Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Menaxhimi i procesit të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugëve

Menaxhimi i procesit të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugëve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës "Menaxhimi i procesit të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugëve". Rrugët janë pasuri e rëndësishme për vendin si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë shoqëror. Për të siguruar qarkullim normal të qytetarëve ato duhet t? mirëmbahen. Për këtë qëllim Kuvendi i Republikës s? Kosovës çdo vit ndan buxhet t? caktuar p?r Organizatat Buxhetore. Gjatë periudhës kohore 2013 -2015, institucionet publike në nivel kombëtar, kishin shpenzuar mbi 31 milion euro për mirëmbajtje të rrugëve. Auditimi ynë është fokusuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën e Prishtinës, si shpenzuesit më të mëdhenj për mirëmbajtje të rrugëve në nivel kombëtarë. Përmes këtij auditimi ne kemi vlerësuar aktivitetet lidhur me menaxhimin e procesit të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugëve dhe rezultatet e arritura nga këto aktivitete. Objektiv parësor i mirëmbajtjes së rrugëve është sigurimi i qarkullimit normal. Organizatat Buxhetore e realizojnë këtë objektiv duke hyrë në marrëdhënie kontraktuese me OE përmes kontratave kornizë, kryesisht për arsye se punë të njëjta kryhen në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme përgjatë tërë periudhës së kontraktuar. Kontrata e përmban para-masën dhe synohet që kjo para-masë të realizohet 100%. Auditimi ka nxjerrë në pah, se aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, gjatë procesit të prokurimit për mirëmbajtje të rrugëve pjesërisht kanë arritur rezultatet e synuara. Procesi i prokurimit ka rezultuar me vonesa, aneks kontrata, konkurrencë të ulët si dhe në disa raste ka rezultuar me mos arritje të vlerës për para. Po ashtu, pavarësisht se sasitë e përafërta të punëve janë specifikuar në kontratë, realizimi në krahasim me planin kishte pasur dallime, kjo si pasojë e identifikimit joadekuat të nevojave. Për të përmirësuar proceset aktuale, kemi rekomanduar që procedurat e prokurimit të nisin më herët në mënyrë që mos të ketë nevojë për vazhdim të kontratave. Për të adresuar nivelin e ulët të konkurrencës kemi rekomanduar Ministrinë e Infrastrukturës që të konsiderojë ndarjen e mirëmbajtës së rrugëve në mirëmbajtje verore dhe dimërore në mënyrë që të ulet vlera e kontratave. Po ashtu, shpenzimet e bëra për mirëmbajtje të rrugëve duhet të regjistrohen në një bazë të të dhënave në mënyrë që të mundësohet analiza e shpenzimeve e cila do të shërbejë për planifikim në të ardhmen. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org
Auditimi Paralel i Performancës në fushën e prokurimit publik

Auditimi Paralel i Performancës në fushën e prokurimit publik

Në datat 5 - 9 qershor 2017, në Beograd, nën organizimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe pritjen e Institucionit Suprem të Auditimit të Serbisë, është mbajtur cikli i fundit i sesioneve punuese të projektit të dytë regjional Auditimi Paralel i Performancës në fushën e Prokurimit. Përveç kësaj, në datën 7 qershor, Institucioni Suprem i Auditimit të Serbisë ka festuar 10 vjetorin e institucionit në një ceremoni solemne, në të cilën ishte ftuar edhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani si dhe krerë tjerë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga rajoni dhe më gjerë.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, Tomaž Vesel, President i Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë dhe Recai Akyel ish President i Gjykatës Turke të Llogarive Z. Osmani së bashku me Ndihmës Auditoren e Përgjithshme, Vlora Mehmeti dhe ekipin e auditimit, gjithashtu kanë marrë pjesë në punëtoritë e auditimit paralel që janë zhvilluar të ndara në tri sesione me përfaqësues nga të gjitha vendet e përfshira në këtë projekt.
  • Sesioni për Auditorët e Përgjithshëm, ku është diskutuar për sigurimin e cilësisë në auditim, të dhënat e paraqitura në draft raporte si dhe diskutim për procesin e finalizimit të raporteve dhe vlerësimin e ndikimit të auditimit në nivel regjional;
  • Sesioni për menaxherët e auditimeve të performancës, ku është diskutuar për sigurimin e cilësisë dhe menaxhimin e procesit në auditimet e performancës; dhe
  • Sesioni për ekipet e auditimit ku janë diskutuar draft raportet e auditimit, shkrimi i raportit dhe paraqitja e të dhënave vizuale.
Anëtarë të ekipit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ekipet nge vendet tjera Në këtë auditim ishin të përfshira Institucionet Supreme të Auditimit nga shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Turqia dhe Kosova, dhe auditimet janë kryer në shtetet përkatëse nën këshillimin e vazhdueshëm të grupit të ekspertëve nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve. Raportet e auditimit nga secili shtet pritet të finalizohen dhe publikohen në periudhën qershor- shtator 2017.
Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit merr pjesë në Kongresin e 10-të të EUROSAI

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit merr pjesë në Kongresin e 10-të të EUROSAI

Në Stamboll të Turqisë, po mbahet Kongresi i 10-të i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), ku po merr pjesë edhe delegaconi i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani.

Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në punimet e Kongresit të EUROSAI. Deri më tani Zyra Kombëtare e Auditimit ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nën ombrellën e EUROSAI-t, kryesisht në kuadër të grupeve punuese për auditimin e mjedisit. Tema kryesore e Kongresit të 10-të është "Implementimi i Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit - sfidat dhe zgjidhjet për përmirësimet e mëtutjeshme". Përveç temës kryesore të Kongresit janë mbajtur seminare në sesione të ndara të Auditorëve të Përgjithshëm, ku është diskutuar për rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe si të adresohen më mirë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike, fondet e alokuara për migrimin dhe problemet humanitare. Në Kongres po marrin pjesë mbi 160 delegatë dhe shumë vëzhgues nga institucione ndërkombëtare në fushën e financave dhe të auditimit. Punimet e Kongresit po zhvillohen në disa nivele organizative përfshirë takimet e Bordit Drejtues, Sesionet Plenare dhe Sesionet e Grupeve Punuese. Gjatë pjesëmarrjes në Kongres, delegacioni nga Kosova, ka realizuar takime bilaterale me përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve si Turqia, Polonia, Holanda, Suedia, Izraeli, Portugalia, Sllovenia, Latvia, Mali i Zi, si dhe përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe partnerë tjerë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës. Kongresi është organi më i lartë i EUROSAI-t, i cili përveç që merr vendime të rëndësishme për veprimtarinë trevjeçare të tij, ofron një ambient ku Institucionet Supreme të Auditimit kanë mundësinë për të diskutuar dhe shpalosur idetë e reja në përpjekjet e tyre për të forcuar ndikimin dhe rritur kualitetin e punës audituese. Gjykata Turke e Llogarive, nikoqire e Kongresit të 10-të të EUROSAI, ka marrë kryesimin e EUROSAI-t dhe do udhëheqë me këtë institucion për periudhën 2017-2020. Kongresi ka zgjedhur edhe anëtarët e rinj në Bordin Drejtues të EUROSAI-t.
Auditori i Përgjithshëm pret në takim Jacek Jezierski

Auditori i Përgjithshëm pret në takim Jacek Jezierski

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani,  ka pritur sot në takim pune z. Jacek Jezierski, aktualisht Këshilltar i Presidentit të ISA-it Polak, Krzysztof Kwiatkowski, i cili në të kaluarën ka qenë President Institucionit Supreme të Auditimit të Polonisë dhe Kryesues i Bordit të EUROSAI, ku Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës synon anëtarësimin e plotë dhe me të drejta të barabarta.

Diskutimi është bazuar në shkëmbimin  e përvojave në mes dy institucioneve në fushën e auditimit dhe janë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit bilateral me theks të veçantë në përkrahjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Gjithashtu janë trajtuar një varg çështjesh konkrete që kanë të bëjmë me auditimet në fushën e përformancës dhe të rregullsisë. Z. Osmani dhe z. Jezierski, kanë pasur pajtim të plotë që bashkëpunimi midis institucioneve mund të vendoset në shumë fusha dhe që përfitimi do të jetë i përbashkët me qëllim të përparimit dhe forcimit të aktiviteteve audituese në mënyrë që të rritet kualiteti i auditimeve.
Tryeza: Sistemi i Menaxhimit të Performancës në Komuna

Tryeza: Sistemi i Menaxhimit të Performancës në Komuna

Me datën, 11 Maj 2017, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Departamenti i Auditimit të Performancës ka organizuar tryezë pune lidhur me temën" Funksionimi i sistemit të menaxhimit të performancës në komuna". Në këtë tryezë, pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përfaqësues nga komunat dhe përfaqësues nga projekti për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS). MAPL në bashkëpunim me donator ndërkombëtarë ka zhvilluar Sistemin për Menaxhimin e Performancës së Shërbimeve Komunale. Matja e performancës së komunave ka për qëllim që vetë komunat, MAPL, qytetarët dhe të gjitha palët e interesit ta kuptojnë se deri në çfarë shkallë komunat kanë arritur të ofrojnë shërbime në kohën dhe cilësinë e duhur, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Diskutimi kryesisht është fokusuar në sfidat që komunat hasin gjatë punës me këtë sistem dhe rritja e performancës përmes menaxhimit më të mirë të këtij sistemi. E tërë kjo do të shërbejë për qëllime të auditimit, njëkohësisht duam të nxisim edhe komunikimin e drejtpërdrejtë midis palëve të përfshira në procesin auditues.
Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Zyren Kombëtare të Auditimit të Uellsit (Britani e Madhe)

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Zyren Kombëtare të Auditimit të Uellsit (Britani e Madhe)

Sot, me 10 maj 2017, Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani,  ka pritur për vizitë bilaterale Auditorin e Përgjithshëm të Uellsit (Britani e Madhe), z. Huw Vaughan Thomas, i shoqëruar nga John Herniman, Drejtor në Zyrën e Auditimit të Uellsit dhe Dr. Clive Grace O.B.E., Këshilltar Ndërkombëtar në Shërbime Publike. Gjatë kësaj vizite, z. Osmani dhe z. Thomas kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Zyrës së Auditimit të Uellsit, përmes së cilës janë pajtuar për bashkëpunim bilateral. Në fokus të kësaj marrëveshjeje do të jetë zbatimi i plotë i standardeve ndërkombëtare të auditimit në sektorit publik dhe praktikave të mira ndërkombëtare dhe shkëmbimi i përvojave në zhvillimin e institucioneve përkatëse, duke përfshirë zhvillimin e auditimit të performancës, shkëmbimin e praktikave të mira dhe aktivitetet kundër mashtrimit. Gjatë takimit të zhvilluar pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, z. Osmani dhe z. Thomas kanë biseduar lidhur me trendet aktuale të zhvillimit në auditimin publik dhe praktikat dhe përvojat nga të dyja institucionet. Krerët e të dyja institucioneve janë shprehur të kënaqur me mundësitë për shkëmbim të praktikave të mira, informacioneve dhe materialeve intelektuale me interes të përbashkët. Z. Thomas bashkë me delegacionin e tij, gjatë ditës kanë zhvilluar takime edhe me përfaqësues të Kuvendit dhe të Qeverisë  së Republikës së Kosovës.
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vizitoi Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët kanë zhvilluar një vizitë pune në selinë kryesore të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, në Stokholm. Gjatë kësaj vizite, e cila u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe të Kosovës, Auditori i Përgjithshëm, z. Osmani ka takuar Auditoren e Përgjithshme të Suedisë znj. Helena Lindberg, Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm z. Magnus Lindell dhe zyrtarë të tjerë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të dy institucioneve. Z. Osmani e ka uruar homologen e tij për marrjen e detyrës së re dhe e ka njoftuar me aktivitetet aktuale, sfidat organizative dhe orientimet strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ai e ka falënderuar znj. Lindberg për përkrahjen që ka ofruar institucioni suprem i auditimit suedez për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe ka shprehur interesimin e tij për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral. Z. Osmani ka theksuar veçanërisht përkrahjen që ka ofruar partneri suedez për përfshirjen e Zyrës Kombëtare të Auditimit në aktivitetet e institucioneve supreme të auditimit në nivelin regjional e ndërkombëtar që ka mundësuar pjesëmarrjen aktive të ZKA-së në ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e auditimit. Drejtuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë rikonfirmuan gatishmërinë për të ofruar përkrahjen e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës si në sferën e auditimeve të rregullsisë dhe të performancës ashtu edhe në atë të planifikimit strategjik dhe të lidershipit. Marrëveshja aktuale në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Suedisë përfundon në qershor të këtij viti, ndërkohë që është në përgatitje marrëveshja e re tri vjeçare e bashkëpunimit bilateral e cila pritet të nënshkruhet në Prishtinë, në qershor 2017.
Fuqizimi i Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile

Fuqizimi i Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile

Zyra Kombëtare e Auditimit në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të Universitetit "Hasan Prishtina", ka mbajtur tryezën "Fuqizimi i Auditimit të Jashtëm përmes bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit me organizatat e shoqërisë civile". Punimet e tryezës u hapën nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij ka theksuar gatishmërinë dhe dëshirën e Zyrës Kombëtare të Auditimit për të thelluar bashkëpunimin me shoqërinë civile, institucionet akademike dhe median. Përmes kësaj tryeze ne dëshirojmë të vendosim një komunikim të rregullt me këto organizata, me qëllim krijimin i një forumi konsultativ për të koordinuar bashkëpunimin dhe fuqizuar më shumë transparencën dhe llogaridhënien në Kosovë, ka thënë ai. Roli i organizatave të shoqërisë civile në fuqizimin e institucioneve të pavarura është shumë i rëndësishëm në shoqëritë demokratike, prandaj, z. Osmani i ka ftuar ato që në të ardhmen të bëjnë vlerësime të integritetit të ZKA-së dhe bashkërisht të krijohet një traditë e takimeve të rregullta dhe të krijohet një axhendë e shqyrtimit të raporteve të auditimit. Po ashtu Z. Osmani ka theksuar edhe nevojën e krijimit të një projekti të përbashkët për edukimin e publikut lidhur me rëndësinë e auditimit të jashtëm. Folëse tematike në tryezë ishte Dr. Nazia Mintz-Habib, Drejtore e kërkimeve në Qendrën për fuqitë në rritje të Universitetit të Kembrixhit në Angli e cila foli për vlerat dhe përfitimet e participimit publik: praktikat më të mira të bashkëpunimit në mes të institucioneve supreme të auditimit dhe organizatave të shoqërisë civile. Në vazhdim është  zhvilluar debat i hapur në panel dhe me pjesëmarrësit. Panelistë të tryezës ishin Luljeta Nano, Sekretare e përgjithshme e KLSH; Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Rektor i UBT; Artan Canhasi, Menaxher i programit, KDI; Faik ISpahiu, Drejtor ekzekutiv i Internews Kosova dhe Ardiana Bunjaku, Drejtore ekzekutive e SHKÇAK Pjesëmarrësit kanë vlerësuar iniciativën dhe kanë shprehur gatishmërinë për të shtyrë tutje këtë axhendë. U theksua e nevojshme të intensifikimi i bashkëpunimit, qoftë në fushën e edukimit dhe trajnimit por edhe në rritjen e aktivitetit të përbashkët për të ndikuar në përmirësimin e administratës publike dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Në këtë tryezë morën pjesë edhe përfaqësues tjerë nga Kontrolli i Lartë i shtetit të Republikës së Shqipërisë,  të organizatave të shoqërisë civile  - aktivitetet e të cilave ndërlidhen me veprimtarinë e ZKA-së, shoqatat profesionale që ofrojnë programe edukimi dhe kualifikimi për auditorë dhe kontabilistë, institucionet akademike (kolegje publike dhe private) dhe media.
Auditori i Përgjithshëm priti prokurorët e rinj në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Auditori i Përgjithshëm priti prokurorët e rinj në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Sot, me 5 prill 2017, në Zyrën Kombëtare të Auditimit, është mbajtur trajnimi  për Prokurorët e rinj të emëruar nga Presidenti i Republikës së Kosovës në dhjetor 2016, qëllimi i të cilit është njohja më për së afërmi me rolin, mandatin dhe procesin auditues të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i ka përshëndetur ata dhe ju ka dëshiruar punë të mbarë në detyrën e re. Përveç prezantimeve nga Departamenti Ligjor për Auditim, gjatë trajnimit është planifikuar edhe një diskutim i hapur i prokurorëve të rinj dhe stafit të ZKA-së lidhur me punën audituese dhe legjislacionin penal si dhe bashkëpunimi me organizatat e drejtësisë.
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës vizitoi Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi

Me datë 15 mars 2017, Auditori i Përgjithshëm,  Besnik Osmani, ka zhvilluar vizitë bilaterale në Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi. Z. Osmani gjatë kësaj vizite ka zhvilluar takim me z. Milan Dabovic, President i Senatit dhe Nikola N. Kovacevic, Branislav Radulovic dhe Zoran Jelic anëtarë të Senatit të këtij institucioni. Në këtë takim z. Dabovic e ka njoftuar z. Osmani për kompetencat e Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, dokumentet strategjike dhe bashkëpunimin që ky institucion ka me Parlamentin dhe Qeverinë e Malit të Zi. Nga ana e tij, z. Osmani, ka shprehur vlerësimin për punën dhe arritjet e këtij institucioni dhe ka konfirmuar edhe një herë gatishmërinë dhe interesimin që bashkëpunimi ndërmjet të dyja institucioneve të thellohet tutje siç ishte biseduar gjatë vizitës së z. Dabovic, në qershor të vitit të kaluar në Prishtinë. Krerët e të dyja institucioneve kanë arritur në pajtim të plotë  për fushat, oraret dhe çështjet tjera të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Auditori i Përgjithshëm ka zhvilluar takime me kryetarin e komisionit parlamentar për ekonomi, financa dhe buxhet të Malit të Zi, Vujica Lazovic, dhe anëtarë tjerë, si dhe Drejtoren e përgjithshme të Drejtorisë për Harmonizimin Qendror të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Financave, znj. Ana Krsmanovic.

Bashkë me Auditorin e Përgjithshëm në këtë vizitë ishin edhe Imri Semetishti, Drejtor i Departamentit Ligjor dhe Mirlinda Ahmeti, Drejtore për Auditimet e Performancës në Zyrën Kombëtare të Auditimit.
Procesi i rishikimit të teksteve shkollore

Procesi i rishikimit të teksteve shkollore

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës me titull "Procesi i rishikimit të teksteve shkollore". Arsimi cilësor është e vetmja mënyrë për të rritur mundësitë e nxënësve për arsimim të mëtejshëm dhe për punësim më të mirë. Cilësia në arsim është një çështje komplekse dhe është e lidhur edhe me qeverisjen dhe udhëheqjen, si dhe me infrastrukturën, përgatitjen dhe trajnimin e mësimdhënësve si dhe cilësinë e kurrikulave dhe teksteve shkollore. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në vitin 2015 ka iniciuar procesin e rishikimit të teksteve shkollore me qëllim të përmirësimit të tyre. Përmes këtij auditimi, kemi vlerësuar aktivitetet e ndërmarra nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, respektivisht Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore me qëllim të arritjes së objektivave të synuara gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore. Ne vlerësojmë se aktivitetet e kryera nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore gjatë procesit të rishikimit të teksteve shkollore, nuk kanë arritur qëllimet e synuara. Procesi i rishikimit ka rezultuar me tekste shkollore të përmirësuara në përqindje të vogla dhe përgjithësisht të natyrës teknike. Objektiva lidhur me lehtësimin e çantës shkollore nuk është prekur fare, ndërkohë që vendimi për të botuar të gjithë tirazhin e teksteve shkollore, përfshirë ato që nuk i janë nënshtruar rishikimit, ka krijuar shpenzime të mëdha e jo kursime siç ishte synuar fillimisht. Iniciativa për të rishikuar tekstet shkollore ishte e qëlluar dhe e domosdoshme.  Mirëpo, ne vlerësojmë se do të duhej të lejohej më shumë kohë në dispozicion si dhe komunikim e bashkërenditje të aktiviteteve në mes të pjesëmarrësve të përfshirë në proces. Këshilli do të duhej të kishte kritere më të qarta në bazë të të cilave do kryente rishikimet si dhe duhet të ishin më të kujdesshëm në marrjen e vendimeve se cilat tekste duhet të ribotohen duke pasur parasysh përqindjen e ulët të ndryshimeve, natyrën e ndryshimeve dhe faktin se disa prej teksteve nuk ishin rishikuar fare. Gjithashtu, nuk është bërë ndonjë analizë e mirëfilltë nga Këshilli apo Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë lidhur me implikimet financiare të ribotimit të teksteve shkollore. Me qëllim të krijimit të mekanizmave të duhur dhe të qëndrueshëm të rishikimit të teksteve shkollore, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet që përmes një udhëzimi administrativ apo ndonjë rregulloreje të brendshme, të definojë qartë përgjegjësitë e të gjithë akterëve të përfshirë në proces të rishikimit si dhe të jetë transparente në emërimin e recensentëve dhe monitorimin e punës së tyre apo të çfarëdo subjekti tjetër që ka rolin e rishikimit të teksteve shkollore.  Gjithashtu, Këshilli duhet të angazhojë ekspertë të fushave të ndryshme, të bëjë planifikim të arsyeshëm kohor për të finalizuar rishikimet e teksteve shkollore, dhe të ndërmerr  një analizë të duhur dhe të detajuar financiare përpara se të merret një vendim për ribotim të teksteve shkollore. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org
Auditori i Përgjithshëm i Kosovës mori pjesë në Konferencën Vjetore  të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës mori pjesë në Konferencën Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani mori pjesë në punimet e Konferencës Vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të Republikës së Shqipërisë.

Në hapje të punimeve të Konferencës, z. Osmani përgëzoi drejtuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit për arritjet dhe punën e bërë gjatë vitit 2016 dhe prezantoi aspekte të performancës institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Z. Osmani u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin në mes të dy institucioneve më të larta supreme të auditimit të Shqipërisë dhe Kosovës në realizimin e aktiviteteve sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar në nëntor 2016, si dhe falënderoi kryetarin e KLSH-së z. Leskaj, për mbështetjen që KLSH po i jep ZKA-së në proceset e integrimit në organizatat ndërkombëtare.