Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës

Në vazhdën e bashkëpunimit ndërinstitucional, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, e shoqëruar nga Ndihmës Auditoret e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi, si dhe drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Analiza dhe Raportim, Ramadan Gashi, priti në takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi dhe kryesuesin e Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti. 

Duke iu referuar rolit dhe punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), znj. Spanca foli mbi rëndësinë e bashkëpunimit me universitetet publike me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe aftësimit profesional. Ajo theksoi edhe nevojën e përfshirjes së akademisë në rritjen e cilësisë së auditimeve, në veçanti angazhimin e ekspertëve për fusha të veçanta të cilat mbulohen me auditime të performancës.  

Z. Qerimi foli mbi përgjegjësitë dhe realizimin e detyrave të institucionit që drejton dhe vlerësoi lartë punën e ZKA-së. Znj. Spanca dhe z. Qerimi u dakorduan për avancimin e bashkëpunimit në fusha specifike me interes të përbashkët përmes nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit në të ardhmen e afërt.

 

Auditorët e ZKA-së ndjekin trajnim për prokurim publik nga KRPP-ja dhe USAID-i

Auditorët e ZKA-së ndjekin trajnim për prokurim publik nga KRPP-ja dhe USAID-i

Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), me mbështetjen e projektit USAID-KMI dhe Kolegjit AAB, më shumë se 100 auditorë të ZKA-së janë duke ndjekur trajnimin njëjavor për fushën e prokurimit publik.

Të pranishëm në ditën e dytë të trajnimit që po mbahet në ambientet e Kolegjit AAB, ishin Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj,  anëtarët e Bordit të KRPP-së, Fidane Spahija Gjikolli dhe Avni Sahiti, Zëvendës Drejtoresha e Projektit USAID-KMI, Afërdita Mekuli, si dhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Medain Hashani.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, falënderoi drejtuesit e KRPP-së, për bashkëpunimin e deritanishëm dhe gatishmërinë e tyre për mbajtjen e trajnimeve në fushën e prokurimit publik, me qëllim të avancimit të njohurive të auditorëve, puna e së cilëve ndihmon shtetin në forcimin e sundimit të ligjit. Ajo tha se prokurimi publik vazhdon të mbetet pjesa më e cenueshme ndaj korrupsionit dhe mashtrimit, duke shtuar se 80 për qind të rasteve me elemente potenciale për mashtrim që ZKA-ja i dërgon për hetim të mëtutjeshëm te Prokurori i Shtetit, i takojnë fushës së prokurimit publik.

Auditorja e Përgjithshme tregoi se auditimet e ZKA-së në vazhdimësi kanë nxjerr në pah mangësi në fushën e prokurimit publik dhe në baza vjetore, mbi 100 rekomandime jepen vetëm për këtë fushë. Ajo tha se ky trajnim është i domosdoshëm dhe në kohën e duhur. Zonja Spanca falënderoi edhe Projektin USAID-KMI për bashkëpunimin në ndërtimin e kapaciteteve audituese në fushën e prokurimit publik dhe kundër mashtrimit e korrupsionit.

Anëtarja e Bordit të KRPP-së, Fidane Spahija Gjikolli, tha se  bashkëpunimi i  pandërprerë me ZKA-në dhe  partneriteti me USAID- KMI përforcojnë qasjen ndaj llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit, pjesë integrale për qëndrueshmërinë dhe sukseset e sektorit publik në Kosovë. Ajo tha se ky trajnim përveç përvetësimit të njohurive forcon angazhimin e përbashkët për t’u bërë roje të integritetit dhe llogaridhënies, promovimin e konkurrencës së ndershme, sigurimin e vlerës për paratë dhe kontributin në arritjen e qëllimeve të zhvillimit ekonomik e social.

Zëvendës Drejtoresha e Projektit USAID-KMI, Afërdita Mekuli, vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar me ZKA-në dhe KRPP-në duke thënë se qëllimi i këtij bashkëpunimi është që t’i zvogëlojë mundësit për korrupsion në sektorin publik.

Dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Medain Hashani, theksoi se ky trajnim po mbahet në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me ZKA-në, duke potencuar se ZKA-ja vazhdon të mbetet njëra prej institucioneve më serioze në Kosovë falë punës së saj profesionale dhe cilësore.

Drejtoresha e Departamentit për Auditime të Prokurimit Publik, Fatlinda Ramosaj, tha se pjesëmarrja e madhe e auditorëve flet mbi rëndësinë e këtij trajnimi, duke shtuar se ZKA-ja përmes auditimeve në vazhdimësi i jep fokus të veçantë fushë së  prokurimit publik. 

 

 

 

 

 

Mbahet takimi i projekt grupit të EUROSAI-t për Qëndrueshmërinë dhe Gatishmërinë

Mbahet takimi i projekt grupit të EUROSAI-t për Qëndrueshmërinë dhe Gatishmërinë

Me 22 dhe 23 janar 2024 në Pragë të Republikës Çeke u mbajt takimi i parë i projekt grupit të EUROSAI-t mbi Qëndrueshmërinë dhe Gatishmërinë në të cilin morën pjesë Ndihmës Auditoret e Përgjithshme, Emine Fazliu dhe Myrvete Gashi.

Ky projekt grup është themeluar në kuadër të portofolios strategjike të EUROSAI-t për çështjet në zhvillim dhe të menduarit përpara, e cila udhëhiqet nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Britanisë së Madhe.

Presidenti i EUROSAI-t njëherësh president i Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke, Miloslav Kala, në hapje të takimit përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrje, duke thënë se ky takim është i rëndësishëm dhe ka për qëllim të rris bashkëpunimin në mes të Institucioneve Supreme të Auditimit për të shqyrtuar gatishmërinë për krizat e ardhshme duke u mbështetur në mësimet e nxjerra nga pandemia me Covid – 19 dhe punën e ISA-ve për të vlerësuar aftësinë e Qeverive të tyre për t’iu përgjigjur krizave në të ardhmen.   

Përveç prezantimeve nga Institucionet Supreme të Auditimit të Republikës Çeke dhe Britanisë së Madhe si dhe folësve të jashtëm, pjesëmarrësit kanë dhënë kontributin e tyre në kuadër të punëtorive në grupe për mësimet e nxjerra nga auditimi i Covid-19, për identifikimin e rreziqeve të reja ose të panjohura, për mënyrën se si Institucionet Supreme të Auditimit mund të auditojnë reagimin e Qeverive në rast të krizave si dhe për hapat e ardhshëm të grupit të  projektit EUROSAI për Qëndrueshmërinë dhe Gatishmërinë.  

 

Auditorja e Përgjithshme u takua me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme u takua me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga  Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, u priten në takim nga Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi.

Në fokus të takimi ishte bashkëpunimi në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv të fondeve publike, si dhe zbatimi i standardeve dhe praktikave më të mira në menaxhimin transparent të financave publike.

Auditorja e Përgjithshme u njoftua nga z. Zogaj për angazhimin e sistemit gjyqësor, duke theksuar zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm si dhe Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KGJK-së.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit si dhe në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët. 

 

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Jetish Maloku

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të mërkurën u priten në takim nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe auditori i brendshëm në Sekretariatin e KPK-së, Beqir Dauti.
Takimi kishte për qëllimi avancimin e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me raportet e auditimit për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të fondeve publike, si dhe diskutimin për zbatimin e standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për menaxhimin transparent të financave publike.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, u dakorduan për nevojën e organizimit të trajnimeve të përbashkëta me prokurorë, ku do të diskutohen dhe trajtohen gjetjet dhe rekomandimet e auditimit, duke theksuar përkushtimin e përbashkët për të punuar gjithnjë në interes të rritjes së përgjegjësisë publike në fushën e zbatimit të ligjit.
Me këtë rast, z. Maloku e informoi Auditoren e Përgjithshme, për përpjekjet dhe angazhimin e sistemit prokurorial në përmirësimin e vazhdueshëm rreth menaxhimit të fondeve publike, duke u mbështetur në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe rekomandimet e Njësisë së Auditimit të Brendshëm të KPK-së.
Znj. Spanca dhe z. Maloku dhe u zotuan që në të ardhmen të ketë më shumë takime të tilla për të trajtuar tema me interes të përbashkët në funksion të menaxhimit të financave publike si dhe identifikimit të sfidave.

Edhe sivjet vonesa në dorëzimin e planeve të veprimit nga disa institucione

Edhe sivjet vonesa në dorëzimin e planeve të veprimit nga disa institucione

Institucionet publike që i nënshtrohen auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, sipas nenit 23, paragrafit 5, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, kanë për obligim që brenda një afati prej 30 ditësh nga pranimi i raportit të auditimit, t’i dorëzojnë ZKA-së planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve. Edhe këtë vit, një numër i caktuar i institucioneve publike nuk i dorëzuan me kohë planet e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. Megjithatë krahasuar me vitet e kaluara, ka një progres sa i përket auditimeve financiare, përderisa gjendja më e rënduar vazhdon të jetë tek auditimet e performancës.

Planet e veprimit me vonesë i kanë dorëzuar nëntëmbëdhjetë (19) institucione si: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT),  Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Ministria e Ekonomisë (ME), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC), Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti”, komuna e Fushë Kosovës, Ferizajt, Kllokotit, Gjakovës,  Ranillugut, Junikut si dhe komuna e Dragashit.

Edhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e dorëzoi me vonesë planin e veprimit për Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2022.  

Ndërsa gjendje më e rënduar për sa i përket këtyre planeve është tek auditimet e performancës, për shkak se shumica e entiteteve që i janë nënshtruar procesit të auditimit, nuk i dërguan fare planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve, kurse disa të tjera i dorëzuan me vonesë.

Për raportin e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” planin e veprimit nuk e dorëzuan: Mbrojtësit e viktimave në Prishtinë dhe Pejë, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Pejë, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Pejë si dhe Qendra për punë sociale Prishtinë dhe Pejë.

Për raportin e auditimit “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e shërbimeve të ujit tek qytetarët nga KRU-të” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Ekonomisë, KRU Gjakova dhe KRU Hidroregjioni Jugor.

Për auditimin “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” me vonesë planin e veprimit e dorëzoi Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.

Për raportin e auditimit “Menaxhimi i sistemeve të informacionit në Institutin Bujqësor të Kosovës” me vonesë planin e veprimit të rekomandimeve e dorëzoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural/ Instituti Bujqësor i Kosovës.

Për raportin e auditimit “Renovimi dhe rikonfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, komuna e Mitrovicës së Jugut, komuna e Gjilanit si dhe komuna e Gjakovës.

Për raportin e auditimit “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021” planin e veprimit nuk e dorëzuan Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Mitrovicës, Lipjanit, Drenasit, Vushtrrisë, Skenderajt, Pejës, Prizrenit, Leposaviqit dhe Shtërpcës.

Për raportin e auditimit “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore” planin e veprimit për zbatim të rekomandimeve nuk  e dorëzoi Ministria e Shëndetësisë.

Për raportin e auditimit “Ekonomiciteti dhe Efektiviteti në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit” planin e veprimit nuk e dorëzoi Ministria për Komunitete dhe Kthim.

Për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021” planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve nuk e dorëzoi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe  resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara.

Të gjitha planet e veprimit për vitin 2022 të pranuara nga organizatat buxhetore dhe institucionet tjera të audituara janë të publikuara këtu. 

 

 

Kosova dhe Shqipëria kryejnë auditimin e përbashkët për “Sistemet e informacionit në ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”

Kosova dhe Shqipëria kryejnë auditimin e përbashkët për “Sistemet e informacionit në ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, Samir Zymberi, dhe Auditorja Arlinda Mustafa, qëndruan të premten për vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH) të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, priti në takim të veçantë znj. Spanca me bashkëpunëtorë, duke shënuar kështu përfundimin e auditimit të përbashkët të TI-së “Sistemet e informacionit në ujësjellësit e Tiranës dhe Prishtinës”. Takimi kishte për qëllim diskutimin e ecurisë dhe rezultatet e punës audituese në të dy institucionet si dhe mundësitë e reja për avancimin e bashkëpunimit në të ardhmen. 

Me këtë rast z. Shehu vlerësoi punën e bërë si dhe falenderoi ekipet e auditimit duke thënë është përmbyll me sukses një auditim sfidues mbi sistemet e informacionit, i cili është vlerë e shtuar për punën e auditorëve. Ai tha se ky auditim shërbeu edhe në shkëmbimin e vlefshëm të ideve, praktikave të punës, qasjeve, harmonizimit të metodologjive që ekipet respektive të auditimit ndanë së bashku duke përfituar më të mirën nga njëri-tjetri.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca falënderoi kryetarin Shehu për mirëpritjen dhe në veçanti gatishmërinë për bashkëpunimin e palëkundur gjatë gjithë kësaj kohe, jo vetëm në projektin e auditimit paralel.

 

Znj. Spanca theksoi se janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.  Një nismë e rëndësishme e këtij partneriteti  në vitin 2022 ishte organizimi i këtij auditimi paralel me fokus teknologjinë e informacionit.

“Ekipet e të dy Institucioneve Supreme të Auditimit kanë punuar ngushtë me njëra-tjetrën dhe janë dakorduar rreth organizimit dhe ekzekutimit të auditimit paralel në sistemet e informacionit të kompanive të ujësjellësit, duke u fokusuar veçanërisht në Ujësjellësin e Tiranës dhe Ujësjellësin Rajonal të Prishtinës. Ekipet  patën rast për të diskutuar çështjet në secilën fazë të auditimit”, deklaroi Spanca, duke shtuar se ndër qëllimet kryesore të këtij lloj angazhimi është hapja e portave të përbashkëta për të shkëmbyer përvojën dhe eksperiencën, veçanërisht në fusha më specifike, siç është auditimi i teknologjisë së informacionit.  

“Bazuar në raportet individuale të auditimit më gëzon fakti që sot kemi përpara një raport përmbledhës të hartuar nga të dy ISA-të. Raporti përfshinë çështjet kyçe të auditimit paralel me një pamje të plotë dhe të strukturuar rreth zhvillimit të këtij procesi dhe rezultateve të auditimit, duke përfshirë edhe rekomandime për përmirësim”, tha Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.

Ajo theksoi se me realizimin me sukses të projekteve të tilla më se miri tregohet se në institucionet tona kemi njerëz të përgatitur, profesional, kompetent dhe të përkushtuar për të arritur majat e suksesit.

Z. Shehu dhe znj. Spanca shprehën përkushtimin e tyre për vijueshmërinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në auditime të tjera për tematika të rëndësishme dhe me interes të përbashkët.

 

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Njësia Qendrore Harmonizuese me Memorandum të Mirëkuptimit

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Njësia Qendrore Harmonizuese me Memorandum të Mirëkuptimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Agim Krasniqi, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me qëllim të bashkëpunimit në përmirësimin e cilësisë së auditimit të brendshëm me fokus në qeverisjen, vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut, si dhe ngritjen e cilësisë së raporteve të auditimit të brendshëm.

Memorandumi parasheh bashkëpunim ndërinstitucional në implementimin e programit të trajnimit për zhvillimin e vazhdueshëm profesional për auditorët e brendshëm, shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira të punës, organizimin e punëtorive dhe seminareve të përbashkëta, si dhe mbajtjen e takimeve për çështje të ndryshme në fushën e auditimit të jashtëm dhe të brendshëm me qëllim të mbështetjes së ndërsjellë profesionale.

Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, Zyra Kombëtare e Auditimit pajtohet që t’i ofrojë mbështetje profesionale Njësisë Qendrore Harmonizuese në fushën e metodologjisë dhe qasjes audituese në proceset e planifikimit dhe ekzekutimit të auditimit përmes trajnimeve dhe formave tjera të edukimit të vazhdueshëm profesional  për auditorët e brendshëm. Po ashtu palët pajtohen të shkëmbejnë informatat e nevojshme që ndihmojnë në rritjen e cilësisë së punës audituese.

 

 

Mbahet takimi i krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit

Mbahet takimi i krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, mori pjesë në takimin e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili u mbajt online të mërkurën. Në këtë takim pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Auditorëve, SIGMA dhe Grupit Punues të Komitetit të Kontaktit për Aktivitete të Përbashkëta të Auditimit (JWGAA). 

Qëllimi i takimit ishte miratimi i Kornizës së re të bashkëpunimit në Rrjet si dhe  diskutimi për Raportin e progresit për zbatimin e Planit të Punës së Rrjetit 2022-2025 dhe 

aktiviteteve të ardhshme, duke përfshirë prezantimin e aktiviteteve të kryera në kuadër të Programit të Trajnimit të Auditimit të Performancës.

Auditori i Përgjithshëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Hrvoje Tvrtković, si kryesues i takimit, falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin e deritanishëm si dhe kontributin e dhënë për realizimin e aktiviteteve në kuadër të Rrjetit.

Në takim nga Zyra Kombëtare e Auditimit morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj si dhe drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj.  

 

Përfaqësuesit e ZKA-së me vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni

Përfaqësuesit e ZKA-së me vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni

Mimoza Damoni-Beqa, Selami Ibishi, Kaltrina Sylejmani dhe Kushtrim Biqkaj nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës me datat 12 dhe 13 dhjetor 2023 ishin për vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni. 

Gjatë qëndrimit në Tallin, përfaqësuesit e ZKA-së së Kosovës dhe ata të ZKA-së së Estonisë shkëmbyen njohuritë dhe përvojat në fushën e teknologjisë së informacionit dhe mjeteve digjitale mbështetëse në procesin e auditimit. Në kuadër të vizitës dyditore ata diskutuan edhe për Strategjinë e Analizës së të Dhënave në Zyrën Kombëtare të Auditimit në Estoni me ç’rast u prezantuan shembuj të Projekteve të Analizës së të Dhënave.   

Gjatë vizitës studimore, përfaqësuesit e ZKA-së vizituan edhe Qendrën për Informim e-Estonia, ku patën mundësi të shohin prezantimin me temën “Hyrja në e-Estonia – pamje brenda shtetit digjital”, përmes së cilit u informuan për udhëtimin digjital të Estonisë: mekanizmat bazë të përfshirë në digjitalizimin e shoqërisë, pasqyrimin e sfidave kryesore dhe politikave, kuptimin e infrastrukturës, zgjidhjeve dhe shërbimeve digjitale.

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral edhe për një vit

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës dhe Auditorja e Përgjithshme e Suedisë nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së bashkëpunimit bilateral edhe për një vit

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga grupi i menaxhmentit po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Suedi, në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Në kuadër të kësaj vizite znj. Spanca ka zhvilluar takime me Auditoren e Përgjithshme të Suedisë, Helena Lindberg dhe zyrtarë të lartë të këtij institucioni. 

Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit e Suedisë (ZKAS) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK), të mërkurën,  Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg dhe Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, kanë nënshkruar marrëveshjen për zgjatjen e memorandumit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” edhe për një vit përkatësisht nga 1 janar 2024 deri më 31 dhjetor 2024. Palët janë pajtuar që të gjitha dispozitat e tjera të Memorandumit të Mirëkuptimit mbeten të pandryshuara, në fuqi dhe të zbatueshme në plotësi. 

Memorandumi i bashkëpunimit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” kishte për synim të mbështesë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për të përvetësuar standardet e përditësuara dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP) nëpërmjet dy objektivave: forcimin e proceseve të brendshme organizative në ZKA, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për të kryer auditime të performancës me cilësi të lartë, në mënyrë që ato të jenë sa më të dobishme për palët e interesit. Aktivitete me interes lidhur me arritjen e objektivave të lartpërmendura do të zhvillohen gjatë vitit 2024. 

Gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takime pune lidhur me udhëheqjen si dhe mjetet dhe teknikat e udhëheqjes në arritjen e qëllimeve strategjike. Komunikimi i brendshëm, puna ekipore, burimet dhe parakushtet për menaxhim ishin tema me fokus të veçantë. Po ashtu, janë zhvilluar takime bilaterale në mes palëve  dhe  është diskutuar për bashkëpunimin në të ardhmen, identifikimin e nevojave të ZKA-së për mbështetje dhe planifikimi i aktiviteteve për vitin 2024 në kuadër të vazhdimit të projektit në mes të dy institucioneve. 

Përveç takimeve me kolegët nga Zyra Kombëtare e Audimit të Suedisë, Auditorja e Përgjithshme me bashkëpunëtorë kanë takuar edhe ambasadoren e Kosovës në Suedi, Shkendije Geci Sherifi e cila ishte e ftuar nderi me rastin e nënshkrimit të zgjatjes së bashkëpunimit në mes të ZKAS dhe ZKAK. 

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, në këtë vizatë po shoqërohet nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Emine Fazliu, Naser Arllati, Zukë Zuka, Myrvete Gashi; Drejtori i Përgjithshëm, Safet Berisha; drejtori i Departamentit të Cilësisë, Fitim Haliti, drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, shefja e kabinetit Shqipe Cavdarbasha, si dhe Syzana Maloku nga Njësia e Përkthimit.

 

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Sqarim për opinionin publik lidhur me raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në Sistemin e Drejtësisë” i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme pretendimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) lidhur me kompetencat e ZKA-së në kryerjen e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. Sipas raportit të IKD-së, me ketë auditim, ZKA ka ndërhyrë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Ju rikujtojmë se në gusht të këtij viti, ZKA ka publikuar raportin në fjalë të auditimit të performancës i cili është trajtuar nga IKD. Objektivë e këtij auditimi ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse ndërmarrin aktivitetet e duhura për trajtimin efektiv të rasteve të dhunës në familje. Ndër institucionet përgjegjëse, në këtë auditim janë përfshirë edhe prokuroria themelore dhe gjykatat themelore.

Raporti i IKD-së bazohet në një interpretim substancialisht të kufizuar të kornizës ligjore dhe të pabazuar në ndonjë vlerësim profesional të mbështetur në standarde që rregullojnë këtë fushë. ZKA-ja në komunikim me shkrim i është përgjigjur IKD-së, se nuk ka audituar performancën profesionale të gjykatave dhe prokurorive, respektivisht performancën e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me rastet e dhunës në familje, siç pretendohet.


Mandati dhe kompetencat e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit janë të rregulluara qartë me nenet 136, 137 dhe 138 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjin 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm ushtron mandatin e vet kushtetues dhe ligjor në pajtim edhe me Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit (SNISA).
Duke ju referuar mandatit kushtetues dhe ligjor, Auditorja e Përgjithshme siguron opinionin publik se auditimi “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” është kryer në përputhje të plotë më Kushtetutën, aktet tjera ligjore të aplikueshme, standardet ndërkombëtare të auditimit dhe praktikat më të mira të vendeve më të zhvilluara.


Standardet Ndërkombëtare si INTOSAI-P1 Deklarata e Limës, neni 18. 3 dhe INTOSAI -P10 Deklarata e Meksikës, parimi 3, janë baza kryesore të cilave ZKA ju referohet dhe e mbështet punën e saj.  Edhe sipas tyre, kompetencat dhe përgjegjësitë e auditimit për Auditorin e Përgjithshëm janë shumë më të gjera se sa vetëm financiar, siç interpretohet në disa paragrafë të këtij raporti. Përtej kësaj, konteksti i termit “financiar” është shumëfish më gjithëpërfshirës se sa ai që i është dhënë përmes vlerësimeve të prezantuara në raport dhe se auditimi i kryer është gjithsesi i ndërlidhur me menaxhim financiar të parasë publike.
Rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) e konfirmojnë edhe dy (2) rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, (Rezoluta A/66/209 dhe Rezoluta A/69/228) të emëruara “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, nëpërmjet forcimit të institucioneve supreme të auditimit”.


ZKA-ja për opinionin publik thekson se çdo element i performancës së institucioneve publike është i ndërlidhur me menaxhimin e drejtë dhe efikas të fondeve buxhetore të ndara për përmbushjen e detyrave zyrtare. Në baza vjetore, nga buxheti i shtetit ndahen për KGJK-në dhe KPK-në më shumë se 50 milionë euro. Planifikimi i mirë dhe përdorimi i drejtë i këtyre fondeve për qëllimet e caktuara ndikon në efektivitetin, efikasitetin dhe ekonomicitetin e proceseve të cilat janë edhe parimet kryesore të vlerësimeve të auditimit të performancës.
E theksojmë se auditime të tilla, ZKA ka kryer edhe më parë. Vlen të përmendet auditimi “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykata” i kryer në vitin 2017, si dhe auditimin “Sistemi për menaxhimin informativ të lëndëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, i kryer në vitin 2021.


Praktika të tilla dhe auditime të ngjashme kryhen edhe nga institucione supreme të auditimit nga vende të ndryshme, disa prej të cilave janë: Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, Zyra Kombëtare e Auditimit e Mbretërisë së Bashkuar, Zyra Qeveritare e Llogaridhënies së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, institucionet supreme të auditimit të Skocisë, Letonisë, Uellsit, etj.
ZKA, vlerëson se raporti i auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”,  nxjerr në pah çështje të rëndësishme dhe më interes të lartë publik, të cilat duhet të trajtohen me kujdes dhe mund t’ju shërbejnë institucioneve përgjegjëse për të rritur efikasitetin dhe efektivitetin e tyre në trajtimin dhe procedimin e këtyre rasteve.


Pavarësisht pretendimeve për të interpretuar mandatin dhe kompetencat e institucionit, ZKA-ja mbetet e përkushtuar për avancimin e bashkëpunimit të mirë me palët e jashtme të interesit, në veçanti me mediat dhe Shoqërinë Civile duke respektuar punën dhe angazhimin e tyre të pavarur.