Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit shkëmbejnë përvojat në auditimin e sektorit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit shkëmbejnë përvojat në auditimin e sektorit publik

Në datat 22-23 nëntor, një grup auditorësh nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë zhvilluar vizitë studimore në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës dy ditore  janë zhvilluar punime me fokus në metodologjinë e auditimit, manualin e auditimit të TI-së, udhëzime dhe praktika në zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimit financiar në auditim.  Poashtu, janë shkëmbyer përvoja në auditimin e shoqërive publike dhe investimet e huaja, zhvillimi profesional si dhe rëndësia e sistemeve të kontrolleve të brendshme. Në fillim të këtij muaji, auditorët e KLSh-së, vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit, me c’rast shkëmbyen përvojat, praktikat dhe sfidat e auditimit në këto institucione. Këto vizita u zhvilluan në kuadër të  Marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Marrëveshjet e tilla, ofrojnë mundësi që të shkëmbehen pikëpamjet, metodat dhe përvojat e punës me vendet e tjera me qëllim të ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale në fusha të ndryshme.
Kërkohet përkushtim më i madh nga udhëheqja komunale e Prizrenit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

Kërkohet përkushtim më i madh nga udhëheqja komunale e Prizrenit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

Sot në Kuvendin Komunal në Prizren është mbajtur debati rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga komuna e Prizrenit, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z.Ilir Salihu, këshilltarët komunal të Prizrenit dhe qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile nga komuna e Prizrenit. Qëllimi i debatit ishte diskutimi i gjetjeve të prezantuara në raportin e auditimit për këtë komunë, si dhe vlerësimi se sa është duke i zbatuar Komuna e Prizrenit rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm. Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, tha se gjetjet e auditimit i kanë ndihmuar kësaj komune sidomos në menaxhimin dhe planifikimin e buxhetit. Ai shtoi se komuna e Prizrenit ka rritur angazhimin dhe ka ndërmarrë masa konkrete për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të auditimit. Zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z.Ilir Salihu ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimin më të mirë të parasë publike. Ai ka shtuar që është me interes të posaçëm për komunën e Prizrenit që të shmangen keqklasifikimet në pasqyrat financiare, të punohet në verifikimin, vlerësimin dhe regjistrimin e pasurisë komunale dhe të adresohet çështja e inkasimit të borgjeve ndaj komunës si dhe pagesës së obligimeve të papaguara të cilat kanë shënuar rritje gjatë vitit 2017. Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit të jashtëm për katër vitet e fundit për Komunën e Prizrenit, të cilën e ka prezantuar z. Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”. Debati rreth zbatimit të rekomandimeve të auditimit do të vazhdoj javën që vjen në Komunën e Gjilanit.
Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrton dy raporte të auditimit të kryera nga ZKA

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrton dy raporte të auditimit të kryera nga ZKA

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare  për vitin 2017 të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Kosovës - Trainkos Sh.a si dhe raportin e auditimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, këtë javë ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka shqyrtuar raportin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare për vitin 2017, për Ndërmarrjen Publike Hekurudhat e Kosovës - Trainkos Sh.a. Sipas raportit, pasqyrat vjetore financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale, ndërsa mangësitë kryesore të identifikuara në këtë raport kanë të bëjnë me, pranimin e punëtorëve në punë si dhe borxhet e mëdha të kësaj ndërmarrje. Në këtë takim është kërkuar nga “Trainkos” që të përgatisin raportet e pasqyrave financiare sipas standardeve ndërkombëtare. Gjithashtu, është vlerësuar përparimi që ka bërë kjo ndërmarrje në adresimin e rekomandimeve. Pas debatit dhe diskutimeve nga ana e deputetëve, komisioni u darkodua që rekomandimet t'i adresohen Bordit drejtues dhe Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje. Në vijim te mbledhjes,  u  shqyrtuan dhe më pas u miratuan  rekomandimet nga raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2017, të diskutuara në mbledhjen paraprake të komisionit dhe u vendos që ky raport të adresohet për shqyrtim në seancë plenare, se bashku me rekomandimet e komisionit. Diskutimet  e raporteve të auditimit në komisionet parlamentare, në veçanti  të Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, kanë për qëllim rritjen e llogaridhënies në sektorin publik. Raportet e Zyrës Kombëtare te Auditimit, promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.  
Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon qeverisjen lokale dhe qendrore në menaxhimin më të mirë të parasë publike

Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon qeverisjen lokale dhe qendrore në menaxhimin më të mirë të parasë publike

Sot, në ambientet e Kuvendit Komunal në Pejë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga Komuna e Pejës. Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z.Ilir Salihu, këshilltarët komunal të Pejës, dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga komuna e Pejës. Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Ilir Salihu, ka përgëzuar BIRN-in për organizimin e një takimi të tillë dhe ka theksuar se zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon qeverisjen lokale dhe qendrore që të marrin vendimet e duhura. Z. Salihu shtoi se roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është t’i shërbejë qytetarit të Kosovës, duke e rritur transparencës për mënyrën se si janë menaxhuar financat publike dhe duke këshilluar Kuvendin se si ta mbajë llogaridhënëse Qeverinë. Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, ka thënë se komuna e tij ka bërë progres të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të auditimit të viteve paraprake dhe ka shprehur përkushtimin e tij që gjendja do të jetë edhe më e mirë me zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e fundit të auditimit. Ai tha se një tregues i rëndësishëm që e dëshmon këtë progres janë vlerësimet që janë bërë nga donatorët e ndryshëm të cilët kanë vlerësuar qeverisjen e komunës në shumë indikatorë që ndërlidhen me rekomandimet e auditimit dhe si rezultat i kësaj pëerformance komuna e Pejës ka përfituar grante shtesë. Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit të jashtëm për katër vitet e fundit për Komunën e Pejës, të cilën e ka prezantuar z. Visar Prebreza, redaktor i Gazetës “Jeta në Kosovë”. Ai ka theksuar se qëllimi i anlizës është që të shihet trendi se nga po shkon procesi dhe në çfarë mase po zbatohen rekomandimet e auditimit. Debati rreth zbatimit të rekomandimeve të auditimit do të vazhdoj ditëve në vijim edhe në komunat tjera të Kosovës.
Auditorët e jashtëm të Shqipërisë shkëmbejnë përvojat me auditorët e Kosovës

Auditorët e jashtëm të Shqipërisë shkëmbejnë përvojat me auditorët e Kosovës

Në datat 8 dhe 9 nëntor 2018, një grup auditorësh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të Shqipërisë zhvilluan vizitë studimore në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Kjo vizitë ishte paraparë me programin e aktiviteteve të përbashkëta mbi bazën e Marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. Gjatë dy ditëve janë zhvilluar punime me karakter të analizimit të zbatimit të standardeve të auditimit publik dhe praktikave të mira evropiane në nivel teknik dhe praktik, nga të dyja institucionet. Po ashtu janë shkëmbyer përvojat në lidhje me procesin e planifikimit strategjik si dhe për qasjen dhe sfidat në procesin e auditimit të ndërmarrjeve publike.  
Institucioneve Publike u mungojnë strategjitë, politikat dhe procedurat për sistemet e teknologjisë informative

Institucioneve Publike u mungojnë strategjitë, politikat dhe procedurat për sistemet e teknologjisë informative

Mungesa e tyre rrezikon mos arritjen e objektivave të organizatës buxhetore si dhe mund të rrezikoj sigurinë e informacionit zyrtar. Me qëllim të vlerësimit të sistemeve informative në nivel lokal dhe qendror, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer një analizë me karakter hulumtues për të vlerësuar nëse organizatat buxhetore kanë përgatitur politikat dhe procedurat e brendshme të Teknologjisë Informative (TI-së), kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore si dhe nëse sistemet informative janë të sigurta. Kjo analizë tregon se organizatat buxhetore si të nivelit qendror, ashtu edhe ato të nivelit lokal kanë mangësi të theksuar në qeverisjen e  teknologjisë informative. Rreth 70% e organizatave buxhetore kanë mungesë  të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë informative, strukturë jo të përshtatshme organizative të departamentit të Teknologjisë Informative, ndërsa është vlerësuar se vetëm 27% e tyre shfrytëzojnë sistemet informative qendrore. Mangësi të shumta janë vërejtur edhe në sigurinë e aplikacioneve dhe të dhënave që ato përmbajnë. Këto sisteme kanë kontrolle të dobëta, mungojnë  kapacitetet profesionale, si dhe ka mungesë të trajnimeve. Mos përdorimi dhe menaxhimi jo i duhur i shërbimeve të TI-së njëkohësisht sjellë rreziqe dhe cenueshmëri për të dhënat që përpunohen. Menaxhmenti e organizatave buxhetore duhet të ofroj përkrahje për t’u siguruar që Sistemet e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese janë të besueshme, të sigurta dhe të paprekshme ndaj sulmeve kompjuterike dhe të sigurohen që sistemet e TI-së ruajnë konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë e të dhënave. Për më shumë kjo analizë mund t’i shërbejë Qeverisë përkatësisht Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Financave dhe palëve tjera të interesit si informacion i pavarur lidhur me gjendjen ekzistuese të sistemeve të TI-së në vend. Raportin e plotë mund ta lexoni në www.zka-rks.org
Gjykata Evropiane e Auditimit e përgëzon Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në përvjetorin e saj të 15-të

Gjykata Evropiane e Auditimit e përgëzon Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës në përvjetorin e saj të 15-të

Në numrin e tetorit të gazetës mujore të Gjykatës Evropiane të Auditorëve, është publikuar shkrimi lidhur me konferencën tematike me karakter ndërkombëtar “Roli dhe ndikimi i Institucioneve Supreme të Auditimit në rikthimin e besimit të publikut në sektorin publik” të mbajtur në Prishtinë me 4 tetor 2018, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 15-të vjetorit të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Z. Rimantas Šadžius, Anëtarë i Gjykatës Evropiane të Auditimit për Marrëdhënie Institucionale, pjesëmarrës dhe folësi kryesor në konferencë, në fjalën e tij lidhur me temën ka nënvizuar çështje të rëndësishme nga strategjia e GJEA dhe se si ajo kontribuon në nxitjen e besimit në institucionet e BE-së. Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu, ndërsa numrin e tetorit të gazetës së GJEA e gjeni në këtë vegzë.  
Pacientët nuk po i marrin shërbimet shëndetësore me kohë

Pacientët nuk po i marrin shërbimet shëndetësore me kohë

Mosfunksionimi i pajisjeve mjekësore ka rezultuar me kohë të gjatë pritjeje për pacientët që kanë nevojë për trajtim. Pritjet për pacientë jo-spitalor për Rezonancë Magnetike shkojnë deri në një vit, ndërsa për Tomografinë e Kompjuterizuar, pritjet janë mesatarisht 30-45 ditë. Duke pasur parasysh ndikimin e madh që ka funksionimi dhe menaxhimi i pajisjeve mjekësore në kujdesin shëndetësor, përkatësisht në jetën e qytetarëve, ZKA ka ndërmarrë një auditim të performancës për përcjelljen e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit ”Përgjegjësia e monitorimit dhe menaxhimit në përdorimin e pajisjeve mjekësore. Rasti: Tomografia e Kompjuterizuar” i kryer në vitin 2015. Auditimi përcjellës nxjerr në pah se asnjë nga rekomandimet e dhëna në vitin 2015 nuk janë adresuar plotësisht. Institucionet përgjegjëse si Ministria e Shëndetësisë, Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës, Qendra Klinike Universitare dhe Spitalet e Përgjithshme në Pejë, Prizren dhe Mitrovicë, nuk kishin përgatitur plane veprimi, duke treguar mungesë të përgjegjësisë për të përmirësuar situatën për menaxhimin e pajisjeve mjekësore  dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm lidhur me këtë auditim ka deklaruar: “Ofrimi i shërbimeve me kohë dhe kujdesi shëndetësor ka ndikim të madh në cilësinë jetës dhe shëndetin e qytetarëve. Për një sistem shëndetësor funksional, teknologjitë shëndetësore janë thelbësore. Pajisjet mjekësore duhet të menaxhohen dhe monitorohen mirë, sepse luajnë rol vendimtar në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, si dhe rehabilitimin e pacientëve”. Vlera e pajisjeve speciale mjekësore në ShSKUK vlerësohet të jetë rreth 8 milion €, ndërsa shpenzimet për mirëmbajtje dhe servisim për vitet 2016 – 2017 janë rreth 4 milion €. Në mungesë të monitorimit dhe mirëmbajtjes me kohë, ka pasur raste kur disa pajisje ishin jashtë funksionit deri në gjashtë muaj gjatë vitit. Për më tepër, në disa raste kur Tomografitë e Kompjuterizuara (TK) kanë funksionuar jashtë parametrave të rekomanduar nga prodhuesi, duke rrezikuar kështu profesionalizmin e stafit mjekësor. Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se veprimet e deritanishme nuk janë të mjaftueshme, prandaj, në rekomandimet e dhëna për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka kërkuar që të intensifikojnë përpjekjet për adresimin e plotë të rekomandimeve.   Raportin e plotë mund ta lexoni në  www.zka-rks.org
Thellohet bashkëpunimi me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë

Thellohet bashkëpunimi me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës i udhëhequr nga Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka zhvilluar vizitë në Zyrën Shtetërore të Auditimit të Maqedonisë me ku janë pritur nga z. Naser Ademi, Ud. i Auditorit të Përgjithshëm dhe zyrtarë tjerë të lartë të këtij institucioni. Gjatë takimit është biseduar për progresin dhe zhvillimet në të dyja institucionet supreme të auditimit si dhe çështje me interes të përbashkët si metodologjia e auditimit, auditimet e TI-se dhe automatizimi i procesit te auditimit, auditimi i ndermarrjeve publike etj.  Gjithashtu u vlerësua se bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve ka rezultuar me aktivitete konkrete dhe komunikim pro aktiv dhe se ky bashkëpunim duhet promovuar edhe më tutje. Bashkë me Auditorin e Përgjithshëm në vizitë ishin edhe Z. Ilir Salihu, Zv. Auditor i Përgjithshëm dhe z. Naser Arllati, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm.
Fondet e donatorëve auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Fondet e donatorëve auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Organizatat ndërkombëtare financiare dhe donatorët rrisin kërkesat që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë fondet e tyre dhënë institucioneve publike në Kosovë.  Përkrahja  financiare nga jashtë përmes programeve të veçanta, mbetet një burim i rëndësishëm për realizimin e prioriteteve zhvillimore të Programit të Qeverisë në Kosovë. Zyra Kombëtare e Auditimit, duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre fondeve dhe ndikimin që kanë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe në bazë të kërkesës së donatorëve, në vitin 2017 ka kryer auditimin financiar të shtatë projekteve të tilla. Auditimet mbulojnë programet e fondeve të dhëna nga Banka Botërore përmes Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim si dhe fondet e dhëna nga Qeveria e Suedisë përmes Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Shuma e realizuar nga këto fonde në vitin 2017 kap vlerën  rreth 6,124,789€. Fondet janë të dedikuara për zhvillim në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa përgjegjëse për zbatimin  e tyre janë: Zyra e Kryeministrit; Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria e Zhvillimit Ekonomik; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencia Kadastrale. Zyra Kombëtare e Auditimit në sezonin auditues 2018/2019, do të auditojë pasqyrat financiare vjetore për vitin 2018 për shtatë projekte tjera të fondeve nga donatorët, si dhe një auditim i performancës për një projekt të veçantë. Auditimet e pasqyrave financiare për qëllime të veçanta kryhen në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Për kryerjen e këtyre auditimeve merret parasysh pajtueshmëria me kërkesat për raportim financiar si dhe cilësia dhe saktësia e informacionit të prezantuar në pasqyra financiare vjetore. Këto auditime  rrisin besimin tek donatorët lidhur me menaxhimin e fondeve të dhëna dhe sigurojnë transparencë për qytetarët në realizimin e projekteve. Raportet për projekte të veçanta dhe të gjitha raportet e tjera të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen tonë të internetit: www.zka-rks.org
Zyra Kombëtare e Auditimit zgjeron mbulueshmërinë dhe rrit numrin e auditimieve

Zyra Kombëtare e Auditimit zgjeron mbulueshmërinë dhe rrit numrin e auditimieve

Katër ndërmarrje publike dhe dy organizata të reja buxhetore do të auditohen për herë të parë këtë vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit Auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit kanë filluar punën për realizimin e planit vjetor të auditimit për sezonin 2018/2019. Në këtë plan janë përfshirë të gjitha auditimet e detyrueshme të rregullsisë si dhe është rritur numri i auditimeve të ndërmarrjeve publike dhe auditime të performancës. Këtë vit, për herë të parë auditohen Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, KRM Pastrimi, Llotaria e Kosovës si dhe dy organizata të reja buxhetore, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal. Poashtu, është zgjeruar mbulueshmëria dhe është rritur numri i auditimeve të performancës që përfshinë tema nga fusha të rëndësishme si ekonomia, shëndetësia, arsimi, investimet publike dhe mjedisi. Auditimet do të realizohen në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (“SNISA”), duke u bazuar në vlerat univerzale të ISA-ve dhe të ZKA-së si: pavarësia, profesionalizmi, integriteti dhe transparenca. Zyra Kombëtare e Auditimit  është e dedikuar të ofroj informacion cilësor mbi përdorimin e fondeve publike, përmes raporteve të auditimit. Raportet përmbajnë rekomandime për adresimin e dobësive të identifikuara. Rezultatet kanë për qëllim të rrisin besueshmërinë në shpenzimin e fondeve publike. Të gjitha raportet e ZKA-së janë të qasshme për publikun dhe mund t’i gjeni në faqen tonë të internetit, www.zka-rks.org
Deputetët e Kuvendit të Kosovës vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marr informatat dhe sqarimet  e nevojshme nga Zyra Kombëtare e Auditimit për auditimin e Buxhetit të Shtetit. Në  ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit është mbajtur një punëtori e përbashkët me anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP) dhe të Komisionit për Buxhet dhe Financa (KBF) të Kuvendit të Kosovës, ku është prezantuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin financiar 2017. Kjo punëtori është organizuar nga Komisioni parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike me përkrahjen e GIZ - Projekti për Reformën e Financave Publike në Kosovë dhe ka synuar që deputetëve t’u ofrohen sqarimet e nevojshme lidhur me rezultatet përfundimtare të auditimit të Buxhetit të Shtetit për vitin financiar 2017. Auditorët e angazhuar në auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Qeverisë për vitin 2017, kanë prezantuar në mënyrë të detajuar të gjitha gjetjet dhe rekomandimet që kanë rezultuar nga veprimtaria audituese dhe që synojnë përmirësimin e menaxhimit të financave publike në Kosovë. Z. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), dhe znj. Safete Hadërgjonaj, në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë vlerësuar rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ata njëkohësisht kanë prezantuar kërkesat e deputetëve të këtyre komisioneve për sqarime shtesë për auditimin në fushën e menaxhimit të borxhit publik dhe aktiviteteve koncesionare. Gjithashtu, kanë cilësuar punën e ZKA-së si profesionale dhe të besueshme. Për detajet e përmbajtjes së Raportit Vjetor të Auditimit vizitoni uebfaqen e Zyres Kombëtare të Auditimit: http://www.zka-rks.org/wp-content/uploads/2018/09/RVA-2017_Shqip.pdf