Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme pritet në takim nga Dekani i Fakultetit Ekonomik të UP-së

Auditorja e Përgjithshme pritet në takim nga Dekani i Fakultetit Ekonomik të UP-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me bashkëpunëtorë u prit në takim nga Dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Driton Balaj. Qëllimi i takimit ishte ngritja e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e dyanshëm të njohurive akademike dhe profesionale në fushat me interes.

Znj. Spanca e informoi z. Balaj për mandatin kushtetues dhe ligjor të Zyres Kombëtare të Auditimit (ZKA), si dhe për procesin e auditimit në institucionet publike.

Z. Balaj, ka shprehur vlerësimin e tij për rolin dhe ndikimin e ZKA-së në fuqizimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit karshi mandatit ligjor.

Palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit përmes aktiviteteve të ndryshme që do të jenë në funksion të promovimit dhe rritjes së njohurive për auditimin dhe fushave tjera që ndërlidhen me të dy institucionet.

ZKA dhe USAID me aktivitet të përbashkët për auditimet e pajtueshmërisë

ZKA dhe USAID me aktivitet të përbashkët për auditimet e pajtueshmërisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe projekti i Integritetit të Komunave të Kosovës (KMI), zbatuar nga USAID dhe mbështetur nga KPMG, organizuan takim të përbashkët për të diskutuar zhvillimin e auditimeve të pajtueshmërisë në ZKA.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi Drejtoreshën e Projektit nga USAID, znj. Maia Gogoladze dhe Menaxheren e Lartë në KPMG znj. Reni Roussinova për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve në ZKA.

Diskutimet u fokusuan në arritjet e përgjithshme të projektit, sfidat dhe  mësimet e nxjerra nga auditimet pilot të pajtueshmërisë, të kryera nga ZKA-ja. Janë diskutuar edhe hapat e ardhshëm për të siguruar progres të vazhdueshëm të këtij bashkëpunimi.

Përpjekja e përbashkët nënvizon përkushtimin e ZKA-së me partnerë për të rritur efektivitetin dhe ndikimin e auditimeve të pajtueshmërisë, duke hapur rrugën për përmirësimin e qeverisjes dhe llogaridhënies.

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në diskutim lidhur me “Nevojën për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në diskutim lidhur me “Nevojën për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, mori pjesë në cilësinë e panelistes në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti GAP, ku u prezantua raporti me temën “Nevoja për themelimin e një Institucioni të Pavarur Fiskal në Kosovë”.

 

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe regjionit të cilët diskutuan për përparësitë dhe sfidat për të siguruar stabilitet financiar si dhe qëndrueshmërinë dhe monitorimin e politikave fiskale në Kosovë.

Auditorja e Përgjithshme ka paraqitur pikëpamjet e saj nga perspektiva e auditimit të jashtëm, mandatit dhe rolit që luan një Institucion Suprem i Auditimit me qëllim të forcimit të mekanizmave shtetëror në menaxhimin e financave publike dhe përmirësimit të qeverisjes së mirë nga institucionet publike. Znj. Spanca u shpreh se  roli i Auditorit të Përgjithshëm është që të ofrojë bazë të qëndrueshme të vlerësimit për mbylljen e procesit të llogaridhënies në mes Kuvendit dhe Qeverisë për realizimin e buxhetit shtetëror gjatë vitit.

“Pavarësisht indikatorëve pozitiv dhe  qëndrueshmërisë fiskale për vendin, edhe Zyra Kombëtare e Auditim   it, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nxjerrin në pah sfidat në lidhje me shfrytëzimin efikas dhe efektiv të borxhit publik, rreziqet nga kostot kontingjente nga proceset gjyqësore si dhe nga ndikimet tjera makroekonomike që ndikojnë në parametrat e buxhetit,” tha znj. Spanca. Ajo u shpreh se edhe pse është më shumë në favor të forcimit të mekanizmave ekzistues sesa krijimit të mekanizmave të rinj, vendimmarrja i takon politikëbërësve.

Pjesë e panelit të tryezës ishin edhe Hykmete Bajrami, Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sanja Madzareviç, Ekonomiste e Lartë për Ballkanin Përendimor, dhe Abdylmenaf Bexheti, Anëtar i Këshillit Fiskal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Raporti u prezantua nga Rrona Zhuri, nga Instituti GAP.   

 
ZKA-ja publikon raportet e auditimit për gjashtë ministri

ZKA-ja publikon raportet e auditimit për gjashtë ministri

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi gjashtë raportet e para të auditimit  për Ministritë, si: Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT); Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR); Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD); Ministrinë e  Ekonomisë (ME); Ministrinë e Mbrojtjes (MM) si dhe për Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

 

Bazuar në rezultatet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kualifikuar për MINT, MBZHR dhe MSH. Arsyeja e modifikimit, përkatësisht kualifikimit të opinionit për këto Ministri është për shkak se Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2023 nuk kanë prezantuar pamje të drejtë dhe të vërtetë. Kurse MPJD, ME dhe MM opinionin e auditimit e kanë të pamodifikuar për shkak se ZKA ka marrë siguri të arsyeshme se Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2023 prezantojnë pamje të drejtë dhe të vërtetë.

 

ZKA, gjithashtu për këto Ministri ka prezantuar edhe konkluzionin në lidhje me pajtueshmërinë duke vlerësuar nëse transaksionet e kryera në procesin e ekzekutimit të buxhetit kanë qenë, në të gjitha aspektet materiale, në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit që burojnë nga legjislacioni i zbatueshëm për subjektin e audituar në kontekstin e përdorimit të burimeve financiare.

Nga auditimet e kryera ka rezultuar që MBZHR dhe ME të kenë konkluzion të kualifikuar për shkak se disa nga transaksionet e kryera nuk kanë qenë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit. Përderisa MINT, MPJD, MSH dhe MM konkluzionin e pajtueshmërisë e kanë të pamodifikuar për shkak se ZKA ka marrë siguri të arsyeshme se transaksionet e kryera kanë qenë në pajtueshmëri me kriteret e përcaktuara të auditimit.

 

Përkundër gjetjeve të shpalosura në raporte të auditimit, këto ministri kanë shënuar progres sa i përket nivelit të zbatimit të rekomandimeve. Gjithashtu, kemi rënie tek numri i rekomandimeve të dhëna, për 17 rekomandime më pak. Për vitin 2022 ishin dhënë 49 rekomandime, ndërsa për vitin 2023 janë dhënë 32.

 

Auditorja e Përgjithshme pritet në takim nga Guvernatori i BQK-së

Auditorja e Përgjithshme pritet në takim nga Guvernatori i BQK-së

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot pati takim pune me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ku diskutuan për rritjen e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke u përqëndruar te zhvillimet ekonomike dhe financiare dhe të kontrollit financiar, si dhe shkëmbimin e vlerësimeve institucionale lidhur me këto zhvillime.

Guvernatori e informoi Auditoren e Përgjithshme për  planin strategjik të BQK-së dhe fushat ku po realizohen reforma, duke përfshirë zbatimin e rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për BQK-në, të cilat kohët e fundit janë rishikuar dhe publikuar. Nga ana e saj znj. Spanca foli për aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me theks për procesin e finalizimit të auditimeve për organizatat buxhetore duke përfshirë buxhetin shtetëror dhe ndërmarrjet publike. Spanca, gjithashtu e njoftoj Guvernatorin për angazhimet e Zyres Kombëtare të Auditimit (ZKA) në nivel ndërkombëtar dhe treguesit që lidhen me qëndrueshmërinë makrofinanciare të vendit.

Auditorja e Përgjithshme dhe Guvernatori shprehën gatishmërinë që si institucione të  mbështesin koordinimin e duhur të politikave fiskale dhe monetare, dhe kontrollit  të financave publike, me qëllim të krijimit të qëndrueshmërisë dhe stabilitetit financiar në vend dhe  menaxhimit sa më të mirë të burimeve publike.

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e dytë të Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e dytë të Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, në datat 4 dhe 5 qershor 2024 në Budapest të Hungarisë morën pjesë  në takimin e dytë të Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale, i cili operon nën qëllimin e parë strategjik të EUROSAI-t (bashkëpunimi profesional). Takimi është organizuar nga Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) të Hungarisë dhe Italisë.

 

Drejtuesit e ISA-ve nga vendet e rajonit dhe Evropës, pjesëmarrës në këtë takim diskutuan për metodologjitë dhe rezultatet e auditimit në kohë reale, duke vlerësuar se kontributi i dhënë në kuadër të këtij grupi do t’i shërbejë rritjes së sigurisë në përdorimin dhe menaxhimin e parasë publike në kohë reale.

 

ISA e Italisë si udhëheqëse e Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale prezantoi rezultatet e sondazhit, të zhvilluar në shkurt të këtij viti, i cili kishte për qëllim të bëjë vlerësimin e dallimeve dhe ngjashmërive që ISA-t kanë në kryerjen e auditimeve në kohë reale.

 

Grupi vazhdoi punimet në ditën e dytë me prezantimet e kontributeve të ISA-ve në auditimet e fundit në kohë reale, si: Italia, Qipro, Franca, Hungaria, Portugalia, dhe Britania e Madhe. Kontributin e tyre përmes diskutimeve e kanë dhënë edhe përfaqësuesit e ISA-ve tjera pjesëmarrëse nga Franca, Gjermania, Portugalia, Polonia, Malta, Britania e Madhe, Belgjika, Qipro, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina,  Rumania, Ukraina si dhe Kosova.

 

Në kuadër të vizitës në Budapest, kryetari i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë, Dr. László Windisch priti në takim të veçantë krerët e ISA-ve të shteteve pjesëmarrëse, duke afirmuar gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale, si dhe në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t.

 

ZKA-ja: Katër ndërmarrje publike dhe RTK-ja vazhdojnë të kenë mangësi në fushën e raportimit financiar dhe pajtueshmërisë ligjore

ZKA-ja: Katër ndërmarrje publike dhe RTK-ja vazhdojnë të kenë mangësi në fushën e raportimit financiar dhe pajtueshmërisë ligjore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportet e auditimit për Radio Televizionin e Kosovës dhe katër ndërmarrje publike: Ndërmarrja Publike Banesore, Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër - Lepenc”, Hekurudhat e Kosovës - Infrakos,  si dhe Kompania Rajonale e Mbeturinave ”Uniteti”. 

Rezultatet e auditimit tregojnë se këto institucione publike kanë mangësi të theksuara si në fushën e raportimit financiar po ashtu edhe në kuadrin e pajtueshmërisë ligjore. Për shkak të dobësive të identifikuara në raportim financiar për vitin 2023, katër  prej tyre kanë opinion auditimi të modifikuar dhe një të pamodifikuar.

 

Bazuar në gjetjet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kundërt për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ”Uniteti” si dhe konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë. Ndërsa Radio Televizionit të Kosovës i është kualifikuar edhe opinioni i auditimit edhe konkluzioni i pajtueshmërisë. Kurse Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër - Lepenc”e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Edhe ndërmarrja  Hekurudhat e Kosovës - Infrakos  e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Ndërsa Ndërmarrja Publike Banesore e ka të pamodifikuar opinionin e auditimit kurse konkluzionin e pajtueshmërisë e ka të kualifikuar.

Procesi i auditimit në këto institucione ka evidentuar mangësi te Sistemi Informativ i Kontabilitetit dhe në shënimet shpjeguese si dhe dobësi tek të hyrat operative. Ndërsa te llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme është hasur në mbivlerësim të llogarive të arkëtueshme, mos harmonizimi në mes të shënimeve kontabël të llogarive të arkëtueshme dhe letër konfirmimeve, prezantim i llogarive të arkëtueshme të paidentifikuara, mbivlerësim i detyrimeve tatimore  ndaj  ATK-së, si dhe detyrimeve tjera afatshkurtra, mos prezantimi i saktë i obligimeve në regjistrin e kompanisë, nënvlerësim i detyrimeve dhe të hyrave nga grantet si dhe mungesë e të dhënave të plota për grantet. 

Edhe proceset e prokurimit dhe proceset e rekrutimit janë përcjellë me dobësi.  Gjithashtu janë identifikuar mangësi të tjera në sistemin e kontrollit të brendshëm të shpalosura në raportet individuale të auditimit.  

Me qëllim të përmirësimit të qeverisjes, këtë vit ZKA-ja ka dhënë 33 rekomandime si: për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ”Uniteti” janë dhënë dhjetë rekomandime, për Ndërmarrjen Publike Banesore tetë, për Radio Televizionin e Kosovës shtatë, për Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër - Lepenc”  katër si dhe për ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës – Infrakos janë dhënë katër rekomandime. 

Pavarësisht mangësive të identifikuara, krahasuar me vitin paraprak këto institucione kanë shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve. Përderisa për vitin 2022 kanë qenë 63 rekomandime këtë vit kemi zvogëlim të numrit të tyre për 30 sosh. Kjo tregon se gjatë vitit 2023 ka pasur një përmirësim të menaxhimit financiar dhe kontrollit si rezultat i veprimeve korrigjuese që janë ndërmarrë nga këto institucione. 

 

Raportet individuale të auditimit për këto institucione i gjeni këtu.   

 

 

Auditorja e Përgjithshme në Kongresin XII të EUROSAI-t, ku zgjedhen presidenti i ri dhe anëtarët e bordit drejtues

Auditorja e Përgjithshme në Kongresin XII të EUROSAI-t, ku zgjedhen presidenti i ri dhe anëtarët e bordit drejtues

Në datat 27 dhe 28 maj 2024 u mbajt Kongresi XII i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) në të cilin Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka ushtruar të drejtat dhe përgjegjësitë si anëtare e kësaj organizate. Pjesëmarrës në Kongres ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qëndresa Mulaj.

 

Punimet e Kongresit janë zhvilluar në dy sesione plenare ku u trajtuan tema dhe çështje me interes për Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të kësaj organizate.

 

Kongresi ka aprovuar një sërë raportesh dhe dokumente të tjera operative, strategjike dhe zhvillimore si: raportin e sekretariatit të EUROSAI-t 2021-2024, raportin e auditorëve të EUROSAI-t 2021-2023, raportin financiar dhe të pasqyrave financiare 2021-2023, raportin e qeverisjes së EUROSAI-t 2017-2024 si dhe raportet për zbatimin e qëllimeve strategjike 1 dhe 2 dhe Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2024. 

 

Kongresi mes tjerash ka marr vendime tjera të rëndësishme duke zgjedhur Institucionin Suprem të Auditimit të Sllovakisë President të EUROSAI-t për periudhën 2027 -2030, Institucionet Supreme të Auditimit të Italisë dhe Suedisë anëtare të Bordit Drejtues të EUROSAI-t për periudhën 6-vjeçare si dhe Institucionet Supreme të Auditimit të Bullgarisë dhe të Holandës auditorë të EUROSAI-t. Po ashtu miratoi Planin Strategjik të EUROSAI-t 2024-2030 dhe buxhetin për periudhën 2025-2027. 

 

Në kuadër të punimeve të Kongresit janë prezantuar raportet e punës nga grupet punuese dhe task forcat siç janë: Grupi Punues për Teknologjinë e Informacionit; Grupit Punues për Auditimet e Mjedisit; Grupi Punues për Auditimin e Fondeve për Fatkeqësi dhe Katastrofa; Task Forca për Auditimin e Komunave si dhe Task Forca për Auditim dhe Etikë. ZKA-ja është pjesë aktive dhe ka dhënë kontributin e saj në disa nga grupet punuese dhe task forcat e EUROSAI-t.  

Theks i veçantë i është dhënë situatës në Ukrainë dhe raportit të Projekt Grupit për Mbështetjen e ISA-së së Ukraines të prezantuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, Raportin e Bashkëpunimit me INTOSAI-n, si dhe Raportin e Informacionit nga IDI.

 

Në përmbyllje të punimeve Kongresi ka miratuar Deklaratën e Jeruzalemit, përmes se cilës theksohet se: Komuniteti EUROSAI pranoi rëndësinë e forcimit të ISA-ve dhe aktivitetit profesional të EUROSAI-t; Theksoi kontributin e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet ISA-ve dhe grupeve të tjera të interesit në aktivitetet e EUROSAI-t; Miratoi Planin Strategjik të EUROSAI-t për 2024 – 2030; si dhe diskutoi mbi metodologjitë dhe mjetet e auditimit shtetëror për të përshtatur punën e auditimit me ndryshimet e shpejta në botë.

 

Ndër të tjera në Deklaratë thuhet se deri në vitin 2030 EUROSAI synon të krijojë dhe forcojë komunitetin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) duke u bërë organizatë lider dhe burimi kryesor i njohurive dhe mjeteve përkatëse, që kontribuojnë në punën e ISA-se në dobi të anëtarëve dhe qytetarëve.

 

Mbahet punëtoria për strategjinë e auditimit të performancës dhe përdorimin e teorisë së shkencave sociale në procesin e auditimit të përformancës

Mbahet punëtoria për strategjinë e auditimit të performancës dhe përdorimin e teorisë së shkencave sociale në procesin e auditimit të përformancës

Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO), gjatë kësaj jave u zhvillua punëtoria për qasjen strategjike në auditimet e performancës dhe zbatimi i teorive të shkencave sociale gjatë auditimeve të përformancës. Punëtoria dyditore lidhur me strategjinë në auditimet e përformances, e mbështetur nga SNAO, u mbajt në Pejë, dhe kishte qëllim forcimin e qasjes strategjike në proceset e auditimit të performancës dhe ngritjen e aftësive profesionale për auditorët dhe menaxherët për të kryer raporte të auditimit të performancës me cilësi të lartë.

Pjesëmarrësit kanë diskutuar fushat me rëndesi strategjike për auditimet e performancës dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve për të shkuar më thellë në analizën e punës audituese për të arritur rezultatet e synuara. 

Po ashtu, ekspert nga SNAO, Hazim Sabanoviq dhe Olof Widmark, prezantuan teoritë e shkencave sociale dhe se si ato mund të zbatohen në punën e auditimit. Teoritë e shkencave sociale shpjegojnë dhe parashikojnë modele të sjelljes që shpesh mund të gjenden në administratën publike dhe përdorimi i tyre gjatë auditimit sjellë një analizë më të thellë dhe produktive gjatë auditimit dhe përfundimisht përmirëson cilësinë e raporteve të auditimit.

Auditorja e Përgjithshme e vlerësoi si mundësi të mirë për auditorët e përformancës që të jenë sa më të përgatitur me metodat më të reja në punën e tyre audituese, po ashtu vlerësoi lartë kontributin nga SNAO dhe bashkëpunimin ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Projekti për ngritjen e kapaciteve do të vazhdojë edhe me sesione tjera gjatë këtij viti.

Pesë auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë

Pesë auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë

Në datat 13 – 17 maj 2024 në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë u mbajt moduli i fundit i trajnimit rajonal për auditimet e performancës për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

 

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës programin e kanë ndjekur dhe janë certifikuar si auditorë të performancës: Ernes Beka, Laureta Matoshi Pozhegu, Mimozë Selimi, Vjosa Zeqiraj dhe Lirak Mulliqi. Në një ceremoni zyrtare Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, shpërndau certifikatat dhe përgëzoi pjesëmarrësit për rezultatet e arritura.  

 

Programi 15-mujor i trajnimit ka përfshirë gjashtë module në formë virtuale dhe me prezencë fizike gjatë së cilave auditorët kanë kaluar testet e njohurive dhe aftësive të auditimit të performancës si dhe kanë përgatitur një raport të auditimit të performancës.

 

Ky aktivitet është zhvilluar me mbështetjen e Grupit Punues për Aktivitete të Përbashkëta për Auditim, bashkëudhëheqës i të cilit është Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, i cili ofron mbështetje në procesin e zhvillimit institucional dhe negociatave për anëtarësim në BE.

 

 

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2023

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2023

Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2023 u shqyrtua të martën në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi aktivitetet, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2023, si dhe i është përgjigjur interesimit të deputetëve për çështjet e parashtruara.

 

Auditorja e Përgjithshme deklaroi se pavarësisht sfidave dhe lëvizjes së stafit është realizuar me sukses Plani Vjetor i Auditimit sipas kërkesave dhe afateve ligjore.

 

“Kemi kryer dhe publikuar 124 raporte të auditimit të fushave financiare/pajtueshmërisë si dhe të performancës. Rezultatet kryesore nga auditimet e kryera gjatë vitit 2023 kanë nxjerrë në pah një numër dobësish në shumicën e organizatave buxhetore nëpër kategori ekonomike të cilat kanë rezultuar në menaxhim të dobët të fondeve publike si dhe mos arritjen e vlerës për para. Po ashtu, është kryer vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve në të gjitha organizatat buxhetore sipas së cilit 49% e rekomandimeve ishin zbatuar plotësisht, 9% pjesërisht dhe 42% nuk janë zbatuar”, deklaroi znj. Spanca.

 

Ajo tregoi se gjatë vitit 2023 ZKA-ja ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe ka digjitalizuar plotësisht punën audituese.

 

Znj. Spanca i njoftoi deputetët se në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet tjera ligjore, ZKA-ja gjatë vitit 2023 fokus të rëndësishëm i ka dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve më mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. “Nga rezultatet e nxjerra në vitin 2023, kemi dërguar në Prokurori të Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe 3 raporte të auditimit në tërësi”, tha ajo.

 

Auditorja e Përgjithshme falënderoi deputetët për bashkëpunimin duke u shprehur se partneriteti me Kuvendin dhe komisionet parlamentare është forcuar më tutje.

 

Më tutje, ajo shpalosi para Komisionit detaje më rëndësi për menaxhimin financiar dhe administrativ si dhe për komunikimin dhe bashkëpunimin e ZKA-së me palët e jashtme. Ajo theksoi se gjatë 2023-së ZKA-ja ka zhvilluar komunikim të frytshëm me palët e interesit përmes ngjarjeve dhe aktiviteteve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

 

Po ashtu, Auditorja e Përgjithshme njoftoi deputetët se gjatë vitit 2023 ZKA-ja ka qenë subjekt i vlerësimeve të disa mekanizmave ndërkombëtar dhe vendor karshi opinionit publik, nivelit profesional si dhe zbatimit të standardeve. Ajo u shpreh se është e kënaqur që rezultatet e këtyre vlerësimeve krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë e kanë renditur institucionin të cilin e drejton në nivel mjaftë të lartë si në aspekt të profesionalizmit, integritetit ashtu edhe të besueshmërisë.  

Aida Bytyqi Podrimaj shënon me sukses përfundimin e karrierës profesionale në ZKA

Aida Bytyqi Podrimaj shënon me sukses përfundimin e karrierës profesionale në ZKA

Auditorja specialiste e metodologjisë, Aida Bytyqi Podrimaj, të hënën në një ceremoni përshëndetëse përfundoi me sukses dhe shëndet të plotë karrierën profesionale në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA).

 

Znj. Bytyqi Podrimaj punoi me përkushtim dhe profesionalizëm për 13 vite me radhë duke dhënë kontribut të çmuar për institucionin tonë dhe auditimin publik në përgjithësi.

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi kolegen dhe miken për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm si dhe e përgëzoi për pedanterinë në punë dhe në jetë.

 

Punonjësja Aida Bytyqi Podrimaj falënderoi kolegët për bashkëpunimin e deritanishëm duke u ndjerë krenare për kontributin e dhënë në ZKA. Punën në ZKA ajo e vlerësoi ndër përvojat më të mira në rrugëtimin profesional.