Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon kryerjen e 139 auditimeve për sezonin 2024/2025

Zyra Kombëtare e Auditimit planifikon kryerjen e 139 auditimeve për sezonin 2024/2025

 

Në përputhje me mandatin ligjor Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025.

 

Për sezonin auditues  2024/2025, ZKA-ja planifikon kryerjen e 139 auditimeve, prej tyre 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuar me ligj, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 3 auditime me informata të klasifikuara, 13 auditime të performancës, 8 auditime të projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe 4 auditime të performancës dhe pajtueshmërisë të sezonit të kaluar.

 

Gjithashtu, duke konsideruar rëndësinë e vlerësimit të pajtueshmërisë se aktiviteteve dhe proceseve me ligjet dhe aktet tjera rregullative të kryera nga institucionet publike, Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë sezon auditimi ka planifikuar edhe kryerjen e 11 auditimeve të pajtueshmërisë, të cilat do të mbulojnë fusha me interes publik.

 

Ndërsa, auditimet e performancës do të trajtojnë tema të rëndësishme dhe mbulojnë fusha me interes si: shëndetësia, arsimi, ambienti, infrastruktura, siguria, energjetika, inovacioni,  prokurimi publik etj.  

 

Raportet individuale për auditimet e rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) do të finalizohen deri më 30 qershor 2025, si dhe në përputhje me afatin ligjor, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht 2025. Ndërsa Auditimet e performancës, pajtueshmërisë dhe të projekteve do të publikohen sipas kalendarit kohor të përcaktuar dhe aprovuar nga Auditorja e Përgjithshme.  

 

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2024/2025 e gjeni këtu.  

Auditorja e Përgjithshme dhe Misioni i FMN-së diskutojnë për auditimin publik në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme dhe Misioni i FMN-së diskutojnë për auditimin publik në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të hënën mbajtën një takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovë, të udhëhequr nga shefi i misionit, David Amaglobeli.

 

Diskutimet përfshinë procesin e auditimit, rezultatet kryesore të Raportit Vjetor të Auditimit, planet dhe reformat kundër korrupsionit, si dhe kapacitetet zbatuese të rekomandimeve dhe reformat e sugjeruara për forcimin e tyre.

 

Në takim morën pjesë gjithashtu Javier Kapsoli, Senior Ekonomist në Departamentin Evropian të FMN-së dhe Selim Thaçi, Senior Ekonomist nga Zyra e Përfaqësuesit të Përhershëm në Kosovë.

 

Nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit ishin të pranishëm edhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, dhe Drejtori i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani.

 

ZKA-ja dhe KLSH-ja angazhohen për përmirësimin e auditimit publik në Kosovë dhe Shqipëri

ZKA-ja dhe KLSH-ja angazhohen për përmirësimin e auditimit publik në Kosovë dhe Shqipëri

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, të premten priti në vizitë Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Arben Shehu me bashkëpunëtorë. Takimi me drekë pune pati për qëllim diskutimin gjithëpërfshirës të temave me interes të përbashkët në shërbim të përmirësimit të auditimit publik në Kosovë dhe Shqipëri. 

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me z. Shehu dhe KLSH-në si dhe shprehu përkushtimin e saj dhe të ZKA-së për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi vëllazëror dhe institucional. Ajo theksoi se puna e përbashkët përgjatë këtyre tri viteve ka qenë model frymëzues i solidaritetit dhe përkushtimit ndaj transparencës dhe llogaridhënies publike.

 

“Takimi jonë sot përveç se është një mundësi e mirë për të ndarë përvojat tona profesionale, përfaqëson edhe një çast për të forcuar lidhjet tona miqësore dhe institucionale. Ndërveprimi i vazhdueshëm në mes të KLSH-së dhe ZKA-së prodhoi rezultate të prekshme dhe ngriti standardet e punës tonë. Punuam së bashku për të avancuar kapacitetet profesionale për të siguruar që qytetarët tanë të kenë institucione më të përgjegjshme dhe shërbime më cilësore”, deklaroi znj. Spanca.

 

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, shprehu mirënjohjen për pritjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai tha se takimet e tilla janë gjithmonë të mirëseardhura sepse i shërbejnë forcimit të lidhjeve tona të veçanta dhe punës profesionale me qellim të përmirësimit të punës audituese dhe rritjes së rezultateve në të dy vendet. 

 

Përveç diskutimeve profesionale delegacionet realizuan një vizitë kulturore në qytetin e Prizrenit për të njohur më afër pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët të dy vendeve.  

 

Pjesë e delegacionit të KLSH-së ishin: Drejtoresha e Përgjithshme Mariola Llanaj,  Sekretarja e Përgjithshme Valbona Gaxha, Drejtor i Departamentit të Auditimit  të Vetëqeverisjes Vendore Bledar Doracaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve Ryisim Xhaja,  Drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit Joana Troqe si dhe  Përgjegjësja e Sektorit Anila Alcani.   

 

Ndërsa nga ZKA-ja ishin: Zëvendës Auditor i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Emine Fazliu, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm Agron Fetiu, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Myrvete Gashi Morina, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm Zukë Zuka, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm Ramadan Gashi, si dhe  Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qendresa Mulaj.

 

ZKA-ja dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit angazhohen për forcimin e masave për parandalimin e konfliktit të interesit

ZKA-ja dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit angazhohen për forcimin e masave për parandalimin e konfliktit të interesit

Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Safet Berisha, Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrim, Minire Begaj Balaj dhe Këshilltarja e Lartë Juridike njëherësh Zyrtare për Parandalimin e  Konfliktit të Interesit, Violeta Shatrolli Parduzi pritën në takim Drejtorin e Departamentit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Esad Ejupi, Udhëheqësin e Divizionit për Këshillim dhe Raportim, Driton Shala dhe Zyrtarin e Lartë për Hetim, Këshillim dhe Raportim,  Rexhep Zbica.

 

Palët diskutuan për rëndësinë e transparencës dhe parandalimit të konfliktit të interesit në sektorin publik, përkatësisht në Zyrën Kombëtare të Auditimi. Përfaqësuesit e dy institucioneve u zotuan për të vazhduar bashkëpunimin ndër institucional me qëllim të forcimit të masave për parandalimin e konfliktit të interesit.

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën “Zhvillimet e fundit në Sistemin e Prokurimit Publik në Kosovë”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në konferencën “Zhvillimet e fundit në Sistemin e Prokurimit Publik në Kosovë”

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) të mërkurën mbajti konferencën “Zhvillimet e fundit në Sistemin e Prokurimit Publik në Kosovë” në të cilën mori pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtoresha e Departamentit për auditime të prokurimit, Fatlinda Ramosaj si dhe drejtues të institucioneve partnere në fushën e prokurimit publik.

 

Konferenca pasqyroi zhvillimet dhe progresin nga takimi i fundit i mbajtur në prill 2024, si dhe mundësitë dhe sfidat kryesore me të cilat përballen institucionet. Po ashtu u prezantuan dhe u diskutuan plotësim ndryshimet e Rregullores së Prokurimit Publik 01/2022 duke përfshirë ndikimin e tyre në zbatimin praktik si dhe zhvillimet që janë bërë në ndërlidhjen në mes të Sistemit të Prokurimit Elektronik dhe Departamentit të Thesarit të Kosovës.

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, përgëzoi KRPP-në për iniciativën për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies përmes avancimit të mëtutjeshëm të prokurimit elektronik. Ajo shprehu gatishmërinë e saj dhe të ZKA-së që brenda mandatit dhe kompetencave kushtetuese dhe ligjore të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe kontrolleve në administratën publike të Kosovës.

 

“Me qellim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, përmirësimin e zhvillimit të procedurave, identifikimin e mangësive apo papajtueshmërisë me legjislacionin në fuqi si dhe rritjen e vlerës për paranë e shpenzuar, Zyra Kombëtare e Auditimit çdo vit në planin e saj përfshinë dhe realizon auditime financiare, të pajtueshmërisë dhe performancës në procedurat e prokurimit publik”, deklaroi znj. Spanca.

 

Auditorja e Përgjithshme prezantoi rezultatet e auditimit për vitin 2023 me theks të veçantë gjetjet e identifikuara në fushën e prokurimit publik si: përzgjedhja e operatorëve ekonomikë pa përmbushur kërkesat, ndryshimet e kushteve kontraktuale pa zbatuar dispozitat ligjore, mos realizimi i punëve sipas planit dinamik të kontratës, angazhimi i konsulentëve për pozita të rregullta të punës, etj. Znj. Spanca shtoi se edhe përmes auditimeve të performancës janë identifikuar mangësi në fushën e prokurimit si në fazën e planifikimit dhe në menaxhim të kontratave.

 

Konferenca u mbështet nga Projekti “Asistenca Teknike e BE-së për Mbështetjen e Zbatimit të Reformave të Menaxhimit të Financave Publike në Kosovë”. 
KDI publikon analizën gjithëpërfshirëse për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së nga niveli lokal

KDI publikon analizën gjithëpërfshirëse për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së nga niveli lokal

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) të martën publikoi analizën mbi zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për 12 komuna: Ferizaj, Graçanicë, Gjakovë, Kaçanik, Kamenicë, Lipjan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Rahovec, dhe Skenderaj.

 

Prezantimi i rezultateve u bë në një konferencë ku morën pjesë deputetë nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu, kryetarë të komunave si dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.  

Rezultatet e kësaj analize tregojnë se vetëm 39 për qind e rekomandimeve të ZKA-së janë zbatuar nga niveli komunal.

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se cilësia e raportimit  financiar ndër vite nuk është e mirë dhe për këtë arsye 60 për qind e opinioneve të auditimit për nivelin lokal janë të modifikuara. Ndërsa 87 për qind e konkluzioneve të auditimit janë të modifikuara që tregon se shumica e komunave kanë probleme me pajtueshmërinë me legjislacion. Po ashtu shqetësuese mbetet mos zbatimi i rekomandimeve të auditimit.

 

“Ka nivel më të lartë të zbatimit të rekomandimeve në nivelin qendrore, të ndërmarrjet publike, të institucionet e pavarura, por ngecjet janë në nivelin lokal.  Niveli lokal është më kompleks, pra është më sfiduese zbatimi i rekomandimeve por kjo nuk duhet të na justifikoj as neve e as komunat për mos me i marrë seriozisht rekomandimet”, deklaroi ajo.

 

Znj. Spanca theksoi se misioni i Auditorit të Përgjithshëm nuk përfundon me publikimin e raportit të auditimit dhe dhënien e rekomandimeve, por me përmirësimin e menaxhimit të financave publike.

 

“Zyra Kombëtare e Auditimit luan një rol kyç në monitorimin e menaxhimit të fondeve publike në nivelin lokal. Auditimet tona të rregullta janë një mjet i rëndësishëm për të përmirësuar proceset e kontrollit dhe menaxhimit financiar të komunave, duke i ndihmuar ato të jenë më të përgjegjshme ndaj qytetarëve”, tha ajo.

 

ZKA-ja punon sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit, ka ruajtur pavarësinë dhe ka besueshmëri dhe i ofron informacion objektiv dhe të pavarur Kuvendit, shoqërisë civile dhe qytetarëve për mënyrën se si shpenzohet paraja publike.

 

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca falënderoi KDI-në për raportin dhe rekomandimet si në aspektin e ushtrimit të ndikimit auditues ashtu edhe në rritjen e efikasitetit në auditim.

 

Lidhur me analizën gjithëpërfshirëse – Çka qëndron prapa ngecjes së komunave në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit dhe përsëritjen e tyre vit pas viti?, referojuni linkut në vijim: https://tinyurl.com/y3a652f2. 

 


 

 

 

Zbatohet me sukses plani i trajnimeve

Zbatohet me sukses plani i trajnimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për më shumë se një muaj e gjysmë mbajti një seri trajnimesh për të rritur profesionalizmin dhe cilësinë e punës në sezonën e re audituese. Trajnimet mbuluan tema me interes për nevojat e auditimeve financiare, të pajtueshmërisë dhe të performancës.

 

Sesionet trajnuese përfshinë procesin e auditimit financiar, të pajtueshmërisë dhe të performancës, ku auditorët u njoftuan me metodologjitë më të fundit për vlerësimin e financave publike dhe shërbimeve të administratës, me fokus të veçantë në përdorimin e platformës SITA.

 

Gjithashtu, SNISA 140 – Menaxhimi i Cilësisë, Kodi i Etikës dhe Vlerësimi i auditimit të brendshëm SNISA 610 u trajnuan për të siguruar integritet dhe besueshmëri në të gjitha fazat e auditimit. Auditorët patën mundësinë të thellohen në teknikat e testimit të pohimeve audituese dhe procedurave substanciale për të përmirësuar analizën dhe raportimin.

 

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar rrezikut dhe materialitetit, duke përfshirë SNA 315, SNA 330, dhe SNA 320, për të vlerësuar më mirë anomalitë materiale dhe për të reaguar në mënyrë adekuate ndaj tyre. Modulet e këtij trajnimi u mbajtën nga ekspertë të Institutit AAB për Kontabilistë dhe Auditor të Çertifikuar. 

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën e nivelit të lartë për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit

Auditorja e Përgjithshme merr pjesë në Konferencën e nivelit të lartë për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të martën morën pjesë në konferencën e nivelit të lartë për pavarësinë e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të organizuar nga Zyra e Auditimit të Republikës së Qipros në bashkëpunim me Iniciativen për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI). 

Punimet e konferencës u zhvilluan në tri sesione të cilat përfshinë prezantime nga zyrtarë të lartë për deklaratat profesionale për pavarësinë, sfidat me të cilat ISA-t përballen dhe ndikimin e tyre, si dhe për rrugën përpara dhe mekanizmat për avokim. 

Diskutimi i sesionit të parë përfshiu rëndësinë e pavarësisë së ISA-ve në kornizën ndërkombëtare,  ku ndër të tjera u prezantuan Deklarata Profesionale për Pavarësinë e ISA-ve; Roli i ISA-ve të pavarura në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit; Përfitimet afatgjata si për ISA-t ashtu edhe për publikun; si dhe roli i ISA-ve në promovimin e transparencës dhe sundimit të ligjit.

Në kuadër të sesionit të dytë “Sfidat me të cilat përballen ISA-t dhe ndikimi i pavarësisë dhe kufizimet” u prezantuan rezultatet e anketave mbi pavarësinë e ISA-ve dhe sundimin e ligjit; Qasja në të dhëna si një nga sfidat kryesore për këto institucione; si dhe u diskutua për Raportin e Inventarizimit Global të INTOSAI për Pavarësinë e ISA-ve.

Ndërsa në seancën e tretë u shqyrtuan mënyrat e mundshme për përmirësimin e pajtueshmërisë së ISA-ve me dispozitat e pavarësisë, si dhe sugjerime për politikat e avokimit për pavarësinë e tyre.

Auditorja e Përgjithshme priti  në takim Shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme priti në takim Shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadori Aivo Orav i shoqëruar nga Shefi i Seksionit për Bashkëpunim Johannes Madsen dhe Menaxherja e Programit Feride Zeka,  të enjten vizitoi  Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, ku u prit në takim nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresë Mulaj.   

Znj. Spanca e informoi Ambasadorin Orav për rolin dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit me fokus në rezultatet e auditimeve, veçanërisht ato që lidhen me ndërmarrjet publike dhe auditimet e performancës që trajtojnë tema me interes publik. Ajo përmendi edhe vlerësimet që ka marrë ZKA-ja në nivel kombëtar dhe rajonal për integritetin, besueshmërinë dhe pavarësinë e saj.

 

Ambasadori Orav falënderoi Auditoren e Përgjithshme për mikpritjen si dhe informatat përmbajtjesore. Ai vlerësoi punën e ZKA-së dhe ndikimin në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, duke theksuar rëndësinë e saj edhe në monitorimin e fondeve të BE-së për Kosovën dhe sigurimin që ato të përdoren për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t: Është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të kryer auditimin përcjellës të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t: Është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të kryer auditimin përcjellës të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot ka pranuar përgjigjen zyrtare nga Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI) lidhur me shqyrtimin e njoftimit për kufizimet në kryerjen e auditimit përcjellës të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”, dhe kërkesës së saj për aktivizimin e Mekanizmit të Avokatisë së Shpejtë (SIRAM). Përmes kësaj shkrese IDI konfirmon se është në mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës kryerja e një auditimi të tillë.

“Pas shqyrtimit të neneve përkatëse të Kushtetutës së Kosovës (nenet 136,137,138); të Ligjit nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës; si dhe faktit se një auditim i mëparshëm i është bërë të njëjtit entitet në vitin 2017, konsiderojmë se kryerja e një auditimi të tillë është brenda mandatit të ZKA-së”, theksohet në përgjigje.

Po ashtu Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t rikujton se nga perspektiva e standardeve të auditimit, auditimi i performancës njihet plotësisht nga standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (ISSAI) si një nga tre llojet e auditimit që ISA-ja duhet të kryejë.

Tutje në përgjigjen e Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t përkatësisht Mekanizmit të Avokimit të Shpejtë për Pavarësinë e ISA-së (SIRAM) i cili ofron mbështetje avokuese për Institucionet Supreme të Auditimit kur ato mendojnë se pavarësia e tyre është sfiduar, ndër të tjera theksohet se mos lejimi i kryerjes së auditimit përcjellës ka shkel dy parime të Deklaratës së Meksikës për Pavarësinë e ISA-së (INTOSAI P-10) si:

  • Parimi 3, i cili thotë se ISA-të duhet të kenë një mandat mjaftueshëm të gjerë dhe liri veprimi në kryerjen e funksioneve të ISA-së, duke përfshirë auditimit e ekonomicitetit,  efikasitetit dhe efektivitetit të veprimeve të qeverisë ose entiteteve publike; dhe
  • Parimi 4, i cili thotë se “ISA-ja duhet të ketë kompetenca të mjaftueshme për të marrë qasje të lirë, të drejtpërdrejtë, në kohë dhe të pakufizuar në të gjitha dokumentet dhe informatat që i nevojiten për të kryer si duhet përgjegjësitë e tyre ligjore”.

Në korrik të këtij viti ZKA-ja përmes një komunikate pati njoftuar publikun dhe palët e interesit lidhur me kufizimin në fushëveprim të Auditorit të Përgjithshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në kryerjen e auditimit të performancës “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore”. Lidhur me këto zhvillime komunikatën e plotë e gjeni këtu: https://tinyurl.com/48nps5j6.

Auditorja e Përgjithshme mbetet e përkushtuar për ruajtjen e pavarësisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor.

Konferenca Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit  “Udhëheqja strategjike e ZKA-së, sfidat dhe mundësitë”

Konferenca Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit “Udhëheqja strategjike e ZKA-së, sfidat dhe mundësitë”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të premten mbajti Konferencën Vjetore me temën “Udhëheqja strategjike e ZKA-së, sfidat dhe mundësitë”, punimet e së cilës u zhvilluan në dy panele: “Përparimi dhe mangësitë gjatë realizimit të planit vjetor në auditim dhe në administratë” si dhe “Përmbushja e qëllimeve të Planit Strategjik 2023-2026”.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj të hapjes së punimeve tha se kjo konferencë është një mundësi për të reflektuar së bashku mbi rrugën që kemi përshkuar, sfidat që kemi kaluar si dhe mundësitë që i kemi përpara. Ajo falënderoi stafin e ZKA-së për kontributin e dhënë përgjatë këtyre 21 viteve. Për më shumë së dy dekada rrugëtim, ZKA-ja ka pasur shumë suksese, por edhe sfida të cilat janë adresuar me qëndrueshmëri dhe profesionalizëm. 

“Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për secilin nga ju, sepse e gjithë kjo punë e shkëlqyer, arritjet dhe sukseset që do të na shpalosen sot në panele nuk do të ishin të mundura pa angazhimin dhe profesionalizmin tuaj të palodhur. Çdo individ në këtë institucion sjell një kontribut të çmuar, dhe ky bashkëpunim është çelësi për suksesin tonë të përbashkët. Ne qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin tonë ndaj rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit të institucioneve publike”, deklaroi znj. Spanca. 

Auditorja e Përgjithshme tutje u fokusua në rezultatet e arritura gjatë 2024 duke përmendur kryerjen e 126 auditimeve të cilat rezultuan me 817 rekomandime për adresimin e mangësive dhe përmirësimin e proceseve në sektorin publik, bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit dhe organet e tjera të drejtësisë, kontributin e çmuar që ka dhënë ZKA-ja duke qenë pjesë aktive e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë si dhe vlerësimet e larta që ka marrë ZKA-ja në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

Po ashtu ajo e vlerësoi tejet të rëndësishëm edhe zhvillimin profesional të stafit, rishikimin gjithëpërfshirës të kornizës rregullative, komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm duke përfshirë këtu miratimin dhe hyrjen në fuqi të Planit Strategjik të ZKA-së, Strategjinë e Komunikimit 2023-2026 si dhe Udhëzuesin për Komunikim të cilat orientojmë prioritet strategjike dhe prezantojmë rezultatet e punës qartë, shpejtë dhe qëndrueshëm.

Me gjithë rezultatet dhe përparimet, Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se ende nuk janë përmbushur të gjitha objektivat duke përmendur  ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm si dhe vendosjen në një objekt shtetëror të dinjitetshëm dhe meritor.

Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi në mënyrë të detajuar rezultatet e arritura për tri vitet e fundit si dhe qasjen strategjike në përmbushje të vizionit dhe misionit të ZKA-së.

Ai tha se ZKA-ja sot gjendet në pozicion shumë më të avancuar karshi shumë indikatorëve matës, qoftë të cilësisë, integritetit, e në veçanti të pritjeve të palëve të interesit. Mbi ketë bazë z. Halilaj theksoi se ZKA-ja ka shënuar progres në shumë fusha.

Ai tregoi se përgjatë tri viteve të fundit, përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, janë kryer edhe auditime të performancës të konsideruara me interes të lartë për qytetarët dhe Kuvendin, është avancuar metodologjia për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, është digjitalizuar puna  audituese, si dhe është duke u punuar për digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe krijimin e data bazës për menaxhimin e rasteve kundër mashtrimit.

Sipas tij, struktura organizative ndër vite është dizajnuar në funksion të krijimit të një sistemi të kontrollit të brendshëm që ofron siguri të lartë në qeverisjen e organizatës si dhe menaxhmenti është angazhuar në vazhdimësi për ofrimin e kushteve më të mira të punës.

Gjithashtu është investuar në avancimin e kompetencës dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional si dhe është zgjeruar bashkëpunimi me shoqata dhe institute profesionale si dhe bashkëpunimi me palët e interesit, posaçërisht me shoqërinë civile dhe qytetarët është avancuar, me qëllim të gjithë përfshirjes dhe rritjes së transparencës lidhur me menaxhimin e parasë publike.

Në kuadër të panelit I - “Përparimi dhe mangësitë gjatë realizimit të planit vjetor në auditim dhe administratë”, diskutimi u përqendrua në progresin dhe sfidat e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit dhe Planit të punës në administratë.

Ndërsa në panelin II - “Përmbushja e qëllimeve të Planit Strategjik 2023-2026” u diskutua për realizimin e objektivave strategjike, përmirësimin e metodologjisë së auditimit, sigurimin e cilësisë, kornizën ligjore si dhe për komunikimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Po ashtu në kuadër të diskutimeve stafi ka dhënë kontribut të çmuar nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve të cilat i shtuan vlerë punimeve të konferencës.

Gjithashtu në konferencë u bë edhe shpërndarja e jubileve të 20-vjetorit dhe 10-vjetorit për punonjësit e ZKA-së si dhe falënderimet për ish kolegët që tashmë nuk janë më pjesë e Zyrës.

Mbyllja e punimeve të konferencës u bë nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë, duke thënë se përkushtimi i palodhshëm, ndershmëria dhe profesionalizmi i stafit është themel i suksesit të ZKA-së. “E ardhmja jonë është përplot mundësi dhe sfida. Megjithatë, ne vazhdojmë të ecim përpara, të rrisim cilësinë e punës sonë, kapacitetet tona dhe të ruajmë integritetin e lartë që kemi ndërtuar”, deklaroi Spanca.

 

 

ZKA dhe AIP nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen e privatësisë dhe sigurisë së informacionit

ZKA dhe AIP nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen e privatësisë dhe sigurisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të forcimit të mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë së sistemeve të informacionit në Republikën e Kosovës.

Marrëveshja e nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, synon të rrisë transparencën, sigurinë dhe përmirësimin e proceseve të kontrollit mbi përdorimin e të dhënave dhe sistemet dixhitale, përmes inspektimeve dhe auditimeve të rregullta.

Ndër të tjera marrëveshja parasheh koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjes në dokumente publike; shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve mbi auditimet dhe inspektimet e sistemeve të informacionit; trajnimet e ndërsjella për rritjen e kapaciteteve profesionale, me fokus në sigurinë e informacionit dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave; si dhe krijimin e një kanali komunikimi për shkëmbimin e vazhdueshëm të të dhënave të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.

Nënshkrimi i marrëveshjes është përcjellë me punëtorinë për diskutimin e roleve dhe aktiviteteve konkrete në këtë fushë. Departamenti për Auditimet e Teknologjisë së Informacionit në ZKA, prezantoi para stafit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në detaje punën dhe metodologjinë e aplikuar në auditimet e TI-së si dhe rezultatet apo gjetjet e dala nga këto auditime në fushën e sigurisë dhe privatësisë se informacionit/të dhënave.