale të veprës penale në Prokurorinë e Shtetit.

Me finalizimin e këtyre raporteve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë.

Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat kemi dhënë po aq rekomandime.

 

Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale.

 

Çështjet të cilat kanë ndikuar në opinion janë:

 

  • Klasifikimi jo adekuat i shpenzimeve në vlerë prej 25 milion euro. Prej tyre mbi 11 milionë euro i takojnë nivelit qendror, ndërsa  mbi 14 milionë euro i takojnë nivelit lokal. Klasifikimi i gabuar i shpenzimeve ka ndodhur si rezultat i pagesave të bëra me vendime gjyqësore në vlerë prej mbi 11 milionë eurove, buxhetimit jo adekuat prej afër 9 milionë euro dhe të ndikuara nga vetë organizatat buxhetore mbi 5.3 milionë euro;

     

  • Nënvlerësim i pasurive në organizata buxhetore në vlerë prej afër 21 milionë euro, kjo për shkak të mos regjistrimit të plotë të pasurive, regjistrimit të gabuar, apo zhvlerësimit jo adekuat;

     

  • Llogaritë e arkëtueshme ishin nënvlerësuar në vlerë prej 2.4 milionë euro; dhe

     

  • Detyrimet kontingjente, të cilat janë rezultat i pretendimeve përmes padive gjyqësore ndaj organizatave buxhetore janë nënvlerësuar për afër 20 milionë euro.

 

Siç ju kemi njoftuar në konferencën paraprake, edhe për auditimet individuale, për 35 organizata buxhetore, opinionet e auditimit ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar. Derisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara, janë dhënë 4 opinione të kundërta, 5 të kualifikuara dhe 3 opinione të pa modifikuara. Më gëzon fakti, që pas shumë vitesh auditimi të Telekomit të Kosovës, që vite me radhë ka pasur opinion jo të mirë, në vitin 2023 Telekomi ka arritur të prezantoj të dhënat financiare drejte dhe të marrë opnion të pastër.

 

Të nderuara media,

Për sa i përket performancës financiare të buxhetit të shtetit për vitin 2023:  

  • Të hyrat e realizuara ishin në vlerë prej mbi 2.8 miliard euro, me një rritje prej 237 milionë euro krahasuar me vitin 2022;
  • Shpenzimet totale ishin në vlerë prej 2.9 miliard euro apo 83% e buxhetit final për shpenzime, gjithashtu me një rritje për 301 milionë euro krahasuar me vitin 2022;
  • Ndërsa, bilanci bankar, deficiti buxhetor dhe borxhi publik janë mbajtur brenda kufijve të përcaktuar ligjor;
  • Në anën tjetër, në fund të vitit 2023 kishte suficit në vlerë prej gati 53 milionë euro apo 0.54% e Bruto Produktit Vendor (BPV).

     

    Vlera e borxhit publik ishte 1 miliard e 663 milionë euro apo rreth 17.5% e BPV-së, që në raport me vitin e kaluar, borxhi ka shënuar rënie prej 90 milionë euro apo rreth 5%. Megjithatë, kemi vërejtur mos efikasitet në shfrytëzimin e fondeve të jashtme të huazuara për shkak të problemeve kryesisht me menaxhimin e projekteve infrastrukturore, qoftë në fazën e planifikimit apo zbatimit të tyre, si dhe të sfidave me shpronësimet.

     

    Për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë totale prej afërsisht 178 milionë euro të ratifikuara përgjatë viteve 2016 - 2023, fondet e destinuara nuk janë tërhequr fare. Ndërsa, për 10 kreditë e ratifikuara gjatë viteve 2014 - 2020, në vlerë prej 193.5 milionë euro, me afat të përmbylljes gjatë viteve 2022-2023, niveli i disbursimit deri në fund të 2023 ishte vetëm 95.3 milionë euro. 

     

  • Vlera e përgjithshme e prezantuar e detyrimeve të papaguara ishte afër 159 milionë euro duke u rritur për 9 milionë euro krahasuar me vitin paraprak.
  • Sfidë vazhdojnë të mbetën llogaritë e arkëtueshme të cilat edhe këtë vit u rriten për 9% si dhe pagesave me vendime gjyqësore dhe përmbaruesve që gjithashtu ishin për 12% më të larta. Por, më shqetësuese mbeten shpenzimet shtesë, të cilat ishin rreth 8 milionë euro.

 

Për sa i përket rezultateve kryesore të punës sonë audituese, edhe në këtë sezon kemi identifikuar numër të konsiderueshëm të fushave për përmirësim, të cilat janë shpalosur në komunikimet e tjera me ju dhe publikun.

Bazuar në këto rezultate, unë u bëj thirrje zyrtarëve përgjegjës që të kenë vëmendje më të theksuar në menaxhimin e pronave publike për të cilat auditori ka vënë në pah parregullsi, si në procesin e shitjeve dhe në dhënien me qira.

Një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal. Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me  kosto shtesë të pa planifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre.

Prokurimi publik dhe menaxhimi i kontratave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet publike. Ka nevojë të përmirësohet procesi i menaxhimit të listës së pritjes së pacientëve në sistemin shëndetësor. Procesi i sponsorizimit të sportit në Kosovë duhet të rishikohet dhe të evitohen parregullsitë e evidentuara.

Po ashtu  edhe fusha e menaxhimit të teknologjisë se informacionit dhe siguria e saj kërkojnë vëmendje nga bartësit e institucioneve. Menaxhimi i sistemit e-edukimi, sistemit të menaxhimit të stokut farmaceutik dhe sistemi i ujësjellësit rajonal Prishtina janë disa nga sistemet e TI-së tek të cilat kemi gjetur mangësi, të cilat duhet të evitohen.

 

Forcimi i kontrolleve të brendshme është më së i nevojshëm në menaxhimin e projekteve infrastrukturore për të siguruar që ato udhëhiqen në pajtueshmëri me kornizën ligjore. Tek ndërmarrjet publike, menaxhimi dhe zvogëlimi i humbjeve kishte përmirësim të dukshëm për vitin 2023, mirëpo sfidë mbetet forcimi i menaxhimit financiar dhe kontrolleve në Ndërmarrjen Publike “Trepça”.

 

Të nderuara media,

Në këtë konferencë, më duhet gjithashtu të sjellë para jush brengën tonë  për sa i përket rekomandimeve të auditimit të dhëna në vitin paraprak për shkak se niveli aktual i zbatimit të tyre nuk është i kënaqshëm.

Ndonëse krahasuar me vitin 2022, numri i rekomandimeve të dhëna është zvogëluar, kjo për shkak se ne besojmë se ka përmirësime në përgjithësi në disa procese, megjithatë niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet mjaft dekurajues. Vetëm 46% e rekomandimeve janë zbatuar plotësisht.

Institucionet e pavarura kanë arritur të zbatojnë 60% të rekomandimeve, ndoshta edhe për shkak të numrit me të vogël të rekomandimeve, ndërmarrjet publike kanë zbatuar 58%, institucionet e nivelit qendror 49%, ndërsa përmbushja më e dobët është tek niveli lokal, ku performanca e zbatimit është vetëm 39%.

Ngecjet në zbatimin e plotë të rekomandimeve ndikojnë në përsëritjen e dobësive dhe mangësive të kontrollit dhe përsëritjen sistematike të tyre nga viti në vit.

Prandaj, shfrytëzoj rastin të ftoj kryesuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim që të reflektojnë dhe ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar.

Të nderuara media,

Deri në këtë kohë që po flasim, Departamenti Juridik dhe Kundër Mashtrimit ka arritur të analizojë 60 raporte të publikuara të auditimit për të identifikuar raste me elemente të mundshme të dyshimeve për kryerjen e veprave penale (mashtrim dhe korrupsion).

Duke u bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në,  si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Prokurorin e Shtetit, nga analizimi i 60 raporteve të auditimit financiar, ku përfshihen ministritë, komunat dhe disa institucione të pavarura, për këto raporte, janë evidentuar 52 raste të dyshimit, të cilat i kam dërguar te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm.

Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, përfshirë procesin e prokurimit, lidhjen e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale, mallrave dhe shërbimeve, dhe pasurisë, ku janë identifikuar 42 raste. Ndërsa, në fusha të tjera janë identifikuar 10 raste, të cilat lidhen me kategorinë e subvencioneve dhe transfereve.

Të nderuara media,

Duke e ditur rëndësinë e projekteve dhe aktiviteteve që ndërlidhen drejtpërdrejt me rritjen e mirëqenies së qytetarëve, theks i veçantë i është dhënë auditimeve të performancës. Në planin tonë të auditimit për sezonin 2023/2024, kemi përfshirë auditime që trajtojnë në mënyrë specifike fushat me interes për qytetarët, si dhe  në përputhje me qëllimet e Agjendës së Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara 2030.

 

Në këtë sezon, janë kryer 14 auditime të performancës, përfshirë prokurimin dhe teknologjinë e informacionit, nga të cilat janë dhënë 124 rekomandime.

 

Auditimet janë fokusuar në: shërbimet shëndetësore, menaxhimin e pronave publike, licencimin e mediave, sponsorizimin e sportit, menaxhimin e sistemeve të TI-së dhe sigurinë e informacioneve, në prokurimin publik dhe fusha të tjera më rëndësi.

 

Objektivi ynë është të sigurohemi që auditimet tona të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm duke vlerësuar efektivitetin, efikasitetin dhe ndikimin e sektorëve të ndryshëm në arritjen e këtyre objektivave globale.

Për 11 raporte të auditimit të performancës ju kemi njoftuar në konferencat paraprake, përderisa ju informoj se dje kemi dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tek institucionet e audituara tri raporte të auditimit të performancës të cilat do të publikohen sot si:

  • Menaxhimi i pronave/tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës
  • Listat e pritjes në institucionet shëndetësore publike; dhe
  • Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking 

Lidhur me detajet e rezultateve të këtyre tri auditimeve në vijim do t’ju njoftojë Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z. Bezad Halilaj, ndërsa unë shfrytëzoj rastin të shpreh shqetësimin tim lidhur me disa rezultate të këtyre tri auditimeve.

Së pari, për mënyrën se si janë menaxhuar pronat/tokat bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës. Janë mbi 309 hektar tokë bujqësore të Institutit që nuk menaxhohen në mënyrën e duhur.Prej tyre mbi 52 hektar shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar dhe rreth 31 hektar të tjera janë tjetërsuar pa njohurinë/pëlqimin e institutit dhe në rrethana të pa qarta. Instituti për nevojat hulumtuese shfrytëzon vetëm rreth 5 hektarë, ndërsa rreth 260 hektarë i ka destinuar për dhënie me qira. Këto prona, janë pasuri e shtetit dhe fakti që ndër të tjera 31 hektarë janë tjetërsuar në rrethana të paqarta është mjaft shqetësues.

Po ashtu, sa i përket listës së pritjes së pacienteve në institucionet shëndetësore publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar nuk janë treguar efikas në administrimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor.Kërkesat për trajtim janë të mëdha ndërsa kapacitetet e sistemit shëndetësor për t’iu përgjigjur janë të kufizuara, sidomos sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve, e me raste edhe sa i përket materialit mjekësor. Në anën tjetër, numri i mjekëve specialist është në mospërputhje në raport me këtë infrastrukturë dhe këto pajisje. Si rrjedhojë, ka pacientë që kanë pritur më shumë se katër vite për të marrë shërbim në klinikat e QKUK-së.

Edhe menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking është karakterizuar me mangësi të theksuara.Ndërmarrja dhe Inspektorati i Komunës së Prishtinës nuk janë treguar efikas dhe efektiv në menaxhimin dhe monitorimin e zbatimit të Rregullores për një organizim të mirëfilltë të parkingjeve publike. Kontrollet janë të dobëta dhe ka raste që nuk janë në gjendje të dëshmojnë aktivitetet e tyre.

Tani me lejoni që të ftojë Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm z. Halilaj të bëjë prezantimin e gjetjeve kryesore për tri (3) auditimet e performancës.

Fjala e plotë e Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj në konferencën për media: 

 

Të nderuara Media,

 

Do të filloj pa humbur kohë me auditimin “Menaxhimi i tokave/pronës nga Instituti Bujqësor i Kosovës”.

 

Objektivi i auditimit ka qenë të vlerësojmë nëse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti kanë vendosur sistem të duhur për ruajtjen dhe mbrojtjen e tokave bujqësore të Institutit dhe nëse procesi i dhënies me qira të tyre është në pajtueshmëri me kornizën ligjore. Auditimi ka mbuluar periudhën 14 vjeçare (2010–2024) për procesin e qiradhënies së tokave. Ndërsa, sa i përket procesit të menaxhimit apo tjetërsimit të tyre për çështje të analizave kemi trajtuar të dhënat nga viti 1999 deri në 2024.

 

Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria dhe Instituti nuk kanë arritur t’i menaxhojnë si duhet ndër vite tokat bujqësore të Institutit. Ka mungesë të qartë të bazës ligjore për rregullimin e statusit të Institutit. Bordi menaxhues nuk ka funksionuar, duke ndikuar që Instituti të mos ketë menaxhim të duhur dhe politika drejtuese për zhvillimin e aktiviteteve. Nga të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës rezulton se në pronësi të Institutit kanë qenë mbi 340ha tokë bujqësore. Mirëpo, Institutit ndër vite i janë tjetërsuar rreth 31ha, në zonat e Prishtinës dhe Pejës, pa qenë në dijeni dhe pa miratimin e Institutit si pronar dhe Ministrisë. Ndërsa aktualisht i ka në pronësi rreth 309 ha. Prej tyre, mbi 52ha shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar, rreth 260ha janë destinuar për dhënie me qira, ndërsa për nevojat hulumtuese, nga Instituti shfrytëzohen vetëm 5ha.

 

Edhe pse Instituti është nën administrimin e Ministrisë, kjo e fundit nuk ka hartuar bazë të qartë rregullative për rregullimin e statusit të Institutit, përfshirë pronat e tij. Nuk kemi gjetur se ka ndarje të detyrave dhe përgjegjësive për menaxhimin e pronave të Institutit ndërmjet Ministrisë dhe Institutit.

 

Si pasojë e këtyre mangësive, tokat bujqësore nuk janë menaxhuar në mënyrën e duhur, duke rezultuar në tjetërsim, uzurpim të tyre, ndërrim të destinimit si dhe dhënie me qira, pa ndonjë program të mirë përgatitur.

 

Në zonën kadastrale të Prishtinës, kemi gjetur se 12ha tokë gjithsej janë tjetërsuar pas vitit 2001, por për të cilat në disa raste mungon fare dokumentacioni i tjetërsimit. Ndërsa, në zonën kadastrale të Pejës, janë tjetërsuar rreth 19ha.  Para vitit 1999, janë tjetërsuar 27 parcela nga persona privat apo kompani, me sipërfaqe totale prej 16.5 ha për të cilat gjithashtu mungon dokumentacioni i tjetërsimit. Ndërsa pas vitit 1999 janë tjetërsuar shtatë  të tjera me sipërfaqe prej 2.4 ha. Në të dy zonat, tjetërsimet e pronave ishin bërë me vendime të ndryshme, disa ishin para viteve 1999, por tjetërsimi ka ndodhur pas këtij viti, gjë që kjo ngrit dyshime nëse këto vendime janë të vlefshme. Pastaj, për një pjesë të madhe të tjetërsimeve mungojnë dosjet e tyre. Në asnjë rast nuk kemi gjetur miratim nga Instituti, por edhe as dëshmi se është njoftuar për këto tjetërsime.

 

Gjithashtu, kemi gjetur se janë rreth 52.3 ha të cilat shfrytëzohen nga persona pa autorizim nga ana e Ministrisë. Përveç këtyre, kemi gjetur se,  në Stankaj të Rugovës janë ndërtuar pa asnjë autorizim 26 objekte/vila nga persona privat. Sipas Ministrisë, në pjesën më të madhe të pronave të uzurpuara të Institutit janë ndërtuar objekte banimi, janë mbjellë kultura bujqësore apo janë ndërtuar shkolla publike, të cilat nuk kanë kontratë me Ministrinë.

 

Mungesa e aktivizimit të inspektorëve në ministri ka ndikuar që tokat të degradohen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar. Mos trajtimi i rasteve të përdorimit ka bërë që kjo praktikë të vazhdojë me vite. Vërejtjet e shqiptuara në disa raste për lirim të hapësirave të uzurpuara, por pa masa konkrete ka bërë që të mos të merren seriozisht nga uzurpatoret dhe të vazhdohet shfrytëzimi i paligjshëm i këtyre pronave.

 

Ministria dhe Instituti nuk kanë proces transparent të dhënies me qira të tokave bujqësore të Institutit. Kemi gjetur se nga viti 2016 kanë qenë vetëm 5 thirrje publike për dhënie më qira, përmes së cilave janë lidhur vetëm 3 kontrata. Nga ekzaminimet tona, kemi gjetur se ka pasur kontrata për qiradhënie edhe në vitet e më hershme, por ne nuk kemi arritur të gjejmë shpalljet publike për to.

 

Nga analiza e kontratave kemi vërejtur se në asnjërin rast nuk është rregulluar mënyra e menaxhimit dhe mbikëqyrjes së tyre për të siguruar se pronat shfrytëzohen sipas kushteve të kontratës. Përkundër edhe atyre pak kushteve të përcaktuara në të gjithë kontratat, vetëm katër prej tyre janë respektuar. Kjo sepse, Ministria nuk ka caktuar kontrolle të menaxhimit të kontratave.

 

Për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e tokave bujqësore kemi dhënë 8 rekomandime për Ministrinë dhe Institutin.

 

Të nderuara media,

 

Tani do të vazhdojë me shpalosjen e rezultateve për auditimin “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”.

Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë se çfarë masash kishin zbatuar Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes; përfshirë shpërndarjen e burimeve (njerëzore dhe materiale) si dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimin e listave.

Kemi gjetur se Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK nuk kishin ndërmarrë masa të mjaftueshme për të siguruar trajtimin efikas të pacientëve në listat e pritjes. Ka shpërndarje jo të barabartë të burimeve njerëzore dhe materiale në sektorë të caktuar shëndetësor, ndërsa mënyra aktuale e regjistrimit të pacientëve në listat e pritjes nuk siguron transparencë, saktësi dhe trajtim të drejtë e të barabartë të tyre.

Shpërndarja joefikase e burimeve ka krijuar pengesa dhe kohë të gjata të pritjes për pacientët. Klinikat e QKUK-së në veçanti, dhe Spitalet rajonale nuk janë efikase në trajtimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor. Kërkesat për trajtim janë të mëdha, ndërsa kapacitetet e sistemit shëndetësorë për t’iu përgjigjur atyre janë të kufizuara, sidomos sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve, e me raste edhe sa i përket materialit mjekësor.

Nga informatat e mbledhura, rezulton se Lista të pacientëve që presin për të marrë një shërbim ka në klinikat e: Kirurgjisë Vaskulare, Ortopedisë, Kardiologjisë, Kardiokirurgjisë, Radiologjisë, Oftalmologjisë, etj. Numri i pacienteve që presin arrin deri në 3000 sosh, në disa nga këto klinika. Ndërsa, kohëzgjatja shkon nga 2 muaj deri në 4 vjet.   

Kemi vërejtur se nuk është bërë shpërndarje e harmonizuar mes burimeve njerëzore dhe materiale sepse numri i mjekëve specialistë është në mospërputhje me infrastrukturën dhe pajisjet që janë në dispozicion në ShSKUK. Psh, numri i ortopedëve në raport me sallat operative është 9 mjek për 1 sallë, i kardiologëve (kardiologji invazive) është 8 mjek për 1 sallë, ndërsa në spitale rajonale këto shërbime nuk ofrohen fare.

Angazhimi i mjekëve nuk është i njëjtë, disa janë më aktiv me operacione krahasuar me disa të tjerë brenda së njëjtës klinikë. Psh, në Klinikën e oftalmologjisë rezulton se ka mjek që kryejnë rreth 500 operacione në vit, ndërsa ka raste kur një mjek nuk kryen më shumë se një operacion në vit. Po ashtu në fushë të ngjashme, në spitale rajonale kryhen shumë pak operacione, e në tre prej tyre nuk kryhet asnjë.

 

Auditimi ka identifikuar mungesë të anesteziologëve, në veçanti atyre që ofrojnë shërbime në të gjitha klinikat kirurgjike. Kjo mungesë i redukton kapacitetet operative të klinikave, por ka raste edhe kur pajisjet janë të vjetruara gjë që ndikon në efikasitetin e trajtimit të pacientëve nga listat e pritjes.

Po ashtu, menaxhimi jo i duhur i furnizimit me material mjekësor dhe pamjaftueshmëria e materialit pengojnë trajtimin me kohë të pacientëve.

Buxheti i ndarë për furnizim me barna esenciale/material harxhues esencial ishte rritur nga 25 milion euro sa ishte në vitin 2019, në 38 milionë euro në vitin 2024. Edhe përkundër kësaj, klinikat nuk furnizohen mjaftueshëm me material harxhues. Shembull është furnizimi me proteza totale të gjurit dhe të kërdhokullës, të cilat janë të disponueshme vetëm në klinikën e ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa spitalet rajonale nuk furnizohen me to. Për pasojë, gjatë viteve 2020-2023 ishin kryer vetëm 176 operacione të këtij lloji. Ndërsa në listë të pritjes çdo vit ka qindra pacient, të cilët presin më shumë se katër vite për të marrë shërbim, e të tjerë që në pamundësi pritjeje janë detyruar të trajtohen në klinikat private.  Situatë e ngjashme është edhe sa i përket furnizimit me thjerrëza të syrit, ku vetëm klinika e oftalmologjisë është e furnizuar, ndërsa spitalet rajonale furnizohen vetëm me sasi simbolike.

Në ShSKUK, nuk ka një sistem të centralizuar dhe formal për të regjistruar pacientët në lista të pritjes dhe për të administruar pritjet. Si pasojë, nuk ka të dhëna të qarta për numrin e pacientëve që presin, e në veçanti për kohëzgjatjen e pritjes për të marrë shërbime. Në disa institucione shëndetësore (spitale rajonale) nuk ka fare gjurmë të listave të pritjes. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të regjistrimit krijon hapësirë për keqpërdorim të burimeve publike, sepse bën të mundur manipulimin e listave të pritjes dhe dhënie jo të drejtë dhe të barabartë të shërbimeve shëndetësore. Si rezultat, institucionet përkatëse nuk mund t’i përgjigjen në mënyrë efikase kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor. Kjo i atakon kryesisht pacientët elektiv apo ata që vuajnë nga patologji trajtimi i të cilave nuk konsiderohet urgjent. Ndërsa, është pozitiv fakti se, pacientët me raste urgjente dhe ata të hospitalizuar, marrin trajtim më të shpejtë.

Për të përmirësuar gjendjen aktuale ne kemi dhënë gjithsej 13 rekomandime, prej tyre 3 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe 10 për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar.

 

Të nderuara Media,

 

I fundit, po jo për nga rëndësia është auditimi “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking” si një komponentë kritike e infrastrukturës urbane, që luan një rol kyç në jetën e përditshme të banorëve dhe vizitorëve të kësaj komune. Ky auditim ka pasur për qëllim për të vlerësuar efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve të ofruara për qytetarët nga Ndërmarrja Prishtina Parking për periudhën nga viti 2022 deri në maj 2024. Po ashtu, të vlerësojë veprimet e ndërmarra në menaxhimin e parkingjeve dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e komunës së Prishtinës.

 

Auditimi ka nxjerrë në pah se një numër i konsiderueshëm i lejeve të parkimit janë lëshuar pa dokumentacionin e nevojshëm. Ndërmarrja nuk kishte arritur të bëjë një planifikim të duhur të parkingjeve duke mos prioritizuar mjaftueshëm parkimin për banorët rezidentë kundrejt përdoruesve biznesor. Kjo kishte shkaktuar probleme në disponueshmërinë e vendeve të parkimit.

 

Opsionet e abonimit për lejet e parkimit publik, duke përfshirë ditore, javore, mujore dhe vjetore, nuk u ishin komunikuar qartë përdoruesve. Për vitet 2022 dhe 2023 kemi vërejtur se Ndërmarrja kishte mangësi në aktivitetet e saj. Nuk ka caktuar prioritete të parkingjeve për banorët rezident në krahasim me bizneset apo me qytetarët që shfrytëzojnë parkingjet për nevoja komerciale. Ndërkohë që, për këtë periudhë janë lëshuar rreth 13,493 leje për banor rezident.  

 

Nga 199 mostrat e lejeve të parkimit të analizuara, kemi gjetur se 108 apo rreth 54% e tyre janë lëshuar pa plotësimin e kritereve bazike. Parregullsitë nga këto mostra kryesisht i takojnë parkingjeve në Zonën I. Nga këto 108 leje, 87 prej tyre janë lëshuar nga Ndërmarrja pa plotësimin e kritereve të caktuara në rregullore, si dhe 21 janë leje të parkimit të lëshuara pa u respektuar kriteri i veturës së dytë për qytetarin, siç parashihet me Rregulloren për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës. Përderisa për 30 mostra tjera, Ndërmarrja nuk posedon fare dokumentacionin e nevojshëm për leje të parkimit. Për më tepër nga Ndërmarrja, qytetarët janë pajisur me leje parkimi në zonat të cilat nuk janë banor të zonës përkatëse duke sjellë vetëm librezën e qarkullimit të veturës apo vetëm me letërnjoftim.

 

Një çështje tjetër e identifikuar është mungesa e shenjëzimit të zonave të caktuara në Kryeqytet. Ndërmarrja nuk ka arritur të ofroj shërbime efikase ndaj qytetarëve duke operuar pa një plan të strukturuar për shenjëzimin e zonave të caktuara në kryeqytet, ajo ka vepruar në mënyrë ad-hoc dhe pa një qasje sistematike.

 

Ekzistojnë mangësi në shenjëzimin horizontal në rrugë dhe zona të caktuara, duke e bërë të vështirë parkimin në mënyrë të rregullt. Po ashtu, ekzaminimet tona kanë vënë në pah se shenjëzimi ekzistues është i padukshëm dhe nuk është në nivelin e duhur, çka rrit mundësinë e aksidenteve dhe e vështirëson menaxhimin e trafikut. 

Kemi identifikuar raste kur qytetarët janë gjobitur edhe përkundër mungesës së shenjëzimit të cilat kanë pasuar me ankesa nga banorët rezident drejt Inspektoratit të komunës së Prishtinës lidhur me këtë, nga i cili ndërmarrja është ndëshkuar për mos plotësimin e kushteve për të ushtruar veprimtarinë e saj.

 

Kemi vërejtur se procesi aktual i menaxhimit të gjobave dhe anulimit të tyre nuk është i dokumentuar siç duhet në sistemin e brendshëm, duke krijuar kështu  hapësirë për keqpërdorim, mungesë të kontrolleve, por edhe humbje financiare. 

 

Nga analiza e aplikacionit softuerik për administrimin e gjobave, kemi identifikuar se janë disa përdorues (zyrtarë të TI-së), që në raste të caktuara kanë autorizime dhe mund të bëjnë anulimin apo fshirjen e gjobave nga aplikacioni. Për fshirjet, korrigjimet apo veprime të tjera që kryhen nuk mbetën kurrfarë gjurmësh në sistem. Për më tepër, proces i komunikimit të zyrtarëve përgjegjës për korrigjimet e nevojshme zhvillohet përmes kanaleve jo formale (si, psh; whatsapp).

Gjithashtu, kemi identifikuar se Ndërmarrja anulon gjobat ndaj qytetarëve të cilët nuk paguajnë deri në orën 23:00, pasi përfundon orari i punës për kontrollorët e Ndërmarrjes. Kjo bëhet më arsyetimin e urgjencave që mund të kenë qytetarët për të përdorur automjetet.

Në këtë auditim, kemi vërejtur gjithashtu se mbikëqyrja e kontrollorëve nga Dispeçeret përcillet me mangësi, por edhe nuk evidentohet. Prishtina Parking nuk ka një plan të strukturuar për organizimin e punës së kontrollorëve. Planet janë të pa zhvilluara dhe pa formalizuara, ato komunikohen kryesisht përmes formës excel dhe përmes telefonit. Nuk ka raporte ditore ose forma tjera që evidentojnë organizimin e punës së tyre. Dispeçeret nuk kanë të evidentuar mënyrën e mbikëqyrjes së kontrollorëve, gjë që pamundëson mbikëqyrjen e punës se tyre.

 

Po ashtu, Inspektoratit të Komunës së Prishtinës i mungon një plan i strukturuar për inspektimet dhe mbikëqyrjen e parkingjeve publike. Kryesisht mbështetet në ankesat e qytetarëve dhe nuk janë të përfshira në planifikimet vjetore të rregullta.

 

Pavarësisht, gjobave të shqiptuara dhe masave tjera të Inspektoratit për ndërmarrjen për shkelje të rregullores, mungesa e dëshmive të dokumentuara për këto veprime, përfshirë edhe mos evidentimi i ankesave nga qytetarët e pamundëson transparencën dhe llogaridhënien.

 

Për  ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të parkingjeve publike nga Ndërmarrja Prishtina Parking dhe Inspektorati i komunës së Prishtinës, ne kemi dhënë 12 rekomandime për përmirësim.

 

Faleminderit për vëmendje!

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të shpalosen rezultatet nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023.

Po ashtu në këtë konferencë do të prezantohen edhe rezultatet e tri auditimeve të performancës si: 

  • “Menaxhimi i tokave/pronës nga Instituti Bujqësor i Kosovës”;
  • “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”;
  • “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking”.  

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të premten, 30 gusht 2024

Ora: 11:00

Vendi: Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)

 

 

 

 

 

Ju mirëpresim!

Prezantohen rezultatet e dy auditimeve të pajtueshmërisë dhe një auditimi të performancës

Prezantohen rezultatet e dy auditimeve të pajtueshmërisë dhe një auditimi të performancës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencë për media të enjten prezantoi  gjetjet dhe rekomandimet e raportit të auditimit të performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021; auditimit të pajtueshmërisë “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në komunën e Ferizajt për periudhën 01.01.2022 – 30.09.2023”; si dhe auditimit “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”. 

 

Po ashtu znj. Spanca bëri me dije se deri më 31 gusht të këtij viti në përputhje me planin auditues, do të kryhen  dhe publikohen edhe tri raportet e auditimit të performancës si: Prishtina Parking, Pronat e Institutit Bujqësore dhe Lista e pritjes së pacienteve.

 

Sezoni i auditimit 2023/2024 do të përmbyllet me dërgimin e Raportit Vjetor të Auditimit të buxhetit të shtetit për vitin 2023 në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe me identifikimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim te cilat do t’i dërgohen Prokurorit te Shtetit. 

 

 

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme në konferencën për media:

 

Të nderuar Qytetarë,

Të nderuara Media,

 

Mirë se keni ardhur në konferencën tonë të katërt për media për këtë vit dhe paraprakisht ju faleminderit për kontributin tuaj në vazhdimësi për të prezantuar në mënyrë sa më të gjerë dhe objektive punën tonë përgjatë gjithë sezonit auditues.

 

Ju kam ftuar sot që të prezantoj para jush rezultatet individuale të tri auditimeve, të sapo kryera, raportet e të cilave tashmë janë publikuar, si:

 

  • Auditimi i performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021; dhe

     

    Dy auditime të pajtueshmërisë:

     

  • “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në komunën e Ferizajt për periudhën 01.01.2022 – 30.09.2023”; si dhe

     

  • “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”.

 

 

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishme çështjen e menaxhimit të aseteve publike nga AKP, marrë parasysh që gjithashtu ishte kërkesë e Kuvendit të Kosovës, në sezonin auditues të cilin po e përfundojmë kam përfshirë në plan  këtë auditim. Ky auditim ka pasur për qëllim që të vlerësojë nëse procedurat e shitjes direkte të këtyre aseteve janë realizuar në mënyrën e duhur, përkatësisht nëse AKP-ja ka qenë efikase në trajtimin e kërkesave për shitje direkte, në trajtimin dhe klasifikimin e këtyre aseteve, si dhe në mënyrën se si është bërë përzgjedhja e vlerësuesve për përcaktim të vlerës së aseteve.

 

Auditimi ka nxjerrë në pah se gjatë përmbylljes së shitjeve direkte të aseteve, AKP-ja nuk ishte treguar efikase pasi që trajtimi i kërkesave për blerje nuk ishte bërë në kohë optimale. Dobësi kishte edhe procesi i kategorizimit të aseteve të klasifikuara për shitje direkte, është evidentuar se nuk ishte bërë parcelimi si duhet i tokave për shitje dhe në vitet e fundit kategoria e vetme të cilës i ishin shqyrtuar kërkesat për blerje ishin ekonomitë familjare (persona fizik).

 

Auditimi ka evidentuar se nga 118 shitjet direkte të audituara, tek 90 prej tyre kishte ndërtime pa lejen e Ndërmarrjeve Shoqërore (NSh) përkatëse ose AKP-së. Nga 90 mostrat e identifikuara me ndërtime pa leje, në 76 raste NSh/AKP-ja nuk kanë marrë masa për të parandaluar ndërtimet pa leje. Ndërsa në 14 raste AKP-ja ka ndërmarrë masa të ndryshme, si: padi gjyqësore, kërkesa për inspektoratin, kallëzim penal, masë të përkohshme.

AKP-ja nuk kishte bërë ndonjë analizë të kostos së përfitimeve për të vlerësuar nëse rikthimi i gjendjes paraprake të aseteve në të cilat kishte ndërtime pa leje do të ishte i leverdishëm. Në 90 asetet e shitura të NSh-ve që ishin kategorizuar për shitje direkte për shkak të ndërtimeve pa leje në prona shoqërore, ishte konstatuar që rikthimi i asetit në gjendjen paraprake është i pamundur, konstatime të tilla nuk kishin arritur të mbështetën me ndonjë analizë financiare.

Kemi vërejtur se AKP kishte trajtuar kërkesa për shitje direkte për periudha të ndryshme kohore. Kishte asete që i kishte trajtuar mjaftë shpejtë brenda më pak se një muaji (22 ditëve) derisa kishte asete trajtimi i të cilave ishte bërë për 86 muaj (2,570 ditë).

Afati kohor për të përmbyllur një procedurë të shitjes direkte ishte nga gjashtë muaj në rastin më të mirë deri në 9 vjet në rastin më të keq. Ndërkohë që mesatarisht, AKP kishte përmbyllur procedurën e shitjes deri te nënshkrimi i kontratës për një afat kohor rreth 43 muaj apo rreth katër vite.

Trajtimi i kërkesave nuk ishte bazuar në rendin kronologjik për rrjedhojë  kërkesat e parashtruara për shqyrtim me data më të vonshme ishin trajtuar para atyre që ishin të parashtruara më herët.

AKP-ja nuk kishte arritur që raportin midis kërkesave për shitje direkte të dorëzuara dhe atyre të trajtuara ta mbaj në nivel sa më të ulët të mundshëm. Rajoni i Prizrenit ka numrin më të madh të kërkesave të pashqyrtuara (614 kërkesa). Ndërsa rajoni i Mitrovicës kishte edhe 129 raste të pa shqyrtuara.

Sipas bazës së të dhënave të AKP-së për Modulin e shitjeve direkte janë dorëzuar 2,233 kërkesa nga palët pretenduese. Prej tyre, AKP-ja ka trajtuar vetëm 558 kërkesa apo 25% të tyre, ndërsa kishin mbetur edhe 1,675. 

Nga testimet tona kemi vërejtur se Bordi kishte trajtuar vetëm kërkesat e ekonomive familjare duke lënë anash kërkesat e subjekteve juridike - bizneseve. Ne nuk kemi hasur në ndonjë akt (qoftë vendim administrativ/udhëzim me shkrim apo rregullore) që lejon anashkalimin e kërkesave që vijnë nga subjektet juridike - bizneset.

Në katër raste, kriteret për klasifikim të aseteve për shitje direkte nuk ishin marrë parasysh nga ana e AKP-së si:

Tek “NSh Kooperativa Bujqësore “Agrokultura” – Zona kadastrale Bajgorë – në vitin 2019 Bordi kishte arsyetuar vendimin e tyre për shitje vetëm se parashtruesi i kërkesës është investitor strategjik pa i përfill kriteret e përcaktuara;

Tek  Prona e “NSh KBI “Kosova Export - NSh “Ratar” - zona kadastrale e Çagllavicës -Prona që ishte subjekt i kërkesës për shitje direkte ishte shitur, pavarësisht se kërkuesi në pronën ekzistente kishte qasje në rrugë;

Prona e “NSh KB “Bujqësia” - Zona Kadastrale Obiliq - kishte qasje në rrugë dhe nuk kufizohej me pronë private (si dy nga kriteret që e klasifikojnë një pronë për shitje direkte); dhe

Edhe tek Prona e “NSh “NBI Rahoveci” - Zona kadastrale Rahovec - Prona që ishte subjekt i kërkesës për shitje direkte, kërkuesi kishte qasje në rrugë.

AKP-ja nuk kishte bërë parcelimin e pronave për shitje direkte në rastet kur kërkesat përfshinin sipërfaqe më të mëdha se sa që ishin ndërtimet ekzistuese të ngritura në pronat e NSh-ve. Nga mostrat e testuara, në 14 raste kemi vërejtur që AKP-ja nuk e kishte marrë parasysh një gjë të tillë. Përveç kësaj, nuk kemi gjetur një procedurë të rregulluar me ndonjë akt të brendshëm për parcelim të pronave. Për rastet të cilat kanë filluar të trajtohen në Bord që nga viti 2023, Divizioni përdor praktikën e parcelimit të sipërfaqeve të mëdha (aty ku është e mundshme) dhe për shitje propozon vetëm sipërfaqen e mjaftueshme për një ekonomi familjare.

Sa i përket përzgjedhjes së vlerësuesve, ani pse nuk kishte procedurë të hartuar, praktika ishte e njëjtë për të gjitha rastet, ku me vonë kjo praktikë edhe është integruar në rregullore.

Për  siguruar se shitjet direkte nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kryhen  përputhje me kërkesat rregullative, brenda kohës optimale dhe kategorizimi i tyre është i duhur, nekemi dhënë shtatë (7) rekomandime.  

Të nderuara media,

Në vazhdim do t’i shpalosi rezultatet e auditimit të pajtueshmërisë “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në komunën e Ferizajt për periudhën 01.01.2022 – 30.09.2023”. Ky auditim kishte për objektivë të vlerësojë nëse komuna e Ferizajt ka përcaktuar procedurat dhe format për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës dhe menaxhimin e pronave dhe aseteve të dhëna me qira në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Rezultatet e auditimit tregojnë se komuna e Ferizajt nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira. Rreth 66% e mostrave të testuara kanë rezultuar me parregullsi.

Në vijim do t’i shpalosi disa prej gjetjeve kryesore si:

Në dy (2) raste, komuna kishte nënshkruar marrëveshje për dhënien në shfrytëzim të pronave pa aprovim paraprak nga Kuvendi Komunal dhe pa zhvilluar procedura të konkurrimit siç kërkohet me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës. Bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të Qendrës së trajnimeve në Greme dhe Qendrës së inovacionit.

Në dy (2) raste, komuna kishte shpërblyer me kontratë përfituesit që nuk i kishin përmbushur kriteret e vendosura në thirrjen publike me ankand. Nuk kishin dorëzuar dëshminë mbi numrin aktual të punësuarve, nuk kishin bërë pagesën e qirasë për (3) tre muaj paraprakisht, si dhe nuk kishte dorëzuar polisë të sigurimit të kontratës të kërkuar me thirrje publike.

Në shtatë (7) raste, komuna nuk kishte siguruar mekanizma për monitorimin e kontratave dhe nuk kishte marrë veprime për shkëputjen e kontratave të qiramarrësve në rast moskryerjes së obligimeve që rrjedhin nga kontrata. Për më tepër komuna nuk kishte evidenca të sakta lidhur me obligimet financiare të qiramarrësve. Po i theksoj vetëm disa prej tyre: 

  • Për pronën e dhënë në shfrytëzim afatshkurtër për periudhën prej 10 viteve të pronës e cila ka qenë në shfrytëzim nga “Abetarja”, i cili gjendët në rrugën “Dëshmorët e Kombit” me sipërfaqe prej 44m² me çmim të qirasë 2,503.60€. Sipas komunës, qiramarrësi në fund të muajit shtator 2023 rezultonte me një obligim prej 65,258.60€, ndërsa nga dokumentacionin të cilin e kemi analizuar siç janë obligimi financiar në fund të muajit shtator 2023 rezulton të jetë 80,746.80€, rrjedhimisht  komuna ka deklaruar 15,488.20€ më pak obligime.

     

  • Për pronën e dhënë në shfrytëzim afatshkurtër për periudhën prej 10 viteve e cila ka qenë në shfrytëzim nga “Drita”, që gjendet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” me sipërfaqe prej  44.70 m² me çmim të qirasë 1,408.05€/muaj. Sipas komunës, qiramarrësi në fund të muajit shtator 2023 rezultonte me një obligim prej 23,936€, ndërsa nga dokumentacionin të cilin e kemi analizuar në fund të muajit shtator 2023 obligimi rezulton të jetë 46,471€, rrjedhimisht komuna ka deklaruar 22,535€ më pak obligime.

     

  • Për pronën e dhënë në shfrytëzim afatshkurtër për periudhën prej 15 viteve e cila gjendet në fshatin Varosh me sipërfaqe 3000m² dhe çmimi të qirasë 102.60€/muaj, komunës i mungonin kartelat financiare për vitin 2017, 2020  dhe 2021. Sipas  komunës në fund të muajit shtator 2023, qiramarrësi rezultonte me një obligim prej 6 mijë€, ndërsa nga dokumentacionin të cilin e kemi analizuar rezulton të jetë 6,874.20€.

Mos përmbushja e obligimit financiar rrit rrezikun që të pamundësohet arkëtimi i mjeteve. Po ashtu mos mbajta e evidencave të sakta për secilin shfrytëzues të pronës rrit rrezikun e keqpërdorimit me ose pa qëllim të fshehën obligimet financiare që qiramarrësit kanë ndaj komunës.

Në gjashtë (6) raste për mostrat e shqyrtuara lidhur me menaxhimin e kontratave, nga ekzaminimi fizik i pronave, u konstatua se shfrytëzuesit nuk kishin realizuar investimet në pronat e marra me qira sipas kushteve të kontratës. Po i theksoj vetëm disa prej tyre:

  • Për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale me sipërfaqe prej 5,700m2, sipas planit të biznesit ishte paraparë që të bëhej investimi në zgjerimin e kapacitetit të prodhimit, qiramarrësi ishte zotuar se në vitin 2023 do të investonte në Asfaltimin e gjithë hapësirës së fabrikës ku operojmë brenda 4,200m²” në vlerë prej 85,000€. Nga ekzaminimi fizik ne kemi vërejtur se investimi në fjalë ende as nuk kishte filluar të realizohej.

     

  • Për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale me sipërfaqe prej 2,000m2, sipas planit të biznesit ishte paraparë të bëhej investimi në zgjerimin e kapacitetit të prodhimit, qiramarrësi ishte zotuar se në vitin 2023 do të investonte në vlerë prej 50,000€. Nga ekzaminimi fizik kemi vërejtur se investimi në fjalë edhe këtu ende nuk kishte filluar të realizohej.

     

  • Për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale në vitin 2016 me sipërfaqe prej 21,361m2, sipas planit të biznesit, qiramarrësi kishte parashikuar që brenda 18 muajve të investonte vlerën prej 1,945,646€ ku do të përfshiheshin: punët e dheut në vlerë prej 131,000€, punët e hekurit në vlerë prej 119,776€, konstruksioni metalik në vlerë prej 337,500€, instalimet elektrike në vlerë prej 146,000€, zyrat në vlerë prej 350,000€, pajisjet dhe makineritë në vlerë prej 665,000€. Nga ekzaminimi fizik kemi vërejture se as pas gati 8 vitesh, qiramarrësi ende nuk kishte arritur të përmbyllte as punët e vrazhda të objektit. Në anën tjetër komuna nuk kishte marrë masat e nevojshme për të identifikuar shkaktarët e ngecjes në realizim të projektit dhe të marrë masat e nevojshme ligjor në funksion të realizimit të kontratës.

 

Në tri (3) raste, shfrytëzuesit e pronave komunale i kishin dhënë prona palëve të treta pa aprovim paraprakisht nga komuna, që është në kundërshtim me ligjin për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale.

  • Komuna në  vitin 2017 i kishte dhënë në shfrytëzim dy parcela me sipërfaqe prej 22,089m2 tek tregu i gjelbër të Ferizajt, NPL Ambientit pa kompensim. Përderisa në 2021, NPL Ambienti SHA përmes ankandit publik në kundërshtim me kushtet e kontratës i ka dhënë në shfrytëzim një subjekti tjetër juridik.
  • Prona e dhëne ne shfrytëzim prej 3,000m2 të vitit 2017, kjo pronë ishte duke u shfrytëzuar nga një subjekt tjetër juridik.
  • Prona e dhënë në shfrytëzim në 2023 me sipërfaqe prej 2,000m2, kemi identifikuar që në atë pronë aktualisht është duke operuar biznesi tjetër e jo qiramarrësi.

Në tri(3) raste prona komunale ishte duke u shfrytëzuar edhe pas skadimit të kontratës pa marrëveshje të re. Për këto raste duhet të theksohet se Kryetari i Komunës në Kuvendin Komunal nuk ka raportuar për kontratat e skaduara dhe destinimin e atyre pronave në të ardhmen.

Gjithashtu, Kryetari i Komunës nuk kishte paraqitur asnjë raport në Kuvendin Komunal lidhur me monitorimin e realizimit të kontratave dhe përmbushjes së qëllimit të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme.

Të gjitha këto mangësi theksojnë nevojën për marrjen e masave të menjëhershme në menaxhimin e pronave komunale, prandaj për këtë qëllim kemi dhënë pesë (5) rekomandime për komunën e Ferizajt.

Të nderuara media,

Për sa i  përket auditimit “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”, fokusuar ka qenë në proceset e prokurimit në vitin 2023, duke përfshirë planifikimin, procedurat e prokurimit, menaxhimin e kontratës dhe masat që janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë, për t’u siguruar që ato kanë qenë efikase deri në arritjen e qëllimit të tyre.

Proceset e blerjeve me prokurim kryesisht ishin të fokusuara në kategorinë Mallra dhe Shërbime si dhe në Investime Kapitale. Buxheti i vitit 2023 për MSH-në për këto dy kategori ishte rreth 61 milion euro, përderisa ishin shpenzuar mbi 27 milion euro apo 44%.

Rezultatet e auditimit kanë identifikuar mangësi nga faza e planifikimit të prokurimit e deri të monitorimi i tyre. Ndër të tjera, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur që një numër të rëndësishëm të prokurimeve të planifikuara t’i kontraktoj.

 

Proceset e prokurimit për projekte kapitale të vitit 2023 kishin filluar kryesisht me vonesa për shkak që përgatitjet e duhura nga Ministria nuk ishin kryer me kohë. Po ashtu, disa nga këto aktivitete të prokurimit ishin vonuar edhe më shumë si rezultat i ankesave në OSHP nga ana e OE.

-Një numër prej 35 procedurave që kishin të bënin kryesisht me furnizime me pajisje mjekësore dhe barna në vlerë mbi 4.5 milion euro ishin anuluar nga vetë Ministria. Kjo pasi që ofertat tejkalonin buxhetin e planifikuar, si pasoj që nuk ishin bërë paraprakisht analizat e duhura të çmimeve reale të tregut nga ana e Ministrisë.

-Ndarja në shumë Llot-e e aktivitetit të prokurimit për “Furnizim me pajisje mjekësore, instrumente mjekësore për njësitë organizative të Qendrës Klinike Universitare” në vlerë të parashikuar rreth 1.9 milion euro nuk kishte rezultuar të jetë shumë efikase.

-Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kishte planifikuar dy kontrata të mëdha furnizimi si “Furnizim me Mikrokartela dhe Serume për grupe të gjakut” në vlerë rreth 690 mijë euro dhe “Furnizim me qese të gjakut” me vlerë prej 960 mijë euro, për të cilat nuk kishte publikuar njoftimin paraprak.

Po ashtu, Ministria nuk ishte efektive në parandalimin e parregullsive në fazën e tenderimit. Tri procese të tenderimit ishin anuluar në fazën e nënshkrimit të kontratave më arsyetimin se ishin identifikuar parregullsi, edhe pse procesi kishte kaluar të gjitha fazat e prokurimit. Ministria nuk ka qenë efikase dhe efektive për shkak se si rezultat i mungesës se kontrolleve këto parregullsi ishin identifikuar në fund të procesit dhe kishin pamundësuar nënshkrimin e kontratave.

Gjithashtu, kemi identifikuar dobësi në dosjet e tenderit lidhur me kërkesat e pranueshmërisë. Në pesë (5) raste të kontratave të nënshkruara kemi vërejtur se në dosjen e tenderit nuk ishin kërkuar dëshmitë/çertifikata mbi dënimet penale për drejtuesin/ menaxherin e kompanisë apo ndonjë drejtor të saj, por ato ishin kërkuar vetëm për Kompaninë, e që kjo nuk është në përputhje të plotë me nenin 65 të LPP-së.

Në katër kontrata me vlerë të lartë, menaxhimi i tyre nuk ishte bërë përmes platformës/modulit e - Prokurimi.

 

Me qëllim të adresimit dhe evitimit të mangësive të identifikuara, ne kemi dhënë  pesë (5) rekomandime.

Të nderuara media,

Ju informoj që deri me 31 gusht të këtij viti në përputhje me planin audituese, do të kryejmë  dhe publikojmë raportet e auditimit si në vijim:

Tri raporte të performances:

  • Prishtina Parking, Pronat e Institutit Bujqësore dhe Lista e pritjes së pacienteve.

Sezoni i auditimit do të përmbyllet me dërgimin e Raportit Vjetor të Auditimit të buxhetit të shtetit për vitin 2023 në Kuvendin e Republikës së Kosovës si dhe me identifikimin e rasteve me elemente potenciale për mashtrim te cilat do t’i dërgohen Prokurorit te Shtetit.

 

Faleminderit për vëmendje!

 

 

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të shpalosen rezultatet e tri auditimeve të performancës dhe pajtueshmërisë, si:

  • Auditimi i performancës “Vlerësimi i Procedurave të Shitjes Direkte të Aseteve nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, për periudhën 2019-2021;
  • Auditimi i pajtueshmërisë “Prokurimi dhe menaxhimi i kontratave në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2023”; si dhe
  • Auditimi i pajtueshmërisë “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre në komunën e Ferizajt për periudhën 01.01.2022 – 30.09.2023”.

 

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të enjten, 1 gusht 2024

Ora: 11:00

Vendi: Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) 

 

 

 

 

 

Ju mirëpresim!