Auditori i Përgjithshëm: Menaxhimi jo i mirë i projekteve të teknologjisë së informacionit nga ASHI-ja, ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit”. Rezultatet e këtij auditimi tregojnë se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) nuk ka arritur të jetë efektive në realizimin e projekteve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për digjitalizimin e shërbimeve dhe lehtësimin në qasjen e tyre për institucionet shtetërore dhe qytetarët përmes platformave elektronike.
Auditimi ka nxjerr në pah se menaxhmenti i ASHI-së nuk ka siguruar qeverisje të mirë të teknologjisë së informacionit, nuk ka bërë analizë të mjaftueshme për të identifikuar nevojat dhe zgjidhur problemet përmes projekteve të reja dhe me prioritet, ka mungesë të planit të menaxhimit të rrezikut, vonesa në zbatimin e projekteve, orientim jo të mirë të buxhetit si dhe është ekspozuar ndaj rrezikut me ndaljen e shërbimeve të internetit për institucionet e Republikës së Kosovës.
Po ashtu në zhvillimin e projekteve Agjencia ka paguar rreth 506 mijë euro për shërbime dhe licenca të cilat nuk janë realizuar, por edhe të tilla që edhe pse janë blerë nuk janë shfrytëzuar. Për shkak të menaxhimit jo të mirë të kontratës, janë realizuar porosi për licenca të cilat nuk janë shfrytëzuar dhe kishin krijuar shpenzime në vlerën 440,973 euro. Për më tepër për numrin e licencave për universitete, në vitin 2020 ASHI-ja ka bërë porosi në vlerë prej 65 mijë euro sipas kërkesës së operatorit ekonomik dhe jo sipas nevojës së tyre.
Gjithashtu, ASHI-ja nuk e ka trajtuar me kujdes sigurinë e informacionit, duke shkaktuar paqartësi në raste të klasifikimit të informacioneve dhe shpalosjen e tyre pa i vlerësuar dhe deklasifikuar ato paraprakisht; nuk ka specifikuar kërkesën për kufizimin e trafikut nga interkoneksionet rajonale të pasigurta për vendin; si dhe nuk ka zbatuar nënshkrimin e deklaratës së konfidencialitetit për të gjithë stafin e operatorëve ekonomik që kanë qasje në informacionin dhe infrastrukturën shtetërore të teknologjisë së informacionit.
Lidhur me këtë auditim Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, vlerësoi se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk ka qenë efektive në menaxhimin e projekteve të teknologjisë së informacionit duke ndikuar në mosrealizimin e shërbimeve, në mostrajtimin e duhur të sigurisë së informacionit si dhe ka krijuar shpenzime të panevojshme dhe ka dëmtuar buxhetin.
Me qëllim të përmirësimit të procesit të menaxhimit të projekteve të teknologjisë së informacionit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit.
Raportin e plotë të auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit” e gjeni këtu.


















Në vazhdim, zyrtarë të ZKA-së prezantuan rezultatet nga auditimet e TI-së si dhe për procesin e zhvillimit dhe funksionimin e SITA-s. Samir Zymberi, drejtor i Departamentit të Auditimeve të Teknologjisë së Informacionit, foli mbi zhvillimin e departamentit, aplikimin e metodologjisë së auditimit në pajtim me praktikat ndërkombëtare si: ISSAI, GUID 5100, Manualin për auditimet e TI-së nga IDI si dhe dokumentet e ZKA-së. Ai theksoi bashkëpunimet ndërkombëtare dhe mbështetjen nga ekspertët e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë dhe Portugalisë për zhvillimin e auditimeve cilësore. Më tutje z. Zymberi foli mbi numrin dhe llojin e auditimeve të TI-së të kryera deri me tani, rëndësinë dhe ndikimin e tyre në funksion të sigurisë së sistemeve dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Poliksena Berisha, Auditore Seniore prezantoi procesin e auditimeve individuale të TI duke filluar nga prezantimi i temës, ekzekutimi i auditimit e deri te auditimet përcjellëse për zbatimin e rekomandimeve. Ndër të tjera, ajo theksoi metodologjinë e përdorur, teknikat e auditimit, veglat e auditimit, dizajnuar nga grupi punues për auditimet e TI-së në EUROSAI etj. Ajo prezantoi procesin e auditimit të TI-së “Sistemi Informativ i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrit Civil”, objektiven e auditimit, përmbajtjen e raportit, konkluzionet dhe rekomandimet kryesore.
Kurse Shqipe Azemi, Specialiste e Teknologjisë së Informacionit foli mbi krijimin dhe funksionimin e SITA-s duke informuar pjesëmarrësit për rrjedhën e procesit që nga fillimi e deri në vënien në përdorim të SITA-s, se si ky sistem e ka bërë punën më efikase pas strukturimit të të dhënave të procesit të auditimit dhe integrimin e tyre në bazën e të dhënave. Tutje znj. Azemi tregoi se SITA ka rritur transparencën në punën audituese duke mundësuar që të gjithë përdoruesit e autorizuar të kenë mundësi të qasen dhe të monitorojnë punën në çdo moment kohor. Po ashtu ajo ka thënë se parametrizimi efikas ka bërë të mundur gjenerimin e dokumenteve direkt nga sistemi me të gjitha tabelat dhe analizat e nevojshme. Gjithashtu Azemi ka folur edhe për mundësitë e zbatuara në SITA për të komunikuar me sisteme të tjera si: sistemet e organizatave buxhetore, sistemin për analizimin e të dhënave IDEA dhe ueb faqen e ZKA-së për prezantimin e rekomandimeve të auditimit.
Prezantimi është përcjellë me interesim të madh, në veçanti për SITA, e cila u cilësua si model edhe për ISA-t e tjera.

Shefja për Bashkëpunim Ndërkombëtar e Institucionit Suprem të Auditimit të Bosnjë Hercegovinës, Jasmina Galijaševic, ka prezantuar më gjerësisht përvojën e këtij institucioni në ndërtimin e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile përmes takimeve vjetore ku prezantohen temat e mundshme për auditime të performancës. Përvojat e institucioneve të tyre për komunikimin e rezultateve të auditimeve dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile i kanë prezantuar edhe përfaqësuesit e Zyrave Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Letonisë. Ndërkohë në kuadër të paneleve të diskutimit, përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës, kanë shkëmbyer përvojat e tyre për rritjen e angazhimit me palët e jashtme. Në këtë kuadër, drejtoresha e Departamentit për auditimet e prokurimit, Fatlinda Ramosaj Miroci, ka treguar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës angazhohet në mënyrë aktive me organizatat e shoqërisë civile, organizatat joqeveritare dhe publikun për të sjellë në vëmendje tema të rëndësishme për auditim. Ajo ka theksuar se ZKA-ja ka bashkëpunim shumë të mirë me shoqërinë civile i cili promovon transparencën, llogaridhënien dhe gjithëpërfshirjen. 

