Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Njoftim lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Njoftim lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) njofton opinionin publik lidhur me veprimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të kufizuar fushëveprimin e Auditorit të Përgjithshëm që të ushtrojë mandatin e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin me nr.05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Në përputhje me Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023-2024, me datë 16 prill 2024, Auditori i Përgjithshëm, përmes Letër Angazhimit të auditimit e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për fillimin e auditimit përcjellës lidhur me vlerësimin e zbatimit të rekomandimeve të dala nga auditimi paraprak “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”, i realizuar në vitin 2017.

Fokusi i auditimit përcjellës i filluar në vitin 2024 ishte të vlerësohen masat e ndërmarra për zbatimin e rekomandimeve lidhur me procesin e menaxhimit të lëndëve civile nga ana e gjykatave themelore, monitorimin e progresit të gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve. Subjekte të këtij auditimi ishin Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit si dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në lidhje me këtë angazhim, njoftoheni se pas disa komunikimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe përpjekjeve për të realizuar këtë auditim, me datë 10 qershor 2024, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka pranuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës të datës 06 qershor 2024, përmes së cilit Këshilli kishte vendosur për mos lejimin e  kryerjes së auditimit përcjellës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”.

E gjendur në këtë situatë të pa precedent, e cila ndodh për herë të parë që nga themelimi i Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca e ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe tri komisionet parlamentare: Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere si dhe Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete.

Po ashtu, si anëtare me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), bazuar në detyrimet që ka Auditori i Përgjithshëm si Institucion Suprem i Auditimit të Kosovës për të përmbushur kërkesat e standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-it, znj. Spanca i ka njoftuar organet kompetente të kësaj organizate. Gjithashtu, ajo ka kërkuar njëkohësisht aktivizimin e mekanizmit të avokatisë së shpejtë (SIRAM) në kuadër të INTOSAI-it për të trajtuar çështjen lidhur me kufizimin në fushëveprim.  

Mekanizmi i avokatisë së shpejtë është duke analizuar dhe vlerësuar faktorët, shkaqet dhe rrezikun potencial nga veprimet e deritanishme kundrejt ZKA-së në përmbushje të mandatit kushtetues dhe ligjor.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenet 136,137 dhe 138 si dhe Ligji nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, e vendosin Auditorin e Përgjithshëm si institucionin më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar. Këto akte i japin mandat dhe kompetencë të plotë dhe të vetme të kryej auditime të jashtme në veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike dhe të personave të tjerë juridik shtetëror pa përjashtim; si dhe të auditojë përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal.

Për më tepër, neni 19 i Kushtetutës së Republikës se Kosovës bën të zbatueshme drejtpërdrejtë standardet ndërkombëtare të auditimit të sektorit publik, si standardet e INTOSAI-t, Deklaratën e Limës dhe Deklaratën e Meksikës, të cilat mbështesin kryerjen e auditimeve të performancës nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Rikujtojmë se neni 97 i MSA-së portretizon se auditimi i jashtëm (lexo: Auditori i Përgjithshëm) duhet të jetë në përputhje me standardet e pranuara, dhe MSA si instrument i ratifikuar ndërkombëtar është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 19 të Kushtetutës, duke pasur parasysh parimet kushtetuese të sundimit të ligjit, supremacisë së ligjit dhe hierarkisë së normave (referuar përshtashmërisht paragrafit 297 të Aktgjykimit të GJK-së në rastet nr. KO216/22 dhe KO220/22 ku flitet për zbatimin e MSA-së).

Auditori i Përgjithshëm është plotësisht i vetëdijshëm lidhur me mandatin, kompetencat dhe pavarësinë që sistemi gjyqësorë ka në shtetin tonë dhe në asnjë rrethanë nuk ndërhyn dhe nuk vlerëson performancën e gjykatësve, nuk kryen inspektimin gjyqësor, administrativ apo aktivitete tjera brenda gjyqësorit dhe as nuk vlerëson meritokracinë e vendimeve gjyqësore. 

Auditori i Përgjithshëm është i vetmi Institucion shtetëror i mandatuar të kryej auditime të jashtme në të gjitha institucionet publike në mënyrë të pavarur nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor si tri pushtete të ndara shtetërore dhe nuk ndikohet nga asnjëri prej tyre në kryerjen e auditimit.

 

Auditorja e Përgjithshme  pret në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të hënën priti në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi (AIP), Krenare Sogojeva Dermaku, ku diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Znj. Spanca dhe znj. Sogojeva Dermaku e vlerësuan tejet të rëndësishëm bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve me qëllim të forcimit të  llogaridhënies dhe transparencës në institucionet publike,  me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në këtë kontekst palët u dakorduan për shkëmbimin e informatave dhe përvojave duke përfshirë këtu edhe sigurinë e informacionit në sistemet shtetërore të teknologjisë së informacionit. 

 

Auditimi i performancës për fuqizimin e grave nga zonat rurale dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës prezantohet në nivel rajonal

Auditimi i performancës për fuqizimin e grave nga zonat rurale dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës prezantohet në nivel rajonal

Nën organizimin e UN Women për Evropën dhe Azinë Qendrore, në Shkup të Maqedonisë së Veriut u mbajt tryeza për prezantimin e rezultateve nga auditimi i përbashkët rajonal i performancës i Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale nëpërmjet përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në fjalën e saj të hapjes u shpreh se ky auditim është i një rëndësie të madhe pasi u mundëson të tri vendeve të bashkëpunojnë dhe të adresojnë sfida specifike me të cilat përballen.

“Si auditorë, ne luajmë rol thelbësor në mbajtjen e qeverive përgjegjëse për angazhimet e tyre ndaj barazisë gjinore. Auditimet tona ofrojnë vlerësim të pavarur dhe objektiv për planifikimin dhe zbatimin e buxhetit, si dhe shqyrtojnë nëse qeveritë tona përkatëse kishin qasje të përgjegjshme ndaj barazisë gjinore. Përmes auditimit ne mund të identifikojmë pabarazitë, joefikasitetin dhe mundësitë e humbura për fuqizimin e grave dhe grupeve të margjinalizuara”, u shpreh znj. Spanca.

Më tutje ajo theksoi se përmes punës së përbashkët, qeveritë, institucionet dhe shoqëria civile mund të krijojnë një mjedis më gjithëpërfshirës dhe të barabartë për gratë nga zonat rurale. Gjetjet nga auditimi dhe diskutimet e kësaj tryeze paraqesin një udhërrëfyes të vlefshëm për zhvillimin e politikave dhe programeve që fuqizojnë gratë për të qenë plotësisht pjesë e ekonomive të tyre.

Mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në procesin e auditimit foli edhe Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut Maksim Acevski. “Pjesëmarrja në auditime bashkëpunuese me institucionet e tjera supreme të auditimit është me rëndësi jetike për Zyrën e Auditimit. Ne përditë shohim dallimin në mes mjediseve rurale dhe atyre urbane, ku kushtet nuk janë të barabarta, prandaj, duhet përpjekur të sigurojmë qasje të barabartë, për shembull, në kujdesin ndaj fëmijëve, arsimimin dhe shërbimet publike në zonat rurale sikurse në ato urbane. Ky aktivitet synon të promovojë gjetjet dhe rekomandimet e rëndësishme nga raportet e auditimit, të mbështesë përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore, si dhe t’i bëjë gratë nga komunitetet rurale akterë kryesorë në betejën për barazi gjinore dhe pavarësi ekonomike”, tha z. Acevski.

Ndërsa Alfred Zylfi, Drejtor i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë tha se “Rezultatet e këtij auditimi na ndihmojnë të kuptojmë më mirë se ku ndodhemi, cilat janë sfidat kryesore dhe si mund të përmirësojmë qasjen tonë për të arritur një barazi gjinore të qëndrueshme dhe një fuqizim të vërtetë të grave në komunitetet rurale”.

Znj. Elisa Fernandez Saenz, Zëvendës drejtoreshë rajonale e UN Women për Evropen dhe Azinë Qendrore, z. Lusien Egerten, Zëvendës Ambasador i Zvicrrës në Maqedoninë e Veriut dhe z. Mikael Aterhog, Udhëheqës për bashkëpunim zhvillimor në Ambasadën e Suedisë në Maqedoninë e Veriut, po ashtu mbajtën fjalë rasti si mbështetës për realizimin e kësaj iniciative rajonale.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit në tryezë morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme znj. Myrvete Gashi Morina, auditorja e performancës znj. Ardiana Miftari, e cila prezantoi raportin si dhe auditoret seniore znj. Ylfete Osmani dhe znj. Arlinda Mustafa.

Auditorja e Përgjithshme priti në takim drejtoreshën e projektit të USAID Integriteti i Komunave të Kosovës me ekspertë

Auditorja e Përgjithshme priti në takim drejtoreshën e projektit të USAID Integriteti i Komunave të Kosovës me ekspertë

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, së bashku me Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm, Bezad Halilaj, dhe Drejtoreshën e Departamentit për Çështje Ligjore dhe Kundër Mashtrimit, Minire Begaj-Balaj, priti në takim drejtoreshën e projektit të USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës” (KMI), Aferdita Mekuli si dhe Ruzhdi Zeqiri, Udhëheqës i objektivës 1 dhe Vlora Isufi eksperte.

Qëllimi i takimit ishte njohja për së afërmi me aktivitetin e projektit për qeverisjen e sistemeve të TI-së, e që ka të bëjë me bazën e të dhënave për rastet e identifikuara me elemente të mashtrimit të mundshëm.

Në takim është diskutuar edhe progresi i arritur deri tani si dhe angazhimet në të ardhmen.

 Auditorja e Përgjithshme: Rritja e llogaridhënies dhe transparencës në shpenzimin e fondeve publike është objektivë e përbashkët e ZKA-së dhe  shoqërisë civile

Auditorja e Përgjithshme: Rritja e llogaridhënies dhe transparencës në shpenzimin e fondeve publike është objektivë e përbashkët e ZKA-së dhe shoqërisë civile

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën mori pjesë në cilësinë e panelistes në tryezën e diskutimit të organizuar nga Iniciativa për Progres – INPO, ku u prezantua raporti i monitorimi të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive “Analiza e planifikimit të prokurimit: ndryshimet e nevojshme dhe sfidat për autoritetet kontraktuese”.

Raporti trajton aspektet ligjore dhe praktike të planifikimit të prokurimit, përshtatshmërinë me planifikimet buxhetore, analizën e tregut dhe gjendjen aktuale të ministrive në planifikimin vjetor të prokurimit.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore të cilët diskutuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit si dhe sfidat e problemet e ministrive në planifikimin dhe zhvillimin e proceseve të prokurimit në përgjithësi.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca tha se rezultatet e auditimit të nivelit qendror për vitin 2023 tregojnë se menaxhimi me proceset e prokurimit tek ministritë ende ballafaqohet me disa çështje të cilat nuk janë në pajtueshmëri me kornizën ligjore apo rregulloret dhe udhëzimet që kanë të bëjnë me procesin e prokurimit. Edhe pse numri i rekomandimeve të dhëna nuk është i lartë dhe zbatimi i tyre ka shënuar progres, megjithatë  ka mangësi të përsëritura në këtë fushë.


 

 

Mbahet tryeza “Strategjia e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimet e performancës dhe përfshirja e shoqërisë civile”

Mbahet tryeza “Strategjia e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimet e performancës dhe përfshirja e shoqërisë civile”

Zyra Kombëtare e Auditimit, të enjten mbajti tryezën e diskutimit “Strategjia e Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimet e performancës dhe përfshirja e shoqërisë civile”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave profesionale dhe donatorëve. Tryeza kishte qëllim diskutimin dhe identifikimin e çështjeve/temave me interes publik për t’u përfshirë në Strategjinë për auditimet e performancës e cila aktualisht është në fazën fillestare të hartimit.  

 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se për ZKA-në është tejet i rëndësishëm bashkëpunimi me shoqërinë civile, prandaj duke vlerësuar se OJQ-të kanë rol aktiv për të ndikuar në përmirësimin e mirëqenies se qytetarëve, kontributi i tyre në identifikimin e temave të auditimit të performancës është i mirëpritur. Ai informoi pjesëmarrësit se ZKA-ja në sezonin auditues 2023-2024 ka kryer dy auditime për të cilat, temat ishin propozuar nga shoqëria civile. Gjithashtu, shtoi se deri më tani janë identifikuar fusha me interes publik për t’u audituar, duke theksuar se përsëri do të merren parasysh edhe diskutimet/propozimet nga këto palë të interesit.

 

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi - Morina, përgjegjëse për mbikëqyrjen e auditimeve të performancës, prokurimit dhe IT-së, foli për orientimin strategjik dhe fushat e identifikuara për auditim. Ajo theksoi se përzgjedhja e temave të auditimeve të performancës bëhet me kujdes dhe ato mbulojnë fusha me interes publik dhe kanë për qellim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetin në sektorin publik.

 

Drejtori i Departamentit të Auditimit, Samir Zymberi  prezantoi fushat e identifikuara për auditim si: Arsimi dhe edukimi, Barazia gjinore dhe Sistemet e TI-së.

 

Kurse Drejtoreshë e Departamentit të Auditimit, Fatlinda Ramosaj prezantoi fushat e identifikuara për auditim si: Mjedisi, Shëndetësia dhe Prokurimi publik.

 

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, shoqatave profesionale dhe donatorët vlerësuan lartë bashkëpunimin e deritanishëm me ZKA-në si dhe dhanë kontribut të çmuar në kuadër të diskutimeve duke propozuar tema të ndryshme për auditim në fushën e arsimit, edukimit, shërbimeve sociale, barazisë gjinore, mjedisit, prokurimit me theks kontratat njëburimore, pozitat me ushtrues detyre, etj.

 

Në përmbyllje të tryezës Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë, theksoi se propozimet e tyre do të merren parasysh gjatë procesit të hartimit të Strategjisë së ZKA-së për auditimet e performancës. Ai konkludoi se edhe gjatë këtij takimi u identifikuan një numër i konsiderueshëm i temave me rendësi për t’u audituar, por theksoi sfidën e mungesës se resurseve të ZKA-së për t’i përfshirë të gjitha temat nevojshme në proces të auditimit. 

 

 

 

ZKA-ja dhe Instituti AAB për Kontabilistë dhe Auditor të Çertifikuar me marrëveshje të bashkëpunimit profesional

ZKA-ja dhe Instituti AAB për Kontabilistë dhe Auditor të Çertifikuar me marrëveshje të bashkëpunimit profesional

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Drejtori Ekzekutiv i Institutit AAB për Kontabilistë dhe Auditorë të Çertifikuar, Ylber Prekazi, të martën nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zhvillimin e Programit të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional.

 

Marrëveshja ka për synim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së, si dhe të sigurojë një platformë efektive dhe të qëndrueshme për zhvillimin dhe promovimin e praktikave të mira dhe standardeve të larta profesionale.

 

Programi i EVP-ve do të përfshijë tema të rëndësishme për përmirësimin e njohurive dhe aftësive profesionale të stafit të ZKA-së në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

 

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes  ishin edhe Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha, Kryesues i Bordit të Institutit të AAB-së për Kontabilistë dhe Auditor të Çertifikuar, Sami Tahiraga si dhe Koordinatori për Programe në Institut, Valbon Bytyqi.  

Përfaqësueset e ZKA-së ndoqën trajnimin “Luftimi i marrëveshjeve të fshehta në prokurimet publike” në ILEA Budapest

Përfaqësueset e ZKA-së ndoqën trajnimin “Luftimi i marrëveshjeve të fshehta në prokurimet publike” në ILEA Budapest

Në datat 24-28 qershor 2024 në Budapest të Hungarisë u mbajt kursi njëjavor “Luftimi i marrëveshjeve të fshehta në prokurimet publike” i organizuar nga Akademia Ndërkombëtare e Zbatimit të Ligjit - ILEA Budapest, pjesë e të cilit ishin Republika Çeke, Jordania dhe Kosova.

 

Në këtë aktivitet Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës u përfaqësua nga drejtoresha e Departamentit të Auditimit, Fatlinda Ramosaj dhe Zyrtarja e Lartë për Çështje Juridike

dhe kundër Mashtrimeve, Natyra Kasumaj Ahmeti të cilat janë certifikuar pas përfundimit të seancave trajnuese dhe ushtrimeve praktike.   

 

Programi i kursit njëjavor pati për qellim pajisjen e pjesëmarrësve me strategji dhe mjete për të identifikuar sjelljen e fshehtë dhe për të zbuluar dhe penguar në mënyrë efektive manipulimin e ofertave në prokurimet publike. Ushtrimet praktike dhe udhëzimet janë përshtatur bazuar në përvojën e gjerë të Departamentit të Drejtësisë në bashkëpunimin me agjencitë e prokurimit në mbarë botën.

 

Ky aktivitet është mbështetur nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2023

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2023

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të enjten në një konferencë për media shpalosi rezultatet e auditimit në nivel vendi për vitin 2023. Ajo bëri më dije se deri tani janë kryer dhe publikuar 115 raporte të auditimit, prej tyre 85 për Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) të Organizatave Buxhetore, 13 të ndërmarrjeve publike dhe tetë auditime të performancës dhe teknologjisë së informacionit. Po ashtu në kuadër të planit  janë audituar edhe nëntë projekte të donatorëve. Znj. Spanca theksoi se procesi i auditimit ka evidentuar mangësi në shumicën e institucioneve në fushën e raportimit financiar po ashtu edhe në kuadrin e pajtueshmërisë ligjore. ZKA-ja ka dhënë 63 opinione të pamodifikuara, 40 të kualifikuara si dhe katër opinione të kundërta.

“Prej 47 OB të nivelit qendror kemi dhënë 36 opinione pozitive dhe 11 opinione të kualifikuara që do të thotë që cilësia e raportimit financiar në disa aspekte nuk ka qenë e drejtë dhe e vërtetë. Kjo për faktin se OB kanë keqklasifikuar shpenzimet, kanë mbivlerësuar apo nënvlerësuar pasuritë dhe detyrimet kontingjente dhe janë identifikuar edhe çështje të tjera që kanë ndikim në opinion”, deklaroi znj. Spanca, duke shtuar se për 47 organizatat e nivelit qendror janë dhënë 34 konkluzione të pamodifikuara, që do të thotë se këto organizata kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me kornizën ligjore, ndërsa për 13 institucione është dhënë konkluzion i kualifikuar për faktin se jo të gjitha aktivitetet janë kryer në pajtueshmëri me kornizën ligjore.

Sa i përket auditimit të 38 komunave, përfshirë këtu edhe katër komunat në pjesën veriore të Kosovës ZKA-ja ka  dhënë 15 opinione pozitive dhe 23 opinione të kualifikuara.

“Arsyet për modifikimin e opinionit të auditimit në këto komuna janë se ato kanë keqklasifikuar shpenzimet, regjistrimet dhe raportimet e pasurive jo financiare ishin jo të plota dhe të sakta, detyrimet të papaguara, detyrimet kontingjente dhe llogaritë e arkëtueshme po ashtu ishin të pasakta”, tha ajo.

Përderisa, sa i përket mendimit nëse komunat kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me kornizën ligjore në fuqi, për tri  komuna është dhënë konkluzion pozitiv, për 33 të tjera konkluzion i kualifikuar që do të thotë se jo të gjitha aktivitet  komunave ishin udhëhequr dhe kryer në pajtueshmëri me kornizën ligjore.  

Ndërsa për komunën e Prishtinës dhe Vushtrrisë për herë të parë ZKA-ja ka dhënë konkluzion të kundërt meqë këto dy komuna gjatë vitit 2023 nuk kanë kryer aktivitetet e tyre në pajtueshmëri me ligjin. Mangësitë e identifikuara ishin materiale dhe të përhapura në secilën kategori të shpenzimeve.

Kurse sa i përket 12 ndërmarrjeve publike dhe RTK-së, ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për gjashtë prej tyre, për katër të tjera opinione të kundërta, si dhe për tri të tjera opinion të pamodifikuar. Këtë vit tri ndërmarrje publike janë audituar  për herë të parë nga ZKA, si: Trepça Sh.A, KOSTT SH.A. dhe K.R.U. “Hidrodrini” SH.A.

Ndërsa, sa i përket mendimit lidhur me pajtueshmërinë me kornizën ligjore për 13 NP përfshirë RTK-në janë dhënë 10 konkluzione të kualifikuara që do të thotë se jo të gjitha aktivitetet ishin udhëhequr në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe vetëm për Trepçën është dhënë konkluzion i kundërt, ndërsa për Ibër Lepencin dhe Infrakosin është dhënë konkluzion pozitiv.

Rezultat e auditimit në Trepçë kanë treguar se kjo ndërmarrje ka nevojë të domosdoshme të forcoj kontrollet në raportimin financiar dhe udhëheqjen e aktiviteteve në pajtueshmëri me ligjet, pasi që është dhënë mendim i kundërt edhe për PVF-të edhe për pajtueshmërinë me kornizën ligjore.

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Projekti “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Projekti “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në kuadër të sezonit auditues 2023/2024 është duke realizuar auditimin e performancës “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak” i cili do të vlerësojë nëse Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministria e Ekonomisë ishin efikase në menaxhimin e këtij projekti.

 

Për shkak të rëndësisë së këtij projekti, implikimeve të larta buxhetore si dhe vonesave në funksionalizimin e kësaj linje hekurudhore, procesi i auditimit po ashtu do të vlerësojë procedurat e kontraktimit si dhe kostot tjera.  

 

Për realizimin e këtij projekti buxheti i planifikuar është në vlerë mbi 208 milionë euro nga huamarrja dhe grante ndërkombëtare. “Infrakos” është ngarkuar për kthimin e mjeteve dhe interesit kreditor në vlerën mbi 7 milionë euro. Shpenzimet e faturave të paguara deri në fund të vitit 2023 arrijnë  vlerën mbi 83 milionë euro.

 

ZKA-ja vlerëson se është me interes ekonomik e social për vendin dhe shoqërinë auditimi i procesit për realizimin e Projektit “Rehabilitimi i Linjës 10 Hekurudhore Hani i Elezit – Leshak”.

 

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të shpalosen rezultatet e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të institucioneve publike të nivelit qendror, atyre të nivelit lokal dhe ndërmarrjeve publike për vitin 2023, si dhe rezultatet e një auditimi të performancës.

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të enjten, 27 qershor 2024

Ora: 11:00

Vendi: Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA)

 

 

 

Ju mirëpresim!
ZKA: Menaxhimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale të kontraktuara nga institucionet publike nuk ishte efikas dhe në disa  raste as efektiv e transparent

ZKA: Menaxhimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale të kontraktuara nga institucionet publike nuk ishte efikas dhe në disa raste as efektiv e transparent

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti dhe efikasiteti i kontraktimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale nga institucionet e Republikës së Kosovës” për periudhën 2018-2022.  Për blerjen e këtyre shërbimeve shëndetësore janë shpenzuar mbi 14.5 milionë euro, ku nga qeverisja lokale janë shpenzuar mbi 14 milionë ose 97% ndërsa nga qeverisja qendrore janë shpenzuar rreth 400 mijë euro ose 3%.  

Rezultatet e auditimit tregojnë se shërbimet shëndetësore dhe sociale shtesë ishin të nevojshme për t’u kontraktuar gjatë periudhës së pandemisë apo edhe për arsye të mos aprovimit të numrit të stafit shtesë si dhe rritjes së popullsisë në komunat e audituara si: Prizreni, Ferizaj, Fushë Kosova, Shtimja dhe Obiliqi. Megjithatë ky proces është përcjellë me mangësi të shumta si: mos vlerësimi real i nevojave, përdorimi i procedurave të ndryshme pa një bazë të qëndrueshme se cila është procedura e duhur për këto shërbime, nënshkrimi i marrëveshjeve të drejtpërdrejta pa siguruar transparencë si dhe mos menaxhimi i kontratave, për rrjedhojë shërbimet shëndetësore nuk kanë arritur efikasitetin dhe efektivitetin e duhur.

Menaxhimi joefikas i shërbimeve të kontraktuara, ka rezultuar me mos përputhje mes sasive të kontraktuara dhe nevojave reale, duke çuar në një disproporcion në ofrimin e shërbimeve ndërmjet stafit të rregullt dhe atyre të angazhuar përmes Organizatës Joqeveritare Caritas Kosova.

Kontraktimi shtesë i shërbimeve shëndetësore dhe sociale nga organizatat joqeveritare është përcjellë me sfida legjislative dhe procedurale. Ndonëse për vite më radhë institucionet e audituara (qendrore dhe lokale) kontraktojnë këto shërbime shëndetësore, ende nuk është bërë rregullim procedural për mënyrën/metodën e duhur për kontraktimin e tyre.   

Me mangësi është përcjellë edhe pjesa e menaxhimit dhe monitorimit për pranimin e  shërbimeve të pritura, gjë që ka pamundësuar matjen e saktë të ndikimit të tyre. Auditimi evidentoi mangësi të konsiderueshme në praktikat e menaxhimit të kontratave, ku mungonin raportet e pavarura nga menaxherët e kontratave të emëruar nga komunat, duke e bërë të pamundur identifikimin e saktë të të gjitha shërbimeve të ofruara nga stafi i angazhuar përmes këtyre kontratave. Mos evidentimi i saktë i shërbimeve nuk ofron siguri që shërbimet e paguara janë pranuar.

Rezultatet e auditimit tregojnë se shërbimet shëndetësore të kontraktuara nuk ishin të koordinuara dhe transparente. Mungesa e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal ka krijuar financim të dyfishtë të shërbimeve duke rezultuar në joefikasitet buxhetor.

Pavarësisht avancimit drejtë procedurave më transparente që nga viti 2018, ka ende mangësi të konsiderueshme. Mos verifikimi i licencave të stafit shëndetësor, vlera të gabuara të parashikuara dhe kontraktimi me vlera të dyfishuara tregojnë dobësi në menaxhim dhe transparencë, si dhe raportimi i gabuar në Zyrën për Qeverisje të Mirë shton më tej këto shqetësime për transparencë.

Për të siguruar se kontraktimi i jashtëm i shërbimeve shëndetësore dhe sociale shtesë bëhet në mënyrë efikase, efektive dhe me kosto të pranueshme, ZKA-ja ka dhënë dhjetë rekomandime për  institucionet përgjegjëse.

Raportin e plotë “Efektiviteti dhe efikasiteti i kontraktimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale nga Institucionet e Republikës së Kosovës” e gjeni këtu. 

Zyra Kombëtare e Auditimit e falënderon organizatën INPO për bashkëpunimin dhe propozimin e kësaj teme të auditimit.