Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Përmirësimet në administrimin e programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë të pamjaftueshme

Përmirësimet në administrimin e programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë të pamjaftueshme

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer një auditim për të vlerësuar nivelin e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit “Administrimi i programit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike” të publikuar në vitin 2017 dhe  është vlerësuar nëse institucionet përgjegjëse kanë analizuar informatat dhe rezultatet e programit me qëllim të rritjes së kapaciteteve të  institucioneve shëndetësore publike në trajtimin e një numri më të madh të pacientëve dhe në kohë optimale. Procesit të auditimit i janë nënshtruar Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore. Në raport është konstatuar se Fondi për Sigurime Shëndetësore duhet të rris përpjekjet për zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me përcaktimin e prioriteteve gjatë trajtimit të aplikacioneve nga Komisioni për Vlerësim Mjekësor dhe barazimet financiare me institucionet shëndetësore private ku janë trajtuar pacientët. Më tutje, auditimi ka nxjerrë në pah se institucionet shëndetësore publike, nuk kanë bërë mjaftueshëm që të shfrytëzojnë të dhënat e Programit për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike që të shërbejnë si burim i rëndësishëm i informatave për përcaktimin e prioriteteve shëndetësore në vend. Është e rëndësishme që çmimorja së bashku me llojet e sëmundjeve që nuk trajtohen nga institucionet shëndetësore publike, të përditësohet sa ma shpjet, pasi përditësimi i fundit është bërë në vitin 2017. Mungesa e të dhënave i pamundëson institucionet shëndetësore në identifikimin e mundësive dhe zhvillimin  e kapaciteteve brenda klinikave, me qëllim të reduktimit të kërkesave në periudha afatmesme dhe afatgjata. Prandaj, me qëllim të adresimit të çështjeve për të përmirësuar procesin e trajtimit të pacientëve brenda institucioneve shëndetësore publike dhe ato private të vendit, në këtë raport, Auditori i Përgjithshëm ka dhënë 10 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Fondin për Sigurime Shëndetësore. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit bilateral në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe asaj të Kosovës 

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit bilateral në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe asaj të Kosovës 

Në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar, Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës kanë avancuar sot bashkëpunimin bilateral me nënshkrimin e memorandumit “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023”. Memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg, ka për qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve organizative të ZKA-së që promovojnë punë me cilësi të lartë, si dhe forcimin e kapacitetit për të përgatitur raporte të auditimit të performancës me cilësi të lartë dhe të dobishme për shoqërinë. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, tha: “Mundësia për të marrë përvojat suedeze është një rast unik për të përfituar dije dhe ngritur kapacitetet tona në fushën e auditimit të performancës dhe në modernizimin e organizimit institucional të ZKA-së. Kjo ndihmë që vjen nga taksapaguesit suedez, të cilëve u jemi pafundësisht mirënjohës dhe falënderues, si dhe angazhimi i personelit dhe ekspertëve të ISA-së suedeze na inkurajon drejt sukseseve të reja. Do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar që të maksimizojmë përfitimin nga ky projekt dhe të ecim krah për krah me Institucionet Supreme të Auditimit në Evropë për sa i përket modernizimit të proceseve dhe kryerjes së auditimeve cilësore”. Në anën tjetër, Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, Helena Lindberg, tha: “Jam shumë e lumtur që vazhdojmë tutje këtë bashkëpunim mes zyrave tona. Ky vërtetë është një bashkëpunim mes kolegësh, ku stafi i të dyja organizatave tona mësojnë nga njëri-tjetri. Dëshiroj të përgëzoj kolegun tim z.  Osmani për anëtarësimin e ZKA-së së Kosovës në Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI). Pres me padurim që të kemi bashkëpunime me ZKA-në e Kosovës në forumet evropiane të EUROSAI-t dhe në forumet botërore të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ”. Memorandumi “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” është hartuar në përputhje me planet dhe objektivat stategjike të ZKA-së, qëllimi afatgjatë i të cilit është të mbështesë ZKA-në e Kosovës për t’u bërë një Institucion Suprem Auditmi që punon në pajtim me standardet dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP). Ky projekt i ka të përcaktuara dy objektiva,  të cilat janë: forcimi i disa proceseve organizative për nxitjen e një pune me cilësi të lartë dhe zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e raporteve të auditimit të performancës me cilësi më të lartë, të cilat janë të dobishme për palët relevante të interesit. Pas nënshkrimit të memorandumit, Komiteti Drejtues i Projektit për bashkëpunim, i përbërë nga përfaqësues të ZKA-së Suedeze dhe ZKA-së së Kosovës, mbajtën mbledhjen e rregullt vjetore. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve supreme të auditimit diskutuan për nivelin e zbatimit të planit të aktiviteteve për vitin 2020, të arriturat dhe sfidat e projektit si dhe për rezultatet që priten nga marrëveshja e re. Partneriteti mes ZKA-së të Suedisë dhe asaj të Kosovës daton që nga viti 2011, kur është arritur Marrëveshja e Bashkëpunimit për zhvillimin e kapaciteteve, përmes së cilës ZKA-së së Kosovës i ofrohej mbështetje për të përmbushur mandatin e saj dhe për t`u bërë një institucion i qëndrueshëm suprem i auditimit, i cili vepron në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Ky ka qenë projekti më gjithëpërfshirës zhvillimor i zbatuar në ZKA.
Njoftim

Njoftim

Sot Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës dhe Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Auditori i Përgjithshëm rekomandon Kuvendin të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve

Auditori i Përgjithshëm rekomandon Kuvendin të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar “Raportin e  vlerësimit për zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të performancës të vitit 2017”. Qëllimi i këtij raporti është që t’i ofroj Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës një informacion lidhur me veprimet e ndërmarra nga institucionet publike për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Subjekt i Raportit të vlerësimit kanë qenë 166 rekomandime të dhëna në  shtatë raporte të  auditimit të performancës të publikuara në vitin 2017, ku kanë qenë të përfshira 35 institucione publike. Raporti i vlerësimit, konstaton se institucionet e  audituara nuk janë angazhuar mjaftueshëm për të zbatuar rekomandimet e dhëna. Rezultatet e këtij vlerësimi tregojnë se zbatimi i rekomandimeve për auditime të performancës nuk është në nivel të kënaqshëm. Nga 166 rekomandime të dhëna, vetëm 36% e tyre janë zbatuar plotësisht, 10% janë në fazën finale të zbatimit, 13% kanë filluar zbatimin si dhe 10% e rekomandimeve nuk janë adresuara fare. Kurse  për 31% të rekomandimeve entitetet nuk kanë dorëzuar informatat. Nga 35 institucione të audituara vetëm katër prej tyre kanë përgatitur dhe dorëzuar planin e veprimit, ndërsa pyetësorit të vlerësimit të ZKA-së i janë përgjigjur 23 apo 66 për qind. Mungesa e përgatitjes së planit të veprimit, mosgatishmëria e institucioneve t’i përgjigjen vlerësimit dhe numri i ulët i zbatimit të plotë të rekomandimeve, tregojnë mungesën e përkushtimit  të institucioneve publike për të përmirësuar performancën e tyre  edhe rrjedhimisht menaxhimin me paranë publike. Përveç mangësive, Raporti konstaton se janë ndërmarrë disa veprime nga entitetet dhe kjo mund të rezultojë në përmirësimin e aktiviteteve në fushën e gjyqësorit, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe shëndetësisë. Lidhur me rezultatet e këtij vlerësimi, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë llogaridhënëse Qeverinë e Kosovës për zbatimin e rekomandimeve të auditimit të performancës, të kërkoj përgatitjen e planeve të veprimit  si dhe të monitoroj  progresin e zbatimit të rekomandimeve të  institucioneve të audituara. Tutje Auditori i Përgjithshëm i rekomandon Qeverisë së e Kosovës që të ketë një angazhim proaktiv në adresimin e të gjitha çështjeve të cilat ndërlidhen me gjetjet e auditimeve të performancës duke ndërtuar mekanizma llogaridhënës për zbatimin e rekomandimeve. Vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve është një proces përcjellës gjatë të cilit auditorët vlerësojnë përshtatshmërinë, efektivitetin dhe afatet kohore të veprimeve të ndërmarra nga menaxhmenti i organizatës së audituar për të adresuar çdo rekomandim të auditimit. Këto procese bazohen në Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.
ZKA-ja prezanton auditimin ndaj shpenzimeve publike të ndërlidhura me Covid-19

ZKA-ja prezanton auditimin ndaj shpenzimeve publike të ndërlidhura me Covid-19

Përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca dhe drejtoresha e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Qëndresa Mulaj, morën pjesë në punëtorinë virtuale “Auditimi i shpenzimeve të lidhura me Covid-19” të organizuar nga SIGMA në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për Bashkimin Evropian dhe Gjykata Evropiane e Audituesve. Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie nga shtatë Institucione Supreme të Auditimit diskutuan lidhur me rritjen e përgjegjësisë dhe transparencës së fondeve publike të shpenzuara në emër të Covid-19. Me këtë rast Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, tha se sikurse në vendet e tjera edhe në Kosovë pandemia Covid-19, në perspektivën e financave publike dhe ekonomisë në përgjithësi kishte ndikim të rëndësishëm në të hyrat dhe shpenzimet. Spanca përmendi masat e ndërmarra nga shteti për t’iu përgjigjur situatës emergjente, përfshirë rishikimin e buxhetit, pakon e emergjencës fiskale dhe miratimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Spanca bëri më dije se me qëllim të rritjes së përgjegjësisë dhe transparencës së shpenzimeve publike në lidhje me Covid-19, Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës ka adaptuar planin e saj vjetor të auditimit dhe ka marrë masa për auditimin e shpenzimeve të lidhura me Covid-19. Spanca tha se këtë vit, ZKA po zbaton metodologjinë e përditësuar të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, kështu që shpenzimet në lidhje me Covid-19 do të testohen nga perspektiva financiare dhe e pajtueshmërisë. Gjithashtu, ZKA ka një marrëveshje për të audituar pasqyrat financiare të projekteve të financuara nga Banka Botërore dhe për vitin 2020 do të auditojë 11 projekte, nga të cilat tri janë projekte që lidhen me menaxhimin e situatës pandemike. “Kjo është nga perspektiva e auditimit financiar dhe pajtueshmërisë, ndërsa në planin e saj vjetor të auditimit, ZKA ka prezantuar edhe auditimin e performancës së menaxhimit të Covid-19. Përmes këtij auditimi, ZKA do të vlerësojë nëse institucionet publike shëndetësore kanë menaxhuar siç duhet pandeminë Covid-19. Synimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit është që përmes auditimeve cilësore të ndikojë në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës publike si dhe përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës e me këtë rast përmirësimin e menaxhimit të situatave emergjente siç është kjo me Covid-19”, deklaroi Spanca.
Zyra Kombëtare e Auditimit në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zyra Kombëtare e Auditimit në mesin e institucioneve që u vlerësuan për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), kanë ndarë çmimin “Praktika më e mirë në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”. Në mesin e institucioneve të vlerësuara që kanë treguar praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ishte edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Ndarja e çmimit për institucionet e shpërblyera u bë në një ceremoni online ku morën pjesë shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë ambasadori Jan Braathu, Komisioneri për gjuhët, Slavisa Mladenovic si dhe përfaqësues të institucioneve përkatëse. Në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Zhvillim Profesional në ZKA, Saranda Husaj Baraliu, falënderoj Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) si dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE) për këtë vlerësim. “Ky shpërblim tregon përkushtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të respektuar detyrimet kushtetuese e ligjore në përdorimin e gjuhëve zyrtare. Ky vlerësim na inkurajon që të punojmë dhe avancojmë tutje promovimin e vlerave të diversitetit gjuhësor dhe të shërbejmë si shembull për institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi Husaj Baraliu. Ndarja e çmimit është bërë  në bazë të monitorimit të përdorimit të gjuhëve zyrtare në ueb faqet zyrtare të institucioneve përkatëse duke përfshirë edhe rrjetet sociale. Fitues të çmimit  të parë u shpallen Ministria e Financave, Komuna e Prishtinës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Kushtetuese dhe Banka Qendrore e Kosovës. Ndërsa për praktikë të shkëlqyeshme të përkthimit duke respektuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve me një certifikatë dhe disa pajisje të vogla u shpërblyen Zyra Kombëtare e Auditimit, Avokati i Popullit, Komisioni Qendror Zgjedhor etj. Kjo është ceremonia e dytë vjetore e organizuar nga Zyra e Komisionerit për gjuhët (ZKGJ) në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE).
Komunës së Pejës i kërkohet t’i adresojë rekomandimet e auditorit

Komunës së Pejës i kërkohet t’i adresojë rekomandimet e auditorit

Të mërkurën në Komunën e Pejës u mbajt debati i radhës në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Në debat morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazilu, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Emine Fazliu, tha se për vitin 2019 Komuna e Pejës ka marrë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes. Pavarësisht realizimit të  mirë të buxhetit prej 97 për qind, komuna ka treguar dobësi në menaxhimin e shpenzimeve sidomos atyre përmes prokurimit. Dobësi janë vërejtur edhe në regjistrimin e pasurisë si dhe në menaxhimin e detyrimeve dhe llogarive të arkëtueshme.“Opinioni i pamodifikuar do të thotë se këto pasqyra prezantojnë  një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale në përputhje me standardet ndërkombëtar për sektorin publik sipas kontabilitetit të bazuar në paranë e gatshme. Theksimi i çështjes ka të bëjë me klasifikim joadekuat të shpenzimeve në vlerë prej 515 mijë euro, ku komuna përmes vendimeve gjyqësore ka paguar dhe regjistruar shpenzimet në kategori ekonomike joadekuate”, deklaroi Fazliu. Fazliu tha se në nivel të përgjithshëm Komuna e Pejës ka zbatuar 35 për qind të rekomandimeve që është nën mesataren e zbatimit të përgjithshëm të rekomandimeve në nivel lokal që është 37 për qind. Kurse në vitin 2019 ZKA-ja ka dhënë 15 rekomandime. “Rekomandimet e dhëna nga Auditori i Përgjithshëm kanë për qëllim përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe forcimin e kontrolleve të brendshme të komunës. Zbatimi i plotë i rekomandimeve ndikon në rritjen e performancës së komunës dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha Fazliu. Ndërsa kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se kjo komunë nuk ka bërë planifikim të gabuar të buxhetit. “Komuna e Pejës asnjëherë nuk ka bërë planifikim të gabuar të buxhetit. Do me thënë kategoritë e planifikimit të buxhetit i kemi pas të caktuara siç duhet. Pra nuk kemi paguar diçka që është kanë e caktuar mallra dhe shërbime, e me qenë e planifikuar si investim kapital”, tha Muhaxheri.  Ai bërë me dije se sfidë mbeten pagesat përmes vendimeve gjyqësore si dhe menaxhimi i kontratave për shkak se kërkohet staf më i madh. Muhaxheri u zotua se pavarësisht sfidave, Komuna e Pejës do t’i zbatojë 50 për qind të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm. “Po besoj që 50 për qind të rekomandimeve do të t’i zbatojmë përkundër pandemisë dhe sfidave që i kemi”, theksoi ai. Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza tha se Komuna e Pejës ka bërë përmirësime në disa fusha, mirëpo ka ende dobësi në disa sektor, prandaj duhet të adresohen rekomandimet e auditorit. Kurse sa i përket rekomandimeve, nga 17 rekomandime janë zbatuar vetëm 6. Megjithatë në vitin 2019 Komuna e Pejës ka marrë më pak rekomandime dhe kjo është gjë pozitive. Prebreza tha se presim nga të gjitha komunat që të kenë më pak rekomandime sepse numri më i vogël i rekomandimeve nënkupton se ka dobësi më pak të identifikuara. “Prokurimi vazhdon me pas çalime për shkak se ka disa rekomandime që janë dhënë për këtë fushë, dhe këto rekomandime lidhen pothuajse me të gjitha fazat e prokurimit”, deklaroi Prebreza.
Kryetari i Komunës së Rahovecit zotohet se do t’i zbatoj me përpikëri rekomandimet e auditorit

Kryetari i Komunës së Rahovecit zotohet se do t’i zbatoj me përpikëri rekomandimet e auditorit

Në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” i mbështetur nga Zyra e Jashtme e Komonuelthit përmes Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, BIRN Kosova të hënën organizoi debatin e radhës në Komunën e Rahovecit. Në debat morën pjesë kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, Udhëheqësi i Auditimit, Bujar Bajraktari, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe asamblistë të kësaj komune. Udhëheqësi i Auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Bujar Bajraktari, tha se bazuar në raportin e fundit të auditimit në përgjithësi Komuna e Rahovecit ka një progres në krahasim me vitet paraprake. “Në vitin 2017 Komuna e Rahovecit ka marrë opinion të kualifikuar me theksim të çështjes, ndërsa në vitin 2018 dhe në vitin 2019 ka marrë opinion të pakualifikuar me theksim të çështjes. Theksimi i çështjes për 2019 ka qenë për shkak të keqklasifikimit të shpenzimeve dhe kjo nuk është vetëm për fajin e komunës, mirëpo në këtë aspekt duhet bashkëpunim me nivelin qendror”, deklaroi Bajraktari. Bajraktari tha se gjetjet e auditimit për vitin 2019 tregojnë se në fushën e prokurimit ka më shumë dobësi dhe fokusi duhet të jetë në përmirësimin e çështjeve të evidentuar. Ai tha se sa i përket menaxhimit të pasurisë duhet të shtohen aktivitetet, meqë disa gjetje po paraqiten për vite me radhë. Ndërsa sa i përket zbatimit të rekomandimeve Bajraktari tha se 5 rekomandime janë zbatuar plotësisht dhe 11 të tjera kanë qenë në proces. Ai bëri me dije se për vitin 2019 është përgatitur me kohë plani i veprimit si dhe pastaj është dërguar një raport lidhur me progresin e zbatimit të rekomandimeve. Kurse kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi se ka përmirësim të zbatimit të rekomandimeve nga vitet e kaluara. Ai u zotua se do të zbatohen me përpikëri rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. “Ka pasur një progres komuna jonë në vitin 2019 në krahasim me vitin 2018. Këtu e kemi planin e zbatimit të rekomandimeve me të dhënat e nevojshme që tregon se kemi caktuar grupin punues për zbatimin me përpikëri të rekomandimeve të ZKA-ja”, theksoi Latifi duke shtuar se disa rekomandime nuk varen nga komuna meqë ndërlidhen me nivelin qendror. Në këtë kontekst ai tha se keqklasifikim që po ju adresohet komunave, është gabim për shkak se komunat nuk duhet ta kenë barrë pagesën e shujtave dhe pagave jubilare sepse kontrata kolektive i obligon institucionet qendror të ndajnë buxhet për këtë çështje. Duke folur për gjetjet e raportit të auditimit për vitin 2019, Latifi tha se nuk do të ketë në të ardhmen pagesa pa dëshmi, dhënie të kontratave për operator të papërgjegjshëm si dhe kontrata  pa menaxher dhe pa plan të menaxhimit. Ndërkaq redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, vlerësoi se zvogëlimi i numrit të rekomandimeve nënkupton më pak shkelje dhe gjetje nga auditori. “Komuna e Rahovecit ka pranuar 14 rekomandime apo 7 më pak se sa në raportin 2018. Ky është një sinjal se ka një përmirësim, sepse vitin e kaluar situata ka qenë me keq meqë kanë qenë 21 rekomandime. Këtë vit kemi një theksim të çështjes që është kryesisht keqklasifikimi, por shpeshherë keqklasifikimet kanë ardhur për shkak të obligimeve që ju kanë venë barrë komunave nga qeveria, njëra prej tyre është detyrimi për t’i paguar mësimdhënësit për pagat jubilare dhe pagat përcjellëse që rrjedhin prej kontratës kolektive të nënshkruar nga qeveria”, deklaroi Prebreza. Ai tha se Rahoveci është njëra prej komunave që ka një ekzekutim të mirë të buxhetit prej 97 për qind. Kurse sa i përket dobësive të evidentuara Prebreza tha se ato kanë të bëjnë kryesisht me prokurimin dhe menaxhimin e kontratave ndaj operatorëve.
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, uron homologun Arben Shehu me rastin e 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, uron homologun Arben Shehu me rastin e 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, i ka dërguar letër urimi kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 108-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. “I nderuar z. Shehu në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe në emrin tim, ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit dhe 108-të vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit, mban merita të larta për kontributin e dhënë në ndërtimin dhe forcimin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar. Në veçanti, besoj se nën udhëheqjen tuaj, historia moderne e shtetndërtimit do të shënoj sukses të theksuar të auditimit publik dhe menaxhimit të parasë publike”, thuhet në urimin e Osmanit. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, tha se partneriteti në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit është mbështetur në vlera të larta dhe interesa të përbashkëta profesionale dhe kombëtare. “Prandaj, dua të konfirmoj miqësinë e qëndrueshme dhe përkushtimin tim personal dhe institucional, në thellimin e mëtutjeshëm të këtyre raporteve”, thuhet ndër të tjera në urimin e Osmanit.
Kuvendi i Kosovës miratoi Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019

Kuvendi i Kosovës miratoi Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019

Kuvendi i Republikës së Kosovës me 39 vota për dhe 24 kundër sot ka miratuar Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2019. Raporti Vjetor i Performancës së ZKA-së përfshinë shënime të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Të gjitha aktivitetet e Zyrës gjatë vitit 2019 janë realizuar në tërësi siç edhe ishin planifikuar me Planin Vjetor të Punës për sezonin auditues 2018 – 2019. Bazuar në rezultatet e punës së Zyrës Kombëtare e Auditimit të përfshira në raport, gjatë vitit 2019 janë përfunduar dhe publikuar 128 raporte të auditimit. Prej tyre, 115 raporte janë të auditimit të rregullsisë dhe 13 raporte të auditimit të performancës. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 4 në raport me sezonin e kaluar, kurse auditimet e performancës kanë pasur rritje nga viti 2016 dhe përbëjnë rreth 11 % të auditimeve të ZKA-së. Auditimi i Ndërmarrjeve Publike (NP) ka filluar në sezonin auditues 2016/17 me vetëm 4 sosh dhe në sezonin 2019/2020 ka arritur në 14 NP, kurse krahasuar me sezonin e kaluar është rritur për 3 ndërmarrje më shumë. Ngjarja kryesore, e cila e ka karakterizuar performancën e Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë vitit 2019 është anëtarësimi me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Ky anëtarësim përbën arritjen më të madhe në historinë e auditimit të jashtëm, të sektorit publik të Republikës së Kosovës. Gjithashtu në seancën e sotme Kuvendi i Kosovës me 67 vota ka miratuar rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2019.
Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës anëtarësohet në EUROSAI

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës anëtarësohet në EUROSAI

Bordi Drejtues i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), në takimin e 52-të, të mbajtur sot, ka miratuar me shumicë votash anëtarësimin me të drejta të plota të Zyrës Kombëtare të Auditimit në këtë Organizatë. Në një deklarim publik, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka falënderuar homologët e tij nga Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të Bordit Drejtues, për mbështetjen dhe besimin e dhënë si dhe të gjitha institucionet relevante vendore për përkrahjen në këtë proces anëtarësimi. “Zyra Kombëtare e Auditimit është e përkushtuar të jap kontributin e vet në këtë organizatë dhe të marrë  përsipër të gjitha obligimet”, tha Osmani. Ky anëtarësim shënon edhe një hap të rëndësishëm në historinë e re të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe përafrimit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. ZKA në strukturat e EUROSAI-t do të promovojë përveç tjerash qeverisjen e mirë, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe ngritjen e kompetencës profesionale në fushën e auditimit publik. EUROSAI është një nga Grupet Rajonale të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), e cila u krijua në vitin 1990 dhe atëherë kishte 30 anëtarë, Institucione Supreme të Auditimit të 29 shteteve Evropiane dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve. Ndër vite numri i anëtarëve të EUROSAI-t  ka arritur në pesëdhjetë ndërsa Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës është anëtari më i ri, i 51-ti me radhë. Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte aplikuar për anëtarësim në EUROSAI me 24 shkurt 2020, ndërsa shqyrtimi i vendimit për anëtarësim ishte vendosur në agjendën e takimit të Bordit Drejtues të EUROSAI-t, i planifikuar të mbahej në qershor 2020. Për shkak të pandemisë me COVID -19 ky takim nuk u mbajt siç ishte planifikuar, ndërsa u realizua online sot me 12 nëntor 2020. Për të mësuar më shumë lidhur me Organizatën Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit, vizitoni uebfaqen e tyre në: https://www.eurosai.org/en/about-us/about-eurosai/