Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të Entit Shtetëror të  Revizionit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Ndihmës Auditorja  e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Jusuf Kryeziu të mërkurën morën pjesë në Konferencën për shkëmbimin e përvojës në proceset e komunikimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut me palët e interesuara – mundësitë dhe sfidat, e organizuar me rastin e shënimit të  25-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

 

Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, në hapjen e konferencës theksoi rëndësinë e komunikimit efektiv me palët e interesuara për të forcuar transparencën dhe besimin në punën e institucioneve supreme të auditimit. Ai vlerësoi përparimin e Entit Shtetëror të Revizionit gjatë 25 viteve të funksionimit, si dhe  falënderoi partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për mbështetjen.

 

Po ashtu përmes një video fjalimi kryetar i EUROSAI-t njëherësh Auditor i Përgjithshëm i Izraelit, Matanjahu Engelman, përshëndeti të pranishmit dhe uroi Entin Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut për përvjetorin e themelimit.  

 

Konferenca u përqendrua në shkëmbimin e përvojave për proceset e komunikimit me palët e interesuara, duke trajtuar mundësitë dhe sfidat në këtë fushë përmes tri paneleve.

 

Në kuadër të panelit të parë u trajtua teme “Transparenca e punës dhe rezultatet e revizionit - Mundësitë dhe sfidat për ISR-në në komunikimin me palët e interesuara për aktvitetet e tyre dhe rezultatet e revizionit”; në paneli e dytë “Komunikimet inovative - Promovimi  i qasjeve inovative, metodave dhe përdorimit të teknologjive të reja në komunikim me palët e interesuara”; si dhe në panelin e tretë “Promovimi i bashkëpunimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut me palët e interesuara për të forcuar cilësinë dhe besueshmërinë e punës së tyre - Promovimi  i bashkëpunimit me palët e interesuara për të siguruar kontribut dhe mbështetje të pavarur për revizionet”. 

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ishte paneliste në sesionin e dytë, ku prezantoi praktikat inovative të komunikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Ajo theksoi rëndësinë e komunikimit transparent dhe efektiv për të ndërtuar besim dhe për të angazhuar partnerët në dialog, duke theksuar se gjetjet e auditimit duhet të nxisin ndryshime domethënëse për qytetarët.

 

Znj. Spanca ndau përvojat e ZKA-së, duke përmendur bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe planet për përfshirjen më të madhe të mediave si urë lidhëse ndërmjet institucionit dhe publikut. Ajo po ashtu përmendi përmirësimet në strategjitë e komunikimit, përfshirë zgjerimin e ekipit me një dizajner grafik për të transformuar mënyrën e prezantimit të raporteve të auditimit.

 

Me këtë rast znj. Spanca uroi homologun e saj nga Maqedonia e Veriut për 25-vjetorin e themelimit të Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve në promovimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. “Kam nderin të jem sot këtu për të festuar 25- vjetorin e Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut, moment historik vërtet i jashtëzakonshëm. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin dhe partneritetin e vazhdueshëm të institucioneve tona. Këto përpjekje bashkëpunuese kanë forcuar misionin tonë të përbashkët për promovimin e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies në vendet tona përkatëse”, deklaroi Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Auditorja e Përgjithshme dhe kryetari i KLSH-së shkëmbyen letra urimi për festën e 28 Nëntorit

Auditorja e Përgjithshme dhe kryetari i KLSH-së shkëmbyen letra urimi për festën e 28 Nëntorit

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, shkëmbyen letra urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 112-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë.

 

Në këtë shkëmbim urimesh krerët e të dyja Institucioneve Supreme të Auditimit  theksuan se lidhja  e veçantë në mes të dy popujve shërben si burim frymëzimi  dhe bashkëpunimi për të forcuar institucionet dhe për të ndihmuar në arritjen  e synimeve  të përbashkëta.

 

Znj. Spanca përmes letrës së urimit tha se kjo datë na kujton vlerat tona të përbashkëta dhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për të mbështetur transparencën  dhe  llogaridhënien  në  shërbim  të qytetarëve në të dyja vendet. “28 Nëntori mbetet datë e shenjtë për kombin shqiptar dhe simbolizon qëndrueshmërinë, sakrificat dhe aspiratat për liri dhe pavarësi. Gëzuar Festën e Pavarësisë! Ju dëshiroj shëndet të mirë dhe shumë suksese të mëtejshme në drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, theksohet ndër të tjera në letrën e urimit të Auditores së Përgjithshme dërguar homologut të saj shqiptar.

 

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu, në urimin e tij ndër të tjera ka theksuar angazhimin e znj. Spanca në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies. “Me rastin e 28 nëntorit kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për Ju dhe stafin tuaj. Me këtë rast të veçantë ju dëshiroj suksese të mëtejshme në misionin tuaj fisnik dhe i urojmë popullit të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve këtë ditë të shënuar”, thuhet në letrën e urimit të z. Shehu.   
 OSBE-ja dhe ZKA-ja angazhohen për avancimin e praktikave komunale të auditimit dhe rritjen e ndikimit

OSBE-ja dhe ZKA-ja angazhohen për avancimin e praktikave komunale të auditimit dhe rritjen e ndikimit

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me 26 nëntor 2024 organizuan punëtorinë për praktikat komunale të auditimit dhe ndikimin e raporteve të auditimit për vitin 2023. 

Pjesë e kësaj punëtorie ishin 19 komuna të përfaqësuara nga drejtorë të financave, zyrtarë kryesorë financiarë dhe auditor të brendshëm. Ndërsa nga Zyra Kombëtare e Auditimit morën pjesë Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Agron Fetiu e Ramadan Gashi si dhe Zyrtari i lartë i OSBE-së, Fatmir Zylfijaj. 

Qëllimi i punëtorisë ishte diskutimi rreth sfidave kryesore në zbatimin e rekomandimeve të auditimit dhe raportimi në kuvendet komunale. Të pranishmit diskutimin e fokusuan te gjetjet kryesore të raporteve të auditimit për vitin 2023, sfidat kryesore të identifikuara, ndikimin e auditimeve dhe përfitimet që sjell zbatimi më i madh i rekomandimeve të auditimit. 

 

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 30-vjetorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në shënimin e 30-vjetorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu dhe Drejtori i Përgjithshëm Safet Berisha qëndruan për vizitë zyrtare në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të këtij institucioni.

 

Konferenca e organizuar për shënimin e përvjetorit trajtoi arritjet dhe sfidat e Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë përgjatë tri dekadave, ku të pranishmit vlerësuan se arritjet e institucionit përgjatë kësaj periudhe mund të jenë frymëzim për institucionet homologe, duke ndarë përvoja dhe praktika më të mira në fushën e auditimit. Po ashtu u theksua se angazhimi për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare si INTOSAI dhe EUROSAI nënvizon përkushtimin e përbashkët për promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike.

 

Auditori i Përgjithshëm i Kroacisë, Ivan Klešić, falenderoi mysafirët për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë në kuadër të konferencës duke vënë në pah rëndësinë e shkëmbimeve të tilla për përmirësimin e praktikave të auditimit në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

 

 

 Auditorja e Përgjithshme qëndroi për vizitë bilaterale në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

Auditorja e Përgjithshme qëndroi për vizitë bilaterale në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu dhe Drejtori i Përgjithshëm Safet Berisha me 20 nëntor 2024 u pritën në takim bilateral nga Auditori i Përgjithshëm i Kroacisë, Ivan Klešić me të cilin biseduan për rolin, përgjegjësitë dhe praktikat e avancuara të dy Institucioneve Supreme të Auditimit  me theks të veçantë për auditimet e performancës. Znj. Spanca dhe z. Klesic biseduan edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me qëllim të shkëmbimit të përvojave më të mira për rritjen e cilësisë dhe ndikimit të auditimit.

 

Auditorja  e Përgjithshme Vlora Spanca e  falënderoi homologun për mikpritjen duke shprehur përkushtimin e saj dhe të ZKA-së për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. 

 

Znj. Spanca uroi Zyrën Shtetërore të Auditimit të Kroacisë dhe z. Klešić për shënimin e 30-vjetorit të institucionit duke thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe  dëshmi e përkushtimit të palëkundur për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mirë. “Tridhjetë vjet shërbim i përkushtuar ndaj interesit publik nuk është diçka e vogël dhe suksesi i qëndrueshëm i institucionit tuaj shërben si shembull për të gjithë ne në fushën e auditimit publik. Megjithëse angazhimi ynë dypalësh këtu sot mund të jetë i shkurtër, ai shënon fillimin e asaj që shpresojmë të jetë një bashkëpunim i gjatë dhe i frytshëm mes dy institucioneve tona. Së bashku, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha në dobi të popullit tonë”, deklaroi ajo.

 

Auditorja  e Përgjithshme shtoi se bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Kroacisë në fushën e auditimit publik i kontribuon përmirësimit të qeverisjes, rritjes së llogaridhënies dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike.

 

Tutje znj. Spanca foli për progresin e shënuar ndër vite të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, bashkëpunimin me Kuvendin, shoqërinë civile, mediat, qytetarët si dhe bashkëpunimin bilateral dhe atë në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Ajo bëri me dije se për sezonin auditues 2024/2025 parashihet kryerja e 139 auditimeve të rregullsisë, duke përfshirë auditimet financiare, të pajtueshmërisë dhe performancës.  “Kjo agjendë ambicioze është reflektim i përkushtimit tonë të vazhdueshëm ndaj standardeve më të larta të auditimit dhe vendosmërisë sonë për të kontribuar në përmirësimin e administratës publike në Kosovë”, tha znj. Spanca.  

 

 

Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme: Kontabilistët dhe auditorët janë promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mori pjesë në konferencën “Transformimi Digjital në Fushën e Kontabilitetit dhe Auditimit”, organizuar nga Instituti AAB për Kontabilist dhe Auditor të Certifikuar me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe Auditorëve.

 

Znj. Spanca theksoi se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë po ndikon në ridefinimin e profesionit të kontabilistit dhe auditorit. Ajo tha se është e rëndësishme që qytetarët të jenë në gjendje të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre përmes kontabilisteve dhe auditorëve të cilën konsiderohen promotorë të transparencës dhe llogaridhënies në lidhje me menaxhimin e parasë publike. Ajo tregoi se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në vazhdimësi ndjek trendet e zhvillimit vendor dhe ndërkombëtar të transformimeve digjitale, duke qenë pjesë e shumë programeve ndërkombëtare të cilat avancojnë aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e auditorëve, duke i bërë ata më konkurrues dhe kompetent në këtë fushë.  

 

Auditorja e Përgjithshme tha se ZKA-ja synon avancimin e auditimeve të TI-së dhe nxitjen e përdorimit të teknologjisë nga sektori publik për të përmirësuar standardet e sigurisë, efikasitetit dhe transparencës në sistemet e informacionit. Në këtë mënyrë ZKA-ja do të luajë një rol kyç në transformimin digjital të qeverisjes, duke ndikuar pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

 

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur në Lubjanë

Përfaqësueset e ZKA-së morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur në Lubjanë

Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj dhe auditorja Nora Rashiti  morën pjesë në tryezën “Praktikat më të mira të raportimit për të rritur ndikimin” të mbajtur me 7 dhe 8 nëntor në Lubjanë. Tryeza u organizua nga  SIGMA në bashkëpunim me  Qendrën për Ekselencë në Financa (CEF), në kuadër të Planit të aktiviteteve të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve.

 

Ky aktivitet pati për qëllim që pjesëmarrësit të ndajnë përvojat, të arriturat si dhe sfidat me të cilat përballen Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) për të siguruar që raportet e auditimit të kuptohen lehtësisht nga lexuesit.   

 

Hapja e  punimeve u bë me nga një fjalë rasti nga Drejtoresha e CEF-it, Jana Repansek, Këshilltarja e Lartë  e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Isabelle Berglund si dhe Zëvendës Drejtuesja e SIGMA-s, Bianca Brétéché. 

 

Në pjesën e parë të punimeve Drejtoresha e CEF-it, Jana Repansek, prezantoi konceptin e  të nxënit të aplikuar nga vetë organizata, ndërsa Zyrtarja e Lartë nga Ekipi i Komunikimit në CEF, Tina Žagar prezantoi parimet dhe elementet për shkrimin efektiv. Ajo tha se një raport auditimi duhet të jetë i shkruar mirë për të dalluar në mënyrë efektive, për të kapur interesin dhe për të promovuar ndryshimin.

 

Punimet e tryezës vazhduan me diskutime  në panel, ku pjesë e panelit  ishin përfaqësuesit e ISA-ve nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia si dhe Kosova ku u prezantuan përpjekjet e vazhdueshme dhe të arriturat për përmirësimin e shkrimit të raporteve të tyre të auditimit  për të rritur ndikimin e punës së tyre.

 

Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, foli për progresin që ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ndër vite në përmirësimin e praktikave të shkrimit të raporteve. Ajo bëri më dije se angazhimi i ZKA-së për të përmirësuar cilësinë e raporteve të auditimit ka qenë një prioritet afatgjatë duke vlerësuar se komunikimi efektiv është thelbësor për transparencën dhe llogaridhënien. “Kur krahasojmë raportet tona të auditimit të vetëm disa viteve më parë me ato që prodhojmë sot, është e qartë se kemi bërë përparime të mëdha në përmirësimin e cilësisë së shkrimit tonë. Fokusi ynë ka qenë që të sigurohemi që raportet tona të jenë të qarta, koncize dhe me ndikim”, deklaroi Mulaj. Ajo tregoi se tashmë të gjithë auditorët e ZKA-së kanë ndjekur trajnimet e nevojshme për përdorimin e kritereve të shkrimit të thjeshtë dhe se nga ky vit do të filloj pilotimi i përdorimit të listave kontrolluese për aplikimin e këtyre kritereve. Progresi i shënuar në këtë aspekt është rezultat i orientimit strategjik, por gjithashtu Mulaj u shpreh falënderuese ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë për mbështetjen në këtë aspekt në kuadër të bashkëpunimit bilateral.  

 

Ndërsa Drejtori i Auditimi të Performancës, Leif Svensson, foli për përpjekjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, duke thënë se udhëtimi për aplikimin e kritereve të gjuhës së thjeshtë filloi në vitin 2017 dhe u krijua si një projekt zhvillimi që synon të prodhojë raporte më miqësore për lexuesit me një gjuhë që është e pranueshme për të gjithë palët e interesuara.

 

Po ashtu pjesëmarrësit diskutuan edhe për sfidat e tyre, rreziqet dhe mundësitë në aplikimin e një stili të ndryshëm shkrimi për raportet e auditimit.

 

Ndërsa në ditën e dytë të punimeve të tryezës fokusi ishte te raportimi piramidal si një mjet thelbësor për krijimin e raporteve të qarta dhe logjike; praktikat e shkrimit më të mirë të raporteve në Gjykatën Evropiane të Auditorëve, si dhe të hapat konkretë që ISA-të dhe Rrjeti mund të ndërmarrin për të forcuar praktikat e mira të shkrimit të raporteve.

 

ZKA-ja dhe KLSH-ja shkëmbejnë përvojat profesionale në fushën ligjore dhe kundër mashtrimeve

ZKA-ja dhe KLSH-ja shkëmbejnë përvojat profesionale në fushën ligjore dhe kundër mashtrimeve

Në kuadër të bashkëpunimit ndër institucional me datat 4  dhe 5 nëntor 2024 një delegacion i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, kryesuar nga Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve, Minire Begaj Balaj, qëndroi për vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë.

Përfaqësueset e ZKA-së u priten në takim nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu, Drejtoresha e Përgjithshme, Marjola Llanaj dhe Drejtori i Drejtorisë Juridike, Bledar Mustafaraj, ku u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave si dhe angazhimi për rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve ligjore.

Palët diskutuan për metodologjinë dhe procedurat e trajtimit të rasteve nga të dyja vendet duke përfshirë mënyrat e identifikimit dhe dokumentimit të rasteve që dalin nga gjetjet e auditimeve si dhe bashkëpunimin me organet e hetimit. Në këtë aspekt u përmend edhe Kodi i Etikës i cili përmban udhëzime të rëndësishme për ruajtjen e integritetit dhe transparencës në trajtimin e çështjeve ligjore. 

Përfaqësuesit e KLSH-së prezantuan procedurat për identifikimin dhe dokumentimin e rasteve nga auditimet, përgatitjen e kallëzimeve penale dhe sigurimin e provave për hetime. Ndërsa përfaqësueset e ZKA-së prezantuan ecurinë e procesit të identifikimit të rasteve me elemente potenciale të veprës penale nga raportet e auditimit dhe  dërgimin e tyre te Prokuroria e Shtetit duke përfshirë sigurimin e dëshmive të nevojshme.

Pjesë e takimit nga ZKA-ja ishin edhe Këshilltarja e Lartë Kundër Mashtrimit, Natyra Kasumaj Ahmeti dhe Këshilltarja e Lartë Juridike, Violeta Shatrolli Parduzi. Kurse nga KLSH-ja ishin edhe kryeaudituesja Romina Kruja si dhe auditueset Julian Hysomemaj dhe Vjola Kojani.

Përmirësimi i proceseve për menaxhimin e aseteve publike në fokus të takimit të përfaqësuesve të  ZKA-së dhe Bankës Botërore

Përmirësimi i proceseve për menaxhimin e aseteve publike në fokus të takimit të përfaqësuesve të ZKA-së dhe Bankës Botërore

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, me bashkëpunëtorë priti në takim Misionin e Bankës Botërore të kryesuar nga Kris Kauffmann me të cilin diskutuan për sfidat në menaxhimin e aseteve në sektorin publik dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në përmirësimin e kësaj fushe, veçanërisht sfidat që lidhen me identifikimin, kontrollin dhe administrimin e aseteve publike.

 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm dhe bashkëpunëtorët e tij folën për rolin e ZKA-së si institucion i pavarur në vlerësimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave publike në menaxhimin e aseteve, duke theksuar rëndësinë e auditimeve financiare, pajtueshmërisë dhe të performancës respektivisht rekomandimeve të dhëna për përmirësime të vazhdueshme të cilat janë më të dukshme viteve të fundit.

 

Përfaqësuesit e Bankës Botërore ndanë përvojat globale dhe ofruan sugjerime për përforcimin e proceseve të menaxhimit të aseteve duke përmendur kontributin e tyre potencial në këtë fushë.

 

Palët vlerësuan se ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të politikave dhe proceseve për menaxhimin e qëndrueshëm të aseteve publike me qëllim rritjen e efikasitetit dhe mbrojtjen e interesit publik.

ZKA dhe NDI diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit institucional

ZKA dhe NDI diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit institucional

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e  Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, priti sot në takim Menaxherin e Lartë të Programit në Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), Artan Murati dhe zyrtaren e Programit Merisa Abdullahu.

 

Znj. Spanca foli rreth misionit dhe mandatit të ZKA-së, duke theksuar rolin e saj në sigurimin e transparencës, llogaridhënies dhe përdorimit efektiv të burimeve publike në Kosovë, përfshirë edhe iniciativat e ndryshme që ZKA ndërmerr. Ndërsa z. Murati njoftoi të pranishmit mbi punën e organizatës, veçanërisht në mbështetjen e qeverisjes demokratike dhe forcimin e institucioneve, me theks në projektet e vazhdueshme të NDI-së, përfshirë punën me Kuvendin e Kosovës. 

Delegacioni nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Delegacioni nga Parlamenti i Republikës së Shqipërisë vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca me bashkëpunëtorë të premten priti në takim delegacionin e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi dhe Kryetarja e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, Emilia Koliqi si dhe anëtarë të tjerë të komisionit dhe nenkomisionit. 

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi lartë vizitën e këtij delegacioni si dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe parlamenteve për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën në shpenzimin e fondeve publike.

 

Znj. Spanca përgëzoi mysafirët për themelimin e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik si mekanizëm mbikëqyrës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, i cili do t’i shërbejë rritjes së llogaridhënies dhe transparencës për shpenzimin e parasë publike.  “Institucionet Supreme të Auditimit kanë për mision që t’i ofrojnë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për shpenzimin e parasë publike si dhe t’a ndihmojë Parlamentin për t’i mbajtur llogaridhënës ata që administrojnë paratë publike”, deklaroi znj. Spanca.

 

Ajo tha se auditimi i sektorit publik kontribuon në përmirësimin e standardeve të qeverisjes, menaxhimit dhe vendimmarrjes më të mirë dhe përdorimit më efektiv të parasë publike. “Për të arritur këtë ndikim bashkëpunimi me Kuvendin është më së i nevojshëm. Për funksionimin sa më të mirë të një Institucioni Suprem të Auditimit është jetike ruajtja e pavarësisë së tij”, theksoi znj. Spanca.  

 

Me tutje Auditorja e Përgjithshme foli për partneritetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Pavarësisht përpjekjeve dhe bashkëpunimit me Kuvendin, znj. Spanca tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit nuk është në nivelin e kënaqshëm meqë vetëm 46% e rekomandimeve janë zbatuar.   

 

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, falënderoi Auditoren e Përgjithshme për mirëpritjen si dhe për gatishmërinë për t’i shkëmbyer përvojat e mira sa i përket bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës. Ai tha se ky bashkëpunim mund të shërbej si model edhe në Shqipëri. Sipas tij në këtë  aspekt Kosova dhe Shqipëria mund të mësojnë shumë nga njëra-tjetra.

 

Ai tha se ishte tejet i rëndësishëm avancimi i raporteve në mes të Parlamentit të Shqipërisë dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.  Z. Shalsi falënderoi edhe NDI në Shqipëri për punën dhe mbështetjen profesionale në themelimin e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik.

 

Edhe Kryetarja e Nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, Emilia Koliqi, tha se themelimi i nënkromisionit që drejton ka ardhur si rezultat i shkalles së ulët të zbatimit të rekomandimeve. Ajo tha se për punën e mëtutjeshme të Komisionit do të merret parasysh përvoja e Kosovës në këtë drejtim si dhe ekspertiza profesionale e NDI në Shqipëri përkatësisht Ish Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës Llage Bende Olofsson.  

 

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Safet Berisha, prezantoi para të pranishmëve kornizën kushtetuese dhe ligjore, ndërsa Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komunikim, Qendresa Mulaj i njoftoi për bashkëpunimin e ZKA-së me Kuvendin përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

 

Pjesë e delegacionit nga Shqipëria ishin edhe: anëtari i komisionit dhe nenkomisionit Alban Xhelili, nënkryetarja e Komisionit dhe anëtare e nenkomisionit Sorina Koti, drejtoresha e NDI në Shqipëri Ana Kovacevic, zyrtarja e Programit në NDI në Shqipëri Sabina Babameto, këshilltari i Programit në NDI në Shqipëri Rinor Beka, Brunilda Zeneli dhe Kristina Pushi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe Nivini Lekaj, Besi Londo dhe Dea Dragoti nga stafi parlamentar.  

 

Ndërsa nga Kosova ishin: Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka, Emine Fazliu, Ramadan Gashi si dhe Shefja e Kabinetit Shqipe Çavdarbasha.   

 

 

 

 

 

 

Sqarim për opinionin lidhur me një gabim në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023

Sqarim për opinionin lidhur me një gabim në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se në Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2023 gjatë procesit të përgatitjes teknike është lëshuar një gabim, ku në faqen 42 të raportit përkatësisht te kategoria “Mallrat dhe Shërbimet” kanë mbetur të dhënat nga Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2022.  

 

Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ZKA-ja sqaron se në faqen 42 përkatësisht te shënimi “Mallrat dhe Shërbimet” ku është bërë përshkrimi i zërave kryesorë që përbëjnë shpenzimet e kësaj kategorie, të dhënat e paraqitura nuk paraqesin gjendjen sipas të dhënave nga Raporti Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.  

 

Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj.

 

Për hir të korrektësisë, njoftojmë opinionin publik se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur. Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €.

 

Auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës, opinionin publik si dhe subjektin e audituar se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

 

Lidhur me këtë lëshim teknik, ZKA-ja ka njoftuar Kuvendin e Republikës së Kosovës, Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve si subjekt i audituar,  Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere (KBPT) me të gjitha sqarimet e nevojshme.