Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme pret në takim përfaqësuesin e misionit të FMN-së

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca priti sot në takim përfaqësuesin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) z. Javier Kapsoli, Ekonomist i Lartë nga Departamenti Evropian. Ky mision ndërlidhet me rishikimin e dytë të Marrëveshjes së kujdesit paraprak Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) që Kosova ka me FMN-në.

Palët biseduan mbi procesin e auditimit, rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022, si dhe rezultatet e auditimit që ndërlidhen me parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Pas informimit të përfaqësuesit të FMN-së lidhur me mandatin, rolin dhe fushëveprimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) si dhe rezultatet e auditimit, Auditorja e Përgjithshme theksoi rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në procesin e auditimit duke nënvizuar edhe nevojën për vlerësime gjithëpërfshirëse dhe objektive.

Përfaqësuesi i misionit, duke vlerësuar punën e ZKA-së, e njoftoi Auditoren e Përgjithshme në lidhje me misionin e FMN-së, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes efektive në institucione publike. Ai gjithashtu vuri në pah ndikimin e auditimit në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.

Në takim të pranishëm ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Zukë Zuka dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit Faruk Rrahmani.

Delegacionet nga ZKA-ja dhe KMFP-ja për vizitë zyrtare në Parlamentin suedez dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Delegacionet nga ZKA-ja dhe KMFP-ja për vizitë zyrtare në Parlamentin suedez dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj me bashkëpunëtorë, si dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Arta Bajralija, Mirlinda Tishukaj – Sadiku, Rashit Qalaj dhe Albana Bytyqi, më 19 dhe 20 mars 2024 qëndruan për vizitë zyrtare në Stokholm të Suedisë.

Delegacionet kosovare janë pritur në takim të veçantë nga Auditorja e Përgjithshme e Suedisë Helena Lindberg, e cila vlerësoi lartë bashkëpunimin shumëvjeçar në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (ZKAS) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKAK). Ajo njoftoi mysafirët për mandatin, rolin dhe punën e institucionit që drejton si dhe për  rëndësinë e bashkëpunimit me Parlamentin e Suedisë dhe Komisionet parlamentare.

Takimet vazhduan edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të ZKAS-së ku është bashkëbiseduar lidhur me rolet dhe përgjegjësitë e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) ndaj Parlamentit dhe në procesin e llogaridhënies, auditimet financiare, auditimet e performancës si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.  

Përfaqësuesit e ZKA-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës zhvilluan takime edhe në Parlamentin e Suedisë, me deputetët Hans Ekström, Zëvendës Kryesues i Këshillit për ZKAS-në dhe anëtar i Komisionit Kushtetues, David Peres, anëtar i Komisionit për Financa, si dhe anëtarë të tjerë të kabineteve nga këto komisione. Në këto takime delegacionet nga Kosova bashkëbiseduan për rritjen e bashkëpunimit si dhe ndikimin për zbatimin e rekomandimeve me qëllim të funksionimit më të mirë të zinxhirit të llogaridhënies. Poashtu, deputetët nga Kosova janë njoftuar për së afërmi nga homologët e tyre suedezë, se si ata trajtojnë raportet e auditimit dhe marrëdhëniet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Gjatë qëndrimit në Stokholm, drejtuesit e ZKA-së dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës zhvilluan vizitë edhe në Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Pjesë e delegacionit të Kosovës në Stokholm ishin edhe Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Ramadan Gashi, zyrtarja për Bashkëpunim me Kuvend, Driada Thaçi, auditori Armin Bushati si dhe koordinatorja e KMFP-së, Antigona Ibraj. 

 

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”

Auditimit të ZKA-së i nënshtrohet edhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për sezonin auditues 2023/2024 është duke e kryer auditimin e perfomancës  “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale ‘Prishtina Parking’”. Procesit të këtij auditimi do t’i nënshtrohet Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Inspektim dhe Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” e cila ka  rol të rëndësishëm në organizimin, rregullimin dhe menaxhimin parkimeve publike në qytetin e Prishtinës.

Auditimi do të vlerësojë efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve për qytetarët, ofruar nga NPL “Prishtina Parking”, si dhe masat dhe veprimet në menaxhimin e parkingjeve dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Komunës së Prishtinës dhe Policinë e Kosovës.

Fokusi i këtij auditimi do të jetë:

-Nëse “Prishtina Parking” ka bërë shënjimin e parkingjeve për qytetarët dhe ka informuar ata për mënyrat dhe format e parkimit në qytet, si dhe ka siguruar disponueshmëri të parkingjeve, qasje të barabartë për të gjithë duke vendosur në prioritetet banorët rezidentë; 

-Nëse “Prishtina Parking” ka siguruar forma të duhura të informimit të qytetarëve, të nevojshme dhe të lehta për të paguar qytetarët për shfrytëzimin e këtyre parkimeve, si dhe nëse ka siguruar një sistem të mirëfilltë dhe të sigurtë të pagesave të parkimeve me laura duke shmangur keqpërdorimet nga zyrtarët e ndërmarrjes;   

-Nëse ka një bashkëpunim të duhur me Komunës e Prishtinës, më konkretisht me Inspektoratin për përcjelljen dhe inspektimin e parkimeve të cilat shfrytëzohen nga qytetarët; si dhe 

-Nëse ka arritur të ndërtojë një sistem bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës për mbarëvajtjen e parkimit të veturave në qytet duke synuar një organizim më të mirë.

Duke marr parasysh rëndësinë e menaxhimit të parkimeve në qytetin e Prishtinës, të stërngarkuar nga veturat, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij auditimi synon të bëjë vlerësimin e gjendjes, nëse “Prishtina Parking” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë sistem të mirëfilltë të ofrimit të parkimeve për qytetarët dhe janë duke e menaxhuar atë në mënyrën e duhur dhe efektive.

 

Sqarim për opinionin lidhur me deklaratën e deputetit Rashit Qalaj për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”

Sqarim për opinionin lidhur me deklaratën e deputetit Rashit Qalaj për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) përmes këtij sqarimi njofton opinionin publik se janë të paqëndrueshme deklarimet e deputetit Rashit Qalaj në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të datës 14.03.2024 për pretendimet në ndërhyrjen në punën audituese të Zyrës Kombëtare të Auditimit për raportin e auditimit “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”.

ZKA-ja sqaron se siç kërkohet me nenin 20 dhe nenin 7 të Ligjit Nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, raporti përfundimtar për këtë auditim i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës dhe subjektit nën auditim, në këtë rast Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në formë fizike dhe elektronike, me 2 maj 2023. Raporti i përcjellur në Kuvend dhe në Ministri përmban çështjet që ndërlidhen me konfliktin e interesit të cituara nga deputeti Qalaj dhe i njëjti është publik në uebfaqen e ZKA-së që nga 3 maj 2023.  

Shtypja e raporteve të auditimit, kryesisht atyre të performancës, bëhet për nevoja të punës dhe përdorim më të lehtë gjatë diskutimit. Këto raporte ndahen edhe me Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike sipas agjendës së shqyrtimit të tyre. Me të pranuar ftesën nga Komisioni për shqyrtim të këtij raporti me 23 Shkurt 2024, raporti i shtypur si libër është dërguar në Komision. Këtu kemi kuptuar se në komunikimin me kompaninë për shtypjen dhe lidhjen e raporteve ka ndodh një gabim teknik dhe i është dërguar për shtypje një draft i mëhershëm i raportit i cili nuk përmbante çështjen në fjalë. Lidhur me këtë ZKA-ja u ka ofruar me shkrim deputetëve të KMFP-së të gjitha sqarimet e nevojshme si dhe ka tërhequr nga përdorimi të gjitha raportet e mbetura.

Me përjashtim të disa kopjeve të shtypura, siç u potencua edhe më lartë raporti përfundimtar i miratuar nga Auditorja e Përgjithshme është publik në uebfaqen zyrtare të ZKA-së që nga muaji Maj 2023.

Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit funksionojnë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të auditimit, Kodin e Etikës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Proceset tona të auditimit janë të pavarura, objektive dhe ruajnë mekanizmat e kontrollit të cilësisë, duke siguruar që mos të ketë asnjë ndërhyrje të jashtme apo të brendshme.

ZKA-ja auditon Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike

ZKA-ja auditon Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike

Në kuadër të sezonit auditues 2023/2024, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke kryer auditimin e performancës “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”, i cili do të vlerësojë zbatimin e masave për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes nga Klinikat e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe Spitalet e Përgjithshme. Auditimi do të vlerësojë edhe procesin e shpërndarjes së burimeve (njerëzore dhe materiale), si dhe mënyrën e regjistrimit  dhe monitorimit të listave të pritjes.  

Lista të pritjes së pacientëve ka në disa klinika të QKUK-së dhe në disa reparte të Spitaleve të Përgjithshme. Procesi i auditimit do të fokusohet te pesë lista me gjithsej mbi 4600 pacientë. Auditimit do t’i nënshtrohet lista e pritjes me afër 1800 pacientë në Kliniken e Kirurgjisë Vaskulare, lista e pritjes me afër 1400 pacientë në Klinikën e Ortopedisë, lista e pritjes me 1000 pacientë në Kliniken e Oftalmologjisë, lista e pritjes me 400 pacientë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale si dhe lista  e pritjes nga gjashtë muaj deri në një vit në Klinikën e Radiologjisë.

Ndërsa në Spitalet e Përgjithshme listat e pritjes kryesisht janë në repartin e Radiologjisë (CT, Eho, Mamografia, Rëntgeni, etj.) si dhe në repartet e Kirurgjisë së Përgjithshme.

Duke ditur vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi shëndetësor në Kosovë, përmes këtij auditimi Zyra Kombëtare e Auditimit ka për synim të bëjë vlerësimin e gjendjes dhe nëse Klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë efikase në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e pesë raporteve të auditimit të performancës për sezonin auditues 2023/2024

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e pesë raporteve të auditimit të performancës për sezonin auditues 2023/2024

Në konferencë për media Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca sot prezantoi gjetjet kryesore dhe rekomandimet e pesë raporteve të auditimit të performancës për sezonin auditues 2023/2024 si:

  1. “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”;
  2. “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”;
  3. “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”; 
  4. “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”; si dhe
  5. “Procesi i Dokumentimit, Vlerësimi dhe Verifikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020”.

Znj. Spanca sërish ftoi të gjitha institucionet e audituara të bashkëpunojnë ngushtë me ZKA-në për zbatimin e rekomandimeve të dhëna, duke i pranuar ato si kontribut serioz me qëllim kryesor përmirësimin e menaxhimit të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara.

“Unë dhe i gjithë personeli i Zyrës Kombëtare të Auditimit, në përputhje me mandatin e përcaktuar kushtetues dhe ligjor vazhdojmë të jemi të gatshëm të ndihmojmë në adresimin sa më efikas të  rekomandimeve të dhëna në të mirë të interesit publik”, deklaroi ajo.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, informoi mediat edhe për Planin vjetor të auditimit për sezonin audituese 2023/2024 dhe paralajmëroi se rezultatet e para për  auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë, për këtë sezon pritet të publikohen nga muaji prill 2024.  

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme në konferencën për media:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Me lejoni t’ju falënderoj që jeni përgjigjur pozitivisht në ftesën tonë për këtë konferencë.

Siç jeni njoftuar nga komunikimet tona publike, në tetor të vitit 2023, Zyra Kombëtare e Auditimit ka përgatitur planin vjetor të auditimit për sezonin 2023/2024 dhe ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës se Kosovës. Në këtë plan ka planifikuar kryerjen e 123 auditimeve të shtrira në fusha të ndryshme, raportet e të cilave, në bazë të kornizës ligjore pas përfundimit bëhen publike për të gjithë të interesuarit pa dallim.

Objektivat e ZKA-së për sezonin auditues 2023/24 janë në përputhje me kërkesat ligjore që kanë për synim rritjen e ndikimit në përmirësimin e qeverisjes dhe mundësinë që të shtojë vlerë në menaxhimin e financave publike.

Në kuadër të 123 auditimeve, janë përfshirë të gjitha auditimet e detyrueshme ligjore, si: financiare dhe të pajtueshmërisë në gjithsej 86 Organizata Buxhetore, 13 ndërmarrje publike (përfshirë edhe RTK-), si dhe 16 auditime të performancës, si dhe 8 projekte të financuara nga Banka Botërore.

Fushëveprim i auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë është auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023. Objektiv e auditimit financiar është të ofrojmë siguri të arsyeshme nëse informatat financiare të prezantuara ne PVF si tërësi nuk përmbajnë keq deklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit dhe të na mundësojnë të shprehim opinionin e auditimit.

Për auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë, para përgatitjes së planit auditues vlerësohen rreziqet që ndikojnë apo ka potencial të ndikojnë në performancën financiare dhe operative te të gjitha institucionet. Në auditimet tona, fokusi kryesor do të jetë adresimi i këtyre rreziqeve.

Të nderuar media,

Përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuar me ligj, fokus i veçantë i është dhënë auditimeve në institucione dhe ndërmarrje publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetëror, siç janë: Trepça, KEK-u dhe KOSTT-i, si dhe projekteve kapitale me peshë të lartë financiare.

Për dallim nga sezoni i kaluar, për sa i përket auditimeve të Ndërmarrjeve Publike, përveç auditimeve të mëhershme, këtë vit kemi vendosur në planin vjetor të auditimit edhe auditimin e Pasqyrave Financiare të Trepçës, KOSTT-ti dhe NP Hidrodrini SH.A, në Pejë. Arsyet kryesore për përfshirjen e tyre janë, se ndikimi dhe pesha e Trepçës si resurs pasuror për Kosovën në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik të vendit, gjenerimin e punësimit, rritjen e eksportit dhe BPV është e konsiderueshme. Pastaj, KOSTT SH.A. është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me rëndësi të lartë për sektorin e energjisë. Dhe gjithashtu, “Hidrodrini” është përfshirë, jo vetëm për shkak të peshës financiare, por edhe për shkak të mungesës se auditimit ndër vite nga ZKA.

 

Ndërsa, për shkak se gjendja e raportimit financiar është përmirësuar në vitet e fundit, këtë vit nuk e kemi përfshirë auditimin e PF-ve të Postës. Kjo është bërë duke u bazuar në analizën tonë për gjendjen financiare dhe operative të ndërmarrjeve tjera publike të përmendura më sipër, të cilat i kemi përfshirë për auditim.

Zyra Kombëtare e Auditimit në planin e saj vjetor vazhdon t’i japë rëndësi të veçantë auditimeve të performancës, prokurimit dhe të TI-së, auditime këto që në botën demokratike janë pjesë kryesore e trendit zhvillimor. Për sezonin auditues 2023-2024 janë paraparë të mbulohen fusha me rëndësi ekonomike, infrastrukturë, sociale, shëndetësi, media, kulturë e sport si dhe tema të rëndësishme në fushën e prokurimit publik dhe projekteve nga donatorë, si dhe janë planifikuar auditime të sistemeve të informacionit.

Me qëllim të maksimizimit të burimeve dhe rritjes së ndikimit përmes këtyre auditimeve në mirëqenien e qytetarëve, ZKA zhvillon një proces të përzgjedhjes së fushave/temave të auditimit përmes analizave dhe parastudimeve përfshirë rezultatet nga raportet e auditimit, identifikimin e mangësive kyçe dhe propozimit të temave bazuar në njohuritë profesionale.

Për më shumë, përfshirja e qytetarëve dhe e Shoqërisë Civile, organizatave profesionale, komuniteti i donatorëve dhe ekspertë të fushave në përcaktimin e temave të auditimit është tashme praktikë e rregullte që zbaton ZKA.

Përmes këtyre auditimeve, ZKA synon të promovojë efikasitetin, llogaridhënien, efektivitetin dhe transparencën e administratës publike.

Të nderuar media,

Aktualisht, jemi në proces të punës në terren për të përmbushur Planin vjetor të auditimit. Ndërsa disa nga auditimet veçse janë përfunduar e disa janë në përfundim e sipër.

 

Dëshiroj t’ ju njoftoj se, rezultatet e para të auditimeve të rregullsisë (financiare dhe pajtueshmërisë, pritet t’i publikojmë nga muaji prill, për Organizatat Buxhetore dhe Ndërmarrje Publike.

Përveç kësaj, ZKA në vazhdimësi është duke kryer auditime të performancës dhe varësisht nga afatet kohore të përcaktuara vazhdon të publikojë edhe raporte të auditimit të performancës dhe TI-së, për të cilat jeni ftuar edhe sot.

Nga janari i vitit 2024 e deri më tani, ne kemi publikuar pesë raporte të auditimit të performancës, për rezultatet e të cilave do të ju informoj sot, si:

  1. Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës;
  2. Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media;
  3. Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021;
  4. Procesi i Dokumentimit, Vlerësimi dhe Verifikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020; dhe
  5. Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit.

Gjatë dy muajve të ardhshëm pritet të publikohen edhe tri raporte të auditimit, si: 

  1. Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit;
  2. Kontratat e Institucioneve publike të Republikës së Kosovës me organizatën Caritas Kosova; dhe
  3. Sistemi i menaxhimit të stokut farmaceutik

Ndërsa deri në fund të këtij sezoni, pritet të publikohen edhe 8 raporte tjera të auditimit të performancës:

 

  1. Lista e pritjes së pacientëve;
  2. Shitjet direkte në AKP;
  3. Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”;
  4. Menaxhimi i tokave/pronës nga Instituti Bujqësor i Kosovës;
  5. Menaxhimi i sektorit të ndërtimit në komunën e Prishtinës;
  6. Infrastruktura e hekurudhave të Kosovës-Infrakos (rehabilitimi i linjës 10 Hani i Elezit-Leshak); dhe
  7. Auditimi përcjellës për Efikasitetin e Menaxhimit të Lëndëve në Gjykata Themelore. Ndërsa, në fushën e TI-së pritet të përfundohet; si dhe
  8. Sistemi i Doganave të Kosovës (ASYCUDA);

Tani, me lejoni të flas veç e veç për disa nga konkluzionet kryesore të auditimeve të kryera, të cilat i përmenda me sipër:

1. Auditimi – Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit 

Konkluzioni i auditimit është se aktivitetet e subvencionuara dhe sponsorizuara nga kompanitë private për sportin nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen siç duhet. MKRS nuk ka arritur të miratojë strategjinë për zhvillimin e sportit, Praktikat me të cilat vepron MKRS për subvencionimin dhe lejimin e sponsorizimeve të kompanive private për organizatat sportive nuk ofrojnë qëllime të qarta për shfrytëzimin e fondeve. Ka munguar mbikëqyrja dhe monitorimi i proceseve të sponzorizimit të sportit nga ana e MKRS-së dhe Administratës Tatimore të Kosovës, përkundër kërkesave ligjore që rregullon Ligji për sponsorizim.

 

Për më tepër, ekziston një mungesë e dukshme e dëshmive që vërtetojnë se kontributet financiare në mënyrë efektive kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë. Nuk ka dëshmi që sigurojnë se fondet janë shpenzuar, pra nuk ka një sistem që verifikon se aktivitetet janë realizuar në terren ashtu siç ishin planifikuar. Po ashtu MKRS gjatë periudhës 2020-2022 nuk ka zhvilluar asnjë monitorim. Kjo mungesë e monitorimit ka lënë hapësira për dyshime në lidhje me përdorimin e efektshëm të burimeve publike dhe realizimin e synimeve të interesit publik.

 

Fondet e sponsorizimit nuk kanë arritur qëllimet për ngritje të cilësisë së sportit në vend. Kemi gjetur se një pjesë e këtyre fondeve përdoren shpesh për qëllime të marketingut të kompanive të sponsorizuara, duke rrezikuar që fondet mos të përdoren për interesin publik.

 

Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private ka rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare tek klubet sportive si sponosorizim nga kompanitë private edhe pse në Administratën Tatimore të Kosovës kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim.

 

Për më tepër këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit. Përveç kësaj, klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi 1 (një) milion euro nga kompanitë private e për të cilat nuk kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga ana e MKRS-së. Mungesa e koordinimit ndërmjet MKRS-së dhe Administratës Tatimore ka bërë që mos të ketë kontroll të duhur për shumat e sakta që duhet tatuar dhe liruar nga tatimi.

 

Në anën tjetër, Organizatat sportive gjatë viteve 2020-2022, nuk kanë raportuar për shpenzimet e subvencioneve në vlerë prej 3.5 milionë euro të financuara nga MKRS. Përveç financimeve me memorandume dhe me thirrje, MKRS financon organizatat sportive edhe pa thirrje publike , vetëm me kërkesa drejtuar Ministrisë,  formë të cilën nuk e ka të paraparë në ligje dhe rregullore.

 

Për më shumë, një nga Organizatat Joqeveritare përfituese e projektit “databaza sportive në Kosovë” nuk ka dorëzuar produktin/raportin final me kohë për të cilin Ministria kishte paguar 121,430 euro. Për më shumë, edhe pas dorëzimit të produktit, Ministria nuk e ka shqyrtuar dhe as pranuar të njëjtin përmes komisionit për të vlerësuar apo maksimizuar përfitimin nga ky projekt. Për pasojë, vlera për paranë e shpenzuar nuk është materializuar.

 

Për adresimin e këtyre çështjeve të trajtuara në raport, nga ZKA janë dhënë 10 rekomandime për dy institucione. 6 rekomandime për MKRS, 2 rekomandime për ATK-në dhe 2 të përbashkëta për të dy institucionet.

 

2. Auditimi - Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media për periudhën 2008-2022

Rezultatet e auditimit tregojnë se procesi i menaxhimit të licencave të Ofruesve të Shërbimeve nga KPM-ja është karakterizuar me dobësi duke ndikuar që kriteret për aktivitetet mediatike të mos zbatohen. Shumica Mediave veprojnë pa përmbushur obligimet financiare të tarifave vjetore përgjatë viteve dhe masat ligjore ndaj tyre nuk zbatohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave, ku për pasojë kemi grumbullim të borxheve. Në grumbullimin e borxheve ka ndikuar edhe mungesa e monitorimit të mediave me kohë dhe në mënyrën e duhur, po ashtu, ndërmarrja e hapave konkretë ndaj atyre mediave të cilat nuk zbatojnë kriteret dhe anashkalojnë pagesat e tarifave vjetore.

Operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuale të mediave janë licencuar pa plotësuar kriteret. Komisioni i Pavarur i Mediave me rastin e vlerësimit të aplikacioneve të parashtruara për licencat e transmetimit nuk ka marrë parasysh të gjitha kriteret sipas rregullores së përcaktuar.

Po ashtu, ripërtërirja e licencave përcillet me mangësi të konsiderueshme të cilat rrezikojnë integritetin e sistemit të licencimit në Kosovë. Mediat nuk kanë respektuar në mënyrë të vazhdueshme afatin 60-ditor të aplikimit për ripërtrirjen e licencave dhe pavarësisht shkeljeve financiare, autoritetet rregullatore nuk kanë ndërmarrë masa ndëshkuese. Në procesin e vendimmarrjes për ripërtëritje të licencave kishte vonesa të mëdha, kryesisht për shkak të mungesës së kuorumit në Komisionin e Pavarur të Mediave duke ndikuar negativisht tek operatorët dhe shërbimet e transmetimit.

 

Mbledhja e borxheve nga mediat dhe pezullimet-revokimet e licencave të tyre nuk janë realizuar me kohë dhe në mënyrën e duhur nga Komisioni i Pavarur për Media. Autoriteti rregullativ ka hasur sfida në pezullimin e licencave të ofruesve të shërbimeve mediatike pasi që proceset e pezullimit të licencave nuk janë ndjekur me kujdes. Po ashtu mungesa e monitorimit më proaktiv nga autoriteti rregullativ në zbatimin e detyrimeve financiare të ofruesve të shërbimeve mediatike dhe statusin e transmetimeve të tyre ka shkaktuar akumulimin e borxheve. Për më tepër autoriteti rregullativ nuk kishte ndërtuar një mekanizëm të qartë për pezullimin e përkohshëm të licencave, duke kontribuar në sfida financiare për autoritetin rregullativ dhe ofruesit e shërbimeve mediatike.

Prandaj për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me rregullimin e procesit të menaxhimit të licencave të mediave janë dhënë 5 rekomandime për KPM-në

 

3.Auditimi - Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës 

 

Ky auditim ka nxjerrë në pah se, edhe pse Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Agjencia e Punësimit kishin ndërmarrë një sërë veprimesh për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, ende nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës. 

Programet e Zhvillimit Rural dhe masat afirmative nuk kanë arritur të sigurojnë një përkrahje të barabartë për të dy gjinitë dhe nuk ka një vlerësim rreth arritjes së qëllimeve të programit nga perspektiva gjinore.

Masat afirmative kushtëzojnë gratë me tre deri në pesë vite si pronare e tokës apo e biznesit, duke e bërë të pa efektshëm qëllimin e tyre, për shkak se kufizon pjesëmarrjen apo përkrahjen e grave dhe vajzave të cilat kanë filluar aktivitetin e tyre rishtazi.

Mungon një aktivizim më i madh në  informimin e duhur të grave për shfrytëzimin e të drejtës së tyre të garantuar me ligj. Përderisa, mungesa e funksionalizimit të Komitetit Monitorues, ka shkaktuar probleme në procesin e monitorimit të programeve për Zhvillim Rural dhe si rrjedhojë nuk kanë të dhëna për të pasqyruar rezultatet e arritura apo ndikimin e tyre në përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës, arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Agjencia e Punësimit nuk posedon të dhëna të ndara sipas gjinisë për zonat urbane dhe rurale në lidhje me regjistrimin, shërbimet e punësimit, pjesëmarrjen në masat aktive të tregut të punës dhe aftësimin profesional të të papunëve të regjistruar.

Për adresimin e këtyre çështjeve janë dhënë 10 rekomandime: 8 rekomandime për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe 2 rekomandime për Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës.

 

4.Auditimi -  “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunalepër vitin 2021”në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për Komunat: Gjakovë, Klinë dhe Viti

Rezultatet e auditimit kanë treguar se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka arritur të sigurojë kontrolle efektive të cilat ndikojnë edhe në renditjen përfundimtare të performancës komunale. Dështimi për të kryer vlerësime paraprake, pranimi i dokumenteve të pa protokolluara dhe mospërputhjet në pikët e dhëna kanë komprometuar efektivitetin e mekanizmave që synojnë të sigurojnë cilësi në raportimin e performancës komunale. Këto të meta, kanë ndikuar edhe në renditje jo të drejtë të komunave të audituara.

Cilësia e raportimit të performancës komunale nga ana e Komunave nuk është në nivel të duhur. Përkundër përpjekjeve të komunave për organizimin e brendshëm dhe raportimin e performancës se tyre, mangësitë në komunikim, proceset e miratimit dhe shpërndarjen e detyrave i kanë bërë mekanizmat e kontrollit për sigurimin e cilësisë të paefektshme. Mungesa e dëshmive të komunikimit dhe miratimit nga zyrtarët përgjegjës rrezikon besueshmërinë e të dhënave të raportuara. 

Ministria nuk ka arritur që të sigurojë qasje për personat e autorizuar në sistem. Ajo gjithashtu, nuk ka arritur të zbatojë kontrollet e duhura të qasjes për të harmonizuar funksionalitetet e sistemit me rregulloret dhe për të zbatuar masat e konfidencialitetit në sistem. Mangësitë në praktikat e menaxhimit të llogarive, duke përfshirë llogaritë e pa personalizuara dhe mungesa e respektimit të standardeve të menaxhimit të fjalëkalimeve, komprometojnë më tej integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave të komunave. Me qëllim të përmirësimit të gjithë procesit, ne përmes këtij raporti kemi dhënë 11 rekomandime, tetë për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe tri për komunën e Gjakovës, Klinës dhe Vitisë.

5.Auditimi “Procesi i Dokumentimit, Vlerësimit dhe Verifikimit në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në komunat: Skenderaj, Obiliq, Gjilan dhe Graçanicë 

 

Komunat e audituara në përgjithësi nuk kanë dokumentuar treguesit e performancës komunale me dokumente mbështetëse. MAPL kishte kryer vlerësimin, megjithatë nuk ka respektuar të gjitha rregullat e vlerësimit, sidomos kërkesën lidhur me verifikimin fizik në terren. Një vlerësim ad hoc i treguesve në terren nga Ministria është kryer pas vlerësimit të performancës komunale, mirëpo me të gjitha mangësitë e identifikuara ky vlerësim nuk ka ndikuar në rezultat në renditjen finale të komunave përfituese.

Komunat e audituara nuk kanë mbështetur treguesit e raportuar me dëshmi relevante. Ato kishin ndjekur praktika të ndryshme në bashkëngjitjen e dëshmive të cilat jo çdo herë ishin në përputhje me kërkesat që i kërkonte Dokumenti Kryesor si dëshmi relevante. Komunat e audituara kishin vendosur dokumentet të ndryshme. Pra mbështetja e treguesve nuk ishte bërë me dokumente relevante dhe sipas kërkesave të treguesve.

MAPL, kishte poentuar komunat në bazë të rezultateve që kishin raportuar vetë komunat në performancën komunale, por jo pas ndonjë monitorimi apo vlerësimi nga ana e saj. Në katër komunat e audituara kemi vërejtur që MAPL-ja ka poentuar disa fusha respektivisht tregues me numër të njëjte të pikëve edhe pse ato kishin bashkangjitur dokumente të ndryshme për treguesin e njëjtë. Vlerësimi jo i drejtë i performancës komunale ka ndikuar automatikisht edhe në vlerësimin, respektivisht rezultatin e Grantit të Performancës Komunale.

Për adresimin e këtyre çështjeve me rëndësi, ne kemi dhënë gjithsej shtatë rekomandime, dy prej tyre për komunat dhe pesë prej tyre për MAPL.

Të nderuar media,

Në fund, më lejoni që përmes kësaj konference për media të shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjitha institucionet e audituara të bashkëpunojnë ngushtë me ZKA si gjatë procesit të auditimit, ashtu edhe me rastin e pranimit të raporteve të auditimit për këtë sezonë audituese në veçanti në zbatimin e rekomandimeve të dhëna. OB, rekomandimet e auditimit t’i pranojnë si një kontribut serioz me qëllim kryesor përmirësimin e menaxhimit të parasë publike dhe cilësisë se shërbimeve të ofruara.

Unë, si Auditore e Përgjithshme dhe i gjithë personeli i Zyrës Kombëtare të Auditimit, në përputhje me mandatin e përcaktuar kushtetues dhe ligjor vazhdojmë të jemi të gatshëm të ndihmojmë në adresimin sa më efikas të  rekomandimeve të dhëna në  të mirë të interesit publik.

Ju faleminderit për vëmendje!

 


 

Auditorja e Përgjithshme raporton në KMFP për zbatimin e rekomandimeve 2022/2023

Auditorja e Përgjithshme raporton në KMFP për zbatimin e rekomandimeve 2022/2023

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP) në mbledhjen e së martës diskutoi zbatimin e rekomandimeve nga organizatat buxhetore, në veçanti ato që janë dhënë nga Kuvendi/ Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë periudhës  2022/2023.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, gjatë raportimit u bëri me dije deputetëve se është shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve nga organizatat buxhetore, megjithatë ende nuk është arritur nivel i kënaqshëm.

“Përkundër që organizatat buxhetore si të nivelit qendror ashtu edhe të nivelit lokal kanë bërë përmirësime si në aspektin e raportimit financiar ashtu edhe në aspektin e pajtueshmërisë me kornizën ligjore, niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet përafërsisht i njëjtë me vitin paraprak (2021). Niveli i zbatimit të rekomandimeve në vitin 2022 ishte 49%, pjesa tjetër e rekomandimeve janë në proces të zbatimit (9%) ose nuk janë zbatuar ende (42%)”, deklaroi znj. Spanca.

Ajo tregoi se ZKA-ja në vitin 2022 ka dhënë 900 rekomandime për përmirësimin e fushave ku janë identifikuar gabime dhe mangësi, prej tyre 571 rekomandime për organizatat buxhetore, 134 për Ndërmarrjet Publike si dhe 195 për auditimet e performancës.

Znj. Spanca bëri thirrje për zbatim të rekomandimeve të auditimit të cilat kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. “Në mënyrë që situata të përmirësohet, nevojitet rritje e përkushtimit dhe llogaridhënies nga personat përgjegjës dhe monitorim i rregullt i zbatimit të rekomandimeve nga të gjitha organizatat buxhetore”, tha ajo.

Auditorja e Përgjithshme ka dhënë edhe sqarimet e nevojshme lidhur me çështjet e ngritura nga deputetët.

 

 

 

Auditorja e ZKA-së do t’a ndjek Programin Ndërkombëtar për Mbështetje Profesionale për Auditorë 2024 në SHBA

Auditorja e ZKA-së do t’a ndjek Programin Ndërkombëtar për Mbështetje Profesionale për Auditorë 2024 në SHBA

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) i është bashkangjitur Programit Ndërkombëtar për Mbështetje Profesionale për Auditorë 2024 (International Auditor Fellowship Program), organizuar nga Zyra Qeveritare për Llogaridhënie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të ndjekur këtë program, Auditorja e Përgjithshme propozoi Edona Abazi Demollin, auditor senior në ZKA.

Bashkëpunëtor dhe bashkëfinancues i ZKA-së në këtë program do të jetë Projekti i USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Drejtoresha e Projektit të USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”, Maia Gogoladze, nënshkruan marrëveshjen për bashkëfinancimin e këtij programi. Me këtë rast z. Spanca vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të USAID-it dhënë ZKA-së.

Programi do të zgjasë nga 17 prilli 2024 deri më 12 korrik 2024, ndërsa pjesëmarrësit do të angazhohen në programin gjithëpërfshirës 12-javor e që ngërthen trajnime në klasë, vrojtim të takimeve kryesore të menaxhmentit, shkëmbimin e përvojave të auditimit ndërqeveritar të SHBA-së dhe zhvillimin e strategjive për të zbatuar ndryshimin brenda Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA).

Programi përqëndrohet në teknikat për kryerjen e auditimeve të performancës dhe zhvillimin e lidershipit. Përveç kësaj, pjesëmarrësit përgatisin një projekt themelor për të prezantuar një plan ose strategji tek ISA-t e tyre. Programi ka për synim të forcojë kapacitetet institucionale të ISA-ve përmes ngritjes së aftësive të pjesëmarrësve, mësimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të njohurive dhe kultivimin e rrjeteve profesionale ndërmjet ISA-ve, donatorëve dhe partnerëve të tjerë në komunitetin e llogaridhënies.

 

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, ku do të shpalosen rezultatet dhe rekomandimet e pesë (5) raporteve të auditimit të performancës si:

  • “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”;
  • “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”;
  • “Procesi i Dokumentimit, Vlerësimit dhe Verifikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020”;
  • “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”; si dhe
  • “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.

 

Konferenca do të mbahet:

 

Të mërkurën, 13 mars 2024

Ora: 11:00

Vendi: Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimi (ZKA)

 

 

 

 

 

 

Ju mirëpresim!

 


Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike

Auditorja e Përgjithshme: Transparenca dhe llogaridhënia në institucionet publike janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mori pjesë në konferencën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për lansimin e Studimit për Sistemin e Integritetit Kombëtar në Kosovë, i njohur si NIS. Punimet e konferencës u zhvilluan në tri panele, pjesë e të cilave ishin drejtues të lartë të institucioneve publike.

Në kuadër të panelit të tretë “Roli i institucioneve dhe agjencive  të pavarura në garantimin e integritetit institucional”, zonja Spanca tha se detyra kryesore e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) është të vlerësojë nëse fondet publike shpenzohen në mënyrë efikase, efektive, ekonomike dhe në përputhje me kornizën ligjore dhe prioritetet kombëtare.

“Përmes auditimeve vlerësojmë integritetin financiar të institucioneve publike, zbulojmë elemente potenciale të mashtrimit dhe korrupsionit, japim rekomandime për përmirësim dhe e gjithë kjo ndikon në përmirësimin e performancës, transparencës dhe llogaridhënies publike”, deklaroi Spanca, duke shtuar se përgjatë viteve ZKA-ja ka ndikuar në përmirësimin e raportimit dhe llogaridhënies të institucioneve që janë audituar.

Auditorja e Përgjithshme foli edhe për trajtimin e gjetjeve të auditimit nga institucionet e drejtësisë, duke treguar se ZKA-ja bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me institucionet e drejtësisë konform standardeve dhe praktikave më të mira. 

Ndonëse vetëm për vitin 2022 janë dërguar në prokurori 51 raste për hetim të mëtutjeshëm, sfidë mbetet informata kthyese nga organet e drejtësisë lidhur me përfundimin e rasteve për të cilat ZKA-ja dërgon informacione. Zonja Spanca theksoi se administrata publike në përgjithësi ka përmirësuar llogaridhënien dhe ka rritur nivelin e transparencës, në veçanti në aspektin e menaxhimit të parasë publike, kjo falë investimeve në përmirësimin e sistemeve, si atyre të menaxhimit financiar dhe kontrolleve.

 

 

Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Prezantohen rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me UN Women – Zyra në Kosovë të mërkurën në tryezë publike prezantoi rezultatet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”. Pjesë e panelit kryesor përveç Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorit të Përgjithshëm Myrvete Gashi, ishin edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, Ambasadori i Suedisë në Kosovë,  Jonas Westerlund dhe Vlora Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë.

Pjesë e tryezës ishte edhe Zëvendës Kryesuesi i Misionit në Ambasadën e Suedisë në Kosovë z. Henrik Riby si dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë; Agjencia e Punësimit; Agjencia për Barazi Gjinore; Rrjeti i Grave të Kosovës; Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, UNICEF-i, OSBE-ja, IND, Instituti Riinvest, OJQ “Care Kosova”, etj.

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca tha se qëllimi i këtij auditimi ishte për të vlerësuar efektivitetin dhe ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë nxitjen e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës, me fokus identifikimin e mundësive për përmirësim. “Rezultatet tona të auditimit tregojnë se edhe pse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, ende nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për përfshirjen e grave nga zonat rurale në tregun e punës. Programet e Zhvillimit Rural dhe masat afirmative nuk kanë arritur të sigurojnë një përkrahje të barabartë për të dy gjinitë dhe nuk ka një vlerësim rreth arritjes së qëllimeve të programit nga perspektiva gjinore”, deklaroi znj. Spanca. Ajo vlerësoi se zbatimi i rekomandimeve të dhëna pritet të përmirësojë ndikimin e politikave, programeve dhe masave që synojnë promovimin e përfshirjes së grave nga zonat rurale në tregun e punës.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se si organ i barazisë dhe bazuar në punën e bërë në hetime të rasteve që ndërlidhen me barazinë gjinore, del të jetë një situatë jo e mirë. Ai shtoi se disa prej sfidave që vazhdojnë të mbesin problematike për gratë janë çështjet e trashëgimisë në të cilat një numër i vogël i grave e gëzojnë, dhe ndarja e pasurisë e fituar në martesë. “Gratë nuk kanë tokë. Ato duhen të marrin tokë me qira, dhe të vrapojnë pas granteve dhe subvencioneve. Duhet të ndryshojmë ligjet dhe mendësinë”, theksoi Qelaj.

Ambasadori i Suedisë në Prishtinë, Jonas Westerlund, ceku se rezultatet e këtij auditimi tregojnë arritjet në barazinë gjinore, megjithatë ka ende shumë për t’u bërë  në të ardhmen. “Raporti vë në pah disa arritje në barazinë gjinore mes grave rurale, por edhe se ka një rrugë të gjatë përpara. Fushatat ndërgjegjësuese mes grave rurale janë komponentë kyç”, deklaroi Westerlund.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Nushi, tha se tema e këtij auditimi të performancës korrespondon edhe me temën globale të Ditës Ndërkombëtare të Gruas për vitin 2024 e cila është “Investoni te Gratë: Nxitni Progresin”. “Ky auditim me fokus gjinor te politikat për fuqizimin e grave rurale, ndihmon t’i përmirësojmë politikat dhe t’a rrisim efikasitetin e tyre në mënyrë që të kemi investim te gratë që çon në progres”, theksoi znj. Nushi.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi, prezantoi në detaje gjetjet dhe rekomandimet e raportit të auditimit “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

Në kuadër të diskutimeve nga të pranishmit u vlerësua se fuqizimi i grave në zonat rurale i kontribuon zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe se ky auditim do t’ju shërbejë institucioneve përgjegjëse në adresimin e shqetësimeve të ngritura.

Zëvendës Auditori i  Përgjithshëm, Bezad Halilaj, përmbylli tryezën duke falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje dhe kontributin e dhënë. Ai tha se konkluzioni i përgjithshëm i kësaj tryeze ishte se pavarësisht progresit që është bërë ndër vite barazia gjinore mbetet një standard i pazbatuar. Z. Halilaj theksoi se auditimet e tilla janë sfiduese, por edhe të rëndësishme sepse ndihmojnë në përmirësimin e situatës përkatësisht trajtimin e grave nga zonat rurale. 

Raportin e plotë të auditimit  “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” e gjeni këtu. 

 

 


ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu morën pjesë në konferencën dyditore me temën “Auditimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të shtetit” e organizuar nga Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi me mbështetjen e SIGMA në Budva të Malit të Zi më 28 dhe 29 shkurt 2024. Aktiviteti është realizuar në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE. Pjesë e delegacionit të Kosovës ishte edhe u.d. Drejtor i Thesarit, Nysret Koca.  

Në panelin e diskutimit me temën “Roli këshillues i ISA-ve në reformat e buxhetimit dhe kontabilitetit dhe pozicioni i tyre i pavarur në sektorin publik”, z. Halilaj prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me rolin e ISA-ve në reformat e kontabilitetit publik dhe buxhetit si dhe ushtrimin e rolit këshillues dhe ruajtjen e pozicionit të pavarur. Ai tregoi se çështjet e ngritura nga ZKA-ja ndër vite lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit, menaxhimin dhe kontrollin e shpenzimeve, kontabilitetin dhe raportimin financiar e të tjera, janë adresuar nga Qeveria e Kosovës përmes Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike të Republikës së Kosovës 2022-2026. Ai poashtu tha se përveç mandatit rekomandues, ZKA-ja ka edhe rol këshillues për të ndihmuar institucionet publike në parandalimin e gabimeve të mundshme.  

Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikola N. Kovaçeviq, deklaroi se menaxhimi efektiv dhe transparent i financave publike kërkon administrimin e mirë të një sërë sistemesh dhe njëri prej tyre është auditimi i jashtëm, i cili në mënyrë objektive dhe të paanshme kontrollon menaxhimin e shpenzimeve publike. Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Programit SIGMA, Bianca Breteche, tha se SIGMA e ka mbështetur Rrjetin që nga themelimi i tij dhe se kjo konferencë është mundësi e mirë për të ndarë përvojën dhe njohuritë, si dhe për të parë se çfarë është bërë deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të pasur më shumë rezultate.

Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të ISA-ve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Republika e Moldavisë, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Ukraina, ekspertë nga ISA të Kroacisë, Sllovenisë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.