Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Zyra Kombëtare e Auditimit mirëpret zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut

Zyra Kombëtare e Auditimit mirëpret zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani dhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) mirëpresin zgjedhjen e Maksim Acevski në krye të Entit Shtetëror të Revizionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, përmes një telegram urimi përgëzoi homologun e tij për zgjedhjen në krye të Entit Shtetëror të Revizionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Jam i sigurt se do të ndajmë përvoja të shumta dhe të ndryshme përmes bashkëpunimit tonë dypalësh. Ka një numër të konsiderueshëm çështjesh që kërkojnë shkëmbimin të mendimeve, pikëpamjeve dhe ekspertizave me interes të ndërsjellë”, thuhet ndër të tjera në urimin e Osmanit. Osmani shprehu gatishmërinë për të mirëpritur në një vizitë zyrtare në Prishtinë kryetarin e Entit Shtetëror të Revizionit në Maqedoninë e Veriut, Maksim Acevski. Maksim Acevski është zgjedhur në krye të Institucionit Suprem të Auditimit të Maqedonisë së Veriut, me 81 vota të deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Enti Shtetëror i Revizionit në Republikën e Maqedonisë kanë bashkëpunim të mirë dhe të vazhdueshëm.
Kosova prezenton pervojat në zbatimin e reformave të financave publike

Kosova prezenton pervojat në zbatimin e reformave të financave publike

Në Malajzi po mbahet konferenca “Zhvillimi i Kapaciteteve të Kontabilitetit në ekonomitë në zhvillim”në të cilen po marrin pjesë Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, Zëvendës-Auditori i  Përgjithshëm Ilir Salihu, Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit, Ahmet Ismaili dhe Drejtoresha Ekzekutive e  Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), Ardiana Bunjaku. Përfaqësuesit nga Kosova para përfaqësuesve të shumë shteteve pjesëmarrëse në konferencë, prezantuan në  panelin ”Roli i Thesarit dhe Auditorit të Përgjithshëm në adresimin e sfidave të reformës në Menaxhimin e Financave Publike (MFP)” ku janë prezantuar përvojat e Kosovës në dizajnimin dhe zbatimin e reformave të Financave Publike. Panelistët nga Kosova kanë prezantuar pikëpamjet e tyre lidhur rëndësinë e reformës në menaxhimin e financave publike, mënyrën e koordinimit me palët tjera dhe kanë nënvizuar aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Thesarit të Kosovës dhe kontributin e partnerëve nga organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti i donatorëve. Konferenca është organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (IFAC) në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme te Auditimit (INTOSAI) dhe Bankën Botërore dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në fushën e financave publike midis vendeve me ekonomi të brishta dhe vendeve të zhvilluara.
Gjyqtarë dhe prokurorë të rinj vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Gjyqtarë dhe prokurorë të rinj vizituan Zyrën Kombëtare të Auditimit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot mbajti trajnimin njëditor për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj, të cilët u njoftuan nga afër për mandatin dhe punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. Trajnimi u realizuar në dy grupe dhe morën pjesë rreth 50 gjykatës dhe prokurorë. Me këtë rast, Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Qerkin Morina, para të pranishmëve foli për funksionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, punën dhe llojet e auditimit. Morina theksoi se  procesi i auditimit fuqizon llogaridhënien e qeverisë ndaj Kuvendit dhe publikut në përgjithësi “Misioni parësor i Zyrës Kombëtare të Auditimit është që përmes auditimit të fuqizohet llogaridhënia në administratën publike dhe të sigurohet se të gjitha burimet kombëtare shfrytëzohen në mënyrë efikase, ekonomike dhe efektive. Kjo realizohet përmes procesit të auditimit gjatë së cilit i regjistrojmë të gjitha gjetjet, nxirren konkluzione si dhe në fund jepen rekomandimet përkatëse se si duhet të përmirësohen çështjet”, tha Morina. Me tutje ai theksoi se ZKA-ja ka bashkëpunim të veçantë me prokurorinë dhe gjykatat, me ç’rast tregoi se shumë raste që hasen gjatë auditimit procedohen për hetime të mëtutjeshme të prokurori e të cilat më pas marrin epilog gjyqësor. Ndërkaq Udhëheqësi i Zyrës Ligjore, Safet Berisha, përveç prezantimit të kornizës ligjore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, foli edhe për bashkëpunimin me legjislativin dhe organet e drejtësisë.  Ai tha se Zyra Kombëtare e Auditimit mandatin e vet e ushtron mbi bazën e ligjit dhe Kushtetutës dhe për punën e saj i jep llogari vetëm Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast Berisha vlerësoi se ZKA-ja ka bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Agjencinë Kundër Korrupsionit si dhe institucionet  e tjera në sistemin e drejtësisë. Interesimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj që ishin pjesë e këtij trajnimi kryesisht u fokusua në aspektin e marrjes së masave në rast se organizatat buxhetore nuk i zbatojnë rekomandimet e auditorit.  
Zbatimi i rekomandimeve të auditorit ndikon në rritjen e performancës së komunave dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët

Zbatimi i rekomandimeve të auditorit ndikon në rritjen e performancës së komunave dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët

Në Kuvendin Komunal në Mitrovicë është mbajtur debati i fundit në kuadër të serisë së debateve të organizuara nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga komunat e Kosovës. Të pranishëm në këtë debat ishin nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, udhëheqësi i Departamentit të Auditimit, Shkëlqim Xhema, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe përfaqësues të shoqërive civile e asamblistë të kësaj komune. Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit, Shkëlqim Xhema, në këtë debat ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit, të cilat ndikojnë në një performancë më të mirë për komunën si dhe shërbime më të mira për qytetarët. Xhema, pasi shpalosi gjetjet kyçe nga raportet e auditimit për komunën e Mitrovicës dhe nivelin e zbatimit të rekomandimeve tha se Zyra Kombëtare e Auditimit kërkon nga menaxhmenti i Komunës së Mitrovicës që të fokusohet tek zbatimi i rekomandimeve të auditorit”. Nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, tha se raportet e auditimit rrisin transparencën dhe llogaridhënien e kësaj komune. Mujku theksoi se në përgjithësi raporti i vitit 2018 tregon se në Komunën e Mitrovicës ka hapa pozitiv, por gjithsesi ka hapësirë për përmirësime dhe rritje të performancës. Po ashtu ai shtoi se janë të përkushtuar ti adresojnë të gjitha rekomandimet e auditorit. Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza, duke prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit në Komunën e Mitrovicës, theksoi se kjo komunë nuk i ka adresuar rekomandimet e vazhdueshme të auditorit. “Ka një numër të madh të rekomandimeve për Komunën e Mitrovicës përkundër që kemi një ulje prej 25 sa kanë qenë në vitin 2015, në vitin 2018 janë vetëm 16 rekomandime. Disa prej këtyre rekomandimeve janë të përsëritura nga viti në vit dhe janë në fushat kyçe të qeverisjes së kësaj komune”, u shpreh ai. Ky debat u organizua në kuadër të serisë së debateve të mbajtura në disa komuna të Kosovës dhe u organizua në kuadër të projektit, “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike të Kosovës”, financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e perfomancës ‘Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore’

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e perfomancës ‘Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore’

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot prezantoi raportin e  perfomancës “Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore”, përmes një tryeze të rrumbullakët. Në tryezë morën pjesë përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, drejtor të shkollave fillore, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile e mediat. Për rëndësinë dhe konkluzionet e përgjithshme të këtij raporti foli Ndihmës-Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, nën mbikëqyrjen  e së cilës është kryer ky auditim. Ajo tha se auditimi ka vënë në pah  se institucionet publike nuk kanë siguruar mirëmbajtje në nivel të duhur në institucionet arsimore dhe për pasojë nuk ofrojnë kushtet elementare për zhvillimin e procesit mësimor. “Në tri komunat e audituara, në përgjithësi gjendja e shkollave nuk është e mirë. Nuk ka mirëmbajtje në mënyrë të vazhdueshme për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushtet bazike mësimore. Nga 18 objektet shkollore që kemi vlerësuar, vetëm 7 prej tyre janë në nivel mesatar dhe më të pranueshëm për zhvillimin e aktiviteteve mësimore. Prej tyre, 4 objekte shkollore kishin siguruar kushtet minimale të mirëmbajtjes, mirëpo nuk ishin në nivel të mjaftueshëm. Përderisa në 7 objekte shkollore kemi identifikuar mangësi të theksuara në furnizimin me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen vjetore të mureve dhe dezinfektimin e tyre”, deklaroi Spanca, duke shtuar se ZKA-ja ka dhënë një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për përmirësimin e gjendjes në institucionet arsimore. Në përmbyllje të fjalimit Ndihmës -Auditori i Përgjithshëm, Vlora Spanca, inkurajoi përgjegjësitë e këtyre institucioneve që të ndërmarrin masat e duhura për të siguruar kushte të përshtatshme, të cilat mundësojnë zhvillimin e mësimit në një ambient të pastër dhe të shëndetshëm. Ndërkohë, Udhëheqësja e departamentit të auditimit të performancës, Myrvete Gashi, theksoi se mirëmbajtja e institucioneve arsimore është shumë e rëndësishme meqë një mjedis i shëndetshëm shkollor është domosdoshmëri për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve mësimore. “Meqenëse aktiviteti shkollor është një proces tërëditor dhe i përditshëm duhet të organizohet në mënyrë të vazhdueshme, duke përfshirë pastrimin e të gjitha hapësirave, mjeteve sanitare, orendive dhe pajisjeve tjera, e gjithë kjo për të mundësuar zhvillimin e  mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushtet bazike mësimore”, tha Gashi. Ndërkaq, Vlora Duraku udhëheqëse e ekipit dhe Ylfete Osmani, anëtare e ekipit bënë prezantimin e detajeve të raportit përfshirë gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e auditimit. Pjesëmarrësit në këtë tryezë vlerësuan punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, duke thënë se të gjeturat e këtij auditimi kanë prezantuar gjendjen reale të institucioneve arsimore. Drejtoresha e Shkollës Fillore, “Ismail Qemali” në Prishtinë, Kimete Dida, tha se gjetjet e auditorit janë të sakta, por sipas saj, që nga periudha kur është kryer auditimi ka pasur përmirësime. Ajo tregoi se i kanë trajtuar seriozisht rekomandimet e auditorit, prandaj shumica e mangësive janë përmirësuar dhe se tani gjendja është përmirësuar në këtë shkollë. Edhe drejtoresha e Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Sofie Bunjaku, tha se auditimet e tilla janë në të mirën e institucioneve arsimore dhe qytetarëve. Ajo tha se bazuar në rekomandimet e auditorit janë bërë disa përmirësime, por edhe më tutje do të vazhdojë angazhimi për mirëmbajtjen e shkollës në nivelin e duhur.
Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit shkëmbejnë përvojat në auditim dhe  diskutojnë mundësitë për auditime të përbashkëta në fushën e menaxhimit te fatkeqësive dhe krizave

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit shkëmbejnë përvojat në auditim dhe  diskutojnë mundësitë për auditime të përbashkëta në fushën e menaxhimit te fatkeqësive dhe krizave

Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë mbajtur dy punëtori me temën “Sigurimi i cilësisë në auditim”. Punëtoritë u  mbajtën në Tiranë dhe Prishtinë. Përfaqësues nga të dy Institucionet Supreme të Auditimit, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të njohurive dhe përvojave në sigurimin e cilësisë së auditimit. Në punëtorinë e mbajtur në Prishtinë,  me një fjalë rasti Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka shprehur keqardhjen për viktimat e tërmetit si dhe gjendjen e krijuar në Shqipëri, duke shprehur gatishmërinë e personelit të ZKA që në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, punonjësit kanë dhuruar gjak me vetiniciativë duke dëshmuar vullnetin për të kontribuar në shpëtimin e jetëve të qytetarëve tanë. Me këtë rast z. Osmani, diskutoj me të pranishmit lidhur me thellimin e bashkëpunimit në realizimin e auditimeve të përbashkëta, sidomos rreth menaxhimit të emergjencave dhe sigurinë e ndërtimeve. ”Me ekipet tona në Prishtinë dhe në Tiranë mund t’i trajtojmë së bashku këto dy tema në mënyrë që në një të ardhme të afërt qeverive tona t’iu ofrojmë informatat lidhur gjetjet dhe boshllëqet dhe të japin rekomandime për përmirësimin e tyre” tha z.Osmani. Në punëtori u diskutua edhe në lidhje me shkëmbimin e auditorëve në mes të dy institucioneve në baza afatgjata.
Punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhuruan gjak në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhuruan gjak në shenjë solidarizimi me viktimat dhe të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Aksioni u realizua me iniciativë të Sindikatës së ZKA-së e me përkrahjen e menaxhmentit, si dhe në koordinim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Për dallim nga vitet e tjera, sipas drejtuesve të Sindikatës, këtë vit 28 Nëntori- Dita e Flamurit po shoqërohet me “pikëllim të thellë për vëllezërit dhe motrat në Shqipëri, të cilët nuk arritën t`i mbijetojnë pasojave të tërmetit që goditi ditë më parë Shqipërinë”. “Ideja dhe iniciativa ka qenë e përbashkët. Punonjësit kanë shprehur gatishmërinë për t`u solidarizuar me situatën në Shqipëri. Një falënderim për të gjithë punonjësit, të cilët në formën më të mirë dhe më humane kanë zgjedhur që të solidarizohen”, tha Fejzullah Fejza, kryetar i Sindikatës së ZKA-së. Aksioni është mirëpritur dhe përshëndetur nga zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të cilët njoftuan se gjaku i dhuruar do të dërgohet në Shqipëri, në momentin që do të pranojnë ndonjë kërkesë nga autoritetet shqiptare.
Zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë

Zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) të premten organizoi debatin për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm në Komunën e Malishevës. Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj,  Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe përfaqësues të shoqërive civile e asamblistë të kësaj komune. Me këtë rast Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani, tha se rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm kanë për qëllim forcimin e manaxhimit të financave publike dhe rritjen e kontrolleve të brendshme në komunë. “Zbatimi i plotë i këtyre rekomandimeve do të ndikojë në një performancë më të mirë të komunave, por edhe në shërbime më të mira ndaj qytetarëve”, tha Rrahmani. Ai vlerësoi se ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve të auditorit nga komunat në përgjithësi. “Përqindja e zbatimit të rekomandimeve të auditorit nga Komuna e Malishevës është 33 për qind dhe kjo tregon për një përqindje mjaftë të ulët të zbatimit të rekomandimeve, përderisa kjo përqindje të ministritë sillet rreth 40 për qind kurse të institucionet e pavarura rreth 65 për qind”, u shpreh ai. Më tutje Rrahmani tregoi se në raportin e auditimit për vitin 2018 të Komunës së Malishevës ka një numër të madh të përsëritjeve të rekomandimeve nga viteve të kaluara dhe sipas tij, ky është një shqetësim meqë mangësitë po përsëriten ndër vite. Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tregoi se deri më tani janë zbatuar 8 rekomandime, 5 të tjera janë në proces e sipër të zbatimit si dhe të tjerat do të zbatohen së shpejti. Begaj u zotua se kjo komunë do të angazhohet në zbatimin e rekomandimeve të auditorit në mënyrë që mangësitë nga e kaluara të mos përsëriten në të ardhmen. “Jemi të vetëdijshëm për problemet me të cilat ballafaqohemi si komunë, por kemi punuar dhe do të punojmë edhe më tutje në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen pas vërejtjeve të auditorit”, theksoi Begaj. Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza,  duke prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit në Malishevë tha se komunat duhet t’i marrin seriozisht rekomandimet e auditorit dhe t’i zbatojnë ato. Prebreza tha se zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë. “Këto rekomandime nuk janë zbatuar në nivelin e kënaqshëm. Të gjitha komunat kanë telashe me zbatimin e rekomandimeve dhe niveli komunal është prej institucioneve që kanë zbatim më të vogël të rekomandimeve në krahasim me institucionet e nivelit qendror dhe të institucioneve të pavarura. Duhet të punohet më shumë, edhe në Komunën e Malishevës sepse zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë”, tha ai. Prebreza tregoi se auditori ka gjetur shkelje të vazhdueshme në prokurorim, punësime, në menaxhimin e borxheve si dhe në regjistrimin e pasurive. Ky debat u mbajt në kuadër të serisë së debateve të mbajtura në disa komuna të Kosovës dhe u organizua në kuadër të projektit, “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike të Kosovës”, financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Fillon zbatimi i projektit për promovimin e rolit të Zyrës Kombëtare të Auditimet

Fillon zbatimi i projektit për promovimin e rolit të Zyrës Kombëtare të Auditimet

Me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Holandeze, Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan- BIRN Kosova, si dhe në bashkëpunim me ACDC-në nga veriu i Kosovës, filloi zbatimi i projektit  “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”. Qëllimi i projektit është të promovojë mbikëqyrjen publike për të nxitur rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Në kuadër të këtij projekti do të mbahen trajnime për Auditorin e Përgjithshëm dhe stafin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Trajnimet do të adresojnë shkeljet dhe joefikasitetet në lidhje me menaxhimin e burimeve publike. Në të njëjtën kohë, ky projekt ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për rolin e tyre në promovimi dhe mbështetjen e praktikave të qeverisjes së mirë. Në hapjen e këtij projekti, morën pjesë Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ambasadorja e Holandës në Kosovë znj. Gerrie Willems, drejtoresha e BIRN z. Jeta Xharra, si dhe përfaqësues nga ZKA-ja dhe BIRN-i. Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani e falënderoi ambasadën holandeze për ndihmën e ofruar, duke thënë se Holanda ka mbështetur ZKA-në në momente vendimtare gjatë periudhave të ndryshme. “Auditimet e para të ZKA-së janë kryer nën udhëheqjen e auditorëve holandezë, me fjalë të tjera Abetaren e kemi kryer me holandezë. Po ashtu, auditorët holandezë kanë bërë auditimet e para në fushën e performancës në pjesën e teknologjisë informative”, tha ai. Tutje Osmani vlerësoi se edhe implementimi i këtij projekti ka ardhur në një moment të rëndësishëm. “ZKA-ja ka nevojë të hapet në raport me publikun, qytetarët duhet ta kuptojnë se çka dimë të bëjmë mirë e çka jo, si dhe cilat janë produktet tona”, shtoi Auditori. “Po ashtu, kemi nevojë të kuptojmë se puna jonë është e vlefshme dhe po ndikon te qytetarët dhe të institucionet. Me vet faktin se jemi në këtë pikë kur duhet ta forcojmë aktivitetin tonë në raport me publikun kemi edhe realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, është shprehur Osmani, duke shtuar se qëllimi final është që ZKA-ja të ketë zyrtarë që kanë relacione të mira me publikun, si dhe t’i kenë shkathtësitë profesionale dhe teknike për të komunikuar  me mediet dhe publikun. Auditori i Përgjithshëm, z.Besnik Osmani, rikujtoi se vitin e kaluar është adaptuar Plani Strategjik dhe njëra prej tri komponentëve më të rëndësishëm të tij është komunikimi. “Ky nuk është vetëm vullneti ynë, por është edhe kërkesë e standardeve të auditimit të cilat na kërkojnë që të kemi relacion me publikun”, deklaroi Osmani. Në anën tjetër, ambasadorja e Holandës, Gerrie Willems, tha se ZKA-ja është institucioni më i lartë në Kosovë në fushën e transparencës dhe llogaridhënies ekonomike. Theksoi se ZKA-ja ka pavarësi të funksionimit dhe se raportet e auditimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë promovojnë llogaridhënien, si dhe ofrojnë një bazë të fortë për të kërkuar menaxhim më të mirë të parasë publike, të cdo institutucioni. Ndërkaq,  drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra,vlerësoi se ZKA-ja është duke bërë punë të mirë, e cila duhet të përçohet të publiku. Sipas saj, Auditori i Përgjithshëm duhet të bëhet më i afërt me publikun. Në kuadër të projektit  është mbajtur trajnimi i parë për komunikimin në paraqitje publike dhe në rrjete sociale me temën.“Përmirësimi i bashkëpunimit të ZKA-së me publikun e gjerë përmes rrjeteve sociale”. Trajnimi pati për qëllim të përmirësojë performancën e Auditorit të Përgjithshëm dhe stafit të ZKA-së gjatë sigurimit të informacionit në lidhje me shpenzimet publike për publikun e gjerë përmes rrjeteve sociale.
Vetëqeverisja lokale duhet të ketë për qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe adresa e vetme duhet të jetë qytetari

Vetëqeverisja lokale duhet të ketë për qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe adresa e vetme duhet të jetë qytetari

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, të premten ka marrë pjesë në konferencën me temë “Vetëqeverisja lokale në Kosovë - 20 vjet”. Diskutimet u fokusuan në dy tema: Vetëqeverisja Lokale në Kosovë- progresi dhe sfidat si dhe orientimet strategjike dhe bashkëpunimi ndër-sektorial. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë kontribues të zhvillimit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë, Drejtorja e misionit- USAID në Kosovë, Kryetarë të Komunave, përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përfaqësues nga akademia, shoqëria civile, institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, ekspertë nga kjo fushë si dhe anëtarët e TLP AA. Para të pranishmëve Auditori i Përgjithshëm ka adresuar çështjet kryesore dhe sfidat që e kanë përcjellë vetëqeverisjen lokale në Kosovë. Ai ka thënë se vetëqeverisja lokale duhet të ketë për qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe adresa e vetme duhet të jetë qytetari. “Është shumë e rëndësishme që vetëqeverisja lokale gradualisht nga ofrimi i shërbimeve ditore administrative t’ia lëshojë vendin qasjes që fokus e ka zhvillimin ekonomik lokal dhe adresë ka vetëm qytetarin”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se forcimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm edhe të inspektimit do të rrisë qeverisjen e mirë si dhe do të pamundësonte zhvillimin e aktiviteteve të mashtrimit. Ai ka theksuar se progresi i vetëqeverisjes lokale karakterizohet me disa procese. Njëra prej tyre ka të bëjë me sistemin zgjedhor i cili ka ndikuar në zhvillimin e demokracisë në nivel lokal dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Ai ka shtuar se ka një qeverisje efektive dhe të balancuar në mes të ekzekutivit dhe legjislativit  në nivelin komunal e cila ka mundësuar kompromise të nevojshme për zhvillimin e vet demokracisë lokale. Megjithatë z. Osmani ka theksuar se vetëqeverisja lokale është ballafaquar edhe me sfida dhe njëra ndër sfidat kryesore sipas tij, është ndërthurja e kompetencave të pushteteve, paqartësitë që ekzistojnë në mes të pushtetit qendror dhe lokal. Komunat nuk kanë kapacitet financiar dhe kjo është sfida më e madhe, prandaj duhet një ndryshim rrënjësor që lidhet me politikat fiskale, mënyrat e financimit të komunave si dhe pavarësinë e tyre, ka shtuar tutje Osmani. Z. Osmani ka theksuar nevojën për reformën zgjedhore në mënyrë që zgjedhja e kryetarëve të bëhet në raundin e parë, të ketë asamble me përbërje më të vogël dhe përfaqësim parësor të angazhimit të anëtarëve të zgjedhur që ata të luajnë rolin legjislativ në mënyrë aktive dhe të mos jenë anëtarë me korrespodencë në kuvendet komunale. Konferenca “Vetëqeverisja lokale në Kosovë - 20 vjet” është organizuar nga shoqata TLP AA- Programi për lidership transformues, Alumni Association, që është shoqatë vullnetare e rreth 300 studentëve të kthyer në Kosovë nga programi i studimeve në ShBA, ofruar nga TLP SP dhe mbështetur nga USAID dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Auditori i Përgjithshëm priti në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë

Auditori i Përgjithshëm priti në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë

Sot, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, z. Nicholas Abbott.  Në këtë takim, Auditori i Përgjithshëm, e ka njoftuar diplomatin britanik për punën dhe rezultatet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Në veçanti është diskutuar për çështjet kryesore që kanë rezultuar nga puna audituese dhe ndikimin e rekomandimeve për të rritur llogaridhënien dhe qeverisjen e mirë të institucioneve. Z. Osmani, ka falënderuar Ambasadën Britanike që në vazhdimësi e ka përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe është angazhuar që përmes projekteve konkrete të ngris kapacitetet tona. Ambasadori Abbott, ka inkurajuar Auditorin e Përgjithshëm dhe auditorët që të vazhdojnë punën e mirë dhe të japin kontributin për përmirësimin e vazhdueshëm në menaxhimin e mirë të financave publike, rritjen e transparencës në administratë publike dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.
Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Kosovës

Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Kosovës

Sot, Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Kosovës ku është diskutuar për raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për komunat e Kosovës. Me këtë rast z.Osmani, duke theksuar rëndësinë e procesit të auditimit të komunave dhe zbatimin e rekomandimeve në përmirësimin e qeverisjes në nivelin lokal, ai ka thënë se raportet e auditimit janë një lloj ekzaminimi shumë i mirë për kryetarët e komunave që të kuptojnë se çka duhet të përmirësojnë në të ardhmen. “Është një mundësi e mirë të diskutojmë së bashku me ju të gjeturat e raporteve tonë dhe në të njëjtën kohë të marrim edhe një vlerësim nga ana e juaj për punën tonë dhe për të gjitha shqetësimet që ju i keni në raport me Zyrën Kombëtare të Auditimit” theksoi Osmani. Tutje z.Osmani ka thënë se për t’u përmirësuar gjendja në komunat e Republikës së Kosovës janë shumë sfida, por ka zgjidhje. Sfidat kryesore kanë të bëjnë me shfrytëzimin e buxhetit. “Përderisa ende kemi komuna që shfrytëzojnë vetëm 50 për qind të buxhetit vjetor tregon se flasim për një performancë relativisht të dobët në menaxhimin e buxhetit dhe kjo e zë një vend të merituar në raportet e auditimit, sepse kjo tregon qoftë për planifikim të dobët buxhetor apo për mungesë të kapaciteteve për të shfrytëzuar buxhetin”, ka theksuar ai. Nga ana tjetër kryetarët e komunave  kanë vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm si dhe pavarësisht vështirësive ata kanë shprehur gatishmërinë për të zbatuar rekomandimet. Nga Ministria e Financave, Drejtori i Buxhetit z. Salvador Elmazi, ka theksuar se bazuar në rekomandimet e auditorit, jemi duke u munduar të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për zbatimin e rekomandimeve, në mënyrë që ato mos të përsëriten. Në këtë takim që është organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është diskutuar edhe për strategjinë e shtetit zvicerane në përkrahje të komunave të Kosovës të cilën e ka prezantuar drejtoresha e Zyrës zvicerane për bashkëpunim, Katharina Stocker.  Kurse strategjinë e shtetit suedez në përkrahje të komunave e ka prezantuar udhëheqësja për Bashkëpunim dhe zhvillim/zëvendës shefe e misionit të Ambasadës së Suedisë në Kosovë, Nasrin Pourghazia.