Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Drejtuesit e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Drejtuesit e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Sot, në Zyrën Kombëtare të Auditimit kanë zhvilluar vizitë pune Driton Selmanaj, kryetar dhe Mërgim Lushtaku, zëvendëskryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qëllimi i vizitës ishte njohja më për së afërmi me ambientin e punës së auditorëve të jashtëm si dhe kapacitetet dhe burimet që Zyra Kombëtare e Auditimit ka në dispozicion për të përmbushur detyrat dhe mandatin e vet kushtetues. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, i informoi drejtuesit e Komisionit për objektivat strategjike të ZKA-së, aktivitetet audituese dhe  planin vjetor të punës, zhvillimin e kapaciteteve audituese dhe sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet ZKA. Z. Osmani i informoi drejtuesit e Komisionit edhe me gjetjet kryesore të raporteve të auditimit dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, që aktualisht nuk janë në një shkallë të kënaqshme. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike theksoi përkushtimin e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike për thellimin e bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe vlerësoi rolin e ZKA-së në përkrahje të Kuvendit të Kosovës për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse.
Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në takimet e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në takimet e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Nga 11-13 tetor 2017, në Luksemburg, nën organizimin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, janë mbajtur takimet e drejtuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të Bashkimit Evropian, ku po merr pjesë edhe delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit i kryesuar nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani. Me datën 11 tetor, është mbajtur takimi i krerëve të ISA-ve të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për në BE, me përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia si dhe përfaqësues nga Gjykata Evropiane e Llogarive, SIGMA dhe Grupi Punues i Komitetit të Kontaktit për Auditime të Përbashkëta, përfaqësuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Suedisë dhe Rumanisë. Në këtë takim krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit kanë miratuar raportin e implementimit të aktiviteteve sipas planit 2014-2017 si dhe kanë diskutuar planin e punës për vitet vijuese 2018-2020 e më tutje. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka ofruar gatishmërinë e tij dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit që Kosova të jetë nikoqire e aktivitetit të parë, që do të zhvillohet në pjesën e parë të vitit 2018. Zyra Kombëtar e Auditimit po ashtu do të jetë pjesë e disa grupeve punuese përgaditore të këtyre aktivitete. Gjatë dy ditëve në vijim, më 12 e 13 tetor, është mbajtur edhe takimi vjetor i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të Bashkimit Evropian. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe drejtues të ISA-ve nga vendet jo anëtare të BE-së, në cilësinë e vëzhguesit. Organizatore e takimeve të këtij viti ka qenë Gjykata Evropiane e Auditorëve, institucion ky që ka shënuar 40 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast me datë 12 tetor është mbajtur ceremonia zyrtare në praninë e zyrtarëve të lartë të institucioneve evropiane, në mesin e të cilëve edhe Presidenti Parlamentit Evropian, z. Antonio Tajani dhe Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jean Claude Juncker. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ishte i ftuar nderi në ceremoninë zyrtare nga Presidenti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, z. Klaus – Heiner Lehne.  
Barometri i Ballkanit 2017 - Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës më e besuara ndër institucionet e auditimit në vendet e rajonit

Barometri i Ballkanit 2017 - Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës më e besuara ndër institucionet e auditimit në vendet e rajonit

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka publikuar Barometrin e Ballkanit për vitin 2017, në të cilin ofrohen të dhëna nga hulumtimi i opinionit të publikut dhe bizneseve në shtetet e Ballkanit. Një nga indikatorët për Barometrin e Ballkanit 2017 ishte edhe vlerësimi i besueshmërisë në institucionet publike dhe përceptimi i publikut për pavarësinë e tyre. Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës është vlerësuar nga 47% e qytetarëve si institucion të cilit i besojnë qoftë plotësisht apo pjesërisht. Ky është niveli më i lartë i besueshmërisë krahasuar me institucionet supreme të auditimit të vendeve të Ballkanit. Ky vlerësim është një indikator i rëndësishëm në angazhimin e vazhdueshëm të Zyres Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e mandatit të saj kushtetues e ligjor dhe të vizionit të saj për të përmirësuar transparencën, efikasitetin dhe llogaridhënien e administratës publike. Raportin e plotë mund ta gjeni në uebfaqen: Regional Cooperation Council
Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani është pritur në takim nga Rektori Dema

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani është pritur në takim nga Rektori Dema

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, priti në zyrën e tij Auditorin e Përgjithshëm nga Zyra Kombëtare e Auditimit, z. Besnik Osmanin. Në këtë takim të pranishëm ishin edhe prorektori për zhvillim dhe cilësi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”,prof. dr. Hysen Bytyqi, znj. Emine Fazliu – Ndihmës Auditor i Përgjithshëm për auditimet qendrore dhe Qendresa Mulaj - Udhëheqëse e Kabinetit të Auditorit të Përgjithshëm. Rektori Dema falënderoi shumë auditorin e përgjithshëm, z. Osmanin për vizitën, duke theksuar që ky menaxhment i UP-së do të jetë i lumtur nëse bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit do të vazhdonte edhe më me intensitet në të ardhmen. Vullneti për bashkëpunim ishte i dyanshëm. Këtë e vuri në pah edhe Auditori i Përgjithshëm z. Osmani, i cili paraqiti disa ide ku të dyja institucionet do mund të krijonin projekte të rëndësishme së bashku. Palët aktualisht u dakorduan për realizimin e një mundësie për praktikë për studentët e UP-së, e cila do të realizohej në Zyr Kombëtare të Auditimit , mundësi për të cilën do të ketë një memorandum bashkëpunimi, i cili paraprakisht do të specifikojë bazën ligjore. Lajmi është marrë nga faqja e Universitetit të Prishtinës http://bit.ly/2xion5A
Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në hapjen e trajnimeve për e-prokurimin

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në hapjen e trajnimeve për e-prokurimin

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, mori pjesë në hapjen e trajnimeve për e-prokurimin të organizuara nga projekti i USAID “Komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse” në bashkëpunim me KRPP dhe IKAP. Të pranishëm me rastin e hapjes së trajnimeve ishin edhe Drejtori i Projektit, Stephen Carpenter dhe Drejtori i Agjencionit Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli. Trajnimi është dy ditor dhe u dedikohet zyrtarëve nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Agjencioni Kundër Korrupsionit, Njësisë Qendrore Harmonizuese për Auditimin e Brendshëm në kuadër të ministrisë së Financave dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, me qëllim të avancimit të njohurive të përdorimit të platformës elektronike për prokurim, për nevoja të auditimit, kontrollit dhe shqyrtimit të aktiviteteve të prokurimit. Nga Zyra Kombëtare e Auditimit këtë trajnim do ta ndjekin 20 zyrtarë.
Auditori i Përgjithshëm dhe  drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit mbajnë takim koordinues

Auditori i Përgjithshëm dhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit mbajnë takim koordinues

Sot, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli. Takimi kishte qëllim koordinues dhe të bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të dy institucioneve, me fokus trajtimin e gjetjeve të prezantuara në raportet e auditimit nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion, në përputhje me mandatin e tyre ligjor. Krerët e të dyja institucioneve u dakorduan për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërinstitucional. Në mes tjerash në takim është nënvizuar interesi i shkëmbimit të informatave në mënyrë që të përmbushet mandati i institucioneve respektive dhe të kontribuohet në përmirësimin e qeverisjes së mirë.
Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi bilateral me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi bilateral me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Sot, në Prishtinë, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Besnik Osmani dhe Zëvendës Auditori i Suedisë z. Magnus Lindell kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim bilateral në mes të dy institucioneve përkatëse. Marrëveshja trevjeçare ka për qëllim shkëmbimin e përvojave institucionale dhe do të ndihmoj Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për institucionet supreme të auditimit. Marrëveshja parasheh zhvillimin e aktiviteteve specifike në fushat si: Auditime të Performancës, Auditime të Rregullsisë (financiare dhe të pajtueshmërisë), Lidership, Menaxhim të Burimeve Njerëzore, Komunikim dhe Planifikim Strategjik. Auditori i Përgjithshëm, z. Osmani me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit theksoi rëndësinë që ka për Zyrën Kombëtare të Auditimit vazhdimi i bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë si një institucion senior në fushën e auditimit të jashtëm. Ai me këtë rast u zotua për përkushtimin e personelit të ZKA-së në zbatimin e plotë të marrëveshjes me qëllim të avancimit të mëtejshëm të cilësisë së procesit të auditimit dhe të produkteve të tij. Z. Lindell, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Suedisë, vlerësoi arritjet e ZKA-së dhe shprehu gatishmërinë e institucionit të tij për një bashkëpunim afatgjatë me institucionin suprem të auditimit të Kosovës. Ai theksoi që pavarësisht dallimeve kulturore dhe zhvillimore, institucionet e të dyja vendeve e bazojnë punën e tyre në një pako standardesh ndërkombëtare që e qeverisin fushën e auditimit të jashtëm dhe kjo është një bazë e mirë për bashkëpunimin bilateral. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Z. Lindell mbajti një ligjëratë tematike për Lidership për menaxhmentin e ZKA-së. Bashkëpunimi institucional në mes të dy institucioneve supreme të auditimit daton që nga viti 2011 me fokus në ngritjen e kapaciteteve për audtimet e performancës.
Zyra Kombëtare e Auditimit inkurajohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë

Zyra Kombëtare e Auditimit inkurajohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë

Ambasada Amerikane në Prishtinë para disa ditëve në profilin e tyre në faqen ‘Facebook’ ka theksuar rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke na zgjedhur si ekipi dhe profili i ardhshëm që inkurajohet prej tyre në Kosovë. Ambasada ka theksuar misionin tonë që të ndihmojmë institucionet e Kosovës të përdorin mirë paranë, të krijojnë një qeveri të fortë dhe të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Ambasada ka vënë në dukje se ZKA kryen auditime për të siguruar që qeveria mbikëqyret lidhur me menaxhimin e fondeve publike dhe përdorimin e tyre. Duke audituar në mënyrë të pavarur fondet publike dhe pastaj duke raportuar gjetjet e tyre në faqen e tyre të internetit, ZKA u jep të gjithëve mundësinë për të monitoruar qeverinë, raporte të cilat janë publikuar si auditime individuale për vitin 2016 dhe auditimi i plotë i buxhetit të vitit 2016 që do të publikohet në gusht. Në fund, ambasada jep referencën për web faqen tonë dhe shpërndanë me të tjerët profilin tonë në ‘Facebook’ për të parë se si ZKA siguron që Qeveria po shpenzon me mençuri për të ardhmen e Kosovës! Versioni origjinal i tekstit i publikuar më 13 korrik 2017:
Our next Profile in Courage in #Kosovo is the team at the Kosovo National Audit Office (KNAO). Their mission is to help Kosovo institutions use their money well, create a strong government, and improve the lives of citizens. KNAO carries out audits to ensure the government is held to account for their use and management of public funds. By independently auditing public funds and then reporting their findings on their website, KNAO gives everyone the chance to monitor the government. You can see individual audits for 2016 now and the full audit of the 2016 budget will come out in August. To see the reports and more, go to: zka-rks.org. “#Iam4Kosovo by making sure the Government is spending wisely for the future of Kosovo!”
mund të lexohet në profilin e Ambasadës Amerikane në Facebook: https://web.facebook.com/pg/kosovo.usembassy/posts/
Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në debatin e organizuar nga Instituti GAP me temën “Ndarjen e subvencioneve nga ministritë dhe komunat”

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në debatin e organizuar nga Instituti GAP me temën “Ndarjen e subvencioneve nga ministritë dhe komunat”

Instituti GAP organizoi debat me përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile lidhur me rregullimin dhe ndarjen e subvencioneve në nivel lokal e qendror, ku u prezantua edhe draft-analiza “Ndarja e subvencioneve nga komunat dhe ministritë – baza ligjore, transparenca dhe llogaridhënia”. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore që janë dhënë lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e subvencioneve dhe transfereve për vitin fiskal 2016, duke krahasuar edhe trendin e menagjimit të tyre me vitet paraprake, të cilat kryesisht lidhen me mungesën e politikave të shkruara për menaxhimin e subvencioneve, monitorimin jo-efikas të mënyrës së shfrytëzimit të tyre, vonesat në implementimin e procedurave përkatëse, pagesat e dyfishta dhe drejtimi i subvencioneve për shpenzime operative e jo kapitale tek disa institucione siç janë ndërmarrjet publike. Z.Osmani ka nënvizuar tri rekomandimet kryesore dhënë Qeverisë dhe komunave për të ardhmen e që janë fuqizimi i transparencës, qartësimi dhe riformulimi i procedurave për ndarjen e subvencioneve, si dhe krijimi i rregulloreve të veçanta sipas fushave të subvencionuara. Po ashtu, është nënvizuar kontributi i organizatave të shoqërisë civile në animimin e opinionit publik dhe rritjen e përgjegjësisë publike për krerët e institucioneve për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit sikurse është vlerësuar përpjekja e Qeverisë me rastin e hartimit të Rregullorës për menaxhimin e subvencioneve. Në këtë ngjarje Instituti GAP ka prezantuar draft analizën Ndarja e subvencioneve nga komunat dhe ministritë – baza ligjore, transparenca dhe llogaridhënia”. Gjatë prezantimit Nora Jusufi, Hulumtuese në Institutin GAP, theksoi se baza ligjore mbi ndarjen e subvencioneve në nivel lokal dhe qendror nuk është komplete dhe mirë e koordinuar. Në draft analizën e Institutit GAP janë shqyrtuar rregulloret e brendshme të shtatë komunave dhe dy ministrive, ndarja e subvencioneve sipas fushës dhe mënyra e raportimit nga ana e institucioneve dhe përfituesve. Mangësitë kryesore të rregulloreve ishin në përkufizimet e paqarta të subvencioneve, mos obligimi ligjor për shpalljen e thirrjeve për subvencione dhe mos përcaktimi i periudhave të shqyrtimit të aplikimeve për subvencione. Ndërsa, Salvador Elmazi, nga Ministrinë e Financave, theksoi se defektet e evidentuara në raportin e Institutit GAP janë si pasojë e mungesës së një rregullore nacionale. Ndër tjerash, z. Elmazi përmendi dallimet ekzistuese në rregulloret komunale dhe mos rregullimin dhe përcaktimin e qartë të aktiviteteve që subvencionohen. Ai po ashtu u zotua që në muajt në vijim do të fusë në agjendë si prioritet krijimin e një rregulloreje nacionale gjithëpërfshirëse që do të ndihmojë institucionet në ndarjen e subvencioneve. Përfaqësues të shoqërisë civile theksuan nevojën për planifikim më të mirë financiar për ndarjen e subvencioneve që bazohet në analiza kredibile nga të dhënat në terren. Po ashtu përfaqësues të institucioneve publike në nivel lokal u pajtuan që rregulloret për subvencione edhe pse të miratuara kanë për nevojë për ndryshim dhe plotësim marrë parasysh volumin e rritur të kërkesave për subvencione.
Konferenca e 9-të Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Konferenca e 9-të Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Sot, 13 korrik 2017, Zyra Kombëtare e Auditimit është duke mbajtur Konferencën e 9-të Vjetore, ku temë diskutimi është “Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të institucioneve të sektorit publik, përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm” Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani ka hapur punimet e Konferencës, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Leskaj, Zv. Ministri Agim Krasniqi, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj, Përfaqësues nga USAID dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë, institucionet akademike, shoqërisë civile dhe mediave Z. Osmani ka vënë në pah se kjo konferencë është një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar sezonin e sapo përfunduar të auditimit, duke theksuar në mënyrë të veçantë aktivitetet kryesore që Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer gjatë sezonës së auditimit 2016/ 2017. “Si për koincidencë sot e një vit më parë, në Konferencën tonë të 8-të Vjetore, në po këtë ambient kam shpalosur planin vjetor të punës për vitin auditues 2016/2017. Ishte vërtet një plan ambicioz për mua si menaxher i ri, i një institucioni kaq të rëndësishëm. Sot jam krenar të konfirmojë me bindje të plotë, se falë përkushtimit dhe angazhimit të stafit, kemi realizuar plotësisht çdo detyrë që i kemi caktuar vetes. Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë vit ka kryer mbi 90 auditime të rregullsisë përfshirë këtu edhe auditimin për herë të parë 4 Ndërmarrjeve Publike, të gjitha të finalizuara sipas afatit ligjor; 13 auditime të performancës dhe 6 auditime të prokurimit dhe menaxhimit të projekteve, gjithsej 113 auditime.” – tha Auditori i Përgjithshëm në fjalën e tij. Z. Osmani ka theksuar se puna dhe raportet e auditimit i ofrojnë Kuvendit dhe entiteteve të audituara mbështetje praktike në mbylljen e zingjirit llogaridhënës në mes të Qeverisë dhe Kuvendit si dhe krijojnë një bazë të mirë për menaxhim të shëndoshë financiar. Ai më tej ka ftuar mediat dhe shoqërinë civile që të marrin për bazë raportet e auditimit në punën e tyre dhe të prezantojnë ato në mënyrë korrekte. Zv. Ministri i Financave z. Agim Krasniqi, në fjalën e tij, ka vlerësuar punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit si një institucion i rëndësishëm i Kosovës, që po ndihmon institucionet qendrore dhe ato komunale në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies. Ai ka theksuar se Ministria e Financave është e përkushtuar që t’i marr seriozisht rekomandimet e Auditorit dhe t’i implementojë ato në plotni. Punimet e Konferencës do të vazhdojnë me seancën tematike “Rritja e efikasitetit të pushtetit lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm" ku për referencë diskutimi do të jenë gjetjet dhe rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit financiar të komunave si dhe raporti i auditimit te performancës “Sistemi i Menaxhimit të Performancës në Komuna”. Ndërsa pasdite do të zhvillohet seanca e punës në grupe për punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit rreth orientimeve strategjike të zyrës, identifikimin e sfidave gjatë procesit të auditimit, nxjerrjen rekomandimeve për përmirësime të nevojshme, si dhe përcaktimi i objektivave për sezonin e ardhshëm.
Zyra Kombëtare e Auditimit diskutoi auditimet e performancës me shoqërinë civile

Zyra Kombëtare e Auditimit diskutoi auditimet e performancës me shoqërinë civile

Zyra Kombëtare e Auditimit ka organizuar tryezë pune me organizatat e Shoqërisë Civile me qëllim të diskutimit të temave për auditim të performancës, për sezonën audituese 2017/2018. Në këtë tryezë janë shpalosur temat me interes për auditim të performancës të identifikuara nga ekipet audituese të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe propozimet nga shoqëria civile. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, në fjalën e tij ka ftuar përfaqësuesit e organizatave të Shoqërisë Civile të pranishëm në tryezë që bashkërisht të identifikojmë sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë, vështirësitë që hasin institucionet publike në përmbushjen e detyrave të tyre të cilat pastaj ndikojnë në performancën e tyre dhe rrjedhimisht afektojnë shërbimet për qytetarët dhe mirëqenien në përgjithësi. Përfaqësues të organizatave të Shoqërisë Civile prezent në këtë takim kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe kanë vlerësuar kontributin e saj në forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e transparencës në administratë publike.