Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Prokuroria e Shtetit dhe ZKA-ja angazhohen për thellim të bashkëpunimit në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe sundimit të ligjit

Prokuroria e Shtetit dhe ZKA-ja angazhohen për thellim të bashkëpunimit në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe sundimit të ligjit

Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), Minire Begaj – Balaj dhe UD e Udhëheqëses së Njësisë Kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj - Ahmeti të mërkurën u pritën në takim nga Prokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, njëherësh koordinator për raste të auditimit. Pjesë e këtij takimi ishte edhe përfaqësuesi i UNDP-së Mato Meyer. 

Takimi pati për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të përmirësuar koordinimin e trajtimit të rasteve të keqpërdorimit të fondeve publike. 

Znj. Begaj – Balaj e informoi Prokurorin e Shtetit lidhur me aktivitetet që do të realizohen në kuadër të projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit Financiar” i cili  po zbatohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe UNDP-së. 

Z. Hyseni vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit të strukturuar me ZKA-në, duke theksuar se referimet cilësore dhe komunikimi i rregullt ndërmjet institucioneve janë thelbësore për hetimin dhe ndjekjen efektive të rasteve të korrupsionit dhe krimit financiar. 

Palët konfirmuan përkushtimin për vazhdim të bashkëpunimit në funksion të forcimit të llogaridhënies dhe sundimit të ligjit si dhe aktivitetet të realizohen në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.

ZKA auditon efikasitetin dhe efektivitetin e administrimit të pronave nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës

ZKA auditon efikasitetin dhe efektivitetin e administrimit të pronave nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i administrimit të pronave nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP)”, për periudhën 2023–2025.

Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojë nëse Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka siguruar një sistem efektiv të qeverisjes, kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies që garanton administrim efikas dhe transparent të pronave. Aktualisht  AKKVP ka nën administrim mbi 11,000 prona në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë pronat banesore, komerciale dhe ato bujqësore. 

ZKA-ja auditon Sistemin Informativ për skemat pensionale në Kosovë

ZKA-ja auditon Sistemin Informativ për skemat pensionale në Kosovë

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit “Sistemi i Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale në Kosovë”, për periudhën 2024-2026.

Fushëveprimi i këtij auditimi është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Departamenti i Pensioneve, në kuadër te të cilit përfshihen edhe zyrat regjionale. Gjithashtu në fushëveprim është paraparë edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit për rolin e saj në ruajtjen dhe inventarizimin e dosjeve të punëtorëve në ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, si dhe Arkivi Shtetëror i Kosovës për rolin e tij në procesin e dokumenteve të arkivuara.

Auditimi ka për qëllim të vlerësojë nëse Sistemi i Integruar Informativ për skemat pensionale funksionon në mënyrë efektive duke siguruar të dhëna të sakta, me shërbime të digjitalizuara si dhe në kohë reale për qytetarët.

Auditimi publik në fokus të takimit të Auditores së Përgjithshme me misionin e FMN-së

Auditimi publik në fokus të takimit të Auditores së Përgjithshme me misionin e FMN-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani, të premten pritën në takim përfaqësuesit e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovë, Javier Kapsoli, Ekonomist i Lartë në Departamentin Evropian dhe Selim Thaçi, Ekonomist i Lartë nga Zyra e Përfaqësuesit të Përhershëm në Kosovë në Departamentin Evropian.

Takimi shërbeu si mundësi që palët të diskutojnë rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Auditimit duke përfshirë klasifikimin e gabuar të shpenzimeve, planet dhe reformat kundër korrupsionit, si dhe kapacitetet për zbatimin e rekomandimeve dhe reformat e sugjeruara për forcimin e tyre.

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën ndërkombëtare në Abu Dhabi “Ripërcaktimi i auditimit në epokën e Inteligjencës Artificiale” dhe në Samitin Botëror të Qeverisjes

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën ndërkombëtare në Abu Dhabi “Ripërcaktimi i auditimit në epokën e Inteligjencës Artificiale” dhe në Samitin Botëror të Qeverisjes

Autoriteti i Llogaridhënies i Emirateve të Bashkuara Arabe, më 2 dhe 3 shkurt 2026 në Abu Dhabi, organizoi konferencën ndërkombëtare “Ripërcaktimi i auditimit në epokën e Inteligjencës Artificiale (AI)”, ku morën pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, me staf mbështetës. 

Konferenca bëri bashkë drejtues dhe përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme të botës dhe u fokusua në ndikimin e inteligjencës artificiale në auditimin publik, si dhe në mënyrat se si teknologjia mund të rrisë efikasitetin, transparencën dhe saktësinë e procesit të auditimit. 

Punimet e konferencës u hapën me fjalë hyrëse nga Auditori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Humaid Obaid Khalifa Obaid Abushibs, Auditori i Përgjithshëm i Izraelit, njëherësh president i EUROSAI-t, Matanyahu Englman, si dhe shkencëtari kryesor Dr. Sterling Thomas nga Zyra Qeveritare për Llogaridhënie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Pjesëmarrësit, përgjatë dy ditëve, ndanë përvojat dhe praktikat më të fundit të përdorimit të AI në auditime, përmes prezantimeve interaktive dhe shembujve praktikë nga ekspertë të Institucioneve Supreme të Auditimit nga nga më shumë se 20 vende të botës.  Në kuadër të sesioneve punuese u testuan mjete të AI për auditime më të shpejta dhe më të sakta. 

Diskutimet u fokusuan gjithashtu në sfidat dhe mundësitë e ardhshme të AI në sektorin publik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për auditim publik më efektiv dhe për qeverisje më të mirë. 

Në kuadër të konferencës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka zhvilluar takime të veçanta me homologë nga vende të ndryshme duke përfshirë Auditorin e Përgjithshëm të Zvicrës, Maltës, Estonisë, Sllovakisë, Maqedonisë së Veriut si dhe përfaqësues të tjerë.    

Gjithashtu gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në sesionin e parë të punimeve të Samitit Botëror të Qeverisjes, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë institucionalë, liderëve qeveritarë, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve nga mbarë bota. 

Gjatë samitit u zhvilluan panele diskutimi dhe sesione të ndryshme, të cilat trajtuan tema me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen e mirë, inovacionin digjital dhe sfidat e së ardhmes.  

Pjesëmarrja e Auditores së Përgjithshme në këtë samit përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave profesionale, ndërtimin e partneriteteve institucionale, si dhe forcimin e rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit në nivel botëror.  

 

ZKA-ja auditon Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universitetit të Prishtinës

ZKA-ja auditon Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universitetit të Prishtinës

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke e realizuar auditimin “Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) në Universitetin e Prishtinës”. 

Auditimi do të vlerësojë menaxhimin dhe administrimin e platformës SEMS, si dhe nëse kjo platformë siguron mbështetje efektive dhe të sigurt për funksionet kryesore të Universitetit të Prishtinës. 

Universiteti i Prishtinës ka krijuar platformën SEMS për t’ju  ofruar  shërbime elektronike  studentëve që nga procesi i aplikimit për studime deri te pajisja me diplomë. SEMS është në përdorim që nga viti 2012 dhe funksionon në të gjitha njësitë akademike të UP-së  duke mbuluar gjithsej 14 fakultete. SEMS ka rol kyç në efikasitetin dhe transparencën e menaxhimit akademik dhe administrativ të UP-së.

 

 

Auditorët e ZKA-së ndoqën trajnimin për auditime të shpejta zhvilluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar

Auditorët e ZKA-së ndoqën trajnimin për auditime të shpejta zhvilluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar

Ekspertë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, të hënën, mbajtën në mënyrë virtuale një trajnim për auditime të shpejta për stafin auditues të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Trajnimi kishte për qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale të auditorëve për reagim në kohë ndaj çështjeve me interes të lartë publik, përmes një qasjeje të auditimit që bazohet në përzgjedhjen e temave relevante, përcaktimin e fushëveprimit, punën në terren dhe raportimin e bazuar në fakte.

Gjatë trajnimit, auditorët u angazhuan në mënyrë aktive përmes diskutimeve dhe shembujve praktikë duke punuar në grupe për zhvillimin e ideve për auditime të shpejta dhe analizimin e rasteve të caktuara.

Zyra Kombëtare e Auditimit fillon kampanjën vetëdijesuese për rolin dhe mandatin e saj

Zyra Kombëtare e Auditimit fillon kampanjën vetëdijesuese për rolin dhe mandatin e saj

Me qëllim të informimit të qytetarëve dhe palëve të interesit  për rolin, mandatin dhe rëndësinë e auditimit publik, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) do të fillojë kampanjën vetëdijësuese “Auditimi në shërbim të qeverisjes së mirë – Roli dhe ndikimi i ZKA-së”, e cila do të realizohet në qytetet e rajoneve kryesore të Kosovës: Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë e Jugut.  

 

Aktivitetet e kampanjës do të nisin nesër (e premte) në Pejë, me një agjendë gjithëditore. Fushatës do t’i paraprijë takimi i Auditores së Përgjithshme, znj. Vlora Spanca, me Kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri. Në kuadër të aktiviteteve, nxënësit e shkollës së mesme “Ali Hadri” do të njoftohen me rolin e ZKA-së dhe rëndësinë e auditimit publik, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të marrin pjesë në një takim të hapur informues në sheshin e qytetit.   

 

Përmes kësaj kampanje, ZKA synon të rrisë transparencën, të qytetarët për mandatin dhe aktivitetet e saj, si dhe të promovojë llogaridhënien në përdorimin e fondeve publike.  

 

Kampanja do të mbështetet edhe me publikimin e përmbajtjeve informuese dhe shpjeguese në ueb faqen dhe rrjetet sociale të ZKA-së, të dizajnuara në gjuhë të qartë dhe të kuptueshme për publikun e gjerë.  

 

Zyra Kombëtare e Auditimit mirëpret interesimin e mediave për informimin e publikut lidhur me këtë aktivitet, si dhe për realizimin e deklaratave dhe intervistave.

Sqarim lidhur me artikullin e “Kallxo.com” me titull “Zyra Kombëtare e Auditimit paguan trajnime për stafin në Institutin ku ligjërues është zv/Auditori i Përgjithshëm”

Sqarim lidhur me artikullin e “Kallxo.com” me titull “Zyra Kombëtare e Auditimit paguan trajnime për stafin në Institutin ku ligjërues është zv/Auditori i Përgjithshëm”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sheh të nevojshme të sqarojë disa çështje të ngritura në shkrimin e titulluar “Zyra Kombëtare e Auditimit paguan trajnime për stafin në Institutin ku ligjërues është zv/Auditori i Përgjithshëm” i publikuar me datë 27.01.2026 nga “Kallxo.com”.  

ZKA sqaron se Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj si ligjërues në Institutin për Certifikimin e Kontabilistëve, Auditorëve dhe Financiarëve (IKAF) është i angazhuar që nga viti 2015, ndërsa është emëruar Zëvendës Auditor i Përgjithshëm me 06.04.2022. Në  përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e brendshme të ZKA-së Komisioni për Etikë ka shqyrtuar kërkesën dhe ka lejuar vazhdimin e angazhimit duke vlerësuar se nuk është në kundërshtim me parimet e kodit të etikës dhe nuk përbën konflikt interesi.  

Sa i përket Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet ZKA-së dhe IKAF-it, është e rëndësishme të nënvizohet se ky memorandum, sikurse edhe memorandumet të cilat ZKA i ka me shoqatat tjera profesionale, ka të bëjë ekskluzivisht me programin “Edukimi i Vazhdueshëm Profesional (EVP)”, e jo për programet e certifikimit të auditorëve të cilat i ofrojnë këto shoqata profesionale. Megjithatë, për dallim nga memorandumet të cilat ZKA i ka me shoqatat tjera profesionale, memorandumi   me IKAF-in nuk ka asnjë implikim financiar për ZKA-në. Thjesht, realizohet pro bono në formë donacioni dhe parasheh lirimin nga pagesa për orët e ndjekura të trajnimeve profesionale (EVP) dhe anëtarësisë profesionale për stafin e ZKA-së. Prandaj pagesat e realizuara nga ZKA, të cilat përmenden në shkrim, nuk ndërlidhen me trajnime respektivisht EVP-të, por me programe të certifikimit profesional, ku punonjësit kanë statusin “student”. Këto pagesa (fjala është për programe të certifikimit profesional) janë bërë në bazë të një akti tjetër të brendshëm të ZKA-së, që rregullon rimbursimin e shpenzimeve për certifikim profesional, dhe vlejnë për cilëndo shoqatë profesionale të akredituar, e jo vetëm për IKAF-in.

Duhet theksuar se ndjekja e programeve të certifikimit bëhet në bazë të vullnetit individual të punonjësve dhe përzgjedhja e shoqatave bëhet paraprakisht, para punësimit të tyre në ZKA, dhe se ndikimi nga ZKA-ja apo referimi në përzgjedhjen e shoqatave është i pamundur.  

Përmes akteve të brendshme ZKA ka mekanizma funksional të etikës dhe integritetit, si dhe përcakton procedurat dhe masat e nevojshme për të shmangur konfliktin e interesit, ruajtur kredibilitetin e institucionit si dhe mbrojtur të drejtat që burojnë nga marrëdhënia e punës për të punësuarit në ZKA.  

 

ZKA dhe UNDP dakordohen për bashkëpunim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit

ZKA dhe UNDP dakordohen për bashkëpunim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit

Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve, Minire Begaj-Balaj dhe U.D e Udhëheqëses së Njësisë Kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti, të martën pritën në takim përfaqësuesit e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), menaxheren e projektit, Fjolla Raifi dhe ekspertin Mato Meyer.  

Takimi pati për qëllim bashkërendimin e aktiviteteve në mes të ZKA-së dhe UNDP-së për fillimin e zbatimit të projektit “Luftimi i Korrupsionit dhe Krimit Financiar” me synim forcimin e përpjekjeve institucionale për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit financiar në Kosovë. Tashmë ZKA-ja ka konfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim dhe koordinim institucional me UNDP Kosovë në kuadër të zbatimit të këtij projekti përmes ënshkrimit të Letrës së Angazhimit muajin e kaluar.  

Palët u dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit, përfshirë përkrahjen e ZKA-së në forcimin e bashkëpunimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ofrimin e trajnimeve si dhe aktivitete të tjera të përbashkëta me qëllim të rritjes së ndikimit në menaxhimin e mirë të financave publike.  

Palët do të angazhohen për zbatimin e aktiviteteve sipas marrëveshjes dhe planit për realizimin e projektit.

 

ZKA fillon auditimin e procesit të lejeve të ndërtimit në Komunën e Ferizajt

ZKA fillon auditimin e procesit të lejeve të ndërtimit në Komunën e Ferizajt

Në vazhdim të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës  “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Komunën e Ferizajt”, për periudhën 2021-2025. 

Auditimi do të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të dhënies së lejeve për ndërtime të larta në Komunën e Ferizajt, duke filluar nga paraqitja e kërkesës për leje deri të lëshimi i certifikatës së përdorimit. Gjithashtu,  do të vlerësohet nëse mekanizmat ekzistues sigurojnë transparencë dhe mbrojtje të interesit publik. 

Realizimi i këtij auditimi është vazhdimësi e auditimeve të ngjashme të realizuara më herët në Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Fushë Kosovës, qytete me zhvillim të hovshëm të ndërtimeve të larta.

ZKA-ja auditon procesin e furnizimit me barna për shëndetësinë primare dhe sëmundjet e rralla

ZKA-ja auditon procesin e furnizimit me barna për shëndetësinë primare dhe sëmundjet e rralla

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës “Furnizimi me barna nga Ministria e Shëndetësisë”, për periudhën 2022–2024.

Subjekt i këtij auditimi janë Ministria e Shëndetësisë, si dhe komunat e Lipjanit, Gjilanit, Rahovecit, Mitrovicës së Jugut si dhe komuna e Ferizajt. Në fokus të auditimit do të jenë planifikimi, kontraktimi, shpërndarja dhe menaxhimi i barnave, me synim rritjen e efikasitetit në sektorin shëndetësor.

Auditimi do të vlerësojë nëse Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë ekonomike dhe efikase në procesin e furnizimit dhe shpërndarjes së barnave për kujdesin shëndetësor parësor dhe për sëmundjet e rralla.

Sipas raportimeve mediatike, ndonëse Qeveria ka ndarë buxhet të konsiderueshëm për këto barna, në praktikë vazhdon të ketë mungesa. Aktualisht MSh-ja  përmbush vetëm 35–40% të nevojave reale për disa barna, duke detyruar komunat dhe qytetarët që t’i sigurojnë ato vetë.