ZKA-ja shpall punonjësin e vitit 2020
Zyra Kombëtare e Auditimit ka përzgjedhur Shqipe Azemin punëtoren e vitit 2020. Ndarjen e kësaj mirënjohje e ka bërë Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani. Ai tha se kjo mirënjohje i ndahet punonjëses së ZKA-së Shqipe Azemi për punën e suksesshme dhe performancën e treguar gjatë dizajnimit dhe zhvillimit të tërësishëm të sistemit elektronik për menaxhimin e auditimit SITA.
“Sigurisht që ka në numër dyshifror personel që ka kontribuar në arritjet e rezultateve të ZKA-së, megjithatë kam bindjen e plotë se ju pajtoheni me mua dhe me kolegët e juaj nga të cilët kam pasur rastin gjatë këtyre dy ditëve të marr mendimin se nuk bëjmë as më të voglin gabim që znj. Shqipe Azemi të shpallet punëtorja e vitit 2020 në Zyrën Kombëtare të Auditimit”, ka deklaruar Osmani.
Ndërkohë Shqipe Azemi ka thënë se ndihet e privilegjuar që është vlerësuar në një konkurrencë të madhe, në mesin e shumë kolegëve me rezultate të shquara. Ajo ka thënë se do të vazhdojë angazhimin që SITA të plotësoj pritjet e stafit dhe të menaxhmentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe të siguroj kualitetin dhe efektivitetin e synuar.
“Dua të shfrytëzoj këtë rast, të falënderoj shumë të gjithë kolegët që janë angazhuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në projektin për zhvillimin e SITA-s. Suksesi im i dedikohet atyre dhe të gjithë stafit të ZKA. Unë thjesht kam mbetur gjithmonë e befasuar me përgjigjen dhe përgjegjësinë e kolegëve në secilën thirrje time. Shpesh kërkesat e projektit për tu angazhuar kanë qenë përtej mundësive normale ditore, por të gjithë që janë ftuar janë përgjigjur, madje edhe kur kanë pasur probleme shëndetësore serioze dhe kanë bërë të pamundurën që çdo detal të përfundoj në kohë. Pa këtë kontribut nuk do ishte SITA sot”, u shpreh Azemi.











Memorandumi “Bashkëpunimi për Zhvillim Institucional me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës 2020-2023” është hartuar në përputhje me planet dhe objektivat stategjike të ZKA-së, qëllimi afatgjatë i të cilit është të mbështesë ZKA-në e Kosovës për t’u bërë një Institucion Suprem Auditmi që punon në pajtim me standardet dhe parimet e INTOSAI-t (IFPP). Ky projekt i ka të përcaktuara dy objektiva, të cilat janë: forcimi i disa proceseve organizative për nxitjen e një pune me cilësi të lartë dhe zhvillimi i kapaciteteve për hartimin e raporteve të auditimit të performancës me cilësi më të lartë, të cilat janë të dobishme për palët relevante të interesit.
Pas nënshkrimit të memorandumit, Komiteti Drejtues i Projektit për bashkëpunim, i përbërë nga përfaqësues të ZKA-së Suedeze dhe ZKA-së së Kosovës, mbajtën mbledhjen e rregullt vjetore. Përfaqësuesit e të dyja institucioneve supreme të auditimit diskutuan për nivelin e zbatimit të planit të aktiviteteve për vitin 2020, të arriturat dhe sfidat e projektit si dhe për rezultatet që priten nga marrëveshja e re.
Partneriteti mes ZKA-së të Suedisë dhe asaj të Kosovës daton që nga viti 2011, kur është arritur Marrëveshja e Bashkëpunimit për zhvillimin e kapaciteteve, përmes së cilës ZKA-së së Kosovës i ofrohej mbështetje për të përmbushur mandatin e saj dhe për t`u bërë një institucion i qëndrueshëm suprem i auditimit, i cili vepron në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Ky ka qenë projekti më gjithëpërfshirës zhvillimor i zbatuar në ZKA.




