Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për festën e 28 Nëntorit

Auditorja e Përgjithshme uron kryetarin e KLSH-së për festën e 28 Nëntorit

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës,  Vlora Spanca, ka uruar Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, Arben Shehu.

Znj. Spanca ka shprehur urimet më të përzemërta në emër të saj dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke theksuar se fryma e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe miqësor do të thellohet edhe më tej, në funksion të interesit publik dhe vlerave që na bashkojnë si një komb i vetëm. “Z. Shehu nën udhëheqjen tuaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit vazhdon të jetë një partner i çmuar, i cili me vizion dhe integritet kontribuon në avancimin e praktikave më të mira të auditimit publik”, thuhet në urimin e znj. Spanca.

Auditorja e Përgjithshme, po ashtu ka uruar mbarë kombin shqiptar për 28 Nëntorin, duke thënë se kjo është dita ku historia jonë bëhet një.

“Gëzuar 28 Nëntorin –  Ditën e Flamurit Kombëtar dhe Pavarësisë së Shqipërisë! Ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari! Daljen në skenë të UÇK-së! Gëzuar Ditën e Forcës! 28 Nëntori është një ditë ku historia jonë bëhet një: Nga Kruja te Vlora, nga Prekazi te Tirana e Prishtina, nga gjaku i të parëve tek amaneti i brezave. Është dita që na kujton se shqiptarët, kudo që janë, ndajnë të njëjtin flamur, të njëjtën krenari dhe të njëjtën përgjegjësi për të ruajtur,  ndërtuar dhe bashkuar atdheun”, ka shkruar znj. Spanca në profilin e saj në “Facebook”.  

 ZKA-ja mori pjesë në takimin e 7-të të Nënkomitetit BE–Kosovë për Ekonomi, Çështje Financiare dhe Statistika të mbajtur në Bruksel

ZKA-ja mori pjesë në takimin e 7-të të Nënkomitetit BE–Kosovë për Ekonomi, Çështje Financiare dhe Statistika të mbajtur në Bruksel

Drejtori i Departamentit për Planifikim Strategjik, Raportim dhe Analiza, Muhamet Balaj ka marrë pjesë në takimin e 7-të të Nënkomitetit BE–Kosovë për Ekonomi, Çështje Financiare dhe Statistika, mbajtur më 25 nëntor 2025 në Bruksel. Takimi i 7-të vjetor pati në fokus diskutimin e zhvillimeve makroekonomike, buxhetore dhe statistike, si dhe për monitorimin e progresit të reformave në fushën e kontrollit financiar dhe auditimit të jashtëm.  

Z. Balaj prezantoi gjetjet kryesore nga Raporti Vjetor i  Auditimit për vitin 2024, duke theksuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve nga organizatat buxhetore, si dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në avancimin e transparencës dhe llogaridhënies publike në Kosovë. Në takim u diskutua edhe për procesin e reformave të parapara me ligjin e ri për Auditorin e Përgjithshëm dhe aktet nënligjore. Nga ana tjetër përfaqësuesit e BE-së ngritën shqetësimin e tyre për vonesat në procedimin e ndryshimit të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe nivelin e rekomandimeve të pazbatuara.

Auditorja e Përgjithshme: Gjetjet e auditimit i shërbejnë përmirësimit të qëndrueshëm në të gjitha hallkat e prokurimit publik

Auditorja e Përgjithshme: Gjetjet e auditimit i shërbejnë përmirësimit të qëndrueshëm në të gjitha hallkat e prokurimit publik

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, të enjten morën pjesë në konferencën “Fuqizimi i sistemit të prokurimit publik - raportet vjetore dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”, organizuar nga Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik në bashkëpunim me SIGMA/OECD, me fokus në rritjen e llogaridhënies, integritetit, transparencës dhe efikasitetit.

Në fjalën hyrëse znj. Spanca tha se fuqizimi i sistemit të prokurimit publik kërkon bashkëpunim të strukturuar, raportim më cilësor dhe respektim të standardeve të integritetit. “Rritja e transparencës, llogaridhënies dhe integritet nuk është thjeshtë një detyrë por obligim i të gjithë neve ndaj qytetarit. Gjetjet e auditimit duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për përmirësime të qëndrueshme në çdo hallkë të procesit të prokurimit publik,” tha znj. Spanca.

Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Zukë Zuka, prezantoi gjetjet kryesore të raporteve të auditimit në fushën e prokurimit publik, ai veçoi sfidat në menaxhimin e kontratave publike dhe rekomandimet që ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit, zbatimi i së cilave kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik. Ai tha se gjetjet e auditimit të ZKA-së tregojnë qartë nevojën për avancimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe forcimin e integritetit në të gjitha fazat e prokurimit publik. “Do të intensifikojmë punën tonë dhe do të koordinohemi me organet tjera të zbatimit të ligjit për të siguruar llogaridhënie dhe menaxhim të drejtë të fondeve publike. ZKA mbetet e përkushtuar për përmirësimin e qeverisjes publike”, tha z. Zuka.

Drejtuesit e lartë të institucioneve pjesëmarrëse prezantuan gjetjet kryesore të raporteve vjetore për vitin 2024. Gjatë konferencës u ndanë edhe përvojat e Rumanisë në funksionimin e komiteteve ndërministrore të prokurimit publik. Ekspertët e SIGMA-s trajtuan rëndësinë e përmirësimit të cilësisë dhe transparencës në përgatitjen e raporteve vjetore, ndërsa pjesëmarrësit ritheksuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e integritetit në sistemin e prokurimit publik.

ZKA-ja evidenton mangësi në realizimin e projektit të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna

ZKA-ja evidenton mangësi në realizimin e projektit të MAPL-së për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të  pajtueshmërisë “Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna” në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal (MAPL) për vitin 2024.  Auditimi ka vlerësuar pajtueshmërinë e këtij projekti me kornizën ligjore, rregulloret dhe dispozitat e thirrjes publike në të gjitha fazat e zbatimit të projektit: nga planifikimi dhe shpallja e thirrjes, deri te përzgjedhja e përfituesve, implementimi i subvencionit dhe ekzekutimi i fondeve.

Rezultatet e auditimit tregojnë se aktiviteti për ndërtimin e shtëpive ishte zhvilluar jashtë planit vjetor të punës dhe objektivave strategjike të MAPL-së, si dhe në mungesë të rregullores për menaxhim të subvencioneve. Edhe procesi i përzgjedhjes së përfituesve nuk ishte në pajtueshmëri me kriteret e thirrjes publike. Gjithashtu, procesi i auditimit ka evidentuar përfitues të përzgjedhur pa dokumentacion të plotë, trajtim të pabarabartë të aplikantëve me kushte të njëjta, vendime të pabazuara nga komisioni i ankesave si dhe mungesë e dokumentimit të vizitave në terren nga komisioni vlerësues.

Sa i përket procesit të implementimit të subvencionit, auditimi vë në pah se në dy raste ndërtimi i shtëpive nuk është realizuar sipas afateve dhe kushteve kontraktuale. Ndonëse këto raste u evidentuan dhe raportuan nga komisioni monitorues, MAPL nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese të parapara me kontratë, duke krijuar rrezik për shfrytëzimin joefektiv të fondeve publike dhe mosrealizimin e qëllimit të mbështetjes.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se ndonëse aktiviteti për ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna ka arritur të sigurojë mbështetje për një numër të caktuar përfituesish, procesi nuk ka qenë plotësisht i harmonizuar me kërkesat për ligjshmëri, transparencë dhe barazi.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë katër rekomandime për të përmirësuar dhe siguruar mbarëvajtjen e proceseve nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i subvencionit.

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë  “Ndërtimi i shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komuna” në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2024 e gjeni këtu.

 


ZKA: Ministria e Kultures Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të menaxhojë si duhet  realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore

ZKA: Ministria e Kultures Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të menaxhojë si duhet realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të mërkuren publikoi raportin e auditimit të  pajtueshmërisë “Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)” për periudhën 2022 – 2024. Auditimi ka vlerësuar nëse menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore është zhvilluar në pajtim me ligjin dhe rregulloret, si dhe nëse fondet publike janë përdorur për qëllimet e planifikuara.

Ndonëse MKRS për periudhën 2022–2024 kishte planifikuar buxhet në vlerë prej 27,153,500 euro, prej tyre vetëm 10,891,418 i kishte realizuar duke treguar nivel të ulët të shpenzimit të buxhetit për këto tri vite.

Auditimi konstaton se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) nuk ka arritur të menaxhojë në mënyrë të duhur realizimin e projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore si dhe nuk ishte në pajtueshmëri të plotë me kërkesat ligjore dhe kontraktuale për menaxhimin e këtyre projekteve.

Procesi i auditimit ka evidentuar se MKRS ka angazhuar staf të pa licencuar në mbikëqyrjen e projekteve dhe menaxhimin e kontratave nuk e ka bërë përmes Sistemit Elektronik të Prokurimit (E-prokurimi). Po ashtu auditimi vë në pah mangësi në hartimin e projekteve ekzekutive,  në mbajtjen e ditarëve të punës dhe librave ndërtimor, vonesa në realizimin e kontratave si dhe mungesë të garancioneve për punimet pas pranimit teknik.

Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se  mangësitë e evidentuara nga auditimi ndikojnë në efektivitetin e projekteve, rrezikojnë cilësinë dhe sigurinë e punimeve si dhe tregojnë nevojën për forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e procedurave ligjore dhe rritjen e mbikëqyrjes profesionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë gjashtë rekomandime për përmirësimin e procesit të menaxhimit të projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore, me qëllim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike.

Raportin e plotë të auditimit të pajtueshmerisë “Menaxhimi i projekteve kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS)” e gjeni këtu.

 

ZKA-ja mbajti punëtorinë në Prishtinë në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale

ZKA-ja mbajti punëtorinë në Prishtinë në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, të mërkurën në Prishtinë mbajti punëtorinë rajonale me gazetarë “Rritja e bashkëpunimit me mediat lokale për transparencë dhe llogaridhënie publike”.  Punëtoria e cila ishte e fundit në kuadër të kësaj nisme, pati për qëllim rritjen e bashkëpunimit me mediat lokale dhe informimin e gazetarëve për rolin dhe ndikimin e saj, përfshirë proceset e auditimit.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm dhe të ZKA-së, për rolin, misionin dhe vlerat. Z. Halilaj para gazetarëve foli edhe për llojet e auditimit që i kryen ZKA-ja, rëndësinë e tyre si dhe për zbatimin e rekomandimeve, duke theksuar se nuk është i kënaqshëm niveli i përqindjes së rekomandimeve të zbatuara. Ai tha se ZKA-ja në vazhdimësi angazhohet për rritje të llogaridhënies dhe transparencës përmes bashkëpunimit me mediat.

Në emër të Misionit të OSBE-së, Fatmir Zylfijaj tha se bashkëpunimi me ZKA-në do të vazhdojë edhe më tutje, si dhe vlerësoi gatishmërinë e ZKA-së për të bashkëpunuar me mediat dhe palët e tjera të interesit. Ai tha se punëtoritë e tilla i shërbejnë rritjes së ndikimit të auditimit dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

Rezultatet e auditimit për komunat e regjionit të Prishtinës u prezantuan nga Drejtori i Departamentit të Auditimit, Blerim Kabashi. Ndërsa Udhëheqësja e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e dhënë dhe tha se bashkëpunim me mediat lokale do të intensifikohet me qëllim të rritjes së llogaridhënës dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike.

Gazetarët u interesuan rreth gjetjeve të auditimit, zbatimit të rekomandimeve, rasteve të dërguara në prokurori si dhe për mos ndëshkimin e zyrtarëve publik që e shkelin ligjin dhe keqpërdorin pozitat zyrtare. Ata vlerësuan ZKA-në dhe OSBE-në për këtë punëtori e cila i kontribuon rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

 

 

 ZKA-ja mbajti punëtorinë e radhës në Mitrovicë të Jugut në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale

ZKA-ja mbajti punëtorinë e radhës në Mitrovicë të Jugut në kuadër të nismës për bashkëpunim me mediat lokale

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë të hënën në Mitrovicë të Jugut mbajti punëtorinë rajonale me gazetarë “Rritja e bashkëpunimit me mediat lokale për transparencë dhe llogaridhënie publike”.  Punëtoria pati për qëllim rritjen e bashkëpunimit me mediat lokale dhe informimin e gazetarëve mbi proceset e auditimit.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, foli për mandatin kushtetues dhe ligjor të Auditorit të Përgjithshëm dhe të ZKA-së, për rolin, misionin dhe vlerat. Z. Halilaj rikonfirmoi përkushtimin e institucionit për avancimin e transparencës, llogaridhënies dhe rritjen e bashkëpunimit me media dhe qytetarët.

Në emër të Misionit të OSBE-së, Fatmir Zylfijaj përshëndeti pjesëmarrësit duke theksuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit në mes të institucioneve dhe mediave lokale, gjë që ndikon në rritjen e përgjegjësisë në menaxhimin e parasë publike në Kosovë.

Rezultatet e auditimit për komunën e Mitrovicës së Jugut, u prezantuan nga Drejtori i Departamentit të Auditimit, Blerim Kabashi, ndërsa Udhëheqësja e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresa Mulaj, theksoi se bashkëpunimi i ZKA-së me mediat lokale është thelbësor dhe urë lidhëse në mes auditimit publik dhe qytetarit.  

Gazetarët folën për sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të profesionit të tyre e që kryesisht kanë të bëjnë me mungesë të mjeteve financiare dhe mungesë të stafit. Interesimi i tyre ishte te gjetjet e auditimit, opinionet e auditimit, zbatimi i rekomandimeve, bashkëpunimi i ZKA-së me auditorët e brendshëm, auditimi i komunave në veri, rastet e  dërguara në prokurori si dhe bashkëpunimin e ZKA-së me institucionet për sundim të ligjit.  Ata vlerësuan gatishmërinë e ZKA-së dhe të OSBE-së për këtë bashkëbisedim, të cilin e konsideruan pikënisje të mirë që duhet të vazhdojë.

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën “Epoka e inteligjencës artificiale - teknologjia si mjet, vlerat si mision”

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Konferencën “Epoka e inteligjencës artificiale - teknologjia si mjet, vlerat si mision”

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten mori pjesë në konferencën “Epoka e inteligjencës artificiale - teknologjia si mjet, vlerat si mision”, organizuar nga Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK). Konferenca pati për qëllim të theksojë rëndësinë e balancës ndërmjet inovacionit teknologjik dhe misionit profesional për integritet, etikë dhe përgjegjësi.  

Zonja Spanca përgëzoi ShKÇAK-në për organizimin e kësaj konference si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm për të nxitur dialog profesional dhe për të avancuar etikën dhe cilësinë në profesionin e auditorëve. Ajo tha se bashkëpunimi me ShKÇAK-në është vlerëe shtuar  dhe përveq që përmirëson cilësinë e auditimeve, forcon edhe integritetin dhe etikën profesionale, vlera që sot, në kohën e transformimeve digjitale janë më të rëndësishme se kurrë më parë.

Auditorja e Përgjithshme znj. Spanca theksoi se auditimi i teknologjisë së informacionit nuk është më thjesht një nevojë teknike, por shtyllë thelbësore e qeverisjes së mirë dhe element kyç i besimit publik. Prandaj ZKA-ja gjatë viteve të fundit i ka dhënë rëndësi të veçante auditimeve të teknologjisë së informacionit.

Ajo tha se në epokën e inteligjencës artificiale, roli i  auditimit të teknologjisë së informacionit dhe i vet auditorëve po bëhen gjithnjë e më te rëndësishme. “Ajo çka dua të theksoj është se teknologjia mund të automatizojë shumë procese, por nuk mund të zëvendësojë asnjëherë gjykimin profesional, integritetin dhe përgjegjësinë që ne e bartim si auditorë”, theksoi znj. Spanca, duke shtuar se ZKA-ja  mbetet e përkushtuar për të ndjekë trendet e zhvillimeve teknologjike, të jetë në hap me kohen si dhe t’iu përgjigjet këtyre ndryshimeve.

 Komisioni Evropian vlerëson lartë progresin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në forcimin e llogaridhënies publike

Komisioni Evropian vlerëson lartë progresin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në forcimin e llogaridhënies publike

Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian për Kosovën për vitin 2025 i publikuar të martën ka vlerësuar lartë progresin e arritur nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në forcimin e auditimit të jashtëm, rritjen e cilësisë së punës dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies publike.  

Raporti thekson se ZKA-ja ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e Planit Strategjik 2023-2026  duke realizuar 68 për qind të objektivave si dhe ka miratuar Strategjinë për auditime të Teknologjisë së Informacionit 2025-2027 për të mbështetur digjitalizimin e proceseve të auditimit.  

Raporti vlerëson lartë edhe përmirësimin e cilësisë së auditimit të jashtëm, përmes miratimit të udhëzimeve të reja për menaxhimin e cilësisë. ZKA kreu më shumë auditime, rriti përqendrimin te auditimet e performancës, ndoqi rekomandimet e vitit 2019 dhe me sukses, filloi zbatimin e një sistemi për të monitoruar progresin në zbatimin e rekomandimeve.  

Megjithatë, Raporti thekson se zbatimi i rekomandimeve të ZKA-së nga institucionet publike mbetet sfidë, sepse vetëm 37 për qind e rekomandimeve janë  zbatuar  plotësisht. Te ndërmarrjet publike ky nivel bie në 25%, duke nënvizuar nevojën për rritjen e përgjegjësisë institucionale.  

Janë evidentuar përmirësime në mbikëqyrjen parlamentare, duke theksuar shqyrtimin e 24 raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike për vitin 2024.  

Raporti parasheh se publikimi më i qasshëm i gjetjeve të auditimit, rekomandimeve dhe veprimeve pasuese (follow-up) do të rrisë edhe më tej transparencën e auditimit të jashtëm dhe mbështesë përpjekjet tashmë proaktive të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të komunikuar në mënyrë efektive me administratën publike, organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe akademinë. Këto përpjekje kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e auditimit.  

Ndër të tjera Raporti i Komisionit Evropian thekson vlerësimin e Barometrit Ballkanik për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, duke e renditur ZKA-si institucionin më të besueshëm në rajon.  

Komisioni Evropian përmes këtij Raporti thekson nevojën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, për të siguruar se mandati, kompetencat dhe pavarësia e ZKA-së janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.  

Në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mirëpret konstatimet e Komisionit Evropian dhe riafirmon përkushtimin e saj për të forcuar transparencën, siguruar zbatimin e rekomandimeve dhe avancuar më tej praktikat më të mira të auditimit publik, në shërbim të llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.

ZKA-ja forcon kapacitetet profesionale përmes programit të trajnimeve

ZKA-ja forcon kapacitetet profesionale përmes programit të trajnimeve

Përgjatë muajve shtator dhe tetor 2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA)  ka realizuar me sukses programin gjithëpërfshirës të trajnimeve për forcimin e kapaciteteve profesionale të auditorëve dhe stafit mbështetës.  

Programi përfshiu trajnimet për procesin e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, auditimit të performancës, gjuhën e thjeshtë, Excel-in e avancuar si dhe përdorimin e softuerit IDEA.  

Po ashtu, pjesëmarrësit janë trajnuar edhe në fusha që ndihmojnë forcimin e integritetit dhe etikës profesionale, përfshirë zbatimin efektiv të mekanizmit të sinjalizimit, Kodit të Etikës dhe konfliktit të interesit.   

Në kuadër të zhvillimit të vazhdueshëm profesional, janë mbajtur edhe trajnime të sistemit SITA për junior, sesione mbi gjetjet nga rishikimi i cilësisë së angazhimit dhe vlerësimin e Njësisë për Auditim të Brendshëm dhe kërkesat e  SNISA 610.

 

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Kongresin XXV të INCOSAI në Egjipt

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Kongresin XXV të INCOSAI në Egjipt

Nga 27 deri më 31 tetor 2025 në Egjipt u mbajt Kongresi XXV i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), ku morën  pjesë Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Drejtori i Auditimit, Blerim Kabashi dhe zyrtarja Aferdita Kryeziu. Kongresi përfaqëson ngjarjen më të rëndësishme botërore në fushën e auditimit publik duke mbledhur përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të INTOSAI-t, partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë.  

Në Kongresin XXV delegatët miratuan Deklaratën Sharm El-Sheikh e cila përfaqëson angazhimin e përbashkët të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) për  të forcuar pavarësinë, profesionalizmin dhe ndikimin e auditimit publik në nivel global.  

Deklarata thekson rëndësinë e inovacionit në auditim, rritjes së kompetencës profesionale dhe përdorimit të teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë etike dhe të përgjegjshme. Ajo gjithashtu nënvizon rolin e ISA-ve në adresimin e krizave financiare dhe ekonomike, promovimin e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe kontributin në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.  

Përmes kësaj deklarate, anëtarët e INTOSAI-t riafirmuan vizionin e tyre të përbashkët për ndërtimin e institucioneve më të forta që i përgjigjen sfidave të kohës dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen e besimit të publikut në sektorin publik.  

Po ashtu për pesë ditë radhazi u zhvilluan sesione plenare, takime të Bordit Drejtues, u paraqiten raporte pune të organeve të INTOSAI-t, takime dypalëshe midis institucioneve pjesëmarrëse si dhe diskutime mbi temat qendrore: “Luftimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave: dimensionet ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare” dhe “Perspektivat e inteligjencës artificiale në auditimin publik: drejt qeverisjes së qëndrueshme”.  

Në kuadër të temës së parë “Luftimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave: dimensionet ligjore, institucionale dhe ndërkombëtare” u prezantuan praktikat më të mira të vendeve pjesëmarrëse si dhe u theksua rëndësia e harmonizimit të legjislacionit, monitorimit të fondeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për parandalimin e korrupsionit dhe pastrimit të parave.  

Në kuadër të temës së dytë “Perspektivat e inteligjencës artificiale në auditimin publik: drejt qeverisjes së qëndrueshme”, ekspertët prezantuan mënyrat se si ISA-të mund të përdorin Inteligjencën Artificiale (AI) në auditimet financiare, të performancës dhe kontrollin e përdorimit të teknologjive nga njësitë e auditimit, si dhe u analizuan sfidat dhe mundësitë për implementimin e AI në auditimet publike dhe rritjen e efikasitetit të procesit auditues.  

Gjatë sesioneve plenare u prezantuan raportet e Presidentit të INTOSAI-t (Egjipt), Komitetit Mbikëqyrës për Çështje Emergjente (Brazil), Sekretarit të Përgjithshëm të INTOSAI-t (Austria), Komiteti për Politika, Financa dhe Administrim-PFAC (Arabia Saudite) dhe Bashkëpunimi i Donatorëve i INTOSAI-t (Arabia Saudite), Komiteti i Standardeve Profesionale (Gjykata Evropiane e Auditorëve), Komiteti për Ndërtimin e Kapaciteteve  (Afrika e Jugut), Komiteti për ndarjen e Njohurive (Spanja) si dhe raporti i auditorëve të jashtëm. Po ashtu raportuan organizatat rajonale duke përfshirë AFROSAI, ASOSAI, CAROSAI, OLACEFS, ARABOSAI, EUROSAI dhe PASAI.  

Në kuadër të procesit zgjedhor, u zgjedhën organet e reja të INTOSAI-t, anëtarët e Bordit Drejtues dhe auditorët e jashtëm të INTOSAI-t.

Në ceremoninë e mbylljes u ndanë çmime ndërkombëtare për kontribute të shquara në fushën e auditimit publik si: Çmimi i së Ardhmes INTOSAI, Çmimi Elmar B. Staats, Çmimi Kimi Makwetu, dhe Çmimi i Udhëheqësve të Rinj të ISA-ve.   

Po ashtu u konfirmua se Kongresi XXVI i INCOSAI-t do të mbahet në Indonezi, ndërsa Kongresi XXVII do të organizohet nga Arabia Saudite.  

Gjatë punimeve të Kongresit, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca me delegacion zhvilloi një mori takime me përfaqësues të ISA-ve të ndryshme ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira ndërkombëtare në fushën e auditimit publik dhe qeverisjes së mirë. 

Auditorja Seniore Arta Kryeziu Qehaja nderohet me çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA)

Auditorja Seniore Arta Kryeziu Qehaja nderohet me çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA)

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në kuadër të Kongresit XXV të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI), Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në emër të auditores seniore Arta Kryeziu Qehaja, pranoi çmimin ndërkombëtar për Programin “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë” (EFA) nga Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI), Einar Gørrissen.  

Ky çmim ndërkombëtar i dedikohet znj. Kryeziu Qehaja për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në avancimin e auditimit me fokus në barazi dhe përfshirje në kuadër të programit “Auditimi i së Ardhmes së Barabartë”.  

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se ky çmim ndërkombëtar dëshmon angazhimin e ZKA-së për ngritjen e standardeve të auditimit dhe rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e barazisë, përfshirjes dhe transparencës në shërbimet publike. “Ky vlerësim ndërkombëtar është dëshmi e qartë e profesionalizmit, përkushtimit dhe vizionit të gjithë stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, për një auditim që shkon përtej kontrollit financiar dhe kontribuon në ndryshime pozitive në shoqëri,” u shpreh znj. Spanca.  

Në shenjë vlerësimi për këtë arritje, Auditorja e Përgjithshme i pati dhënë znj. Kryeziu Qehaja një Mirënjohje të veçantë, duke vlerësuar inovacionin dhe lidershipin e saj në promovimin e auditimit me fokus në barazi dhe përfshirje. “Arritja e Artes është një shembull frymëzues i profesionalizmit dhe vizionit të saj,” kishte thënë znj. Spanca, duke shtuar se ky sukses pasqyron gjithashtu përkushtimin dhe bashkëpunimin e gjithë stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që mbetet themeli i çdo arritjeje të ZKA-së.  

Programi “Auditimi i të Ardhmes së Barabartë” (EFA) ka për qëllim fuqizimin e agjentëve të ndryshimit brenda Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), në promovimin e qasjeve gjithëpërfshirëse dhe të barabarta në auditim.