Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve për sezonin auditues 2023/2024

ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve për sezonin auditues 2023/2024

Në përputhje me mandatin ligjor Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), Planin Vjetor të Auditimit për sezonin 2023/2024.

Plani adreson përmbushjen e obligimeve kushtetuese e ligjore si dhe përmban informatat relevante në lidhje me auditimet e përzgjedhura nga Auditorja e Përgjithshme, përfshirë projektet, aktivitetet, afatet, burimet e nevojshme, buxhetin, rezultatet dhe rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet ZKA-ja.

Për sezonin auditues  2023/24, ZKA-ja planifikon kryerjen e 123 auditimeve, prej tyre 85 auditime për organizatat buxhetore, 8 projekte të financuara nga fondet e jashtme, 13 ndërmarrje publike,  16 auditime të performancës, si dhe Raportin Vjetor të Auditimit.

Përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë të përcaktuara me ligj, fokus i veçantë i është dhënë edhe auditimit të ndërmarrjeve publike me interes të veçantë si dhe projekteve kapitale me peshë të lartë financiare.

Ndërsa auditimet e performancës mbulojnë fusha me rëndësi ekonomike, sociale, shëndetësore, arsimore, mediale, kulturore e sportive, si dhe tema të rëndësishme në prokurim publik. Përzgjedhja e temave të performancës është bërë më kontributin e shoqërisë civile, organizatave profesionale, komunitetit të donatorëve dhe ekspertëve të fushave, si dhe bazuar në vlerësimin e ndikimit në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe  përmirësimin e qeverisjes.

Planin Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2023/24 e gjeni këtu. 

 

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në Simpoziumin e EUROSAI-t në Lisbonë

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës znj. Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Bezad Halilaj, me 30 dhe 31 tetor 2023 morën pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar për Çështjet e Shfaqura, organizuar nga Gjykata e Auditorëve të Portugalisë në partneritet me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe nën kujdesin e Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI).

Tema e debatuar nga Institucionet Supreme të Auditimit iu referua përshtatjeve dhe rregullimeve që këto institucione duhet bërë në veprimtarinë e tyre, duke pasur parasysh edhe ndryshimet ekonomiko-financiare në funksionimin e shteteve.

Sesionet u fokusuan në mënyrën se si mjedisi ekonomik në ndryshim po ndikon në shpenzimet publike, duke parë kostot e rritura të huamarrjes, kostot e inflacionit, ndryshimet demografike dhe praktikat e mira në qëndrueshmërinë financiare.

Rreth 50 përfaqësues nga 23 Institucione Supreme të Auditimit të vendeve evropiane, Gjykata Evropiane e Auditorëve dhe Gjykata e Auditorëve të Bashkimit të Brazilit, e cila aktualisht kryeson Organizatën Botërore të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ishin të vëmendshëm ndaj fjalëve të ekspertëve nga organizatat kombëtare dhe ato ndërkombëtare, si OECD dhe Këshilli i Financave Publike, paraqitën shembuj specifik dhe debatuan për çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimet dhe krizat e shpejta të cilave iu është nënshtruar bota.

Konkluzioni i këtij simpoziumi ishte se Institucionet Supreme të Auditimit për të ruajtur rëndësinë e tyre si akterë thelbësorë për mirëqeverisjen e burimeve publike duhet të jenë të hapura nga jashtë dhe të ndjeshme ndaj tendencave dhe zhvillimeve në sektorin publik dhe menaxhimin e tij.

Po ashtu u theksua se ndarja e praktikave të mira ndihmon Institucionet Supreme të Auditimit  për të përmirësuar ndikimin e tyre në menaxhimin publik të çdo shteti.

 

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Drejtoreshën e Projektit nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Drejtoreshën e Projektit nga USAID “Integriteti i Komunave të Kosovës”

Zonja Auditore e Përgjithshme e Kosovës Vlora Spanca mbajti takim me Drejtoreshën e re të Projektit nga USAID, “Integriteti i Komunave të Kosovës”, zonjën Maia Gogoladze. Të pranishëm ishin Udhëheqësi i objektives së parë të projektit z. Ruzhdi Zeqiri, Këshilltari i lartë z. Edon Kurtishi, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme znj. Myrvete Gashi-Morina, Shefja e Kabinetit znj. Shqipe Çavdarbasha dhe Ud. Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimeve znj. Natyra Kasumaj-Ahmeti.

Zonja Spanca vlerësoi lartë bashkëpunimin dhe përkrahjen e kahmotshme të USAID-it dhënë Zyrës Kombëtare të Auditimit në adresimin e sfidave për luftimin e korrupsionit dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, duke përforcuar mekanizmat e llogaridhënies. Më tutje, ajo shprehu edhe përkushtimin e institucionit që drejton për avancimin e bashkëpunimit.

Ndërsa znj. Gogoladze rikonfirmoi gatishmërinë e lartë për të vazhduar bashkëpunimin e mëtutjeshëm brenda kornizave të kapaciteteve të projektit në ofrimin e mbështetjes dhe impaktit më të gjerë.

 

ZKA-ja dhe DEMOS-i me marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit

ZKA-ja dhe DEMOS-i me marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Projekti DEMOS vazhdojnë bashkëpunimin shumëvjeçar tani përmes nënshkrimit të marrëveshjes për kryerjen e auditimit të performancës “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara mbi Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale (SMPK) dhe Grantin e Performancës Komunale (GPK)” i cili do të përfshijë vlerësimin e përshtatshmërisë dhe efektivitetit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara të GPK dhe SMPK.

Marrëveshjes së nënshkruar të enjten nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe drejtori i Projektit DEMOS, Alan Packer, i parapriu takimi ku palët vlerësuan lartë bashkëpunimin afatgjatë dhe të frytshëm në mes të ZKA-së dhe DEMOS-it.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi rëndësinë e madhe që ka realizimi i këtij projekti për të ndihmuar komunat në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe avancimin e qeverisjes lokale.

Znj. Spanca tha se bashkëpunimi në mes të ZKA-së dhe DEMOS-it do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në veçanti në identifikimin dhe vendosjen e mekanizmave mbikëqyrës në qeverisjen lokale për të rritur ndikimin e auditimit, përkatësisht në rritjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Drejtori i Projektit DEMOS, Alan Packer, ka përgëzuar Auditoren e Përgjithshme për realizimin e objektivave të ZKA-së si dhe shprehu përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Packer prezantoi objektivat e projektit për t’u fokusuar më pas në diskutimin për kushtin minimal të Grantit të Performancës Komunale që ndërlidhet me opinionet e auditimit dhe nivelin e zbatimit të rekomandimeve.

Të pranishëm në takim nga DEMOSI ishin edhe eksperti ndërkombëtar Gerhard van’t Land dhe menaxherja e lartë për ndërhyrje Saranda Husaj Baraliu. Ndërsa nga ZKA-ja ishin Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi-Morina dhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Agron Fetiu.

 

Vazhdon bashkëpunimi në mes ZKA-së dhe KRPP-së

Vazhdon bashkëpunimi në mes ZKA-së dhe KRPP-së

Në vazhdim të aktivitetit të mbajtur në qershor 2023, me temën “Bashkëpunimi ndërinstitucional në Fushën e Prokurimit Publik në Republikën e Kosovës”, lidershipi i Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ai i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik u takuan sërish për të biseduar lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve në prokurim publik.

Zonja Auditore e Përgjithshme Vlora Spanca dhe Kryetari i Bordit të KRPP-së z. Osman Vishaj u pajtuan që në nëntor të mbahet një punëtori rajonale, organizuar nga KRPP me mbështetje të GIZ-it dhe SIGMA-s. Ndërsa në dhjetor, ZKA organizon tryezë me institucionet kyçe që merren me prokurimin publik.

 

Përfaqësuesit e ZKA-së marrin pjesë në punëtorinë e programit “LOTA Pioneers” të mbajtur në Brazil

Përfaqësuesit e ZKA-së marrin pjesë në punëtorinë e programit “LOTA Pioneers” të mbajtur në Brazil

Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI) ka përfunduar me sukses punëtorinë e radhës për programin “LOTA Pioneers” (Agjentët/Pionierët duke Përdorur Avancimin e Teknologjisë) të mbajtur në Brazilia, Brazil më 23-27 tetor 2023. Në këtë punëtori kanë marrë pjesë 26 profesionistë të auditimit nga shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit e Republikës së Kosovës, Samir Zymberi, Drejtor i Departamentit për Auditimet e TI-së dhe Poliksena Berisha Auditore seniore e TI-së.

Ky program ka për qëllim t’i ndihmoj Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) për të siguruar agjentë kompetentë të ndryshimit të cilët do të angazhohen në zhvillimin e një strategjie afatgjate të auditimit për teknologjinë e informacionit dhe kryerjen e auditimeve të teknologjisë. Poashtu, programi “LOTA Pioneers” i ndihmon ISA-të në skanimin e mjediseve të tyre të jashtme dhe të brendshme me fokus në teknologji, organizim dhe procese, caqe dhe kufizime, staf dhe partneritetet.

Përveç orientimit për të ndërtuar një strategji për TI-në, në këtë program u trajtuan edhe mundësitë si të ndihmohen ISA-të për të ndërtuar praktika të qëndrueshme të auditimit të teknologjisë  dhe ndikimit të përdorimit të teknologjisë  në auditime, duke përdorur edhe vegla për analizimin e të dhënave.

Përfaqësuesit nga Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ishin aktiv në punëtori duke dhënë kontribut gjatë punëtorisë dhe duke qenë një model i mirë për ISA-të e tjera. Pjesëmarrja në këtë aktivitet u ka shërbyer edhe për rrjetëzim me kolegë të fushës nga vende të ndryshme të botës dhe për të krijuar bashkëpunime të reja. Disa përfaqësues të ISA-ve të ndryshme kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin me ISA-në e Kosovës në fushën e auditimeve të TI-së.

 

Auditorët e ZKA-së në takimin vjetor të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave

Auditorët e ZKA-së në takimin vjetor të Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave

Nga 18 deri më 21 tetor 2023 në Varshavë të Polonisë u mbajt takimi i shtatë vjetor  i Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) nga Polonia, Letonia, Estonia, Lituania, Turqia, Sllovakia, Kroacia, Maqedonia e Veriut si dhe Kosova, anëtarë të kësaj Task Force.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës u përfaqësua nga auditorët Elvir Krasniqi dhe Arian Zenelaj, ndërsa takimi dyditor me temën “Shpërndarja e granteve dhe transfereve” pati për qellim diskutimet dhe ndarjen e përvojave nga pjesëmarrësit nëse grantet shtetërore për komunat  janë shpenzuar për qëllimet e synuara dhe në mënyrë efikase.

Kryetari i Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, Auditori i Përgjithshëm i Lituanisë, Mindaugas Macijauskas, tha se grantet shtetërore për komuna duhet të jenë të synuara, të orientuara drejt rezultateve, me parime të qarta të shpërndarjes dhe garantimit të efektivitetit dhe përdorimit efikas të tyre.

Krahas përfaqësuesve të tjerë nga Institucionet Supreme të Auditimit, auditorët e ZKA-së z. Krasniqi dhe z. Zenelaj prezantuan rezultatet e auditimit me temën “Procesi i menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë”.

Javën e kaluar ishte publikuar edhe buletini i radhës i gazetës së Task Forcës së EUROSAI-t për auditimin e komunave, buletin që përfshiu edhe artikullin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Më shumë detaje rreth artikullit në fjalë, “Përmbledhja e auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë në komuna”, publikuar në këtë gazetë mund të gjeni në linkun: https://www.tfma.eu/page.aspx?id=136

 

Përfaqësueset e ZKA-së në punëtorinë “Auditimi i së ardhmes së barabartë” në Tunizi

Përfaqësueset e ZKA-së në punëtorinë “Auditimi i së ardhmes së barabartë” në Tunizi

Auditoret e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Arta Kryeziu Qehaja dhe Krenare Pirana Kiseri, morën pjesë në punëtorinë e organizuar në kuadër të Programit “Auditimi i së ardhmes së barabartë” nga IDI INTOSAI në Hamamet të Tunizisë në datat 9-13 tetor 2023.

Pjesë e punëtorisë ishin edhe përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit nga  Tunizia, Filipinet, Nepali, Indonezia, Mauritania, Serbia, Pakistani, Palestina, Tajlanda, Maldivet, Brazili, Egjipti, Tuvalu dhe Vanuatu, si dhe mentorët nga Gjeorgjia, Kenia, Filipinet dhe Amerika.

Punëtoria pati për qëllim vazhdimin e zhvillimit të kapaciteteve, filluar online, si dhe diskutimet për aplikimin e qasjes gjatë hartimit të Strategjisë së auditimit. Bazuar në diskutimet dhe mësimet e nxjerra nga punëtoria, auditorët e Programit “Auditimi i së ardhmes së barabartë” do të udhëheqin ekipet e tyre për të zhvilluar planin për Strategjinë e auditimit për të audituar tema që lidhen me barazinë dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara.

 

Auditorja e Përgjithshme në Konferencën e dytë Rajonale të Autoriteteve të Auditimit të IPA-s në Stamboll

Auditorja e Përgjithshme në Konferencën e dytë Rajonale të Autoriteteve të Auditimit të IPA-s në Stamboll

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, morën pjesë në punimet dyditore (19 – 20 tetor 2023) të Konferencës së dytë Rajonale të Autoriteteve të Auditimit të IPA-s në Stamboll. Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Turqisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.

Hapja e punimeve të konferencës u bë nga kryetari i Autoriteteve të Auditimit të IPA-s, z. Ahmet Tutal, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje dhe i ftoi për të kontribuar përmes prezantimeve dhe diskutimeve.

Në kuadër të punimeve dyditore të Konferencës u diskutua për gjetjet e auditimit të fondeve të IPA-s si dhe për harmonizimin e kërkesave kryesore të auditimit dhe Kornizës së Kontrollit të Brendshëm gjatë planifikimit dhe kryerjes së procedurave të auditimit dhe analizimit të rezultateve. Poashtu pjesëmarrësit ndan përvojat e tyre si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen gjatë planifikimit dhe aplikimit të metodologjisë së mostrimit.

 

Mbahet takimi i katërt për auditimin paralel “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Mbahet takimi i katërt për auditimin paralel “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”

Me mbështetjen e UN Women, me 16 dhe 17 tetor në Prishtinë u mbajt takimi i radhës për auditimin paralel “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës” ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Entit Shtetëror të Revizionit të Maqedonisë së Veriut.

Takim pati për qëllim prezantimin dhe diskutimin e gjetjeve preliminare nga secili Institucion Suprem i Auditimit dhe dakordimin për bashkëpunim e mëtutjeshëm deri në finalizimin e raportit të auditimit.

Në Kosovë më 16 tetor u shënua Dita Ndërkombëtare e Gruas Rurale dhe Dita Ndërkombëtare e Ushqimit ku u theksua roli i grave nga zonat rurale në shoqërinë tonë. Auditorët shfrytëzuan këtë mundësi për të vizituar panairin e ushqimit të grave nga zonat rurale të mbështetur nga UN Women.

 

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Drejtorin e ri të Zyrës së Demokracisë dhe Qeverisjes në USAID Noel Bauer

Auditorja e Përgjithshme pret në takim Drejtorin e ri të Zyrës së Demokracisë dhe Qeverisjes në USAID Noel Bauer

Auditorja e Përgjithshme e Kosovës znj. Vlora Spanca priti në takim Drejtorin e ri të Zyrës së Demokracisë dhe Qeverisjes në USAID, z. Noel Bauer, shoqëruar nga Specialisti për Qeverisje dhe Administratë Publike nga zyra e njëjtë, z. Jeton Cana. Të pranishëm ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z. Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme znj. Myrvete Gashi-Morina, Ud. Drejtoresha e Departamentit për Çështje Juridike dhe kundër Mashtrimeve znj. Natyra Kasumaj-Ahmeti dhe Udhëheqësja e Kabinetit znj. Shqipe Cavdarbasha.

Me të falënderuar përfaqësuesit e USAID-it për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Zyrës Kombëtare të Auditimit që nga viti 2018, znj. Spanca iu referua vizionit të institucionit që ajo drejton, të rikonfirmuar nga Barometri i Ballkanit si dhe nga Rishikimi Kolegial i ZKA-së, bazuar në pritshmëritë e Kornizës së Praktikave Profesionale të INTOSAI-t dhe praktikës së mirë evropiane, kryer nga SIGMA, në vazhdimësi si institucion të besueshëm të auditimit që përmirëson qeverisjen në sektorin publik, duke fuqizuar llogaridhënien në administratë publike për përdorim efektiv, efikas dhe ekonomik të burimeve kombëtare.

Të pranishmit në takim diskutuan edhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm, prioritetet dhe sfidat që has ZKA-ja. “Ne vazhdojmë të synojmë ngritjen e bashkëpunimit me institucionet e tjera përkatëse dhe fuqizimin e institucionit tonë, duke ngritur kapacitetet tona jo vetëm sa i përket mekanizmave kundër mashtrimit dhe korrupsionit, por edhe fuqizimit të departamentit ligjor përmes shtimit të stafit të kualifikuar” tha znj. Spanca, duke pranuar afirmimin e të pranishmëve për nevojën për ngritjen e bashkëpunimit dhe gjetjes së modaliteteve të mëtejme përgjatë muajve të ardhshëm.

 

Auditorët e ZKA-së ndoqën trajnimin në Stokholm për fuqizimin e fasilitimit

Auditorët e ZKA-së ndoqën trajnimin në Stokholm për fuqizimin e fasilitimit

Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ariana Gjonbalaj, Fatlinda Ramosaj dhe Samir Zymberi ndoqën trajnimin e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, mbi fuqizimin e fasilitimit nga 2-5 tetor në Stokholm të Suedisë.

Auditorët nga Institucionet Supreme të Auditimit të Suedisë dhe Kosovës diskutuan sfidat që mund të paraqiten si dhe praktikat e mira për tejkalimin e tyre me qëllimin e ngritjen së njohurive dhe ndarjes së përvojave të fasilitimit si mjet fuqizimi.

Pjesëmarrësit vlerësuan se procesi i fasilitimit luan rol kyç brenda Institucioneve Supreme të Auditimit pasi që rritë efektivitetin e procesit të auditimit dhe kontribuon në suksesin e përgjithshëm të institucionit, në komunikim dhe bashkëpunim më të qartë dhe më të lehtë në mes ekipeve të auditimit, institucioneve nën auditim dhe palëve të tjera të interesit.

Gjatë qëndrimit në Stokholm, auditorët nga Departamenti i Performancës  në ZKA u pritën në takime nga kolegët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë me ç’rast shkëmbyen njohuritë dhe përvojat në organizimin e kontrollit të cilësisë dhe procesin e auditimit të performancës.