Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të shpalosen rezultatet dhe rekomandimet e pesë (5) raporteve të auditimit të performancës si:

  • “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”;
  • “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”;
  • “Procesi i Dokumentimit, Vlerësimit dhe Verifikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020”;
  • “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”; si dhe
  • “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të mërkurën, 13 mars 2024

Ora: 11:00

Vendi: Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimi (ZKA)

 

 

 

 

 

 

Ju mirëpresim!

 


Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike

Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mori pjesë në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për lansimin e Studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovë, i njohur si NIS. Punimet e konferencës u zhvilluan në tri panele, pjesë e të cilave ishin drejtues të lartë të institucioneve publike.

Në kuadër të panelit të tretë “Roli i institucioneve dhe agjencive  të pavarura në garantimin e integritetit institucional”, zonja Spanca tha se detyra kryesore e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) është të vlerësojë nëse fondet publike shpenzohen në mënyrë efikase, efektive, ekonomike dhe në përputhje me kornizën ligjore dhe prioritetet kombëtare.

“Përmes auditimeve vlerësojmë integritetin financiar të institucioneve publike, zbulojmë elemente potenciale të mashtrimit dhe korrupsionit, japim rekomandime për përmirësim dhe e gjithë kjo ndikon në përmirësimin e performancës, transparencës dhe llogaridhënies publike”, deklaroi Spanca, duke shtuar se përgjatë viteve ZKA-ja ka ndikuar në përmirësimin e raportimit dhe llogaridhënies të institucioneve që janë audituar.

Auditorja e Përgjithshme foli edhe për trajtimin e gjetjeve të auditimit nga institucionet e drejtësisë, duke treguar se ZKA-ja bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me institucionet e drejtësisë konform standardeve dhe praktikave më të mira. 

Ndonëse vetëm për vitin 2022 janë dërguar në prokurori 51 raste për hetim të mëtutjeshëm, sfidë mbetet informata kthyese nga organet e drejtësisë lidhur me përfundimin e rasteve për të cilat ZKA-ja dërgon informacione. Zonja Spanca theksoi se administrata publike në përgjithësi ka përmirësuar llogaridhënien dhe ka rritur nivelin e transparencës, në veçanti në aspektin e menaxhimit të parasë publike, kjo falë investimeve në përmirësimin e sistemeve, si atyre të menaxhimit financiar dhe kontrolleve.

 

 

Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me UN Women – Zyra në Kosovë të mërkurën në tryezë publike prezantoi rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”. Pjesë e panelit kryesor përveç Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm Myrvete Gashi, ishin edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, Ambasadori i Suedisë në Kosovë,  Jonas Westerlund dhe Vlora Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë.

Pjesë e tryezës ishte edhe Zëvendës Kryesuesi i Misionit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë z. Henrik Riby si dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë; Agjencia e Punësimit; Agjencia për Barazi Gjinore; Rrjeti i Grave të Kosovës; Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, UNICEF-i, OSBE-ja, IND, Instituti Riinvest, OJQ “Care Kosova”, etj.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca tha se qëllimi i këtij auditimi ishte për të vlerësuar efektivitetin dhe ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë nxitjen e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus identifikimin e mundësive për përmirësim. “Rezultatet tona të auditimit tregojnë se edhe pse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, ende nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës. Programet e Zhvillimit Rural dhe masat afirmative nuk kanë arritur të sigurojnë një përkrahje të barabartë për të dy gjinitë dhe nuk ka një vlerësim rreth arritjes së qëllimeve të programit nga perspektiva gjinore”, deklaroi znj. Spanca. Ajo vlerësoi se zbatimi i rekomandimeve të dhëna pritet të përmirësojë ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se si organ i barazisë dhe bazuar në punën e bërë në hetime të rasteve që ndërlidhen me barazinë gjinore, del të jetë një situatë jo e mirë. Ai shtoi se disa prej sfidave që vazhdojnë të mbesin problematike për gratë janë çështjet e trashëgimisë në të cilat një numër i vogël i grave e gëzojnë, dhe ndarja e pasurisë e fituar në martesë. “Gratë nuk kanë tokë. Ato duhen të marrin tokë me qira, dhe të vrapojnë pas granteve dhe subvencioneve. Duhet të ndryshojmë ligjet dhe mendësinë”, theksoi Qelaj.

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, ceku se rezultatet e këtij auditimi tregojnë arritjet në barazinë gjinore, megjithatë ka ende shumë për t’u bërë  në të ardhmen. “Raporti vë në pah disa arritje në barazinë gjinore mes grave rurale, por edhe se ka një rrugë të gjatë përpara. Fushatat ndërgjegjësuese mes grave rurale janë komponentë kyç”, deklaroi Westerlund.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se tema e këtij auditimi të performancës korrespondon edhe me temën globale të Ditës Ndërkombëtare të Gruas për vitin 2024 e cila është “Investoni te Gratë: Nxitni Progresin”. “Ky auditim me fokus gjinor te politikat për fuqizimin e grave rurale, ndihmon t’i përmirësojmë politikat dhe t’a rrisim efikasitetin e tyre në mënyrë që të kemi investim te gratë që çon në progres”, theksoi znj. Nushi.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, prezantoi në detaje gjetjet dhe rekomandimet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

Në kuadër të diskutimeve nga të pranishmit u vlerësua se fuqizimi i grave në zonat rurale i kontribuon zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe se ky auditim do t’ju shërbejë institucioneve përgjegjëse në adresimin e shqetësimeve të ngritura.

Zëvendës Auditori i  Përgjithshëm, Bezad Halilaj, përmbylli tryezën duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë. Ai tha se konkluzioni i përgjithshëm i kësaj tryeze ishte se pavarësisht progresit që është bërë ndër vite barazia gjinore mbetet një standard i pazbatuar. Z. Halilaj theksoi se auditimet e tilla janë sfiduese, por edhe të rëndësishme sepse ndihmojnë në përmirësimin e situatës përkatësisht trajtimin e grave nga zonat rurale. 

Raportin e plotë të auditimit  “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” e gjeni këtu. 

 

 


ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu morën pjesë në konferencën dyditore me temën “Auditimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të shtetit” e organizuar nga Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi me mbështetjen e SIGMA në Budva të Malit të Zi më 28 dhe 29 shkurt 2024. Aktiviteti është realizuar në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE. Pjesë e delegacionit të Kosovës ishte edhe u.d. Drejtor i Thesarit, Nysret Koca.  

Në panelin e diskutimit me temën “Roli këshillues i ISA-ve në reformat e buxhetimit dhe kontabilitetit dhe pozicioni i tyre i pavarur në sektorin publik”, z. Halilaj prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me rolin e ISA-ve në reformat e kontabilitetit publik dhe buxhetit si dhe ushtrimin e rolit këshillues dhe ruajtjen e pozicionit të pavarur. Ai tregoi se çështjet e ngritura nga ZKA-ja ndër vite lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit, menaxhimin dhe kontrollin e shpenzimeve, kontabilitetin dhe raportimin financiar e të tjera, janë adresuar nga Qeveria e Kosovës përmes Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike të Republikës së Kosovës 2022-2026. Ai poashtu tha se përveç mandatit rekomandues, ZKA-ja ka edhe rol këshillues për të ndihmuar institucionet publike në parandalimin e gabimeve të mundshme.  

Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikola N. Kovaçeviq, deklaroi se menaxhimi efektiv dhe transparent i financave publike kërkon administrimin e mirë të një sërë sistemesh dhe njëri prej tyre është auditimi i jashtëm, i cili në mënyrë objektive dhe të paanshme kontrollon menaxhimin e shpenzimeve publike. Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Programit SIGMA, Bianca Breteche, tha se SIGMA e ka mbështetur Rrjetin që nga themelimi i tij dhe se kjo konferencë është mundësi e mirë për të ndarë përvojën dhe njohuritë, si dhe për të parë se çfarë është bërë deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të pasur më shumë rezultate.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të ISA-ve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Republika e Moldavisë, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Ukraina, ekspertë nga ISA të Kroacisë, Sllovenisë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

 

 

 

 

Barometri Ballkanik rendit ZKA-në si institucionin më të besuar në nivel rajonal

Barometri Ballkanik rendit ZKA-në si institucionin më të besuar në nivel rajonal

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal publikoi Barometrin Ballkanik për vitin 2023 ku janë prezantuar të dhënat nga hulumtimi i opinionit publik për qëndrimet e qytetarëve dhe bizneseve të vendeve të rajonit për çështjet socio-ekonomike dhe shoqërore që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme si dhe nivelin e besueshmërisë në institucionet publike dhe pavarësinë e tyre.

Indikatori matës për nivelin e besueshmërisë në institucionet publike tregon se Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës gëzon besimin më të lartë në nivel rajonal, me 55% krahasuar me Institucionet Supreme të  Auditimit të vendeve të tjera të rajonit.

Barometri Ballkanik po ashtu tregon se 54% e qytetarëve të Republikës së Kosovës e perceptojnë Zyrën Kombëtare të Auditimit si institucion të pavarur nga ndikimi.  

Gjithashtu Barometri Ballkanik mati edhe perceptimin e qytetarëve në aspektin se sa institucionet publike përgjegjëse mbikëqyrin në mënyrë efektive punën e qeverive. Edhe në këtë aspekt, ZKA-ja mori notë pozitive ku 57% të të anketuarve në Kosovë besojnë se ZKA-ja dhe Institucioni i Avokatit të Popullit mbikëqyrin në mënyrë efektive qeverinë.

Ky vlerësim përbën edhe një dëshmi të punës profesionale, të pavarur dhe transparente të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

 

ZKA: Cilësia e raportimit të performancës komunale nuk është në nivelin e duhur

ZKA: Cilësia e raportimit të performancës komunale nuk është në nivelin e duhur

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”. Subjekt i këtij auditimi kanë qenë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), komuna e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht progresit dhe masave të ndërmarra nga komunat për organizimin e brendshëm në deklarimin e performancës komunale, mekanizmat e kontrollit për sigurimin e cilësisë për të dhënat e raportuara nuk ishin funksionale, për shkak të mos evidentimit të komunikimit të zyrtarëve përgjegjës, mos aprovimit  të të dhënave nga kryetarët përkatës, si dhe mos shpërndarjes proporcionale të detyrave në mes zyrtarëve raportues.

Procesi i auditimit identifikoi mungesë të komunikimit dhe koordinimit efektiv në mes zyrtarëve raportues, koordinatorëve komunalë dhe kryetarëve të komunave, gjë që ka ndikuar që deklarimi i performancës komunale të mos jetë i bazuar në të dhëna të kontrolluara dhe të verifikuara.

Po ashtu mungesa e verifikimit fizik në terren nga MAPL-ja gjatë kohës së vlerësimit të performancës komunale dhe Grantit të Performancës Komunale (GPK) ka bërë që  të mos jenë efektivë mekanizmat e vendosur për të siguruar cilësi në raportimin e të dhënave të performancës komunale. Madje ka pasur edhe mosrespektim të vendimeve për komisionet për vlerësimin e procesit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) dhe kjo rrezikon transparencën dhe besueshmërinë e proceseve të vlerësimit.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca rekomandoi marrjen e  masave të menjëhershme për të adresuar çështjet e identifikuara nga procesi i auditimit në mënyrë që në të ardhmen të sigurohet menaxhim më efikas dhe më transparent i performancës komunale.

Me qëllim të përmirësimit të gjithë procesit, ZKA-ja përmes këtij raporti ka dhënë 11 rekomandime, tetë për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe tri për komunën e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

Raportin e plotë të auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”  e gjeni këtu.

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Udhëheqësen e Ekipit të  Qeverisjes së Mirë të Zyrës së BE-së në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Udhëheqësen e Ekipit të Qeverisjes së Mirë të Zyrës së BE-së në Kosovë

Përgjatë takimit të mbajtur me znj. Laura Fallavollita, Udhëheqëse e Ekipit të  Qeverisjes së Mirë të Zyrës në kuadër të projektit Reforma në Administratën Publike/ Menaxhimi i Financave Publike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, shoqëruar nga Burbuqe Kelmendi, Menaxhere Projekti/Koordinatore Binjakëzimi nga e njëjta zyrë, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca foli mbi rolin, përgjegjësitë dhe detyrat e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Më tutje, ajo njoftoi mbi mandatin kushtetues dhe ligjor, auditimet mandatore dhe ato të performancës që mbulojnë fusha me interes për qytetarët, bashkëpunimin me palët e interesit, projektet e bashkëpunimit, si dhe avancimin ndër vite të ZKA-së.

Znj. Fallavollita falënderoi znj. Spanca për mikpritjen si dhe e përgëzoi për arritjet e institucionit dhe për rolin e ZKA-së në përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Kosovë. Më tej, është konfirmuar edhe gatishmëria për vazhdimin e  bashkëpunimit me qasje të koordinuar të politikave në fushat që mbulon ekipi nga Zyra e BE-së, me theks të veçantë projektet mbështetëse për ZKA-në në të ardhmen.   

Auditorja e Përgjithshme priti në takim zyrtaren e SIDA-s për Ballkanin Perendimor

Auditorja e Përgjithshme priti në takim zyrtaren e SIDA-s për Ballkanin Perendimor

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, e shoqëruar nga Shefja e Kabinetit, Shqipe Cavdarbasha dhe Drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës, Ariana Gjonbalaj, priti në takim përfaqësuesen e SIDA-s për Ballkanin Perendimor,znj. Lisa Curman, e shoqeruar kjo nga Udhëheqësja e Zyrës së UN Women në Kosovë, znj. Vlora Nushi dhe Menaxherja e Projektit znj. Linda Sanaja Ukmata.

Znj. Spanca informoi përfaqësuesen mbi rolin dhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) si dhe diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me palët e jashtme dhe donatorët. Auditorja e Përgjithshme përmbylli takimin duke vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme nga UN Women dhe SIDA, e së këndejmi edhe rezultatet e frytshme. 


Zyrtarët ndërlidhës të Rrjetit dhe të Komitetit të Kontaktit në takimet e rregullta

Zyrtarët ndërlidhës të Rrjetit dhe të Komitetit të Kontaktit në takimet e rregullta

Zyrtarët ndërlidhës të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian u takuan në Bruksel me 14 shkurt 2024 për të diskutuar Kornizën e Bashkëpunimit të miratuar së fundmi në takimin e Presidentëve/Auditorëve të Përgjithshëm.

Diskutimi i zyrtarëve ndërlidhës u fokusua te roli dhe përgjegjësitë që dalin nga Korniza  e Bashkëpunimit, aktivitetet e realizuara deri tani dhe ato që do të mbahen gjatë vitit 2024 sipas Planit të Punës 2022-2025, si dhe identifikimin e nevojave nga ana e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për vazhdimin e trajnimit në fushën e auditimit të performancës dhe mundësive tjera për zhvillim profesional.

Ndërsa, me 15 shkurt 2024, u mbajt edhe takimi i zyrtarëve ndërlidhës të Komitetit të Kontaktit (KK) në të cilin u diskutua për procesin e  rishikimit të Kornizës së Bashkëpunimit të KK-së, raportimi dhe diskutimi i statusit të aktiviteteve sipas planit të punës; ndryshimet në uebfaqen e re të KK si dhe sistemin e komunikimit CIRCABC.   

Pjesëmarrësit diskutuan edhe çështje të tjera lidhur me zhvillimet më të fundit në kuadër të Rrjetit dhe përgatitjet për takimin e radhës, i cili do të mbahet në vjeshtë nën organizimin e ISA-së së Qipros.  Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Auditorëve (GjEA), SIGMA dhe Grupit Punues të Komitetit të Kontaktit për Aktivitete të Përbashkëta të Auditimit (JWGAA).

Poashtu, përfaqësuesit e ISA-ve përgjegjëse njoftuan lidhur me përgatitjet e deritanishme për organizimin e ngjarjeve të nivelit të lartë që do të mbahen gjatë vitit.


Auditorja e Përgjithshme uron 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Auditorja e Përgjithshme uron 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, uron qytetarët e vendit për 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke rikujtuar se 17 shkurti i vitit 2008 ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë.   

“Urime Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës! Shtetndërtimi, sovraniteti dhe dashnia ndaj vendit tonë duhet të jetë e pakushtëzuar! Jetoftë përjetë dhe më e bashkuar! Gëzuar 16 vjet shtet!” thuhet në urimin e znj. Spanca.

Për shënimin e 16-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pranuar telegram urimi nga Kryetari i Kontrollit të Lartë Shtetëror të Republikës së Shqipërisë Arben Shehu.

Z. Shehu konfirmoi angazhimin e plotë për vijueshmërinë e bashkëpunimit profesional në mes dy institucioneve me qëllim të zhvillimit të mëtejshëm të misionit të përbashkët auditues.

“Kam kënaqësinë  e veçantë t’ju përcjell të gjithëve ju, në emrin tim personal dhe të gjithë stafit të  KLSH-së, urimet më të përzemërta me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë”, thuhet ndër të tjera në urimin e kryetarit të KLSH-së.

Auditorja e Përgjithshme ka pranuar letra urimi edhe nga homologët e tjerë me rastin e 16-vjetorit të pavarësisë.

 

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme në takim virtual për buxhetimin dhe auditimin gjinor organizuar nga Banka Botërore

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme në takim virtual për buxhetimin dhe auditimin gjinor organizuar nga Banka Botërore

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, mori pjesë në takimin virtual për buxhetimin dhe auditimin gjinor të organizuar nga Banka Botërore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga Iniciativa Zhvillimore e INTOSAI, ekspertë nga UN WOMEN, PEFA si dhe Banka Botërore. 

Pjesëmarrësit ndan perspektivat e tyre sa i përket zotimeve të qeverive për të avancuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe barazinë gjinore, si dhe rolit të Institucioneve Supreme të Auditimit  për të kontribuar në cilësinë e angazhimit të qeverisë duke ofruar siguri dhe udhëheqje shembullore.

Në adresimin e saj, zonja Gashi Morina tha se buxhetimi gjinor nuk është thjesht çështje e ndarjes fiskale, por mjet i fuqishëm për promovimin e drejtësisë sociale dhe nxitjen e zhvillimit gjithëpërfshirës. Ajo prezantoi përvojën e institucionit tonë sa i përket auditimeve për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave si dhe shpalosi rezultatet dhe rekomandimet e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje,” fokusuar në procesin e trajtimit të rasteve të raportuara të dhunës në familje, që nga momenti i raportimit në polici e deri te përcjellja e rasteve në gjykata.

Znj. Gashi po ashtu tregoi që ZKA-ja është në fazën finale të hartimit të raportit të auditimit për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës, auditim ky paralel i kryer me Institucionin Suprem të Auditimit të Maqedonisë së Veriut dhe Institucionin Suprem të Auditimit të Shqipërisë. Objektivë e këtij auditimi është vlerësimi i efektivitetit dhe ndikimit të politikave, programeve dhe masave që synojnë nxitjen e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus rritjen e pjesëmarrjes së tyre dhe identifikimin e mundësive për përmirësim.

 

 

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm konfirmon përkushtimin e ZKA-së në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm konfirmon përkushtimin e ZKA-së në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik

Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional për forcimin e transparencës në prokurimin publik të martën u mbajt tryeza “Forcimi i transparencës në prokurimin publik” e organizuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) në bashkëpunim me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) dhe aktivitetin e USAID-it për Integritet të Komunave të Kosovës. 

Tryeza bëri bashkë përfaqësues nga Qeveria, KRPP, AIP, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Zyra Kombëtare e Auditimit, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës si dhe përfaqësues nga odat e biznesit dhe shoqëria civile.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e sfidave për proceset tenderuese në realizimin e qasjes në dokumente publike, duke shtuar se fokusi kryesor i auditimit mbetet te transparenca në prokurimin publik meqë është pjesa më e ndjeshme ndaj korrupsionit dhe se në vështrim të përgjithshëm prokurimi shihet si proces ku zyrtarët publik mund të keqpërdorin autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

“Në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, ZKA përmbush misionin e vet, ku përmes rekomandimeve të auditimit, mundëson që prokurimi publik të jetë proces transparent dhe llogaridhënës duke ofruar mallra, shërbime dhe investime sa më ekonomike dhe cilësore”, theksoi Halilaj.