Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.

Lajmet

Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2013

Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2013

Auditori Përgjithshëm, Lage Olofsson, ka publikuar Raportin e tij të Performancës për vitin 2013, i cili është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës me 30 prill. Ky raport ofron informacion mbi funksionin dhe operimin e zyrës dhe paraqet pasqyrat e audituara financiare dhe treguesit e performancës për vitin 2013.

Raporti Vjetor i Performancës përqendrohet në mënyrën se si Auditori i Përgjithshëm ka shfrytëzuar burimet që i janë besuar. Përveç kësaj, ai përmbledh rezultatet që zyra ka arritur gjatë vitit 2013 dhe tregon hapat që do të ndërmerren për të adresuar sfidat e hasura.

“Gjatë vitit buxhetor 2013 ne finalizuam sezonin e auditimit 2012/13 në gusht dhe filluam sezonin e auditimit 2013/14 në shtator. Rezultatet e arritura nxjerrin në pah se i kemi përdorur në mënyrë efektive parakushtet që Kuvendi na i ka dhënë dhe mbulimi i auditimit tanimë është më gjithëpërfshirës. Sa i përket cilësisë së auditimit dhe ndikimit të punës sonë treguesit nxjerrin në pah trendin pozitiv me kalimin e viteve.

Kjo është si rrjedhojë e qasjes dhe fokusit të pavarur në punën tonë operative; shumica e stafit tonë është e përkushtuar n]ë zhvillim të vazhdueshëm dhe ndryshim për të përmbushur nevojat, kërkesat, pritjet e reja; dhe partnerët dhe kolegët tanë ndërkombëtar punojnë në kuadër të kontekstit të veçorive dhe nevojave specifike të Kosovës” ka thënë ndër të tjera Auditori i Përgjithshëm në fjalën e tij drejtuar Kuvendit të Kosovës.

Raporti është publikuar në faqen elektronike të ZAP-it, www.oag-rks.org dhe është i hapur për komentet tuaja. 

 

Takimi i Rrjetit të Zyrtarëve Ndërlidhës të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve anëtare të BE-së, kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE

Takimi i Rrjetit të Zyrtarëve Ndërlidhës të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve anëtare të BE-së, kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE

Në datat 9, 10 dhe 11 prill, 2014  në Kopenhagë të Danimarkës u zhvilluan takimet e Rrjetit të Zyrtarëve Ndërlidhës të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të vendeve anëtare të BE-së, kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE, me pjesëmarrjen e Gjykatës Evropiane të Llogarive dhe SIGMA-s, si dhe Grupit Punues për aktivitete të përbashkëta në Auditim (JWGAA).

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në këto takime u përfaqësua nga Qëndresa Mulaj në cilësinë e Zyrtares Ndërlidhëse. Takimet ishin organizuar nga Zyra e Auditimit të Danimarkës (Rigsrevisionen) dhe u zhvilluan në ambientet e këtij institucioni. 

Në kuadër të takimit të 9 prillit, të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për në BE, u diskutua lidhur me zhvillimin e aktiviteteve të ardhshme të Rrjetit të ISA-ve, propozuar në Budva. Një nga aktivitet në të cilin Kosova tashmë është angazhuar është edhe projekti i auditimeve paralele të performancës. Ky projekt aktualisht do të zhvillohet në bazë rajonale me mbështetje nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Pjesëmarrës në këtë projekt janë ISA-it nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, ndërsa vëzhgues janë ISA-it nga Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Gjatë implementimit të këtij projekti do  të zhvillohen disa trajnime dhe punëtori dhe njëra prej tyre do të organizohet nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.

Në datat 10 dhe 11 prill, u zhvillua takimi i Rrjetit të vendeve anëtare të BE-së dhe Kosova në këtë takim ishte në cilësinë e vëzhguesit.

Pjesëmarrja e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës në takimet e ardhshme të Rrjetit do të jetë e rregullt. 

 

Auditimi i Jashtëm Publik: një shtyllë e shoqërisë demokratike dhe ndërtimit të shtetit

Auditimi i Jashtëm Publik: një shtyllë e shoqërisë demokratike dhe ndërtimit të shtetit

Dje, Auditori i Përgjithshëm mbajti një ligjëratë në Qendrën Informative të BE-së në Prishtinë me qëllimin për të rritur vetëdijesimin e studentëve për Auditimin e Jashtëm Publik. Fokusi i ligjëratës ishte njohja e studentëve me rolin e auditimit të jashtëm, raportet e auditimit/llojet e opinioneve që jepen, ku gjendet sot ZAP-i, qasjen dhe fokusimin në zhvillimin e mëtejshëm të menaxhimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies.  

Ai u shpjegoi studentëve gjendjen e përgjithshme në sektorin publik të Kosovës dhe rolin e Institucionit Suprem të Auditimit për të siguruar: përdorimin e duhur dhe efektiv të fondeve publike; zhvillimin e menaxhimit të shëndoshë financiar; kryerjen si duhet të aktiviteteve administrative; dhe komunikimin e informacionit tek autoritete publike dhe publiku i gjerë përmes publikimit të raporteve objektive.  

Auditori Përgjithshëm e përmbylli ligjëratën e tij duke i kërkuar studentëve ti kapërcejnë vështirësitë, të punojnë shumë dhe gjithmonë t’i përmbahen cilësisë, të shikojnë përpara për të ardhmen dhe rezultatet. 

Ne jemi një vend demokratik dhe në demokraci ke të drejtën të dish nëse paraja publike shpenzohet apo jo në mënyrë të ndershme, efikase dhe efektive. Por, më shumë se një e drejtë, është një obligim i demokracisë që çdo qytetar të kërkojë llogari administrative dhe politike për mënyrën se si trajtohen paratë e taksapaguesve” tha ai. 

 

Roli i Institucioneve të Larta të Auditimit në sfidat aktuale në Menagjimin Publik dhe Përgjegjësitë

Roli i Institucioneve të Larta të Auditimit në sfidat aktuale në Menagjimin Publik dhe Përgjegjësitë

Lage Olofsson ZAP, Robert Gielisse KE, Bujar Leskaj KLSH, Ilir Meta Kryetar i Kuvendit, Joop Vrojlik SIGMA, Jacek Jezierski ISAP

Auditor i Përgjithshëm, Lage Olofsson, Ibrahim Gjylderen, Ndihmës AP dhe Qëndresa Mulaj, Zyrtare për Media kanë përfaqësuar Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm në Konferencën e Dytë Shkencore të Kontrollit të Lartë të Shtetit si Institucion Suprem i Auditimit të Shqipërisë (KLSH).

Kjo konferencë është organizuar nga KLSH me mbështetjen e SIGMAs dhe u mbajt në Tiranë me 12-13 dhjetor 2013. Të pranishëm tjerë në këtë konferencë ishin përfaqësues nga Komisioni Evropian, Gjykata Evropiane e Auditorëve, si dhe përfaqësues të lartë nga Institucionet Supreme të Auditimit të Turqisë, Suedisë, Polonisë, Maqedonisë, Bosnja dhe Hercegovina, Malit të Zi, si dhe nga sfera akademike dhe organizata të shoqërisë civile.

Gjatë konferencës nga të pranishmit u prezantuan arritjet aktuale nga Institucionet Supreme të Auditimit si dhe studime dhe pune kërkimore. Auditor i Përgjithshëm ka prezantuar punën dhe arritjet e deritanishme të ZAP-it, ndërsa  punimi kërkimor nga Ndihmës AP, Z. Gjylderen, “Procesi i Globalizimit dhe Standardet e Auditimit”, do të publikohet në Revisten Vjetore Shkencore të ALSAI-t. 

 

Auditori i Përgjithshëm do të auditojë fondet nga DANIDA

Auditori i Përgjithshëm do të auditojë fondet nga DANIDA

Me 06 dhjetor 2013 Auditori i Përgjithshëm, Lage Olofsson, dhe Mihai Constantinescu, Këshilltarë në TAMAD (Program për Mbështetje Teknike për MBPZHR nga Danida) kanë nënshkruar një kontratë profesionale  e cila angazhon Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm për të audituar fondet që do të shfrytëzohen për implementimin e këtij programi në sektorin e bujqësisë. TAMAD është program për mbështetje Kosovës në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (2012-2015) nga DANIDA.

Kjo kontratë është shumë vjeçare për vitet 01 shtator 2012 – 31 dhjetor 2015. Për këtë kohë ZAP do të kryejë dy auditime të ndara, i pari do të mbuloj periudhën 16 mujore ndërsa i dyti periudhën 12 mujore. Implementimi i kontratës do të filloj në janar 2014.

Lage Olofsson, Auditor i Përgjithshëm dhe Mihai Constantinescu, Këshilltarë në TAMAD 

 

Përfaqësues nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm marrin pjesë në Kongresin e EUROSAI për të rinj

Përfaqësues nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm marrin pjesë në Kongresin e EUROSAI për të rinj

Ilire Daija-Buza, u.d Drejtor i Përgjithshëm dhe Nora Rashiti, Auditore, po përfaqësojnë Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm në Kongresin e EUROSAI për të rinj (YES) të organizuar nga Gjykata Holandeze e Auditorëve në Roterdam, më 20-22 nëntor 2013.

Kongresi YES i paraprin Kongresit të IX të EUROSAI dhe qëllimi është të përfshihen brezat e ardhshëm, anëtarët e rinj të stafit të Institucioneve Evropiane Supreme të Auditimit për të ndarë pikëpamjet e tyre për risitë.

YES do të informojë Kongresin e IX për pikëpamjet dhe risitë mbajtur nga brezat e rinj dhe liderët e mundshëm të ardhshëm të anëtarëve të EUROSAI. 

 

Punëtori lidhur me zhvillimin e kapaciteteve në Auditimin e Performancës

Punëtori lidhur me zhvillimin e kapaciteteve në Auditimin e Performancës

Në kuadër të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO) është organizuar punëtoria lidhur me zhvillimin e kapaciteteve në Auditimin e Performancës.

ZAP do të jetë nikoqire e kësaj punëtorie ndërsa SNAO ka financuar aktivitetin dhe ka siguruar ekspertë nga fusha e auditimit të performancës.

Tema e punëtorisë do të jetë më shumë e fokusuar në: Metodat e shkrimit të raporteve mirë të strukturuara; Ofrimi dhe pranimi i kritikave konstruktive; Dizajnimi i raporteve të auditimit të performancës.

Përveç Auditorëve nga ZAP, pjesëmarrës në këtë punëtori do të jenë edhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit si Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.

Punëtoria po mbahet në Hotel Sirius dhe do të zgjasë nga 19 deri më 22 Nëntor 2013. 

 

ZAP bashkëpunon në një Rrjet me Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe vendeve  kandidate potenciale dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve

ZAP bashkëpunon në një Rrjet me Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve kandidate dhe vendeve kandidate potenciale dhe Gjykatës Evropiane të Auditorëve

Për herë të parë Auditori i Përgjithshëm i Kosovës ftohet nga ky rrjet. Auditori i Përgjithshëm, Lage Olofsson dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, do të marrin pjesë në “Konferencën për marrëdhëniet midis Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Parlamentet”, e cila zhvillohet më 18-19 nëntor 2013, në Pržno, të Malit të Zi.

Kjo konferencë organizohet nën patronazhin e Rrjetit. SIGMA, program i financuar nga Komisioni Evropian dhe menaxhuar nga OECD e ndihmon këtë konferencë.

ISA-të dhe Parlamentet luajnë rol të rëndësishëm në sistemin e llogaridhënies financiare publike dhe qeverisjes së mirë. Në njohjen e rëndësisë së bashkëpunimit efektiv midis ISA-së dhe Parlamentit në kontekst të negociatave të anëtarësimit, objektivi i konferencës është shkëmbimi i përvojave për ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive midis ISA-së dhe Parlamentit: për të diskutuar faktorët që ndikojnë në marrëdhëniet e tilla; dhe të fillohet me zhvillimin e “veglave” të cilat mund të përdoren nga ISA-të individuale dhe parlamentet në forcimin e bashkëpunimit të tyre i cili është reciprokisht i dobishëm.

Në këtë konferencë marrin pjesë edhe anëtarët e Kuvendit të Kosovës/Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadriu dhe Ramiz Lladrovci si dhe Fatime Qorri, Koordinatore e Komisionit. 

 

Auditori i Përgjithshëm, ka prezantuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2012 para Kuvendit të Kosovës

Auditori i Përgjithshëm, ka prezantuar Raportin Vjetor të Auditimit për vitin 2012 para Kuvendit të Kosovës

Në seancën plenare, më 14 nëntor të vitit 2013, Z. Lage Olofsson, Auditori i Përgjithshëm, ka prezantuar Raportin e tij Vjetor të Auditimit për vitin 2012 para deputetëve të Kuvendit. 

Në fjalimin e tij drejtuar deputetëve, Auditori i Përgjithshëm theksoi se raporti bazohet në 90 auditime statutore (të rregullisë) dhe rreth 25 auditime jo statutore (të performancës, menaxheriale) realizuar dhe analizuar në nivel të përgjithshëm.

Cilësia e informacionit në Buxhetin e Kosovës, si dhe në Pasqyrat Vjetore Financiare (PVF) është përmirësuar gjatë viteve. Megjithatë, tani përballemi me pritjet dhe kërkesat më të larta sa i përket saktësisë dhe vlefshmërisë së informacionit dhe statistikave në lidhje me ambiciet euro- atlantike të Kosovës dhe ne mund të jemi krenarë për atë që Kosova ka arritur deri më tani, por sfidat e reja janë para nesh, tha ai.

Opinioni i përgjithshëm i auditimit për cilësinë e informacionit në BK / PVF ishte:

“Pasqyrat Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës në të gjitha aspektet materiale, paraqesin një pamje të vërtetë dhe të drejtë të financave dhe situatën financiare për vitin fiskal 2012”.

Në të njëjtën kohë, informacionet në PVF themelore të OB-ve individuale dhe BK/PVF janë nënvlerësuar nga rreth 2,850,000,000€ në krahasim me PVF-të individuale. pasuritë e prezantuara në PVF-të themelor nuk janë të sakta në shumë raste që ka rezultuar me 42 Theksime të çështjes në OB-të individuale. (ISSAI 400: Opinion i pakualifikuar i auditimit me theksim të çështjes).

Më tej, ai theksoi se sa i përket Menaxhimit të Financave Publike është bërë progres në kornizën legjislative dhe atë institucionale, por zbatimi i kornizës ligjore është ende në nivel të pamjaftueshëm. Ai identifikoi sfidat specifike në sektor dhe fusha të ndryshme në administratën publike, siç janë Autoritetet Qendrore; Institucionet e Pavarura, Komunat dhe Ndërmarrjet Publike.

Auditori i Përgjithshëm përfundoi fjalimin e tij duke thënë se të gjitha këto, në një mënyrë apo tjetër, ndërlidhen drejtpërdrejt me vlerat dhe qasjet e strategjisë së integrimit në BE. Raporti parashtron sfidat kryesore që të gjithë ne duhet t'i adresojmë nga linja e veçantë e përgjegjësisë me qëllim që përmirësimet në sektorin publik të shtyhen përpara.

Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2012 është mbështetur nga të gjitha partitë politike dhe rekomandimet e dhëna janë konsideruar si shumë të rëndësishme për ambiciet që raportimi i  jashtëm dhe menaxhimi financiar dhe kontrolli të përmirësohen më tej. 

 

Takimi i Komitetit Drejtues i MOSAIC - Kinë

Takimi i Komitetit Drejtues i MOSAIC - Kinë

Auditori i Përgjithshëm Lage Olofsson së bashku me Kryeshefen Ekzekutive të SHKÇAK-ut zonjën Ardiana Bunjaku, do ta vizitojnë Kinën gjatë javës, duke ia filluar me 14 tetor.

Ata do të marrin pjesë në një Komitet Drejtues të MOSAIC (1), ku do të paraqiten dhe diskutohen përvojat e fituara nga dizajnimi dhe paraqitja e një programi të çertifikimit për auditorët e rregullsisë të sektorit publik.

Programi është përshtatur me standardet e reja profesionale dhe me udhëzimet e praktikave më të mira për auditorët e sektorit publik (SNISA), zyrtarisht të autorizuara dhe të miratuara nga Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI). Asistencë është dhënë nga partnerët bilateral dhe të Binjakëzimit të ZAP-it.

Përfitimet dhe vlerat e përdorimit të SNISA-ve janë të shumta dhe të llojllojshme, por përfshijnë cilësi të rritur dhe uniforme të auditimit, rritje të besueshmërisë dhe profesionalizmit. Në vitet e ardhshme shumë përpjekje dhe sasi të konsiderueshme të kohës do t’i kushtohen ngritjes së vetëdijesimit në komunitetin e INTOSAI-t në lidhje me SNISA-t dhe inkurajimit të Institucioneve Supreme të Auditimit që ta implementojnë kornizën e SNISA-s. 

 

____________________________________

1) MOSAIC është një Memorandum historik i Mirëkuptimit i cili përcakton bazat për përmirësimin e bashkërendimit dhe bashkëpunimit midis Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK) dhe komunitetit ndërkombëtar për zhvillim. MOSAIC siguron bazat për ngritjen e kapacitetit të Organizatave Profesionale të Kontabilitetit (OPK) dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së sistemeve për menaxhim financiar të ekonomive në zhvillim. Ky memorandum gjithashtu ka për qëllim që të kontribuojë në Partneritetin e Ri Global për Bashkëpunim Efektiv Zhvillimor. 

 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm zhvillon qasje të reja në auditimin e Prokurimit Publik

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm zhvillon qasje të reja në auditimin e Prokurimit Publik

Banka Botërore po financon një program që synon rritjen e zbatimit më të mirë të Prokurimit Publik në Kosovë. Zyra e Auditorit të Përgjithshëm mbështetet me një grant për një projekt 20 muajsh, i cili fokuset drejt zhvillimit të aftësive profesionale në auditimin e sistemeve të prokurimit dhe në marrjen e vendimeve të duhura afariste në prokurim. Sean Sweeney është kontraktuar për trajnim dhe mentorim në Zyrë. Kjo gjithashtu përfshin një udhëzues të ri të bazuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe ofrimin e trajnimit.

Auditori i Përgjithshëm, Lage Olofsson dhe Sean Sweeney, Drejtori Ekzekutiv i Korporatës KOSI, duke nënshkruar kontratën, më 9 Tetor. 

 

Auditimi i Performancës dhe bashkëpunimi rajonal

Auditimi i Performancës dhe bashkëpunimi rajonal

Nën organizimin e programit TAIEX të Komisionit Evropian dhe në bashkëpunim me Institucionin Suprem të Auditimit të Shqipërisë, me 3 shtator, në Tiranë u mbajt punëtoria “Auditimi i Performancës, mundësitë rajonale për bashkëpunim”. Qëllimi i këtij organizimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit të filluar këtë vit midis Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të rajonit dhe të BE-së në fushën e auditimit të performancës, dhe gjetja e mundësive të shkëmbimit të përvojave me ISA-it e rajonit me qëllim të kryerjes së auditimeve të përbashkëta, paralele dhe të koordinuara.

Përfaqësuesit e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në mesin e pjesëmarrësve të tjerë

Të pranishëm në këtë punëtori ishin përfaqësuesit nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, Artan Venhari, ZV. Auditor i Përgjitshëm, Mirlinda Kadriu, Drejtore e Dep. të Auditimit të Performancës, Bezad Halilaj, Drejtor në Dep. e Auditimit të Prokurimeve dhe Myrvete Gashi, Drejtore e Dep. të Auditimit të PPP. Ndërsa kishte përfaqësues edhe nga Institucione Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit si: Shqipërisë si nikoqire, Kroacisë, Sllovenisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia dhe vendeve të BE-së si Suedia, Rumania dhe Norvegjia.  

Pjesëmarrësit u pajtuan që të rritet bashkëpunimi rajonal dhe të shkëmbehen ide dhe informata sa i përket auditimeve të performancës. 

Gjatë qëndrimit në Tiranë, përfaqësues nga ZAP patën një takim të ndarë edhe me Z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në këtë takim u theksua se marrëveshja e bashkëpunimit nënshkruar nga të dyja institucionet po përmbushet dhe të dyja palët u pajtuan që të vazhdohet tutje dhe të caktohen objektivat e para sa i përket bashkëpunimit në auditimet e performancës, si dhe të shikohen edhe fusha të reja për bashkëpunimi më të ngushtë në auditime paralele si dhe në fushën e ngritjeve të kapaciteteve të të dy institucioneve.