Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i praktikave të auditimit në komuna”

Përfaqësuesit e ZKA-së morën pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i praktikave të auditimit në komuna”

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme Emine Fazliu e shoqëruar nga drejtorët e Departamentit të  Auditimit Faruk Rrahmani dhe Zukë Zuka kanë marrë pjesë në punëtorinë “Përmirësimi i praktikave të auditimit në komuna” të organizuar nga OSBE-ja me datat 16,18 dhe 23 nëntor 2021. Të pranishëm në këto punëtori ishin zyrtarët kryesor financiar dhe auditorët e brendshëm të komunave si dhe përfaqësues nga Ministria e  Administrimit të Pushtetit Lokal, ku janë diskutuar sfidat më të cilat ballafaqohen komunat në zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga ZKA si dhe sfidat tjera. Punëtoritë janë zhvilluar në regjionin e Prishtinës, Gjilanit dhe Pejës, ku znj. Emine Fazliu ka prezantuar çështjet kryesore të paraqitura në raportet individuale të vitit 2020 për komunat siç janë opinioni i auditimit, konkluzioni për pajtueshmëri; theksimi i çështjes; implementimi i rekomandimeve, sfidat buxhetore, sfidat në proceset e të hyrave, sfidat në proceset e shpenzimeve; llogaritë e pagueshme, detyrimet kontigjente, llogaritë e arkëtueshme, menaxhimi i pasurive, shpenzimet për Covid – 19 si dhe çështjet e tjera. Shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e komunave rreth zbatimit të rekomandimeve ishin kryesisht te keq-klasifikimi i shpenzimeve bazuar në pagesat direkte nga Thesari (vendimet gjyqësore/përmbarimore) që ndërlidhen me kontratën kolektive respektivisht pagat jubilare, shujtat, shpenzimet e rrugës etj; si dhe mosfunksionimi i sistemit e-pasuria. Gjithashtu, në këto punëtori nga pjesëmarrësit është vlerësuar lartë puna dhe bashkëpunimin profesional i auditorëve të ZKA-së, me ç’ rast janë zotuar se në të ardhmen do të japin më shumë kontribut për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Auditorja e Përgjithshme i ka dërguar telegram ngushëllimi ambasadores të Maqedonisë së Veriut në Kosovë

Auditorja e Përgjithshme i ka dërguar telegram ngushëllimi ambasadores të Maqedonisë së Veriut në Kosovë

Pas aksidentit tragjik që ndodhi në Bullgari ku humben jetën 46 qytetarë shumica prej të cilëve shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca i ka dërguar telegram ngushëllimi Ambasadores së Maqedonisë së Veriut në Kosovë Shpresa Jusufi. Nëpërmjet këtij telegrami znj. Spanca ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë popullin e Republikës së Maqedonisë së Veriu, duke thënë se kjo ngjarje e rendë i ka tronditur të gjithë. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për aksidentin tragjik që ndodhi mëngjesin e së martës në Bullgari, ku humben jetën 46 qytetarë, shumica prej të cilëve shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje e rëndë na ka tronditur të gjithëve. Në emrin tim dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës pranoni ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë popullin e Republikës së Maqedonisë së Veriu”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të Auditores së Përgjithshme Vlora Spanca dërguar Ambasadores së Maqedonisë së Veriut në Kosovë Shpresa Jusufi.
Kuvendi i Kosovës shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Kuvendi i Kosovës shqyrtoi Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2020

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka prezantuar të hënën para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2020, i cili përmban rezultatet kryesore të punës audituese përfshirë opinionin, gjetjet si dhe rekomandimet e ZKA-së. Znj. Spanca ka bërë me dije se fokusi kryesor i procesit të auditimit ka qenë në vlerësimet për cilësinë e raportimit financiar; pajtueshmërinë e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret; efektivitetin e sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor, përfshirë edhe kontrollet e sigurisë së informacionit dhe kontrollet aplikative të Sistemit Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës; si dhe në zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Tutje Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka thënë se konkluzioni i përgjithshëm është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse. Bazuar në rezultatet e auditimit, Spanca ka theksuar se gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike - ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze. Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura. Para deputetëve znj. Spanca ka treguar se Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2020 është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për vitin 2020 dhe i 126 raporteve individuale, nga të cilat: 90 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore; 12 auditime të ndërmarrjeve publike; 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe 11 auditime të performancës. Duke prezantuar rezultatet e RVA 2020 Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka treguar se në raportet e auditimit për organizatat buxhetore ZKA-ja ka thënë 63 opinione të pamodifikuara dhe 27 të kualifikuara. Kurse për ndërmarrjet publike janë dhënë 2 opinione të pamodifikuara, 2 të kualifikuara dhe 8 opinione të kundërta. Ndërsa, për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar. Ndërkaq sa i përket rekomandimeve znj. Spanca ka bërë me dije se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 janë dhënë 654 rekomandime. Ndërsa nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018.Fjalimi i plotë i Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës: I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Konjufca, të nderuar deputetë, I nderuar Kryeministër z. Kurti, të nderuar ministra, Të nderuar të pranishëm, Kam kënaqësinë të prezantoj para jush Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të shtetit, për vitin fiskal 2020. Meqë ky është adresimi im i parë si Auditore e Përgjithshme - e sapoemëruar nga Kuvendi - shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj për besimin që më keni dhënë, dhe zotohem se do të punoj me shumë përkushtim në forcimin e mëtejshëm të rolit dhe ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në rritjen e llogaridhënies dhe përmirësimin e qeverisjes në sektorin publik të Kosovës. Fokusi ynë kryesor në këtë auditim ka qenë:
  • Cilësia e raportimit financiar;
  • Pajtueshmëria e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret;
  • Efektiviteti i sistemeve të kontrollit të brendshëm të shpenzuesve buxhetor, përfshirë edhe kontrollet e sigurisë së informacionit dhe kontrollet aplikative të Sistemit Informativ të Menaxhimit Financiar të Kosovës; dhe
  • Zbatimi i rekomandimeve të auditimit.
KONKLUZIONI I PËRGJITHSHËM i auditimit është se: Organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpalosjet lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaft të përhapura dhe domethënëse. Gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike – ku, si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor, vazhdojnë të kenë të meta serioze. Ndërsa, sa i përket Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, përkundër përmirësimeve të bëra, ende ka nevojë të forcohen mekanizmat e sigurisë, në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura. Raporti që po e prezantoj sot, është rezultat i auditimit të Raportit Vjetor Financiar të Qeverisë për vitin 2020 dhe i 126 raporteve individuale, nga të cilat:
  • 90 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë të organizatave buxhetore;
  • 12 auditime të ndërmarrjeve publike;
  • 13 auditime të projekteve të Bankës Botërore dhe të donatorëve tjerë; dhe
  • 11 auditime të performancës.
Në raportet e auditimit për organizatat buxhetore, kemi dhënë:
  • 63 opinione të pamodifikuara; dhe
  • 27 të modifikuara
Dëshiroj të sqaroj se mangësitë lidhur me pasurinë, llogaritë e arkëtueshme, llogaritë e pagueshme dhe shpalosjet në përgjithësi nuk janë risi - ato janë identifikuar edhe gjatë auditimeve të kaluara - mirëpo zbatimi i Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe përdorimi i metodologjisë së përditësuar të auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë ka ndikuar që në raste të caktuara të kualifikohen opinionet. Për ndërmarrjet publike janë dhënë:
  • 2 opinione të pamodifikuara;
  • 2 të kualifikuara; dhe
  • 8 opinione të kundërta
Ndërsa, për Pasqyrat Financiare të Qeverisë është dhënë: OPINION I KUALIFIKUAR Kjo për arsyet se:
  • të hyrat ishin mbivlerësuar për 42 milionë euro, për shkak se të hyrat vetjake të bartura nga viti paraprak ishin përfshirë në planin buxhetor 2020;
  • shpenzimet prej 18 milionë eurosh me ligjin e buxhetit ishin klasifikuar nëpër kategori joadekuate, por, keq-klasifikime ishin bërë edhe me rastin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore për kompensimin e pagave jubilare e përcjellëse, shujtave dhe shpenzimeve tjera të procedurave gjyqësore, duke nënvlerësuar për të njëjtën shumë kategorinë e Pagave dhe të Mëditjeve;
  • poashtu, në pasqyrën e shpalosjeve, në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale mbi 1,000 euro, pasurive nën 1,000 euro, stoqet, detyrimeve kontigjente dhe llogarive të arkëtueshme, të Raportit Financiar Vjetor të Buxhetit të shtetit kishte prezantime të gabuara në shuma të konsiderueshme.
Në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2020 kemi dhënë 654 rekomandime. Ndërkaq, nga 803 rekomandime të dhëna në vitin 2019, përqindja e zbatimit të tyre ishte 45%, që paraqet një përmirësim prej 5%, krahasuar me vitin 2018. Ne tashmë kemi pranuar edhe Planin e Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të RVA 2020 dhe presim që të zbatohet plotësisht. Kur është fjala për financimet buxhetore, vlen të theksohet se në fund të vitit 2020, bilanci bankar në para të gatshme nga 458 milion ishte zvogëluar në 330 milionë apo rreth 28%. Kjo ishte bërë me miratimin e Kuvendit. Poashtu, për mbulimin e deficiteve buxhetore, borxhi i përgjithshëm publik ishte rritur për 300 milionë euro, dhe tani ka arritur shifrën prej 1.5 miliardë. Në raport me Bruto Produktin Vendor, borxhi ishte 21.83% nga 40% i lejuar me ligj [Bruto Produkti Vendor për vitin 2020 ishte 6 miliardë e 961 milionë euro]. Megjithatë, shkalla e shpenzimit të fondeve të huazuara është e ulët dhe për shkak të vonesave në shfrytëzimin e kredive, Qeveria ka paguar mbi 800 mijë euro tarifa të zotimit për mjetet e kredive të pa-tërhequra. Me kërkesë të Qeverisë, Kuvendi kishte bërë rritjen e përkohshme të kufirit të deficitit buxhetor nga 2 në 6,5%, për vitin 2020. Megjithatë sipas auditimit, deficiti i përgjithshëm në bazë të Buxhetit të rishikuar ishte pak mbi 493 milionë. Në fund të vitit, deficiti aktual buxhetor ishte 5.3%. Duke mos dashur që t’ju marr shumë kohë me paraqitjen e detajeve të cilat janë përshkruar në RVA, dëshiroj vetëm të potencoj shkallën e ultë të shpenzimeve për investimet kapitale e cila ishte vetëm 53% nga planifikimi buxhetor. Shuma e obligimeve të papaguara, përfshirë edhe obligimet për shpronësime në fund të vitit 2020, ishte rreth 363 milionë euro. Krahasuar me vitin paraprak, detyrimet janë rritur rreth 17%, derisa detyrimet kontingjente janë rreth 217 milionë. Shuma e llogarive të arkëtueshme është 692 milionë euro, apo 57 milionë euro më të larta se vitin paraprak. Pjesa dërmuese e këtyre borxheve të pa-mbledhura ka të bëj me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, të cilat së bashku kanë 408 milionë euro apo rreth 59% të shumës totale, komunat kanë rreth 214 milionë, dhe 70 milionë organizatat tjera. Qeveria duhet të ketë një qasje më pragmatike se si të veprohet me shumat e larta të detyrimeve të papaguara, por edhe trajtimin e llogarive të arkëtueshme, pasi që me kalimin e kohës ato shndërrohen në borxhe të këqija, dhe si të tilla, bëhen të pa-mbledhëshme. Të nderuar deputetë, Përderisa sistemi i menaxhimit financiar dhe kontrollit tek Organizatat Buxhetore është më i mirë, përmirësime thelbësore kërkohen te Ndërmarrjet Publike. Këtë e dëshmon fakti se nga 12 ndërmarrjet e audituara, për 8 prej tyre kemi dhënë opinione të kundërta dhe për 2 të tjera të kualifikuara. Stabiliteti financiar i këtyre ndërmarrjeve është shumë i brishtë. Ato, të gjitha së bashku, kanë mbi 89 milionë euro detyrime afatshkurtra dhe mbi 80 milionë euro detyrime afatgjata. Kthimi i këtyre detyrimeve është mjaft i pasigurt, marrë parasysh faktin se të gjitha ndërmarrjet e audituara mezi mbulojnë shpenzimet operative, e disa prej tyre  operojnë edhe me humbje. Aksionarët (Qeveria dhe komunat) kanë nevojë të trajtojnë thellësisht problemet me të cilat përballen ndërmarrjet publike dhe të zbatojnë masat e sanimit të gjendjes. Për të vlerësuar nëse fondet publike po shfrytëzohen në mënyrë efikase dhe efektive, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe 11 auditime të performancës në fusha të ndryshme me interes shoqëror, si: -mirëqenie sociale, ekonomi, shëndetësi, siguri, ambient, teknologji të informacionit dhe në fushën e prokurimit publik. Të gjitha mangësitë dhe parregullsitë e identifikuara përmes auditimeve janë përshkruar në raportet individuale, duke sugjeruar edhe rekomandimet për përmirësim.  Të nderuar deputetë, Këtë vit, në kuadër të auditimit të buxhetit të shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer edhe auditimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës për të vlerësuar nëse sistemi është i sigurt në integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e të dhënave. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Thesari, në vazhdimësi kishin bërë konfigurime për mbrojte ndaj ndërhyrjeve të brendshme dhe të jashtme në sistemet e informacionit. Mirëpo, ende nuk kishin arritur të krijojnë një strukturë që ofron siguri të plotë të informacionit, nuk kishin përcaktuar personat përgjegjës për siguri të informacionit, kishte mangësi në procedura, mangësi në menaxhimin e qasjeve të përdoruesve si dhe nuk kishte mjaftueshëm ndërgjegjësim mbi sigurinë e informacionit. Në fund të këtij adresimi, më lejoni t’ju falënderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin korrekt me ZKA-në, gjatë këtij sezoni auditues. Dëshiroj po ashtu, të shpreh vlerësimin tim për sjelljen bashkëpunuese të Ministrisë së Financave dhe Thesarit përgjatë gjithë auditimit. Falënderoj po ashtu stafin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për profesionalizmin dhe angazhimin e pakursyer që përkundër sfidave me situatën pandemike realizuan planin vjetor të auditimit. Ju faleminderit për vëmendjen!
Auditorja e Përgjithshme priti në takim ambasadoren e Suedisë

Auditorja e Përgjithshme priti në takim ambasadoren e Suedisë

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny e shoqëruar nga shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim, Nasrin Pourghazian të mërkurën kanë vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), me ç’rast janë pritur në takim nga Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Ilir Salihu dhe drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qëndresa Mulaj. Auditorja e Përgjithshme e Kosovës Vlora Spanca ka vlerësuar lartë partneritetin e ndërtuar tash e një dekadë në mes Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe asaj të Suedisë. Znj. Spanca ka thënë se falë mbështetjes së vazhdueshme dhe praktike nga Zyra  e Auditimit të Suedisë, ZKA-ja ka arritur një nivel të lartë profesional dhe është një nga institucionet më kredibile të Kosovës, e përkushtuar për të ndihmuar institucionet publike që të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin llogaridhënien. Po ashtu Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, e ka informuar diplomaten suedeze për vizionin strategjik të ZKA-së, duke thënë se synimi kryesor është rritja e mëtejshme e portofolit të auditimeve të performancës veçanërisht auditimet e Teknologjisë së Informacionit dhe Ndërmarrjeve Publike; prezantimi i qasjes së auditimit të bazuar në rrezik;  investimi i  mëtutjeshëm në edukimin profesional të auditorëve; si dhe  intensifikimi i bashkëpunimit me Kuvendin, sistemin e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. Më tutje znj. Spanca e ka njoftuar mysafiren edhe për aktivitetet e ZKA-së, me theks të veçantë për fillimin e sezonit të ri 2021/22.  Auditorja e Përgjithshme ka bërë me dije se ZKA-ja në baza vjetore prodhon dhe publikon  mbi 130 raporte të auditimit, megjithatë sfidë mbetet niveli i pamjaftueshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit. Ndërsa ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, ka vlerësuar bashkëpunimin e gjatë në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Me këtë rast diplomatja suedeze ka folur edhe për rëndësinë  e pavarësisë së ZKA-së dhe punës profesionale si dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen mes Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe ZKA-së.  
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit  2021/22

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Planin Vjetor të Auditimit 2021/22

Plani Vjetor i Auditimit për sezonin 2021/22 i Zyrës Kombëtare të Auditimit është shqyrtuar të martën në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Para deputetëve Plani në mënyrë të detajuar është prezantuar nga Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës Vlora Spanca. Fillimisht znj. Spanca i ka siguruar deputetët se nën udhëheqjen e saj ZKA-ja do të kryej auditime cilësore dhe me interes për Kuvendin, qytetarët si dhe në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit. “Zyra Kombëtare e Auditimit tashmë ka përvojën e mjaftueshme t’i kryej detyrat e veta, por gjatë mandatit tim mendoj se mund t’i realizojë në mënyrë edhe më efikase dhe më efektive”, është shprehur znj. Spanca. Më pas Auditorja e Përgjithshme ka prezantuar Planin Vjetor të Auditimit, duke bërë më dije se për sezonin auditues 2021/2022 janë planifikuar 131 auditime dhe 4 auditime te papërfunduara nga sezoni i kaluar. Prej tyre janë 118 auditime financiare dhe te pajtueshmërisë për pasqyrat financiare për vitin 2021 përfshirë auditimin e raportit vjetor financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasqyrave financiare për institucionet publike siç janë: ministritë, institucionet e pavarura, komunat, ndërmarrjet publike si dhe fondet e donatorëve. Tek auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të institucioneve publike është përfshirë edhe auditimi i pasqyrave financiare të Radio Televizionit të Kosovës. Tutje znj. Spanca ka treguar se përzgjedhja e ndërmarrjeve publike për auditim është bërë bazuar në madhësinë e buxhetit, kompleksitetin e ndërmarrjeve, nivelin e përfaqësimit, rrezikun e auditimit, llojit të veprimtarive dhe interesin e publikut. Ndërsa sa i përket auditimeve të performancës, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se janë 10 auditime performancës dhe se këtë vit auditimet e performancës janë shtrirë edhe tek Ndërmarrjet Publike si Korporata Energjetike e Kosovës, KOSTT-i dhe Trepça e po ashtu edhe auditimi i performancës se Radio Televizionit të Kosovës.
Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi bien dakord për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve që udhëheqin

Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi bien dakord për të rritur bashkëpunimin mes institucioneve që udhëheqin

Sot, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka pritur në takim Komisioneren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku. Në këtë takim, Auditorja e Përgjithshme, e ka uruar znj. Sogojeva Dermaku, me rastin e zgjedhjes së saj si Komisionere për Informim dhe Privatësi, dhe ka vlerësuar se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve që udhëheqin është i domosdoshëm. Spanca më tutje e ka njoftuar Komisioneren rreth mandatit dhe rolit kushtetues të Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke u përqendruar sidomos tek procesi i mbledhjes dhe trajtimit të  informatave për nevoja të auditimit. Sogojeva Dermaku nga ana e saj, ka vlerësuar se rezultatet e punës audituese kanë një rol të pashmangshëm në rritjen e transparencës dhe informimit publik por njëkohësisht përmes rekomandimeve të auditimit edhe në rritjen e ndikimit tek institucionet publike për respektimin e normave ligjore sikurse janë ato për mbrojtjen e privatësisë por edhe për sigurimin e qasjes në dokumente publike. Auditorja e Përgjithshme dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi u dakorduan që bashkëpunimi në mes të institucioneve që udhëheqin duhet të rritet për qëllime të interesit të përbashkët sidomos në aspektin e promovimit të transparencës dhe të drejtës për informim. Në këtë takim morën pjesë edhe Safet Berisha, Drejtor i Departamentit për Çështje Juridike dhe Kundër Mashtrimit në ZKA dhe Loreta Salihu nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Auditorja e Përgjithshme dhe Sindikata kanë në fokus shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve të ZKA-së

Auditorja e Përgjithshme dhe Sindikata kanë në fokus shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve të ZKA-së

Sot, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka takuar përfaqësuesit e sapo zgjedhur të Kryesisë së Sindikatës së Punëtorëve të ZKA-së. Me këtë rast, Spanca ka deklaruar përkushtimin e saj për të respektuar të drejtat dhe obligimet që dalin nga ligjet në fuqi dhe mbrojtjen e interesave të përbashkëta të Zyrës Kombëtare të Auditimit.  Në veçanti ajo ka theksuar interesimin e saj për ruajtjen e shëndetit dhe mirëqenies së punonjësve të ZKA-së në situatën pandemike me virusin Covid-19. Ernes Beka, Kryetar i Sindikatës së ZKA-së, në emrin e tij si dhe të anëtarësisë, ka falënderuar Auditoren e Përgjithshme për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e saj për të ndërmarrë masat e duhura në të mirë të punonjësve të ZKA-së. Gjatë takimit, përveç tjerash biseda u fokusua në gjetjen e mundësive për zgjidhjen e qëndrueshme për objektin e ZKA-së dhe të sigurimit të kushteve më të mira të punës për punonjësit, shqetësim ky i vazhdueshëm. Palët u dakorduan se një dialog i vazhdueshëm mes tyre, i kontribuon avancimit të pozitës së punonjësve të ZKA-së, rrjedhimisht edhe ngritjes së cilësisë së punës audituese.
Auditorja e Përgjithshme pret në vizitë Ambasadorin Tomáš Szunyog

Auditorja e Përgjithshme pret në vizitë Ambasadorin Tomáš Szunyog

Auditorja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Vlora Spanca, priti sot në vizitë ambasadorin Tomáš Szunyog, njëherësh Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë. Në këtë rast, znj. Spanca informoi ambasadorin Szunyog rreth aktiviteteve të tanishme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me nisjen e sezonit të ri të auditimit 2021/22 si dhe rreth vizionit strategjik për të ardhmen e ZKA-së. Duke paraqitur rezultatet e auditimit, znj. Spanca vuri theksin mbi auditimin e performancës për Covid-19, i cili është duke u finalizuar dhe raportet e të cilit do të publikohen së shpejti. Tutje, Auditorja e Përgjithshme falënderoi z. Szunyog për bashkëpunimin mes Zyrë së BE-së në Kosovë me ZKA-në si dhe shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja i ka dhënë ZKA-së, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve. Z. Szunyog uroi znj. Spanca për rolin e saj të ri dhe shprehu vlerësimin që BE-ja ka për ZKA-në si një partner kyç në Kosovë për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet publike jo vetëm për mënyrën si e shpenzojnë ata paranë publike, por edhe për performancën e tyre. Këto janë aspekte kyçe të procesit të reformës në administratën publike, të cilën është duke e mbështetur BE-ja. Të dyja palët konsideruan se Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2021 e pranon progresin e bërë nga ZKA-ja, megjithëse e thekson se është e rëndësishme që organizatat buxhetore dhe ndërmarrjet publike të punojnë më shumë në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të auditimit për një menaxhim më të mirë të parasë publike dhe përmirësim të performancës së administratës publike në tërësi.
Gazeta e INTOSAI-t shkruan për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës

Gazeta e INTOSAI-t shkruan për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës

Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) ka publikuar edicionin vjeshtor të gazetës së saj. Në pjesën e lajmeve për Institucionet Supreme të Auditimit shkruan edhe për emërimin e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Vlora Spanca. Në këtë lajm është theksuar se Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca është e përkushtuar që të vazhdojë të forcojë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik. Tutje thuhet se nën udhëheqjen e saj, ZKA-ja si anëtar i INTOSAI-t dhe Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI)- do të vazhdojë gjithashtu të kontribuojë në mënyrë aktive në përpjekjet bashkëpunuese për zhvillimin e kompetencës profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në zbatimin e standardeve të auditimit. Gjithashtu gazeta ka shkruar edhe për përvojën e znj. Spanca në auditimin e sektorit publik në veçanti për angazhimin e saj 14-vjecar në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. “Zonja Spanca ka 14 vite përvojë në auditimin e sektorit publik, 12 prej të cilave në poste drejtuese. Para zgjedhjes së saj Auditore e  Përgjithshme, znj. Spanca shërbeu për katër vjet si Ndihmës Auditore e Përgjithshme e ZKA-së. Gjatë kësaj periudhe, ajo ishte përgjegjëse për disa departamente auditimi, duke përfshirë auditimin e performancës, auditimin e teknologjisë së informacionit dhe auditimin e prokurimit, si dhe për mbikëqyrjen e auditimeve financiare të projekteve të financuara nga donatorët”, është thënë në artikullin e prezantuar në gazetë. “Nga viti 2009 deri në vitin 2016, znj. Spanca ishte Drejtuese e Departamentit të Auditimit të Rregullsisë (financiare dhe përputhshmërisë), i cili përfshin ministritë dhe institucionet e pavarura. Nga viti 2015 deri në vitin 2016 ka qenë përgjegjëse për auditimin e Pasqyrave Vjetore Financiare të Buxhetit të Kosovës. Znj. Spanca gjithashtu ka koordinuar zbatimin e iniciativave të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve. Znj. Spanca, është Auditore e Certifikuar në Sektorin Publik, ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka kryer shumë trajnime për kontabilitet, auditim, administratë publike, lidership dhe prokurim publik, si dhe ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare të shumta ndërkombëtare”, është thënë ndër të tjera në lajmin e publikuar në edicionin vjeshtor të gazetës së INTOSAI-t. Kjo gazetë botohet çdo tre muaj në 5 gjuhë të botës si botim zyrtar i INTOSAI-t dhe ka për qëllim mbështetjen e auditimit të jashtëm dhe promovimin e llogaridhënies. Edicionin vjeshtor të gazetës së INTOSAI-t mund ta lexoni në këtë vegëz.  
Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca zhvillon vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca zhvillon vizitë zyrtare në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë

Në datat 27 dhe 28 tetor 2021, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca bashkë me delegacionin nga Zyra Kombëtare e Auditimit, Qerkin Morina, Emine Fazliu, Zukë Zuka dhe Ramadan Gashi kanë zhvilluar vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Me këtë rast delegacioni nga Kosova u pritë nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i cili falënderoi kolegët nga Kosova për vizitën e tyre, duke shprehur vullnetin e plotë për thellim të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave profesionale në mes të KLSH-së dhe ZKA-së. Znj. Spanca nga ana e saj falënderoi kryetarin Shehu për mikpritjen dhe vlerësoi frymën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve. Në këtë takim u bisedua për veprimtarinë audituese mes dy institucioneve homologe, për menaxhimin e parasë publike nga ana e institucioneve të shtetit në të dyja vendet, me theks të veçantë për auditimin e përdorimit të fondeve publike për pandeminë Covid-19. Gjithashtu nga ana e palës mikpritëse u trajtua edhe tematika mbi auditimin e fondeve të akorduara për ri-ndërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Kreret e të dyja institucioneve supreme të auditimit u zotuan që niveli i bashkpunimit të thellohet në shkembimin e përvojave dhe auditimeve të përbashkta në fusha të ndryshme me interes publik. Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca e ftoi Kryetarin Shehu për një vizitë zyrtare në Zyren Kombëtare të Auditimit.
Performanca e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të vlerësohet sipas metodologjisë së INTOSAI-t

Performanca e Zyrës Kombëtare të Auditimit do të vlerësohet sipas metodologjisë së INTOSAI-t

Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca ka caktuar ekipin që do të ndjekë Programin profesional për Kornizën për Matjen e Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA), të organizuar nga Iniciativa për Zhvillim (IDI) organ i Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Korniza e INTOSAI-t për matjen e performancës së ISA-ve, iu ofron atyre metodologjinë për të vlerësuar në mënyrë vullnetare performancën e tyre kundrejt standardeve ndërkombëtare të auditimit, kuadrit ligjor të vendit dhe praktikave të mira ndërkombëtare të vendosura për auditimin e jashtëm publik. Për të siguruar se Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, si institucion suprem i auditimit, i kryen detyrat e saj në përputhje me mandatin kushtetues e ligjor dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit të jashtëm, Auditorja e Përgjithshme znj.Vlora Spanca ka vlerësuar se është e rëndësishme që të bëhet një vlerësim i tillë dhe për këtë qëllim ka themeluar ekipin në përbërje të: Qëndresa Mulaj, udhëheqëse e ekipit, Edona Abazi Demolli, Saranda Husaj Baraliu dhe Dafina Strana Ujkani, anëtarë të ekipit. Procesi i vlerësimit do të bëhet në mënyrë të pavarur nga ekipi i ZKA-së, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve të IDI të INTOSAI-t. Rezultatet e vlerësimit do të shërbejnë si udhëzime për planifikimin strategjik të ZKA-së, për periudhën e ardhshme trivjeçare.
ZKA-ja identifikon shpenzime të panevojshme në shërbimet e transportit ajror

ZKA-ja identifikon shpenzime të panevojshme në shërbimet e transportit ajror

Disa institucione kanë blerë bileta gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar Raportin e auditimit të performancës “Kontratat e centralizuara - Shërbimet e transportit ajror”. Ky auditim ka mbuluar periudhën 2016-2019 dhe ka pas për qëllim që të vlerësojë nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat. Për këtë qëllim janë audituar një numër i konsiderueshëm i furnizimeve me bileta në institucione si në Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe të Suharekës. Procesi i auditimit ka evidentuar se disa nga organizatat buxhetore kishin bërë më shumë shpenzime se sa ishte parashikuar fillimisht për shkak të blerjes së numrit të madh të biletave të klasave më të larta se klasa ekonomike e udhëtimit e që ishin prej dy deri në gjashtë herë më të shtrenjta se biletat e klasës ekonomike. Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se shpenzimet për udhëtime në klasa më të larta sesa klasa ekonomike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve për shërbimet e transportit ajror. Bazuar në gjetjet e auditimit rezulton se tre faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet të transportit ajror janë udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve. Shuma e rimbursimit për biletat e anuluara ishte mesatarisht rreth 59% e çmimit blerës. Kjo nënkupton se rreth 41% e vlerës së biletave të anuluara janë shpenzime për bileta që nuk janë shfrytëzuar, gjë që ka kontribuar në rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të kontratave për shërbime të transportit ajror duke i quar në skadim të parakohshëm. Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, me rastin e publikimit të këtij raporti ka deklaruar: “Rezultatet e këtij procesi të auditimit tregojnë se ka nevojë për përmirësime në procesin e furnizimit me shërbime të transportit ajror. Për të eliminuar mangësitë e identifikuara, duhet të ndërmerren veprime në nivel qeveritar, duke rishikuar Udhëzimin Administrativ, ku do të rregullohej përdorimi i klasave tjera të udhëtimit në transport ajror”, ka thënë Spanca. Me qëllim të përmirësimit të procesit të blerjes së shërbimeve të transportit ajror dhe shfrytëzimit më racional të buxhetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Qeverinë e Kosovës që të rishikojë Udhëzimin Administrativ Nr. 2004/07 për të adresuar çështjen e klasave të lejuara të udhëtimit në transport ajror, duke specifikuar qartë rastet dhe funksionet që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Agjencinë Qendrore të Prokurimit si përgjegjëse për zhvillimin e procedurave të prokurimit dhe monitorim të kontratave e ka rekomanduar që të bëjë një planifikim më të mirë të aktivitetit të prokurimit (bazuar në analizën e kontratave aktuale dhe paraprake) në mënyrë që të parashikojë më saktë çmimin e tarifës së shërbimit për biletë. Po ashtu ka rekomanduar organizatat buxhetore si shfrytëzuese të këtyre shërbimeve që të përdorin klasën ekonomike për t’i shmangur shpenzimet e larta të transportit ajror, si dhe të planifikojnë udhëtimet më mirë në mënyrë që të shmangin nevojën për anulime dhe shtyrje të udhëtimeve. Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.