Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Mos dërgimi i planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve në raportet e auditimit të performancës

Mos dërgimi i planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve në raportet e auditimit të performancës

Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, 05/L-055, obligon organizatat buxhetore të audituara, që t’i dorëzojnë Zyrës Kombëtare të Auditimit planin e veprimit se si do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna në raportin e auditimit. Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2017, ka publikuar katër raporte të auditimit të performancës në të cilat janë dhënë rekomandime të dobishme për përmirësimin e programeve qeveritare në fushën e qeverisjes lokale, administrimit të burimeve njerëzore, shëndetësisë dhe në fushën e gjyqësorit. Megjithatë, një numër i vogël i Organizatave Buxhetore ka dërguar planet e veprimit për implementimin e rekomandimeve të dhëna. Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani tërheq vëmendjen e publikut dhe të atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie se mos përmbushja e obligimeve ligjore, përkatësisht mos përgatitja e planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve tregon mungesën e vullnetit dhe llogaridhënies institucionale në udhëheqjen e aktiviteteve/programeve qeveritare në mënyrë efektive, efikase dhe ekonomike. Organizatat buxhetore që ende nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor dhe nuk kanë dorëzuar planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të performances janë: Ministria e Administratës Publike, Ministria e Kulturës Rinise dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Komuna e Prishtinës, Ferizaj, Pejë, Gjilan dhe Suharekë për “Marrëveshjet për shërbimet e veçanta dhe kontratat e punës për detyra specifike” i publikuar me datën 15 Nëntor 2017. Komuna e Pejës, Ferizajt, Mamushes, Obiliqit dhe Graqanices, për “Procedurat dhe kontrollet në sistemin për menaxhimin e performancës komunale” i publikuar me datën 16 Nëntor 2017. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, për “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore” i publikuar me datën 22 Dhjetor 2017. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Punëve te Brendshme, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, Komuna e Prishtinës, Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik për, “Efikasiteti dhe efektiviteti në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor” i publikuar me datën 28 Dhjetor 2017.  
Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendje në rritjen e qëndrueshmërisë së masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit

Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendje në rritjen e qëndrueshmërisë së masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit

Nisur nga rritja e shqetësimit publik dhe veprimet e fundit të ndërmarra nga institucionet kompetente, e sjellim në vëmendjen e publikut dhe atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie publike që Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2016, ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Qëndrueshmëria e masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit”. Subjekt i auditimit tonë ishte qëndrueshmëria e zbatimit efektiv të masave të vendosura në dokumentin e Planit Kombëtar për Veprim në Mjedis dhe sfidat e implementimit të masave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me rolin udhëheqës që ka ajo në raport me objektivat e përcaktuara në këtë plan. Rekomandimi kryesor i dh?n? n? k?t? auditim dhe i cili duhej të përmbushej brenda një viti ishte: ‘Të rishikohen masat e përcaktuara në Planin Kombëtar për Veprim në Mjedis mbi një analizë reale, duke përcaktuar objektiva reale dhe të arritshme’. Lidhur me këtë Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, u bënë thirrje Institucioneve Përgjegjëse që t’i trajtojnë me prioritet rekomandimet të cilat rezultojnë nga auditimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e ajrit për të përmirësuar gjendjen aktuale. Po ashtu thekson se është shqetësues fakti që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si bartës kryesor i përgjegjësisë, nuk ka përgatitur planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna.  Kjo tregon për mungesën e vullnetit dhe përgjegjësisë institucionale që shqetësimet lidhur me mjedisin të adresohen me kohë. Duke e vlerësuar mjedisin e sigurt jetësor dhe mbrojtjen e tij si çështje vendimtare për shëndetin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit, Zyra Kombëtare e Auditimit, në të kaluarën ka kryer disa auditime të performancës ku ngritën çështje për tu adresuar me qëllim përmirësimin e mëtutjeshëm të situatës. Ndërsa, aktualisht, është pjesë e auditimit të përbashkët evropian “Cilësia e Ajrit” i iniciuar nga EUROSAI dhe i udhëhequr nga Institucioni Suprem i Auditimit i Holandës dhe Polonisë. Objektivë e këtij auidtimi është vlerësimi i masave të ndërmarra nga shtetet pjesëmarrëse për të adresuar problemin e ndotjes së ajrit. Me fokus do të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me kornizën legjislative, institucionale si dhe monitorimin, zbatimin dhe raportimin e gjendjes së cilësisë së ajrit. Raporti i Auditimit për Cilësinë e Ajrit pritet të publikohet së shpejti.
Sistemi Informativ Shëndetësor ballafaqohet me vështirësi gjatë zbatimit

Sistemi Informativ Shëndetësor ballafaqohet me vështirësi gjatë zbatimit

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot tregon se zbatimi i Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor në vend karakterizohet me vështirësi në koordinimin e aktiviteteve ndërmjet institucioneve të përfshira në zbatim. Raporti i Zyrës Kombëtare e Auditimit për “Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor” gjithashtu ka gjetur se procesi i menaxhimit të zbatimit të këtij sistemi karakterizohet me parregullsi. Mos planifikimi dhe mos koordinimi i aktiviteteve në nivelin e duhur nga Ministria e Shëndetësisë, vonesat në themelimin e mekanizmave koordinuese dhe monitorues ndër institucional, procedurat e tej zgjatura në procedurat e prokurimit për sigurimin e pjesës harduerike dhe softuerike, mungesat e mirëmbajtjes së sistemit, mungesa e kapaciteteve njerëzore, trajnimet jo efikase dhe të pa mjaftueshme për përdorim të sistemit, ngecjet në sigurimin me kohë të bazës së qendrës së të dhënave, vonesat në sigurimin e regjistrit civil të qytetarëve dhe një mori aktivitetesh të pa realizuara me kohë janë shkaktarët kryesor në funksionimin dhe zbatimin joefikas dhe joefektiv të këtij sistemi. Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, me rastin e publikimit të raportit ka nënvizuar se zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor në vend është brengosës, jo vetëm se ky sistem nuk është duke funksionuar në mënyrën e duhur, por situata është duke u përkeqësuar. Nëse nuk ndërmerren masat për përmirësimin e tij, ky sistem mund të de-funksionalizohet plotësisht. Përdorimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është vendimtar për shëndetësinë në vend dhe si i tillë duhet të ofroj shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët. Procesi i auditimit është zbatuar në Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë për Regjistrim Civil, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Spitalet Rajonale në Prizren, Pejë e Gjakovë dhe Komunën e Prishtinës. Raportin e plotë mund ta lexoni në www.zka-rks.org Ndërsa për informata shtesë ju mund të na kontaktoni në 038 60 60 04 10 12 ose 045 109 000  
Auditori i Përgjithshëm ka zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar

Auditori i Përgjithshëm ka zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar

Me 22 dhjetor 2017, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z.Besnik Osmani ka zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar. Qëllimi i vizitës ishte diskutimi i modaliteteve për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të auditorëve të performancës të Zyres Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z. Besnik Osmani i ka informuar bashkëbiseduesit me përpjekjet e vazhdueshme të tij dhe të Zyres Kombëtare të Auditimit për dizajnimin e një programi adekuat të edukimit dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale të auditorëve të performancës në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ai ka shprehur interesimin që të gjendet një model bashkëpunimi në mes të akademisë dhe institucionit suprem të auditimit në Kosovë me qëllim që të ndërtohet një skemë profesionale e përshtatshme për edukimin e auditorëve të performancës. Përfaqësues të kolegjeve të Universitetit të Kembrixhit, Dr. Steve Evans dhe Dr. Nazia Mintz Habib shfaqën gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë për të propozuar një zgjidhje adekuate dhe të qëndrueshme për zhvillimin profesional të stafit auditues të Zyres Kombëtare të Auditimit. ZKA ka zhvilluar tashmë takime edhe me partnerë të tjerë potencial për të përkrahur ngritjen e kapaciteteve profesionale të auditorëve të performancës, si Zyren Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, UNDP, UBT, etj. Ndërkaq aktualisht, Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë ofron përkrahje profesionale për stafin e ZKA-së të përfshirë në auditime të përformancës.    
Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Në datat 18 – 20 dhjetor 2017, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës kanë qëndruar për vizitë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në Stokholm. Gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takimeve të veçanta si dhe sesione punuese me qëllim të diskutimit të përbashkët për treguesit e ndryshimit dhe qasja e brendshme për menaxhimin e ndryshimit në institucion, planin strategjik dhe të auditimit të ZKA-së dhe planin e zbatimit të projektit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Delegacioni i Kosovës në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të kësaj vizite ka takuar edhe znj. Giedre Švediene, ish Auditore e Përgjithshme e Lituanisë, e ftuar nderi nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Duam të theksojmë se përveç bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy institucioneve, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë do të mbështesë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, përmes projektit tre vjeçar, në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për institucionet supreme të auditimit. Në mënyrë më specifike në fushat e: Auditimit të Performancës, Auditimit të rregullsisë (financiare dhe të Pajtueshmërisë), Lidership, Menaxhim të Burimeve Njerëzore, Komunikim dhe Planifikim Strategjik.
Komisioni për Buxhet dhe Financa shqyrton raportin e Auditimit për Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2016

Komisioni për Buxhet dhe Financa shqyrton raportin e Auditimit për Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2016

Sot, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa, përveç tjerash pikë e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i raportit financiar dhe raportit të auditimit për Autoritetin Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP) për vitin 2016. Prezent në takimin e komisionit nga Zyra Kombëtare e Auditimit ishte z. Valbon Bytyqi, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm, i cili ka prezantuar raportin dhe ka shpalosur informata më të detajuara të dala nga auditimi për këtë institucion për vitin financiar 2016, ndërsa nga ARKEP në komision ka raportuar kryetari i bordit, z. Kreshnik Gashi. Është e rëndësishme të theksohet se Komisioni për Buxhet dhe Financa ka marrë iniciativë që raportet financiare të Institucioneve të Pavarura që i raportojnë Kuvendit t’i shqyrtojë bashkë me raportet e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Ky është një hap me rëndësi në drejtim të rritjes së llogaridhënies dhe forcimin e kontrollit te këto institucione. Zyra Kombëtare e Auditimit e mbështet dhe është e gatshme të ofrojë ekspertizën e vet në këto takime sa herë që kjo kërkohet. Pas shqyrtimit, Komisioni ka përkrahur raportin dhe e ka proceduar tutje sipas rregullores së punës.
Prezantimi i çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit

Prezantimi i çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit

Sot, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka organizuar tryezën me përfaqësuesit e lartë të institucioneve publike të Republikës së Kosovës, ku janë prezantuar çështjet kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit. Hapjen e tryezës e ka bërë Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, ndërsa një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryeministri z. Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, z. Driton Selmanaj. Auditori i Përgjithshëm në fjalën e tij ka thënë se pas publikimit të raporteve tona në të cilat kemi prezantuar rezultatet e punës audituese dhe pas raportimit të rezultateve në Kuvendin e Kosovës, sot ato duam t’i ndajmë edhe me organizatat që kanë qenë subjekt i auditimit dhe t’i informojmë lidhur me punën e Auditorit të Përgjithshëm si institucion suprem i kontrollit ekonomik dhe financiar në përmbushjen e mandatit kushtetues. Ai shtoi se në tryezë ne do t’i prezantojmë çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare dhe auditimin e pajtueshmërisë me rregullat përkatëse për të cilat me keqardhje duhet të konstatojmë se kanë rezultuar me dobësi derisa auditimet e performancës si rishikim i vlerës për para të arritur nga përdorimi i burimeve kanë nevojë ende të përmirësohen. Rekomandimet nga puna e kryer nga auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë vendosur theksin në çështjet e rëndësishme që kanë të bëjmë me menaxhimin e pasurisë jofinanciare, menaxhimin e prokurimit publik, menaxhimin e llogarive të arkëtushme dhe të obligimeve. Këto rekomandime po zbatohen me ritëm të ngadaltë dhe si të tilla nuk sigurojnë qeverisje efektive dhe përdorim ekonomik të fondeve publike, theksoi Auditori Osmani. z. Osmani kërkoi nga Qeveria të zbatojë një proces sistematik për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga të gjitha organizatat buxhetore që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur, e njëjta shtoi ai, kërkohet të bëhet edhe nga institucionet tjera publike të Republikës së Kosovës. Nga ana e tij, Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke theksuar se Auditori i Përgjithshëm është një nga institucionet më kredibile të shtetit tonë, në parametra dhe në drejtim të duhur. Ai tha se e inkurajon edhe më tej për punë të mirë Zyrën Kombëtare të Audimit dhe u zotua se Qeveria e drejtuar nga ai do t’i merr seriozisht gjetjet dhe do t’i zbatojë rekomandimet e raporteve të Auditorit të Përgjithshëm. Kryeministri Haradinaj theksoi se raportet e auditimit paraqesin gjendjen reale të menaxhimit të financave publike në vendin tonë dhe u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të lartë shtetëror për një angazhim më të madh për të përmirësuar këtë gjendje. z. Driton Selmanaj, deputet dhe kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, tha se Zyra Kombëtare e Auditimit është një nga institucionet e rralla që Kosova mburret me të. Në fjalën e tij, z. Selmanaj ka vënë theksin në dy çështje që konsiderohen si shqetësuese për Komisionin të cilin përfaqëson: niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga institucionet publike dhe se pret nga Qeveria e Kosovës përkushtim më serioz në këtë aspekt, se Kuvendi i Kosovës pret nga Qeveria që ta sjellë sa më parë planin e veprimit dhe që të shfrytëzohen raportet e Auditorit të Përgjithshëm në përmirësimin e gjendjes në vend. Ndërkaq prezantimin e çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresin në zbatimin rekomandimeve nga raportet e auditimit e ka bërë z. Qerkin Morina, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm. Për vitin 2016, ZKA, ka nxjerrë 106 raporte të auditimit, prej të cilave 92 auditime të rregullsisë të organizatave buxhetore, 4  auditime të ndërmarrjeve publike, 2 auditime të projekteve të donatorëve, dhe 7 auditime të performancës – që kanë të bëjnë me projektet dhe programet, me theks të veçantë ekonominë, efikasitetin dhe efektivitetin në përdorimin e burimeve si dhe Raporti Vjetor i Auditimit për buxhetin e shtetit. Nga to kanë dalë 24 opinione të pamodifikuara, 58 opinione të pamodifikuara me theksim të çështjes, 5 opinione të kualifikuara, 7 opinione të kualifikuara me theksim të çështjes dhe 2 opinione të kundërta. Në përqindje 85% opinione të pamodifikuara (pozitive) dhe 15% opinione të modifikuara (negative). Pjesa e dytë e tryezës ka vazhduar me diskutime në panel e moderuar nga z. Ilir Salihu, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm. Anëtarë të panelit ishin: z. Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike, z. Fatmir Gashi, Zëvendësministër i Financave, z. Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe z. Isuf Zejna, përfaqësues i shoqërisë civile nga organizta D+ si. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe një numër i konsiderueshëm i kryetarëve të komunave, sekretarë të përgjithshëm të ministrive të ndryshme, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare në Kosovë, shoqërisë civile dhe mediave.  
Ftesë për media

Ftesë për media

Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të përcjellni punimet e Tryezës me temën “Prezantimi i çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit” që do të mbahet të premten, më 8 dhjetor 2017, nga ora 10:00 – 12:00, në sallën P-38, Ndërtesa e Qeverisë. Zyra Kombëtare e Auditimit përmes auditimit të jashtëm mbështet Kuvendin e Republikës së Kosovës të forcojë zinxhirin llogaridhënës në institucionet publike dhe ndihmon ato të zhvillojnë mekanizma më të mira të kontrollit dhe menaxhimit të mirë të financave publike. Diskutimet në këtë forum janë me interes të lartë për promovimin e qeverisjes së mirë dhe rritjes së transparencës në institucionet publike, ndërsa roli i mediave  është i një rëndësie të veçantë dhe i patjetërsueshëm.   Në hapje të punimeve të tryezës, një fjalë rasti do të mbaj Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ndërsa në diskutimet në panel do të marrin pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale, përfaqësues të shoqërisë civile, etj. Për çdo informatë shtesë, mund të na kontaktoni në numrat e mëposhtëm. +381 38 60 60 04 10 07 +381 38 60 60 04 10 12   PROGRAMI 09:30 - 09:55 Regjistrimi i pjesëmarrësve 10:00 -10:20    Fjalët hyrëse
  • z. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm
  • z. Ramush Haradinaj,  Kryeministër i Republikës së Kosovës
  • z. Driton Selmanaj, Kryetar i KMFP, Kuvendi i Republikës së Kosovës
  10:20 – 11:00 Prezantimi i çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin rekomandimeve nga raportet e auditimit.
  • Qerkin Morina, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm
  11:00 – 12:00 Diskutim në panel: Moderator,  Ilir Salihu, Zv. Auditor i Përgjithshëm
  • z. Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike
  • z. Fatmir Gashi, Zv. Ministër i Financave
  • z. Naim Ismajli, kryetar, Asociacioni i Komunave të Kosovës (tbc)
  • z. Faton Topalli, ish Kryetar dhe anëtar aktual i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave
  Publike (tbc)
  • z. Isuf Zejna, D+ , Shoqëria Civile
 
Financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror

Financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror

Nën organizimin e Kuvendit të Kosovës dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), me datë 1 dhjetor 2017 është mbajtur Konferencë me përfaqësuesit e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrjen e Financave Publike me temë financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror. Të ftuar në këtë Konferencë ishin edhe Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani dhe përfaqësues të ZKA-së, si dhe akterë tjerë vendor dhe ndërkombëtar në fushën e financave publike. Me këtë rast, Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka mbajtur një fjalë të shkurtër për rëndësinë e auditimit publik dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për kompetencat e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe komunikimin efektiv me Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Vlora Mehmeti, Ndihmës Auditore e Përgjithshme, ka bërë një prezantim më të detajuar. “Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimit të jashtëm të institucioneve publike kontrollon nëse paraja publike po shpenzohet mirë dhe ka mekanizma të mjaftueshëm të kontrollit, përmes kësaj i ndihmon Kuvendit të mbajë llogaridhënës Qeverinë dhe institucionet publike për mënyrën se si ata i shpenzojnë paratë publike, si dhe i ndihmon atyre që janë të ngarkuar me ofrimin e shërbimeve publike të përmirësojnë performancen e tyre në dhënien e shërbimeve në nivel qendror dhe lokal” - ka thënë znj. Mehmeti në prezantimin e saj. Znj. Mehmeti ka theksuar rëndësinë e shqyrtimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe jo vetëm nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike por edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, me theks, marrja në konsideratë e të dhënave nga raportet e auditimit në procesin e hartimit të Ligjit të Buxhetit dhe gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të punës së Institucioneve të Pavarura.  Si rezultat i kësaj , z. Abdixhiku Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa ftoi Auditorin e Përgjithshëm z. Osmanin që të merr pjesë në takimet e këtij komisioni për çështjet të cilat mund të rrisin efektivitetin e punës së këtij komisioni.
Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore

Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore

Zyra e Kombëtare e Auditimit  ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore”. Përmes këtij auditimi, ne kemi vlerësuar procesin e menaxhimit të lëndëve gjyqësore nga ana e Gjykatave Themelore si dhe punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në monitorimin e progresit të këtyre Gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve. Procesi i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore në Kosovë nuk është efikas, dhe ky raport auditimi përmban informata mjaft të rëndësishme dhe me interes për tu shqyrtuar, si për subjektet e audituara, për Kuvendin, qytetarët dhe palët tjera të interesit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar parregullsi dhe ka nxjerrë  konkluzione përmes të cilave synon që të vihen në pah çështje me rëndësi për tu adresuar. Gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura, si dhe numri i përgjithshëm i lëndëve civile përveç që nuk është reduktuar, është vazhdimisht në rritje. Si rezultat i numrit të madh të lëndëve civile nëpër Gjykata Themelore, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata për të iu shqyrtuar e finalizuar lënda. Njëkohësisht, fakti që trendi i lëndëve që mbeten të pazgjidhura nga viti në vit është vazhdimisht në rritje është shqetësues, dhe nëse nuk ndërmerren masa për ta përmirësuar këtë gjendje atëherë gjyqësori mund të shkojë drejt kolapsit. Procesi i menaxhimit të lëndëve civile është karakterizuar me parregullsi të shumta në të gjitha fazat e tij. Procedurat aktuale të vendosura në  Gjykatat Themelore për të shpërndarë lëndët civile tek gjyqtarët nuk janë uniforme, dhe në të tre Gjykatat e audituara , secila nga procedurat e aplikuara është karakterizuar me parregullsitë e veta. Këto parregullsi janë evidente qysh nga faza fillestare e shpërndarjes së lëndëve civile tek gjyqtarët, kompletimi dhe precizimi i kërkesë padive, menaxhimi jo adekuat i grumbullit të lëndëve nga sekretarët juridik, shtyrjet e vazhdueshme të seancave gjyqësore, vonesat në shqyrtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit si dhe norma e lartë e lëndëve që kthehen në ri-gjykim në Gjykatat Themelore. Po ashtu, mangësi kishte edhe në praktikat që vet gjyqtarët aplikojnë për të balancuar llojet e ndryshme të lëndëve civile të cilat i marrin në shqyrtim. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është treguar efikas për të monitoruar në mënyrë të duhur progresin e arritur nëpër Gjykata. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka krijuar mekanizma të përgjithësuar të cilat nuk i ofrojnë mbështetje të mjaftueshme Gjykatave Themelore në menaxhimin e lëndëve. Kjo nënkupton që mekanizmat e përgjithësuar të krijuar nga Këshilli vështirësojnë monitorimin e progresit të arritur në Gjykata për të reduktuar numrin e lëndëve gjyqësore, si dhe nuk janë mjete të duhura për Gjykatat për të adresuar parregullsitë që hasin gjatë menaxhimit me lëndë gjyqësore. Pushteti gjyqësor konsiderohet si pushteti i tretë shtetëror. Gjyqësori sipas kushtetutës, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe të sigurojë qasje të barabartë të qytetarëve në gjykata. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton në mënyrë shumë të qartë se çdo individ ka të drejtë që çështja e tij/saj të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj. Prandaj, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Gjykatat Themelore dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, implementojnë praktika efikase dhe të bazuara në mekanizma të qëndrueshëm e funksional të menaxhimit të lëndëve në Gjykata dhe ofrojnë shërbimet e duhura për qytetarët. Raportin e plotë mund ta lexoni në: www.zka-rks.org
Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillon vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillon vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Në datat 8 dhe 9 nëntor 2017 një grup prej 12 auditorësh të Kontrollit të Lartë të Shqipërisë, kanë zhvilluar vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Vizita është zhvilluar në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dyja institucioneve dhe për qëllim kishte njohjen më për së afërmi me bazën ligjore dhe funksionimin e ZKA-së, marrëdhëniet me Parlamentin si dhe mënyrën dhe praktikat e auditimit që nga faza e planifikimit e deri te zbatimi i rekomandimeve. Gjatë kësaj vizite janë mbajtur takime ku  pjesëmarrësit nga të dyja institucionet kanë zhvilluar diskutime interaktive mbi bazën e argumenteve profesionale duke  shpalosur shembuj dhe praktika konkrete të hasura gjatë punës audituese.
Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale” Përmes këtij auditimi ne kemi vlerësuar mënyrën e funksionimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) në përgjithësi dhe me fokus të veçantë në procedura dhe kontrolle për të konstatuar nëse sistemi prodhon të dhëna  të sakta, pra kemi vlerësuar aktivitetet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të gjashtë komunave të ndryshme për nga madhësia dhe përbërja etnike (Pejë, Ferizaj, Obiliq, Graçanicë, Junik dhe Mamushë) lidhur me krijimin e parakushteve për funksionimin e duhur të SMPK-së. Që nga viti 2009 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar zbatimin e SMPK-së i cili ka adresuar performancën e komunave nga fushat e kompetencave vetanake të Komunave. Matja e performancës së komunave ka për qëllim që vetë komunat, MAPL, qytetarët dhe të gjitha palët e interesit ta kuptojnë se deri në çfarë shkallë komunat kanë arritur të ofrojnë shërbime në kohën dhe cilësinë e duhur, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Ne kemi konstatuar se Komunat kanë vështirësi në aplikimin e procedurave dhe kontrolleve të parapara me sistem. Në Komunat  e audituara procedura e mbledhjes së të dhënave nuk ishte e duhur dhe kontrolli nga koordinatori komunal nuk kishte qenë efektiv. Të gjeturat tregojnë se probleme ka në mënyrën e mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave. Gjithashtu  ka probleme lidhur me sigurimin e qasjes në të dhëna nga njësitë komunale. Si rrjedhojë e kësaj vetëm 51% e të dhënave të raportuara ishin mbështetur në dokumente ndërsa 32% e të dhënave të raportuara nuk ishin mbështetur në dokumente të fushave përkatëse. Pjesa tjetër e të dhënave nuk ishte raportuar saktë ose nuk ishte raportuar fare. Ne kemi rekomanduar që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sa më parë të miratojë rregulloren e rishikuar për SMPK-në  dhe të hartojë një procedurë për menaxhim të ndryshimeve të sistemit e cila do të specifikojë qartë se kush është përgjegjës për inicimin, zhvillimin, aprovimin dhe zbatimin e ndryshimeve në sistem. Kjo për të evituar mangësitë që mund të lindin nga ndryshimet e mundshme të ardhme të sistemit. Ndërsa Kryetarëve të komunave u rekomandojmë që t’ua komunikojë të gjitha njësive organizative të komunës obligimin që ka Komuna lidhur me procesin e raportimit për Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale në mënyrë që të jenë të përgatitura për të ofruar të dhënat e kërkuara. Po ashtu, i rekomandojmë që të sigurojnë bashkëpunim të ngushtë mes zyrtarëve përgjegjës për raportim dhe drejtorive komunale si dhe të sigurohet se koordinatori komunal dhe zyrtarët përgjegjës për raportim i kanë kuptuar drejtë  procedurat e  mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave si dhe të njëjtat i kanë ushtruar. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org