Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA-ja fillon publikimin e raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023

ZKA-ja fillon publikimin e raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023

Me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonën 2022/2023, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të mërkurën ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar gjetjet kryesore dhe rekomandimet për tri raportet e performancës: “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”; “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”; si dhe “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.

Znj. Spanca ka bërë me dije se rezultatet e auditimit për “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vitin 2021”, tregojnë se MMPHI-ja në vitin 2021 kishte kontraktuar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë afër gjashtë milionë euro përmes 26 kontratave aneks. 13 prej tyre janë audituar dhe vlera e tyre është mbi 4 milionë euro apo afër 70% e vlerës së kontratave të lidhura me këtë procedurë. Ndërsa për katër prej këtyre projekteve, kosto shtesë e përllogaritur përtej vlerës së kontratave aneks është mbi 4.3 milionë euro.

Ky auditim ka vënë në pah se përdorimi i procedurës së negociuar, në rastet e lartcekura nuk ishte i arsyeshëm pasi që katër nga 13 kontratat aneks nuk mbulonin plotësisht kostot e projekteve në fjalë, prandaj MMPHI-ja në këto raste do të duhej që të shmangte përdorimin e procedurës së negociuar, dhe për këto katër projekte do të duhej të zbatonte procedurën e hapur. Po ashtu nga 13 kontrata për ndërtimin e rrugëve në 10 prej tyre nuk janë zbatuar afatet e përcaktuara dhe punët ende janë të pa përfunduara. Për të siguruar se projektet që inicion Ministria janë në përputhje me kushtet në terren, zbatohen plotësisht dhe pa sfida të mëdha si dhe përfundohen me kohë e cilësinë e kontraktuar, ZKA-ja ka dhënë 11 rekomandime, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme.

Sa i përket auditimit “Mbështetja e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë /KIESA” që përfshin periudhën 2019-2022, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se MINT-i/KIESA nuk kanë arritur efektet e duhura në përkrahjen dhe ngritjen e kapaciteteve të NVM-ve dhe Zonave Ekonomike. Po ashtu Zonat Ekonomike të themeluara nuk arrijnë t’i përmbushin nevojat e ndërmarrjeve në vend, duke i lënë investitorët të presin me vite për zgjerimin e hapësirave të biznesit dhe rritje të prodhimit dhe të punësimit.

Gjithashtu znj. Spanca ka deklaruar se MINT-i nuk ka zhvilluar strategji dhe politika për NMV dhe orientimin e tyre drejt transformimit dhe ngritjes së cilësisë dhe eksportit të produkteve të tyre drejt tregjeve të BE-së. Nga viti 2005 deri në dhjetor të vitit 2022 kur është realizuar procesi i auditimit janë të themeluara 10 Zona Ekonomike prej të cilave katër funksionojnë si: Parku i Biznesit në Drenas, Parku i Biznesit në Mitrovicë, Parku Teknologjik në Shtime, si dhe Parku Industrial në Suharekë. Me qëllim të rregullimit të sistemit të përkrahjes së NMV-ve dhe zhvillimin e Zonave Ekonomike, ZKA-ja ka dhënë një rekomandim për qeverinë dhe shtatë për MINT/KIESA. Kurse sa i përket auditimit të “Sistemeve të Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina“ i cili është zhvilluar si projekt paralel me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH), Auditorja e Përgjithshme ka thënë se KRU Prishtina nuk ka mjedis efektiv të kontrollit për të ruajtur integritetin dhe vazhdimësinë e sistemeve të TI-së, duke ndikuar kështu në mos arritjen e plotë të qëllimeve të ndërmarrjes dhe zbehur besueshmërinë e sistemeve të saj. Gjetjet e auditimit ndërlidhen me qeverisjen e teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, sigurinë e informacionit, vazhdimësinë e proceseve/sistemeve të TI-së, si dhe kontrollet e aplikacionit.

Për sa i përket qeverisjes se teknologjisë së informacionit në KRU Prishtina, ZKA-ja ka vërejtur se mungon planifikimi strategjik i TI-së,si dhe politikat dhe procedurat që e rregullojnë këtë fudshë. Ndërmarrja nuk ka të vendosur strukturë adekuate dhe të plotë organizative të TI-së, duke rrezikuar kështu mos përdorimin efektiv të burimeve për arritjen e objektivave. Në fushën e Sigurisë se Informacionit, mangësitë e identifikuar ndërlidhen me vlerësimin e rrezikut, politikat e sigurisë së informacionit, menaxhimin e aseteve, burimet njerëzore dhe sigurinë e TI-së, si dhe kontrollet e qasjeve.

Në aspektin e Kontrolleve të aplikacionit është vërejtur se në aplikacionet që përdorë Kompania kishte mungesë të kontrolleve të vlefshmërisë gjatë vendosjes së të dhënave. Me qëllim të adresimit të këtyre çështjeve të identifikuara ZKA-ja ka dhënë 18 rekomandime për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina. Më tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka njoftuar gazetarët edhe për zbatimin e Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2022/23 i cili ka paraparë realizimin e 134 auditime financiare, të pajtueshmërisë, performancës, prokurimit dhe Teknologjisë se Informacionit.

Znj. Spanca ka bërë me dije se aktualisht ZKA-ja është në proces të punës në teren dhe finalizimit të raporteve dhe gjatë këtij muaji do të publikohen dhjetëra sosh si: Ministria e Drejtësisë, Universiteti i Prishtinës, Komuna e Prishtinës, Komuna e Deçanit, Komuna e Vushtrrisë, Komuna e Ferizajt, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Uniteti” – Mitrovicë, “Ndikimi i investimeve kapitale në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe përmirësimin e shërbimeve në KRU”, “Efektiviteti dhe ekonomia në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit (riatdhesimit)”, “Menaxhimi i Projekteve për Sistemet e Teknologjisë së Informacionit në Agjencia e Shoqërisë së Informacionit MPB” si dhe raporte të tjera për institucionet e pavarura, nivelit qendror dhe atij lokal.

Auditorja e Përgjithshme i dorëzon Kuvendit Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme i dorëzon Kuvendit Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2022. Raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.

Znj. Spanca në fjalën e saj ka theksuar se aktiviteti auditues është mbështetur në Planin Vjetor të Auditimit 2021/22, ku përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, fokus i veçantë i është dhënë auditimeve të performancës me interes për qytetarët dhe Kuvendin. “Angazhimi i ZKA-së, gjatë këtij viti është përqendruar gjithashtu në auditimet e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetëror siç janë: KEK-u, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Marrë parasysh zhvillimin e hovshëm në fushën e teknologjisë së informacionit dhe nevojës për sigurinë e sistemeve të TI-së, ZKA-ja ka audituar sisteme të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike”, ka deklaruar Auditorja e Përgjithshme.

Me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para në vitin 2022 (që mbulojnë periudhën 2021) znj. Spanca ka treguar se ZKA-ja përmes raporteve të auditimit ka dhënë mbi një mijë rekomandime (1,030). Po ashtu është rritur efikasiteti dhe ruajtur konsistenca në auditim duke avancuar tutje metodologjinë e punës në funksion të digjitalizimit të procesit auditues.

Raporti përmban informata të rëndësishme edhe për sa i përket menaxhimit të burimeve financiare dhe njerëzore të ZKA-së, kontrollit të brendshëm dhe etikës. Bashkëpunimi me palët e interesit, posaçërisht me shoqërinë civile dhe qytetarët është avancuar, me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe rritjes së transparencës lidhur me menaxhimin e parasë publike. Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se gjatë vitit 2022, janë dërguar 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit, si dhe janë ofruar informacione të kësaj natyre për organet e hetuesisë.

Tutje Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se gjatë vitit 2022, ZKA-ja ka shënuar rezultate edhe sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar duke u  anëtarësuar në grupe të ndryshme profesionale në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Po ashtu gjatë kësaj periudhe ZKA-ja ka marrë pjesë dhe është përfaqësuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka vazhduar dhe aktivitete të shumta në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional janë zhvilluar gjatë tërë vitit.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka ritheksuar përkushtimin e saj për të avansuar më tutje kompetencën profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të ruaj pavarësinë institucionale, forcojë integritetin, transparencën dhe frymën ekipore me qëllimin e vetëm që t’i ofrojë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe relevant për shpenzimin e parasë publike.  

Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2022 mund ta gjeni këtu.

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Ftesë për media: Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca mban konferencë për media

Të nderuar përfaqësues të mediave, Ju ftojmë të ndiqni konferencën për media të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e fillimit të publikimit të raporteve të auditimit për sezonin auditues 2022/23. Konferenca do të mbahet:

Të mërkurën, me datë 03.05.2023

në ora 10:30

në hotel Opera, Rr. Fehmi Agani, Prishtinë

Në këtë konferencë Auditorja e Përgjithshme do të prezantojë çështjet kryesore të paraqitura në tri raporte të auditimit të  performancës që publikohen po atë ditë, si dhe informata tjera lidhur me realizimin e planit të auditimit për sezonën audituese 2022/23. Zyrtarë të lartë të ZKA-së përgjegjës për tri auditimet në fjalë sipas interesimit tuaj do të paraqesin më në detaje gjetjet dhe rekomandimet që përmbajnë raportet:
  • “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë vitit 2021”;
  • “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA”; si dhe
  • “Sistemet e Informacionit në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina”.
Ju mirëpresim!
Një delegacion nga Institucioni Suprem i Auditimit të Malit të Zi ka qëndruar për vizitë dyditore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Një delegacion nga Institucioni Suprem i Auditimit të Malit të Zi ka qëndruar për vizitë dyditore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës

Kosova dhe Mali i Zi shkëmbejnë njohuritë dhe përvojën për digjitalizimin e punës audituese   Zyrtarët nga Departamenti i Metodologjisë dhe Teknologjisë së Informacionit të  Institucionit Suprem të Auditimit të Malit të Zi, Milos Vujosevic dhe Radenko Davidovic, kanë zhvilluar vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Ata janë pritur në takim nga Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, specialistja e auditimit në Departamentin e Metodologjisë, Aida Podrimaj, specialistja e TI-së, Shqipe Azemi si dhe Kaltrina Sylejmani, Specialiste e TI-së.

Në kuadër të kësaj vizite delegacionet e të dyja institucioneve kanë shkëmbyer njohuritë dhe përvojën e tyre për digjitalizimin e punës audituese. Fillimisht përfaqësuesit e ZKA-së kanë prezantuar softuerin për menaxhimin e procesit të auditimit SITA, i cili është  zhvilluar me teknologji të lartë dhe shërben për të lehtësuar dhe modernizuar punën audituese.

Delegacioni nga Institucioni Suprem i Auditimit të Malit të Zi është njoftuar nga afër për të gjithë procesin e zhvillimit, sfidat e implementimit, si dhe planet për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit SITA. Të pranishmit gjatë këtij prezantimi kanë pasur mundësinë të shohin edhe shembuj praktik sa i përket  funksionimit të këtij  sistemi të cilin e aplikon ZKA-ja. Mysafirët kanë vlerësuar lartë punën e ZKA-së sa i përket adaptimit të plotë të metodologjisë së re të auditimit të bazuar në standarde ndërkombëtare me softuerin si dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në këtë fushë, duke e parë si shembull të mirë për të aplikuar edhe ata një sistem të tillë.

Tre punonjës të ZKA-së shënojnë me sukses mbylljen e karrierës profesionale

Tre punonjës të ZKA-së shënojnë me sukses mbylljen e karrierës profesionale

Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, zyrtarja e lartë për bashkëpunim me Kuvend, Violeta Smajlaj dhe auditori senior, Senver Morina, kanë përfunduar me sukses dhe shëndet të plotë karrierën profesionale në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA). Në një ceremoni përshëndetëse, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka vlerësuar lartë kontributin e tyre përgjatë punës shumëvjeçare në ZKA. “Përgëzoj kolegët tanë që po e shënojnë me shëndet dhe sukses të plotë karrierën profesionale. Në emrin tim dhe në emër të të gjithë kolegëve nga ZKA-ja i falënderoj  për bashkëpunimin ndërkolegial dhe përkushtimin në punë në faza të ndryshme të zhvillimit të ZKA-së. Kontributi i tyre për institucionin është i pazëvendësueshëm”, është shprehur Auditorja e Përgjithshme. Përvoja dhe këshillat e tyre profesionale do t’u shërbejnë kolegëve edhe për një kohë të gjatë, ka theksuar ajo. Me këtë rast edhe kolegët e pensionuar, në fjalën e tyre kanë falënderuar kolegët për bashkëpunimin e deritanishëm, duke u shprehur se ndjehen krenar për kontributin që kanë dhënë për institucionin dhe vendin dhe që po e përfundojnë karrierën e tyre me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale në ZKA.  
Auditorja e Përgjithshme pret përfaqësuesin nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë

Auditorja e Përgjithshme pret përfaqësuesin nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë

Me qëllim të shtrirjes së bashkëpunimit me zyrat kombëtare të auditimit në rajon dhe më gjerë, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj,  kanë pritur në takim Këshilltarin e Lartë të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë z. Trygve Christiansen. E para e institucionit informoi mbi historikun e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, mandatin, strukturën dhe mënyrën e veprimit, duke theksuar edhe bashkëpunimet në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Në këtë kontekst, z. Christiansen adresoi bashkëpunimet bilaterale që ka zyra e tij me institucionet e auditimit në rajonin ballkanik, me theks të veçantë në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore. Më tutje, tha se bashkëpunimet përqendrohen kryesisht në auditime për Teknologji Informative dhe auditime mjedisore. Ai foli gjerësisht mbi rëndësinë e këtyre dy shtyllave, kursit tre-modular në Ballkan si dhe të ashtuquajturës “Small Innovation Lab,” që hyn në sferën e TI-së dhe ka për qëllim ngritjen e nivelit të sistemit për menaxhim të auditimit duke trajtuar të dhëna dhe inputet analitike. Znj. Spanca lavdëroi iniciativa të tilla që promovojnë kreativitetin, synim ky që ndan edhe zyra jonë. Më tutje, ajo tha se Zyra e Auditimit nuk lë mënjanë as rëndësinë e auditimeve mjedisore duke qenë se jemi në pritje të aprovimit të aplikimit për IPA 3, ku njëra ndër objektivat është fusha që mbulon auditimet mjedisore. Në përmbyllje të takimit z. Christiansen, ka bërë me dije se Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Norvegjisë është e hapur të krijojë dhe mirëmbajë marrëdhënie pune me ZKA-në. Edhe përfaqësuesit e ZKA-së mirëpriten mundësinë për bashkëpunim në të ardhmen.
Vazhdon mbështetja e projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” për ZKA-në

Vazhdon mbështetja e projektit të USAID-it “Integriteti i Komunave të Kosovës” për ZKA-në

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka pritur në takim Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter, me të cilin ka diskutuar për progresin e deritanishëm dhe planet për zbatimin e këtij projekti. Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Projektit të USAID –it “Integriteti i Komunave të Kosovës” z. Stephen Carpenter, ka rikonfirmuar përkrahjen dhe ka shprehur gatishmërinë që përmes këtij projekti të ndihmojë Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) në fusha të ndryshme, si atë të përcaktimit të auditimit të pajtueshmërisë bazuar në qasjen në rrezik, ngritjen e kapaciteteve audituese në fushën kundër mashtrimit, dhe bashkëpunimin me Njësinë Qendrore të Harmonizimit për auditim të brendshëm, etj. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, si dhe nga USAID-i, Ruzhdi Zeqiri, udhëheqës i objektives së parë të projektit.
Zyra Kombëtare e Auditimit ftohet të jetë pjesë aktive e nëngrupit punues për E- Qeverisje në kuadër të grupit të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit ftohet të jetë pjesë aktive e nëngrupit punues për E- Qeverisje në kuadër të grupit të EUROSAI-t për Teknologji të Informacionit

Institucionet Supreme të Auditimit të Portugalisë dhe Polonisë me 17 dhe 18 prill në Lisbonë kanë organizuar takimin vjetor të anëtarëve të nëngrupit për e-Qeverisje nga Grupi punues për Teknologji të Informacionit në EUROSAI (ITWG), në të cilin ka marrë pjesë edhe drejtori i Departamentit për Auditimet e Teknologjisë së Informacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Samir Zymberi. Në këtë takim ndër të tjera është diskutuar edhe për Mjetin (CUBE) i cili synon të jetë bazë e të dhënave i raporteve të auditimit të qeverisjes elektronike nga ISA të ndryshme. Nga kjo bazë mund të ketë qasje të lehtë në informacion jo vetëm për raportet e ISA-ve të tjera mbi auditimet e qeverisjes elektronike, por edhe artikuj, prezantime, metodologji, baza të të dhënave dhe materiale të tjera. Po ashtu të pranishmit kanë diskutuar edhe për Manualin Aktiv të Auditimeve të Teknologjisë së Informacionit, funksionet e reja dhe zhvillimet si dhe për Formatin e Udhëzuesve të Nënkomitetit të Standardeve të Kontrollit të Brendshëm të INTOSAI-t. Gjatë diskutimeve në këtë takim ekspertët nga Portugalia dhe Polonia kanë prezantuar si shembull Raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për teknologjinë e informacionit në Administratën Tatimore të Kosovës, me ç’rast është vlerësuar lartë puna e ZKA-së si dhe struktura e raportit. Ndërsa në ditën e dytë të takimit pjesëmarrësit kanë diskutuar për metodologjinë dhe qasjen e  auditimit duke i ndërlidhur me raportet vijuese të prezantuara në takim:
  • Menaxhimi i aksesit në bazën e të dhënave (Estonia)
  • Administrimi dhe besueshmëria e X-Road ( Estonia)
  • Sistemi i Gjendjes Civile në Agjencinë e Regjistrimit Civil (Kosova)
  • Aktivitetet e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës për të siguruar parakushtet bazë të sigurisë kibernetike (BiH)
  • A mund të mbështetemi në aksesin në sistemet e informacionit dhe marrjen e shërbimeve elektronike? (Letonia)
Gjithashtu në kuadër të këtij takimi, kryetari i Nëngrupit për e-Qeverisje në kuadër të ITWG-EUROSAI, ka ftuar Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për pjesëmarrje aktive për të dhënë kontributin e saj në aktivitetet e mëtutjeshme në kuadër të këtij nëngrupi. Kjo tregon për vlerësimin e punës së ZKA-së dhe paraqet hap tjetër pozitiv për Zyrën Kombëtare të Auditimit. Ndërsa me datën 19 dhe 20 prill në Institucionin Suprem të Auditimit të Portugalisë, auditoret e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, nga Departamenti i Auditimit për Teknologjisë të Informacionit, Arberore Sheremeti Berisha dhe Saranda Husaj Baraliu kanë ndjekur trajnimin  për përdorimin efikas të funksionaliteteve të Manualit Aktiv të Auditimeve të Teknologjisë së Informacionit. Mjeti bazohet në Manualin e Auditimit të TI-së dhe ka për objektiv të ndihmojë auditorët për të planifikuar dhe kryer auditimet e TI-së. Ky trajnim është mbajtur nga ekspertët e Institucioneve Suprem të Auditimit të Portugalisë dhe Polonisë si dhe ka përfshirë aplikimin e të gjitha fazave të auditimit.
Ruajtja e cilësisë së lartë në auditim, prioritet për Institucionet Supreme të Audimit

Ruajtja e cilësisë së lartë në auditim, prioritet për Institucionet Supreme të Audimit

Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të enjten kanë marrë pjesë në webinarin me temën “Menaxhimi i Cilësisë për Institucionet Supreme të Auditimit” të organizuar nga SIGMA në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për Bashkimin Evropian dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve. Qëllimi i këtij webinari ishte rritja e vëmendjes së ISA-ve të Rrjetit për ndryshimin e standardeve të menaxhimit të cilësisë dhe rëndësia e tyre; shkëmbimi i përvojave – mësimet e nxjerra nga ISA-të rreth menaxhimit të cilësisë, sfidat me të cilat përballen, planet e ardhshme si dhe pritshmëritë për standardet e rishikuara. Drejtori i Departamentit për Sigurimin e Cilësisë në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Fitim Haliti duke folur për procesin e menaxhimit të cilësisë, ka treguar se Sistemi i Menaxhimit të Cilësisë i cili përfshinë edhe Kontrollin e Cilësisë dhe Sigurinë e Cilësisë ka të integruar të gjitha elementet e Kontrollit të Cilësisë të përcaktuara në SNISA 140 si: menaxhimi i burimeve njerëzore, kryerjen e audtimeve, marrëdhëniet me palët e interesit, përmirësimin e vazhdueshëm, kërkesat etike, dhe monitorimin. Haliti ka treguar se Departamenti për Sigurimin e Cilësisë është përgjegjës për sigurimin e vazhdueshëm të cilësisë në auditim duke u kujdesur që procedurat e kontrollit të cilësisë janë duke funksionuar në mënyrë efektive si dhe siguron Auditorin e Përgjithshëm se auditimet janë kryer në përputhje me SNISA-të. Kurse sa i përket pritjeve nga rishikimi i SNISA 140 ai ka thënë se fokusi është që të ofrohen udhëzime të qarta për ndërtimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë dhe Dokumentimin e Sistemit të Menaxhimit të Cilësisë. ISSAI 140 ndihmon Institucionet Supreme të Auditimit që të hartojnë një sistem të kontrollit të cilësisë i cili është i përshtatshëm për mandatin dhe rrethanat e tyre dhe që i përgjigjet rreziqeve të tyre për cilësinë. Aktualisht ISSAI 140 është duke u rishikuar dhe objektiv i këtij procesi është përditësimi që përmban parimet bazë dhe kërkesat kryesore.
Auditorja e Përgjithshme dhe shefi i bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë diskutojnë për ndikimin e auditimit të jashtëm në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme dhe shefi i bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë diskutojnë për ndikimin e auditimit të jashtëm në menaxhimin e parasë publike

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, kanë pritur të hënën në takim Johannes Madsen,  shef i bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Paulina Stanoeva menaxhere e programit Reforma në Administratën Publike. Temë e diskutimit të këtij takimi kanë qenë zhvillimet më të fundit në Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me Zyrën e BE-së në Prishtinë. Auditorja e Përgjithshme duke folur për rëndësinë e ndikimit të auditimit të jashtëm në menaxhimin e parasë publike, ka njoftuar më në detaje z. Madsen për mandatin kushtetues dhe ligjor, procesin e auditimit, bashkpunimin me palët e interesit si dhe projektet e bashkëpunimit që ZKA-ja është duke i zbatuar. Nga ana e tij z. Madsen, e ka falenderuar znj. Spanca për informatat dhe bashkëpunimin e vazhduar duke theksuar se e kupton shumë mirë rolin dhe përgjegjësinë që ka. Të pranishmit biseduan gjithashtu edhe për procesin e vlerësimit ndërkolegial të ZKA-së nga SIGMA, dhe projektin e ardhshëm të binjakëzimit i cili do të financohet përmes  instrumentit të asistencës para anëtarësimit të BE-së. Pjesë e këtij takimi kanë qenë edhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, si dhe shefja e Kabinetit, Shqipe  Çavdarbasha.  
Mbahet punëtoria për zhvillimin e aftësive të buta dhe ndikimin e tyre në rezultatet e punës

Mbahet punëtoria për zhvillimin e aftësive të buta dhe ndikimin e tyre në rezultatet e punës

Në datat 20-22 mars 2023, është mbajtur punëtoria për zhvillimin e shkathtësive të buta, udhëheqjen dhe menaxhimin e kohës në punë, e dedikuar për stafin administrativ të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Aktivitetet e punëtorisë kanë pasur për qëllim që pjesëmarrësit të fitojnë njohuri rreth inteligjencës emocionale, komunikimit dhe menaxhimit të kohës. Punonjësit e ZKA-së kanë mësuar se si inteligjenca emocionale mund t'i ndihmojë ata në marrëdhëniet e tyre në punë si dhe të reflektojnë rreth anëve të forta profesionale. Po ashtu, sa i përket menaxhimit të kohës pjesëmarrësit kanë mësuar se si të punojnë më të fokusuar dhe më me efikasitet. Këto njohuri do të shërbejnë për arritjen e një kulture pune më profesionale në ZKA dhe do t’u japin pjesëmarrësve një ndjenjë më të gjerë se si ata mund të kenë influencë dhe ndikojnë pozitivisht në kulturën e ZKA-së. Punëtoria ka qenë interaktive dhe është përcjellë me aktivitete të ndryshme të cilat kanë pasur për qëllim punën ekipore dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme, duke u fokusuar në planifikim, menaxhim dhe realizim. Kjo punëtori është zhvilluar në kuadër të projektit të bashkëpunimit për zhvillim institucional në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe është udhëhequr nga ekspertët Tinna Bondestam dhe Hazim Sabanovic.
Menaxhimi i parasë publike në fokus të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Menaxhimi i parasë publike në fokus të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj  dhe delegacioni i ZKA-së, të enjten kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi. Delegacioni i Kosovës është pritur në takim të veçantë nga kryetar i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikolla N. Kovaçeviq me bashkëpunëtorë. Me këtë rast, z. Kovaçeviq ka shprehur përkushtimin e tij dhe të institucionit që drejton për të intensifikuar  bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ai më tej ka njoftuar mysafirët për planet e punës dhe të arriturat e institucionit që drejton. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e ka falënderuar homologun e saj për pritjen si dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në fushat me interes të përbashkët. Znj. Spanca më tej e ka njoftuar z. Kovaçeviq për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, me theks të veçantë për zbatimin e Planit Strategjik 2023 – 2026, realizimin e Planit Vjetor të auditimit 2022/2023 si dhe për ndikimin e auditimit të jashtëm për menaxhim më të mirë dhe performancë më të lartë në administratën shtetërore. Në veçanti homologët kanë biseduar për rregullimin ligjor të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve të tyre. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se pavarësisht se i Ligji për ZKA-në dhe Auditorin e Përgjithshëm në kontekst të gjerë e rregullon dhe fuqizon institucionin që drejton, megjithatë plotësim-ndryshimi është i nevojshëm dhe kjo  do të mundësonte realizimin e auditimeve të bazuara në rrezik si dhe do të rriste numrin e auditimeve të performancës. Në kuadër të kësaj vizite delegacionet e të dyja shteteve kanë shkëmbyer njohuritë dhe përvojën e tyre edhe për çështje tjera  me interes të përbashkët sikurse: Kontrolli  i cilësisë dhe sigurimi i cilësisë; Monitorimi i zbatimit të rekomandimeve të auditimit; Sistemi i  menaxhimit të auditimit; si dhe procesi i auditimit të performancës. Në përbërje të delegacionit të Kosovës kanë qenë edhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm Agron Fetiu, drejtori i Metodologjisë së Auditimit, Muhamet Balaj, drejtor i Departamentit të Auditimit të Rregullsisë, Faruk Rrahmani, si dhe drejtoresha e Departamentit të Auditimit të Performancës, Ariana Gjonbalaj.