Publikohet sinteza për projektin regjional të auditimit të performancës për prokurimin publik
Gjykata Evropiane e Auditorëve së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë kanë mbështetur projektin regjional të auditimit të performancës për prokurimin publik në vendet e Ballkanit Përendimor, dhe së fundmi kanë publikuar raportin sintezë për këtë projekt. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës ishte pjesë e këtij projekti së bashku me Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit përfshirë atë të Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.
Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, duke pasur parasysh rëndësinë dhe peshën e prokurimit publik në buxhetin e shtetit ka përkrahur këtë projekt në vazhdimësi. Me këtë rast ai shprehet mjaft i kënaqur që Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës po luan rol aktiv në komunitetin e auditimit, përmes bashkëpunimeve regjionale dhe më gjerë.
Z. Osmani ka theksuar vullnetin dhe interesimin për iniciativa të tilla, duke siguruar se ZKA do të jetë pjesëmarrëse dhe do të jap kontributin e vet profesional.
Projekti kishte në fokus auditimin e prokurimit publik si fushë e ndjeshme ndaj mashtrimit dhe korrupsionit. Indikatorët e problemit në fushën e prokurimit, të siguruara nga mediat dhe hulumtimet tjera, tregojnë për një prirje të autoriteteve kontraktuese drejt procedurave të negociuara në vend të procedurave të hapura të cilat janë më pak transparente dhe më pak ekonomike. Pastaj ka anulime të shumta të kontratave, vonesa në zbatimin e kontratave dhe probleme tjera që shkaktohen nga procedura jo të mirëfillta të prokurimit.
Raporti i publikuar është një sintezë e gjetjeve dhe konkluzioneve kryesore që kanë dalë nga auditimi paralel dhe ka për qëllim të nxisë të kuptuarit e problemeve me të cilat përballen vendet e regjionit në fushën e prokurimit publik dhe bashkëpunimit regjional në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Konkluzioni i përgjithshëm që rezultoi nga auditimi paralel në fushën e prokurimit publik është se përmirësimi i fazës së planifikimit dhe përmirësimi i monitorimit mund të shtrojë themelet për një prokurim publik më efikas dhe më ekonomik.
Thelbi i këtij projekti të auditimit paralel, përveç masave të rekomanduara për përmirësim në fushën e prokurimit, është përmirësimi i mëtejmë i diturisë në auditim të performancës, dhe rrjetit rajonal që është krijuar mes pjesëmarrësve.
Raporti në gjuhën angleze është publikuar në uebfaqen tonë dhe e gjeni në këtë vegzë. Pas përkthimit raporti do të jetë i qasshëm edhe në gjuhën shqipe dhe serbe.







z. Osmani kërkoi nga Qeveria të zbatojë një proces sistematik për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga të gjitha organizatat buxhetore që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur, e njëjta shtoi ai, kërkohet të bëhet edhe nga institucionet tjera publike të Republikës së Kosovës.
Nga ana e tij, Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke theksuar se Auditori i Përgjithshëm është një nga institucionet më kredibile të shtetit tonë, në parametra dhe në drejtim të duhur. Ai tha se e inkurajon edhe më tej për punë të mirë Zyrën Kombëtare të Audimit dhe u zotua se Qeveria e drejtuar nga ai do t’i merr seriozisht gjetjet dhe do t’i zbatojë rekomandimet e raporteve të Auditorit të Përgjithshëm.
Kryeministri Haradinaj theksoi se raportet e auditimit paraqesin gjendjen reale të menaxhimit të financave publike në vendin tonë dhe u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve të lartë shtetëror për një angazhim më të madh për të përmirësuar këtë gjendje.
z. Driton Selmanaj, deputet dhe kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike të Kuvendit të Kosovës, tha se Zyra Kombëtare e Auditimit është një nga institucionet e rralla që Kosova mburret me të. Në fjalën e tij, z. Selmanaj ka vënë theksin në dy çështje që konsiderohen si shqetësuese për Komisionin të cilin përfaqëson: niveli i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga institucionet publike dhe se pret nga Qeveria e Kosovës përkushtim më serioz në këtë aspekt, se Kuvendi i Kosovës pret nga Qeveria që ta sjellë sa më parë planin e veprimit dhe që të shfrytëzohen raportet e Auditorit të Përgjithshëm në përmirësimin e gjendjes në vend.
Ndërkaq prezantimin e çështjeve kryesore të auditimit për vitin 2016 dhe progresin në zbatimin rekomandimeve nga raportet e auditimit e ka bërë z. Qerkin Morina, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm. Për vitin 2016, ZKA, ka nxjerrë 106 raporte të auditimit, prej të cilave 92 auditime të rregullsisë të organizatave buxhetore, 4 auditime të ndërmarrjeve publike, 2 auditime të projekteve të donatorëve, dhe 7 auditime të performancës – që kanë të bëjnë me projektet dhe programet, me theks të veçantë ekonominë, efikasitetin dhe efektivitetin në përdorimin e burimeve si dhe Raporti Vjetor i Auditimit për buxhetin e shtetit. Nga to kanë dalë 24 opinione të pamodifikuara, 58 opinione të pamodifikuara me theksim të çështjes, 5 opinione të kualifikuara, 7 opinione të kualifikuara me theksim të çështjes dhe 2 opinione të kundërta. Në përqindje 85% opinione të pamodifikuara (pozitive) dhe 15% opinione të modifikuara (negative).
Pjesa e dytë e tryezës ka vazhduar me diskutime në panel e moderuar nga z. Ilir Salihu, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm. Anëtarë të panelit ishin: z. Mahir Yagcilar, Ministër i Administratës Publike, z. Fatmir Gashi, Zëvendësministër i Financave, z. Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe z. Isuf Zejna, përfaqësues i shoqërisë civile nga organizta D+ si.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe një numër i konsiderueshëm i kryetarëve të komunave, sekretarë të përgjithshëm të ministrive të ndryshme, përfaqësues të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare në Kosovë, shoqërisë civile dhe mediave.
