Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

ZKA-ja dhe OSHC-të në bashkëpunim të ngushtë për të fuqizuar rolin dhe ndikimin e auditimit të jashtëm

ZKA-ja dhe OSHC-të në bashkëpunim të ngushtë për të fuqizuar rolin dhe ndikimin e auditimit të jashtëm

Në kuadër të takimeve periodike me organizatat e shoqërisë civile dhe shoqatat profesionale, Zyra Kombëtare e Auditimit ka mbajtur të enjten tryezën me temën “Fuqizimi i ndikimit të Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile”, në të cilën u diskutua  për arritjet në përmbushjen e planit strategjik 2018-2021, rritjen e bashkëpunimit për hartimin e planit të ri strategjik të ZKA-së, fushat me interes për t’u audituar si dhe rritjen e ndikimit të auditimit në përmirësimin e qeverisjes së mirë. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka thënë se është tejet e rëndësishme përfshirja e hershme dhe dhënia e kontributit të organizatave të shoqërisë civile në hartimin e planit të ri strategjik të ZKA-së, i cili do t’i përshtatet realitetit në Kosovës dhe kulturës së saj. Tutje Osmani ka folur për zbatimin e planit të auditimit, përkatësisht realizimin e 124 auditimeve të rregullsisë dhe të performancës dhe sfidat me të cilat po përballet ZKA-ja për zbatimin e planit. Në këtë kontekst, Auditori i Përgjithshëm ka përmendur edhe ndryshimet në metodologjinë e auditimit, ku këtë vit në raportet e auditimit do të përfshihet edhe dhënia e konkluzionit  për pajtueshmëri si dhe zhvillimi i softuerit të auditimit. Osmani ka deklaruar se kërkesë e vazhdueshme e ZKA-së është ndryshimi i legjislacionit përkatës në mënyrë që auditimet të përzgjidhen duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike. Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Ilir Salihu, ka bërë prezantimin e qëllimeve të Planit Strategjik të Zyrës Kombëtare të Auditimit 2018-2021. Salihu ka treguar se ky plan ka pasur tri qëllime kryesore: Pavarësia dhe standardet profesionale; Qeverisja dhe zhvillimi i kapaciteteve institucionale; si dhe Komunikimi, ndikimi dhe integrimi. Salihu ka thënë se ZKA-ja çmon kontributin e Shoqërisë Civile në fuqizimin dhe përmirësimin e qeverisjes në vend, sepse pa mbështetjen e shoqërisë civile nuk mund të  shtrihet ndikimi i auditimit në sektorin publik. Drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qendresë Mulaj, ka shpalosur në detaje përmbushjen e objektivave të planit strategjik  të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Mulaj ka deklaruar se Plani ka përcaktuar qëllimet strategjike dhe objektivat e qarta përmes të cilave ZKA-ja ka rritur performancën e vet në përputhje me kornizën ligjore dhe Standardet Ndërkombëtare për Institucionet Supreme të Auditimit. Mulaj ka bërë me dije se ZKA-ja ka arritur që të përmbush me sukses planin strategjik, ndonëse procesi ka qenë mjaftë sfidues. ZKA-ja brenda këtyre viteve, përmes përditësimit dhe hartimit të dokumenteve të metodologjisë së auditimit ka siguruar cilësinë në auditim dhe ka rritur sigurinë në punën audituese.  Në veçanti duhet përmendur rritjen e numrit të auditimeve sidomos të atyre të performancës dhe të ndërmarrjeve publike. Një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e ZKA-së është anëtarësimi në dy organizatat kryesore të auditimit: INTOSAI dhe EUROSAI. Jo më pak të rëndësishme se kjo kanë qenë edhe zbatimi i objektivave të komunikimit me palët e jashtme dhe intensifikimit të punës me Kuvendin. Strategjia për komunikim dhe angazhim me partnerët e jashtëm është hartuar dhe është në zbatim. ZKA-ja është institucion më i njohur për publikun se sa ishte vite më parë falë edhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe prezencës në media. Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë kontributin në draftimin e planit të ri strategjik të ZKA-së. Ata vlerësuan arritjet e ZKA-së ndër vite, duke kërkuar që të rritet numri i auditimeve të ndërmarrjeve publike, auditimeve të performancës dhe përfshirja e ekspertëve të fushave, si dhe aplikimin e qasjes së auditimeve të bazuara në rrezik.
Auditori i Përgjithshëm kërkon fuqizimin e rolit të grave në shoqëri

Auditori i Përgjithshëm kërkon fuqizimin e rolit të grave në shoqëri

52 për qind e personelit në Zyrën Kombëtare të Auditimit  janë gra, sikurse edhe gjysma e pozitave udhëheqëse në nivele të ndryshme të organizatës përfaqësohen nga gratë, prandaj fuqizimi i pozitës së grave në Kosovë është misioni i përbashkët. Kështu ka deklaruar të hënën Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani me rastin e 8 marsit, Ditës Ndërkombëtarë të Gruas. Osmani ka vlerësuar se roli i gruas është i pazëvendësueshëm në të gjitha fushat e jetës dhe zhvillimi i vendit pa pjesëmarrjen e gruas është i pamundshëm. Dita Ndërkombëtare e Gruas është vetëm një ditë simbolike. Përgjatë gjithë historisë, roli i grave ka qenë i domosdoshëm për krijimin e vlerave të përgjithshme shoqërore, kulturore, politike dhe jetësore. Gratë kosovare kanë luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha ngjarjet më vendimtare të historisë së  Kosovës. Sa i përket aspektit të barazisë gjinore, Zyra Kombëtare e Auditimit qëndron mirë dhe mund të shërbejë si shembull për institucionet tjera. Aktualisht 52 për qind e stafit të ZKA-së janë gra dhe po ashtu gjysma e pozitave udhëheqëse janë gra. Auditimet e  organizatave buxhetore komplekse ku për zbatimin e auditimit cilësor kërkohet punë, dije e shkathtësi të veçanta zbatohen nga gratë.  Këto pozita nuk janë dhuruar, por janë fituar falë kompetencës profesionale dhe punës së vazhdueshme duke i bërë që të jenë pjesë e vendimmarrjes në ZKA. Në këtë ditë të shënjuar, kur vlerësohet roli dhe kontributi i grave, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani u  ka dhuruar lule gruas së parë të punësuar në ZKA si dhe zyrtares për barazi gjinore, duke uruar që të fuqizohet pozita e grave në shoqërinë kosovare.  
Auditori i Përgjithshëm viziton Turqinë, merr mbështetje nga Presidenti i EUROSAI-t për pjesëmarrje aktive në forumet evropiane të auditimit

Auditori i Përgjithshëm viziton Turqinë, merr mbështetje nga Presidenti i EUROSAI-t për pjesëmarrje aktive në forumet evropiane të auditimit

Me ftesë të Presidentit të Gjykatës Turke të Llogarive dhe EUROSAI-t, Seyit Ahmet BAS, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, të mërkurën zhvilloi një vizitë pune në selinë e Gjykatës Turke të Llogarive në Ankara. Ky takim kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve në mes dy institucioneve për pjesëmarrje aktive të ZKA-së në forumet e EUROSAI-t, si dhe përgatitjet për pjesëmarrjen dhe prezantimin e ZKA-së si anëtarja më e re në Kongresin e XI të EUROSAI-t, i cili do të mbahet në muajin e ardhshëm. Me këtë rast, Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive, Seyit Ahmet BAS, ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, për angazhimin e vazhdueshëm dhe rezultatet e arritura në ndërkombëtarizimin e ZKA-së, duke thënë se anëtarësimi në EUROSAI tregon se sa e përgatitur dhe profesionale është Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës.  Ndërsa,  Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka vlerësuar lartë punën e z. Seyit Ahmet BAS, gjatë kryesimit të EUROSAI-t dhe mbështetjen e  vazhdueshme dhënë ZKA-së në integrimin në organizatat ndërkombëtare. Krerët e të dyja institucioneve kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin bilateral, përmes planit konkret të aktiviteteve për përmbushjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur në vitin 2018. Në takim vëmendje e veçantë i është kushtuar aktiviteteve dhe vendimeve  të Institucioneve Supreme të Auditimit të Turqisë dhe Kosovës,  si reagim ndaj pandemisë Covid-19, me ç' rast palët shpalosën detaje lidhur me auditimet për Covid-19. Tutje, zyrtarë të lartë dhe auditorë, kanë prezantuar përvojat e Gjykatës Turke të Llogarive në kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në pajtim me Standardet; përvojat në auditimin e TI-së; përvojat në sistemin e menaxhimit të auditimit si dhe përvojat në sistemin për analizimin e të dhënave. Ndërsa, delegacioni kosovar, ka shpalosur arritjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, përfshirë këtu përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, forcimin e kapacitetit institucional dhe zhvillimin e marrëdhënieve  të mira me palët e jashtme. Po ashtu, është biseduar edhe për zhvillimet e fundit në përditësimin e metodologjisë së auditimit si dhe vënien në përdorim të sistemit elektronik të auditimit, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe transparencës në procesin e auditimit.
Përmbyllet cikli i trajnimeve për zbatimin e metodologjisë së përditësuar në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë

Përmbyllet cikli i trajnimeve për zbatimin e metodologjisë së përditësuar në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë

Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”, sot ka filluar të zbatohet faza e fundit e programit të trajnimit për zbatimin e metodologjisë për fazën e raportimit në auditim. Programi i trajnimit për zbatimin e metodologjisë së përditësuar në auditimin financiar dhe të pajtueshmërisë është ndarë në tri pjesë/module. Ky program i trajnimit është duke u zbatuar nga ekspertët e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë në kuadër të komponentës ?Përditësimi i doracakëve të auditimit (financiar dhe të pajtueshmërisë) dhe të letrave të punës, në përputhje me legjislacionin dhe SNISA-t?. Pjesëmarrës në trajnim janë të gjithë auditorët e ZKA-së, ndërsa për shkak të pandemisë i gjithë programi i trajnimit është mbajtur online. Në fazën e parë të mbajtur në shtator të vitit 2020, përmes trajnimit trejavor, auditorët kanë përfituar njohuri lidhur me zbatimin e metodologjisë për planifikimin e përgjithshëm dhe detaj në auditim. Pjesa e dytë e trajnimit dyjavor, i mbajtur në  muajin janar  2021 ka përfshirë zbatimin e metodologjisë për fazën e ekzekutimit. Ndërsa, faza e tretë,  do të përfshijë raportimin në auditim. Në fund të trajnimit të gjithë auditorët do t’i nënshtrohen testimit si dhe do të pajisen me certifikatë. Përveç trajnimeve grupore,  në vazhdimësi janë mbajtur edhe mentorime për ekipet e përzgjedhura pilot,  me ç'rast ekipet kanë pasur mundësi të bashkëbisedojnë me ekspertët lidhur me zbatimin e metodologjisë në auditime konkrete. Njohuritë e fituara janë ndarë me ekipet e tjera të auditimit. Përveç programit të trajnimeve për manualin e metodologjisë së kombinuar, në muajin maj i gjithë stafi auditues do të mbaj trajnime për zbatimin e Manualit të Auditimit të Pajtueshmërisë. Projekti i Binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejshëm i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” shërben për avancimin e metodologjisë së auditimit, rritjen e  cilësisë në auditim dhe fuqizimin e ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, përmes zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga subjektet e audituara.
Shpenzimet, ndikimi dhe reagimi ndaj pandemisë COVID-19, në fokus të auditimit

Shpenzimet, ndikimi dhe reagimi ndaj pandemisë COVID-19, në fokus të auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit, do të testoj shpenzimet, ndikimin dhe reagimin ndaj pandemisë Covid-19, nga perspektiva të ndryshme, si nga aspekti financiar dhe i pajtueshmërisë përmes 116 auditimeve të rregullta vjetore, gjithashtu edhe përmes auditimeve të veçanta të performancës dhe projekteve për fondet e ndara për menaxhimin e pandemisë. Auditimi i performancës me temën ?Furnizimi me materiale shëndetësore dhe optimizimi i resurseve njerëzore dhe teknike për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19?, ka për objektivë vlerësimin nëse institucionet përgjegjëse kanë arritur të kryejnë furnizimet e duhura me kohë dhe të menaxhojnë siç duhet me resurset teknike dhe njerëzore për të siguruar se i përgjigjen nevojave të pacientëve me COVID-19. Për ta bërë këtë vlerësim janë paraparë dy objektiva të auditimit: Tek pjesa e furnizimit me barna, material mbrojtës dhe pajisje tjera të nevojshme do të vlerësojmë nëse është bërë analiza e nevojave dhe si është bërë ajo. Ndërsa, tek pjesa e menaxhimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike do të vlerësohet se si institucionet relevante kanë organizuar dhe menaxhuar personelin shëndetësor dhe nëse janë koordinuar në mënyrën e duhur për të siguruar se i përgjigjen nevojave të krijuara si pasojë e pandemisë. Përveç këtij auditimi, ZKA-ja është në faza të hershme të hulumtimit edhe për auditimet e performancës që lidhen me menaxhimin e emergjencave në aspekt me të përgjithshëm dhe ndikimi apo mbrojtja e ekonomisë, gjatë pandemisë COVID-19. Auditimet pritet të publikohen sipas planit vjetor të auditimi 2020/2021.
ZKA-ja fillon fazën e ekzekutimit të auditimit për sezonën 2020/2021

ZKA-ja fillon fazën e ekzekutimit të auditimit për sezonën 2020/2021

Me qëllim të përmbushjes së planit vjetor të auditimit  2020/2021, 38 ekipe të auditimit kanë dal në teren për të filluar me ekzekutimin e auditimeve të para, ku parashihet të kryhen 124 auditime.  116 auditime të rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë) përfshijnë: auditimin e buxhetit të Kosovës, 52 auditime të institucioneve të nivelit qendror, 38 të nivelit lokal, 12 ndërmarrje publike dhe 13 projekte të financuara  nga fondet e jashtme. Krahas, auditimeve të rregullsisë, gjatë vitit 2021 do të publikohen edhe 8 auditime të performancës. Megjithatë, realizimi i sezonit auditues është mjaft sfidues pasi që do të zhvillohet në rrethana të shtrirjes së pandemisë. Përderisa, Institucionet Supreme të Auditimit kanë mundësi që të hartojnë planet e tyre vjetore bazuar në rrezik, ZKA-ja është e obliguar të kryej në baza vjetore auditimin e detyrueshëm të rregullsisë së: Raportit të Qeverisë për Buxhetin e Kosovës; të gjitha organizatave buxhetore të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë pranuar një buxhet përmes Ligjit vjetor të Buxhetit dhe janë të obliguara të hartojnë Pasqyra Vjetore Financiare.  Cikli i auditimeve të rregullsisë përmbyllet në fund të muajit gusht, kur Raporti Vjetor i Auditimit (RVA) për Raportin Financiar Vjetor të Buxhetit të Kosovës (RFV/BK) dorëzohet në Kuvendin e Kosovës. Ndikimi i pandemisë është i dukshëm edhe gjatë këtij sezoni të auditimit, pasi që entitetet audituese janë duke  punuar me staf të reduktuar. Për më tepër disa prej auditorëve janë prekur nga Covid-19 dhe janë detyruar të izolohen dhe t'i nënshtrohen trajtimit mjekësor. Përveç kësaj vitin e kaluar, ka pasur edhe ndryshime në strukturën  e ministrive. Një sfidë tjetër e rëndësishme gjatë këtij sezoni do të jetë zbatimi paralel i metodologjisë së re për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë që është zhvilluar me përkrahjen e partnerit të projektit të binjakëzimit, ISA-në e Polonisë, si dhe sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit – SITA. Të dy këto projekte shumë domethënëse për ZKA-në janë duke u realizuar gjatë kësaj sezone të auditimit. Ndërsa, me qëllim të futjes në përdorim të tyre, janë mbajtur dhe po vazhdojnë të mbahen një numër i madh i trajnimeve për të gjithë stafin. Zyra Kombëtare e Auditimit në shërbim të misionit të saj për fuqizimin e llogaridhënies në administratën publike, për çdo vit, përmes auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë bën vlerësimin për: Cilësinë e raportimit financiar; Efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm; dhe Pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Ndërsa, përmes auditimeve të performancës vlerëson nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive.
ZKA-ja pjesë e projektit të EUROSAI-t për reagim ndaj Covid-19

ZKA-ja pjesë e projektit të EUROSAI-t për reagim ndaj Covid-19

Pas anëtarësimit në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur të bëhet pjesë aktive e grupeve punuese të kësaj organizate. Së fundmi një grup auditorësh nga ZKA-ja të cilët janë të angazhuar për të kryer auditime të veçanta për Covid-19 i janë bashkuar projektit të EUROSAI-it për reagim ndaj pandemisë “Auditimi i reagimit ndaj Pandemisë COVID”. Deri më tani në kuadër të këtij projekti janë mbajtur disa takime, në të cilat Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të ndryshme kanë shkëmbyer njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me auditimin e pandemisë Covid-19. Ndërkaq në takimin e fundit ISA i Spanjës ka prezantuar përvojën e tij me temën: Auditimi i procedurave dhe sistemeve të informacionit në shëndetësi (COVID-19); kurse nga Gjykata Evropiane e Audituesve për temën: Auditimi i kontributit fillestar të BE-së për reagimin e shëndetit publik ndaj Covid-19; si dhe ISA e Republikës së Çekisë ka prezantuar temën: Mbështetje me TI lidhur me procesin e vaksinimit. Aktiviteti i projektit të EUROSAI-t “Auditimi i reagimit ndaj Pandemisë COVID” është i vazhdueshëm dhe në muajin prill do të mbahet takimi i radhës. Ndërkaq edhe ZKA-ja, është duke kryer auditimin e performancës me temën ?Furnizimi me materiale shëndetësore dhe optimizimi i resurseve njerëzore dhe teknike për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me Covid-19?.      
Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës takoi homologun e tij maqedonas, zotohen për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës takoi homologun e tij maqedonas, zotohen për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës i udhëhequr nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, të premten ka zhvilluar vizitë zyrtare në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, ku janë pritur nga Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski dhe zyrtarë tjerë të lartë të këtij institucioni. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka përgëzuar homologun e tij Maksim Acevski për punën e bërë prej ardhjes së tij në krye të Entit Shtetëror të Revizionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtij takimi Osmani dhe Acevski diskutuan për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Institucionin Suprem të Auditimit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë aspekt Osmani vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet dy Institucioneve Supreme të Auditimit, duke thënë se ky bashkëpunim do të thellohet më tutje përmes shkëmbimit të përvojave. Rendësi e veçantë në këtë takim i është kushtuar auditimit të masave si përgjigje ndaj pandemisë Covid-19, auditimit të hyrave të nivelit qendror dhe lokal, auditimit të ndërmarrjeve publike si dhe çështje të tjera. Ndërkohë, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski, falënderoj për vizitën Auditorin e Përgjithshëm Osmanin, duke uruar për arritjet e shënuara gjatë udhëheqjes së Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Po ashtu u bisedua edhe për integrimet e mëtutjeshme të dy institucioneve në EUROSAI dhe INTOSAI për të shkëmbyer përvojat më të mira. Krerët e të dyja institucioneve deklaruan se janë të përkushtuar për angazhimin e institucioneve të tyre në përmbushjen e marrëveshjes së bashkëpunimit, të arritur në vitin 2019, përmes planit konkret të aktiviteteve. Me anë të marrëveshjes, synohet të promovohet bashkëpunimi institucional, përmes shkëmbimit të përvojave në fushën e metodologjisë së auditimit të jashtëm publik, përkrahjen në zhvillimin e softuerëve të auditimit,  trajnime profesionale, shkëmbim të informacionit dhe dokumentacionit mbi aktivitetet profesionale, organizimin e auditimeve paralele për tema me interes të përbashkët, mbajtje të konsultimeve, hulumtimeve të përbashkëta, seminareve, konferencave e takimeve teknike. Po ashtu në kuadër të vizitës zyrtarë në Maqedoninë e Veriut, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, është pritur në takim edhe nga Zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës së re. Në vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut,  Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, u shoqërua nga shefi i kabinetit, Taulant Sejdiu si dhe drejtoresha e Departamentit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj.
Presidenti i KLSH-së uron Auditorin e Përgjithshëm në 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i KLSH-së uron Auditorin e Përgjithshëm në 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka pranuar letër urimi nga Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë (KLSH), Arben Shehu me rastin e 13-të  vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Në letrën e urimit dërguar Osmanit,  Shehu ka potencuar, vendin e veçantë që ka Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në forcimin e vazhdueshëm të Institucioneve të Kosovës në dekadën e fundit. ?ZKA-ja përmes veprimtarisë së saj ka synuar konsolidimin e financave publike, nëpërmes rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së përdorimit të fondeve publike, duke dhënë kështu një kontribut të qenësishëm për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës?, thuhet ndër të tjera në urim. Presidenti i KLSH-së ka veçuar bashkëpunimin cilësor që kanë Institucionet Supreme të Auditimit  të Shqipërisë dhe Kosovës. ?Bashkëpunimi cilësor dhe frytdhënës midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, është mbështetur në interesa të përbashkëta që i shërbejnë modernizimit të Institucioneve tona dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale të stafit, ndaj dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë time për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi?, thuhet në telegramin e urimit. Duke ju uruar suksese të mëtejshme, Ju përcjell edhe njëherë urimet e mia më të mira në këtë ditë historike për popullin  e Kosovës përfundon urimin e tij z. Shehu.  
Shpenzimet lidhur me Covid-19 në fokus të auditimit

Shpenzimet lidhur me Covid-19 në fokus të auditimit

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në punëtorinë e organizuar nga SIGMA, ka folur për procesin e auditimit të shpenzimeve për Covid-19 nga perspektiva financiare dhe e pajtueshmërisë. Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, të mërkurën morën pjesë në punëtorinë e radhës “Auditimi i shpenzimeve të lidhura me Covid-19”. Punëtoria është organizuar nga SIGMA në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE dhe Gjykata Evropiane e Audituesve. Në këtë punëtori, përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) nga regjioni dhe më gjerë,  shkëmbyen përvojat e tyre dhe diskutuan lidhur me auditimet e pajtueshmërisë, me theks të veçantë auditimin e shpenzimeve për Covid – 19. ISA- të Latvisë dhe Maqedonisë  së Veriut, kanë prezantuar në detaje përvojën e tyre dhe mësimet e nxjerra nga procesi i përcaktimit të auditimeve, qasjen, të gjeturat dhe mekanizmat e raportimit për të siguruar Parlamentin, Qeverinë dhe hisedarët tjerë për llogaridhënien dhe transparencën e shpenzimeve lidhur me pandeminë Covid-19 në vendet e tyre. Në kuadër të diskutimit në panel, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka prezantuar përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe rolin e saj në menaxhimin e financave publike dhe përshtatjen me rrethanat e reja të krijuara si rezultat i pandemisë globale. Osmani, ka thënë se pavarësisht rrethanave të krijuara, vitin e kaluar ZKA-ja ka arritur të publikoj sipas planit, 132 raporte të  auditimit. Ndërsa, për të adresuar nevojat e reja ZKA-ja ka përshtatur planin vjetor të auditimit dhe në këtë plan ka përfshirë edhe auditimin e shpenzimeve të lidhura me Covid-19 dhe mënyrën e menaxhimit të kësaj situate. Më tutje, ai tregoi që shpenzimet për pandeminë Covid-19, janë duke u testuar nga perspektiva të ndryshme, si nga aspekti financiar dhe i pajtueshmërisë përmes auditimeve të rregullta vjetore, gjithashtu edhe përmes auditimeve të veçanta të performancës dhe projekteve për fondet e ndara për menaxhimin e pandemisë. Auditimet e  performancës do të fokusohen kryesisht për të vlerësuar nëse institucionet publike shëndetësore kanë qenë të përgatitura dhe në gjendje t’i përgjigjen në mënyrën e duhur nevojave për të menaxhuar pandeminë Covid-19, si nga aspekti i ofrimit të shërbimeve, furnizimeve dhe logjistikës. Ndërsa ekipet kanë filluar edhe  hulumtimet për menaxhimin e emergjencave në aspekt me të përgjithshëm dhe mbrojtjen e ekonomisë. Kjo ishte punëtoria e dytë e organizuar në këtë format ndërsa SIGMA, planifikon të organizoj edhe punëtori të tjera me fokus në auditimin e Covid – 19, për të trajtuar në mënyrë specifike tema të veçanta që lidhen me rolin dhe përgjegjësitë e ISA-ve në këtë aspekt.  
Zyra Kombëtare e Auditimit thellon bashkëpunimin me Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”

Zyra Kombëtare e Auditimit thellon bashkëpunimin me Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës ?Hasan Prishtina? mbajtën seminar me temën ?Auditimi dhe sfidat në realitetin e ri në Kosovë?. Prezantues në këtë seminar ishin Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, profesorë nga Universiteti i Prishtinës si dhe prezantues të tjerë të abstrakteve për auditimin të përgatitura për këtë seminar. Seminari online  ishte i hapur për studentët dhe publikun. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani në fjalën e tij është shprehur së është i lumtur që do të ketë mundësi të ngritet ritmi i bashkëpunimit në mes të Institucionit Suprem të Auditimit dhe botës akademike, gjegjësisht Fakultetit Ekonomik - si një prej adresave më të rëndësishme të kontabiliteti dhe auditimit në vend. Osmani prezantoj para pjesëmarrësve rëndësinë e  auditimit publik në Kosovë, rolin, misionin dhe mënyrën se si funksionon Zyra Kombëtare e Auditimit. Prezantimin e ka vazhduar duke shpjeguar detaje të tjera rreth procesit të auditimit, që nga planifikimi e deri te publikimi i raporteve. Osmani poashtu,  theksoi rëndësinë e kompetencës profesionale të auditorëve. ?Për të qenë një auditor publik, është shumë e rëndësishme të keni njohuri të shkëlqyeshme të administratës publike, Standardeve të Kontabilitetit dhe Auditimit, kornizës ligjore dhe praktikave të mira, si dhe njohuri të shkëlqyeshme të shkrimit? tha Osmani. Një Institucion Suprem i Auditimit siç është ZKA-ja, synon t’ju ndihmojë krerëve të institucioneve të audituara të përmirësojnë punën e tyre dhe këtë e bën përmes rekomandimeve konkrete; të shtoj vlerën për para; të forcoj qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e shëndoshë financiar si dhe të ofrohen shërbime të mira për qytetarët,  theksoj ndër të tjera Osmani.  Raportet e ZKA-së promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.  Mirëpo, sipas Osmanit,  sfida kryesore ne auditimin publik, vazhdon të mbetet niveli i ulët  i zbatimit të rekomandimeve, i cili është  rreth 40%. Auditori i Përgjithshëm, tutje ka theksuar rëndësinë e madhe që ka partneriteti i ZKA-së me shoqërinë civile, mediat dhe institucionet akademike. ?Marrëdhënia e ZKA-së me këta partnerë është e vendosur në tri dimensione: ZKA-ja si organizatë publike i nënshtrohet nevojës për të qenë e hapur me palët e jashtme  lidhur me përdorimin e fondeve dhe pasurisë që i është besuar nga Kuvendi për kryerjen e funksioneve të veta; ZKA si organizatë e vetme dhe e pavarur audituese duhet të bashkëpunojë me palët e interesit, në mënyrë që informacioni i përçuar në publik, të bëhet në mënyrë të saktë, të paanshme dhe profesionale. Është e rëndësisë së vecantë, edhe absorbimi i informatave të vlefshme, për fushat me interes të lartë publik që duhen audituar? tha ai. Në anën tjetër,  Dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj theksoj rëndësinë e bashkëpunimit në mes të institucioneve, me ç'rast falënderoj Auditorin e Përgjithshëm për bashkëpunimin, duke shpresuar që ky bashkëpunim të avancojë tutje. Ndërsa, Muhamet Aliu, Profesor në Fakultetin Ekonomik, ka prezantuar në detaje procesin e  auditimit dhe  sfidat e aplikimit të tij në Kosovë. Seminari ka vazhduar punimet me prezantimin e abstrakteve nga pjesëmarrësit, me  temat: Rëndësia e kontrollit të brendshëm në vlerësimin e rreziqeve të brendshme dhe të jashtme; Auditimi në marketing; Etika dhe tarifat e auditimit në Kosovë; Auditimi i përputhshmërisë si formë e nevojshme në aktivitetet e auditimit në Kosovë dhe Efekti i karakteristikave individuale të auditorit në cilësinë e auditimit. Në fund të seminarit pjesëmarrësit dhe prezantuesit patën mundësi të bashkëbisedojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre në auditim. Të gjithë pjesëmarrësit me abstrakte në seminar, do të pajisen me certifikata. ZKA-ja dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë marrëveshje të bashkëpunimit që nga viti 2017. Kjo marrëveshje, ka për qëllim bashkëpunimin ndër institucional, shkëmbimet e ndihmës profesionale e akademike, si dhe të angazhimit të studentëve në punë praktike.